gati

arena-kombetare-1280x728.jpg
nev ila12:47 | 01/11/2019

Arena Kombëtare do të jetë gati pas një jave. Në impiantin me vlerë 70 milionë euro, po jepet dora e fundit e punimeve, ndërsa është ndryshuar vendi i kamerave dhe i gazetarëve. Është ende i rrethuar nga pluhuri dhe rrënoja, por të betohen se do jetë gati në kohë.

Kjo është Arena Kombëtare, ende pa emër sponsori, pa asfaltin në rrugët rreth saj, edhe pse me fasadën tashmë të përfunduar. Vonesat për shkak të parkimeve kuturu të qytetarëve tashmë janë harruar, por ka të tjera sa për t’i shqetësuar ata që punojnë aty.

Probleme të paparashikuara ka plot, kabllo nëntokësorë apo tubacione, si dhe zvarritje për shkak të bashkëpunimit të çalë mes UKT-në apo OSSHE-në. Gjithsesi, sa më shumë afron 17 nëntori, aq më shumë gjendja kthjellohet.

Për fat, në brendësi syri nis të ndihet më mirë. Fusha thuajse e përfunduar, po ashtu tribunat dhe ulëset e kuqe të vendosura, ndoshta 99 për qind. Ndriçimi LED është gati, i testuar disa herë, po ashtu gati kamerat e sigurisë dhe bokset e fonisë.

Ngjitemi në katet e sipërm të tribunës VIP. Në katin e parë do të vendosen gazetarët në krahun e majtë, pas këshillimit me UEFA-n. Kamerat do të zhvendosen një kat më lart, sërish me porosi nga Europa.

Komoditeti i VIP-it bën kontrast me tribunat e tjera, ashtu si edhe çmimi i biletave, pasi do të jetë 4 deri në 10 herë më i lartë. Në katin e parë është ruajtur diçka nga “Qemal Stafa” i vjetër, pikërisht një rresht ku do të vendosen ulëse për njerëz VIP, siç ishte edhe atëherë.

Në këtë kat, do të jenë bari dhe restoranti, ku mbetet vetëm të përfundohet tavani me ndriçimin. Instalimet janë të futura të gjitha në dysheme. Në katin e dytë është një tjetër restorant, të cilit i është përfunduar shtrimi i dyshemesë me vinil.

Në pjesën anësore, poshtë pllakave, janë kanalet për kabllot televizive. Në një hapësirë në mur pritet të vendosen hidrantët dhe zorra për shuarjen e zjarrit. Llozhat private do të jenë maksimumi i komoditetit dhe pritet të jepen me qira vjetore prej 25 000 eurosh.

Ato do të kenë edhe nga 6 ulëse si kolltukë në pjesën e jashtme. Sistemi i kamerave të sigurisë thuhet se është me rezolucion të lartë dhe lente cilësore, për të zmadhuar pamjet, dhe për të individualizuar tifozët problematikë.

Ndriçimi ndodhet fare pranë vendit ku do të jenë kamerat, por është bërë provë që nuk ndikon për të penguar. Ja edhe salla e punës e gazetarëve, që do të kenë tavolina dhe karrige, si dhe televizorë të futur në mur, do të ketë edhe banjo për ta.

Këtu jemi në katin më të lartë, ku gjithashtu do të ketë vende për gazetarë. Kjo është salla e kontrollit, dhe ngjitur me të edhe salla e serverëve për lidhjen e kompjuterëve. Mund të thuhet se këtu është truri i stadiumit, si dhe syri i shqiponjës për vëzhgim.

Ashensorët janë vendosur dhe janë në gjendje pune, por mbahen të kyçur. Punëtorët, pra detyrohen të përdorin shkallët, pasi ekziston frika se ata mund t’i dëmtojnë.

Në stadium punohet me 3 turne, natë dhe ditë. Gjatë ditës janë deri në 500 punonjës apo më shumë, ndërsa natën, rreth 100. Problem më vete është zbrazja e stadiumit në rast rreziku, dhe është parashikuar që në Arenën Kombëtare kjo të bëhet për 10 minuta.

Mbikqyrësi, Samedi, që na shoqëroi e na sqaroi me shumë mirësjellje, na thotë se standardi ndërkombëtar është 8 deri në 12 minuta. Ja dhe pjesa e tribunës, e përcaktuar për tifozët miq, në pjesën jugore prapa portave.

Këtu në 17 nëntor do të vendosen francezët, kryesisht në pjesën e sipërme, por edhe poshtë, nëse do të kërkojnë më shumë se 5 për qind të biletave. Tribunat janë të ndara me mure xhami nga pjesa tjetër, edhe dalja është e veçantë.

Sheshi para stadiumit është në përfundim, ndonëse nisi vetëm pak ditë më parë. Ai po shtrohet nga një kompani tjetër, dhe besohet që për 2-3 ditë do të jetë gati. Pllakat e pjesës qendrore, me ngjyrë të kuqe, kanë ardhur nga Irani, ndërsa pllakat e bardha në dy pjesët anësore, janë nga Italia.

Problem më vete është mirëmbajtja, dhe aty mësojmë se vetëm për ta sjellë impiantin në identitet, pas një ndeshjeje të kombëtares apo pas një derbi, do të duhen 20 milionë lekë të vjetër.

Stadiumi nuk është edhe ai vogël, dhe na u desh kohë e gjatë për ta hulumtuar të gjithin. Kur mbërritëm ishte kohë me diell, ndërsa kur dolëm në fushë, erdhi koha që të ndizen dritat.

Një tjetër provë me kërkesë të zyrtarëve të Federatës. Fusha jepet gati, me thellësinë e rrënjëve të barit që po arrin atë që kërkohet. Është plehëruar, ujitur, ndërsa terreni ka diferencë lartësie prej 18 cm nga qendra deri në pjesët anësore.

Pritet të korret dhe të vijëzohet 2 ditë para ndeshjes së kontrollit, të ditës së dielë. Ndërsa ne po përfundojmë turin në stadium, aty mbërrin Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, që ka ndjekur punimet që nga fillimi.

Ai flet për problemet e dala së fundi. Stadiumi ka edhe korridoret dhe dhomat e zhveshjes, plus ato të arbitrave, që gjithashtu janë gati. Në to, janë vendosur edhe mobiljet, ndaj mbahen të mbyllura me çelës.

Këtu, në katin nëntokë, do të bëhet hyrja e lojtarëve, por sidomos dalja e tyre pas ndeshjes, për në zonën Miks për intervista. Zona miks ende nuk është përfunduar, do të duhen edhe disa ditë për të.

Në pjesën nëntokësore vijnë korsitë për kalimin e autobusëve të ekipeve, ku po bëhen punimet e fundit. Aty ndodhen edhe shkallë të jashtme që të çojnë në sallën e konferencave të shtypit, që i ka muret të veshura me dru.

Në fund, nuk mund të mos na binte në sy zona historike, fasada e vjetër e Qemal Stafës, që tani është sërish në vendin e sa. Ajo u zbërthye gur më gur, çdo gur u etiketua me numra, për t’u vendosur në të njëjtin pozicion që kishin më parë.

Ky është stadiumi i ri kombëtar i futbollit në Shqipëri, një investim që ndodh një herë në disa dekada, i krahasueshëm me luksin e ministrive, ndërtuar në kohën e Zogut, apo Piramidën e Pallatin e Kongreseve të viteve 80-të./abcnews.al

wo31-Syria-Rukbanpic.jpg
nev ila21:23 | 18/10/2019

Belgjika dhe shtete të tjera europiane do të nisin evakuimin e familjarëve të luftëtarëve të ISIS që ndodhen në qendrat e burgimit në Siri. Mes tyre ka edhe shtetas shqiptarë, por qeveria në Tiranë nuk ka deklaruar se cilat do të jenë lëvizjet e saj për riatdhesimin e tyre.

Belgjika dhe vende të tjera europiane po përgatiten të evakuojnë qytetarët e akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik nga kampet e burgimit në veri-lindje të Sirisë, përmes një zone të shpallur të sigurt nga forcat turke përgjatë kufirit.

Zyrtarët belgë informuan familjarët e të burgosurve që mbahen në dy kampe se do të përfitojnë nga armëpushimi 5-ditor për të tërhequr shtetasit që dyshohen për lidhje me grupin terrorist.

Gazeta britanike “The Guardian” ka mësuar se edhe shtete të tjera europiane si Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë se si të përfitojnë nga armëpushimi për të riatdhesuar gratë dhe fëmijët, mes të cilëve ka edhe shtetas shqiptarë.

Ndërkohë, sa i takon Britanisë dhe vullnetit për të tërhequr shtetasit e saj nga Siria, kjo mbetet për t’u parë.

Sidoqoftë, vendimi i aleatëve për të lëvizur me shpejtësi ka gjasa të rrisë presionin ndaj Londrës për të bërë të njëjtën gjë.

Se çfarë do të bëhet me luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre ishte kthyer në një shqetësim ndërkombëtar pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr papritur trupat nga Siria.

Vendim që shkaktoi frikë se vakumi që do të krijohej do të çonte në shkërmoqjen e sigurisë në katër kampet kryesore të të burgosurve.

Rojet kurde kanë braktisur tashmë një qendër burgimi, duke u lejuar 800 personave, mes të cilëve anëtarë të ISIS, të largohen. Ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv lë Drio deklaroi se 9 gra franceze të lidhura me grupin terrorist ishin mes tyre./abcnews.al

blendi-cuci-1280x716.jpg
nev ila15:06 | 28/09/2019

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bën gati draftin për naftë pa taksa për fermerët. Lajmin, ministri Bledi Çuçi  e bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi me fermerët në Fier.

Fermerët vitin e ardhshëm do të mund të blejnë naftë me çmim më të lirë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po harton skemën për të përjashtuar nga taksat e hidrokarbureve këtë kategori. Ministri Bledi Cuci fermerëve në Fier iu tregoi shembullin e sektorit të peshkimit.

“Kam nisur një projekt që unë besoj se do na çojë shumë shpejt tek lehtësitë për marrjen e naftës nga fermerët të zhveshur nga taksat. Është e rëndësishme që ne të ngremë infrastrukturën që këtë ta bëjmë dhe ta kemi të kontrollueshme për të mos lejuar abuzimin. Me zhvillimin e teknologjisë sot, ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë këtë gjë. Por do të përfitojnë vetëm ata që janë të formalizuar. Ky është një projekt që po vijon. Me shpresë vitin tjetër do ta paraqesim në qeveri për të marrë pastaj një vendim”, tha Çuçi.

Fermerët shqetësohen dhe për matrikullimin e bagëtive. Ministri iu tha se shërbimi veterinar do të kontrollohet plotësisht nga shteti dhe matrikullat do të jenë falas.

“Sistemi që zgjodhëm me klinikat veterinare ka dështuar. Do t’i prezantojë Parlamentit një riorganizim tërësor të shërbimit veterinar. Do ta kthejmë në një shërbim vertikal tërësisht të kontrolluar nga shteti në mënyrë që të rrisim përgjegjësinë. Brenda kësaj skeme padiskutim që matrikulla do të bëhet pa lekë”, tha ai.

Sa i përket dokumentacionit të nevojshëm për të aplikuar për mbështetje financiare ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh se procedurat janë thjeshtuar në maksimum./ABC News Albania 24/7

parlamenti-shqiptar.jpg
nev ila12:30 | 27/09/2019

Pas vendimit të Bundestagut për Shqipërinë, presidenti Ilir Meta e quan urgjente zgjidhjen e krizës së thellë politike. Kryeopozitari, Lulzim Basha është gati të ulet në tryezen e bisedimeve me Ramën por me kusht.

Votimi i deputetëve në Bundestag-un gjerman, në mbrëmjen e të enjtes ( 26.09.2019) në favor të Shqipërisë për hapje me BE të bisedimeve të pranimit, me 395 vota pro ndër 599 deputetët e pranishëm, është përshëndetur nga Johannes Hahn. Në një postim në median sociale, menjëherë pas votimit, Hahn e cilëson votimin „shumë të mirëpritur, rezultat të njohjes së progresit konkret, nxitje për reforma në Ballkanin Perëndimor dhe besueshmërinë e BE”, shkruajti mbrëmë në twitter Johannes Hahn, bën me dije Delegacioni i BE në Tiranë.

Meta – Politika të reflektojë, të zgjidhë krizën

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje në mbrëmjen e të enjtes forcave politike që të fillojnë “urgjentisht  punën për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta. Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare”, reagoi Meta mbrëmë në median sociale lidhur me vendimin e Bundestag-ut pro hapjes së negociatave.

Meta solli në vëmendje përpjekjet e deputetëve gjermanë në 4 muajt e protestave antiqeveritare të opozitës jashtëparlamentare pranverën e këtij viti dhe pas zgjedhjeve Lokale 2019, për të ulur në tryezën e bisedimeve qeverinë dhe opozitën jashtëparlamentare, të drejtuar nga PD, për të zgjidhur krizën e thellë politike dhe institucionale. „Po të kishin dëgjuar këshillat e tyre me kohë, sot do të kishim marrë një vendim pa kushte, njëlloj si Maqedonia e Veriut” thekson Presidenti Meta në postimin e tij.

Basha: Gati për dialog me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike (PD) dhe i opozitës jashtë parlamentare, Lulzim Basha, pas vendimit të mbrëmshëm të Bundestag-ut është shprehur i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me Ramën. Për rreth 8 muaj Basha e ka kushtëzuar dialogun me largimin e Ramës nga posti i kryeministrit tani vendos një tjetër kusht: dialog me praninë e ndërkombëtarëve. “Unë dhe PD jemi dakort për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar që të japim kontributin tonë për daljen nga kriza. Pak rëndësi ka ulja në një tryezë me apo pa Edi Ramën” deklaroi të enjten në mbrëmje Basha në një kanal televiziv të Tiranës. Kushtëzimi i dialogut me praninë e faktorit ndërkombëtar tregon vijimin e mosbesimit mes palëve politike në Shqipëri, pavarësisht thirrjeve të BE për të ndryshuar dhe shndërruar në kulturë politike kompromisin dhe dialogun.

Basha pranon dialogun me praninë e ndërkombëtarëve

Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI), aleate me PD, është për një dialog pa kushte me qeverinë për të përmbushur të “gjitha kushtet dhe detyrimet dhe hapur rrugën integrimit europian të Shqipërisë.”

Por të dyja partitë, PD dhe LSI, me peshë më të madhe në opozitën jashtë parlamentare, kanë të njëjtin qëndrim kur konsiderojnë “PO”në e kushtëzuar të Bundestag-ut pasojë të “dështimit të qeverisë dhe hapave prapa që ka bërë Shqipëria që nga 2018” .

Një qëndrim i tillë përforcohet ngaqë Maqedonia e Veriut, ndryshe nga Shqipëria, mori mbrëmë me më shumë vota një “PO” të pakushtëzuar nga partitë politike parlamentare të Gjermanisë. Kjo e bën pa pengesa rrugën e saj drejt një vendimi pozitiv të Këshillit Europian në takimin e tij në Bruksel, muajin e ardhshëm më 18 tetor, nëse kjo datë mbetet e pandryshuar.

Por gjasat janë që kjo datë edhe mund të shtyhet. Konferenca Ndërqeveritare shënon fillimin zyrtar të procesit të hapjes së negociatave të pranimit. Plotësimi i kushteve të grupi të parë, të vëna Shqipërisë nga Gjermania, para kësaj konference Ndërqeveritare kërkon kohë. Por ajo duhet të zhvillohet atëherë kur Qeveria Gjermane të shohë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe marrjen e vendimit për kryerjen e Reformës Zgjedhore në Shqipëri.

Në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke deputetët gjermanë kërkojnë që kjo reformë të bëhet “në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave elektorale në Shqipëri, në bazë të rezultateve të Komisionit ad hoc për reformëm zgjedhore”. Shtyrja e takimit të Këshillit Europian të 18 tetorit, mund t’i japë kohë Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE, pro hapjes së negociatave të pranimit për Shqipërinë, të bindin Francën dhe Hollandën për të ndryshuar skepticizimin e tyre e t’i bashkohen shumicës për një vendim  pozitiv./DW

soreca-euronews-1280x704.jpg
nev ila13:21 | 13/08/2019

Shqipëria ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave por jo për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është qëndrimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në një intervistë për Euronews. Diplomati i ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian të kenë kujdes me vendimin që do të marrin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi në të kundërt do të dëmtonin besimin e 91% të shqiptarëve që kërkojnë integrimin në BE.

“Vendimi në tetor është i rëndësishëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur mjaftueshmërisht detyrimet kundrejt Komisionit Evropian. Por më duhet të them se kanë bërë progres të mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtare të BE-së. Siç mund ta dini, Winston Churchill kishte një shprehje, ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Dhe pikërisht sepse kanë bërë punën e kërkuar, Bashkimi Evropian duhet të ketë kujdes me vendimin. Është e rëndësishme që populli shqiptar, 91 për qind e tyre që aspirojnë familjen evropiane, të vazhdojë të besojë në perspektivën e BE-së. Unë kam besim se ata do vazhdojnë të besojnë, por Bashkimi Evropian duhet të mos ua presë shpresat që kanë”, tha Soreca.

Ndryshe nga Presidenti Meta që e sheh 15 tetorin si rrugë që duhet të kalojë më parë nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, Soreca kërkon që vendi të mos humbë asnjë ditë kohë për tu angazhuar në rrugën e reformave.

“Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin, dhe të ketë gati dokumentacionin që ministrat e BE-së të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por procesi i reformave nuk ndal asnjëherë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën. Një shembull është lufta kundër korrupsionit që është një sfidë e përditshme, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i drogave po ndërron lëkurën në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale, pa dalluar mes drogave të lehta dhe atyre të forta”, tha ai.

Kur vjen puna te reformat, diplomati i Bashkimit Europian fokusin e ka te reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të pasur një reformë të thellë zgjedhore.

Është e qartë se votimi i fundit në qershor tregon se sa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj më i përparuar për çështjet elektorale, që të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Në fund është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit, apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të mos e humbasin fokusin”, deklaroi Soreca.

Kur kanë ngelur edhe 60 ditë nga data kur ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të marrin një vendim për çeljen e negociatave për Shqipërinë, vendi ndodhet në një krizë të thellë politike. Opozita është jashtë të gjitha institucioneve dhe bojkotoi zgjedhjet vendore, ndërkohë që mazhoranca ka marrë të gjitha pushtetet dhe shprehet e vendosur për të vijuar./ABC News Albania 24/7

5d3497643cff23.jpg
ad min19:15 | 21/07/2019

Jo vetëm Tirana qytet, por edhe ajo rurale është në fokusin e Bashkisë së Tiranës kur vjen puna te investimet infrastrukturore. Dhe në këtë prag të fillimit të vitit të ri shkollor një vëmendje e veçantë po i kushtohet infrastrukturës arsimore me qëllim që të sigurohen të njëjtat mundësi për fëmijët, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo fshat.

Kështu, fëmijët e fshatit Qendër Fushas në njësinë e Baldushku do ta nisin vitin arsimor në ambiente të reja dhe me kushte moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë.

Bashkia e Tiranës po vijon punën për të përfunduar në kohë shkollën në këtë fshat në mënyrë që ajo të jetë gati në shtator kur të nisë mësimi.

Lajmin e bën të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka publikuar edhe disa foto nga puna që po kryhet për këtë shkollë.

“Vijon puna për shkollën e re “Qendër Fushas” në Baldushk. Po mbajmë premtimin si në qendër, ashtu edhe në periferi, me synimin për të servirur një të ardhme më të mirë. Në shtator jemi gati për të hapur dyert e të nisim mësimin për të gjithë fëmijët e zonës. Bëni gati çantat!”, shkruan Veliaj./abcnews.al

 

ruskovska-wwwww222-800x445.jpg
ad min19:45 | 19/07/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka bërë publike ndryshimet qe propozohen t’i bëhen ligjit për Prokurorinë Speciale. Është bërë publik dhe emri i ri i kësaj strukture që i është lëne sërish në dorë një gruaje.

Takimi i liderëve ishte tentimi i fundit i Kryeministrit, për ta bind opozitën për ligjin për Prokurorinë Publike. Pasi mbrëmë u bë e qartë se takim liderësh nuk do të ketë, Zaev sot para opinionit shpalosi propozim-ligjin për Prokurorinë Publike.
Katica largohet, por ligji u garanton punë të gjithë personelit që është i punësuar në PPS, përfshirë këtu edhe prokurorët. E shumica propozon që me institucionin e ri hetues të vazhdojë të udhëheqë prokurorja më e kritikuar nga opozita pas Katica Janevës, Villma Ruskoska.

Zoran Zaev:Prokuroria Speciale Publike integrohet si strukturë në Prokurorinë e deritanishme për ndjekjen e krimin të organizuar dhe korrupsionit dhe merr emër të ri… Prokuroria Publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.  Prokuroria e re për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, do të udhëhiqet nga prokurorja, Villma Ruskoska, e cila ka mandat, dhe e cila momentalisht po e udhëheq momentalisht Prokurorinë për krim të organizuar, kurse të gjithë prokurorët që punojnë në PPS, do të vazhdojnë të punojnë në Prokurorinë e re për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”. 

Tema që ishte më e rëndësishme për shumicën e opinionit, fati i bombave, do të rregullohet në bazë të Kodit Penal aktual, si dhe procedurave për Hetim të veçantë, të cilat parashohin shkatërrimin e të gjitha materialeve, përveç atyre që kanë hyrë në procedurë gjyqësore.

Zoran Zaev :Është qartë e definuar se çka do të ndodhë me materialet e përgjimeve… Përveç atyre që tanimë janë në gjykata, për të gjitha tjerat, qartë është e përshkruar procedura, e ajo është shkatërrimi si në procedurë e Masave te veçanta hetimi… . Atë e përshkruan edhe Kodi Penal, dhe kjo do të vlejë edhe për këtë lloje të bisedave sepse aty ka edhe biseda private”. 

Opozita nuk dëshiron të komenton ligjin pa e analizuar mirë tekstin.
“Po e presim ligjin në formë të shkruar e pastaj do ta shqyrtojnë anëtarët që ishin pjesë e grupit të punës si dhe Komisioni juridik i partisë. Jemi të koncentruar në hartimin e propozim ligjit tonë të cilin e kemi paralajmëruar”. 

Edhe pse takimi i liderëve nuk ndodhi, mbetet e hapur mundësia nga ana e shumicës, e Presidenti e ofroi kabinetin e tij për ti mbledhur liderët politik. Kryeministri tha se teksti do të dërgohet deri tek të gjitha partitë politike, e ditëve në vazhdim priten edhe qëndrimet e partive politike shqiptare./ABC News Albania 24/7

107744656_700d4b21-6570-42d8-b5d9-bbbee78df29d.jpg
ad min22:45 | 05/07/2019

Sekuestrimi i anijes iraniane me naftë nga marinsat britanikë ka tensionuar marrëdhëniet mes Teheranit dhe Londrës. Një ditë pas konfiskimit, Republika Islamike ka kërcënuar Mbretërinë e Bashkuar se do të veprojë në të njëjtën mënyrë me mjetet lundruese britanike.

Irani dhe Mbretëria e Bashkuar janë përfshirë në një konflikt që rrezikon të përshkallëzohet. Një ditë pas sekuestrimit nga komandot britanikë të një anijeje-cisternë iraniane në ujërat e Gjibraltarit, Republika Islamike ka kërcënuar me masa reciproke nëse mjeti i mbushur me naftë nuk lirohet. Anija-cisternë, që kishte si destinacion një rafineri nafte në Siri, u konfiskua pasi shkelte sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Të premten një gjykatë në Gjibraltar vendosi se mjeti mund të mbahet në gjendje ndalimi për 14 ditë. Duke reaguar, një nga këshilltarët e ajatollahut Ali Khamenei deklaroi se agresorëve u duhet përgjigjur në të njëjtën mënyrë dhe pa hezitim. “Nëse Britania nuk e liron cisternën iraniane, atëherë është detyrë e autoriteteve të sekuestrojnë anijet-cisternë britanike”, deklaroi Mohsen Rezaei. Të enjten, qeveria e Republikës Islamike thirri për sqarim ambasadorin britanik në Teheran, të cilit iu ankua për atë që e quajti një “akt piraterie”. Edhe Ministria e Jashtme iraniane dënoi sekuestrimin, duke e cilësuar atë ilegal dhe duke akuzuar Britaninë e Madhe se kishte vepruar për llogari të Shteteve të Bashkuara. Nga ana e saj, Forein Ofis i cilësoi akuzat për pirateri të pakuptimta./ABC News Albania 24/7

neymar-1-2-1280x720.jpg
nev ila17:15 | 03/07/2019

Barcelona ka gati një tjetër plan të madh për të marrë Nejmarin nga Paris Sen Zhermeni. Klubi katalanas është gati të sakrifikojë katër lojtarë, mjaft që të sigurojë brazilianin.

Nuk po lënë gur pa lëvizur, që kjo ditë të vijë sërish.

Barcelona ka gati një tjetër plan të madh për të marrë Nejmarin nga Paris SG, dhe presidenti i Zhozep Bartomeu beson të ketë goditur në shenjë.

Katalanasit janë gati të sakrifikojnë shumë në mënyrë që një superyll si braziliani të jetë sërish në “Kamp Nou”, për të luajtur në krah të Mesit dhe Suarezit .

Është gazeta e Barcelonës, “El Mundo Deportivo” që titullon për “një truk prej 170 milionë eurosh”, dhe sqaron pikërisht se Barça dëshiron të përfshijë 4 futbollistë në operacionin për brazilianin, Kutinjon, Rakitiçin, Ymtitinë dhe Dembelenë.

Filip Kutinjo, i marrë për rreth 160 milionë euro, do të detyrohet të humbë për shumë më pak, përkundër zërave se brazilianin e kërkojnë në Angli, klube si Mançester Junajtidi apo Liverpuli.

Usman Dembele ishte një tjetër blerje tepër e shtrenjtë e vitit 2017, që i kushtoi katalanasve 105 milionë euro fillimisht, plus 40 milionë që do të paguheshin më vonë.

Edhe për Dembelenë interesohet Liverpuli, por flitet edhe për Bajernin.

Në propozimin për Nejmarin bëjnë pjesë, sipas “El Mundo Deportivos” edhe mbrojtësi francez, Samuel Ymtiti, kampion i botës, por që po kalon periudhë të vështirë tek Barça.

Gjithashtu, edhe kroati Ivan Rakitiç, tashmë 31-vjeçar, që është prej 5 vitesh në “Kamp Nou”, pasi luajti 4 vjet për Seviljen.

Nuk dihet nëse presidenti i PSG-së, Al Helaifi, do të pranojë propozimin e Barcelonës, dhe për momentin nuk ka asnjë sinjal nga kryeqyteti i Francës.

Nejmar cilësohet si tepër i rëndësishëm në Paris, por gjithsesi klubi francez është më i disponuar të bisedojë për të, sesa për Kilian Mbapenë./ABC News Albania 24/7

bledar-skenderi-1280x546.jpg
ad min20:45 | 29/06/2019

Në një intervistë për ABC News anëtari i KQZ-së Bledar Skënderi ka folur për problemet me të cilat po has procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore.

“Pavarësisht se në një pjesë të KZAZ-ve nuk ka përfunduar procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore, në pjesën më të madhe janë shpërndarë.  Kemi probleme në disa KZAZ 2, 4, 5 dhe 5 në Shkodër për shkak të problematikave që kanë me qendrat e votimit që ndodhen në ambientet e bashkisë. Padyshim që në Shkodra nesër në orën 07: 00 të gjitha KZAZ-të do jenë gati për të votuar”./abcnews.al  


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono