franco lerda

IMG_2563-1280x853.jpg
Vladimir Prenga09:09 | 15/12/2019

Gaz Demi ishte i gatshëm ta shkarkonte që para derbit të parë me Tiranën, por Partizani triumfoi dhe trajneri Franco Lerda mbeti në krye të ekipit të kuq. Gjithsesi italiani nuk ia ka dalë ta mbyllë fazën e dytë te Partizani, pasi një ditë më parë, Demi vendosi ta shkarkonte trajnerin dhe tashmë mbetet të shihet se kush do e pasojë.

Orges Shehi është një nga emrat që po lakohet më së shumti. Kohë shumë në dispozicion nuk ka dhe duhet marrë një vendim. Edmond Dosti, ish-goleadori i Partizanit në vitin 1993, është i mendimit që të zgjidhet një trajner që i përket familjes së kuqe, ose t’i besohet për momentin Dritan Mehmetit.

“Emri i trajnerit të ardhshëm të Partizanit, mos u nxitoni presidenti Demi dhe drejtori Rama. Njëri duhet të shkojë në pankinë, por duhet të jetë brenda familjes tonë, ose trajner shqiptar.

Për momentin do ishte mirë Tan Mehmeti, meqë e njef dhe ekipin, sepse ai që iku e ka shkatërruar të gjithë atë mund dhe sukses të Gegës. Ne së bashku do t’ja dalim që të dalim përsëri kampion, pasi unë besoj shumë te ky grup”, shkruan Dosti në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga21:35 | 13/12/2019

“Humbëm një derbi, një ndeshje të rëndësishme. Vitet nuk kanë rëndësi. Llogaritet kjo humbje. Duhet të ngremë kokën dhe të analizojmë atë që ndodhi në fushë”, tha Lerda fillimisht në lidhjen direkte në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Kemi një grup të madh lojtarësh. Bëra këto zgjedhje, pasi kështu e pashë të udhës”, tha Lerda, i pyetur për lënien jashtë të Asanit dhe Çinarit. Nëse ishte penduar për zgjedhjet e bëra, italiani shtoi: “Do bëja të njëjtat zgjedhje sërish. Kishim mungesa të rëndësishme në mesfushë. U kushtëzuam. Ata që luajtën e justifikuan vetë. Ata që zgjodha më pëlqyen”.

“Humbja me një trajner portierësh në stol? Nuk luajmë ne trajnerët, luajnë lojtarët. Tirana besoi dhe fitoi. Ne gabuam dhe ata e fituan këtë derbi”, tha Lerda. “Ishte një ndeshje për barazim”, përfundoi italiani. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga12:27 | 12/12/2019

Franco Lerda, trajner i Partizanit, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen derbi me Tiranën. Italiani i është përgjigjur interesimit të gazetarëve, të cilët e kanë pyetur për sfidën dhe shumë çështje të tjera që lidhen me klubin dhe këtë përballje të rëndësishme, që për herë të parë do të luhet në “Air Albania Stadium”.

“Gjashtë vite pa humbje? Të gjitha ndeshjet derbi janë të rëndësishme dhe duhet bërë paraqitje e mire. Ka gjithë këto vite që marrim rezultate pozitive dhe ne do mundohemi ta ruajmë vazhdimësinë. Do ishte mjaft mirë për ne. Jemi përgatitur mirë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje”.

“Impenjimi? Besoj se kur luan një derbi, nuk ka favorit. Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm në sfida të tilla”, shtoi trajneri italian, i cili më pas foli edhe për mungesat e Partizanit në ndeshjen me Tiranën.

“Kemi një grup të plotë. E kemi menduar ndeshjen me ata që kemi, jo me ata që nuk kemi. Edhe herë të tjera kemi pasur mungesa të rëndësishme. Lojtarët që kemi janë të përgatitur për ta përballuar këtë ndeshje”.

“I mbyturi, të mbyt? Mendoj për skuadrën time, të përgatis mirë skuadrën time. Nuk mendoj se çfarë ndodh te skuadra tjetër. E respektojmë kundërshtarin, si gjithmonë. E thashë, aspekti psikologjik është i rëndësishëm në këtë ndeshje. Jemi të përqendruar te skuadra jonë”.

“Derbi, në momentin e duhur? Kemi analizuar ndeshjen me Bylisin. Kemi parë gjërat e mira dhe jo të mira. Kemi punuar dhe jemi përgatitur për ndeshjen e radhës. Dihet që Tirana është një ekip me vlera. Renditja nuk tregon vlerat e tyre. Për ne është e rëndësishme dhe një provë e vërtetë force”.

“Asani e Çinari? Keni parë stërvitjen dhe nuk i kam përfshirë. Nuk ka të sakrifikuar. Ne bëjmë shumë ndryshime në seanca. Telushi e Broja janë çështje të ndryshme, kanë kartonë. Mala është çështje tjetër. Ata që janë jashtë, vlejnë zero. Për mua vlejnë ata që kam në dispozicion. Ata nuk i llogaris fare për këtë takim”.

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira, jo vetëm derbi.  Kjo ndeshje me Tiranën duhet përgatitur më shumë psikologjikisht, pasi është takim i rëndësishëm dhe të gjithë e presin ta shohin. Luhet në stadium i ri? Uroj që të gjithë të argëtohen. Të gjithë do japin më të mirën që të kënaqen”.

“Nuk shoh TV e as nuk lexoj gazeta. Frika është një fjalë e shëmtuar, vetëm respekt. Kjo është një ndeshje që duhet të luajmë mirë në aspektin psikologjik. E rëndësishme është që të japim maksimumin. Në fushë vendoset gjithçka”.

“Derbi luhet, nuk fitohet? Sigurisht është e rëndësishme të fitohet. Në filozofinë time është marrja e rezultateve. Ka shumë pritshmëri. Skuadra duhet të japë më të mirën dhe të jetë perfekte në fushën e blertë. Tirana jashtë gare? Sigurisht që Tirana nuk i ka humbur shanset për titull. Shpresoj të ringrihet pas kësaj jave. Kanë një organikë të mirë dhe besoj se mund të paraqiten më mirë në vazhdim”.

“Është e vërtetë që një trajner i ri e mobilizon skuadrën. Është një vazhdimësi te Tirana, pasi e drejton Egbo që ka qenë prej vitesh pjesë e atij ekip si trajner portierësh. Tirana ka ekip të mirë, janë grup dhe kjo është pika më e fortë”, përfundoi Lerda, i cili pret nga skuadra e tij të vazhdojë të bëjë të njëjtën lojë edhe në derbi. /abcnews.al

broja-1.jpg
Vladimir Prenga15:10 | 09/12/2019

FSHF ka reaguar në kohë dhe ka njoftuar klubin e Partizanit, që në ndeshjen e së premtes me Tiranën nuk mund të aktivizojë mesfushorin Rron Broja. ABC News ishte interesuar në FSHF më parë dhe përgjigja ishte se lojtari i “demave” kishte vetëm dy kartonë të verdhë para ndeshjes me Bylisin.

Sigurisht zyrtarët e FSHF i referoheshin të dhënave të hedhura nga arbitrat në sistem dhe një i verdhë në derbin e parë në “Selman Stërmasi” nuk figuronte. Pa të Broja mund të luante të premten, por tashmë në FSHF janë kthjelluar dhe 23-vjeçari do të duhet ta ndjekë derbin nga tribuna.

Hije skandali në Superiore, FSHF “harron” të pezullojë Brojën

Momenti i ndëshkimit të Brojës në derbi

DILEMA E LERDËS – Mungesat në sfidën me Tiranën janë disa dhe të gjitha në mesfushë. Broja ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, kurse Telushi u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Bylisin. E paqartë situata edhe me Esat Malën, i cili stërvitet veçmas për shkak të vendimit të klubit.

Trajneri Franco Lerda duhet të vendosë se kush do të luajë në qendër të mesfushës. Një opsion është edhe rikthimi i mbrojtjes me tre dhe me modulin 3-4-3 zgjidhja më e mirë do të ishte aktivizimi i Romero, me brazilian Cordeiro në qendër, kurse nga krahët të zakonshmit Idrizaj-Trashi.

Alternativa të tjera për qendrën e mesfushës janë edhe Kristi Kote e Eneid Kodra, ose edhe Amir Bilali. Ky i fundit është në pritje të debutimit me Partizanin në Superiore.  Lerda gjithashtu ka edhe një opsion tjetër, pa ndryshuar modulin e lojës.

Hakaj mund të luajë në të majtë të mbrojtjes dhe Trashi të rikthehet të luajë në treshen e qendrës së mesfushës, sikurse ka bërë më parë. Alternativat nuk mungojnë dhe italiani do të vendosë gjatë këtyre ditëve në stërvitje se si do ta rreshtojë skuadrën e tij në derbi. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga16:07 | 07/12/2019

Franco Lerda, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes me Bylisin, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Bëmë një pjesë të parë të mirë. Pësuam nga një devijim i Belicës. Patëm raste me Çinarin dhe Brojën, si dhe me Asanin që për mua nuk ishte pozicion jashtë loje. Gabuam në disa topa në pjesën e dytë dhe kjo i dha kurajo Bylisit. U munduam të rikuperojmë pas golit të pësuar, por nuk ia dolëm. Në fund humbëm”.

“Nuk ka asnjë dramë. Edhe kur ishim me një lojtar më pak u munduam të shënojmë dhe iu afruam me Bardhin në fund. Ishte vetëm një humbje aksidentale. Nuk ishim kampion përpara, ashtu sikuse edhe tani nuk jemi. Terreni ishte rënduar. Do analizojmë gjithçka dhe do të shohim përpara”.

“Pësuam gol në gjuajtjen e parë të Bylisit. Krijuam raste në një terren jo të mirë. Pengu më i madh është që nuk shkuam në epërsi në fundin e pjesës së parë. Gabuam në 15 minutat e para të pjesës së dytë, kur Bylisi mori kurajo dhe e fitoi ndeshjen”.

“Është e qartë që terreni dhe ambienti jashtë ndikon, por nuk ka alibi. Ishim përgatitur për këtë ndeshje psikologjikisht dhe fizikisht. Si shkuan gjërat, kush gabon më pak fiton. Ne bëmë më shumë dhe humbëm”.

“Topat e dytë? Pati pak hapësira, që mund t’i mbyllnim më mirë dhe të evitonim disa situata të rrezikshme. Golat e pësuar? Do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë në javët në vazhdim. Para kësaj ndeshjeje ishim mbrojtja më e mirë, ose e dyta. Sa i takon sulmit, do bëjmë atë që bëjmë në stërvitje. Vetëm kështu përmirësohemi”. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga08:57 | 05/12/2019

Tërmeti, ndjenjat e përjetuara, futbolli i luajtur, Esat Mala dhe Romero. Franco Lerda nuk kursehet, flet për gjithçka rreth Partizanit të tij, që nuk ka përjetuar një moment të qetë për shkak të situatës që u krijua në vend nga tërmeti i 26 nëntorit. Stafi dhe futbollistët e kuq dolën edhe në terren, duke ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti në Thumanë. Italiani rrëfen frikën e përjetuar dhe bie dakord me vendimin e Federatës për të shtyrë kampionatin.

TËRMETI – “Po jetojmë një situatë të rëndë dhe aspak të thjeshtë, sepse presioni dhe mendja e lojtarëve është tek ata njerëz të shkretë, që vuajtën këtë tërmet të tmerrshëm. Ne si klub dhe si skuadër jemi pranë tyre dhe shpresojmë që kjo situatë të kalojë, në mënyrë që gjendja të kthehet në normalitet. Kur rifilluam stërvitjen kishim shumë vështirësi. Askush nuk ishte mirë dhe askush nuk mendonte për futbollin”.

FRIKA E MADHE DHE MESAZHI – “Kurrë nuk e kam përjetuar një situatë të tillë. Dhe jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë njerëzor. Në planin personal nuk kisha pasur kurrë aq frikë sa mëngjesin e së martës. Shtëpitë dridheshin, ndaj kisha shumë frikë. Mesazhi? Ne si klub shkuam që të takonim njerëzit, të cilët e përjetuan më keq këtë katastrofë. U qëndruam dhe do t’u qëndrojmë pranë. Uroj që të bëjnë të njëjtën gjë të gjithë dhe t’iu vijnë në ndihmë”.

SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Absolutisht që ishte një vendim i drejtë. Në këto ngjarje të jashtëzakonshme është e drejtë që të ndërpritet edhe kampionati. Jemi dakord me vendimin që u mor nga FSHF”.

BYLISI  – “Do të luajmë ndaj një skuadre që është me meritë në vendin e tretë, pasi ka bërë një kampionat mjaft të mirë. E vlerësojmë në maksimum sepse është një ekip i fortë, pavarësisht se vjen pas dy humbjeve. Kjo e bën edhe më të vështirë këtë takim. Megjithatë, ne jemi Partizani dhe shkojmë për të marrë vetëm tri pikët. Derbi? Nuk e mendoj për momentin”.

MALA DHE ROMERO – “Mala nuk po stërvitet me ekipin për shkak të vendimit të klubit. Nuk mund të them se kur do të aktivizohet, pasi ende klubi mban në fuqi një vendim për të. Nëse klubi do të vendosë që ai të marrë pjesë në stërvitje, atëherë do të aktivizohet. Gjithsesi, ne kemi marrë masat për të bërë ndërhyrjet e nevojshme.

“Romero? Fakti që ai po stërvitet normalisht dhe nuk është i shpërqendruar, duke zbatuar udhëzimet që ne japim, nuk më shqetëson. Rëndësi ka që ai të jetë i qetë gjatë stërvitjes dhe të mos ndikohet nga problemet e jetës së tij private”, është shprehur Lerda në prononcimin e dhënë pas seancës së djeshme stërvitore, botuar sot në “Panorama Sport”. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga13:11 | 24/11/2019

Franco Lerda, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Laçin ka dalë para mediave dhe ka folur për sfidën e radhës. Italiani komentoi formën që po kalojnë kurbinasit, gjendjen e skuadrës së tij, rikthimet në ekip dhe mundësinë e shkëputjes nga skuadrat rivale.

FORMA E RIVALIT – “Laçi vjen nga katër fitore. Që kur ka ndryshuar trajneri kanë fituar dhe kanë humbur vetëm ndaj Tiranës. Vijnë nga një moment shumë i mirë dhe e ne dimë. E kemi përgatitur ndeshjen dhe kemi punuar mirë. Lojtarët nga kombëtaret na kanë ardhur në një formë të mirë. Besoj se do bëjmë një ndeshje të mirë”.

GATISHMËRIA E EKIPIT – “I kam parë në një në një formë të mirë djemtë, kemi përfituar nga ndalesa e kampionatit. Jemi mirë në aspektin fizik dhe psikologjik. Sigurisht që edhe kundërshtari është në një moment të mirë. Jemi Partizani dhe do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë. Barazimi? Më është bërë shpesh kjo pyetje. Jo vetëm këtu te Partizani, por kudo ku kam drejtuar mentaliteti është që të fitojmë. Në fushë pastaj vendoset gjithçka”.

SHKËPUTJA – “Nuk shoh klasifikim, mendoj të përgatis ndeshjen si duhet, të fokusohemi tek ajo. Me rëndësi për mua është që skuadra të marrë maksimumin. Diferenca me rivalët do të shihet 4-5 javë nga fundi i kampionatit”.

SHTYRJA E NDESHJES – “Vendimi ishte i detyruar. Nuk m’i ka prishur planet. Kam diskutuar edhe unë përsa i përket kësaj çështje. Kishim probleme për shkak se kishim lojtarë në kombëtare. Disa ditë më shumë stërvitje me grupin ishte më mirë”.

PARTIZANI I VËRTETË – “Nesër do të kemi një numër të madh lojtarësh dhe më shumë mundësi zgjedhjesh. Partizanin e vërtetë e kam parë edhe në ndeshjet e tjera, nuk e di në çfarë kuptimi e keni.  Partizani më i bukur, më i fortë? Jam i kënaqur me grupin e lojtarëve. Edhe kur kemi pasur dëmtime, ata që i kanë zëvendësuar kanë dhënë më të mirën. Jam i kënaqur me atë që kanë bërë”. /abcnews.al

Lerda.png
Vladimir Prenga11:32 | 23/11/2019

Partizani i këtij sezoni nuk po gjen qetësi, edhe pse pas 12 javësh kampionat renditet në vendin e parë. Trajneri Frenco Lerda ka qenë disa herë protagonist, teksa është kapur me lojtarët dhe pas ndeshjes me Kukësin pati një incident edhe me Dritan Mehmetin, ndihmësin e italianit që pas asaj ngjarjeje kaloi te PartizaniB.

Në klubin e kuq nuk e kanë anashkaluar atë që ka ndodhur dhe sipas asaj që raporton “Newsport.al”, Lerda është gjobitur. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, që kap shifrën e 7 mijë eurove. Sigurisht që trajneri i “demave” nuk e pa pritur mirë vendimin.

Artikulli mbi gjobën e Lerdës vijon me një tjetër detaj interesant dhe që vë në dukje sjelljen e italianit në seancën e djeshme stërvitore. Italiani raportohet të ketë qëndruar gjithë kohën në cepin e fushës dhe më pas është larguar menjëherë.

Ditën e nesërme, në konferencën e zakonshme për shtyp, Lerda do të mund të flasë edhe për këtë çështje që nuk i takon fushës së blertë. Sigurisht nëse ai dëshiron ta bëjë diçka të tillë. /abcnews. al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga13:23 | 09/11/2019

Franco Lerda, trajneri i Partizanit, ka dalë para ndeshjes me Flamurtarin në konferencë për shtyp dhe ka folur për sfidën e radhës, kundërshtarin, situatën e lojtarëve të tij dhe për kushtet atmosferike në të cilat do të zhvillohet takimi i ditës së nesërm me kuqezinjtë.

IMPENJIMI – “Djemtë e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjes, Është e vërtetë se kur përballet skuadra e vendit të parë me vendin e fundit, sigurisht që rrezikohet të ketë nënvlerësim. Duke respektuar kundërshtarin, ne do të arrijmë të marrim maksimumin nga ky takim. Të bëjmë më të mirën që dimë të bëjmë. Për sa i përket rezultatit, do të varet nga episodet e lojës dhe gjërat e tjera brenda fushës.

PIKA E FORTË E FLAMURTARIT – “Në ndeshjen e parë fituam në inferioritet numerik, pasi ishim me 10 lojtarë. I pashë në ndeshjen me Kukësin dhe nuk e meritonin të humbnin. Bënë një ndeshje të mirë. Kanë lojtarë ekspertë në sulm dhe me eksperiencë. Duhet të mos iu lemë hapësira për të na goditur.

MOMENTI I SHKËPUTJES – “Momenti për ne është që të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës. Ndeshja e radhës është momenti ynë. Duhet të fokusohemi vetëm që të marrim 3 pikët e radhës, ky është momenti ynë”.

FORMACIONI – “Le të themi se kemi pasur një javë stërvitje, i kam parë lojtarët dhe në bazë të asaj që shoh vendos kush është më gati për të luajtur. Ndryshimet janë në kuptimin e formës së lojtarëve. Stërvitjet janë banka e provës për lojtarët”.

KUSHTET ATMOSFERIKE – “Këtë javë kemi punuar në fushë sintetike dhe nuk kemi pasur probleme. Më kanë thënë që nesër terreni do jetë i mirë. Shpresoj edhe kushtet atmosferike të jenë të mira dhe një fushë e mirë do na mundësonte të bënim një lojë të mirë në aspektin teknik.

FLAMURTARI, SI LUFTËTARI – “Nuk mund ta them, çdo skuadër ka karakteristikat e veta në bazë të lojtarëve dhe trajnerit. Nuk ka skuadra të njëjta, ka situata të ndryshme”.

RËNDDËSIA E GOLIT TË PARË – “E vërtetë që goli i parë e hap ndeshjen. Me të tilla skuadra është shumë e vështirë derisa shënon. Kur shënon bëhet më e lehtë. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Me Kukësin ata kanë pasur shumë raste për gola, edhe pse pësuan. Nuk është ekip i lehtë që mund ta dominosh. Duhet impenjim maksimal për të zhbllokuar ndeshjen dhe për ta menaxhuar. Janë ndeshje delikate. Ky kampionat është ndryshe nga të tjerët, nëse e krahasojmë me Italinë. Nuk ka diferenca. Duhet të respektojmë veten dhe kështu respektojmë edhe kundërshtarin. Përballjet e vendit të parë me të fundit janë delikate”.

SOLOMON – “Nuk po ndodh asgjë, po kryen terapi. Për momentin nuk e di kur do të rikthehet, pas tre javësh, një, apo dy. Do e shohim hap pas hapi. Kote ka pasur një problem me gjurin, kurse Hakaj ka një ftohje. Do bashkohen me skuadrën kur të jenë gati”. /abcnews.al

lerda-1280x853.jpg
Vladimir Prenga12:06 | 02/11/2019

Franco Lerda, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Luftëtarin ka dalë para mediave dhe ka folur për çështje të ndryshme. Mes tyre ai foli edhe për lëvizjet e fundit në staf dhe kërkoi përqendrim nga skuadra e tij për ndeshjen e radhës me Luftëtarin.

“Jemi të qetë, kemi punuar mirë. Ka qenë një vendim i klubit për të bërë lëvizjet në staf. Çdo gjë funksion normalisht. Kalarin e njoh, e kam takuar kur kam parë Partizanin B. Aty kalonim lojtarë dhe kemi folur. Është djalosh inteligjent, i cili ka dhënë për klubin dhe i njoh djemtë. Mendoj se do të jetë ndihma e madhe për mua. Do të jetë bashkëpunëtori im, i cili do të më japë ndihmën e tij”.

“Largimi i Mehmetit? E thashë, ka qenë një zgjidhje e klubit. Klubi vendosi për të mirën e Partizanit. Nuk shoh TV dhe as lexoj gazeta. Nuk ndikohemi nga lajmet që dalin. Punojmë dhe shohim punën tonë. Fokusi është te skuadra, nuk mendojmë çfarë flitet jashtë familjes tonë”.

Kalari në seancën e parë si zëvendëstrajner

“Pritshmëritë? Pres një paraqitje të mirë, siç bëmë me Kukësin. Normal me pak fat më shumë, me më shumë kualitet në disa momente të lojës. Rruga është e duhura, jemi mirë fizikisht dhe mendërisht. Mendoj të vazhdojmë me këtë ecuri”.

“Në ndeshjen e parë me Luftëtarin shënuam vetëm një gol. Kishim raste, por nuk ishim të saktë para porte. Po punojmë të përmirësohemi në këtë aspekt, pasi na ka penalizuar pak. Krijojmë raste, bëjmë lojë, por gabojmë në finalizim ose në pasimin e fundit ndonjëherë. Duhet t’i zgjidhim ndeshjet sa më shpejt”.

“Rotacion? Të gjithë kanë pasur mundësi të luajnë. Kemi pasur probleme me Koten, Telushin, Solomon. Kjo ka bërë që të luajnë lojtarë të tjerë. Solomon dhe Kote nuk do të jenë sërish, është rikthyer Telushi për ndeshjen me Luftëtarin”.

“Partizani, skuadra më e fortë? Unë kam besim te skuadra. Paraqitja me Kukësin më ka bërë krenar dhe ma ka shtuar besimin. Nëse vazhdon të paraqitet kështu, mendoj se mund të bëjmë mirë. Nuk anashkalojmë skuadra si Kukësi dhe Tirana, ashtu sikurse edhe Bylisin. Kemi të bëjmë me një kampionat të vështirë”.

“Rivali më i fortë? Të gjitha ekipet i vlerësoj maksimalisht, nuk i druhem asnjë ekip. Duhet të kemi respekt për veten dhe të japim maksimumin. Nëse bëjmë këtë, atëherë jemi në rrugën e duhur. E thashë, tre skuadrat më lart janë të forta. Bylisi është një surprizë, nuk e di nëse do të vazhdojnë kështu deri në fund”.

“Kalendar i favorshëm? I shohim ndeshjet një nga një. Fillimisht mendojmë për sfidën e nesërme. Çdo gjë hap pas hapi. Kjo është metoda ime e punës. Kalendari nuk të jep pikë, t’i jep fusha, ndeshjet. Të shohim çfarë ndodh nesër, më pas shohim ndeshjen tjetër. Shoh vetëm kundërshtarin e radhës, sipas kalendarit”.

“Duhet përqendrim maksimal, pavarësisht se luajmë ndaj Luftëtarit. Kur luhet ndaj ekipeve si Kukësi e Tirana përqendrimi vjen vetvetiu. Edhe në këto sfida duhet të jetë i njëjtë përqendrimi”.

“Skema me 10 ekipe? Është e vështirë, pasi skuadrat të njohin më mirë. Duhet të punojmë dhe të shohim situatat që ndryshojnë. Janë katër ndeshje. Për mua është diçka e re diçka e tillë”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono