gjermania

46637137_303.jpg
G. P.10:20 | 08/06/2019

CDU/CSU dhe SPD shënojnë në një sondazh të fundit nga kuotat më të ulëta në preferencën e popullit. Industrialistët kritikojnë punën e qeverisë. Politika e brendshme gjermane dikton vendimet shkruan Auron Dodi.

Një valë pakënaqësie goditi këtë javë, në sondazhe dhe në forume, qeverinë gjermane, të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD. Të dyja aleatet në qeveri shënojnë në sondazhin “Tendenca e Gjermanisë” (“Deutschlandtrend”) të ARD-së nga kuotat më të ulëta në preferencën e popullit. Kurse të Gjelbrit shfaqen në një matje opinioni madje përpara CDU/CSU. Sipas këtij sondazhi, po të zhvilloheshin zgjedhje të dielën në Gjermani, të Gjelbrit do të merrnin 26 përqind të votave, kurse CDU/CSU vetëm 25 përqind. Edhe nëse një sondazh tjetër e sheh CDU/CSU përpara të Gjelbërve, rezultatet ranë si shok te partitë më të fuqishme të Gjermanisë.

Kësaj i shtohet fakti, që kryetarja e re e CDU-së sipas sondazhit ka dhe më tej një fillim të vështirë në post. Me punën e Annegret Kramp-Karrenbauerit (AKK), që shihet si pasardhëse e kancelares Merkel, janë të kënaqur vetëm 24 përqind e gjermanëve, përballë Merkelit, që preferohet nga 53 përqind e gjermanëve. Madje vetëm 13 përqind e gjermanëve sipas këtij sondazhi e përfytyrojnë për momentin AKK si kancelare.

Po këtë javë, përfaqësues të industrisë gjermane deklaruan se e “kanë humbur besimin te qeveria”. Qeveria gjermane i dëmton sipërmarrjet, u shpreh në takimin vjetor kryetari i Shoqatës Federale Gjermane të Industrisë, Dieter Kempf. Kempf tha më tej, se qeveria ka dështuar të zbatojë politika, që do ta ndihmonin industrinë të përgatitet për një rënie eventuale të ekonomisë gjermane. Në vend të kësaj merret me “rishpërndarje” të të ardhurave.

Politika e brendshme gjermane dikton vendimet

Përfaqësuesit e industrisë kërkuan edhe uljen e taksave për sipërmarrjet, nga 35 përqind sa është, në 25 përqind. Mesatarja evropiane është 22 përqind. Ata i thanë kancelares Merkel, se mungesa, sipas tyre e stabilitetit politik në Gjermani – me diskutimin për shpërbërjen e koalicionit qeveritar – heq vëmendjen nga reformat e nevojshme ekonomike.

Nëse për të ardhmen e pasigurt të qeverisë së koalicionit deri dje shiheshin përgjegjës socialdemokratët, që pas dorëheqjes së kryetares Andrea Nahles edhe mund të dalin nga koalicioni, tani duket se CDU-së duket se po i lëkunden vetë pozitat. Kjo kur sa ka nisur në forumet e partisë analiza e rënies së partisë në zgjedhjet evropiane. Sipas sondazhit “Tendenca e Gjermanisë”, 72 përqind e gjermanëve janë pak ose aspak të kënaqur me qeverinë. Mendojnë se nuk i kupton si duhet interesat e tyre. Ky fakt karakterizon debatin në radhët e CDU-së konservatore: si mund të afrohen zgjedhësit? Por veç zhvendosjes edhe më tej nga e djathta, pra theksimit edhe të vendimeve te profilit konservator, nisur nga AKK, për momentin pakkush duket se di si të veprojë më ndryshe. E lehtë kjo nuk është, pasi CDU-ja vitet e fundit ka theksuar politikat e preferuara nga mesi i shoqërisë.

Kancelarja Merkel vë përpara fakte

Fakt është që Gjermania qeveriset nga një koalicion mes konservatorëve të CDU/CSU dhe socialdemokratëve. Një sërë politikash ekonomike diktohen nga ky fakt. Fakt është që CDU është përpjekur ta ulë taksën për personat me të ardhura të larta. Dhe të heqë menjëherë taksën e solidaritetit me Lindjen e Gjermanisë. Por këto janë bllokuar nga socialdemokratët në qeveri.

Në takimin vjetor të biznesit me industrialistët, kancelarja Angela Merkel kujtoi se për të ndihmuar sipërmarrjet, qeveria hartoi ligjin për imigrimin e punonjësve të huaj të kualifikuar. Ajo tha se qeveria po investon para në inteligjencën artificiale. Dhe po planifikon ulje taksash për investime në kërkime shkencore. Ajo i kritikoi nga ana e saj sipërmarrjet e mesme, se janë shumë të ngadalta në digjitalizim dhe në ruajtjen e të dhënave në clouds, në re.

A u jep të drejtë industrialistëve ulja e zhvillimit ekonomik të Gjermanisë?

Po edhe jo. Më kujtohet mirë viti 1998, kur të njëjtat kritika industrialistët dhe madje socialdemokratët e Gerhard Schröderit ia bënë qeverisë që ndërruan, të Helmut Kohlit. E kritikuan se nuk kishte kapur sinjalet e kohës për sipërmarrjet. Po atëherë ekonomia gjermane ishte në gjendje të vështirë, Gjermania kishte probleme strukturore ekonomike. Shihej si “e sëmura e Evropës”. Kurse këtë vit, sipas disa burimeve, ekonomia gjermane pritet të rritet me 0,5 përqind, nga 1,4 përqind rritje vitin e kaluar.

Por ndoshta ekonomia gjermane ndodhet “në fund të një cikli zhvillimi”, siç u shpreh këto ditë politikani me përvojë të gjatë i Gjermanisë, Wolfgang Schäuble. Gjermania nuk ndodhet “në fund të modelit të saj të zhvillimit”, siç u shpreh para tij, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për Gjermaninë.

Sa e cënojnë socialdemokratët stabilitetin e qeverisë federale?

Andrea Nahles, ish-kryetarja e Partisë Socialdemokrate dhe e Grupit Parlamentar ishte mbështetësja kryesore, që socialdemokratët të qendrojnë në qeveri me CDU/CSU. Një treshe politikanësh, që i drejton përkohësisht socialdemokratët janë shprehur pro qendrimit në koalicion.

Bashkëkryetarët e Të Gjelbërve: Annalena Baerbock dhe Robert Habeck

Por po të shtohen shumë zërat kritikë për dalje, nga baza socialdemokrate, kjo edhe mund të ndryshojë. Nga ana tjetër, rënia me 11 përqind në zgjedhjet evropiane, nuk premton kohë të mira së afërmi, për socialdemokratët. Prandaj ata ngurrojnë të dalin nga qeveria – gjë që eventualisht mund të sillte zgjedhje të reja në Gjermani edhe para vitit 2021, kur ato mbahen rregullisht.

Zgjedhje të reja të parakohshme në Gjermani?

Përballë krizës së koalicionit, 52 përqind, pra një shumicë e të pyeturve nga instituti demoskopik YouGov, janë për zgjedhje të parakohshme. Por tek partitë, dëshira për zgjedhje nuk është e madhe. Në matjen e pulsit të votuesve në zgjedhjet evropiane të majit, me përjashtim të të Gjelbërve, të gjithë të tjerët patën rënie.

Po të mbahen zgjedhje, Të Gjelbrit që morën në zgjedhjet evropiane 20 përqind, mund ta rrisin mbështetjen dhe të kenë bazë më të fortë për negociata qeveritare. Por ata e lënë hapur edhe mundësinë e futjes në një qeveri me CDU/CSU-në. Pro futjes në qeveri duket se janë tani edhe liberalët e FDP-së.

Sido që të vejë puna, po të dalin socialdemokratët nga qeveria, deri tani ata nuk formojnë dot një shumicë për një qeveri të re, me Të Gjelbrit dhe partinë e Majta. Kështu që megjithë goditjet e marra dhe sondazhin e fundit, në të gjitha përllogaritjet aktuale CDU/CSU pritet të mbetet në pushtet./DW

BAsha-politika-1280x1032.jpg
nev ila15:53 | 03/06/2019

Politika e Tiranës zhvendos betejën e saj në kryeqytetin e Gjermanisë. Është ky destinacioni i kreut të shtetit Ilir Meta, kreut të opozitës Basha dhe delegacionit të qeverisë shqiptare të përbërë nga Ministrja Gjonaj, ministri Lleshaj dhe numri dy i socialistëve Taulant Balla.

Politika shqiptare udhëton drejt Berlinit. Kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta, ai i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha por edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe dy ministrat e qeverisë, Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj, janë ndalur në kryeqytetin Gjerman.

Me axhenda të ndryshme, Meta dhe Basha pritet të zhvillojnë disa takime jo-zyrtare, ku do të diskutohet për situatën në vend dhe kapërcimin e krizës, për të cilën Gjermania është shprehur e gatshme të ndërmjetësojë.

Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe përpara votimit në Këshill, pritet të zërë pjesë të konsiderueshme të diskutimeve gjatë takimeve.

Deri më tani Gjermania ka ardhur me qëndrime të ndryshme sa i përket hapjes apo jot ë negociatave me Shqipërinë.

Ka qenë zëvendës-kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johan David Waderphul a i cili ka deklaruar se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara nga Këshilli i Ministrave të qershorit të vitit të shkuar, deklaratë kjo që bie ndesh me atë të ministrit gjerman për Europën, Michael Roth i SPD-së, i cili insiston që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, ashtu sikurse iu premtua një vit më parë.

Kështu qeveria gjermane nuk ka dalë ende me një qëndrim të unifikuar sa i përket çeljes apo jo të negociatave. Zëvendës-zëdhënësja e qeverisë, Martina Fietz, ka deklaruar se progres raporti i Komisionit do të analizohet me kujdes për të dalë më pas në konkluzionet që do të ndërmerren.

Për vendimin përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë, qeverisë gjermane i duhet fillimisht vota e shumicës në parlament./ABC News Albania 24/7

13A367DD-D175-4D1B-B13C-47B819770053_cx0_cy7_cw0_w1023_r1_s.jpg
G. P.11:50 | 03/06/2019

Pas takimit me delegacionin franko-gjerman, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte dhe se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet.

Kreu i shtetit të Kosovës ka kërkuar sërish liberalizimin e vizave duke kërkuar që qytetarët të mos mbahen të izoluar. Ai theksoi se Kosova nuk do të pranojë kushte tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në shkëmbim të kërkesave për tarifat apo për krijimin e asociacionit e komunave serbe në veri të vendit.

Pas takimit me Thaçin, delegacioni ndodhet në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Gjatë ditës është parashikuar edhe takimi me kryeparlamentarin Kadri Veseli./ABC News Albania 24/7

ndryshime.jpg
G. P.08:23 | 03/06/2019

A do të ketë zgjedhje të reja në Gjermani, pas dorëheqjes së kryetares së SPD, Andrea Nahles? Partitë duhet të kenë kujdes nga veprimet e nxitura, mendon Ines Pohl.

Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropin kanë shkaktuar termet politik në Gjermani. Pasojat po shihet tani. Kryetarja e SPD Andrea Nahles ka paralajmëruar dorëheqjen nga të gjitha postet në parti dhe Bundestag. Kjo është edhe një dëshmi tjetër për gjendjen në partitë popullore, SPD dhe CDU. Të dy partitë e mëdha, të cilat kanë dhënë kancelarët, që prej krijimit të Gjermanisë Federale. Të dy partive u mungon qendrueshmëria e domosdoshme dhe përgjegjësia udhëheqëse – programore dhe personale.

Paraqitja e dobtë e shefes së re të CDU

Së pari CDU: Prej largimit të Angela Merkelit nga posti i kryetares së partisë, krahët e ndryshëm brenda partisë nuk po mund të futen nën kontroll. Shefja e re e partisë, Annegret Kramp-Karrenbauer ka pasur një paraqitje shumë të dobët. Zhvendosja e saj nga krahu i djathtë politik në fushatën për zgjedhjet për PE nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Përkundrazi. Edhe më shumë e ka dëmtuar partinë kritika e saj ndaj një personi në Youtube, i cili ka kritikuar punën e CDU. Ajo duket si një person i moshuar politik, e shpenzuar dhe jo e gatshme për të ardhmen.

SPD po kërkon vendin e vet

Për partinë SPD situata është shumë më e komplikuar. Prej gjashtë vitesh kjo parti në koalicionin qeveritar nuk ka arritur të profilizohet kundrejt kancelares Merkel. Pavarësisht reformave me rrogën minimale apo kujdesin për fëmijë, në fund kancelarja Merkel ishte ajo që mori lëvdatat. CDU ka marrë ndërkohë shumë tema klasike të SPD, ndërsa socialdemokratët nuk kanë gjetur përgjigje për këtë gjendje, pavarësisht udhëheqësve të rinj në krye të partisë.

Tani shefja e SPD do të largohet nga postet. SPD ka ardhur në një krizë aq të thellë sa që zgjidhja e vetme për të mund të duket dalja nga koalicioni i madh. Pavarësisht sa kushton kjo.

Pa nxitime

Dhe kjo është e rrezikshme, sepse kjo do të thotë se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vit. SPD dhe CDU/CSU nuk kanë aktualisht udhëheqësit e duhur për zgjedhje. Asnjë prej këtyre partive nuk ka ndonjë program zgjedhor, nuk ka përgjigje për shqetësimet e qytetareve dhe qytetarëve. Ruajtja e mjedisit është vetëm një prej këtyre temave.

Gjermania ende është një vend i qndrueshëm demokratik. Zgjedhjet e reja mund të rrezikojnë rritjen e populistëve të djathtë, por forcat demokratike ende janë në epërsi shumë të madhe, që është lajmi i mirë në këto kohëra të turbullta.

Gjermania dhe bota

Kur shikojmë rëndësinë e Gjermanisë sot në botë, atëherë luftërat e brendshme politike apo lojërat e renditjes nuk duhet të jenë vendimtare për zgjedhje të reja. SPD dhe CDU nuk duhet të nxitohen, por duhet të nxjerrin vendime të drejta. Gjermania mund të jetë e dobishme për partnerët dhe veten vetëm kur është stabile dhe e llogaritshme dhe jo kur mendohet vetëm për pushtetin sot./DW

MichaelRoth-1160x757.jpg
G. P.23:08 | 31/05/2019

Ministri gjerman për Shtetin dhe Europën, Mikael Roth ka deklaruar se BE duhet të marrë një vendim pozitiv në qershor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinëë dhe Maqedoninë.

“Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe të përmbushim zotimet tona”, ka deklaruar Roth për gjermanen “Tagesshpigel”.

Eksponenti i SPD-së ka kujtuar se si vitin e kaluar BE vendosi një afat të caktuar, kur tha se vendimi për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të merret në qershor të 2019-s. Roth është shprehur kundër edhe atyre që e shohin Shqipërinë me skepticizëm për shkak se sistemi i drejtësisë nuk funksionon.

“Qershori është momenti më i mirë për të vendosur hapjen e negociatave. Një vendim pozitiv i marrë në kohë kërkon pak kurajo, por edhe më shumë vizion”, ka shtuar Roth.

Ai ka nënvizuar se Europa duhet të rrisë influencën e saj në Ballkan përballë përpjekjeve të Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

“Roli i BE-së në rajon nuk ka të bëjë vetëm me interesat për sigurinë që janë jetike, por edhe për besueshmërinë e tij”, ka shtuar Roth./ABC News Albania 24/7

47595520_303.jpg
ent ela12:40 | 30/05/2019

Edhe pas publikimit të progres-raportit të BE-së, vazhdon mospërputhja e mendimeve mes partive të koalicionit gjerman për Shqipërinë. Pritjet nga vizita e Haradinajt në Berlin.

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul, thotë se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018. Wadephul e publikoi këtë deklaratë të enjten paradite në Berlin, si reagim ndaj rekomandimit të Komisionit të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Wadephul pohon se ekziston një marrëveshje me grupin parlamentar socialdemokrat që çelja e negociatave me Shqipërinë të tratjohet në shtator të vitit 2019.

Qëndrime të kundërta mes Wadephul dhe Roth

“Grupi parlamentar CDU/CSU do të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat e tjera që ka në dispozicion. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, pohon Wadephur, duke shtuar se “një shqyrtim i këtillë nuk mund të bëhet me nxitim”. Sipas tij, kjo as nuk do të justifikohej dot para popullsisë gjermane, e as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. “Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat”.

Ky qëndrim i grupit parlamentar CDU/CSU, të kancelares Angela Merkel, bie ndesh me atë të ministrit të Gjermanisë për Evropën, Michael Roth (SPD), i cili ngul këmbë që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, sikurse është premtuar një vit më parë. Roth argumenton në një artikull të publikuar të mërkurën në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj dhe se e meriton çeljen e negociatave.

Wadephul: Asnjë kusht i ministrave nuk është përmbushur

Në anën tjetër, Wadephul është kundër këtij perceptimi, me fjalët se “sipas një analize fillestare Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 26 qershor 2018.” Wadephul jep si shembuj “mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”.

“Nuk janë krijuar ende as organi i posaçëm antikorrupsion e as Byroja kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak procedura gjyqësore për raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe asnjë dënim. Kjo ishte një nga kërkesat e ministrave të jashtëm të BE-së, në qershor të vitit 2018”, shkruan në deklaratën e tij deputeti kristiandemokrat.

Sipas tij, po aq të dobëta janë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar. “Nuk është hapur asnjë proces gjyqësor kundër politikanëve dhe kriminelëve, që në fillim të vitit dolën se kishin të bënin me blerjen e votave”, thotë ai. Një mangësi që përmend Wadephul është edhe “mospërfundimi i ligjit zgjedhor, një kusht ky i vënë nga ministrat e jashtëm një vit më parë”.

Wadephul pohon se “Shqipërisë i duhet edhe shumë kohë derisa të jetë gati për negociatat e anëtarësimit” dhe se “duhet të bëjë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator.”

Ende pa opinion zyrtar për negociatat

Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinon unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithëse ministri Roth është i mendimit se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha të mërkurën se “do të analizojmë me kujdes progres-raportet dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”. Në të njëjtën linjë argumentoi edhe zëdhënësja e Ministrisë së jashtme, Maria Adebahr, e cila lajmëroi se tema e çeljes së negociatave do të jetë në axhendën e ministrave të jashtëm të BE-së, më 18 qershor të këtij viti.

Për të dhënë një po për çeljen e negociatave, qeverisë gjermane i duhet më parë opinioni i shumicës së deputetëve gjermanë. Sipas burimeve të DW në Berlin, ditët e fundit ka pasur shumë ecejake për ta bindur Parlamentin gjerman ta trajtojë këtë çështje në fillim të qershorit. Burimet tona thonë se deputetët konservatorë deri tani nuk e kanë pranuar këtë kërkesë. Një vendim ky që, sipas analistëve, ka qenë më i lehtë të merret, në një kohë kur edhe vende të tjera, si Franca, Holanda dhe Danimarka, janë kundër fillimit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Opinione të ndryshme për krizën

As për zgjidhjen e krizës në Shqipëri qeveria e kancelares Angela Merkel nuk ka krijuar një opinion unik, megjithëse kohët e fundit në Shqipëri janë dëgjuar shumë deputetë nga partia e saj me përfytyrime pjesërisht të ndryshme nga njëra-tjetra për zgjidhjen e krizës. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Adebahr, e quajti të mërkurën “të gabuar vendimin e opozitës për t’u larguar nga Parlamenti” dhe shprehu “keqardhjen që opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.”

Dialogu pozitë-opozitë

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU e përmend në deklaratën e tij të ditës së enjte (30.05.2019) sërish krizën në Shqipëri dhe kërkesën e tij për “një dialog të mirëfilltë mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e krizës shtetërore”  dhe vazhdon të ofrohet për të dhënë ndihmesën e tij në zgjidhjen e krizës. “Grupi parlamentar CDU/CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme për  një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk duhet përjashtuar që më parë”, thotë Wadehpul.

Në një deklaratë të mëparshme të dhënë ekskluzivisht për DW, së bashku me kolegun e tij Christian Schmidt, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e jashtëm, Wadephul kishte lënë të hapur edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjes, si një mundësi për të dalë nga kriza.

Vizitat e politikanëve shqitparë në Gjermani

Javën e ardhshme në Gjemani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Vizitat e tyre janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri.

Vizita më e rëndësishme javës së ardhshme në lidhje me Ballkanin Perëndimor, pritet të jetë megjithatë ajo me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të enjten paradite (6.05.) do të takohet me kancelaren Angela Merkel. Sipas zëvendës-zëdhënëses së qeverisë, Martina Fietz, takimi do të jetë në kuadër të përgatitjeve për samitin e korrikut në Paris, ku krerët e Kosovës do të takohen me ata të Serbisë, nën ombrellën dhe me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. /DW

zgjedhjet-BE.jpg
G. P.14:15 | 24/05/2019

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë. Në këtë përfundim ka arritur analiza e thelluar e Deutche Welle mbi situatën politike që po kalon Shqipëria.

Një pyetje është bërë shpesh gjatë vitit të fundit në Shqipëri. Kur do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në? Deutche Welle ka publikuar një analizë të situatës dhe deklaratave të politikanëve në Gjermani që në thelb janë të ndarë.

Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 Shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Ëelle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në Qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para disa kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë: së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend dhe së  dyti, për shkak të “imazhit të keq” të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike.

Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

zgjedhje-3.jpg
G. P.13:14 | 23/05/2019

427 milionë europianë me të drejtë vote do të vendosin këto ditë për rinovimin e Parlamentit Europian. Dy vendet e para ku ka nisur votimi janë Britania e Madhe dhe Holanda. Ndërkohë 73 eurodeputetët britanikë do të mbajnë postet e tyre deri në momentin e daljes së Londrës nga Bashkimi Europian.

Britania e Madhe dhe Holanda janë dy vendet e para që votojnë për rinovimin e parlamentit të Bashkimit Europian. Janë rreth 427 milionë europianë që do të votojnë. Londra duhej të ishte larguar nga BE në 29 Mars, por pati një shtyrje të afatit për të përmbyllur negociatat deri në 31 Tetor. Të premten do të votohet në Sllovaki, Letoni dhe Maltë. Të gjithë vendet e tjera do të votojnë të dielën e 26 Majit.

Gjermanët zgjedhin 96 eurodeputetë, francezët 74, italianët 73, spanjollët 54, polakët 51, rumunët 32, holandezët 26. Në Belgjikë, Republikë Çeke, Greqi, Hungari e Portugali do të zgjidhen 21 eurodeputë; 20 në Suedi; 18 në Austri; 17 në Bullgari; 13 në Danimarkë, Sllovaki e Finlandë; 11 në Irlandë; Kroaci e Lituani; 8 në Letoni e Slloveni; 6 në Estoni, Qipro, Luksemburg e Maltë.

73 eurodeputetët që do të zgjidhen nga britanikët do të qëndrojnë në parlament deri në ditën e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Në atë moment do të aplikohet në Parlamentin Europian shpërndarja e re e vendeve, me një rritje të numrit të të zgjedhurve nga 1 në 5 për 14 vende. Më saktë, pesë vende do i shtohen Francës dhe Spanjës, 3 Italisë dhe Holandës, 2 për Irlandën; ndërsa Estonia, Kroacia, Finlanda, Sllovakia, Danimarka, Austria, Suedia, Rumania dhe Polonia do të kenë nga një eurodeputet më shumë.

Për aplikimin e shpërndarjes së re, në disa vende do të mbahen zgjedhje shtesë, ndërsa në vendet e tjera do të mund të përfitojnë të parët që nuk kanë mundur të hyjnë në Parlamentin Europian në zgjedhjet e kësaj fundjave.

Procesi zgjedhor zhvillohet sipas sistemeve elektorale të secilit vend, por të gjitha shtetet anëtare duhet të respektojnë disa rregulla të përbashkëta. Kjo shpjegon se pse në disa vende, si për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, rezultati i zgjedhjeve europiane janë shumë ndryshe, në përgjithësi, nga rezultati i zgjedhjeve politike kombëtare.

Mes 28 vendeve anëtare, vetëm pesë: Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Belgjika dhe Irlanda, ndajnë territorin në qarqe elektorale, ndërsa në 23 vendet e tjera votohet në një qark të vetëm kombëtar.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai mes vendeve ku votohet me lista të bllokuara si: Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hungaria e Rumania, dhe vendeve ku mund të shprehen preferencat.

Një faktor që ndikon shumë në rezultatet e votimit, sidomos për grupimet e vogla politike është dhe pragu, i cili nuk parashikohet në 13 vende anëtare. Ndërsa 10 vende e kanë vendosur pragun në 5 për qind, tre vende në 4%, Greqia 3%, dhe Qipro 1.8%.

Rregullat e reja të miratuara në vitin 2018 parashikojnë që vendet me më shumë se 35 eurodeputetë duhet të fiksojnë me detyrim një prag duke filluar nga viti 2024. Një prag jo më të ulët se 2% dhe jo më të lartë se 5%.

Nuk përjashtohet mundësia që kjo dispozitë të anulohet para se të hyjë në fuqi, duke marrë parasysh që aktualisht Gjermania nuk ka asnjë prag për zgjedhjet parlamentare europiane si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Federale, që e rrëzoi në vitin 2014 duke e gjykuar si antikushtetuese./ABC News Albania 24/7

konsumatore.png
G. P.16:50 | 30/04/2019

Kina është vendi që prodhon më shumë birrë në botë. Ndërsa ndër vendet e Bashkimit Europian Italia renditet e katërta. Vendin e parë për konsumin e birrës në Europë e mban Gjermania.

497.8 milionë hektolitra birrë. Kina është prodhuesi i parë botëror, ndërsa Europa e ndjek prapa me 400.2 milionë. Italia renditet e katërta në vendet e Bashkimit Europian me 14.5 milionë. Të dhënat pasqyrojnë veprimtarinë në periudhën 2016 – 2019.

Duke analizuar panoramën europiane, Bashkimi Europian mund të mbështetet në 8490 fabrika birre. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, që mban vendin e parë në kontinentin e vjetër, numërohen 2250, në Gjermani 1408, dhe në Francë 950.

Gadishulli mbrohet me 757 fabrika të vogla, përballë Spanjës, e cila numëron vetëm 483. Pjesa tjetër shpërndahet në venet e mbetura anëtare të Bashkimit Europian.

Të dhënat janë në linjë me kërkesën e brendshme europiane prej 359 milionë hektolitrash. Mes vendeve europiane, rekordi për konsumin e birrës i takon Gjermanisë me 85.5 milionë hektolitra, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Polonia dhe Franca./ABC News Albania

takimi.jpg
G. P.14:30 | 30/04/2019

Gjermania pranon liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, ditën e sotme kryeministri i Kosovës ka pasur një takim edhe me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Horst Seehofer, i cili i ka konfirmuar një ‘Po’ të sigurt nga ana e vendit të tij për liberalizimin e vizave.

Në statusin e tij në Facebook, Haradinaj shkruan se pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, Kosova mori ‘Po’-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave.

“Faleminderit kancelares Merkel dhe shtetit gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës”, shkruan më tej ai.


/ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono