gazi

47277313_303.jpg
G. P.20:04 | 08/02/2019

Të trembura nga vartësia nga gazi rus, vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur të ashpërsojnë kushtet për aksesin e tij në tregun europian. Pakti i vendeve anëtare vjen në një kohë kur kanë nisur punimet për gazsjellësin “Rrjedha e Veriut 2”, që do të rrisë influencën e Rusisë në kontinentin e vjetër.

Ambasadorët e vendeve të BE-së kanë rënë dakord që të ashpërsojnë kushtet për funksionimin e gazsjellësit të ri rus në Gjermani, edhe pse pa penguar realizimin e projektit. Bëhet fjalë për gazsjellësin “Rrjedha e Veriut 2”, 1 mijë e 225 kilometra i gjatë, i cili do të kalojë përmes detit Baltik. Punimet për projektin në fjalë kanë nisur dhe pritet të mbyllen në fund të 2019-s.

Vendet anëtare dëshirojnë që gazsjellësit që depërtojnë në bllokun europian të funksionojnë sipas rregullave të tij të energjisë. Por nga ana e saj, Gjermania druhet se një lëvizje e tillë do të dëmtojë përfitimet ekonomike të gazsjellësit.

Por pavarësisht qëndrimeve të kundërta, ambasadorët ranë dakord mbi kompromisin franko-gjerman të arritur vitin e kaluar, që parashikon që Gjermania të mbetet vendi lider në negociatat për projektin “Rrjedha e Veriut 2”. Aktualisht Rusia furnizon rreth 40 për qind të tregut europian të gazit, deri në Norvegji, që nuk është pjesë e BE-së por anëtare e tregut të përbashkët europian.

Për vite me radhë, blloku 28-anëtarësh ka qenë i shqetësuar për vartësinë që kontinenti i vjetër mund të krijojë nga gazi rus. Polonia ka paralajmëruar se Rusia mund ta përdorë gazsjellësin e ri për të dëmtuar sigurinë energjitike të Europës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Gjermaninë se është peng i Rusisë për shkak të projektit./abcnews.al

10-6-933x445.jpg
G. P.21:52 | 12/09/2018

Zoje Latifaj tregoi për emisionin”Stop” sesi bashkëshorti i saj, Rito Latifaj humbi jetën i asfiksuar nga gazi më 26 Maj 2016, vetëm një muaj pasi kishte filluar punë tek puset e naftës në Kocul.

“Kishte 20 ditë i punësuar si roje në zonën e naftës. E pritëm në darkë që të vinte në shtëpi, por nuk erdhi. E telefonuam dhe kur nuk e ngrinte telefonin, djemtë ikën për ta kërkuar. Por këtu është një vend burimi shumë i madh dhe ikën nga sektori i dytë. Djali kaloi dhe e ka gjetur pikërisht në këtë vend, afër tubit të gazit dhe naftës. Ora ishte 2.30 – 3.00 e natës”, rrëfeu bashkëshortja e viktimës.

Ajo u shpreh se familjarët e tyre e larguan trupin e pajetë nga vendi i ngjarjes dhe e çuan në shtëpi, në pritje të policisë. Zonja Zoje tha se bashkëshorti nuk kishte shenja dhune në trup, por vetëm fytyrën të nxirë dhe me flluska.

Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes së Rita Latifajt ishte rrjedhja e gazit, duke eleminuar të gjitha pistat e tjera të mundshme.

Por më pas gjithçka ndryshoi. Avokati i familjes Latifaj, Adriatik Lapaj tha se mjeku ligjor, i cili bëri skedën e vdekjes së viktimës, përcaktoi si shkakun e vdekjes thyerjen e këmbës. “Ndërkohë që nga akti që është bërë në vendngjarje rezulton nga të gjitha të dhënat që personi ka qenë i padëmtuar fizikisht”, u shpreh avokati.

Nëpunësi i gjendjes civile tregoi se sipas raportit të mjekut Auron Rexhitaj, Rito Latifaj ka ndërruar jetë më 26 Maj 2016 në orën 21:00 dhe i ka dalë certifikata e vdekjes më 2 Qershor të po atij viti.

“Shkakun që i ka vënë të shkruar është shkak aksidental i lidhur me ambientin rrethues dhe të tjera të papërcaktuara, me një kod 928”, tha nëpunësi.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë caktoi prokurorin Erion Shqarri për zbardhjen e vdekjes së Rito Latifajt. Ky prokuror vendosi mosnisjen e hetimeve, duke mosngritur një grup ekspertimi për të përcaktuar gjendjen fizike dhe amortizimin e puseve të naftës, si dhe dëshminë e punonjësve.

Avokati i familjes Latifaj tha: “Për mua është një nga rastet tipike, ku shteti ka dështuar në 100% të hallkave të tij dhe ku është manipuluar totalisht vdekja e një njeriu, me qëllim mendoj unë. Prokuroria vendosi pushimin e çështjes sepse nuk gjente elementë të një vepre penale, çka e kundërshtuam në gjykatë. Gjykata vendosi rifillimin e hetimeve”.

Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për rifillimin e hetimeve, çështja iu caktua prokurorit Erion Çela. Por ky i fundit për rreth 7 muaj nuk e ka prekur ende dosjen e çështjes së vdekjes së Rito Tafilajt. Familjarët e viktimës iu drejtuan Prokurorisë Vlorë për të pyetur prokurorin Çela për të mësuar se çfarë ka ndodhur me këtë çështje.

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Çfarë t’i them unë?

Zoje Latifaj – Ta takojmë një çikë, ku është dhe dua të bëj një takim se çfarë është bërë me çështjen e dosjes së Ardian Latifajt.

Djali i viktimës – O vëlla, merre telefon!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Do t’i ta takosh, por…

Djali i viktimës – O vëlla, ka mundësi ta marrësh në telefon?

Zoje Latifaj – Kështu na thanë, telefonoje që të lesh një takim. Vetëm kaq!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – O shef, është mamaja eee… Ardian Latifit, do të bëjë një takim! E ka pas njëherë, e ka pasur Erion, ky Shqarri dhe e keni marrë ju. Dakord! Ai e di se çfarë më tha?

Merri numrin e telefonit atyre dhe do t’i thërras unë se s’e kam parë fare, nuk e njoh fare si çështje se e ka pas ai tjetri. Tani kështu më tha mua, s’e njof fare nuk e njoh çështjen fare.

Zoje Latifaj – Nuk e njeh fare, 7 muaj kjo çështje nuk e njeh ëëëë… sa mirë!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Edhe merri numrin, do i thërras unë!

Zoje Latifaj – Në rregull! Ai këtë çështje nuk e ka njohur këtu e 7 muaj. Faleminderit! Mirupafshim!

Gazetari i emisionit “Stop” shkoi në Kocul për të parë nga afër sesi janë kushtet në puset e naftës dhe për të pyetur punonjësit nëse ka patur raste të ngjashme me atë të Rito Tafilajt.

Gazetari – Ka pasur raste të tjera që mund të jenë helmuar nga gazi këtu, qoftë bagëti ose persona?

Punonjësi – Raste ka pasur plot.

Gazetari – Ka pasur më përpara ëëë?

Punonjësi – Më përpara plot ëëë…

Gazetari – Po se është zona, se dallohet.

Punonjësi – Zona, çfarë flet…

Gazetari – Po është zona se dallohet, edhe ne kur zbritëm këtu. Po ju si ia bëni?

Punonjësi – Po tani me të ruajtur, i dalim në të kundërt, kur…

Gazetari – Halli të bën. Po si dallohet gazi kur del apo thjesht nga era?

Punonjësi – Nga era edhe kur ka shumë, duket kështu.

Gazetari – Duket, që del si …Ja na mbyti shiko era… Nga del?

Punonjësi – Fryn erë tani. Dil më tutje!

Gazetari – Bo, bobo… të marrim kështu ndonjë shami ndonjë gjë. Po nga vjen? Nga del?

Punonjësi  Nga depot.

Gazetari – A nga depot del ajo era? Kurse atje që ka ndodhur ajo e z.Latifaj?

Punonjësi – Atje ka qënë linja.

Gazetari – Ndonjë avari në linjë?

Punonjësi – S’e kam idenë se kanë qënë tuba të vjetër, amortizohen ato në çdo kohë.

Nga ana tjetër, eksperti Auron Rexhitaj, i përballur më familjarët e viktimës, pranoi se Rito Tafilaj ka humbur jetën nga gazi dhe se nuk është në dijeni të raportit që e klasifikon ngjarjen si aksident.

Djali i viktimës – Ti je Auroni ëë?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Po!

Djali i viktimës – Unë jam Marjano Latifaj, djali i Ritos.

Zoje Latifaj – Ti si mjeko-ligjor, kur ke ardhur në shtëpinë time, si të është dukur? Të është dukur nga gazi apo si vetëvrasje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj-  Nga gazi nga gazi, nuk është vetëvrasje!

Zoje Latifaj – Tani, kur ke bërë këtë fletën tjetër, që është përpiluar kjo fleta tjetër, ndërkohë që ti e ke thënë atje ka thyerje gjymtyrësh…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj –  Thyerje gjymtyrësh?

Zoje Latifaj – Po, është e shkruajtur aty. Mirë në rregull, nuk është shkruajtur, nuk është shkruajtur, ndërkohë që Rito Latifaj a ka thyerje gjymtyrësh? Ndonjë dëmtim në trup?

Djali i viktimës – Asnjë gjë!

Zoje Latifaj – Jo! Është nga gazi?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Ta kam shkruajtur në kllapa: mundësia më e madhe është elemimi nga gazi. Pse?

Zoje Latifaj – Janë dy skeda vdekje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Do flasim edhe për të dytën, por të mbarojme një herë me të parën!

Zoje Latifaj – Dhe ke kërkuar një falje…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë një çikë…

Zoje Latifaj – Që kam ngatërruar kod. A të kujtohet?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë, një çikë! Unë i kam të shkruara të gjitha shenjat, që korrespondojnë me helmimin nga gazi. Kupton? Se unë nuk mund të ve dot një diagnozë pa përcaktuar shenjat, që është korrespodente me këtë diagnozë. Dhe unë kam thënë të gjitha këto shënjat, që janë fizikisht dhe në fund kam shkruajtur, nuk e them dot shkencërisht, por mundësia më e madhe është helmimi nga gazi dhe aty u mbyll.

Djali i viktimës – Unë s’di pse më ka vdekur babai, o vëlla! Që ta di për shembull, ka vdekur nga gazi? Ka vdekur nga gazi e ta lë? Tani, në qoftë se i ka thyer njeri këmbën, ta di ku ta marr hakun. Dua të di, pse prokuroria për shembull nuk të ka thirrur ty në një seancë gjyqi, kur unë kam bërë seancat e gjyqit? Të sqarohet, o vëlla, që është bërë kështu, kështu! E kupton? Kam dy vjet në prokurori, nuk jeni prezantuar asnjëherë.

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj  Është bërë kjo ngatërresa dhe unë kam ardhur në prokurori dhe kam thënë jo, në asnjë mënyrë! Ky e ka nga gazi. Kjo këtu është gabim mund të jetë lapsus, mund të jetë marrë… kështu, por e vërteta është kjo.

Pra eksperti mjeko-ligjor ka pranuar edhe në prokurori se ka ndodhur një ngatërresë me kodin e skedës, çka do të thotë se nuk ka dy skeda dhe se viktima ka ndërruar jetë për shkak të helmimit nga gazi dhe jo nga shkaqe të tjera.

Me provat që siguroi emisioni “Stop”, prokurori i çështjes, Erion Çela mundi të zbardhë dhe t’i japë zgjidhje çështjes së vdekjes së Ridvan (Rito) Tafilajt./tvklan.al 

KORCE-AKSIDENTI-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
G. P.13:11 | 16/08/2018

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçes ditën e sotme ku një 3 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e bombolës së gazit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, në fshatin Mborje-Korçë, fëmija me iniciale J.D, rreth 3 vjeç, dyshohet se duke luajtur aksidentalisht i ka rënë duke e zënë poshtë, një bombol gazi e madhe e cila për pasojë i ka shkaktuar dëmtime trupore këtij të fundit.
Ky shtetas u shoqërua në Spitalin e Korçës nga familjarët e tij, ku më pas ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

29202BE7-1017-4417-94B3-8F2BF7915C87_w1023_r1_s.jpg
ent ela21:44 | 03/04/2018

Në takimin e zhvilluar të martën në Ankara, presidentët Erdogan dhe Putin kanë rikonfirmuar bashkëpunimin mes tyre për një sërë çështjesh, përfshirë këtu Sirinë, armatimet dhe furnizimin me gaz.

Presidentët Recep Tayip Erdogan dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar të martën një takim kokë më kokë në pallatin presidencial në Ankara, ku kanë konfirmuar lidhjet e ngushta mes dy vendeve. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit ka qenë Erdogan që ka theksuar se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Rusisë është forcuar pavarësisht përpjekjeve të disa qarqeve për ta helmuar atë. I cituar nga agjencia e lajmeve “Anadolu”, Erdogan ka thënë se pas çdo provokimi që ka rezultuar pa sukses, Ankaraja dhe Moska kanë dalë më të forta. Presidenti turk ka nënvizuar se një nga pikat e këtij partneriteti është vëllimi tregtar mes dy vendeve, që ka arritur sipas tij mbi 22 miliardë dollarë e që Turqia synon ta çojë në 100 miliardë. Sa i takon takimit trepalësh Rusi-Turqi-Iran për Sirinë, Erdogan ka thënë se ka informuar Putin për operacionet e ushtrisë turke në Afrin, që sipas tij ka si synim sigurinë e Turqisë dhe ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë. Më tej presidenti turk ka shtuar se marrëveshja me Rusinë për blerjen e sistemeve mbrojtëse raketore “S-400” është tashmë e përfunduar. Në të njëjtat linja, Putin ka theksuar se nuk ka “faktorë negativë” në marrëdhëniet Rusi-Turqi dhe se mes dy administratave po diskutohet lehtësimi i pajisjes me vizë. Putin ka thënë se bashkë me Erdogan kanë vendosur përshpejtimin e dërgimit të sistemit raketor në Turqi, ndërsa ka shprehur shpresën e tij që bisedimet për gazsjellësin “Burimi Verior” të arrijnë rezultate pozitive. Nga Ankaraja, Putin i ka dhënë përgjigje edhe akuzave të Perëndimit lidhur me helmimin e ish-oficerit të shërbimeve sekrete ruse me agjent nervor. Duke cituar ekspertët e shërbimeve të inteligjencës, Putin ka thënë se të paktën 20 shtete mund të prodhojnë agjentë kimikë të familjes Noviçok. Më herët, Putin dhe Erdogan ndoqën përmes një video-konference ceremoninë për nisjen e punimeve të çentralit të parë bërthamor të Turqisë, Akuju, që do të ndërtohet në provincën e Mersinit nga një kompani ruse./abcnews.al

 

vlcsnap-error409-1280x720.jpg
ent ela15:12 | 29/01/2018

Një skandal ka përfshirë 3 kompani të mëdha të prodhimit të automjeteve në Gjermani. Mediat kanë zbuluar se në një eksperiment janë përdorur qytetarë për të testuar dëmin që sjell gazi i shkarkuar nga makinat. Për këtë çështje Angela Merkel ka kërkuar qartësi.

Gazi i shkarkuar nga automjetet me naftë të kolosëve gjermanë nuk është provuar vetëm tek majmunët, por edhe tek qëniet njerzore. Kjo është bërë e ditur nga “Zudojçe Cajtung” dhe “Shtutgarter Cajtung”, që zbulojnë informacione të reja lidhur me testet ku janë përfshirë Volksëagen, Daimler and BMË. Shoqata Europiane e Kërkimeve për Ambjentin dhe Shëndetin në fushën e Transportit, e themeluar nga 3 kolosët e automjeteve, ka zhvilluar një studim të shkurtër të inhalacionit me oksid nitrik në njerëz të shëndetshëm.

Në eksperimentin që është zhvilluar në 2014 në Shtetet e Bashkuara janë përfshirë 25 persona. Sipas raportit të shoqatës së kërkimit, e cila ka kryer testimin, nuk janë zbuluar efekte tek pacientët që janë ekzpozuar ndaj emisioneve të gazit.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe kancelarja Angela Merkel. Ajo i ka kërkuar grupeve automobilistike të përfshira në skandal që të qartësojnë situatën. “Industritë e automjeteve duhet të kishin menduar për limitimin e emisioneve, dhe jo të tregonin parrezikshmërinë e saj”. Kështu u shpreh zëdhënësi I Merkel, Steffen Seibert.

Menjëherë për këtë rast kanë ardhur edhe reagime nga vetë kompanitë në fjalë. Daimler, prodhues I makinave Mercedez-Benz, është distancuar nga studimi dhe pretendojnë se nuk kanë asnjë ndikim tek eksperimenti. “Jemi të tronditur nga testet e kryera. E dënojmë me forcë atë”, shkruhet në një komunikatë të Daimler. Gjithashtu edhe Volksëagen thotë se nuk janë të pranueshëm në asnjë mënyrë testet e gazit tek majmunët. “Kush ka gabuar do të paguajë”, shprehet presidenti I Këshillit të Vëzhgimit të kësaj kompanie, Hans Dieter Poetsch. Ndërkohë, është hapur dhe një hetim për zbardhjen e plotë të këtij skandali./abcnews.al

vlcsnap-error616-1-1280x720.jpg
us er13:32 | 14/01/2018

5 pjesëtarë të një familje shqiptare dhe një i moshuar italian kanë mbetur të plagosur në Milano për shkak të një shpërthimi nga rrjedhja e gazit. Autoritetet bëjnë me dije se asnjë nga të plagosurit nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur një zonë të qytetit të Milanos në Itali pasi ka shkatërruar katin e fundit të një pallati. Mësohet se nga kjo ngjarje 6 persona kanë mbetur të plagosur. 5 prej tyre janë shqiptarë, të gjithë pjestarë të një familje. Shpërthimi, që ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit, është verifikuar në orën 5 të mëngjesit të së dielës.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga mediat italiane, një i moshuar 73-vjeçar, i cili jetonte i vetëm ngjitur me banesën e familjes shqiptare, kishte harruar gazin hapur. Mësohet se ai ka marrë djegie të shkallës së dytë.

Ndërkohë, idenditeti i shqiptarëve nuk bëhet i ditur. Vetëm saktësohet nga mediat italiane se dy femra 62 dhe 32 vjeç, dy burra 68 dhe 34 vjeç kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa një fëmijë i vogël është dëmtuar më rëndë pasi është goditur nga një objekt i fortë.

Të gjithë të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Sesto San Xhovani, që është një zonë në hyrje të qytetit të Milanos. Asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono