franca

aaaa1.jpg
G. P.14:12 | 26/09/2018

Në një analizë të gjatë Deutche Velle shkruan se Gjermania dhe Franca me anë të një apeli të përbashkët, kanë kërkuar çarmatimin e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.

Në Ballkanin Perëndimor gjashtë milionë armë të vogla zjarri ndodhen jashtë kontrollit të autoriteteve. Është koha për të çarmatosur qytetarët në Ballkanin Perëndimor që zotërojnë ilegalisht armë.

Kështu nis shkrimi i Deutsche Welle, duke shtuar se një nismë e përbashkët e Gjermanisë dhe Francës, në kuadër të Procesit të Berlinit, synon të mbështesë gjashtë vendet e rajonit, që deri në vitin 2025, të kenë reduktuar në mënyrë të ndjeshme tregtinë e paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta. Synimi është mjaft ambicioz po të kihet parasysh që bëhet fjalë për disa miliona armë të tilla, që janë jashtë kontrollit të autoriteteve, shkruhet më tej.

Raporti i fundit i Zyrës për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug-Lindore dhe Lindore vlerëson se në Ballkanin Perëndimor ka rreth 6 milionë armë të vogla dhe të lehta që janë në duar të popullsisë në mënyrë ilegale. Nisma franko-gjermane është miratuar nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në samitin e Londrës në Korrik dhe muajt e fundit me konferenca kombëtare në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.

Marcus Bleinroth, Drejtor në Drejtorinë për Kontrollin e Armëve Konvencionale pranë Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Jashtme tha, se qëllimi i nismës franko- gjermane është “më shumë siguri për rajonin, më shumë siguri për BE”. “Armët e përdorura në sulmin terrorist në Bataclan, në Francë, në Janar 2015, e kishin origjinën nga Ballkani Perëndimor. Prandaj synojmë të reduktohet në maksimum trafiku i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta, të mblidhet gjithë stoku i armëve të tilla, që fenomeni të mos bëhet pengesë në procesin e pranimit të vendeve të BP në BE”, theksoi Bleinroth./abcnews.al

azil.jpg
G. P.15:28 | 25/09/2018

Franca është shteti që ka marrë më shumë kërkesa për azil nga Shqiptarët, Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2018 aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018, numri në total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil llogaritet 8040.

Franca është kërkuar edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, nga 38 përqind e shqiptarëve apo rreth 1495 aplikues. Në vend të dytë për numër të lartë aplikuesish, ndryshe nga tremujorët e kaluar, renditet Greqia, me rreth 20% të kërkesave për azil apo 800 aplikues.

Ndërsa në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë tremujorit të dytë kanë aplikuar për azil rreth 500 shqiptarë, apo 13% e totalit. Gjatë tremujorit të dytë të 2018-s në të gjithë Bashkimin Europian u regjistruan 136,700 azilkërkues për herë të parë. Krahasuar me një tremujor më parë, numri i azilkërkuesve në BE u rrit me 4%.

Numri më i lartë i azilkërkuesve vjen nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Ndërkohë që këtë tremujor, numër të lartë aplikuesish për herë të parë ka edhe Venezuela, vend i cili po përjeton një krizë të fortë ekonomike.

Pjesa më e madhe e aplikimeve janë regjistruar në Gjermani, Francë dhe Greqi. Ndërsa Eurostat raporton se janë ende në pritje afërsisht 1 milion aplikime për azil./abcnews.al

MBULIM-MACRON-MAQEDONI-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.13:49 | 22/09/2018

Presidenti francez Emanuel Makron ka përgatitur një video – mesazh për qytetarët e Maqedonisë në prag të referendumit të 30 shtatorit për çështjen e emrit. Ndonëse nuk ka mundur të vizitojë Maqedoninë si e kanë shumë zyrtarë të lartë botërorë në prag të mbajtjes së Referendumit, ai ka zgjedhur një video mesazh ku i është drejtuar qytetarëve, që të përkrahin procesin e Referendumit pasi sipas tij me këtë rast shprehet besimi i plotë për të ardhmen e vendit dhe shprehet njëkohësisht edhe urtësia e qytetarëve./abcnews.al

fifa.jpg
G. P.22:09 | 20/09/2018

Franca dhe Belgjika bëjnë histori duke u pozicionuar të dyja në vendin e parë të renditjes së FIFA-s.

Për herë të parë në historinë 25-vjeçare të renditjes që FIFA bën për skuadrat kombëtare, në vend të parë janë 2 skuadra. Me pikë të barabarta Franca dhe Belgjika kryesojnë këtë renditje pak muaj pas përfundimit të botërorit dhe menjëherë pas nisjes së kompeticioni europian të ligës së kombeve.

Në gjysmëfinalet e Rusisë belgët u mundën ga franca ndërsa arritën të zinin vendin e tretë. Në miqësoren e para paj ditëve mundën Skocinë 4-0 dhe më pas fituan edhe me Islandën 3-0.

Ndërsa Franca, barazoi pa gola me gjermaninë dhe më pas fitoi 2-1 me Holandën në grupin A1 të Ligës së Kombeve. Edhe pse dështoi në botëror Gjermania është ngjitur 3 pozicione. Kombëtarja shqiptare ka fituar një vend dhe ndodhet në pozicionin e 57 ndërsa Skocia rivale për Ligën e kombëve ndodhet në të 39, Izraeli në të 94./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-18-19h11m38s726-1280x819.png
G. P.09:20 | 19/09/2018

Rrëzimi i avionit rus në Siri ka futur në sherr Parisin me Moskën. Kremlini ka konsideruar përgjegjëse një frigatë franceze për incidentin, ndërkohë që diplomacia franceze ka reaguar duke deklaruar se makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli.

Franca ka akuzuar të martën Rusinë se ka përhapur lajme të rreme, pasi Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se një frigatë franceze në Mesdhe kishte qëlluar raketa ndaj Sirisë. Ministria deklaroi fillimisht se një avion rus ishte rrëzuar nga avionët izraelitë dhe se sistemi rus i kontrollit kishte zbuluar raketa të qëlluara nga frigata franceze “Auvernje”.

Por më vonë i njëjti dikaster bëri me dije se avioni ishte qëlluar nga sistemet siriane anti-raketë, si pasojë e një sërë rrethanave që presidenti Putin i cilësoi të rastësishme dhe tragjike. “Makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli, duke akuzuar Francën se ka qëlluar një avion luftarak rus, që në të vërtetë ishte qëlluar nga zjarri aleat i Sirisë”, ka deklaruar ambasadori francez në Uashington, Zherard Araud.

Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë franceze ka mohuar që Franca të jetë përfshirë në incident dhe që të ketë qëlluar raketa drejt Sirisë. Sidoqoftë, mediat ruse kanë vijuar me lajmet që ia atribuonin përgjegjësinë e incidentit palës franceze. Një ekspert ushtarak ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Tass” se Parisi zyrtar është pjesërisht fajtor për shkak se kishte qëlluar raketat që sipas tij ndërlikuan rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit. Ndërkohë, Presidenca, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes në Paris nuk i janë përgjigjur ende akuzave të Moskës./abcnews.al

giroud.jpg
ent ela19:24 | 10/09/2018

Franca e nisi me fitore Ligën e Kombeve, duke mundur Holandën në Paris. Kampionët e botës festuan edhe fitoren në Rusi, përballë 80 000 spektatorëve të tyre.

Ishte një mbrëmje që duhej bërë kujdes për të mos u prishur.

Më shumë sesa sfida e parë e Ligës së Kombeve, ngjarja në “Stadë dë Frans” u duk më shumë si një ceremoni solemne për kremtimin e triumfeve historikë.

Holanda, rivalja e Francës, duhej të priste derisa ky kremtim të konsumohej, me paradën e trofeut të Kupës së Botës fituar në Rusi, me banderolën e madhe në fushë ku shkruhej “kampionët e botës” , e derisa të përfundonte ekzekutimi i himnit, “Marsejezës”.

Të 80 000 spektatorët në tribuna u mbushën me lumturi e krenari në ato pak minuta festë, veçse ndeshja ndaj holandezëve nuk shkoi aq “fjollë”.

Vërtet, Franca fitoi 2-1, por vetëm pasi Rajan Babel barazoi në pjesën e dytë, golin e avantazhit të parë francez me autor Kilian Mbapenë.

Minutat ishin 14 për Mbapenë e 67 për Babelin, ndërsa në të 75-ën fitorja erdhi nga ai që nuk pritej, nga sulmuesi “që nuk shënon kurrë”, Olivie Zhiru.

Njeriu i Çelsit arriti në 32 rrjeta në kombëtare, një më shumë se Zinedin Zidan, i katërti i të gjitha kohëve, edhe pse është ende larg më të mirëve si Mishel Platini me 41 gola dhe rekordmeni Tieri Henri me 51.

Gjithsesi, më i miri i kampionëve të botës ishte si përherë, Mbape.

Sulmuesi që tashmë është 20 vjeç po kthehet dalë nga dalë në liderin e skuadrës, dhe në njeriun më të rrezikshëm përpara portave kundërshtare, me shpejtësinë dhe cilësinë e tij.

Kampionët e botës e nisën Ligën e Kombeve me fitore, ndërsa Holanda e trajnerit Koeman duket e përmirësuar, por ende larg kohëve të saj të arta. /abcnews.al

5a3788854aa6b59d188b5591-750-563.jpg
G. P.13:39 | 07/09/2018

Ministri i Brendshëm i Francës Gerard Kolomb, kritikoi kerun e Elizesë Makron duke thënë se atij i mungonte përulësia. Ndërsa qeveria prej kohësh është larguar shumë nga populli i cili e zgjodhi.

Nuk kanë të mbaruar problemet për presidentin francez Emanuel Makron, disa e braktisin ndërsa të tjerë e kritikojnë publikisht. Dhe të gjithë këta janë ministrat e tij. Makron është gjithnjë e më i vetmuar ndërsa rënia e popullaritetit vazhdon. Ditët e fundit për arsye të ndryshme dhanë dorëheqjen ministri për ekologjinë dhe ajo e sportit duke vënë në vështirësi ekzekutivin duke bërë të domosdoshëm ndryshime në poste.

Por tashmë është ministri i brendshëm Kolomb, i cili në një intervistë për BFMTV u shpreh se rënia e popullaritetit të presidentit është një fakt mbi të cilin duhet reflektuar. Më tej ai shtoi se ekzekutvit i mungon përulësia, por mediat franceze shkruajnë se kjo kritikë është për Emanuel Makron.

Sipas tij, një nga problemet e kreut të Elizesë është se nisi të mendonte se ishte i përsosur dhe kur kjo ndodh nuk pranon kritika.
Por ish-kryebashkiaku i Lion kritikoi dhe largësinë e ekzekutivit nga populli./abcnews.al

GJERMANI-FRANCE-BARAZIM.mpg_snapshot_00.07-1280x673.jpg
G. P.10:52 | 07/09/2018

Gjermania dhe Franca u ndanë në barazim pa gola në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, në Mynih. Vendasit treguan se e kanë lënë pas dështimin e Botërorit.

Tifozët mund të jenë të lehtësuar, ose të paktën mund të marrin frymë më lirshëm. Dështimi në Botëror mund të ketë qenë thjesht një moment “JO” për Gjermaninë, dhe aspak një krizë afatgjatë. Të paktën, kështu tregoi ndeshja ndaj Francës kampione në “Alianc Arena” të Mynihut. Të besuarit e trajnerit Joakim Lëv, jo vetëm nuk ishin siç u panë në Rusi, por as nuk e ndjenë mungesën e Mesut Ozilit, duke u ndalur nga një lojtar i vetëm.

Ky lojtar ishte portieri rezervë francez, Alfrons Areola i PSG-së, që zuri vendin e Jorisit të dëmtuar. Ai bëri pritje të mëdha ndaj Vernerit, Rojsit, Humelsit, Mylerit apo Ginterit. Gjermania pati mundësi të tjera, në takimin që përfundoi 0-0 dhe që vlente për Ligën e Kombeve, të cilin në gjuhën e boksit mund të thuhet se e fitoi “me pikë”. Mbape e Grizman patën mundësi për Francën, që luajti ashtu si në Botëror, duke pritur në mbrojtje e duke kërkuar shpejtësinë e jashtëzakonshme të Kilian Mbapesë në kundërsulm.

Një barazim jashtë fushe, në një kompeticion zyrtar, padyshim që mund të quhet i mirë, dhe kështu duhet të jetë edhe për Francën, veçse më të lumtur duhet të jenë gjermanët që ndoshta e lanë pas dështimin e madh në Botëror./abcnews.al

france.jpg
G. P.18:03 | 06/09/2018

Gjermania ndeshet sot me Francën, në sfidën e parë të Ligës së Kombeve. Një duel klasik, ku francezët vijnë si kampionë të botës, dhe gjermanët pas dështimit në Rusi.

Vëmendje kishte, por rikthimi ishte me kokën ulur. Kombëtarja e Gjermanisë, tashmë e shkurorëzuar, u grumbullua për herë të parë pas dështimit në Botëror, ndërsa afron sfida ndaj Francës në Ligën e Kombëve. Trajneri Joakim Lëv, për të cilin u kërkua shkarkimi pak javë më parë, mendon se gjithsesi, nuk duhet të ketë ndryshime të shumta. Mes lojtarëve të thirrur për Francën, ka vetëm 5 që nuk ishin në Rusi.

“Ne e analizuam atë që ndodhi, – u shpreh ai, – dhe lojtarë me përvojë si Humels, Boateng, Kros e Myler, i duhen kombëtares. Ata nuk luajtën siç duhet në Botëror, por prej shumë vitesh e kanë treguar sesa vlejnë. Mos harroni, ne fituam 10 ndeshje eleminatore para Botërorit”.

Lëv hodhi poshtë mundësinë e rikthimit të Mesut Ozilit, që u tërhoq nga kombëtarja, veçse Gjermaninë e presin probleme të tjera ndaj kampionëve të botës. Një i tillë është Leroi Sane, lojtari ofensiv i Mançester Sitit, i cili u kritikua nga Toni Kros për mentalitetin që po tregon.

“Duket sikur atij nuk i bëhet vonë nëse ne fitojmë apo humbim, – u shpreh mesfushori i Realit, – të paktën, kjo duket nga pamja e tij, dhe kjo duhet të ndryshojë”.

Franca, ndërkaq, ka bërë edhe më pak ndryshime. Kampionët e botës do të kenë thjesht dy portierë të ndryshëm, me kapitenin Joris të dëmtuar. “Gjelat” mbërritën si favoritë në Mynih, siç e pohoi edhe Lëvi. Ata u stërvitën në stadiumin e Bajernit, dhe nuk pritet që ta ndryshojnë stilin e tyre të lojës, me kundërsulmin e rrufeshën që i dha rezultat në Rusi.

“Titulli i fituar në Botëror nuk na bën që t’i fitojmë ndeshjet automatikisht, por gjithsesi na jep besim, – u shpreh trajneri Deshamp, – fizikisht nuk jemi ende aty ku duket, pasi lojtarët e nisën stërvitjen vonë. Sa për Gjermaninë, ajo ishte kampione e botës, dhe ishte favorite në Botëror. Edhe pse dështoi, ka gjithë cilësinë e duhur, dhe ka respektin tonë maksimal”.

Gjermania dhe Franca luajnë sonte, në 20:45, në ndeshjen e parë të nivelit A të Ligës së Kombeve. Gara e re e krijuar nga UEFA ka pamjen e një kampionati me disa nivele, dhe bashkë me gjermanët e francezët, luajnë Italia, Anglia, Spanja, Kroacia, Holanda apo Belgjika./abcnews.al

erdogan-sot-betimi.jpg
G. P.17:10 | 29/07/2018

Erdogan ka njoftuar se po organizon një samit mes Turqisë, Gjermanisë, Francës dhe Rusisë për të trajtuar çështjet rajonale. Një ndër temat kryesore pritet të jetë kriza në Siri. Samiti pritet të zhvillohet në Shtator.

Turqia po planifikon mbajtjen e një samiti në Stamboll më 7 Shtator mes Francës, Gjermanisë dhe Rusisë për të diskutuar çështjet rajonale duke përfshirë edhe konfliktin në Siri. Lajmi sipas së përditshme turke Hurriyet është bërë i ditur nga vetë Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.

“Ne do të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë së bashku në rajon”, shtoi kreu i shtetit pa dhënë detaje të mëtejshme rreth samitit apo çështjeve që do të adresoheshin.

Sipas presidenti turk, i cili deklaratat i bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët turq gjatë udhëtimit të tij në Afrikën e Jugut, shtoi megjithatë se Turqia do të vazhdonte dialogun me Rusinë “jashtë këtij formati mes 4 vendeve.”  Erdogan zhvilloi bisedime në Johanesburg me presidentin rus Vladimir Putin në samitin e vendeve në zhvillim, të BRICS të përbërë nga: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Presidenti turk ishte ftuar në këtë takim si të tjerët udhëheqës nga vendet jo anëtare.

“Do të kemi veç një takim në Stamboll më 7 Shtator me Rusinë, Gjermaninë, Francën dhe Turqinë”, tha Erdogan i cituar nga shtypi turk.

Asnjë konfirmim nuk ka ardhur ndërkohë nga Moska, Parisi apo Berlini. Që nga fillimi i krizës siriane në vitin 2011, Turqia ka mbështetur rebelët që kërkojnë të rrëzojnë presidentin Bashar al-Assad, të cilin Rusia dhe Irani e mbështesin ushtarakisht./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono