Gjiknuri

damian-gjiknuri.jpg
G. P.15:45 | 25/09/2018

Një ditë pas platformës së prezantuar nga opozita se në momentin e ardhjes së saj në pushtet do të prishen dhe konfiskohen pasuri dhe projekte koncesionare që po zhvillohen sot, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se kjo është një gjobëvënie. Damian Gjiknuri sqaron se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe konventat ndërkombëtare, qoftë kjo një parti politike.

Platforma antimafia e prezantuar nga opozita shihet nga ministri Damian Gjiknuri si degradim politik i saj. Kreu i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është autoriteti kontraktor për lidhjen e disa kontratave koncesionare të listuara nga demokratët se do të prishen në momentin që ata do të vijnë në pushtet, tha se ky sulm është një gjobëvënie ndaj bizneseve.

 “Ajo çka duhet të them për këto deklarata është se nuk e mendoja nivelin e degradimit deri në situata para politike të një partie kryesore opozitare që pretendon të vijë në pushtet. Deklarata të tilla, më e pakta janë gjobëvënie kurse më e shumta janë të kërcënosh zhvillimin ekonomik të këtij vendi”, tha Gjiknuri.

Damian Gjiknuri sqaroi se Shqipëria është anëtare e Konventave Ndërkombëtare, mbi të cilat nuk mund të dalë asnjë parti politike, pasi nëse prishet apo jo një kontratë e kontestuar nga një palë, fjalën e fundit e ka drejtësia.

 “Republika e Shqipërisë është anëtare e konventave ndërkombëtare që mbrojnë çdo lloj investimi  dhe ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike të mund të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend apo të mund të ndërmarrë masa të cilat janë të denja për regjimet të cilat ju ka ikur koha”, tha Gjiknuri.

Qeveria do të vazhdojë punën e saj për zhvillimin ekonomik të vendit, për modelin që është votuar, tha kreu i Infrastrukturës. Partia Demokratike listoi një sërë emrash biznesmenësh dhe kontrata konçesionare të marra nga kompanitë e tyre sit ë jashtëligjshme dhe në dëm të buxhetit të shtetit duke paralajmëruar prishjen dhe konfiskimin e tyre kur të vijë në pushtet./abcnews.al

GJIKNURI-MARREVESHJE-ME-MAQEDONIE-1280x720.jpg
ent ela14:43 | 21/09/2018

Në pritje të fillimit të punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400  kilovolt Elbasan-Manastir, Shqipëria dhe Maqedonia ndërmarrin hapat e para edhe për lidhjen e tyre me rrjet gazi.

Pas takimit që Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi me ministrin maqedonas të ekonomisë, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë mbrritur në fazat fianle të procesit të tenderimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV dhe në këtë shembull duhet ecur edhe me gazin. Këtu e vuri theksin ministri i infrastrukturës dhe energjisë Damian gjiknuri gjatë takimit me Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë Kreshnik Bekteshi.

“Ky nënshkrim i sotëm mes dy kompanive tona të gazit, është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne kemi mundësi që me këtë projekt të përbashkët që sapo nisim dhe me këtë bashkëpunim të mund të aplikojmë edhe në Bashkimin Evropian për mbështetje financiare pasi është një axhendë që përputhet plotësisht qoftë me procesin e Berlinit apo axhendën e konektivitetit rajonal. Jam i bindur se lidhja me gazsjellës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë me shumë rëndësi për të dyja vendet.

Do të jetë një projekt shumë fizibël sepse pika e daljes afër Bilishtit apo Korçës do të jetë shumë pranë me kufirin e Maqedonisë, çka bën që projekti të ketë një kosto më të ulët por dhe përfitimet të jenë të mëdha”- nënvizoi ministri Gjiknuri.

Në vlerësimin e ministrit Bekteshi, Shqipëria dhe Maqedonia janë pjesë e Komunitetit të Energjisë nga ku rrjedhin edhe shumë obligime të cilat përmbushen vetëm përmes hapave konkrete.

“Marrë parasysh edhe procesin e Berlinit, ne si dy vende fqinje integrohemi, lidhemi me njëri-tjetrin jo vetëm me lartpërçues siç e theksoi zoti Gjiknuri por njëkohësisht fillojmë hapat për ndërlidhjen edhe me gaz”.

Memorandumi i firmosur mes Albgaz dhe Mer JSC Skopje parashikon ndër të tjera themelimin e një grupi pune të përbashkët të gazit; vlerësimin dhe hartimin e projekt idesë për linjën e interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve si dhe përcaktimin e parametrave teknik. /abcnews.al

 

GJIKNURI-PER-TIRANE-ELBASAN-1280x720.jpg
ent ela14:00 | 18/09/2018

Kostoja e rrugës Tiranë Elbasan ka shkuar në 450 milionë dollarë nga 312 që ka qenë e parashikuar. Faturën e re e bëri publike ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në prezantimin e projektit në komisionin e ekonomisë.

Duhen më shumë para për rrugën Tiranë Elbasan. 138 milionë dollarë është fatura që ka parashikuar ministria e infrastrukturës dhe energjisë.

“Kostoja e rrugës ka shkuar 450 milionë dollarë, nga 312 që ka qenë e parashikuar”

Në mbledhjen e komisionit të ekonomisë ministri Damian Gjiknuri dha edhe një tjetër faturë që duhet paguar nga përdoruesit e rrugës.

“Sot që flasim kërkohet minimalisht 50 milionë euro për miërmbajtjen normale pr sistemin tonë rrugor. Aktualisht financojmë pak më pak se 30. Qeveritë e mëparshme nuk kanë financuar më shumë se 2 miliardë lekë. Ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës. Parimi është ai që përdor rrugën dhe konsumon më shumë është e vetmja zgjidhje që kanë gjetur të gjithë vendet e botës, aq më tepër vendet me buxhet të varfër si Shqipëria”– u shpreh ministri Gjiknuri sot në komisionin e Ekonomisë.

Një ditë pas fillimit të pagesës në Rrugën e Kombit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë  tha se çdo gjë po shkon normalisht.

“Në Kukës është mirëpritur marrëveshja e arritur me qeverinë”. /abcnews.al

GJIKNURI-PELESHI-QENDRO-KORCE-1280x720.jpg
ent ela14:00 | 16/09/2018

Përfundimin e punimeve ne lotin e parë Korçë – Ersekë e kanë inspektuar ministrant gjiknuri dhe Peleshi të shoqëruar nga kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Punimet pritet të vijojnë edhe me dy lotet e tjera deri në Ersekë dhe pritet të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ai i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi dhe drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro kanë inspektuar përfundimin e një pjese të punimeve për ndërtimin e aksit kombëtar Korçë-Ersekë.

“Ky është loti i parë. Qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë. Me optimizimin e buxhetit dhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit, besoj vitin tjetër do të jetë e mundur edhe fillimi i lotit tjetër drejt Ersekës që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë”.

Minsitri i bujqësisë Niko Peleshi ka theksuar lidhjen që krijohet mes qytetit dhe katër fshatrave, pjesë e programit “100 fshatrat”.

“Lidhim Drenovën e Boboshticën, pastaj Dardhën pak më lart. Kemi folur me ministrin për të bërë një investim mundësisht në vitin që vjen të rrugës turistike të Dardhës. Kemi edhe Rehovën e cila me përfundimin e lotit të parë dhe me shumë gjasa vazhdimin e lotit të dytë tani bëhet pjesë e kurorës së fshatrave që janë jo më larg se gjysmë ore nga qyteti i Korçës”.

Aksi i ndërtuar ka një gjatësi 17.6 kilometër. Kreu i autoritetit rrugor afrim qendro shpjegoi se me kërkesën e Bashkisë Korçë projekti ka pësuar ndryshime gjatë zbatimit. /abcnews.al

RRUGA-POGRADEC-GJAFE-PLLOCE-1280x720.jpg
ent ela19:29 | 15/09/2018

Pas segmentit Lin –Pogradec një tjetër rrugë në këtë zonë ka ndryshuar pamje. Bëhet fjalë për atë nga Pogradeci në Qafë Plloçë, e cila ka përfunduar së rikonstruktuari.

Tashmë për të shkuar nga  Pogradeci në Qafë Plloçë e anasjelltas ka një rrugë të re. Investimi prej 1.4 milionë euro ka përfunduar.

Qendro: “Ka përfunduar 5.5 kilometra rehabilitim, nga të cilat 2.1 janë brenda qytetit të Pogradecit. Rrugë në një gjendje të keqe. Për herë të parë pas 25 vjetësh mbyllet halli i madh i Qafë Plloçës”.

Nga Pogradeci ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tregoi se programi i qeverisë në infrastrukture po zbatohet në dy drejtime.

Gjiknuri: “Gjithë rrjeti rrugor do t’i nënshtrohet ndërhyrjes së thellë të mirëmbajtjes dhe arritjes së parametrave, dhe së dyti investime të reja rrugore, janë hapur në disa kantierë, do nisin dhe të tjera. Brenda këtij 4 vjeçari infrastruktura kombëtare shqiptare do jetë e plotë, e sigurtë dhe me parametrat e duhur”.

Punimet për  rehabilitimin e rrugës që lidh hyrjen e Pogradecit me Qafe Plloçën, sipas ministrit kanë përfunduar 2 muaj para afatit të parashikuar në projekt. /abcnews.al

GJIKNURI-BUSHATI-QENDRO-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 14/09/2018

Ministri Gjiknuri, ai Bushati dhe Kreu i Autoritetit rrugor Afrim Qendro kanë inspektuar investimin që po kryhet në segmentin Melgushë – Mjedë, nga ku njoftuan edhe vijimin e investimeve që sipas tyre përmirsojnë sigurinë në rrugë në Bashkinë Shkodër dhe më tej.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me atë për Punët e Jashtme Ditmir Bushati të shoqëruar nga drejtori e Autoritetit Rrugor Afrim Qendro inspektuan investimet që po kryhen në segmentin rrugor Melgushë-Mjedë.

“Segment që ka patur një problematikë të madhe me sigurinë rrugore. Është një investim prej 500 mijë eurosh i cili ka filluar dhe brenda 45 ditësh besoj do ta mbyllim duke i rritur sigurinë gjithë këtij segmenti rrugor”.

Ministri Gjiknuri investimin e quajti përgjigje të qeverisë ndaj kërkesave të komunitetit.

 “Këtu në Qarkun e Shkodrës po adresojmë disa segmente rrugore shumë të rëndësishme për qytetarët. Praktikisht, kjo është një nga rrugët që edhe në përgjigje të sensibilitetit të komunitetit po vendosen barrierat mbrojtëse dhe gjithë pjesa e sigurisë”.

Ministri Bushati, njëkohësisht deputet i zonës  tha se kjo ndërhyrje vjen bashkë me të tjera investimeve të qeverisë për Bashkinë e Vaut të Dejës. /abcnews.al

GJIKNURI-NE-NYJEN-E-MILOTIT-1280x720.jpg
ent ela16:15 | 11/07/2018

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka garantuar financimin e përfundimit të punimeve të mbetura në nyjen e Milotit dhe plotësimin me rrugët dytësore. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me drejtorin e Përgjithshem të Rrugëve ishin në kantier ku thanë se nyja do të fillojë të bëhet funksionale për kalimin e mjeteve duke nisur nga muaji Gusht.

 Qeveria ka lëvruar rreth 1.6 miliard lekë për të përfunduar punimet e mbetura në nyjen e Milotit dhe ndërtimin e rrugëve dytësore. Investimi i plotë parashikohet të përfundojë brenda 15 muajve. Ministi i Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar ishin në kantierin e punimeve. Ministri tregoi se është komunikuar me kompaninë kontraktore që nyja e cila lidh rrugën e Kombit me segmentin që shkon nga Tirana drejt Shkodrës të jetë e kalueshme për automjetet brenda muajit gusht.

“Edhe gjatë kësaj vere, gjithë pushuesit do ta ndjejnë diferencën e madhe që do të ketë lehtësimi i trafikut pikërisht në këtë nyje. Kjo është një nga ato veprat e tjera të rëndësishme që ne jemi duke hapur. Këtu do të jetë edhe lidhja me autostradën nga Miloti deri në Balldren. Pra, po të shikoni pjesa tjetër për nga veriu, një aks me të gjitha parametrat e nevojshme dhe që është pjesë e programit të rindërtimit të infrastrukturës në katër vitet e ardhshme në Shqipëri”.

Problemet në këtë nyje të trafikut në vend sipas ministrit të Infrastruktures dhe Energjisë kanë nisur që në vitin 2011. Ajo nuk mund të shfrytëzohej, deklaroi drejtori i përgjithshëm i rrugëve, nëse nuk bëhej ky projekt i ri i cili parashikon gjithashtu ndërtimin e 9 kilometrave rrugë dytësore. /abcnews.al

SKEMA-LEHTESUESE-PER-AKSIN-MILOT-MORINE-1280x720.jpg
ent ela15:14 | 22/06/2018

Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj prezantuan paketën e negociuar me kompaninë konçesionare për skemën lehtësuese tarifore të kalimit në rrugen e Kombit. Pagesat për banorët pritet të jetë 100 lekë për kalim, ndërkohë që në funksionim do të jenë dhe tarifat e reduktura me parablerje.  

 100 lekë do t’u kushtojë banorëve të Kukësit një kalim në segmentin Milot-Morinë me automjetin e tyre.

Ata do të parablejnë me tarifë të reduktuar në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime ne muaj dhe nëse automjetet i kanë të regjistuara në këtë qark do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass përmes së cilës do të kryejnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës.

Të njëjtën tarifë do të paguajnë për kalim edhe 11 linja autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në Kukës.

Skema lehtësuese për mjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës për të cilat qeveria ka rënë dakord me kompaninë koncesionare ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i prezantuan në një takim me përfaqësues nga qarku i Kukësit.

“Efekti shtesë bruto në Buxhetin e Shtetit për një vit, për pesë vitet që vijnë kap vlerën rreth 1.1 milionë euro, ose afërsisht 140 milionë lekë të reja. Të gjitha zbritjet që patë ju për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48.5 milionë euro. Pagesa, dikush mund të thotë është simbolike, dikush mund të thotë për mua është shumë por kjo është situata e Buxhetit, kjo është situata e rrugës dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme”, sqaroi Ahmetaj.

Ndërkohë është pranuar kërkesa e bizneseve kryesisht atyre të Kosovës, për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik me 17 shtator 2018.

“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në Shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Ndërkohë në segmentin nga Kukësi në Morinë po vazhdon investimi për ta përfunduar dhe për ta sjellë brenda paramentrave.

“Ne do ta kompletojmë edhe pjesën e mbetur nga Kukësi në Morinë. Kanë filluar investimet aty dhe po rregullohen urat. Shumë shpejt do të mbyllet kontrata edhe për pjesën e mbetur dhe do të vendosim edhe 2-3 mbikalime aty pasi është bërë zonë e rrezikshme për qytetarët. Pra, brenda vitit edhe ajo pjesë e mbetur e autostradës do të kompletohet me parametrat e duhura”, theksoi Gjiknuri.

 “Ajo është rrugë sa është e vështirë edhe strategjike. Pse është e vështirë? Këndet gjeologjike gjeografike i ka të vështira, një pjesë e saj ngrin gjatë dimirit, ndërkohë që strategjikisht është mundësia e Aeroportit të Kukësit. Ndërkohë nga ana strategjike, sigurisht që ka lidhje me Qarkun e Kukësit, që është fatkeqësisht një nga qarqet më të varfëra dhe me Kosovën”, tha Ahmetaj.

Paralel me procesin e negocimit me kompaninë koncesionare grupi nderministror ka zhvilluar gjithashtu mbi  10 takime konsultative me komunitetin dhe grupet e interesit për të finalizuar skemën lehtësuese tarifore të kalimit në segmentin  Milot-Morinë. /abcnews.al

GODINA-TE-REJA-NE-QYTETIN-STUDENTI-1280x720.jpg
ent ela12:36 | 21/06/2018

Studentët që banojnë në ambientet e Qytetit Studenti nr.2 do të përfitojnë tashmë nga dy konviktet e rinovuara rishtazi sipas parimit të efiçencës së energjisë ndërkohë që dy konviktet e tjera do të përfundojnë brenda vitit 2018.

Një mijë studentë do të kenë kushte më të mira në ambientet e qytetit studenti. 6.8 milionë euro të dhëna nga banka gjermane KfË  bënë të mundur rinovimin e Qytetit Studenti nr.2 përmes një sistemi të përmirësuar ngrohjeje dhe izolimi si edhe rinovimit nga e para të strukturës së brendshme të godinave duke siguruar kështu kushte më të rehatshme për studentët. Ministri I infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri njoftoi nisjen e fazës së dytë të rikonstruksionit.

“Jam i bindur se ne shumë shpejt do të vazhdojmë dhe me fazën e dytë të këtij programi kaq të rëndësishëm për eficiencën në energji që është ndërhyrja në Qytetin Studenti numër 1. Është një ndërhyrje më e madhe e cila shkon gati 10 milionë euro, pra krahas 6 milion eurove të investuara këtu, gjë që do të përbëjë stokun më të madh të investimit në fushën e eficiencës së energjisë.”

Për Ambasadoren e Gjermanisë i rëndësishëm është bashkëpunimi që solli këtë produkt.

“Në 30 vite të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, që ne e festojmë këtë vit, ky projekt është një model i përmbushjes së objektivave. Pra po përmirësojmë kushtet e jetesës për njerëzit, të promovojmë punësimin dhe të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian duke përmbushur dhe angazhimet ndërkombëtare”

Ky është një projekt pilot që sipas përfaqësuesit të bankës KfW do të mund të përdoret edhe për konvikte të tjera studentësh, apo ndërtesa publike duke treguar se si mund të reduktojmë konsumin e energjisë me 50 apo 60%.

 

DSC_4305-1-1280x854.jpg
ent ela09:19 | 20/06/2018

Ura e Drojës e cila lidh Mamurrasin me Thumanën dhe Fushë Krujën do të rindërtohet. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri pa nga afër fillimin e punës për rikonstruksionin e urës së shkatërruar gjatë përmbytjeve të pak muajve më parë.

“Në bashkëpunim me kompaninë Titan, pra me grupin Antea dhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar, ne po bëjmë të mundur riparimin e kësaj ure dhe kthimin e saj në parametrat që duhet. Këtu do të kemi një rikonstruksion të plotë të të gjithë urës, një investim që do të kapë vlerën e 1 milion eurove. Një investim që brenda disa muajsh do të bëjë të mundur që kjo urë të rikthehet siç duhet dhe të jetë në ndihmë të gjithë komunitetit dhe bizneseve të lidhura me këtë rrugë. Realisht ne jemi duke punuar me shumë investitorë që projekte të tilla të mund ti zbatojmë edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ura parashikohet të ndërtohet me gjërësinë 10.5 metra; me dy vija kalimi nga 3.5 metra dhe trotuare. Faza e investimit do të realizohet për një periudhë 3-4 mujore.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono