fonde

alb.jpg
G. P.14:18 | 25/11/2018

Gjermania kthehet në donatorin më të madh të Shqipërisë. Fokusi i fondit të ri, 164,4 milionë euro do të jetë ekonomia, përmirësimi i jetës së njerëzve, ndihmesa për integrimin në BE e projekte rajonale.

Një fond prej 164,4 milionë eurosh, që Qeveria Federale do t’i lëvrojë Shqipërisë për periudhën 2019 -2021, është publikuar në përfundim të bisedimeve qeveritare mes dy vendeve për politikat në zhvillim të enjten (22.11). Bisedimet u zhvilluan në Tiranë, të kryesuara për palën shqiptare nga Ministri i Finanacave, Arben Ahmetaj, dhe palën gjermane nga Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik  dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider.

Në një njoftim për shtyp nga Ambasada Gjermane në Tiranë, bëhet e ditur që  krahas fondit të përmendur më lart,  Banka Gjermane për Rindërtim, KfW, do të lëvrojë, për Ministrinë e Financave në Shqipëri, një kredi prej 100 milionë eurosh. Prej korrikut 2016 Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar në donatorin e saj më të madh bilateral.

„Shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj”, tha pas përfundimit të bisedimeve qeveritare, Ambasadorja Gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Fondet gjermane në fokus – përmirësimi i jetës së njerëzve, integrimi në BE

Gjermania do të lëvrojë fondin prej 164.4 milionë eurosh për projekte të përbashkëta gjermano-shqiptare në sektorët e energjisë, ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit ekonomik. Por edhe për zgjerimin e bashkëpunimit me vendet fqinje në kuadër projektesh rajonale, që lidhen me procesin e integrimit evropian, luftën kundër krimeve të rënda, pastrimin e detit dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider, është shprehur, se „për ne është e rëndësishme që, nga njëra anë të përmirësojë në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së njerëzve me projekte në furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojë institucionet shqiptare duke i bërë të afta për në BE. Gjithashtu Gjermania kontribon që Shqipëria të përballet me sfidat së bashku me fqinjët e saj, që brezat e ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor të trashëgojnë perspektivën për një jetesë të mirë dhe në paqe.”

Schütz – Në pritje të vendimit të BE për negociatat

Mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik është më tepër se fondet financiare.  Ambasadorja gjermane Susanne Schütz vuri në dukje se „Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale, por ne jemi gjithashtu edhe një konsulent  kritik. Ne, inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”.

Gjermania – donatori më i madh bilateral i Shqipërisë

Ky vit është viti i 30 vjetorit të marrdhënieve ekonomike për zhvillim Gjermani-Shqipëri. Gjermania ishte vendi i parë, që lidhi marrëdhënie të bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë në vitin 1988. Që atëhere dhe deri më sot Gjermania ka vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë rreth 1 miliardë Euro, duke u bërë vendi donator më i madh bilateral i Shqipërisë. Pjesa më e madhe e projekteve zbatohen përmes GIZ-së dhe KfW, por edhe përmes organizatave joqeveritare dhe fondacioneve politike gjermane Konrad Adenauer, Friedrich Ebert dhe Hanns Seidel. Bashkëpunimi për  Zhvillim është fokusuar kryesisht në energji, ujë, ujësjellës, mbetje, arsimi professional, mbështetje e sipërmarrjeve të reja, nxitje e zhvillimit rural e përshtatjee legjislacionit ekonomik me Acquis./Deutsche Welle

gruevski.png
G. P.13:06 | 11/10/2018

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka ngritur 6 çështje të reja për anëtarë të shumë të ish qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Ndër të akuzuarit ka përfundur dhe vetë ish kryeministri, si dhe eksponenti i BDI-së, Bujar Osmani.

Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani. Sipas Prokurorisë Speciale Publike, për ta dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro. Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Publike, bëhet fjalë për dyshime të bazuara në shpërdorimin e detyrës zyrtare.

Nga 6 rastet e reja të hapur, Gruevski rezulton i përfshirë në 3 prej tyre. Përkatësisht në rastin e quajtur “Propaganda”, “Harmonia” dhe “Pacienti”. Ish kryeministri maqedonas akuzohet për shpërdorim fondesh publike dhe aktivitet kriminal.

Në rastin “Pacienti” ekzistojnë dyshime të bazuara për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve në procedura për furnizime publike për realizimin e rikonstruksioneve të shumë institucioneve shëndetësore të Maqedonisë.

Përveç Gruevskit, në këtë hetim janë të përfshirë 15 persona mes të cilëve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani. Ky i fundit, në një reagim me shkrim, tha se ishte i befasuar nga informacioni mbi hetimet.

Osmani thotë se gjithmonë ka punuar sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ndërkohë, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela kërkoi që kryeministri Zoran Zaev të shkarkojë Osmanin për shkak të akuzave të ngritura për shpërdorim të buxhetit të shtetit, në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë./abcnews.al

SHBA-PALESTINA.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.14:20 | 25/08/2018

Me urdhër të presidentit Trump, Uashingtoni ka ndërprerë ndihmën financiare prej 200 milionë dollarësh për Palestinën, një lëvizje kjo që pritet të dëmtojë më tej marrëdhëniet e përkeqësuara pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ndërprerjen e ndihmës prej 200 milionë dollarë të parashikuar për territoret e Gazës dhe Bregut Perëndimor në Lindjen e Mesme. Një burim nga Departamenti i Shtetit ka deklaruar se, presidenti ka kërkuar që ndihma në fjalë të shkojë diku tjetër, ku të përkojë me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet mes palestinezëve dhe Amerikës janë acaruar që kur Trump mori pushtetin dhe u përkeqësuan pasi Uashingtoni njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në dhjetor të 2017-s.

Atëherë palestinezët deklaruan se Amerika nuk mund të vazhdojë më rolin e ndërmjetësit të procesit të paqes dhe ndërprenë kontaktet me të. Nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara ndërprenë edhe fondin prej 65 milionë dollarësh që derdhej pranë OKB-së për Palestinën. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se Shtëpia e Bardhë dëshiron që t’i drejtojë fondet në çështje më prioritare, por nuk saktësoi se për cilat bëhet fjalë. Si palestinezët ashtu edhe OKB paralajmëruan se ndërprerja e ndihmave do të vështirësojë jetën e përditshme të qytetarëve në territoret e Lindjes së Mesme./abcnews.al

fondii.jpg
G. P.13:29 | 27/07/2018

822 mijë euro kanë lëvruar qeveria zvicerane dhe ajo austriake për përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike të komuniteteve lokale. 16 bashki në katër rajonet e Shqipërisë janë shpallur përfituese të granteve, të cilat do t’i  investojnë në arsim, turizëm, sport, kulturë e infrastrukturë komunitare.

Projektet u përzgjodhën mes 47 aplikimesh dhe u prezantuan në një aktivitet nga Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri në bashkëpunim me katër Agjencitë e Zhvillimit Rajonal.

Drejtuesi i Programit për Zhvillimin Rajonal në vendin tonë, Carl Heller, u ndal në rëndësinë që ka zhvillimi i rajoneve të forta në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Reduktmi i pabarazive në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta përmes mirëpërdormit të potencialeve që gëzojnë mund të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët”, u shpreh Heller./abcnews.al

KLOSI-NE-BELSH-1280x720.jpg
ent ela15:57 | 25/03/2018

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u bëri thirrje banorëve të Belshit që të aplikojnë për mbështetje financiare pikërisht nga fondet shtetërore të agroturizmit. Këtë mbështetje financiare që shkon deri në 200 milion lekë të vjetër për çdo përfitues, e marrin ata që zhvillojnë një produkt tradicional shqiptar, apo ngrenë struktura turistike me karakterista lokale.

Shafrani po zë vend në Belsh.Kjo bimë dhe produkte të tjera lokale kanë nisur të shndërrohen në biznesin e shumë familjeve, qyteza turistike përgjatë liqeneve të të cilit janë duke u zhvilluar edhe bujtina dhe guesthouse turistike.

Në panairin lokal të Belshit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i njohu banorët e zonës me fondet në dispozicion të agroturizmit gjatë një takimi me komunitetin dhe përfaqësues të pushtetit lokal, Bashkimit Europian në bashkinë e Belshit në kuadër të projektit “Bashkitë në BE”.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u bëri thirrje banorëve të aplikojnë për mbështetje financiare pikërisht nga fondet shtetërore të agroturizmit. Këtë mbështetje financiare që shkon deri në 200 milion lekë të vjetër për çdo përfitues, e marrin ata që zhvillojnë një produkt tradicional shqiptar, apo ngrenë struktura turistike me karakterista lokale.

“Të kemi mundësi që politikat tona për agroturizmin, me lehtësirat fiskale për ata që duan të ndërtojnë hotele me një numër të konsiderueshëm dhomash por jo më tepër sesa 30 dhoma, për të mos qenë mbi kapacitetet standarte të agroturizmit, ata që do të kenë një fermë që do të punojnë me produktet e tyre të brendshme ata që do të kenë një restorant apo pikë kulinarie e cila shërben për turizmin, do të marrin statusin e agroturizmit dhe më pastaj ky status do ta ndihmojë me politika fiskale, me politikat mbështetëse nga programet qeveritare për tu shndërruar në një destinacion jo vetëm turistik, por për t’u shndërruar  edhe në një fabrikë ku njerëzit punojnë më shumë, në një fabrikë idesh, në një fabrikë që prodhon e konsumon produkt”.

Ministri Klosi nënvizoi se pas Rilindjes Urbane që e ka shndërruar bashkinë e Belshit në një bashki europiane, programi  “100 fshatrat turistikë” do të rikthejë vëmendjen te fshati. Politikat për agroturizmin, do të bëjnë të mundur që  fshatrat me pasuri natyrore, historike dhe tradita në prodhime shqiptare, të zhvillojnë ekonominë lokale.  Ministri Klosi theksoi se ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të mjedisit, do të arrihet përmes zbatimit të politikave të qeverisë shqiptare.

“Investimi i bërë në bashkinë e Belshit e ka transformuar atë në një bashki realisht të bukur europiane, por ne kemi nevojë që të rikthejmë vëmendjen shumë më tepër edhe nga fshati. Prandaj Rilindja Rurale me projektet e saj të “100 fshatrave” ka marrë një zhvillim të madh duke u përpjekur që në 100 fshatrat e parë, një nga të cilët është fshati që ne vizituam të jenë si magnete  për të ndërtuar një politikë të ngjashme edhe në fshatra të tjerë;  pra kush janë ato zona komunitare që prodhojnë histori, dhe fshati Deferan ka historinë e vjetër përsa i përket zbulimeve  arkeologjike, ka bukurinë natyrore ka njerëzit e shkëlqyer që janë futur në biznesin e agroturzimit me guxim dhe sot ka mundësitë që të shndërrohet në një nga pikat më të bukura të qarkut të Elbasanit  dhe të jetë një nga pikat më të bukura të Shqipërisë”.

Ministri Klosi u Në fshatin Seferan pasi panë investimet dhe bukuritë natyrore ministri Klosi së bashku me deputetin Ulqini, kryetarin e Bashkisë, e përfaqësues të projektit të BE,  mbollën disa fidanë të rinj. /abcnews.al

 

vlcsnap-error168-1280x720.jpg
ent ela13:44 | 08/02/2018

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka publikuar një analizë për fondet e Bashkimit Europian që kanë shkuar për rajonin e Balllkanit Perëndimor. Sipas të përditshmes gjermane, Serbia është përfituesi më i madh i ketyre fondeve.

“Ballkani Perëndimor përfiton miliarda nga Bashkimi Europian”. Kështu titullohet një analizë e “Frankfurter Allgemeine Zeitung, FAZ”, në të cilën parashikohet se strategjia e re e Unionit ndaj vendeve të Ballkanit do të kushtojë shumë para. Gazeta gjermane rendit Serbinë dhe Malin e Zi, si dy vende me potencialin më të madh në rajon që kanë një shans real për anëtarësim në BE deri në 2025. Dhe për të mbështetur këtë, “FAZ” shkruan se për të siguruar një tranzicion të butë në anëtarësim, financimi adekuat është i domosdoshëm.

“Komisioni propozon rritjen e asistencës së para-aderimit (IPA) deri në vitin 2020. Deri më tani, ndërmjet 2018 dhe 2020, 1.7 miliardë euro janë rezervuar për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti i strategjisë përmend se 1.07 miliardë euro do të shpërndahen vetëm në vitin 2018, ndërsa 600 milionë eurot e mbetura për 2019 dhe 2020”, nënvizon e përditshmja.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson se edhe pa rritjen e investimeve, rajoni tashmë ka konsumuar miliarda para të tatimpaguesve të BE-së. Në periudhën e financimit “IPA” 2007-2017, Komisioni ka shpërndarë 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Sipast gazetës gjermane, Serbia, që konsiderohet si vendi kandidat që është më afër anëtarësimit në BE, është përfituesi më i madh i këtij fondi. Më saktësisht qeveria e Beogradit përfiton mesatarisht 207 milion euro në vit.

Pjesa më e madhe e parave në Ballkanin Perëndimor rrjedhin për forcimin e administratës, sundimin e ligjit, aktivitetin ekonomik të qëndrueshëm, konkurrencën, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. “FAZ” më tej shkruan se strategjia e Ballkanit Perëndimor thekson se ende nevojiten përpjekje të mëdha, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, sigurinë, infrastrukturën dhe pajtimin e ish-palëve ndërluftuese. E përditshmja e mbyll shkrimin duke nënvizuar se pranimi i mundshëm i vitit 2025 i Serbisë dhe Malit të Zi do të ishte zgjerimi i parë i BE që nga viti 2013, kur u pranua Kroacia, gjithashtu një shtet i Ballkanit Perëndimor./abcnews.al

vlcsnap-error894-1280x720.jpg
us er15:27 | 10/01/2018

Përmirësimi i jetës së refugjatëve vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së agjencisë së organizatës së kombeve të bashkuara UNHCR. Nga fondet e shpërndara në Evropë ka përfituar edhe Shqipëria ndonëse renditet ndër vendet me financimin më të vogël.

Duhen fonde që jeta e refugjatëve të përmirësohet.

Raporti i quajtur “Apeli Global 2018-2019” paraqet burimet financiare që do të kërkohen në 2018 dhe për vitin 2019, për programet e UNHCR-së për të mbrojtur dhe për të përmirësuar jetën e dhjetëra miliona njerëzve të shqetësuar që zhvendosen brenda vendit, të kthyerit, personat pa shtetësi.

Europa është rajoni me rritjen më të madhe të buxhetit,  prej 47.9 milionë dollarë ose 6 për qind krahasuar me 2017, kryesisht për shkak të lëvizjeve të vazhdueshme në shkallë të gjerë në Detin Mesdhe.

Brenda rajonit, buxheti i propozuar për Europën Lindore paraqet një rritje prej 62.5 milionë dollarësh, ose pothuajse 15 për qind në krahasim me buxhetin aktual të vitit 2017, kryesisht për shkak të rritjes së programit të refugjatëve në Turqi, si rezultat i krizës në Siri. Kërkesat për Europën Veriore, Perëndimore, Qendrore dhe Jugore në vitin 2018 arrijnë në rreth 339 milionë dollarë, prej të cilave 238.6 milionë dollarë, ose 70 për qind, janë ndarë në Greqi, duke mbetur pak a shumë të qëndrueshëm krahasuar me 2017.

Sipas të dhënave të monitor Shqipëria bën pjesë në atë grup shtetesh për të cilën, ndihma financiare e ofruar do të jetë nën 5 milionë dollarë.

UNHCR pret të mbetet e angazhuar në ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes për refugjatët në vitin 2018, veçanërisht në lidhje me ata që vijnë në Greqi dhe Itali. Sa i përket angazhimit të UNHCR-së me popullsinë e zgjatur të refugjatëve dhe të zhvendosurve në Ballkanin Perëndimor, pritet të ketë një tkurrje. Aktivitetet kryesore në vitin 2018 do të përqendrohen në avokimin dhe ndihmën për qeveritë në nën-rajonet për të përmirësuar sistemet e azilit dhe për të forcuar regjimin e mbrojtjes./abcnews.al

 

 

vlcsnap-error859-1280x720.jpg
us er20:53 | 05/12/2017

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka prezantuar në Aquila zhvillimin e Tiranës në programin IPA- Adriatic. Ai ka theksuar se kryeqyteti është kthyer në një partner të besuar të Bashkimit Europian sa i përket zbatimit të fondeve, ndaj edhe shtriu dorën për më shumë.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka zhvilluar një vizitë dyditore në rajonin e Abruzzos, ku mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të programit të bashkëpunimit ndërkufitar “IPA Adriatic” për periudhën 2007-2013 që u mbajt në Aquila.

Në prani të kryetarit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani dhe përfaqësues të delegacioneve nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në program, Kryebashkiaku Veliaj tha se sot Tirana vlerësohet si partner i besuar dhe cilësor në zbatimin e fondeve IPA dhe të fondeve të Bashkimit Europian, ndaj dhe shtriu dorën për më shumë.

“Mezi pres që të sjellim edhe më shumë fonde të huaja në Tiranë, kryesisht për të përdorur të gjithë instrumentet IPA, të paraanëtarësimit në BE, për t’u siguruar që Tirana është gjithmonë avangardë. Duhet ta pranojmë se ambicia jonë është shumë më e madhe se sa buxhetet modeste që kemi në Shqipëri”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se buxheti i vitit 2018 do të mbështesë kryesisht investimet në zonat periferike të Tiranës, si dhe zhvillimin e infrastrukturës në zonat rurale.

“Do të vazhdojmë këtë vit me një buxhet i cili është 15% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar. Kemi bërë një listë prioritetesh të të gjithë rrugëve, investimeve, infrastrukturës, dhe po i ndajmë çfarë do të aplikojmë me fondet e BE dhe çfarë do të mbulojmë me fondet tona”.

Ai gjithashtu theksoi se vizita në Abruzzo ishte një mundësi shumë e mirë edhe për të përfituar nga eksperienca në menaxhimin dhe përballimin e disa fatkeqësive natyrore që goditën këtë rajon gjatë viteve të fundit./abcnews.al

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono