Gent Sejko

sejko.jpg
G. P.16:32 | 14/06/2019

“Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në një mjedis me rritje të ngadalësuar në eurozonë”, ishte tema e Samitit Vjetor të Vendeve të Rajonit i cili u zhvillua në Mal të Zi.

Pjesëmarrës në këtë samit ishin guvernatorë e përfaqësues të lartë të bankave qendrore nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Kosova.

Guvernatori Gent Sejko vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, si një mundësi e mirë për të shkëmbyer eksperienca mes homologësh mbi çështje të bankingut qendror. Sejko o theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, si parakusht për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit./ABC News Albania 24/7

banka-e-shqiperise.jpg
G. P.17:21 | 23/04/2019

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko kërkoi që institucionet përgjegjëse të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve si ajo e grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit. Gent Sejko tha se banka qendrore është shqetësuar pas kësaj ndodhie dhe shtoi se përsëritja e saj do të sillte kosto shtesë për bankat dhe ekonominë vendase.

Banka e Shqipërisë thotë se bankat kanë zbatuar rregulloren e sigurisë gjatë kohës së transportit të parave që u grabitën dy javë më parë në Aeroportin e Tiranës. I pyetur për ndikimin që ka patur grabitja në sistemin bankar, guvernatori Gent Sejko tha se bankat janë të mirëkapitalizuara, por nëse ngjarjet përsëriten, krijojnë kosto për sektorin bankar dhe ekonominë vendase. Ai kërkoi që institucionet të marrin masa për të parandaluar ngjarje të tjera.

“Ajo që na shqetëson më shumë ne si bankë qendrore është përsëritja e këtyre ngjarjeve ndikimi negativ në imazh ndikim negativ psikologjik dhe sigurisht në qoftë se ngjarje të tilla do të përsëriteshin shumë shpesh dhe ndikimi financiar do të bëhej shumë problematik dhe do të kishte një kosto jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë shqiptare”, tha Sejko.

Guvernatori ishte në Komisionin e Ekonomisë ku tha se banka qendrore ka nisur projektin për të bërë kleringun e vlerave monetare në euro për transfertat mes bankave brenda Shqipërisë, kjo do të ulë koston e shërbimeve bankare dhe po ashtu sasinë e parave që dërgohen jashtë.

“Ne si Bankë Shqipërie kemi marrë vendim që brenda këtij viti të implementojmë sistemin e kleringut, e qarkullimit të parave në euro në Bankën e Shqipërisë”, tha Sejko.

Në raportin vjetor Banka e Shqipërisë vlerësoi se sektori bankar gjatë kësaj periudhe kanë qenë likuid dhe kreditimi ka patur një rritje të lehtë, ndonëse jo në krahun e biznesit. Banka qendrore që pret që në 3 vitet e ardhshme ekonomia të ngadalësojë ritmin e rritjes nga 4 në 3.8%, për shkak të situatës globale, rënies së prodhimit të energjisë dhe vazhdimit të krizës politike./abcnews.al

fmn.jpg
G. P.11:52 | 15/04/2019

“Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë masat për të reduktuar kreditë me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare”.

Janë këto kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që iu adresuan Guvernatorit Gent Sejko në mbledhjet që u zhvilluan në Uashington.

“Shqipëria duhet të vazhdojë reformat strukturore dhe të përmirësojë klimën e biznesit”, nënvizuan përfaqësuesit e institucioneve më të larta financiare, sipas të cilëve është shumë i rëndësishëm edhe bashkërendimi në vazhdimësi i politikës monetare me atë fiskale.

Në këtë mënyrë ndihmohet forcimi i stabilitetit makroekonomik të vendit dhe sigurohet rritje ekonomike afatgjatë./abcnews.al

banka-e-shqiperise.jpg
G. P.21:30 | 30/03/2019

Edukimi financiar i brezit të ri ishte në qendër të vëmendjes së Bankës së Shqipërisë këtë javë.  Ashtu si dhe në të gjithë botën dhe në vendin tonë u organizuan një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese për të rinjtë.

Në të gjithë globin, kjo javë i është dedikuar edukimit financiar të fëmijëve me qëllim që brezi i ri në të ardhmen të mund të marrë vendime të mirë menduara. Slogani botëror i përzgjedhur nga organizatat ndërkombëtare është “Mëso, kurse, fito”, ndërsa në Shqipëri Banka Qendrore mendoi ta zgjeronte tematikën.

“Ne si pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e kësaj jave kemi zgjedhur të fokusohemi tek edukimi i të rinjve për të mënjanuar përdorimin e gabuar të termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare. Motoja jonë për këtë vit është “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”

Përmes orëve të hapura mësimore, vizitave në Muzeun e Bankës së Shqipërisë e konkurseve, nxënësit e të gjitha grupmoshave përgjatë gjithë javës së parasë morën leksione si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura e të vendosin bazat për të ardhmen e tyre. Evente që ndodhin në të gjitha shtetet e Europës po i ndjek dhe Banka e Shqipërisë. I tillë ishte dhe kuic me 200 nxënës nga të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Ata u ndanë në 149 skuadra me nga dy persona dhe testuan njohuritë e tyre financiare përmes pyetjesh nga më të thjeshtat e deri më të komplikuarat. Nxënësit duhet të zgjidhnin formulat për probleme me pagesën e normave të interesit të kredisë apo zbatimin e mënyrës së taksimit.  Më shumë se gjysma e tyre iu përgjigjen saktë të gjitha pyetjeve. Fitoren e përcaktoi koha e dhënies së përgjigjeve.

Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë fitoi vendin e parë dhe të tretë, ndërsa të dytët u renditën nxënësit e shkollës “Sotir Gura” në Korçë. Fituesit  e vendit të parë do të përfaqësojnë Shqipërinë në muajin Maj, në konkursin që do të zhvillohet mes të gjitha shteteve të Europës në Bruksel. Ndërsa vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zgjodhi ta japë mesazhin e tij në një leksion të hapur në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kreu i Bankës Qendrore njohu studentët me mënyrën sesi Banka e Shqipërisë krahas objektivit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve i ka dhënë përparësi dhe objektivave që lidhen me stabilitetin financiar.

“Stabiliteti i sektorit bankar mbetet themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Paralelisht, janë përmirësuar edhe proceset e brendshme dhe ndërinstitucionale, që vendimmarrja finale e institucionit të reflektojë në mënyrë të përshtatshme këndvështrimet monetare dhe financiare. Me këto ndryshime, në zbatim të përgjegjësive ligjore, Banka e Shqipërisë i përgjigjet më mirë sfidave të kohës dhe vijon pandërprerë procesin e modernizimit të saj”. 

Ky është viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e këtij kremtimi, duke synuar të ofrojnë një program sa më interesant e tërheqës për përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh në aktivitetet edukuese./abcnews.al

DSC_0062-Copy-2-1280x854.jpg
G. P.19:25 | 24/12/2018

Viti që po lemë pas ka patur një nga shifrat rekord të blerjes së monedhës Euro nga ana e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm. Edhe pse Euro vijon të blerë banka nuk po ndërhyn, por guvernatori deklaroi në një konferencë për shtyp se është gati nëse ka sërish mbiçmim të lekut. ai tha se këtë vit janë blerë në treg 400 milionë Euro.

Banka e Shqipërisë ka blerë në tregun e brendshëm gjatë vitit 2018 400 milionë euro, ku më shumë se gjysma e kësaj shume është përdorur për të ndërhyrë në kursin e këmbimit valutor. Në fund të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se nëse do të lindë nevoja, banka qendrore do të vazhdojë të ndërhyrjë në kursin e këmbimit.

“Në rast se ne do të shohim çrregullime në përputhje me ligjin dhe rregulloren e Bankës së Shqipërisë dhe në rast se ne do të shohim se kursi i këmbimit do të ndikojë nivelin e inflacionit do të vazhdojmë programin e ndërhyrjeve”, tha Sejko.

Por kreu i bankës qendrore sqaroi se për momentin lëvizjet në tregun e këmbimit valutor me mbiçmimin e monedhës kombëtare po ndikohen nga shkaqe natyrale sezonale dhe nuk përbëjnë rrezik për inflacionin. Ai nuk dëshiroi të japë një vlerë të Euros që mund të bëjë rrezik për tagrin e inflacionit të vendosur nga banka.

“Kemi një nivel më të ulët mbi çmimin e kursit të këmbimit dhe unë nuk do doja ta përmendja këtë shifër si nivel pasi do të bëhej një element psikologjik për të ndikuar në spekulime në tregun e këmbimit, por sigurisht që jemi në një nivel më të ulët se sa niveli i mëparshëm”,  tha Sejko.

Banka qendrore do të nisë ndërhyrjen me politikën e saj monetare për rritjen e normës së interesit jo më parë se në 3-mujorin e dytë të 2019-s. për vitin që po mbyllet guvernatori tha se ka patur mjaft sfida, dhe se lehëtsimi i normës bazë të interesit të lekut ka dhënë efekte pozitive në lehtësimin dhe rritjen e kredisë si dhe në uljen e kostos së borxhit publik./abcnews.al

SEJKO-DHE-MAJKO_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.34-1280x720.jpg
G. P.16:56 | 14/12/2018

Për të lehtësuar transfertat e emigrantëve, Banka e Shqipërisë po shikon si mundësi që shërbimet bankare të shtrihen edhe në zonat rurale. Guvernatori Gent Sejko thotë se synimi është reduktimi i kostove për paratë që vijnë në formë remitancash.

Shërbimi bankar do të zgjerohet edhe në zonat rurale për të lehtësuar transkasionet financiare që kanë të bëjnë me remitancat. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se projektligji për shërbimet e pagesave pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe reduktimin e kostove për paratë e dërguara nga emigratëntët.

Gent Sejko guvernator i BSH: “Projektligji vlerësohet të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe në krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, një përbërës ky mjaft i rëndësishëm për tregun tonë. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin, përfshirë dhe zonat rurale. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave kanë miratuar dhe vënë në zbatim tashmë strategjinë kombëtare për tregun e pagesave me vlerë të vogël”.

I pranishëm takimin e zhvilluar në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit për remitancat, nënshkruar vitin e kaluar, ministri i Shtetit për Disporën, Pandeli Majko tha se edhe pse krahasur me vitin 2007 ka një ulje me 27 % të remitancave që vijnë nga jashtë, sërish ato mbetet më të larta se invetsimet e huaja në vendin tonë.

Pandeli Majko ministri i Shtetit per Disporën: “Në Shqipëri shumat që hyjnë nga remitancat ëshët shumë më e lartë se ajo e invetsimeve të huaja. Ato mund të kthehen në histori suksesi për ekonominë e vendit”.

Sipas Majkos, kjo ulje e dërgesave pas 2007 ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike që përfshiu rajonin si dhe liberalizimin e vizave./abcnews.al

BANKA-E-SHQIPERISE-PER-BUXHETIN.mpg_snapshot_00.44-1280x720.jpg
G. P.18:16 | 19/11/2018

Banka e Shqipërisë kërkon përmirësim të standardeve të kontabilizimit në buxhet të efekteve që do të kenë angazhimet në kontratat partneritet publik – privat. Për herë kreu i Bankës Qëndrore bëri të qartë rrezikqet që mund të kenë këto projekte për buxhetin dhe insistoi që të njihet efekti i mundshëm në borxhin publik të vendit.

Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të njohë efektin që do të kenë detyrimet e buxhetit ndaj projekteve partneritet publik-privat në rritjen e borxhi publik. Kjo është hera e parë që institucioni i bankës qendrore shpreh shqetësimin për rreziqet që kanë angazhimet e programeve PPP. Guvernatori Gent Sejko ndodhej në komisionin e Ekonomisë për dhënien e mendimit për buxhetin e 2019-s, ku kërkoi edhe vendosjen e një tavani buxhetor për këto kontrata në ligjin bazë të buxhetit.

Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë: “Ta njohim vlerën, efektin e PPP-ve në nivelin e borxhit në mënyrë realiste. Pra të dimë se sa këto pagesa për PPP do të ndikonin në nivelin e borxhit.”

Kreu i bankës qëndrore nuk përkrahu as idenë e përjashtimeve nga taksat për disa sektorë të caktuar.

“Një tipas tjetër i dëshirueshëm i politikës së taksave është edhe thjeshtimi i sistemit në drejtim të reduktimit të përjashtimeve tatimore.”

Por një tjetër shqetësim i Bankës së Shqipërisë është edhe defiçiti që kanë krijuar skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

“Deficiti i skemave të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është rreth 5.6% e PPB-së ose 2.6 herë më e lartë së deficiti i përgjithshëm buxhetor”.

Pavarësisht rreziqeve që sheh në buxhetin e vitit të ardhshëm, Banka Qendrore vlerësoi nismën e qeverisë për uljen e borxhit publik dhe po ashtu parimin për mosndryshimin e regjimeve tatimore. Ulja e tatimit të dividentit sipas Bankës, do të shtojë investimet vendase dhe të kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-20-18h11m17s718-1280x720.png
G. P.18:45 | 20/09/2018

Banka e Shqipërisë hapi konferncën e dytë të Muzeut të Bankës. Këtë vit ajo i dedikohet rolit të parasë gjatë luftërave. Për të prezantuar punimet e tyre mbi rolin e monedhës në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme kërkimore si Institutet e Arkeologjisë dhe Historisë, universitete evropiane dhe banka homologe.

Guvernatori Gent Sejko e konsideroi këtë një ngjarje të rëndësishme pasi ndihmon në pasurimin e koleksionve të ekspozuara dhe i shërben studiuesve në punën e tyre kërkimore. Ky nuk është aktiviteti i parë që shënohet në Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Në kuadër të Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut janë zhvilluar disa ekspozita të përkohshme mbi figurën e heroit në prerjet kombëtare. Ndërkohë që një tjetër fokus i punës së muzeut është edhe edukimi financiar./abcnews.al

le-roi.jpg
G. P.15:33 | 20/09/2018

Banka e Shqipërisë hapi konferencën e dytë të Muzeut të Bankës. Këtë vit, ajo i dedikohet rolit të parasë gjatë luftërave.

Për të prezantuar punimet e tyre mbi rolin e monedhës në këtë konference ishin të pranishëm përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme kërkimore si Institutet e Arkeologjisë dhe Historisë, universitete evropiane dhe banka homologe.

Guvernatori Gent Sejko e konsideroi këtë një ngjarje të rëndësishme pasi ndihmon në pasurimin e koleksioneve të ekspozuara dhe i shërben studiuesve në punën e tyre kërkimore.

Ky nuk është aktiviteti i parë që shënohet në Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut janë zhvilluar disa ekspozita të përkohshme mbi figurën e heroit në prerjet kombëtare. Ndërkohë që një tjetër fokus i punës së muzeut është edhe edukimi financiar./abcnews.al

gent-sejko.jpg
G. P.17:17 | 17/07/2018

Ecuria e sistemit bankar, efektet e politikës monetare, pritshëmritë për inflacionin, ishin disa nga çështjet që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, diskutoi në takimin me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga Shefi i ri i këtij misioni Jan Kees Martijn.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori i njohu përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me rezultatet pozitive në kuadër të uljes së kredive me probleme të cilat gjatë muajit Maj kanë shënuar rënie në nivelin 13.3%. Më tej ai i njohu dhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, Tirana Approach, i cili synon t’u japë zgjidhje kredive me probleme për kredimarrësit e mëdhenj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono