futboll

islanda-1280x720.jpg
G. P.16:59 | 16/06/2018

Pas politikave të ndjekura nga qeveria islandeze kundrejt të rinjve për të reduktuar duhanpirjen dhe alkoolin, rezultatet e saj po duken sot më së miri. Formacioni islandez tashmë konsiderohet një mrekulli në kampionatin Botëror.

Shteti me një popullsi më të ulët se 1 milionë banorë, që nuk kishte shkelur asnjëherë më parë në Botëror, njohur dhe si toka e Bjorkut, vullkanit të frikshëm të ngrirë me një emër gati të pashqiptueshëm.

Islanda, në 10 vitet e fundit, u shndërrua nga diletante në një nga ekipet  më të mira të futbollit europian. Nuk janë pak kuriozitetet, të cilat na tregojnë historinë e kësaj kombëtareje të vogël në kufi me botën. Banorët e saj, pak më shumë se 300 mijë, madje dhe më pak se publiku i pranishëm në koncertin e fundit të Vasco Rossit në parkun e Modena-s.

Autoritetet në Islandë vendosën të ndjekin politika kushtuar të rinjve për të reduktuar pirjen e duhanit dhe alkoolit, si dhe ndërmorën një sërë investimesh serioze për qendrat sportive dhe fushat e futbollit të hapura dhe të mbyllura, qeveria islandeze i ka vleresuar më së miri talentet dhe rezultatet, sot po duken. /abcnews.al

panuci1.jpg
G. P.13:40 | 01/06/2018

Pritet reagim nga kombëtarja shqiptare pas humbjes me Kosovën. Futbollistët veteranë bëjnë kritika për të rinjtë, por kanë besim për sukses ndaj Ukrainës.

Shumë javë më parë, kur ishte më i qetë, i lejoi vetes këtë batutë.

Kristian Panuçi: “Nuk kanë b…ë për ta vendosur vetë. Nuk mund ta vendosë babai, halla, gjyshja apo shoku i lagjes”.

Ishte një paralajmërim i qartë për mëtuesit e rinj të kombëtares nga “bosi” i tyre, Kristian Panuçi, diçka që mund të jetë kthyer në kërcënim pas katastrofës me Kosovën.

Paraqitja e disa prej lojtarëve të rinj ishte e tillë që nuk mori thuajse asnjë vlerësim, me përjashtim të pak minutave të Kristal Abazajt, ndaj edhe Panuçi pritet të bëjë ndryshime në miqësoren e radhës, atë ndaj Ukrainës.

Në seancën e fundit përgatitore, italiani pati një lajm të mirë pasi Ermir Lenjani u kthye në stërvitje, pra mund të zgjidhë problemin e krahut të majtë të mbrojtjes, ku ndaj Kosovës u aktivizua jashtë rolit, Bujar Lika.

Për lojtarët e rinj të kombëtares, pati kritika edhe nga veteranët e skuadrës, siç është Mërgim Mavraj.

Mërgim Mavraj: “Ka qenë sakrificë shumë e madhe për t’u ftuar, jo më për të qenë pjesë e skuadrës. Kjo gjeneratë e re nuk di shumë ta vlerësojë”.

Sidoqoftë, Mavraj dhe sulmuesi Balaj kanë besim se ndaj Ukrainës do të jetë ndryshe.

Mërgim Mavraj: “Ne lojtarët jemi më shumë të mërzitur, por i dimë mundësitë tona”.

Bekim Balaj: “Mendoj që po të krijohen raste, lojtarët me ciolësinë që kanë janë të aftë të shënojnë dhe të krijojnë rrezikshmëri para portës”.

Kombëtarja luan të dielën në mbrëmje në Francë, ndaj Ukrainës, pak ditë pas humbjes 0-3 me Kosovën në Zyrih./abcnews.al

rusisa.jpg
G. P.15:37 | 20/04/2018

Qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Europian u është kërkuar që të bojkotojnë kampionatin botëror të futbollit që nis në 14 Qershor të këtij viti në Rusi. Nisma është marrë nga dhjetëra deputetë të Parlamentit Europian të cilët theksojnë se Presidenti rus Vladimir Putin po tallet me vlerat europiane.

Disa deputetë të Parlamentit Europian i kanë kërkuar qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Europian që të bojkotojnë kampionatin botëror të futbollit që zhvillohet këtë vit në Rusi. Me anë të një letre, deputetët shprehen se bojkoti është përgjigje ndaj “talljes” së vlerave evropiane nga ana e Presidentit rus Vladimir Putin.

Letra, e cila i është dërguar qeverive të 28 shteteve anëtare të BE më 18 Prill, thotë se helmimi i një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe muajin e kaluar, “ishte vetëm kapitulli i ri në talljen e Presidentit Putin me vlerat europiane”.

Letra gjithashtu i referohet “bombardimeve të shkollave, spitaleve dhe zonave civile në Siri; pushtimit të dhunshëm ushtarak në Ukrainë; hakerimeve të vazhdueshme; fushatave keqinformuese; ndërhyrjeve në zgjedhje; përpjekje këto të cilat destabilizojnë shoqëritë evropiane dhe dobësojnë e ndajnë BE-në”.

Deputetët shprehen se këto nuk janë tregues i mirë për vendin organizues të kampionatit botëror të futbollit.

“Edhe pse pajtohemi se sporti mund të ndihmojë në krijimin e urave, ne nuk mund të pretendojmë se kjo Kupë e Botës është si çdo ngjarje tjetër e madhe sportive, për aq kohë sa Putin po hedh në erë ura prej vërteti në Siri.”

Në mbyllje të letrës, deputetët kujtojnë ngjarjet e rënda të 2014-s në Ukrainë:

“Tre ditë pas Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi, Vladimir Putin pushtoi Ukrainën dhe bota qëndroi spektatore. Këtë herë, mund të veprojmë siç duhet duke mos festuar në Kupën e Botës 2018, ndërsa kanë ndodhur gjithë këto shkelje të rënda.”

Ndërkohë qeveria e Islandës dhe Britanisë ka njoftuar se asnjë përfaqësues shtetëror nga vendet e tyre, nuk do të marrin pjesë në kampionatin e futbollit që fillon më 14 Qershor.

Edhe burime nga brenda BE-së kanë njoftuar se në javët e ardhshme mund të njoftohet një bojkot diplomatik i koordinuar për Kupën Botërore./abcnews.al

kombetarja-e-femrave.jpg
G. P.16:32 | 07/04/2018

Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll arriti një rezultat të rëndësishëm në fazën eleminatore. Barazoi në Poloni dhe ka mundësi të shmangë vendin e fundit në grup.

Shijen e pikës as nuk e njihnim në këtë nivel. Pavarësisht ndonjë ndeshjeje të mirë si në Bjellorusi, duhej të vinte përballja thuajse e pamundur në Poloni, që kombëtarja shqiptare e femrave të mos dilte e humbur nga fusha.

Në stadiumin e qytetit të Vloclavit, vajzat e drejtuara nga trajneri Grima, edhe pse e nisën keq, e përfunduan mirë duke marrë pikën e parë në grupin 2 eleminator të Kupës së Botës. Polaket kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me golin e shënuar nga Daleshçik, dhe natyrshëm kishin epërsi në lojë.

Gjithsesi, Shqipëria luajti mirë, dhe goditi disa herë portën, dhe lojtare si Krasniqi, Morina, Doçi apo Franja u dukën më aktive se zakonisht. Po ashtu edhe portierja Zani, dhe kapitenia Rrahmani. Kjo bëri që Polonia favoritë të mos arrinte të mbyllte ndeshjen, dhe të shtangej pranë fundit.

Në minutën e 74-t, pas një këmbënguljeje të gjatë pranë zonës vendase, Morina ekzekutoi saktë një goditje dënimi duke barazuar rezultatin. Pavarësisht nga sulmet e fundit, të dëshpëruara, të polakeve, kombëtarja e vajzave u mbajt.

Pika e fituar nuk ndryshon shumë për vajzat kuqezi, por të paktën ngre moralin dhe jep mundësi të shmanget vendi i fundit. Nëse ato mundin Bjellorusinë në 10 Prill, në “Elbasan Arena”, do ta lenë prapa këtë kundërshtar, të paktën përkohësisht.

Gjithsesi, ekipi shqiptar ka bërë përparim në krahasim me të kaluarën, pasi kaloi me sukses fazën paraeleminatore duke u kualifikuar në grupin ndaj Greqisë, Kosovës e Maltës. Sa për Poloninë, ajo i prishi punë vetes, sepse rrezikon vendin e dytë, pra shanset për të shkuar në plej of dhe për të pretenduar kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës./abcnews.al

dani-alvesh.jpg
G. P.16:07 | 02/04/2018

Dani Alvesh u bë futbollisti me më shumë trofe në gjithë historinë e këtij sporti. Ylli brazilian ka tani 36 kupa të ndryshme, pasi triumfit të fundit me Paris SG.

Është simboli i fitores. Dani Alvesh u bë lojtari më i dekoruar i historisë së futbollit, pasi fitoi Kupën e Ligës franceze. Mbrojtësi i djathtë brazilian ishte sërish pjesë e një skuadre që i shkon deri në fund garave dhe që ngre kupa, si Paris SG, që triumfoi 3-0 në finalen ndaj Monakos luajtur në Bordo.

Tashmë, 34-vjeçari ka plot 36 trofe në kabinetin e tij të pasur të kupave, suksese arritur në Brazil, Spanjë, Itali e tani në Francë. Në renditjen e të gjitha kohëve la pas patriotin e tij Maksuell, si dhe uellsianin Rajan Gigs dhe i vetmi që mund t’ia kalojë është Lionel Mesi që deri tani ka fituar 32 trofe. E nisi kur ishte fëmijë me Huazeiron, ndërsa trofeun e parë e fitoi tek Esporte Klube të Bahias në vendlindjen e tij, Brazil.

Aty Dani Alvesh pronësoi Kupën e Veriperëndimit në vitin 2002, kur ishte vetëm 19 vjeç. Menjëherë, kaloi në Europë tek Sevilja, me të cilën u bë fillimisht i njohur. Fitoi dy herë Kupën UEFA, Superkupën e UEFA-s, Kupën e Mbretit në Spanjë dhe Superkupën e Spanjës. Niveli tepër i lartë dhe mentaliteti fitues bënë që në 2008-ën të arrinte kulmin e karrierës, duke u transferuar tek Barcelona, ku shprehimisht fitoi gjithçka.

Plot 6 tituj kampion në Spanjë, tri Liga të Kampionëve, 4 Kupa të Mbretit, 4 Superkupa të Spanjës, 3 Superkupa të Europës dhe 3 Kupa të Botës për klubet. Në shoqëri me Ksavin, Iniestën, Mesin, Suarezin e Nejmarin, shkëlqeu dhe arriti të shënonte edhe gola të rëndësishëm, apo të ndihmonte shokët në sukseset e mëdha. Kur katalanasit dyshuan tek ai, duke e quajtur pak si të vjetër, në moshën 32-vjeçare kaloi tek Juventusi.

Me “Zonjën e Vjetër” vazhdoi me vesin e triumfeve, ndonëse qëndroi vetëm një vit. Erdhi titulli kampion në Serinë A, Kupa e Italisë, ndërsa Championsin e humbi në finalen ndaj Realit. Dani Alvesh vendosi të provonte edhe diçka tjetër në karrierë, Francën, ku u bashkua me ekipin më të mirë, Paris SG. Kupa e Ligës erdhi pas Superkupës franceze, ndërsa deri në fund të sezonit, Alvesh do të ketë fituar edhe titullin kampion, por besohet edhe Kupën e Francës.

Me Brazilin, ai fitoi Kupën e Botës për të rinj në 2003, Kupën e Amerikës në vitin 2007 pas finales ndaj Argjentinës, si dhe triumfoi dy herë në Kupën e Konfederatave në 2009 e 2013. Në moshën 34-vjeçare, braziliani nuk jep asnjë shenjë se mund të ndalojë, pra numri i trofeve pritet të shtohet në të ardhmen./abcnews.al

ibra.jpg
G. P.16:39 | 01/04/2018

Zllatan Ibrahimoviç bëri një debutim të shkëlqyer në futbollin amerikan. Ylli suedez vendosi fatin e derbit në Los Anxhelos, duke shënuar dy gola.

U prit si një i dërguar i Zotit kur hyri në fushë. Zllatan Ibrahimoviç debutoi si zëvendësues në futbollin amerikan, por kjo nuk e pengoi të tregonte se kush ishte. Dy gola personalë dhe përmbysja e rezultatit ishin më shumë sesa prisnin tifozët e skuadrës së tij, Los Anxhelos Galaksi, veçse suedezi nuk kishte dyshuar kurrë tek vetja.

Sulmuesi 36-vjeçar u detyrua nga mosha dhe dëmtimet të ulte nivelin e konkurrimit, veçse klasi i tij mbetet kudo i njëjti. Pas Holandës, Serisë A, La Ligës, Ligës së Parë të Francës dhe Premier Ligës angleze, ja përshëndetja e tij për Ligën Amerikane të Futbollit.
Për më tepër, dy golat dhe fitorja u arritën në derbin ndaj Los Anxhelos Futboll Klubit. Ylli me origjinë boshnjake spjegoi sesi e shënoi golin nga distanca.

Zllatan Ibrahimoviç: “Mbrojtja po kërkonte diçka dhe unë u dhashë Zllatanin. Në momentin kur u shënua goli i dytë, unë isha i vetëm në sulm, me mbrojtësit kundërshtarë përpara meje. Unë e pashë që portieri kishte dalë përpara ndaj nuk u mendova gjatë për të gjuajtur menjëherë. Thjesht mendova sesi duhej ta gjuaja topin. Pasi shënova golin, natyrisht ndjeva shumë adrenalinë dhe hoqa fanelën për të festuar me tifozët, për të ndjerë përkrahjen e tyre”.

Më pas, Ibra foli për veten, dhe ndonëse gjysmë me shaka, nuk pati probleme modestie.

Zllatan Ibrahimoviç: “Më vjen mirë që e nisa me gol, sepse unë kërkoj shumë nga vetvetja. Gjithnjë ka presion nga tifozët, nga kundërshtarët, nga shokët e skuadrës, por presioni më i madh për mua vjen nga vetja ime. Është e rëndësishme që fituam pasi ishim në dizavantazh, por kjo ndodh nëse ke Zllatanin në ekip”.

Është vetëm fillimi i ligës amerikane dhe Ibra mund ta ndihmojë ekipin nga Kalifornia që të fitojë titullin kampion./abcnews.al

rohyngia-1280x960.jpg
G. P.22:41 | 30/03/2018

Një klub futbolli i formuar në Malajzi nga myslimanët Rakhine, të cilët u arratisën nga Myanmar-i, po mundohen të krijojnë një profil ndërkombëtar që të tregojnë atë që në të vërtetë dinë të bëjnë, kur nuk vuajnë nga shtypja.

Disa myslimanë Rakhine, u arratisën nga shteti Rakhine në perëndim të Myanmar-it për t’i shpëtuar spastrimit etnik vite më parë. Ata gjetën strehim në Malajzi dhe në vitin 2015 krijuan Rohingya Football Club në Kuala Lampur.

“Ky ekip u themelua që t’u jepte myslimanëve Rakhine një zë në botë dhe për të treguar se ata dinë të kenë sukses”, tha themeluesi i klubit Muhammed Nur për agjencinë e lajmeve Anadolu.

Skuadra ndeshet edhe në nivele ndërkombëtare. E gjitha kjo për të dhënë mesazhin që mund t’ia dalin mbanë edhe kur kanë kaluar një situatë të tillë të vështirë./abcnews.al

zhegr-730x440.jpg
ent ela12:46 | 26/03/2018

Konflikt i ri mes Shqipërisë dhe Kosovës për talentet e futbollit. Rasti i Edon Zhegrovës krijoi tension, dhe pati akuza nga të dyja palët.

“Molla e sherrit” këtë herë ishte ky lojtar. Shqipëria dhe Kosova u përplasën për talentin 19-vjeçar të Genkut, i cili më në fund zgjodhi shtetin më të ri të Europës.

Konkurrenca e radhës nuk kaloi pa pasoja, dhe trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, s’mundi të përmbahej në konferencën e tij të parë për shtyp, të mbajtur për miqësoren ndaj Norvegjisë.

Reagimet në Kosovë ishin, siç pritej, të ashpra. Sekretari i përgjithshëm i Federatës, Eroll Salihu, akuzoi Panuçin për mungesë respekti ndaj skuadrës së Kosovës, shtetit dhe futbollistit.

Vetë Zhegrova, që debutoi me gol në përfaqësuesen e Kosovës, u tregua më i qetë, por hodhi poshtë se kishte ndryshuar mendje. “Gjithnjë kam dashur Kosovën”, ishin fjalët e tij, në përgjigje të trajnerit të Shqipërisë.

Sekretari Salihu shprehu një shqetësim më të madh se thjesht për një lojtar, kur u intervistua. Polemika nuk përfundoi me kaq, pasi në skenë doli edhe trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi.

Bushi: “Ti nuk e ke idenë dhe nuk e di se çfarë bën federata për t’i marrë këta lojtarë. Nuk marrim dot lojtarë me zor në ekipin kombëtar

Gjithsesi, vetë Panuçi, e pa të udhës që ta mbyllte me kaq

 “I uroj sukses Zhegrovës”

Trajneri italian e mbylli polemikën, por gjithsesi konflikti për talentet do të jetë gjithnjë I hapur, edhe nëse dy federatat arrijnë të gjejnë një marrëveshje. /abcnews.al

kombetarja-norvegjia-1280x659.jpg
G. P.16:16 | 22/03/2018

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë la mënjanë për pak orë përgatitjet për ndeshjen ndaj Norvegjisë. Lojtarët kuqezinj u takuan me disa fëmijë me probleme të autizmit, në një mesazh ndërgjegjësues.

Si parim, futbolli nuk mund të mendohet i shkëputur nga jeta. Meqë jeta ka edhe halle, kombëtarja shqiptare vendosi të bënte një veprim ndërgjegjësimi, ndaj njërit prej problemeve më të mëdha të kohëve të sotme, sëmundjes së autizmit. Ekipi shkoi në Qendrën Rajonale për Autizmin në Farkë, ku u takua me një grup të vegjlish me këto lloj çrregullimesh, pjesë e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.

Padyshim që ishte një kënaqësi për ata, që mund të quhen tifozë të vegjël, të takonin disa nga emrat më të njohur të përfaqësueses si Mavrajn, Hysajn apo Etrit Berishën, sa për të përmendur vetëm disa prej tyre. Besohet edhe për futbollistët, që cilësohen si yje globalë, ishte një përvojë për t’i kujtuar sesi është shpesh herë jeta, krejt ndryshe nga kushtet e tyre luksoze. Në emër të Fondacionit, foli presidentja e tij, Doktor Liri Berisha.

Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, e quajti këtë një eksperiencë të rëndësishme për veten, stafin e tij dhe futbollistët.
Delegacioni kuqezi u kryesua nga zv/presidenti i Federatës, Edvin Libohova, dhe sekretari i Përgjithshëm Shulku, ndërsa lojtarët i dhuruan fëmijëve fanela të kombëtares, si dhe zhvilluan një lojë me ta./abcnews.al

 

futboll-1280x665.jpg
ent ela09:12 | 11/03/2018

Kukësi forcoi pozitat në vendin e dytë të Superligës, ndërsa Teuta u rrezikua edhe më shumë për rënien nga kategoria. Ky ishte përfundimi i ndeshjeve të sotme të Superligës

Tensioni padyshim ishte më i madh sesa dëshira për sportivitet.

Kukësi e Teuta e nisën duke u përqafuar ndeshjen mes tyre të Superligës, veçse nervat nuk munguan të acaroheshin, për vetë objektivat e skuadrave.

Dy kartonë të kuq ishte rezultati josportiv, përveç pesë golave të shënuar, në një takim ku kuksianët përforcuan pozitat në vendin e dytë, ndërsa durrsakët u futën edhe më shumë në rrezik për të rënë nga kategoria.

Fituan kampionët 3-2, edhe pse miqtë shënuan gol të parët me anë të Bilalit.

Formacioni i trajnerit Pakult gjithnjë e më shumë po tregohet me autoritet dhe karakter të fortë, pavarësisht nga të papriturat gjatë një ndeshjeje.

Po ashtu, veriorët kanë edhe fatin që për ta luan një sulmues race, Guri, që ishte autor i dy golave, pra që bëri pjesën më të madhe përsa i përket konkretizimit të lojës së ekipit.

Bashkë me lojtarë të tjerë me mjaft potencial si Kale në sulm, Musolli e Shkodra në mesfushë, Rrumbullaku në mbrojtje dhe Koliçi në portë, ky Kukës është vërtet i fortë.

Nëse nuk do të ishte Skënderbeu, titulli do të fitohej edhe këtë vit.

Suksesi bëri që kampionët të shkëputen në 6 pikë nga vendi i tretë, duke pasur 42 pikë në 24 ndeshje, duke shënuar edhe 41 gola, jo shumë poshtë korçarëve kryesues.

Teuta e pati humbjen shumë të rëndë.

Kombinuar me barazimin e Vllaznisë në fushën e Kamzës, ajo solli si rezultat një diferencë prej 4 pikësh me shkodranët, ndërsa mbeten edhe 12 ndeshje për t’u luajtur deri në fund të Superligës.

Shkodranët janë në vendin e tretë nga fundi, pozicion që të shpëton në fund.

Në krahun tjetër të tabelës, në konkurrimin për Europën, Laçi mundi 4-2 Flamurtarin dhe e barazoi me pikë në vend të tretë.

Kurbinasit patën si lojtarin më të mirë në fushë, Rezhinaldon, autor të tre golave, ndërsa trajneri vlonjat i tyre, Mezani, e ka mundur dy herë këtë sezon, ekipin e e qytetit të tij./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono