gina haspel

ciaaaaaaaa-1280x862.jpg
G. P.17:02 | 26/09/2018

Duke renditur prioritetet e agjencisë amerikane kryesore të spiunazhit, drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel, u shpreh se po përgatitet një numër i konsiderueshëm agjentësh të rinj për misione në vendet rivale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia kryesore e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin për të eliminuar të ashtuquajturat “boshllëqe të inteligjencës” dhe për t’u përballur me kërcënimin në rritje nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.

Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel, të hënën e quajti zhvendosjen nga kundërterrorizmi tek spiunazhi më tradicional ndaj shteteve, “një prioritet strategjik”, duke thënë se nevoja për të patur një zbulim më të mirë ndaj rivalëve aktualë dhe potencialë të Shteteve të Bashkuara është ndër “çështjet më të vështira”.

Haspel tha gjithashtu se ajo synon “rritjen e numrit të oficerëve të vendosur jashtë vendit”. CIA shpreson të rekrutojë më shumë folës të gjuhëve të huaja, përfshirë ata që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze, arabe, farsi, turqisht, frëngjisht dhe spanjisht.

Deklarata e Haspel pasqyron përparësitë e paraqitura në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parashtruar në fund të vitit të kaluar. Strategjia thekson nevojën për t’iu kundërvënë përpjekjeve të rivalëve të Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ekuilibrin e fuqisë në rangun global në forma që kanë ndikuar negativisht Shtetet e Bashkuara.

Drejtoresha e CIA-s shprehu shqetësime të veçanta lidhur me Kinën, e cila tha ajo, është “duke punuar për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të avancojë qëllimet e saj”.

Haspel nga ana tjetër e cilësoi si “befasuese” sasinë e fondeve që Teherani vazhdon të shpenzojë për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, për të zgjeruar ndikimin në Bagdad dhe për të mbështetur Houth-it në Jemen, duke pasur parasysh të vështirësitë ekonomike të Iranit.

Para konfirmimit të saj si drejtoreshë e CIA-s, Haspel ishte kritikuar ashpër për rolin e saj në mbikëqyrjen e një qendre sekrete për marrjen në pyetje të personave të dyshuar në Tajlandë dhe shkatërrimin e kasetave të seancave të marrjes në pyetje./abcnews.al

gina-haspelll-e1526627642282.jpg
G. P.09:56 | 18/05/2018

Senati amerikan konfirmoi zonjën Gina Haspel si drejtoren e re të CIA-s. Ajo është gruaja e parë që shërben në këtë post. Emërimi i zonjës Haspel për të drejtuar agjencinë e spiunazhit ringjalli një debat rreth praktikave tashmë të ndaluara të torturës.

Ajo u konfirmua pasi disa demokratë iu bashkuan shumicës republikane duke thënë se ata do ta mbështesnin kandidaten e paraqitur nga Presidenti Donald Trump.

Udhëheqësi i shumicës republikane, Mitch Mçonnell, arriti të bindte anëtarët ta miratonin emërimin e zonjës Haspel megjithë disa kundërshtime, duke përfshirë senatorin John Mçain, i cili u kishte bërë thirrje kolegëve ta hidhnin poshtë atë.

Republikanët vlerësuan karrierën 33-vjeçare të zonjës Haspel në CIA, nga operative në shumë vende të botës e deri tek emërimi për të shërbyer si drejtoresha e parë grua e agjencisë./abcnews.al

 

truri-e1525888829401.jpg
G. P.22:55 | 09/05/2018

Teksa e zgjedhura e Presidentit Trump për drejtimin e CIA-s po has vështirësi për të marrë konfirmimin, personi që njihet si “truri” i sulmeve të 11 Shtatorit ka bërë me dije se ka informacione që kompromentojnë figurën e saj.

Personi i vetëdeklaruar si truri i sulmeve të 11 Shtatorit ka kërkuar leje për të shpërndarë informacionet që zotëron për Gina Haspel, gruaja e zgjedhur nga presidenti Donald Trump për drejtimin e CIA-s.

Khalid Sheikh Mohammed, që aktualisht mbahet në burgun famëkeq të Guantanamos në Kubë, i ka bërë kërkesë gjyqtarit të çështjes së tij nëse mund të publikojë 6 paragrafe me të dhëna mbi Haspel.

Sipas “New York Times”, që ka raportuar lajmin, ende nuk është e qartë nëse kërkesa e tij është pranuar. Mohammed u torturua nga CIA pas arrestimit të tij në vitin 2003.

Emërimi i zonjës Haspel po has kundërshtimin e opozitës për shkak të rolit të saj në menaxhimin e një burgu sekret në Tajlandë ku kryheshin tortura, si ajo që simulon mbytjen me ujë.

Në seancën e parë të konfirmimit, që nisi një ditë më parë, zonja Haspel premtoi se nën lidershipin e saj CIA nuk do të nisë një program të ri torturash dhe qendrash të reja burgimi. Ajo u tha anëtarëve të komisionit të inteligjencës se CIA ka mësuar nga gabimet e së shkuarës.

“Mbështes plotësisht trajtimin e të ndaluarve sipas ligjit dhe premtoj se do ta mbaj CIA-n të fokusuar tek mbledhja e informacionit”, deklaroi Haspel./abcnews.al

donald-trump-1280x853.jpg
G. P.21:08 | 07/05/2018

Donald Trump i ka dalë në mbrojtje Gina Haspel, gruas që ai ka zgjedhur për drejtimin e shërbimeve të inteligjencës. Presidenti i ka cilësuar absurde akuzat e demokratëve se Haspel nuk është personi i duhur për këtë post pasi ka qenë e ashpër me terroristët.

Presidenti Donald Trump ka mbrojtur të zgjedhurën e tij për drejtimin e CIA-s, pas ofertës së saj për t’u tërhequr për shkak të zërave mbi rolin që ka patur në përdorimin e torturave. Në reagimin e tij, Trump ka deklaruar se, Gina Haspel është sulmuar vetëm sepse është treguar e ashpër me terroristët. Në Twitter, presidenti e ka inkurajuar atë që të vazhdojë luftën e saj dhe ta fitojë atë.

“E emëruara ime për drejtimin e CIA-s, Gina Haspel, është sulmuar për shkak se është treguar e ashpër me terroristët. Mendoni pak, në këto kohë të vështira kemi personin më të kualifikuar. Një grua, që demokratët e duan jashtë sepse është shumë e ashpër ndaj terrorizmit. Tregoju vendin, Gina!”, ka thënë Trump në profilin e tij.

Tashmë zonjës Haspel i duhet të zgjedhë nëse do të tërhiqet apo jo. Nëse zgjedh ta pranojë propozimin e Trump, sërish ajo do ta ketë të vështirë konfirmimin në Senat, për shkak të ndarjes së ngushtë 51 me 49 mes republikanëve dhe demokratëve. Haspel ka punuar në CIA për 33 vjet, kryesisht në misione të fshehta, por së fundmi ka mbajtur postin e nëndrejtores.

Koha e saj në radhët e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës përkon me periudhën e përdorimit të torturave për të marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm. Haspel thuhet se ka menaxhuar atë që njihet si “zona e zezë”, një burg sekret në Tajlandë ku kryheshin tortura të tilla.//abcnews.al

gina-haspe.jpg
G. P.18:30 | 13/03/2018

Gina Haspel është drejtorja e re e CIA-s, e para grua në historinë amerikane, që mban një post të tillë. Mediat amerikane e shohin si një figurë kontroverse, të përfshirë në tortura.

Për herë të parë në histori, një grua do të mbajë postin e drejtoreshës së CIA-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Gina Cheri Haspel, e lindur në 1 Tetor 1956, është pjesë e CIA-s që nga viti 1985. Zyrtare e shëbimeve sekrete amerikane, Haspel u emërua në Shkurt të 2017-s zëvendësdrejtoreshë e CIA-s.

Në atë rast, ajo ishte e dyta që mbante një post të tillë, pasi e para ishte Avril Haines e emëruar nga ish-presidenti Obama.
Figura e Haspel është kontroverse dhe emërimi i saj pritet të ngjallë shumë reagime pasi janë shumë çështje të lëna pezull për sa i përket marrëdhënieve të qeverisë amerikane dhe agjencisë së shërbimit të inteligjencës.

Haspel në fakt ka qenë e përfshirë në disa raste torturash që kanë ndodhur në burgjet amerikane në vitin 2002. Në atë kohë, ajo kishte detyrën për të monitoruar një qendër në Tajlandë, ku mbaheshin personat e dyshuar për terrorizëm.

Kur u bënë publike mënyrat e marrjes në pyetje të praktikuara nga CIA, agjencia u përfshi në polemika të shumta së bashku me Gina Haspel, e cila akuzohej se kishte miratuar këto mënyra pa u menduar fare.

Emërimi i Gina Haspel, një figurë që përputhet me Trump, mund të favorizojë një pajtim institucional mes shtëpisë së bardhë dhe CIA, duke pasur parasysh përplasjet e vitit të fundit për shkak të Russiagate./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono