futbolli

gordon-banks-stoke.png
ent ela15:17 | 12/02/2019

Futbolli botëror është në zi për shkak të vdekjes së një legjende. Ish-portieri i Anglisë, Gordon Benks, kampion bote në 1966, u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Humbi një betejë që një ditë do ta humbiste. Gordon Benks, legjenda angleze e portës, u shua në moshën 81-vjeçare pasi lëngoi për një kohë të gjatë nga sëmundja.

Mediat britanike njoftuan me shkronja të zeza humbjen e njërit prej heronjve të Kupës së Botës 1966, Botërorit të vetëm të fituar nga kombëtarja angleze.

Edhe gazetat europiane nuk e harruan legjendarin anglez, i cili ishte i famshëm në të gjithë botën për karrierën e tij të madhe.

“L’Ekip” në Francë apo “La Gazeta delo Sport” në Itali ishin vetëm disa prej tyre.

Benksi pati kulmin e lavdisë në verën e vitit 1966 kur mbrojti portën e Anglisë, në Kupën e Botës, në të cilën doli fitues.

Katër vjet më vonë, ai bëri një pritje ndaj Pelesë, në ndeshjen e humbur 0-1 kundër Brazilit, pritje e cilësuar si më e madhja në historinë e Kupave të Botës.

Ai u shpall gjashtë herë portieri më i mirë i vitit nga FIFA, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Statistikave dhe Historisë së Futbollit e vlerësoi si portierin e dytë më të mirë të shekullit të 20-të, pas legjendës sovjetike, Lev Jashin.

Me kombëtaren e Anglisë, Benksi luajti 73 herë dhe fitoi edhe 8 kampionate të Britanisë së Madhe, një turne I famshëm 100-vjeçar që sot nuk zhvillohet më.

Pavarësisht talentit të madh dhe shkëlqimit me kombëtaren, Benksi nuk luajti për asnjë klub të madh në karrierë.

Ai mbrojti portën e Leisterit dhe Stouk Sitit, duke mos qenë pjesë e gjigandëve si Mançester Junajtid apo Liverpul, një veçanti që sot nuk e ka asnjë portier i madh. /abcnews.al

FUTBOLL-DUKA-GRIMA-1280x720.jpg
ent ela17:28 | 22/09/2018

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, refuzon të komentojë arrestimin e trajnerit të kombëtares së femrave, Armir Grima. Duka u pyet në Fier, ku ishte për inaugurimin e një shkolle trajnerësh.

Arrestimi i tij është lajmi i ditës, por punëdhënësit nuk duan ta komentojnë.

Armir Grima është trajner i kombëtares së femrave në futboll, dhe presidenti i Federatës, Armand Duka, u përgjigj kështu, kur u pyet në Fier.

“Po pse, ne jemi për të promovuar këtu futbollin e Fierit”

Kaq për Grimën, ndërsa Duka ishte në Fier për të inauguruar dhe bërë jehonë një shkolle për trajnerët, që do të përfshijë gjithë zonën, dhe më gjerë.

“Duke pasur parasysh dashurinë e zonës për futbollin FSHF ka hapur një shkollë për trajnera, ku do trajnohen jo vetëm meshkuj po edhe femra”.

Numri 1 i Federatës pati edhe një kritikë për pushtetin vendor.

“Kjo infrastrukturë stadiumi apo rreth e rrotull është kontribut i klubit e Federatës. Nëse do kishim edhe bashkinë futbolli në Fier do kishte ndryshim rrënjësor”. /abcnews.al

PRAG-KAMZA-KASTRIOTI-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.15-1280x720.jpg
G. P.13:40 | 15/09/2018

Kastrioti e Kamza janë skuadrat që hapin javën e katërt të Superligës. Vendasit duan të kthehen tek fitorja, por edhe krutanët nuk dëshirojnë të dalin pa pikë.

Ndryshimi i stolit pritet të sjellë ndryshim rezultati. Kamza do të luajë ndeshjen e parë në Superligë nën drejtimin e trajnerit Klodian Duro, atë ndaj Kastriotit dhe synimi është të mos gabohet në shtëpi. Duro, pas suksesit të lehtë në Kupën e Shqipërisë, synon të lerë prapa dy humbjet radhazi në kampionat.

Klodian Duro, trajner i Kamzës: “Do të vazhdojmë serinë e rezultateve tona pozitive sepse ekipi është ndërtuar për të fituar. Unë jam shumë i qetë sepse kam futbollistët e duhur për të bërë rezultatin pozitiv. Rezultat pozitiv për mua dhe për ekipin është vetëm fitorja.”

Po Kastrioti si shkon në fushën e Kamzës? Fillimi i sezonit ishte i mirë me fitoren në Gjirokastër, por pastaj erdhën dy ndeshje tepër të forta, ndaj Skënderbeut e Partizanit, që u humbën të dyja. Sërish nuk do të jetë e lehtë, pasi luhet jashtë fushe, por gjithsesi ambicia ekziston, siç e thotë zv. trajneri Gëzim Rama.

Gezim Rama, zv.trajner i Kastriotit: “Kamza është një ekip shumë i fortë, këtë e ka treguar dhe sezonin e kaluar sepse ka një ekip shumë të konsoliduar me lojtarë shumë cilësorë, por për ne të gjitha ekipet janë të forta. Kamza është ndeshja e radhës dhe ne do luajmë për të mos dalë pa pikë.”

Kamza e Kastrioti janë në pjesën e poshtme të renditjes me vetëm nga tri pikë pas tri ndeshjeve./abcnews.al

RIKTHEHET-KOMBETARJA-E-SPANJES.mpg_snapshot_01.17-1280x720.jpg
G. P.21:21 | 12/09/2018

Triumfi i madh ndaj Kroacisë, tregoi se kombëtarja e Spanjës po kthehet në majën e futbollit. Spanjollët mund të ishin shpallur edhe kampionë të botës në Rusi, nëse nuk do t’u kishte ndodhur skandali me trajnerin.

Çfarë do të kishte bërë në Rusi, nëse nuk do t’i kishte ndodhur skandali. Spanja shkoi në Kupën e Botës si favoritja për të fituar titullin, veçse shkarkimi me zemërim i trajnerit Lopetegi, nga ana e Federatës Spanjolle të Futbollit, prishi çdo ekuilibër. U eleminua nga Rusia, në mënyrë krejtësisht të merituar në turin e dytë, veçse shumëkush pyet me të drejtë, se kush do të kishte qenë kampion i botës, nëse asgjë nuk do të kishte ndodhur.

Kjo pyetje erdhi natyrshëm pas paraqitjes dominuese të iberikëve ndaj Kroacisë, nënkampione të botës, duke e mundur 6-0. Një triumf i madh në një stadium të vogël si ai i Elçes, që tregoi qartë se Luis Enrike nuk ishte trajner spektakolar vetëm tek Barcelona. Trajneri i sotëm u caktua me urgjencë si pasardhës i Lopetegit, ndërsa nuk kishte kohë për të humbur, dhe ish-kapiteni dhe ish-tekniku i katalanasve nisi menjëherë punën me stilin e tij të veçantë. Ndryshimi drastik, apo kthimi tek loja sulmuese e Lopetegit, u pa që në ndeshjen e fituar ndaj Anglisë 2-1 në “Uemblin” e famshëm. Nuk ishte aspak miqësore, por ndeshje e Ligës së Kombeve, siç ishte edhe kjo e dyta ndaj kroatëve. Pas dy sfidave, Spanja kryeson grupin 4 me 6 pikë të plota, me 8 gola të shënuar e vetëm 1 të pësuar.

Çfarë mund të bëjë ky ekip në Euro 2020?
Duhet pritur, ndonëse shanset i ka tepër të mira, ndërsa ironikisht Luis Enrikes po i takon të çojë deri në fund një proces të domosdoshëm. Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Barcelonës, po bën “debarcelonizimin” e kombëtares. Ndaj Anglisë e Kroacisë ishte vetëm një futbollist i katalanasve, Buskets./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-11-13h01m28s702-1280x709.png
G. P.13:22 | 11/09/2018

Futbolli i Kosovës pati një mbrëmje vërtet historike. Ekipi përfaqësues arriti fitoren e parë në ndeshjet zyrtare, 2-0 ndaj Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve.

Skuadra është e mbushur me talente, ndërsa njëri prej tyre pati më shumë fat këtë herë. Emri i tij është Arbër Zeneli, ai luan për Herenvenin në Holandë, ndërsa regjistroi vetveten në histori duke shënuar golin e parë në fitoren e parë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në mënyrë zyrtare. Kjo, ndaj Ishujve Faroe 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” të sapo rindërtuar në Prishtinë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Për rastësi edhe fitoren e parë absolute në futboll, Kosova e pati arritur në një miqësore ndaj Ishujve Farore, madje me shifrat po 2-0. Nuk qe e lehtë për skuadrën që po bën paraqitjen e dytë në një fushatë eleminatoresh europiane, që pas njohjes në 2016. Dominoi pjesën e parë, por pa shënuar, ndërsa Ishujt Faroe rrezikuan. Me të nisur pjesa e dytë, u kuptua se diçka kishte ndryshuar.

Zeneli dribloi radhazi për golin fillestar në 48’, ndërsa Atdhe Nuhiu dyfishoi shifrat në 55’. Kosova ka 4 pikë në dy ndeshje në Ligën e Kombeve, pas barazimit 0-0 në fushën e Azerbajxhanit dhe shanset për kualifikim janë që të gjitha, pra edhe që të shkojë në Europian nga kjo rrugë. Do të ishte një sukses vërtet historik./abcnews.al

PUTIN-FUTBOLLI-1280x720.jpg
ent ela14:56 | 09/06/2018

Me anë të një mesazhi në faqen zyrtare të presidencës ruse, kreu i Kremlinit Vladimir Putin, ka uruar tifozët dhe futbollistët në prag të fillimit të kampionatit botëror të futbollit Rusia 2018.

“Të gjithë tifozëve të futbollit dhe skuadrave më të mëdha të planetit: Mirë se erdhët!”

Në këtë mënyrë presidenti rus Vladimir Putin me anë të një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, uron tifozët dhe futbollistët në prag të nisjes së kampionatit botëror të futbollit.

“Bëmë më të mirën për të garantuar që të gjithë të ftuarit tanë – atletët, stafi e sigurisht tifozët – të ndihen në shtëpi. Kemi hapur vendin dhe zemrën për botën. Mirë se erdhët në kupën e botës FIFA!”.

Më tej deklarata e kreut të Kremlinit, vijon me urim për të gjithë ata që tashmë ndodhen në Rusi dhe për të tjerët që kanë planifikuar të shkojnë për të marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar.

“Me shumë gëzim dhe nderim presim përfaqësuesit e familjes së madhe të futbollit. Dëshirojmë që ky event të jetë një festë, plot me passion dhe me emocione. Shpresoj që të gjithë të keni një eksperiencë të paharrueshme, jo vetëm duke parë ndeshjet e ekipit tuaj të zemrës por dhe duke njohur Rusinë, identitetin dhe kulturën e saj, historinë unike dhe larminë gjeografike, njerëzit mikpritës, të sinqertë e miqësor”, përfundon mesazhi. /abcnews.al

vlcsnap-error498-1280x721.jpg
us er19:12 | 06/12/2017

Dobësia më e madhe e klubeve shqiptare të futbollit, është mungesa e drejtuesve të licensuar sportive. Gjendja mund të quhet e vështirë, ndërsa 20 prej tyre po përgatiten të licencohen, në kursin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Do të jenë ata që do ndryshojnë futbollin shqiptar.
Jo futbollistë, trajnerë apo presidentë, por përfaqësues të një pozicioni tjetër kyç të klubeve, drejtorët sportivë.
Një faktor i rëndësishëm i dështimeve të strategjive të këtyre klubeve është mungesa e drejtuesve kompetentë, ndaj në Federatën Shqiptare të Futbollit po përpiqen të përmirësojnë diçka, me anë të kursit kualifikues.
Shefi i sektorit teknik, Astrit Maçi, tregon për ABC News rëndësinë e kursit.
Për momentin, gjendja mund të quhet dramatike, pasi më shumë se gjysma e klubeve të dy kategorive kryesore, nuk kanë drejtues të licensuar.
Në shumë klube të botës, sidomos në Angli, Gjermani apo Francë, nuk janë presidentët protagonistët kryesorë, por pikërisht shefat ekzekutivë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono