fjalimi

ditmir-bushati-ne-kuvend.jpg
G. P.15:05 | 12/09/2019

Ditmir Bushati, si nga selia e Partisë Socialiste, edhe në foltoren e Kuvendit, mbajti një fjalim kritik mbi gjendjen në vend, duke thënë se grykësia dhe paaftësia po shkatërrojnë shpresën dhe se vendi ka nevojë për ndërtimin e një sistemi vlerash. Ish-ministri u shpreh i shqetësuar për përqendrimin e parave në pak njerëz.

Tashmë që Edi Rama e ka lënë jo vetëm pa karrige në qeveri, por edhe pa post në parti, Ditmir Bushati nuk rezervohet për të përshkruar atë që po ndodh tashmë në Shqipëri sipas optikës së tij.

“Jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, që vjen nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash”, tha Bushati.

Bushati kërkon një reflektim të thellë kombëtar, në raport me botën dhe me procesin integrues po ashtu.

“Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për çfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 500 të tjera”, tha Bushati.

Ish-ministri, nuk e sheh problemin vetëm tek njëri krah, por një shqetësim duket se e ka të njëjtë me Lulzim Bashën.

“Kjo nuk është një çështje e majtë apo e djathtë, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish. Më shqetëson që të eksportojmë kapital njerëzor në 30 vite. Më shqetëson fakti që edhe pse duam të hapin bisedimet me BE-në nuk kemi 50 njerëz nga diaspora për të modernizuar Shqipërinë për një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm”.

Ky është fjalimi i dytë kritik në parlament që mban Ditmir Bushati. Përpara zgjedhjeve, ai ju kërkoi kolegëve të tij socialistë të mos bëheshin arrogantë, por të komunikonin me opozitën reale, atë jashtë parlamentare./ABC News Albania 24/7

CONTE-FJALIMI-ABCM1T1.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela14:25 | 01/09/2019

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte është shprehur optimist se Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike do të gjejnë gjuhën e përbashkët për formimin e qeverisë. Në një fjalim të mbajtur ditën e diel, Konte ka theksuar se sfida kryesore e kabinetit të ri do të jenë reformat për të ardhmen e vendit.

Kryeministri në detyrë i Italisë, Xhuzepe Konte ka deklaruar të dielën se vendi ka shanse serioze për krijimin e një qeverie të re dhe rrjedhimisht shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

“Shoh një klimë të mirë pune dhe nga ky këndvështrim jam mëse i bindur se të gjithë janë të gatshëm të lënë pas të shkuarën dhe të fokusohen tek ky projekt i rëndësishëm për të gjithë vendin”, ka thënë Konte. Konte ka theksuar se nuk mendon më për marrëdhënien me ish-zëvendësin e tij Mateo Salvini, i cili e ka akuzuar se përfaqëson pushtetet e forta të Italisë dhe jo interesin e qytetarëve italianë. “Aktualisht mendoj vetëm për të ardhmen”, ka vijuar Konte.

Ai ka komentuar edhe programin e propozuar nga demokratët, për të cilin ka thënë se përfaqëson sfidat me të cilat përballet vendi. “Ky program do të thotë të nisim një sezon reformash për vendin, të vëmë në plan të parë vizionin për një ekonomi të qëndrueshme”, ka thënë Konte.

Ai ka shtuar se palët nuk premtojnë gjëra stratosferike, por gjëra që duheshin bërë më parë por që janë anashkaluar. “Tani është koha t’i bëjmë me vendosmëri maksimale. Kjo është sfida e vërtetë”, ka shtuar Konte. Aktualisht në Itali, Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike janë në negociata për formimin e qeverisë së re. shanset janë pozitive, por vetëm dy ditë më parë, 5 Yjet vendosën si kusht miratimin e programit të saj qeverisës, ose shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. /ABC News Albania 24/7

ORBAN-FJALIMI_ABC-1280x720.jpg
ent ela15:47 | 11/02/2019

Në fjalimin e tij tradicional, kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se viti 2018 ishte më i miri në historinë e vendit. Ai premtoi se rritja ekonomike e vendit do të qëndronte 2 për qind më shumë se mesatarja europiane. Menjëherë pas fjalimit opozita organizoi protesta në qendër të Budapestit kundër qeverisë së tij.

“Nuk ka pasur një vit më të mirë se 2018”. Me këto fjalë Viktor Orban hapi fjalimin e tij për gjendjen e vendit. Kryeministri hungarez trajtoi tema të ndryshme, mes të cilave dhe atë për emigracionin. Një nga çështjet kryesore në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

“Ne të Europës qendrore kemi në dorë çelsin e të ardhmes sonë. Dhe kjo e fundit është vazhdimësia në jetët e prindërve dhe gjyshërve tanë, në mbrojtje të një mijë vitesh traditë, në mbrojte të ekonomisë sonë, familjes dhe kulturës së krishterë” u shpreh ai ndër të tjera.

Kryeministri paralajmëroi një paketë masash për mbrojtjen e familjes dhe për të stimuluar numrin e lindjeve. Orban shtoi se objektivi i tij është mbajtja e një rritjeje ekonomike prej 2 për qind më shumë se mesatarja europiane.

Por menjëherë pas fjalimit të tij, opozita organizoi një protest në shesh, duke kritikuar qeverinë për gjendjen e demokracisë në vend.

Sipas opozitës Europa duhet të kuptojë se ajo që Orban i bën Hungarisë përbën një rrezil për të gjithë kontinentin.

Ps fjalimit me mijëra persona marshuan në qendër të Budapestit dhe pse protesta më masive mbetet ajo e 16 dhjetorit të vitit të kaluar ku morën pjesë më shumë se 15 mijë persona. /abcnews.al

 

trump-1-1280x720.jpg
G. P.10:50 | 06/02/2019

Donald Trump mbajti dje fjalimin e tij të dytë para Kongresit amerikan, që kur ka ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane, fjalimi u mbajt me një javë vonesë nga data e parashikuar. Trump u shpreh i vendosur për ndërtimin e murit me Meksikën, një nga çështjet kryesore që e ndan aktualisht nga demokratët. Presidenti amerikan konfirmoi dhe takimin e dytë me Kim Jong Un në fund të këtij muaji.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shfrytëzuar fjalimin e tij drejtuar kombit, për t’u zotuar edhe një herë se do të ndërtojë murin me Meksikën. Kjo temë është kthyer në çështje të ndarjes së thellë partiake në SHBA. Trump  ka mbajtur fjalimin në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, me një javë vonesë, ndonëse është duke u përballur me mospajtime politike rreth kërkesave të tij për të ndërtuar murin, te cilin e quan shumë te nevojshëm për të ndalur imigrimin ilegal dhe kontrabandimin e drogës.

Ai e ka cilësuar imigrimin ilegal si “krizë kombëtare urgjente”, por nuk është ndalur shumë tek ideja për shpalljen e gjendjes emergjente, e cila do t’i lejonte atij të siguronte paratë për murin pa miratimin e Kongresit. Në vend të saj, presidenti amerikan u ka bërë thirrje demokratëve dhe republikanëve që të gjejnë një kompromis deri më 15 Shkurt. Për demokratët, një ide e tillë konsiderohet e paefektshme dhe humbje e të hollave. Ndërkohë Trump ka paralajmëruar demokratët për përpjekjet e tyre se do të hetojnë administratën e tij, si dhe ka përmendur përfshirjen e SHBA-së në luftëra të huaja, çka sipas tij mund të dëmtojë ekonominë amerikane.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila ishte veshur në të bardha, bashkë me shumë gra tjera në Kongres, ka duartrokitur me shqetësim disa herë, por është parë e pakënaqur gjatë fjalimit të Trump. Ajo nuk ka treguar asnjë shenjë për bashkëpunim me presidentin sa i përket çështjes së ndërtimit të murit. Megjithatë presidenti amerikan ka shfrytëzuar fjalimin për të ofruar një dozë kompromisi në çështjet e uljes së çmimit të ilaçeve, ndërtimit të rrugëve, urave dhe pjesës tjetër të infrastrukturës.

Një vend të veçantë në fjalimin e presidentit Trump para Kongresit ka zënë edhe politika e jashtme e SHBA. Presidenti amerikan ka konfirmuar në këtë fjalim se do të mbajë një samit të dytë me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong un më 27-28 Shkurt në Vietnam.

“Ende ka shumë punë për të bërë, mirëpo marrëdhënia ime me Kim Jong-un është e mirë”, ka deklaruar Trump.

Presidenti amerikan beri thirrje për vëmendje në përpjekjet e tij për të rishkruar marrrëveshjet tregtare me Kinën dhe kombet tjera, për të krijuar një situatë më të favorshme për SHBA-në. Teksa këshilltarët e tij ekonomikë janë duke punuar në hartimin e paktit me Kinën, Trump ka thënë se marrëveshja “duhet të përfshijë ndryshim të vërtetë dhe t’iu japë fund praktikave të padrejta tregtare, të ulë deficitin kombëtar dhe të ruajë vendet e punës në SHBA”.

Ai ka përmendur edhe kërcënimet e Iranit kundër Izraelit. “Ne nuk do të largojmë sytë nga regjimi që brohorit, Vdekje Amerikës dhe kërcënon me gjenocid kundër hebrenjve”, ka deklaruar Trump.

Lideri amerikan ka thënë se mbështet përpjekjet për të larguar nga pushteti presidentin e sfiduar të Venezuelës, Nicolas Maduro, si dhe ka shpallur fitore ndaj grupit militant, Shteti Islamik. Sipas tij, administrata Trump është duke zhvilluar “bisedime kontruktive” me talibanët për të gjetur një zgjidhje që siguron paqen në Afganistan./abcnews.al

trump.jpg
G. P.09:51 | 06/02/2019

Donald Trump mbajti të martën fjalimin para Kongresit mbi gjendjen e vendit. Ai tha se nëse nuk do të rizgjidhej sërish President, Shtetet e Bashkuara do të jenë në luftë me Korenë e Veriut. Mirëpo gazetarëve u ka bërë përshtypje një pjesë e fjalisë që Trump nuk e lexoi në momentin e fundit.

Ai po tregonte disa detaje të reja nga takimi tjetër që pritet të mbajë me liderin e Koresë së Veriut.

“Nëse nuk do të zgjidhesha President i Shteteve të Bashkuara, do të ishim që tani, sipas mendimit tim, në luftë të madhe me Korenë e Veiut. Shumë punë mbetet për t’u bërë, por marrëdhënia ime me Kim Jong Un është e mirë. Kim dhe unë do të takohemi sërish më 27 dhe 28 Shkurt në Vietnam”, tha Trump.

Por versioni origjinal i fjalimit, i cili i ishte shpërndarë gazetarëve përpara, kishte edhe një fjali tjetër që u hoq nga vetë Trump.

“Nëse nuk do të zgjidhesha President i Shteteve të Bashkuara, do të ishim që tani, sipas mendimit tim, në luftë të madhe me Korenë e Veriut me miliona njerëz që mund të kishin vdekur, lexonte aty.

Donald Trump dhe Kim Jong Un u takuan fillimisht më 12 Qershor në Singapor. Qëllimi i Shteteve të Bashkuara është të bindin Korenë e Veriut që të heqin dorë nga programi bërthamor. Vietnami është zgjedhur si vendi ku dy liderët të takohen pasi edhe Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë marrëdhënie të mira me vendin komunist./abcnews.al

TRUMP-FJALIMI-ABC-1280x781.jpg
ent ela23:20 | 05/02/2019

Nëse do të jetë e nevojshme do të ngremë një mur njerëzish”. Me këto fjalë, disa orë përpara fjalimit vjetor në Kongres, presidenti Donald Trump iu rikthye alarmit për mbërritjen në kufirin me Meksikën të një karvani të ri emigrantësh nga Amerika Qendrore.

“Një numër i madh personash po mbërrin përmes Meksikës me shpresë për të kaluar kufirin tonë jugor. Kemi dërguar trupa të tjera dhe nëse do të jetë e nevojshme do të ngremë edhe një mur njerëzish”, tha Trump në profilin e tij në Tëitter. Ai ritheksoi se, nëse në kufirin me Meksikën do të kishte një mur të mirëfilltë, e gjitha kjo nuk do të ndodhte.

Në fjalimin që do të mbajë në Kongres, që do të ketë në fokus çështjet e aktualitetit, Trump pritet ta vërë sërish theksin tek rreziku që sipas tij i kanoset popullit amerikan nga krimi dhe droga, si dhe tek nevoja për lëvrimin e fondit prej 5.7 miliardë dollarësh për ngritjen e strukturës, që ishte një nga premtimet e tij kryesore gjatë fushatës elektorale të vitit 2016. /abcnews.al

 

1036990580.jpg.0-1.jpg
ent ela13:12 | 19/01/2019

Kreu i shtëpisë së Bardhë Donald Tramp do i drejtohet popullit amerikan në fjalimin tradicional të Bashkimit të Shteteve. Mediat amerikane shkruajnë se pritet një propozim i ri për demokratët në përpjekje për t’i dhënë fund “shutdoun”.

Presidenti amerikan Donald Trump planifikon t’u ofrojë demokratëve një tjetër propozim për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë kur ai t’i drejtohet kombit nga Shtëpia e Bardhë me atë që që zyrtarët e përshkruajnë si ofertën e tij të tretë për t’i dhënë fund shutdaun.

Por Trump nuk pritet të tërhiqet nga kërkesa e tij për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, por planifikon t’ua kërkojë demokratëve duke u bërë lëshimë të tjera. Negociatat rreth një emergjence kombëtare po vazhdojnë në administratë dhe se Presidenti nuk pritet të shpallë një vendim gjatë fjalimit të të shtunës.

Fjalimi bëhet në ditën e 29 të mbylljes së qeverisë, që filloi muajin e kaluar kur demokratët e Kongresit dhe Trump nuk arritën asnjë marrëveshje.

Negociatat qenë bllokuar për javë pasi Trump kërkoi para për të ndërtuar murin anti emigrantë. Demokratët e udhëhequr nga kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi janë të vendosur që të mos i jepnin Trump fonde, për asnjë mur në jug të vendit. /abcnews.al

ivanov.jpg
G. P.17:30 | 29/12/2018

Presidenti i Maqedonisë Ivanov vijon të kundërshtojë marrëveshjen e arritur mes Shkupit dhe Athinës duke i kërkuar deputetëve që ta rrëzojnë atë

Në fjalimin tradicional të fundvitit në Kuvendin e Maqedonisë, Presidenti Ivanov, kërkoi nga shumica parlamentare që ta hedhin poshtë Marrëveshjen e Prespës.

“Suksesi më i madh i kësaj qeverie është që arriti ta bind bashkësinë ndërkombëtare se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se populli do ta përkrah Marrëveshjen e Prespës. Por në fund të ditës edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare u ballafaquan me faktin se populli hodhi poshtë marrëveshjen”, deklaroi ai.

Opozita thotë se fjalimi ishte konzistent dhe politikisht i pjekur. Si shqetësuese e pëmendën, pjesën e fjalimit për përgjimin dhe ndjekjen e presidentit.

“Nëse kjo është e vërtetë, mund të vlerësohet si një minus i madh që krijon pasiguri juridike dhe politike, jo vetëm për presidentin por edhe për cdo qytetar, që mund të jetë i ardhshmi që me urdhër gojor mund të ndiqet”.

Sipas pozitës, fjalimi i Presidentit ishte përplot me urrejtje dhe gënjeshtra.

“Ivanovi mund të flet vetëm për mossuksesin në dy mandatet e tij. Identiteti dhe gjuha maqedonase në mënyrë të përhershme janë siguruar dhe janë mbrojtur. Maqedonia arriti suksese, Ivanovi-jo”.

Paraqitjen e fundit të Ivanovit si president i Maqedonisë e bojkotoi grupi parlamentar i BDI-së./acbnews.al

MBULIM-HARADINAJ-QEVERIA.mpg_snapshot_00.29-1280x720.jpg
G. P.11:53 | 18/12/2018

Jo vetëm politika në Serbi, por dhe mediat kanë reaguar ashpër ndaj fjalimit që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbajti mbrëmjen e së hënës në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Fjalimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka ngjallur reagime të shumta në Serbi. Përveç përkrahjes që mori Kosova nga shtete të shumta anëtare për krijimin e ushtrisë, përmendja e masakrave dhe genocidi që kryen forcat para ushtarake serbe si dhe përmendja e sportistëve kosovar, bënë që në Serbi të ketë reagime jo vetëm politike por dhe mediatike.

Mediat në Serbi akuzojnë presidentin Thaçin se ka lexuar të njëjtin fjalim me Vlora Çitakun, ambasadore e Kosovës në OKB. Më tej mediat serbe i cilësojnë gënjeshtra shifrat e të vrarëve nga ushtarët serbë në Kosovë. Ato shkruajnë se Vlora Çitaku ose i ka shkruar fjalimin presidentit Thaçit ose presidenti i Kosovës ka lexuar të njëjtin fjalim që Çitaku kishte lexuar më 14 tetor në OKB. Në mbledhjen Këshillit të Sigurisë në OKB, Thaçi përmendi disa nga krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Ndër të tjera ai tha se asnjë serb nuk është dënuar për krimet që ka kryer në Kosovë./abcnews.al

meta-ne-okb-1280x720.jpg
ent ela17:16 | 28/09/2018

Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon të jetë një instrument shumëpalësh, përmes të cilit ruhet më së miri rendi paqësor ndërkombëtar  Kështu është shprehur Presidenti i Republikës Ilir Meta në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Si një ndër 193 kryetarët e shteteve pjesëmarrëse, Presidenti i Republikës Ilir Meta tregoi qëndrimin dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe në çështjet më të rëndësishme ndërkombëare. Në fjalimin e tij në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Presidenti  Meta mirëpriti  Axhendën  2030 të Kombeve të Bashkuara duke nënvizuar se këto dokumente strategjike janë plotësisht të pajtueshme dhe koherente me projektin  kombëtar strategjik të Integrimit Evropian.

“Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim përmban të njëjtin vizion strategjik dhe objektiva për zhvillim: atë të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, të një ekonomie konkurruese e të qëndrueshme, promovimit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ndërsa presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe”.

Kryetari i shtetit shqiptar u shpreh se vendi ynë e konsideron politikë të domosdoshme përparësinë e bashkimit Evropian për bashkëpunim të hapur rajonal.

Marrëveshja Midis Greqisë dhe Maqedonisë ka mundësinë të shndrrohet në një arritje historika tha Presidenti Meta.

Ky moment i vrullshëm pozitiv mund të ushqejë e nxisë gjithashtu një përparim të mëtejshëm në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë- deklaroi kryetari i shtetit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo Marrëveshje të shënojë një ndarje nga historia dhe e kaluara, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve në të dyja shtetet.

Le të sjellim ndërmend se e kaluara historike e Ballkanit, në mënyrë famëkeqe, lidhej me ndryshime kufijsh, pastrimin etnik dhe shpërngulje të dhunshme masive”.

Presidenti Ilir Meta theksoi se për shqipërinë Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon të jetë një instrument shumëpalësh, përmes të cilit ruhet më së miri rendi paqësor ndërkombëtar. /abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono