flamurtari

bajram-nebihi.jpg
Vladimir Prenga08:31 | 10/12/2019

Flamurtari po përjeton një nga momentet më të këqija në histori. Klubi vlonjat renditen në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, ndërkohë që klubi nuk paguan prej muajsh futbollistët. Disa prej tyre nuk kanë duruar dhe janë larguar para kohe, sikurse ka bërë edhe Bajram Nebihi, një nga afrimet e verës.

Largimi i tij ka ardhur për shkak të pagesave dhe në një prononcim të dhënë së fundmi në “Panorama Sport” është shprehur se nuk mund të vazhdonte më, pasi po e nxirrnin edhe nga shtëpia për shkak të pagesave të qirasë.

“Premtime na jepnin plot, madje çdo ditë. Na thoshin që do të paguheshim nesër… Çdo ditë e njëjta histori, por ditët iknin dhe asgjë konkrete. Nuk mund të rrija dot më. Përfundoi edhe qiraja e banesës. Pronari i shtëpisë donte lekët, në të kundërt do të më nxirrte jashtë. Duhet që të dilja dhe ta liroja shtëpinë. Për tre muaj më është dashur që ta jap nga xhepi edhe qiranë”, ka treguar Nebihi. /abcnews.al

birce.jpg
Vladimir Prenga15:42 | 08/12/2019

Flamurtari u mposht sërish dhe mbetet i fundit. Trajneri Luan Birçe, pas humbjes me Laçin foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Bëmë një pjesë të parë të mirë, duke luajtur në mbrojtje. Patëm rastet tona, goditëm shtyllën.

Nuk shënuam dot. Edhe Laçi pati rastet e veta. E nisëm keq pjesën e dytë. Futbollistët sa duket ranë pre e presionit të fushës. Te goli i parë kam pretendimet e mia, nuk ishte korne. Pas golit të dytë gjithçka u bë më ë vështirë. Pashë ankesa të futbollistëve ndaj arbitrit, që do të thotë se kishin pretendimet e tyre”.

“Ishim të papërgatitur te goli i parë. Në situata të tillë i kam këshilluar futbollistët që të mos merren me arbitrin, ta kenë mendjen në fushë. Është e pafalshme me ta. Pas goditjes së topit në shtyllë, askush nuk reagoi. Pas golit për ne bëhet më e vështirë të reagojmë”.

“Falënderoj djemtë që japin maksimumin. Dua të më kuptojnë të gjithë. Futbolli do edhe mbështetje të tjera. Situata jonë financiare dihet. Presim të gjendet zgjidhja, përmes bashkisë apo ligjit të sportit. Ne do kërkojmë maksimumin në fushë. Do presim janarin”.

“Lojtarët e pakët? Ndjej dhimbja për Flamurtarin që lëngon. Ata që ikin kanë bërë zgjedhje të pamenduar. Është klub që meriton respekt. Fajin ua vë këtyre lojtarëve që largohen pa dinjitet nga klubi. Edhe të tjerët të njëjtin problem kanë, japin më të mirët. Mund të prisnin janarin dhe të iknin me konsensus”. /abcnews.al

laci-gol.jpg
Vladimir Prenga15:24 | 08/12/2019

Laçi është rikthyer te fitorja, pasi ka mundur me rezultatin 3-0 Flamurtarin e vendit të fundit. Vlonjatët rezistuan në 45 minutat e para, por në të dytën kurbinasit shënuan shpejt me Shehun dhe balanca ndryshoi. Nweabueze me penallti dhe Teco i shënuan edhe dy herë të tjera kuqezinjve dhe Laçi bëhet skuadra me sulmin më të mirë (22 gola) pas 14 javësh kampionat. Skuadra e Cungut ka shkuar në kuotën e 22 pikëve, duke u renditur në vendin e katërt. Flamurtari mbetet i fundit, me pesë pikë.

NDESHJA – Flamurtari ishte i vendosur mirë në fushë dhe i kishte marrë masat për të ndalur sulmuesin Kyrian Nwabueze.  Amerikani në fillim u shfaq rrezikshëm, duke pasuar për Deliun. Kavajasi e devijua topin, por Moçka e shmangu golin dhe mbeti i dëmtuar. Xhixha, Shehu dhe Lushkja u munduan të rrezikojnë portën e vlonjatëve, por nuk kishin shënjestrën e duhur.

Flamurtari në krahun tjetër nuk qëndroi duarkryq, pasi në një kundërsulm goditi traversën me Vatnikajn. Laçi u përpoq ta zhbllokonte ndeshjen deri në fund të 45 minutave të para, por pa sukses. Vlonjatët u mbrojtën mirë dhe skuadrat u drejtuan drejt dhomave të zhveshjes duke lënë në fuqi rezultatin fillestar.

Kurbinasit u futën me marsh tjetër në pjesën e dytë dhe ishte Shehu, i cili shënoi direkt. Teco krosoi në zonë, aty ku Gjoni me kokë e dërgoi topin në tranversë dhe më pas mesfushori i Laçit me një goditje të menjëhershme mposhti Moçkën.

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu u hodh në sulm për të shënuar edhe golin e dytë. Xhixha, Gjoni dhe Shehu rrezikuan, por goli erdhi me penallti në minutën e 58-të. Lushkja u ndal në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe Nwabueze nga pika e bardhë u tregua i saktë. Laçi nuk u mjaftua me kaq dhe shënoi edhe golin e tretë me braziliani Teco. Rezultati mund të ishte thelluar edhe më shumë, por Nwabueze ishte i pasaktë në fund dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 3-0. /abcnews.al

laci-flamurtari.jpg
Vladimir Prenga14:19 | 08/12/2019

“Dhuro për Shqipërinë” dhe një minutë heshtje, edhe në Laç nisja e takimit ishte e njëjtë, me të dyja skuadrat që pozuan së bashku. Më pas nisi beteja, me Flamurtarin të vendosur mirë jashtë dhe që kishte marrë masa për të ndalur sulmuesin Kyrian Nwabueze.

Amerikani në fillim u shfaq rrezikshëm, duke pasuar për Deliun. Kavajasi e devijoi topin, por Moçka e shmangu golin dhe mbeti i dëmtuar. Xhixha, Shehu dhe Lushkja u munduan të rrezikojnë portën e vlonjatëve, por nuk kishin shënjestrën e duhur.

Flamurtari në krahun tjetër nuk qëndroi duarkryq, pasi në një kundërsulm goditi traversën me Vatnikajn. Laçi u përpoq ta zhbllokonte ndeshjen deri në fund të 45 minutave të para, por pa sukses. Vlonjatët u mbrojtën mirë dhe skuadrat u drejtuan drejt dhomave të zhveshjes duke lënë në fuqi rezultatin fillestar. /abcnews.al

 

laci-bylisi-ndeshja-1280x853.jpg
Vladimir Prenga12:57 | 08/12/2019

Laçi e Flamurtari janë gati për ndeshjen e sotme mes tyre. Kurbinasit kanë bërë dyt ndryshime në formacion, teksa Fangaj i rikthyer nga pezullimi ka marrë vendin e Trokthit që debutoi me Partizanin. Lajm i mirë është rikthimi i kapitenit Eglentin Gjoni, i cili sposton në të majtë Domgjonin. Në stol përfundon Turkaj.

Flamurtari nga ana tjetër nuk ka Xhevahir Sukajn dhe në majë të sulmit do të luajë Vatnikaj, i mbështetur nga Hoxhaj dhe Ribaj. Rikthehet Deliaj, i cili do të luajë në qendër të mesfushës me Nebihun dhe Rrapajn. /abcnews.al

Krasniqi-Skenderbeu.jpg
Vladimir Prenga08:41 | 08/12/2019

Superiorja vijon marshimin. Sot luhen dy përballjet e tjera të javës së 14-te dhe gjithçka nis nga Laçi, prej orës 13:30, aty ku skuadra vendase pret Flamurtarin e vendit të fundit. Stadiumi do të jetë i hapur për tifozët dhe për trajnerin Armando Cungu i gatshëm është edhe mbrojtësi Abdurrahman Fangaj, i cili mungoi për shkak kartonësh me Partizanin.

Formacioni i kurbinasve pritet të jetë ai i zakonshmi, ndërkohë që në krahun tjetër Flamurtari nuk ka një titullar të rëndësishëm si Xhevahir Sukaj. Favoritë absolutë në këtë takim janë kurbinasit, që kërkojnë kthesën pas humbjes së pësuar një javë më parë me Partizanin.

Takimi i fundit i javës luhet në Durrës, aty ku klubi i Teutës u ka bërë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm sa më të shumtë për të mbështetur skuadrën dhe për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti. Në qytetin bregdetar janë të shumtë ata që kanë pasur pasoja dhe të ardhurat nga biletat do të shkojnë si donacion për ta.

Për të kaluar te fusha, trajneri Bledi Shkëmbi nuk ka në dispozicion Sherif Kallakun, i pezulluar me kartonë të verdhë. Për arsye dëmtimi nuk mund të luajë as Khalid, ndërkohë që është rikthyer Rustem Hoxha. Teuta do të jetë më e plotë dhe duhet të rigjejë fitoren, ndaj një ekipi si Skënderbeu, që po merr rezultate pozitive këto javë. Kjo ndeshje do të luhet prej orës 16:30.

KATEGORIA E PARË – Sot luhen edhe dy ndeshje të Kategorisë së Parë. Në grupin B ishin veçuar dy takime. Në orën 13:00 Iliria e Fushë-Krujës prej Turbinën në stadiumin “Redi Maloku”, kurse 30 minuta më pas zbresin në fushë edhe Besa e Oriku, që përballen mes tyre në Kavajë. /abcnews.al

Pjeshka-FLamurtari.png
Veronik Istrefaj10:01 | 06/12/2019

Mbrojtësi i Flamurtarit, Denis Pjeshka, foli për OneTV Vlora, para sfidës kundër Laçit. Ekipi vlonjat po vuan për pikë dhe këtë gjë e konfirmoi dhe Pjeshka, i cili foli si “ish” për sfidën ndaj kurbinasve.

“Kemi pasur më shumë kohë që të përgatisim ndeshjen këto dy javë dhe jemi gati për të bërë maksimumin dhe për të marrë pikë. Shpresoj që në këtë ndeshje të shënojmë dhe të marrim pikë.

Faktikisht, unë kam kaluar pak kohë te Laçi, kam kujtime të mira, një grup shumë i mirë aty. Por i përket së kaluarës, tani jam te Flamurtari dhe jap maksimumin në çdo ndeshje. Ne nuk po marrim pikët e duhura, kemi bërë ndeshje të mira.

Jemi rritur shumë në lojë, por pikët na kanë munguar. Laçi është shumë skuadër e fortë në shtëpi, nuk lëshojnë pikë në fushën e tyre. Por ne do të bëjmë maksimumin që të marrim pikët që na duhen”, përfundoi Pjeshka.//abcnews.al

birce.jpg
Vladimir Prenga10:58 | 01/12/2019

Flamurtari ka zhvilluar ditën e djeshme një miqësore me Orikun dhe ka barazuar me rezultatin 0-0. Pas kësaj ndeshjeje, trajneri Luan Birçe ka folur për televizionin lokal “6+1 Vlora”. Fillimisht ai foli për rëndësinë e këtij testi: “Merr rëndësi kjo miqësore, pasi është një test para ndeshjes së kampionatit në Laç. Shtyrja e kampionatit na dha mundësi të stërvitemi dhe të bëjmë miqësore për të parë lojtarët më në formë”.

SITUATA DHE LAÇI– “Ekipi vazhdon në atë ritmin e tij, edhe pozitiv edhe jo, për probleme të ndryshme që dihen dhe janë evidente. Shkojmë me mendimin për të marrë diçka në ndeshjen me Laçin. Fusha do tregojë gjithçka.

Uroj të vijë fitorja e parë. Në çdo ndeshje kemi tentuar të fitojmë, pavarësisht emrit që kanë, ose më saktë pozicionit në renditje që kanë kundërshtarët, pasi nuk i vë dot mbi Flamurtarin. Kemi sulmuar, kemi pasur raste, por nuk kemi marrë dot rezultatin. Uroj me Laçin të kemi fat”, ka shtuar Birçe.

Birçe pas ndeshjes miqësore me Orikun

MESAZHI – Trajneri i Flamurtarit ka edhe një mesazh për futbollistët: “Që ditën e parë që jam paraqitur si trajner i parë, u kam thënë çunave që do të luajë ai që është i rregullt në stërvitje, ai që jep maksimumin, ai që është më mirë fizikisht dhe mendërisht.

Për mua nuk ka emra, të gjithë lojtarët janë njëlloj. Fusha e ka treguar që shpesh herë kemi besuar tek emrat, por nuk ka rezultuar vendim i mirë. Njerëzit që do jenë me zemër, me mendje, me shpirt, me këmbë për të luajtur futboll, do të hyjë në fushë pa asnjë hezitim”. /abcnews.al

birce.jpg
Vladimir Prenga15:40 | 23/11/2019

Luan Birçe, trajneri i Flamurtarit, pas ndeshjes me Luftëtarin që e barazuan me rezultatin 1-1, në lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Krijuam volum loje dhe raste, sikurse edhe Luftëtari. Pësuam një gol për mungesë përqendrimi.

U munduam të përmirësonim lojën dhe luajtëm me tre mbrojtës. Patëm raste, goditëm shtyllën dy herë dhe kishte edhe momente penalltie. Kjo bëri që të dilnim barazim. Kjo ishte një ndeshje që na duhej. U mundova t’i karikoj çunat dhe të bënin punë e tyre.

Në situata të tilla duhet të luftojmë edhe kundër fatit dhe njerëzve të tjerë që janë në fushë, arbitarve. Ky është fati ynë, nuk marrim dot tre pikët”. Më pas ai foli edhe për momentet  e penalltive dhe Birçe ishte i bindur që ishin.

“Na duheshin tre pikët dhe nuk i morëm. Do bëjmë punën tonë, ka ndeshje të tjera. Luajmë në Laç dhe presim Bylisin më pas. Ansi Nika është një lojtar me përvojë dhe nuk ka nevojë të komentojë me tifozët dhe të dalë me karton të kuq. Ka pasur një dëmtim, ndaj nuk ka luajtur. Në dhjetë minuta bëri më të mirën, barazuam për meritë të tij. Është pjesë e rëndësishme e skuadrës”.

“Normalisht që na mërzit fakti që nuk morëm tre pikët. Luajmë me moral të ndrydhur, për situatën që kemi, kundër fatit, kundër arbitrave. S’e kam vetëm për penalltitë, pati edhe momente të shumta faullesh”. /abcnews.al

Flamurtari.png
Igli Nikolli15:26 | 23/11/2019

Ndeshja Flamurtari – Luftëtari u mbyll pa fitues. Kuqezinjtë e vendit të fundit nuk kishin alternativa përveç fitores, teksa duhet t’i gëzohen pikës së marrë në minutat shtesë. Miqtë nga Gjirokastra ishin shumë pranë arritjes së fitores, por goli i Donald Rapos në fillimin e pjesës së dytë u dhuroi vetëm një pikë bluzinjve. Sukaj dhe Vartnikaj ishin mungesat e Flamurtarit, ndërsa Fili mungoi në krahun tjetër për shkak skualifikimi.

Vendasit e nisën në sulm sfidën e zhvilluar në stadiumin e Vlorës. Kuqezinjtë pretenduan për një penallti në minutën e gjashtë, por arbitri vazhdoi lojën. Pjeshka dhe Ribaj rrezikojnë portën e miqve, të cilët fillojnë e marrin vetën pas minutës së 20-të. Minuta e 36-të sjell një përplasje mes lojtarëve. Momente tensioni, por gjithçka kalon me nga një karton të verdhë për Moçkën dhe Dragoshin e Luftëtarit.

Pjesa e dytë nisi me gol. Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 53-të. Donald Rapo lëvizi bukur në zonë dhe dërgoi topin pas shpinës së Shpëtim Moçkës. Flamurtari u hodh në sulm, por Zeqaj, Rrapaj, Hoxha nuk gjejnë dot golin. I pafat Pjeshka në minutën e 89-të. Goditja e shkodranit ndalet nga traversa, por goli i ekipit vlonjat ishte çështje kohe.

Një tjetër shkodran nuk gabon në minutën e dytë shtesë. Ansi Nika lëshon një diagonale të bukur, barazon shifrat, por nuk i shpëtoi kartonit të kuq pas debatit me tifozët Në fund barazim 1-1 që nuk i shërben asnjë prej skuadrave, të cilat pozicionohen në dy vendet e fundit të renditjes. /abcnews.al

FLAMURTARI-LUFTËTARI 1-1
(Nika 90+2′ / Rapo 53′)

Flamurtari: Moçka, Gocaj, Zeqaj, Pjeshka, Muçollari, K. Nebihu, B. Nebihu, Rrapaj, Ribaj, Hoxhaj, Vatnikaj. Trajner: Luan Birçe

Luftëtari: Paiteris, Qato, Lala, Kukaj, Açka, Prikas, Dragoshi, Rapo, Hyseni, Dushkaj, Lika. Trajner: Giorgos Marantas

Arbitra: Adrian Beqiri, Ani Koçiaj, Redvan Shaba, Kreshnik Bajramaj
Kartonë të verdhë: Moçka 36′, Ribaj 87′ / Açka 9′, Dragoshi 36′
Karton i kuq: Nika 90+2′


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono