gjuha shqipe

rmv.jpg
ent ela17:35 | 05/09/2019

Grupe parlamentare të Maqedonisë së veriut, janë takuar me delegacionin e komisionit të Venecias. Tema kryesore është përdorimi i gjuhës shqipe në vend nëntë muaj pas miratimit të ligjit .

Prej herët në mëngjes deri pasdite, delegacioni I Komisionit të Venecias I dëgjoi qëndrimet dhe vërejtjet në Kuvend, kryesisht rreth Ligjin për përdorimin e gjuhëve, I miratuar në janar të këtij viti, me mbështetje të shumicës në pushtet, por pa votat e partisë më të madhe opozitare. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se argumentet kundër ligjit, të cilat para 9 muajsh i shprehën në foltoren e Kuvendit, i kanë përsëritur edhe sot, ndërsa kanë të bëjnë me procedurën e shkelur të rregullativës, siç thonë edhe të kushtetueshmërise së ligjit. Megjithatë, konsultimet, disa muaj pasiqë ligji hyri në fuqi, sipas Nikolla Micevskit, janë veprim i vonuar.

 “Në qoftë se do të dëgjohej zëri I VMRO-DPMNE-së që e gjithë kjo procedurë të zhvillohej si një procedurë normale, të ketë debat publik nga ana e deputetëve, ekspertëve, palëve të interesuara dhe bashkësitë pakicë, të cilat gjithashtu duhet të jenë të përfshira, për të cilat duhet të miratohet ky ligj, sepse Republika e Maqedonisë është shoqëri me më shumë bashkësi, të ishin të përfshira të gjitha kërkesat dhe të gjitha gjuhët e atyre bashkësive pakicë, ne do të ishim në gjendje të kemi ligj që do të pranohej dhe në praktikë do të ishte I përdorur nga të gjitha bashkësitë në vend. Tani, si gjithçka tjetër që bën kjo qeveri, fillojmë nga pas, pastaj përpara.”

Por sipas Artan Grubit nga partia në pushtet BDI konsultimi i sotëm me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ka të bëjë me tekstin alternativ për nenin 8, i cili përcakton që me dygjuhësi të përfshihen edhe banknotat edhe monedhat dhe mjetet të tjera pagesore, si dhe uniformat ushtarake, policore, të zjarrfikësve dhe uniformat tjera zyrtare në vend. Sido që të jetë sugjerimi nga ekspertët juridkë ndërkombëtarë, sipas Grubit, do të respektohet.

“Mendimet e tyre janë të mirëseardhura dhe shpresoj se do të fokusen në dy elemente, nga neni 8 që janë dërguar për mendim, jo për tekstin e plotë të ligjit. Ndonjëherë kohezioni I shoqërisë është shumë më I rëndësishëm se sa disa elemente të cilat mund të jenë diskutabile në process. Ju kujtohet ka pasur protesta masive kundër miratimit të ligjit për përdorim të gjuhëve, por e pamë se edhe pas miratimit Maqedonia ende ekziston, dielli lindi prapë. Gjithë ajo që thuhej në protesta, gjithë ajo që thuhej në Kuvend, asgjë nuk ndodhi, vetëm se Maqedonia u bë shoqëri me kohezive, më e fortë, me e drejtë.”

Takim delegacion e Venecias patën edhe partitë tjera shqiptare.

Ligji për gjuhët zyrtarisht u shpall pa dekretin e ishpresidentit të shtetit, sepse Gjorge Ivanov vlerësoi se ai e rrezikon karakterin unitary të shtetit dhe të Kushtetutës. Kritika ka pasur edhe nga linguistët maqedonas të cilët kanë thënë se ky ligj del kuadri I Marrëveshjes së Ohrit. Por nga ana tjetër akademikët nga AMSHA vlerësuan se me ligjin për avancimin e statusit të gjuhës shqipe zgjerohet përdorimi I saj dhe mbyllet një nga çështjet e hapura e cila me dekada ishte burim I tensioneve ndëretnike.

shllaku.jpg
ad min21:20 | 12/04/2019

Shkrimtari Primo Shllaku ishte një ndër të ftuarit e kësaj puntate të emisionit “Provokacija”. Në një diskutim mbi gjuhën shqipe, ai tha se standardi që ne përdorim sot është një zgjedhje ushtarake.

Sipas tij, në vitin ku u mblodh kongresi nuk na duhej standardi sepse kuptoheshim.

“Kongresi i ’72 ishte një zgjedhje ushtarake, jo një zgjedhje kulturore, sepse kujtdo duhet ti dhimbte dora. Me çfarë kam kuptu unë nga reflektimit në lidhje me Eqerem Çabejt, të cilit pa dyshim do t’i takonte nderi të ishte në krye të pilotimit të kësaj nisme dhe i takoi dikujt tjetër që ishte komisar tregon se kemi të bëjmë me një zgjedhje ushtarake. Në atë kohë ne nuk na duhej standardi. Ne gjuhën e kishim. Mirëkuptim dhe kuptim njëri-tjetrit ia kishim në shkallën optimale dhe u bë një zgjidhje e cila i hapi të gjitha anomalitë që ka tosknishtja, ja hapi dyert për t’u ba normë dhe me gjithë gegnishten me ruajtjen e formave u përjashtua. E keqja më e madhe ishte se nuk mbaroi puna aty. U tha tjetër gjë dhe u realizua tjetër gjë. Ishte pjesë e propagandë. Otellos iu vu emri Bardhosh. Imagjinoni tek tragjedia Otello, dikush ta thërrasë Otellon hajde këtu Bardhosh”, tha Shllaku.

Sipas Shllakut, “Ne na duhet një gjuhë që duhet t’i ketë embrionalisht të dyja. Se si duhet të jetë ajo këtë nuk e di. Gabimi që është bërë i ka dhënë një goditje të rëndë kulturës shqiptare”.

Për sa i përket ditëve të sotme, shkrimtari theksoi se sfida nuk mbetet më tek gjuha, por te shkrimi.

“Sfida nuk është më gjuha. Problemi është a di me shkruar mirë! Ky është problemi. Kam dasht me u than të tjerëve që ne jemi brenda atdheut tonë, brenda shtëpisë tonë dhe nëse nuk mund të çojmë çfarë do lloj flamuri, ngjyrën e tjegullave mund ta bëjmë si të kemi qejf”, tha Shllaku./abcnews.al

MAQEDONI-QEVERIA-GJUHA-SHQIPE-1280x720.jpg
ent ela16:01 | 30/01/2019

Në Maqedoni, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe, në mbledhjen e parë të kësaj jave të Qeverisë, ministrat shqiptarë kanë folur e debatuar edhe në shqip. Mirëpo, nuk është se praktikimi zyrtar i gjuhës shqipe ka nisur pa probleme. Të ndjekim kronikën e kolegëve nga Klan-Maqedonia.

“Përkthejeni, nuk është korrekte, ndryshe do ta braktis press-konferencën, ua tërheq vërrejtjen, të mos ketë hidhërime. Përmendni Velesin, Gjimnazin, nuk e di çfarë pyesni, çfarë përgjigjet Ministri, nuk është në rregull. Mos e shkilni ligjin”.

Ishte kjo polemika e parë, pas fillimit të zbatimit të dygjuhësisë, ku Ministri I Arsimit Arbër Ademi nuk mbeti indifferent ndaj kërkesës së një kryetari të Komunës së Velesit, që pyetjeve t`u përgjigjet edhe në gjuhën maqedone. Ministri tha se do të përgjigjet shqip, ashtu sic është parashtruar pyetja.

Por, deputeti i opozitës Vllatko Gjorçev, njëherit i vetmi që ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, nga Kuvendi i Maqedonisë, i bëri thirrje qeverisë, që të mos i hedhin tabelat ku shkruan emri Republika e Maqedonisë, për shkak se siç tha, pas disa viteve mund sërish të hyjnë në punë.

Vlatko Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE: “Ndoshta për dhjetë, pesëmbëdhjetë vite do të vijë koha kur ne apo pasardhësit tanë do të duhet ta fshijmë pluhurin nga ato tabela dhe ndoshta sërish do ta shohin dritën”.

Por, ndryshe mendojnë socialdemokratët. Gjuha shërben për tu kuptuar mes veti, politikanët mos të bëjnë ndarje – thonë nga kjo parti.

Muhamed Zekiri, deputet i LSDM: “Çdokush ka të drejtë të flet në gjuhën e tij amtare. Ka kaluar koha që për këto tema dikush të rreh gjoks, të luajë rolin e patriotit dhe të përfitojë politikisht”.

Ndërkaq nga Qeveria e Maqedonisë zyrtarisht bënë të ditur se ka filluar aplikimi I dygjuhësisë edhe në seancat qeveritare, ku ministrat shqiptarë kanë folur dhe debatuar në gjuhën shqipe. /abcnews.al

iva-tico.png
ad min22:17 | 30/10/2018

Në pjesën e tretë të emisionit “Porvokacija” nga Mustafa Nano ishte e ftuar gazetarja Iva Tiço. Një diskutim mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe impaktin e tyre në jetët tona.

“Ajo që më shqetëson është tek fëmijët e vegjël është fakti se kanë një mënyrë të foluri në anglisht që pastaj përkthejnë në shqip. Fëmijët e sotëm, në shkollat më të mira të Shqipërisë, gjuha shqipe është lëndë e dorës së dytë dhe dorës se tretë. Kam dëgjuar dhe prindër kur i pyes për këtë gjë thonë “ç’i duhet?” dhe unë ngrij, më duket shumë e çuditshme. Sepse kanë një plan për të përgatitur një brez elitar emigimi shqiptar që fëmija nesër do iki jashtë dhe shqipja nuk i duhet, do të integrohet në një treg shumë më të madh. Ajo që duhet të merrte masa në këtë rast duhet të ishin politikat e Ministrisë së Arsimit.”

Gazetarja gjithashtu ndau dhe eksperiencën e saj me rrjetet sociale.

“Prej një viti e gjysëm unë nuk jam në Facebook, sepse zbulova se prej këtij rrethi të të njohurve unë merrja shumë të këqija. Kryesorja ishte që lexoja gjëra dhe humbja kohën me gjëra që nuk më interesonin thjesht sepse më dilnin aty. Tani nuk më dalin gjërat e të tjerëve sepse nuk kam miq, por më dalin vetëm disa gjëra të të tjerëve që unë dua ti ndjek.”

Tiço gjithashtu ndau me Provokacijan dhe dashurinë e saj për leximin.

“Dashuria ime e fundit në letërsi është pikërisht letërsia turke. I kam hyrë me themel pasi kisha njohur të parin Orhan Pamukun, tani kam zbritur poshtë dhe jam duke lexuar më tej.”/abcnews.al

PROVOKACIJA-KUJTIM-KAPLLANI-PJ-3.mpg_snapshot_14.46-1280x720.jpg
ad min21:51 | 23/10/2018

I ftuari i tretë i kësaj javë në eisionin “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano ishte gjuhëtari Kujtim Kapllani. Një diskutim mbi librin e tij më të ri, monografinë për Androkli Kostallarin, figurën e rëndësishme dhe kontraverse të gjuhësisë shqipe.

U fol gjithashtu dhe për çështje të rëndësishme gjuhësore siç është dhe mbështetja mbi parimin se shqipja rrejdh nga ilirishtja:

“Ne hamendësojmë, por ato fjalë me burim nga ilirishtja shpjegohen me shqipen. Merren fjalët ilire, merren mbishkrimet e të gjitha dhe shpjegohen me anë të ligjeve fonetike që shpjegon se si kanë mbërritur deri më sot. ”

Sipas Kapllanit gjuha shqipe është gjithmonë në ndryshime të shkallëzuara.

“Gjuha ndryshon vazhdimisht. Ndryshon edhe sintaksa e saj, por sintaksa është baza më e qëndrueshme sepse ajo përcakton origjinalitetin e gjuhës, karakterin ndërkombëtar të saj dhe të gjitha gjuhët e botës e kanë këtë. Por ndryshimet e gjuhës janë të tilla se një gjuhë nuk shkon më shumë se 2000 vjet. Shqipja po i bën 1000. Ajo do të transformohet aq shumë sa nuk merret vesh ajo gjuha mbas 2000 vjetëve me shqipen e sotme.”

Gjuhëtari i njohur foli gjithashtu dhe për çështjen shqetësuese ndërmjet linguistëve, në lidhje me pushtimin teknologjik tek të rinjtë dhe deformimin e gjuhës.

“Në qoftë se në shkolla do të bëhet i rregullt mësimi i gjuhës shqipe kjo nuk e dëmton, sepse ata e kanë formimin bazë. Duhet që të kemi mësues shumë të mirë.”

Ndërsa për Androkli Kostallarin, Kapllani shprehet se:

“Androkli Kostallarin është i denjë të rradhitet ndërmjet Sami Frashërit dhe Hoxha Tasimit.”/abcnews.al

PROVOKACIJA-MONOLOGU-celentano-1280x720.jpg
ent ela20:09 | 19/10/2018

Nëse herën e kaluar monologu i Mustafa Nanos në Provokacija u përqëndrua te përfshirja e rreperit Noizy në tekstet shkollore, këtë të premte ai u frymëzua nga kënga e Adriano Çelentanos për t’u dhënë një apel të gjithë tekstshkruesve të këngëve në shqip.

Përmbajtja e këngës së Çelentanos “Djali i rrugës Gluck” (Il ragazzo della via Gluck) flet për jetën e tij, vendlindjen e tij në fshat ku u rrit dhe jetoi atje, derisa mori vendimin për të shkuar në qytet.

“U thotë shokëve që fatlumët jeni ju jo unë. Në qendër do më duhet të thith çimento jo gjelbërim do të thotë Çelentano”– komenton Nano një pjesë të këngës së tij.

Dhe këtu ai apelon për gjelbërim leksikor në gjuhën shqipe. “Ka nevojë për gjelbërim leksikor në gjuhën shqipe”.

Më tej vazhdon Nano, kur Çelentano kthehet në rrugën Gluck dhe në vend të shokëve ai pa beton, beton.

“Kthehet në rrugën Gluck dhe në vend të shokëve ai pa beton, beton. Atje ku ishte një lëndinë e bukur sot është një qyet i madh, pse këta njerëz vazhdojnë të mbjellin beton”.

Nano apelon që edhe këngëtarët shqiptarë të bëjnë tekste të tilla, të shqetësimit të përbashkët, dhe të kërkojnë ndihmën e poetëve e shkrimtarëve, ashtu sikurse Çelentano nuk i bëri vetë tekstet e tij.

“Unë nuk kërkoj që këngëtarët shqiptarë të bëjnë tekste të tilla, por ata kanë të drejtë të këndojnë për shqetësimin e përbashkët. Duhet të kërkojnë ndihmën e poetëve e shkrimtarëve për tekstet, se Çelentano nuk e bëri vetë tekstin”./abcnews.al

JOVANOVIC-PER-ZAEV.mpg_snapshot_00.31.jpg
ad min11:49 | 22/09/2018

Cedomir Jovanoviç, politikani liberal serb, në një intervistë për mediat maqedonase u shpreh i bindur se është merita e kryeministrit maqedonas Zaev nëse tensionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vend janë ulur.

Politikani liberal serb, lideri i Partisë Liberale në Serbi, Çedomir Jovanoviç aktualisht është shumë aktiv në skenën politike në vend. Si student në vitet 1996-97 ishte figura udhëheqëse në protestat kundër diktatorit Sllobodan Millosheviç. Jovanoviç në një intervistë për mediat maqedonase ka folur për çështjet e rajonit përfshirë këtu edhe Maqedoninë, referendumin e ardhshëm si dhe qeverisjen e kryeministrit Zaev.

Ndër të tjera ai u shpreh se Maqedonia deri dje ishte vend ku një shtet e tërhiqte në një anë për shkak të besimit fetar, një tjetër i kundërshtonte emrin, dikujt i pengonte identiteti, dhe një tjetri akoma territori dhe gjuha. Jovanovic theksoi se 10 vite bllokadë nga Greqia i ka kushtuar shumë vendit. Por tashmë falë marërveshjes së kryeministrit Maqedonas Zoran Zaev i cili për herë të parë bashkoi partitë shqiptare në Qeveri situate është ndryshe.

Jovanovic u shpreh i bindur se është meritë e Zaev i cili përmes barazimit të gjuhës shqipe dhe maqedonase në vend ka qetësuar marrëdhëniet ndëretnike. “Ky ishte një veprim që bëri të mundur që shqiptarët në Maqedoni të jetojnë në shtetin e tyre”, shtoi Jovanovic. Në fund të intervistës politikani serb uroi që referendum i 30 shtatorit për çështjen e emrit të jetë i suksesshëm për hir të së ardhmes së vendit./abcnews.al

WEB-PROVOKACIJA-14.09.2018.mpg_snapshot_01.00.23-1280x720.jpg
ent ela21:23 | 14/09/2018

I ftuari i dytë në emisionin “Provokacija” nën drejtimin e gazetarit Mustafa Nano në Abc News ishte përkthyesi dhe autori i disa librave Edmond Tupe. Një diskutim interesant mbi gjuhën shqipe dhe problematikat e saj.

Ai tregoi se media dhe politika janë shtrembërueset kryesore të gjuhës. Për fjalët e huaja u tregua se përdorimi i shumtë i tyre është shumë i dëmshëm.

“Është shumë e dëmshme sepse shtrembërimi i gjuhës të çon në shtrëmbërim të mendimeve. Duhet redaktori. Rubrikat e mia unë tashmë i lexoj 4 herë sepse bombardohemi nga këto lloj gabimesh. Fjalë si “mall” “përmallosje” do të bien në fondin pasiv të gjuhës shqipe duke u përdorur vetëm në letërsi.”

Mes gazetarit Nano dhe autorit Tupe u bë gjithashtu dhe një lojë fajlore e lezetshme ku u dhanë shembuj konkretë se si gjuha shqipe po zëvendësohej nga fjalët e huaja. P.sh.: prezencë/prezent – prani; reciprok – i ndërsjellë; perfekt – i përsosur; suport – mbështetje; raport – marrëdhënie; kompeticion – garë; fokusim – përqëndrim; relaksohem – shtendosen etj. Sipas Tupes, përdorimi i këtyre fjalëve është bërë modë dhe konsiderohet si promovim intelektual.

Ai foli për “snobordhacët”, të cilët, sipas tij, janë njerëzit që përulen para të huajve duke harruar termat origjinale shqiptare për të mbartur fjalë përtej kufijve. Tupja shprehet se përdorimi i shpeshtë i fjalëve të huaja zhduk një zinxhir të tërë fjalësh në gjuhën shqipe. Gjithashtu nuk mund të mohohet dhe pasurimi i korpusit leksiokor dhe morfor-sintaksor sepse janë futur struktura të reja.

Si përfundim u tha se gjuha reagon dhe do të vazhdojë të reagojë sa kohë që njerëzit verbalisht do të komunikojmë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono