Freedom House

Freedom-770x433.jpg
in a18:24 | 05/11/2019

“Qeveritë po përdorin mediat sociale për të sabotuar vetë zgjedhjet dhe për të monitoruar shtetasit e tyre”, kështu shprehet Allie Funk, bashkëautore e raportit të titulluar  “Liria në rrjet 2019”(“Freedom on the Net 2019”).

Organizata me seli në SHBA që vëzhgon demokracinë dhe liritë ka publikuar raportin më të fundit, e cila vendos theksin, se si qeveritë po përpiqen të përdorin mediat sociale.

“Zbuluam se faktorët vendas, qofshin qeveritë apo politikanët që kërkojnë të rizgjidhen – realisht përdorin internetin për të sabotuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vendin e tyre”, shprehet Funk.

Raporti thotë se mjeti i përdorur më gjerësisht është shpërndarja e dezinformimit nga politikanët e së djathtës së largët. “Nuk e di nëse të gjithë e kuptuan se sa shpejt qeveritë do ta përdornin këtë kundër nesh”, thotë zonja Funk.

Por, përpjekjet e qeverive për të shtypur lirinë në internet mund t’iu kthehen kundër. Kësaj vere në Rusi, pasi Kremlini goditi kandidatët politikë të opozitës, protestuesit anti-qeveri përdorën mediat sociale për t’u organizuar.

“Protestuesit ishin plotësisht të ndërgjegjshëm se qeveria po i vëzhgonte apo survejonte, prandaj filluan të përdornin fjalë të koduara për lëvizje të ndryshme protestash, si dhe filluan të organizoheshin në këto platforma për t’u siguruar ndihmën administrative, ushqime dhe ujë protestuesve të tjerë”, thekson Funk.

Ky raport i përvitshëm hartuar nga organizata Freedom House vë në dukje se liria në internet krahasuar me vitin 2009 po pëson rënie./abcnews.al

 

freedom-house.jpg
ad min08:44 | 05/06/2019

Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të mërkurën se në demokraci sikurse edhe në shtetet autoritare, udhëheqësit që synojnë konsolidimin e pushtetit, po gjejnë mënyra të reja për të shtypur gazetarinë e pavarur.

Në raportin mbi “Liritë dhe mediat në vitin 2019”, thuhet mes tjerash se udhëheqësit antidemokratik në demokracitë e brishta, kanë provuar të trembin mediet duke përdorur mjete ekonomike, ligjore dhe joligjore për të heshtur gazetarët kritik dhe për të forcuar mediet “miqësore”.

Raporti thekson ndikimin botëror të retorikës kundër mediave të përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump. Gazetarët gjithandej në botë kanë më pas arsye të bësojnë se Uashingtoni do t’u vijë në ndihmë nëse shkelen të drejtat e tyre themelore.

Sipas të dhënave të “Freedom House”, liria e medias është përkeqësuar në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, me forma të reja të shtypjes që zbatohen si në shoqëritë e hapura edhe në shtetet autoritare.

Trendi është më i shprehur në Evropë, më parë një fortesë e lirive dhe në Euro-Azi e në Lindjen e Mesme, ku janë të përqendruara shumë nga diktaturat më të mëdha në botë. Në disa prej demokracive më me ndikim në botë, thuhet në raport, shtresa të mëdha të popullsisë nuk marrin më lajme dhe informacione të paanshme.

Kjo nuk ndodh se gazetarët janë futur në burg, siç mund të ndodhë në shtetet autoritare. Në vend të kësaj, thuhet në raport, mediet kanë rënë pre e përpjekjeve për të mbytur pavarësinë e tyre. Metodat e zakonshme përfshijnë mes tjerash edhe trysninë ligjore e financiare, çështjet e pronësisë dhe denoncimet publike të gazetarëve të ndershëm.

Qeveritë gjithashtu kanë ofruar mbështetje për mediet ‘miqësore’ përmes masave të tilla si kontrata shtetërore fitimprurëse, vendime të favorshme rregullatore dhe qasje preferenciale në informacionin shtetëror. Qëllimi është që shtypja t’u shërbejë atyre që janë në pushtet në vend të publikut, thuhet aty.

Në raport përmenden qeveria e Viktor Orbánit në Hngari dhe adminisrata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që kanë arritur “sukses” në heshtjen e gazetarisë kritike. Të dy udhëheqësit, thuhet në raport kanë përqendruar pronësinë mbi mediet, në duart e miqve të tyre.

Të dyja këto vende kanë nga 2 pikë në një matje nga 0 deri ne 4 ku rezultati 0, përfaqëson shkallën më të vogël të lirisë dhe ai 4, shkallën më të lartë të lirisë.

Shqipëria dhe Kosova, po ashtu kanë nga 2 pikë sikurse edhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor./VOA

freedom-house.jpg
ad min09:10 | 05/02/2019

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira sipas raportit më të fundit të Freedom House. Një tjetër e dhënë shqetësuese është se demokracia po shënon rënie për të 13-n vit rradhazi.

Organizata Freedom House me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-n vit me radhë.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 44 për qind e tyre radhiten në mesin e vendeve të lira, 30 për qind janë me liri të pjesshme dhe 26 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia është në mesin e vendeve të lira, ndërsa Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, sëbashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.

Serbia ishte radhitur një vit më parë në mesin e vendeve të lira, por sipas raportit, ajo shënoi rënie për shkak të parregullsive në zgjedhje, fushatave kundër gazetarëve të pavarur dhe përqendrimit jo kushtetues të pushtetit në duart e presidentit Aleksandër Vuçiç.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përfshihet në raport për siç thuhet, përqendrimin e pushtetit shtetëror rreth vetes dhe grupit të tij, duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Ndër përfundimet e raportit, është edhe dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, që radhitet lart në mesin e vendeve të lira, por më poshtë sesa demokracitë tjera si si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Kanadaja.

Raporti mbi “Liritë në Botë”, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë rrjedhat botërore për më shumë se 45 vjet./abcnews.al

E78987E1-95C3-4AA4-BC92-31CB1F17F8B6_w1023_r1_s.jpg
ent ela08:53 | 25/04/2018

Liria e mediave në Shqipëri dhe Kosovë janë pjesërisht të lira. Vlerësimi është bërë nga Freedom House në raportin e publikuar së fundi. Në Ballkan, shtetet ku mediat janë të lira konsiderohen Kroacia dhe Serbia.

Liria e medias është duke u përballur me kërcënime të reja. Është ky vlerësimi në raportin më të fundit të Freedom House, duke iu referuar jo vetëm vendeve me demokraci të mëdha por edhe shteteve shtypëse ku autoritetet po përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira.

Organizata Freedom House ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017,  nga të cilat 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Sipas Presidentit të Freedom House, Michael Abramovitz, udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin.

“Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”.

Në prag të ditës botërore të lirisë së medies, Freedom House, ka analizuar gjendjen duke u mbështetur në raportet e tij për Lirinë në Botë, Vendet në tranzicion dhe Lirinë në internet, sipas së cilës, pavarësia e medias është nën trysni në cdo rajon të botës, por po ashtu gazetarët e përkushtuar ende luajnë rol thelbësor në një mjedis ende më armiqësor.

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitit 2017, pasi parimet themelore të saj, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit, u sulmuan në mbarë botën.

Shtatëdhjetë e një vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim. Kjo shënoi vitin e 12 radhazi të rënies së lirisë globale./abcnews.al

Presidenti_Ilir_META-1280x854.jpg
ent ela13:43 | 11/04/2018

Raport në funksion të axhendave të njëanshme politike e konsideron institucioni i presidencës publikimin e funsit të organizatës Freedom house. Zëdhënësi i presidentit Ilir Metanëpërmjet një njoftimi për shtyp  ka sqaruar se zgjedhja e Presidentit të Republikës  është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.

Në se Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar sipas zyrës së shtypit të Presidentit Ilir Meta e cila shprehet e hapur për të bashkëpunuar edhe me organizatën Freedom House. /abcnews.al

34FA4120-17A3-400C-BB9E-007DFE54ACA2_cx0_cy4_cw0_w1023_r1_s.jpg
ent ela09:01 | 11/04/2018

Raporti i radhës i organizatës Freedom House e rendit vendin tonë në kategorinë e shteteve me demokraci në tranzicion apo regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta. Në pritshëmëritë për vitin 2018 Freedom House paraqet një mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit.

Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës Freedom House.

Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion” – një përmbledhje të së cilit e përgatiti Zëri i Amerikës – thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.

 “Megjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”.

Arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën edhe nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” – shkruhet në raportin e Freedom House.

 “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Duke iu referuar “zgjedhjes me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohëshme më 18 dhjetor, raporti I freedom house e konsiderin minim serioz të besueshmërisë dhe pavarësisë së institucionit”

Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet.

 “Institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”.

Duke iu referuar raportit të Freedom House, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe rryshfetete në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjejve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit –shkruan Freedom House në raportin e fundit. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono