gay

anna.jpg
ad min19:07 | 22/06/2019

Anna Lika ishte e ftuara e radhës në banakun e emisionit “Thumb”. Ajo njihet si një ndër personazhet më karizmatikë dhe të këndshëm të ekranit të televizori.

Ajo tregoi me humor se ndryshe nga mosha 20-vjeçare, tashmë që është 26 vjeç kërkon thjesht një njeri të mirë për të kaluar jetën. Dhe për këtë ka një arsye shumë të fortë. Sipas saj meshkujt kanë filluar të rrinë shumë me njëri-tjetrin.

Anna u pyet nga Aulona nëse i ka ndodhur që të ketë zbuluar ndonjëherë se djali që ka pasur qejf të ketë qenë gay.

“Po më ka ndodhur. Nuk jam zhgënjyer, u bëmë pastaj shumë shokë. Që të ndërronim fustane nuk arritëm, por ndonjë bluze, ndonjë xhinse dhe e ndërronim. Unë nuk e kam shprehur kurrë kur kam pasur dikë qejf. Kam një metodë timen: bëj sikur nuk i kam qejf. Dhe ata më vijnë vetë. Ky s’vinte. E pyeta pastaj: “A kam ndonjë gjë unë personalisht?”  Jo tha thjesht ke një gjë që s’më duhet mua. E mirë i thashë, të paktën s’është problem im”, tha duke qeshur Anna./abcnews.al

myslim-murrizi-1.jpg
ad min22:25 | 17/05/2019

Deputeti Myslim Murrizi i ftuar në studion e emisionit “Provokacija” nga Mustafa Nano ka sqaruar një debat që ka pasur me moderatorin në lidhje me homoseksualët dhe perëndimin.

Murrizi është shprehur se nuk është racist ose kundër këtij komuniteti. Ai nuk e konsideron as sëmundje, por nuk e sheh këtë deviacion si një ndër arsyet për të qenë perëndimor.

Nënkryetari i Kuvendit solli në vëmendjen e moderatorit Mustafa Nano me humor edhe një fjali, kur i është drejtuar Ramës dhe ka thënë që “mua më përjashtoni nga Europa nëse e kanë kusht këtë gjë”.

Mustafa Nano: Ne kemi pasur një debat pak të ashpër. Kam pas faj unë, apo ju.

Myslim Murrizi: Në koshiencën time, i pagabueshëm është vetëm Zoti. Unë nuk kam ardhur që të ndaj përqindjet e fajit me ju.

Mustafa Nano: Unë mbaj mend që debati në thelb ka qenë te qëndrimet e Perëndimit. Ti e mban veten për perëndimor?

Myslim Murrizi: Nuk mendoj që ka qenë tamam kështu.

Mustafa Nano: OK ishte për gay-t, për homoseksualët.

Myslim Murrizi: Për tipin që kam unë nga natyra dhe nuk është se më lidh gjë me të majtën, nga pjesa e djathtë siç e konceptoj unë të djathtën, Zoti, familja dhe prona, siç e konceptoj unë, nuk jam racist, por jam tradicional dhe ky është ai debati që kemi pasur sëbashku. Nuk është se jam kundër atyre. Unë nuk e quaj as arritje të tyre, as sëmundje, por nuk e shoh që kolona kryesore për të qenë në perëndim është ai deviacion. Ky ka qenë në një farë mënyre përplasja në distancë me ju.

Mustafa Nano: As unë nuk e konsideroj arritje të jesh gay. Të jesh gay është gjendje e caktuar, nuk është as meritë. Thelbi perëndimit për mua, është që njerëzit sido që të jenë pavarësisht nga orientimi i tyre janë njësoj, duhet të respektohen.

Myslim Murrizi: Shumë mirë, çdokush është në të drejtën e tij. Unë edhe në një batutë pata disa ditësh kur iu ktheva Ramës thashë që “mua më përjashtoni nga Europa nëse e kanë kusht këtë gjë, unë nuk vij në Europë”. M’u drejtua dhe më tha që flet mes marrëdhëniet intime të dy bashkëkryetarëve, bëhej fjalë për Damianin dhe Oerdin”./abcnews.al

mustafa-nano123-provokacija.jpg
ad min20:24 | 22/01/2019

Javën e kaluar portalet shqiptare u mbushën me deklaratën e Mustafa Nanos që tha gjatë shfaqjes së tij në Teatrin Eksperimental se herën e parë e ka bërë me një mashkull. Në monologun e kësaj jave në “Provokacija”, Nano u shpreh se nuk i interesojnë fare ato që shkruajtën mediat online. Madje sipas tij nuk fyhet aspak nëse e quajnë të tillë pasi edhe nëse do të ishte gay, do ta thonte publikisht këtë gjë.

“Të nesërmen e ditës, në të cilën unë pata shfaqjen time me titull “Nuk ka kurva në këtë botë”, në skenën e Teatrit Eksperimental Spahivogli, portalet u përmbytën nga një lajm me titull “Muç Nano është gay; e tha ai vetë gjatë monologut të tij”. Nuk di se cili portal ishte i pari. Por nuk më ha meraku për këtë gjë. Sepse nuk fyhem, nëse më quajnë gay. Nuk më fyejnë hiç fare. Madje, po ju them një gjë: Me mendjen që kam, sikur të isha gay, do ta thoja publikisht këtë gjë. E do ta thoja jo sepse kështu do ndihesha më i qetë. Këtë nuk kam se si ta di. Madje kam frikë se nuk do të isha më i qetë. Nuk ka se si të jesh më i qetë në Shqipëri, nëse je gay i deklaruar. Unë do ta thoja publikisht këtë gjë për një arsye tjetër, do ta thoja thjesht për t’u prishur qetësinë një pjese shqiptarësh, që në fakt janë me mijëra, ndoshta qindra mijëra, ndoshta më shumë, e që i kap tartakuti, apo që bëjnë sikur i kap tartakuti, përballë një gay-i. Do ta thoja publikisht këtë gjë për të sfiduar një pjesë të shoqërisë shqiptare. Dhe përsëris: Nuk do të ishte çliruese apo shëlbyese për mua. Do të ishte, me shpresë, emancipuese për ca të tjerë, të cilët unë kurrë nuk kam për ta marrë vesh pse një zë në mbrojtje të së drejtës të çdokujt për të jetuar, edhe të gay-ve pra, e interpretojnë si një zë që promovon homoseksualizmin si një vlerë, e që e propagandon homoseksualizmin si një virtut.

Jo, homoseksualizmi nuk është vlerë e virtut. Është thjesht një gjendje, një orientim seksual i lindur dhe rastësor, siç është ngjyra e flokëve tuaj, forma e kafkës suaj, numri i këmbës që keni, libidoja seksuale e motrave dhe e grave tuaja, të dhënat tuaja angarafike, e kështu me radhë, por nuk është një atribut moral. Kush mbron të drejtën e gayve për të qenë të trajtuar barabar me të tjerët nuk është se i veçon gaytë si të mirë, si më të mirë. Jo, kjo do të ishte një broçkull kolosale. Gay-t janë njerëz si të gjithë njerëzit, të mirë, të liq, të bukur, të shëmtuar, të paqtë, të dhunshëm, siç jeni edhe ju vetë. Ndërsa e drejta e tyre për të jetuar nuk vihet në diskutim. Nuk mund të vihet në diskutim, për më tepër, nga ca burra që mbahen më të madh ngaqë paskan talentin, a dhuntinë, a virtutin për të pëlqyer vetëm gratë, dhe i pëlqejnë aq shumë gratë sa i shohin ato si prona të tyret, madje edhe si objekte mbi të cilat zbrazin gjithë dufin e tyre, ku me britma, ku me grushta e ku me plumba. Dhe këta barbarë, sepse barbarë janë, duan që moralin e tyre ta shesin si moral publik, mënyrën e tyre të të menduarit e të të jetuarit duan të na e imponojnë edhe neve si një stekë morale në shoqëri”, u shpreh ai.

Sipas Mustafa Nanos gay-t në Shqipëri numërohen me gishtat e dorës dhe nuk janë problem i shoqërisë, por shqetësim janë ata që ai i quan barbarë, të cilët sipas tij janë mendjembyllur.

“Dua t’u them edhe një gjë të fundit këtyre të fundit. Të dashur barbarë! Mos harxhoni kaq shumë energji kundër gay-ve në Shqipëri. Lërini të tjerat, por nuk ka gay në Shqipëri. Numërohen me gishtat e dorës. Kështu që kot kapeni me gay-t. Nuk janë gay-t problemi juaj, mirëpo po ta kuptonit këtë gjë nuk do të ishit barbarë. Nuk janë gay-t problemi i Shqipërisë. Dhe jo sepse janë pak. Edhe sikur të ishin të shumtë në numër, problemi ynë nuk do të ishin ata. Kurrsesi. Nuk kish se si. Në doni ta dini, problemi i Shqipërisë jeni ju. Dhe jo sepse urreni gay-të. Por sepse mendjen e keni të vogël, dhe të mbyllur, si brenda një korace, blinde, kasaforte”, tha Nano./abcnews.al

 

referendumi.png
ad min11:40 | 08/10/2018

Në Rumani ka dështuar referendumi për ndryshimin e kushtetutës lidhur me dispozitën që bën të ligjshme martesat mes homoseksualëve. Sipas burimeve zyrtare të cituara nga Associated Press, nuk është arritur kuorumi i nevojshëm i pjesëmarrjes në 30% të votuesve.

Në referendum morën pjesë vetëm 20.4% të qytetarëve me të drejtë vote. Qëllimi i referendumit ishte modifikimi i Kushtetutës në pjesën ku flitet për martesën mes dy personave: më konkretisht organizatorët kërkonin që fraza të ndryshohej dhe të flitej vetëm për martesë “mes një burri dhe një gruaje”.

Por me gjithë mbështetjen e të gjitha partive parlamentare, kishës ortodokse dhe besimeve të tjera fetare, referendum dështoi./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono