futbolli

PROVOKACIA-10-SHTATOR-RUDI-VATA-PJESA-1.mpg_snapshot_06.55-1280x720.jpg
ent ela20:40 | 10/09/2019

Futbolli në Shqipëri është i korruptuar si çdo institucion shqiptar, thotë Rudi Vata, i cili për këtë fajëson politikanët.

“Futbolli në Shqipëri është i korruptuar siç është çdo institucion shqiptar se këto 28-29 vite është ndërtuar një sistem i mbrapshtë dhe njerëzit besojnë te e mbrapshta dhe jo te e mbara, dhe nuk është faji i tyre, por politikanëve që kanë implementuar idetë negative te populli ynë. Ka shumë nepotizëm”.

Në këndvështrimin e tij ish kapiteni e cilëson futbollin një lojë të të varfërve prej nga ku kanë dalë dhe talente më të mëdhenj, kurse në Shqipëri ka shumë nepotizëm.

“Në Shkodër prodhohet futboll, por ka shumë nepotizëm. Ka talente por ekziston fryma e nepotizmit, e ndërhyrjeve. Unë mendoj që futbolli i përket klasës punëtore, aty lindin talente. Një prind aristokrat nuk ak dëshirë që fëmija të bëhet futbollist. Talentet më të mëdhenj janë aty ku është fukarallëku më i madh. Sot në Shqipëri çdo prind ka dëshirë të bëjë fëmijën futbollist nëpërmjet rrugës së gabuar që është nepotizmi.” /abcnews.al

gerti-carcani-1.jpg
G. P.13:43 | 27/08/2019

Kampioni kombëtar i futbollit ngriti siparin me ndeshjen Partizani-Kukësi, por përveç saj pati surpriza të tjera. Si çdo të hënë, vendi për të diskutuar rreth lojës më të bukur në botë, por edhe sporteve të tjera është emisioni “Pressing” në ABC News.

Të ftuar në studio ishin: Rrahman Hallaçi, ish-futbollist; Eno skarço, gazetar; Andi Matraxhiu, menaxher futbolli; Jurgen Zela, gazetar./abcnews.al

skenderbeu.jpg
G. P.23:05 | 12/07/2019

Dënimi i Skënderbeut ishte një goditje e madhe edhe për futbollin shqiptar ku juglindorët kanë dominuar në dekadën e fundit. Korçarët u dënuan duke u bazuar mbi luhatjet e koeficienteve të basteve, një rast i paprecedentë, por që i kushtoi shumë shtrenjtë skuadrës shqiptare.

Goditja e Skënderbeut nuk ishte thjesht dhe vetëm rikonfirmimi për të dëmtuar dhe asgjesuar një klub, por edhe një goditje karshi futbollit shqiptar dhe imazhit të tij në Europë, që vitet e fundit kishte fituar kuota edhe nëpërmjet ecurisë së Skënderbeut në Kupat e Europës.

Një vendim i tillë që rikonfirmon 10-vjeçarin e frikshëm mbi korçarët e futbollit, nuk është thjesht dhe vetëm shembull karshi një skuadre të një vendi të vogël, por edhe një prishje e plotë e proporcionit mes veprës së kryer dhe dënimit të dhënë.

Tashmë është fakt, përpos hapit të fundit që mund të herë klubi. 10 vjet janë shumë dhe kjo është një goditje morali akoma më e fortë për skuadrën dhe qytetin.

Mund të ketë tek-tuk ndonjë entuziazëm, por në tërësi kauza e rritjes së imazhit të futbollit shqiptar mori sot një goditje të rëndë. Skënderbeu ra, jo në Krujë, por në Lozanë.

Sidoqoftë gjurma që ka lënë deri më tani në futbollin shqiptar është një etalon i fortë se si mund të jesh fitues edhe në Europë. Dy herë në Europa League, në grupet e saj, nga një skuadër shqiptare, dhe kjo është Korça e president Takajt.

Që gjithsesi sërish nuk çedon dhe nuk e braktis qytetin. Por Skënderbeu ka qenë dominant kryesor i meritueshmërisë në fushë dhe në administrimin e një klubi me parametra europiane.

Jo thjesht në rezultate dhe të bërit ekip cilësor, por edhe në strategji, politika mbi funksionimin real dhe jo fiktiv të një klubi. Arbitrazhi i Lozanës e la 10 vjet në tribunë skuadrën korçare, as në stol jo e jo, megjithatë skuadrat e tjera shqiptare janë ende larg gjurmës së saj për të qenë një skuadër krenare që prodhon lojë të bukur, dhe ecën gjatë në kompeticionet e UEFA-s.

U ndëshkua një skuadër, e cila futbollin shqiptar e kreditoi jo pak në vitrinën ndërkombëtare. Keqardhje e madhe për një ekip që prodhoi një pjesë të historisë shqiptare të futbollit në arenën europiane./ABC News Albania 24/7

VENDIMET-E-KE-NE-FUTBOLL.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela23:00 | 05/07/2019

Komiteti ekzekutiv pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar disa ndryshime që do të prekin jo vetëm Kategorinë Superiore, por edhe ligat më të ulëta. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm do te zbresin direkt dy skuadra vendi i 9 dhe vendi i 10, ndërkohë që vendi i tetë do të luajë play out. Një risi është edhe krijimi i kampionatit U-15 që do të përbëhet nga 20 skuadra.

Komiteti Ekzekutiv zhvilloi këtë të premte mbledhjen e radhës ku u morën vendime të rëndësishme për Kategorinë Superior, kategorinë e parë kategorinë e dytë si dhe u refuza rritja e numrit të lojtarëve të huaj nga katër që është aktualisht në 5. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm në kategorinë superiore do të zbresin direkt dy skuadra vendi i nëntë dhe vendi i dhjetë, ndërkohë që skuadra e pozicionuar ne vendin e tete do te luaje nje play out me fituesen e play offit te kategorise se pare. Play of i kategorisë së parë është produkt i vendeve të dytë të grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajnë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e tetë të Kategorisë Superiore. Kategoria superiore do të startojë në datën 24 gusht dhe do të mbyllet më datë 23 maj 2020.

Kategoria e Parë në sezonin 2019-2020 ka strukturën me 20 skuadra. Dy grupe A dhe B me 10 skuadra dhe luhen 2 faza të rregullta me 18 ndeshje. Skuadrat që renditen të para në grupet A dhe B ngjiten menjëherë në Kategorinë Superiore. Skuadrat e renditura në vendin e 2 (dytë) në Grupet A dhe B do të luajnë ndeshje finale me një takim për të përcakutar skuadrën e cila do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën e renditur në vendin e (8) tetë të Kategorisë Superiore. /ABC News Albania 24/7

hernandez.jpg
G. P.21:52 | 01/07/2019

Skuadra e Juventus ka prezantuar blerjen më të re, mesfushorin francez Adrien Rabiot. Kundërpërgjigjet skuadra e Interit me Diego Godin ndërkohë që Milan është shumë pranë zyrtarizimit të mbrojtësit të Real Madrid, Theo Hernandez.

Juventus vazhdon strategjinë e transferimeve me parametra zero. Pas Aron Ramsey, bardhezinjtë kanë zyrtarizuar edhe Adrien Rabiot. Ish-futbollisti i Paris Saint Germain ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe më pas ka firmosur autografe për fansat bardhezi. Rabiot nuk zbret në fushën e lojës që prej Janarit të këtij viti pasi nuk pranoi të nënshkruante kontratë të re me kampionët në fuqi të Francës. Kjo nuk e pengoi Juventusin të nënshkruante me 24-vjeçarin dhe mund të rifitojë formën e tij në një kohë shumë të shkurtër. Sipas mediave italiane mësohet se Gianluigi Buffon ka bindur drejtuesit e Juventusit për transferimin e Rabiot për shkak të cilësive që disponon mesfushori i talentuar. Në ditët në vijim pritet edhe zyrtarizimi i mbrojtësit Matias De Ligt.

Kundërpërgjigjet skuadra e Interit që ka prezantuar mbrojtësin Diego Godin. Mbrojtësi uruguaian ka firmosur për tre sezonet e ardhshme për italianët ku do të rreshtohet përkrah Skriniar dhe De Vrij. Në fjalët e tij të para si zikaltër, Godin shprehet tepër entuziast për aventuren e tij të re.

“Zgjodha Interin për projektin ambicioz dhe do të jap më të mirën time. Është një sfidë e re dhe e admiroj futbollin italian. Jam rritur duke ndjekur këtë stil loje pasi në Uruguai e ndjekin shumë Serinë A”, tha Diego goDin.

Pas Diego Godin, Inter ka prezantuar edhe blerjen tjetër. Bëhet fjalë për Valentino Lazaro. Mbrojësi austriak ka kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe më pas firmosi për 5 vitet e ardhshme. Lazaro ishte një kërkesë personale e trajnerit Konte që e konsideron futbollistin tepër të rëndësishëm për skemën 3-5-2.

Objektivi tjetër në merkato i skuadrës së Interit, Nikola Barella mbetet ende e paqartë. Presidenti i Kaljarit Tomaso Xhulini ka theksuar se prej 20 ditësh nuk ka asnjë komunikim me drejtuesit e klubit zikaltër dhe tashmë Kaljari ka gjetur akordin me skuadrën e Romës.

Nuk qëndron duarkryq skuadra e Milanit që pritet të zyrtarizojë mbrojtësin e Real Madrid Theo Hernandez. Futbollisti spanjoll ka mbërritur në Milano për të kryer vizitat mjekësore. Mbrojtësi do të vishet kuqezi për shifrën e 20 milionë euro, një përforcim i detyrueshëm për skuadrën italiane./ABC News Albania 24/7

la-liga.jpg
G. P.13:45 | 04/06/2019

Rriten përmasat e skandalit të trukimit në futbollin spanjoll. Plot 7 lojtarë të Vajadolidit besohet se janë përfshirë në manipulimin e ndeshjes ndaj Valencias.

Tronditja në Spanjë është e madhe. Një ndeshje e elitës, e njërës prej ligave më të mëdha të Europës dhe të gjithë botës, dyshohet fuqimisht si e trukuar nga katër persona.

Vajadolid-Valencia, që përfundoi 0-2 dhe që siguroi përfundimisht kualifikimin në Champions të skuadrës mike, mendohet se u manipulua me ndihmën e disa lojtarëve vendas, ndërsa hetimi i bujshëm po vazhdon.

Policia fillimisht ndaloi ish-lojtarin e Realit, Raul Bravo, dhe ish-lojtarin tjetër, Karlos Aranda, të cilët më pas u vendos të hetoheshin në gjendje të lirë. Mes të arrestuarve ishte edhe presidenti i klubit të Hueskës, Aguson Lasaosa, i cili tashmë ka dhënë dorëheqjen.

Edhe Hueska është mes skuadrave të dyshuara për trukim rezultatesh, sidomos për ndeshjen e humbur 2-6 në fushën e vet ndaj Valencias. Gazeta “El Mundo” titullon: Përgjimet që provojnë fajin: “Shtatë lojtarë të Vajadolidit janë të blerë”!

Sipas gazetës, hetuesit kanë 6 muaj që përgjojnë telefonatat e njerëzve të përfshirë në këtë skandal. Informacioni është që trukimi do të ishte që Valencia të fitonte pjesën e parë dhe krejt ndeshjen, ashtu siç edhe ndodhi.

Në bisedat mes tyre, manipuluesit deklaronin se trukimi do të kryhej me ndihmën e kapitenit të Vajadolidit, Borha Fernandezit, dy mbrojtësve të qendrës dhe portierit.

Sipas tyre, këta lojtarë në role kyçe mjaftonin për t’ia arritur qëllimit. Kapiteni i Vajadolidit duhej të merrte të paktën 50.000 euro për të ndihmuar trukimin, ndërsa lojtarët e tjerë më pak.

Borha Fernandez gjithashtu u arrestua nga policia dhe pastaj gjykata vendosi të hetohej gjithashtu në gjendje të lirë. Ai pohoi për mediat se nuk ishte fajtor. Kaq të sigurt ishin trukuesit për rezultatin, saqë Karlos Aranda ftoi klientë të sallonit të tij në Malaga për të vënë 10.000 euro bast, e për të fituar 20.000.

Shqetësimi në Spanjë nga skandali është tepër i madh, pasi tregon se trukimet mund të ndodhin edhe në ekipe ku paguhen miliona euro. Edhe pse Vajadolidi ka rrogat më të ulëta në La Liga, sërish klubi paguan gati 24 milionë euro në vit, që do të thotë mesatarisht më shumë se 1 milionë euro në vit për çdo futbollist.

Siç ndodh në mjaft vende të Mesdheut, duket se kjo ka të bëjë më shumë me kulturën sesa me nevojën për jetë më të mirë./ABC News Albania 24/7

KASIJAS-HEDH-POSHTE-ZERAT-1280x720.jpg
ent ela20:15 | 17/05/2019

Portieri legjendar Iker Kasijas ka hedhur poshtë zërat për tërheqjen nga futbolli. Gardiani spanjoll nuk zbulon se kur do të rikthehet në fushë, por është optimist për të ardhmen.

Nuk do të tërhiqet nga futbolli, por edhe kthimi në fushë nuk ka ende një datë. Këtë e pohon vetë Kasijas në një postim në rrjetin e tij zyrtar social. Lajmi i tërheqjes së Iker Kasijasit nga futbolli u përhap shpejt në rrjetet sociale. Shumë tifozë të tij u mërzitën, por 37-vjeçari ka sqaruar të vërtetën dhe situatën e krijuar. Portieri iberik pësoi një atak kardiak para pak javësh, por gjendja e tij është normalizuar. Kasijas ka reaguar në faqen e tij zyrtare, duke dhënë lajmin fantastik për tifozët e tij dhe jo vetëm. “Do të vijë dita që do të tërhiqem. Më lini ta shpall vetë lajmin kur të vijë momenti. Për momentin, qetësi. Dje kisha një konsultë me Dr. Felipe Macedon. Gjithçka shkoi shkëlqyeshëm. Ky është lajmi i madh që doja të ndaja me të gjithë ju”, shkruan portieri i Portos, duke bërë të qartë faktin se do të vazhdojë të veshë dorezat e portierit.

Infarkti i Miokardit e ka detyruar portierin legjendar spanjoll të heqë dorë nga viti i fundit i kontratës që ka me Porton, për të mos rrezikuar shëndetin e tij. Për këtë arsye, klubi portugez ka nisur përpjekjet për të gjetur një emër të denjë për të zëvendësuar në portë Casillasin.

Vendimi për të varë këpucët në gozhdë nuk do të thotë se ish-portieri i Realit do të largohet nga Oporto. Ideja është që të qëndrojë në një rol drejtuesi strukturat e klubit. /ABC news Albania 24/7

gerti-carcani.jpg
G. P.11:26 | 30/04/2019

Në këtë puntatë të emisionit sportiv “Pressing” u diskutua përgjithësisht mbi reformën në futbollin shqiptar. Çfarë është arritur pas tryezës së mbledhur nga Kryeministri Rama me faktorët e futbollit? Ku synohet të arrihet me paketën e madhe të ligjeve?

Për të diskutuar rreth kësaj të ftuar në studio ishin: Koço Kokëdhima, president i KF Apolonia dhe politikan; Bashkim Tufa, gazetar; Enos Skarço, gazetar dhe Blerim Jahaj, gazetar./abcnews.al

tragjedia.jpg
G. P.16:58 | 26/03/2019

Futbolli shqiptar është në zi për humbjen e njërës prej legjendave më të shquara të tij. Ali Mema, ish-yll i Tiranës dhe kombëtares, u shua në moshën 76-vjeçare.

Ishte padyshim ndër më të mirët të të gjitha kohëve për vendin tonë. Po ashtu, pa asnjë dyshim, ishte edhe njëri nga më të ndershmit, me integritetin që e ruajti deri në frymën e fundit.

Shqipëria e futbollit është në zi për vdekjen e legjendës Ali Mema, ish-yll i 17 Nëntorit të atëhershëm (Tiranës së sotme) dhe ekipit kombëtar, po ashtu si trajner në klubin që e deshi aq shumë.

Njëri nga emrat më të spikatur të asaj që mund të quhet “Dinastia Mema”, u shua pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në moshën 76-vjeçare. Lindur në 11 Shkurt 1943, “Liu” u bë pjesë e skuadrës së të rriturve të Tiranës që në moshën 17-vjeçare.

I formuar nga trajneri i njohur, Xhavit Demneri, ai fitoi katër tituj kampion me 17 Nëntorin e drejtuar nga trajneri Myslym Alla, po ashtu Kupën e Shqipërisë. Mema luajti 1 vit për Vllazninë, si dhe 12 ndeshje për ekipin kombëtar. Në kupat ballkanike, ai luajti edhe për Partizanin dhe Dinamon. Si ndihmëstrajner u shpall kampion i Shqipërisë tri herë, në vitet 80-të dhe 90-të.

Ali Mema u nderua me tituj të ndryshëm si Mjeshtër i Merituar, Mjeshtër i madh, Mjeshtër Sporti, Nderi i Sportit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar, Mirënjohje e Qytetit të Tiranës si dhe bën pjesë në Librin e Artë të Klubit të Futbollit Tirana. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen këtë të mërkurë, nga ora 10:00-12:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet./abcnews.al

rama-futbolli.jpg
ent ela11:29 | 11/03/2019

“Ne do ndërhyjmë menjehërë në Kodin Penal dhe kapërcimi në vijat e bardha dhe hyrja në tapetin e gjelbër do denohet me 3 vjet burg”. Këtë kryeministri Edi Rama në tryezën e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe FSHF për sigurinë dhe reformimin e futbollit ku kërkoi ndryshim të Kodit Penal.

Sipas tij  kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është kërcënim fizik për ata që ushtrojnë detyrën e tyre.

“Burgimi dhë përjashtimi përjetë i atyre që do prekin vijat e bardha do të jetë hapi i parë që ne do të bëjmë duke ndryshuar Kodin Penal. Në angli u aplikuan dënime më të rënda si ëprgjigje ndaj dhunës”.

Kreu i qeverisë theksoi një nga problemet e konfliktit mes policisë dhe e Federatës lidhet me cilësinë e impianteve sportive.

“Ka mjaft imipiante që objektivisht hyjnë në parametrat e lejueshëm të policisë. Policia e hedh topin te Federata dhe Federata te policia. Duhet bashkatisht të garantojmë monitorimine me kamera të të gjithë impianteve.

Stadiumet mos jenë arena ku këndohet në kor libri i shtëpisë së arbitrit apo kundërshtarit dhe kënga kundër kompetentit në Vlorë të mos kthehet në hymn të stadiumeve sa herë ka pakënaqësi ndaj vendimeve, por të hyjë në proces ligji dhe në bazë të statusit të spektatorit të merren edhe ndëshkimet përkatëse”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono