frontex

frontex-1280x721.jpg
Sej rie15:30 | 09/08/2019

Misioni ndërkombëtar i kontrollit të Kufirit bëri publike disa prej rezultateve të punës nga koha kur u vendos në Kakavijë. Në këtë komunikim me media ishte edhe Drejtori i Kufirit, Eduart Merkaj.

Në dy muaj Frontex në Kakavijë,  ka ndaluar 1300 persona që synonin tranzitin përmes Shqipërisë. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për azil, kurse të tjerët u depërtuan. Frontex po kësaj kohe ka kapur dhe 27 të kërkuar.

Martin Vodrasa Zv/drejtor i përgjithshëm  i Policisë Çeke për kufirin tha se Çekia merr pjesë me 13 efektivë në këtë mision i pari i vendit të tij në një territor kufitar jashtë BE.

“Gjendem këtu në krye të një ekipi çek dhe mund të them se ishte një eksperiencë e suksesshme. Shërbimi që ne ofrojmë këtu është një shërbim për sigurinë e Evropës.”

Andrea Storchova zv drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare tha se rezultatet janë shpresëdhënëse dhe strategjia e sigurisë po ofron kontroll më të lartë për trafiqet e paligjshme.

“Operacioni i Frontex provoi se këto misione janë të nevojshme. Shqipëria nuk është një kufi i brishtë për në Evropë por një drejtim i synuar prej emigrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve. Bashkëpunimi dhe rezultatet ishin shumë të mira.”

Ky ishte i pari mision i Frontex në Shqipëri. Më herët forca policore nga nëntë vende kanë patrulluar për muaj me radhë në dy misione të ndryshme kufirin jugor me Greqinë./ABC News Albania 24/7

frontex.jpg
G. P.10:24 | 19/07/2019

Qeveria gjermane vlerëson pozitivisht misionin e ri të Frontex-it në kufirin shqiptaro-grek.

Ky mision ka nisur para dy muajsh. Operacioni i Agjencisë europiane të Mbrojtjes së Kufirit kontribuon duke “mbështetur autoritetet shqiptare në punën e tyre për mbrojtjen e kufirit dhe për masat e kthimit si dhe aplikimin e standardeve të BE-së në këtë drejtim”, thuhet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj kërkesës së parashtruar nga grupi palramentar i partisë “E Majta”, njofton agjencia e lajmeve dpa. Aktualisht në kufirin shqiptaro-grek janë venosur 66 trupa kufitare nga 12 vende anëtare të BE-së, ndër ta njëmbëdhjetë punonjës të policisë gjermane.
Forcat e Frontex-it ndihmojnë rojet shqiptarë për të kontrolluar “vijën e gjelbër të kufirit” dhe të parandalojnë kriminalitetin ndërkufitar.  Ata janë pozicionuar në pesë pikëkalime kufitare. Ky është misioni i parë në një shtet jo anëtar të BE-së, ku pjesëtarët e Frontex-it marrin edhe kompetenca sovraniteti.

Sfondi i misionit të Frontex-it ka të bëjë me rritjen e numrit të refugjatëve dhe migrantëve më 2018, që kalojnë nga Greqia në Shqipëri. Që andej ata përpiqen të vazhdojnë rrugën kryesisht përmes Malit të Zi, ose Kosovës për në Itali, Austri e Gjermani. Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të IOM në Shqipëri janë regjistruar 1210 migrantë të rinj. Vitin e kaluar kanë hyrë 3399 vetë në këtë vend. Krahasuar me vitin 2017 me 752 migrantë në Shqipëri numri i tyre është rritur ndjeshëm.

Misioni i Frontex-it do të zgjerohet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane janë “në fazën finale të negociimit” marrëveshje përkatëse me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bonsje-Hercegovinën. /DW

lleshaj-1.jpg
Sej rie11:00 | 12/07/2019
FRONTEX dhe EUROPOL ofrojnë më shumë siguri për vendin tonë dhe integrim për Policinë e Shtetit në strukturat evropiane. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm Sander Lleshaj gjatë inaugurimit të pikës së re kufitare në Han të Hotit.

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në përurimin e ambienteve të reja të stacionit të Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit:

I nderuar z. Prefekt i Qarkut Shkodër,
Z. Ambasador i Shqipërisë në Malin e Zi,
Z. Drejtor i Përgjithshëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, më shumë për të dhënë një mesazh që ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë.

Qeveria shqiptare është e angazhuar që portat e hyrjes së Shqipërisë të jenë moderne, dinjitoze dhe funksionale, të lira për kalim të rregullt dhe të jenë të pakalueshëm për kalimin e parregullt.

Gati një vit më parë, këtu në Han të Hotit janë inauguruar ambientet e reja të Doganës dhe të Pikës së Kalimit Kufitar, në kuadër të programit IPA 2012, me një investim të BE në vlerën e 2.5 milionë eurove. Dhe sot ne bëjmë një fazë tjetër, inaugurojmë stacionin e Policisë Kufitare këtu në Hanin e Hotit dhe e kompletojmë këtë pikë dhe këtë nyje shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Është e rëndësishme që të themi që kompletim, do të thotë kompletim në infrastrukturë, ndërkohë që ajo që pason dhe ajo që ka vlerën më të madhe, është kompletimi me një shërbim cilësor, dinjitoz, profesional dhe të besueshëm. Dhe këtu është përgjegjësia dhe detyra e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, që nga qendra deri këtu, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen jo vetëm mjedise moderne, por edhe një shërbim po aq modern, po aq i besueshëm dhe po aq profesional.

Ambientet e reja do t’u japin mundësi agjencive ligjzbatuese që të kryejnë edhe më lehtë dhe me efikasitet të lartë menaxhimin të kufirit. Realizimi i këtij investimi vlen 45 milionë lekë, siç u përmend edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, krijon kushte pra për ta përmirësuar nivelin dhe cilësinë e shërbimit tonë. Të gjitha këto investimeve në fakt kanë edhe një impakt të rëndësishëm mbi turizmin në vend. Turizëm, i cili po zhvillohet me një ritëm të kënaqshme dhe duke marrë në konsideratë klimën jo krejt të favorshme që kemi pasur gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Megjithatë duhet thënë që fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe ne kemi një rritje pothuajse 10% në krahasim me vitin e kaluar të fluksit turistik në pikat tona të kalimit kufitar. Gjë që tregon për një tendencë të shëndetshme, në rritje, edhe një influencim minimal nga problematika e brendshme që ka njohur vendi gjatë kësaj periudhe.

Sigurisht që pika e Hanit të Hotit është vetëm njëra nga pikat kufitare, është vetëm një model, i cili do të duhet të vazhdoje më të njëjtën frymë, me të njëjtin intensitet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, me qëllim që të arrijmë që pikat e kalimit kufitar t’i përshtatim me kushtet e reja.

Është ende problematike gjendja për arsye se disa të vendit ende kemi infrastrukturën e fundit të viteve ’80, në kuptimin e volumit, të përmasave, të kapaciteteve të përpunimit.

Ndërkohë që flukset e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, krahasuar me këto vite kur ato janë ndërtuar, është rritur shumë e shumë herë dhe me qëllim që ne t’i përballojmë dhe menaxhojmë më mirë këto flukse turistike apo flukset e lëvizjes në kufijtë tanë, ne duhet ti përgjigjemi me investime të shtuara dhe Qeveria shqiptare është e angazhuar në kuadër të një programi të qartë për t’i modernizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar si këto me Malin e Zi që pothuajse janë kompletuar tashmë, por dhe në pika të tjera që kemi, kryesisht me Maqedoninë e Veriut dhe me Greqinë, të cilat kanë nevojë dhe do të përfshihen së shpejti në një program investimesh dhe modernizimesh.

Përveç investimit në infrastrukturë e rëndësishme është investimi në përmirësimin e procedurave dhe lehtësimin e kalimit në pikat kufitare, me qëllim që flukset të mos bllokohen, koha e pritjes të shkurtohet, por në të njëjtën kohë siguria të mos komprometohet.

Ne kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm me Republikën e Kosovës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku aplikimi i kontrollit të përbashkët i një kontrolli, ka bërë që koha e pritjes të ulet me 50 %.

Sigurisht kjo është një arritje e jashtëzakonshme, në qoftë se kemi parasysh se për çfarë kohësh pritje kemi njohur në të kaluarën tonë të afërt, por qëllimi ynë është që të vijë duke u reduktuar edhe më shumë për të arritur drejt atij destinacioni final që ne kemi për ta bërë zero kohën e pritjes në kufijtë tanë me të gjitha vendet me të cilat kufizohemi dhe që të ndodhi kjo, do të na duhet që të rrisim shumë profesionalizmin oe punonjësve të Policisë kufitare, të cilët duhet të shndërrohen në një model profesionalizmi, integriteti për të gjithë Policinë e Shtetit dihet që në pikat e kufirit ne prezantojmë Shqipërinë.

Pikat tona të kalimit janë portat e Shqipërisë, por ju jeni njerëzit e parë të Shqipërisë me të cilët ballafaqohet çdo vizitor i këtij vendi dhe kryesisht ju e dini që vizitohet nga turistë, apo janë dhe qytetarë të tjerë që lëvizin nëpër pikat tona të kufirit.

E rëndësishme është që në t’i përgjigjemi me një nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe integriteti.

Janë dy kritere të cilat janë të pashmangshme, që duhet të karakterizojnë çdo punonjës të Policisë së Shtetit të tërësi, por sidomos punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët duhet të jenë në lartësinë e këtij misioni shumë të rëndësishëm.

Duhet nivel i lartë profesional dhe për të cilin masat janë marrë dhe do të merren, duhet integritet i lartë profesional dhe moral dhe për këtë masat janë marrë dhe do të merren, besoj jeni në dijeni që dhe procesi i vettingut do t’i shërbejë këtij procesi dhe duhen kapacitete të mirëfillta të veçanta sa i përket aftësive të komunikimit, sidomos komunikimit në gjuhë të huaj, në gjuhën angleze, për arsye se ju jeni të parët shqiptarë me të cilët ballafaqohet çdo turist dhe çdo vizitor që i drejtohet Shqipërisë.

Është me rëndësi të them edhe faktin që në këtë proces shumë të rëndësishëm modernizimi, ne nuk jemi vetëm, por jemi në një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë kryesisht me ata europianë, është me rëndësi të ritheksojmë dhe vlerësojmë faktin që fillimi i operacionit të përbashkët për kontrollin dhe menaxhimin e kufijve të Shqipërisë në bashkëpunim me FRONTEX si operacioni i parë që kjo agjenci e Bashkimit Europian kryen jashtë BE-së, është një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur nivelin e bashkëpunimit, nivelin e shkëmbimit të informacionit dhe të përvojës për krijimin e besimit të domosdoshëm që ne duhet të kemi me partnerët tanë europianë dhe është po ashtu një hap mjaft i rëndësishëm në drejtim të integrimit real të vendit tonë në strukturat e BE.

Unë jam i ndërgjegjshëm që skeptikët nuk lodhen kurrë së dyshuari edhe së shprehuri negativisht edhe atëherë kur duhet të shprehen pozitivisht.

Kam ndjekur këto ditë, me një farë keqardhje disa njoftime, të cilat e përkthejnë ardhjen e agjencive europiane në Shqipëri, si shenjë dyshimi ndaj Shqipërisë, ndërkohë që është e shpallur botërisht nga vetë BE, edhe nga ne, që ardhja e tyre në Shqipëri është shenjë besimi, shenjë e një hapi të rëndësishëm integrimi të Shqipërisë drejt strukturave të BE, dhe dje patëm mundësinë, që pas FRONTEX të hapim edhe zyrën e EUROPOl, si të thuash të kompletojmë praninë europiane në Shqipëri sa i përket institucioneve të sigurisë publike dhe policisë; dhe ky është një lajm jashtëzakonisht i madh, i cili duhet të na bëjë krenarë që ne tashmë “de facto” jemi të ndërlidhur ngushtësisht me strukturat europiane përgjegjëse për sigurinë.

Jemi në pararojë të institucioneve të tjera shqiptare sa i përket kësaj ndërthurjeje dhe këtij integrimi, i cili do të sjellë rezultate të jashtëzakonshme.

Megjithatë dua të them, duke e mbyllur, sfida jonë në fushën e menaxhimit të kufijve rritet përditë e më shumë për arsye se për fat të mirë, flukset e lëvizjeve drejt Shqipërisë rriten në mënyrë eksponenciale.

Nëqoftëse në vitin 2009 në kufijtë e Shqipërisë lëviznin gjithsej 9 milionë qytetarë, në vitin 2018 lëvizën 23 milionë dhe siç ju thashë, në vitin 2019 deri tani ne kemi një rritje 10% në krahasim me vitin 2018 të këtij fluksi, dhe tendenca është përsëri në rritje.

Do të thotë që volumet e punës do të shtohen, sfida do të shtohet dhe e vetmja mënyrë për t’ju përgjigjur kësaj sfide është angazhim serioz i gjithë strukturave të policisë për ta përballuar me dinjitet dhe me profesionalizëm këtë shërbim të lartë që ju bëjmë qytetarëve tanë dhe që u bëjmë të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë.

Unë ju falënderoj, ju uroj që ta gëzoni këtë stacion të ri të policisë këtu dhe të vijoni të përmbushni me sukses dhe përgjegjësi detyrën tuaj të lartë.

Faleminderit!

frontex-ne-gjirokaster.jpg
nev ila11:09 | 25/05/2019

Frontex ka nisur intensivisht punën në Pikën Kufitare të Kakavijës me 25 efektivë. Drejtori i kufirit Kakavijw Idajet Hoxha në një deklaratë për mediat dha detaje rreth misionit të agjensisë evropiane.

Sipas tij ky shërbim në vijën e gjelbër është një shkëmbim eksperience midis forcave të policisë vendore dhe Frontex për ruajtjen e kufirit.

Më tej ai u shpreh se përgjegjësinë kryesore për të mbikëqyrur kufirin e ka roja kufitare shqiptare, por një rol mbështetës kanë edhe efektivët e Frontex.

Misioni  i Frontex në vendin tone është ruajtja e kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë me qëllim parandalimin e emigrantëve të paligjshëm si dhe veprimtarive të tjera të jashtëligjshme./ABC News 24/7

FRONTEX-EMIGRANTET-1280x720.jpg
ent ela12:27 | 24/05/2019

Operacioni i Frontex duket se ka dhënë rezultatet e para. Mëngjesin e sotëm, në kufirin e gjelbër në Kapshticë janë kapur 23 klandestinë sirianë dhe iranianë, mes tyre edhe 3 fëmijë të mitur. Emigrantët e paligjshëm u kapën nga forcat Frontex dhe policia kufitare, te cilët janë pozicionuar në kufi. Klandestinëve iu morën deklarimet dhe do transportohen drejt qendrës se azilkërkuesve në Tiranë. Frontex sëbashku me oficerët shqiptarë kontrollon aktualisht në të gjithë kufirin e Shqipërisë me Greqinë. /ABC news Albania 24/7

KRONIKE-FRONTEX-NE-KAKAVIJE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela10:35 | 22/05/2019

Nisi zyrtarisht misioni i FRONTEX në Shqipëri. I gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të FRONTEX në një marrëveshje pa limit.

Në Kakavijë ishte një dite ndryshe. Pika e kalimit kufitar me Greqinë, priti patrullën e parë të kontrollit. Misioni në Kakavijë nisi me instruktazhin e ekipit të Frontex dhe të Policise Shqiptare. 25 persona nga Frontex do jenë në krah të oficerëve shqiptarë e sipas gazetarit të ABC News.

Lufta kundër migracionit të paligjshëm e krimit ndërkufitar, misioni i operacioneve të përbashkëta me Shqipërinë.

Në drejtim do jenë oficerë shqiptarë, por oficerët e Frontex janë të autorizuar të veprojnë, njëlloj si oficerë shqiptarë për monitorimin e kalimeve të paligjshme, mbledhje informacioni e goditje të trafikut të njerëzve, drogës dhe vjedhjen e makinave.

I gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të Misionit në një marrëveshje pa limit.

Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.

Gazetar i ABC News, Gjirokastër: Orges Sako

/ABC news Albania 24/7

FRONTEX-NE-TIRANE-PER-KUFINJTE.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 21/05/2019

Edhe pse nuk është pjesë e BE, Shqipëria firmosi një marrëveshje me FRONTEX për të monitoruar kufirin Greko-Shqiptar. 50 oficerë do të jenë të instaluar në pikat e kalimit kufitar, ndërsa të pranishëm në Tiranë ishin Eurokomisioneri Dimitris Avramopulos dhe kreu i misionit FRONTEX, Abrice Leggeri.

Emigrantët e jashtëligjshëm që shfrytëzojnë kufirin e gjelbër Shqiptaro-Grek, nga e mërkura duhet të mendohen dy herë për të ndërmarrin një veprim të tillë. 50 oficerë të FRONTEX, Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare ishin të pranishëm në Tiranë.

Për herë të parë u arrit një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Bashkimin Europian, pavarësisht se vendi ynë nuk është anëtar i saj.

“Qëllimi kryesor është të kemi në kufirin tokësor me Greqinë prezencën tonë. Objektivi lidhet me një monitorim edhe më të mirë për sa i përket emigracionit te jashtëligjshëm që nis nga Greqia në drejtim të veriut të Shqipërisë. Janë edhe disa aktivitete të jashtëligjshme si për shembull trafiqe që zhvillohen në kufi. Ne duam te ndihmojmë forcat shqiptare ligj-zbatuese dhe autoritetet e kufirit. Ne do të kemi në terren 50 oficerë kufiri që vinë nga 12 vende anëtar të BE, si edhe automjete patrullimi përgjatë kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Gjatë ceremonisë Kryeministri Edi Rama, pohoi se misioni FRONTEX në Shqipëri është një shenjë vlerësuese e BE-së për Shqipërinë.

“Arsyeja tjetër është personale. Për faktin se këtu sot jam me një mik, që në disa role ka treguar me vepra dhe jo me fjalë një miqësi shumë të sinqertë jo thjesht ndaj meje personalisht, Dhimitri Avramopoulos, pa të cilin që edhe ky projekt i rëndësishëm, që sot nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më të ishte realizuar”.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, komisioneri Dimitris Avramopoulos komentoi vendimin e parlamentit në Holandë për kthimin e vizave me qytetarët shqiptarë. Ai tregoi se si do të veprohet më tej nëse një kërkesë e tillë mbërrin në Komision.

“Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t’u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Europë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike të një vendi të BE”.

Më tej Komisioneri i BE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për të ndalur fluksin e azilantëve në vendet e BE-së, por shtoi se duhet bërë akoma më shumë. Avramopulos kërkoi që të njihen reformat që ka ndërmarrë vendi në prag të hapjes së negociatave.

“Kjo marrëveshje e afron Shqipërinë me BE-në. Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është Këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë”.

Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, operacioni i përbashkët i FRONTEX, kontribon në mënyrë të drejtpërdrejt për kompesimin e forcave të limituara të policisë së shtetit. /ABC News Albania 24/7

 

 

edi-rama-4.jpg
G. P.13:14 | 21/05/2019

Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, Frontex nisi misionin e vet në Shqipëri. Marrëveshja që realizohet për herë të parë me një vend jo të Bashkimit Europian parashikon vendosjen e ekipe në kufijtë e përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së, për të trajtuar rastet e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar. Ndjekim një pjesë nga fjala e kryeministrit Rama dhe komisionerit për emigracionin Avramopulos, gjatë ceremonisë që u mbajt në Tiranë.

“Kjo marrëveshje është e para e BE me vende jo anëtare në fushën e mbrojtjes së kufijve të jashtme dhe e vendos Shqipërinë në një pozicion jashtëzakonisht të veçantë si kontributore ne mbrojtjen e kufijve të BE nga emigracioni i paligjshëm dhe nga ana tjetër na jep një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimin me Frontex edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e suksesit në këtë nismë që në vijim do pasohet nga të tjera në të tjera vende të rajonit tonë”, tha Rama.

“Nesër do kemi skuadrat e para që do vendosen në Shqipëri. Ata do mbështesin rojen kufitare shqiptare me pajisje dhe staf në pikat kyçe të kufirit me Greqinë. Shqipëria mbetet përgjegjëse në fund të ditës për mbrojtjen e kufijve të saj. Për Be Shqipëria është më tepër se një vend fqinj, është pjesë e familjes evropiane”, tha Avramopulos./ABC News Albania 24/7

frontex.jpg
G. P.12:32 | 21/05/2019

Sot në Pallatin e Kongreseve u zhvillua ceremonia e nisjes së operacionit të misionit Frontex në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe komisionari Avramopulos, drejtori i Frontex, Fabrice Leggere e konsideroi këtë marrëveshje si gur kilometrik në bashkëpunimin mes BE-së dhe Shqipërisë.

Anëtarët e Frontex janë të pranishëm në kufijtë tokësor, bregdetar dhe aeroporte në të gjithë BE-në. Leggere tregoi se si mund t’i dallojmë agjentët e Frontex, të cilët vishen me uniformat kombëtare dhe një shirit blu në krah.

“Ky është një gur kilometrik jo vetëm për Agjencinë evropiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare, Frontexit, por edhe bashkëpunimit më të gjërë mes BE dhe Shqipërisë. Avionët tanë gjenden në shumë vende të tjera të BE-së. Ne jemi në kufijtë bregdetar, në kufijtë tokësorë, në aeroporte dhe tani kemi 1200 Roje Bregdetare në të gjithë BE-në. Kemi më shumë se 25 mjete lundruese dhe një duzinë avionësh dhe helikopterësh. Sot është hera e parë që po caktojmë roje kufitare në një vend jashtë BE-së. Këta punonjës do të veshin uniformat e tyre kombëtare bashkë me një bandë në krah, blu, që do të tregojë se janë anëtarë të agjencisë evropiane të Mbrojtjes së Kufirit dhe Rojes Bregdetare. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me Shqipërinë”, tha drejtori i Frontex.

Shqipëria është vendi i parë jashtë BE-së në të cilin, Frontex vendos roje kufitare./abcnews.al

avramopulos-1280x717.jpg
G. P.12:17 | 21/05/2019

Komisioneri për migracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopolus, gjatë një konference për mediat bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e Frontex Fabrice Leggere theksoi se falë bashkëpunimit kjo agjenci ofron mbështetje edhe për vendet fqinje.

Ai e konsideroi nisjen e punës së Frontex në Shqipëri si një hap historik. Komisioneri deklaroi se Shqipëria do të mbetet përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të saj.

“Sot jemi duke parë një shembull konkret të mënyrës se si kemi një bashkëpunim të përkryer mes Frontex dhe sesi kjo agjenci mund të ofrojë mbështetje në rritje, për vende fqinje. Nesër do kemi skuadrat e para të Kufirit dhe Rojeve Bregdetare evropiane që do të vendosen në Shqipëri. Ato do të mbështesin Rojen Bregdetare me pajisje dhe staf në pikat kyçe të kufirit me Greqinë. Ky është një hap historik. Është hera e parë që Frontex vendoset në një vend joevropian. Kur flitet për menaxhimin e mbrojtjen e kufijve tanë, sfidat janë të përbashkëta. Përgjigja duhet të jetë e përbashkët. Kjo është arsyeja pse po punojmë bashkë.

Shqipëria mbetet përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të saj, dhe të gjitha aktivitetet që regjistrohen nga Agjencia e Kufirit dhe Rojes Bregdetare evropiane do realizohen në bashkëpunim me autoritet shqiptare, por edhe në bashkëpunim me shtetin anëtar të BE. Ajo që do ofrojë agjencia është ndihma dhe mbështetja e plotë në frymën e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjelljtë. Kjo është në interesin tuaj, por njëkohësisht edhe për rajonin. Hap pas hapi rajonin e Ballkanit Perëndimor po e çojmë më pranë BE-së aty ku ky rajone ka vendin. Po hapim rrugën për një mjedis stabël gjeopolitik”, tha Avramopulos.

Ndërsa kryeministri Rama e cilësoi bashkëpunimin me Frontex si mundësi të artë kundër luftës së krimit të organizuar.

“Na jep një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimit me Frontexin edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e suksesit në këtë nismë që në vijim do të pasohet nga të tjera në të tjera vende të rajonit tonë. Është një moment i thellimit të sigurisë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe përbën një nga gjashtë vektorët e strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Dua ta falënderoj komisionerin për angazhimin e tij të posaçëm në këtë projekt strategjik për Ballkanin Perëndimor”, tha Kryeministri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono