fitorja

NBA-BARAZON-TORONTO_ABC-M1-T1-Copy.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela13:13 | 22/05/2019

Shumë i fortë dueli në në Konferencën Lindore në basketbollin amerikan. Edhe pse i cilësuar favorit, Miluoki u detyrua të pranonte humbjen në Kanada.

Është në barazim 2-2 finalja e Lindjes në NBA, dhe Toronto dha një mesazh. Edhe pse Koui Leonard luajti praktikisht “me një këmbë”, për shkak dëmtimi, sërish skuadra kanadeze e fitoi ndeshjen tepër të rëndësishme të katërt ndaj Miluokit.

Jo vetëm e fitoi, por edhe bindshëm me rezultatin 120-102. Kundërshtari ishte dukur i pandalshëm me një Janis Antetokumbo qiellor, por ja që gjërat shkuan ndryshe.

Toronto vuri në lëvizje “mekanizma” të tjerë, në radhë të parë lojtarët e stolit, që nuk është se kishin shkëlqyer shumë deri tani. Ata iu përgjigjën apelit duke realizuar një ndeshje të madhe.

Leonard e bëri të vetën, shënoi 19 pikë e kapi 7 topa në tabela, vodhi 4 topa e bllokoi 2 gjuajtje, aspak keq për një lojtar që luajti me dëmtim.

Gjithsesi, vendimtarë ishin Ibaka (17 pikë, 13 tabela), Pauell (18 pikë) e Vanvlit (13 pikë).

Padyshim, edhe lojtarët e formacionit bazë, ku Kajl Louri realizoi 25 pikë, pati 5 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Mark Gasol shtoi 17 pikë, 5 tabela e 7 asistë.

Antetokumbo u mbulua sërish fort, edhe pse shënoi 25 pikë, kapi 10 topa në tabela e dha 5 asistë. Midëllton dha një paraqitje të madhe me 30 pikë, por pjesa tjetër e skuadrës ishte dobët, me Bruk Lopezin që ia doli të realizonte vetëm 8 pikë.

Edhe pse ende Miluoki quhet favorit, sërish Toronto realizoi diçka të madhe, duke treguar se suksesi në basketboll nuk varet nga një yll i vetëm, ashtu siç e tregoi edhe Golden Stejti në Perëndim.

Ndeshja e pestë finale do të luhet mëngjesin e 24 majit në fushën e Miluokit. /ABC News Albania 24/7

nadal-1280x664.jpg
ent ela19:45 | 20/05/2019

Rafael Nadal fitoi turneun Masters të Romës duke triumfuar në finale ndaj Novak Gjokoviçit. Tenisti spanjoll shkon si favorit në Grand Slemin e radhës, që do të zhvillohet në Paris.

Në këtë sipërfaqe zakonisht nuk ka rivalë.

Rafael Nadal fitoi një tjetër titull në një turne në dhé të ngjeshur, duke thelluar një rekord, e duke u bërë gati siç duhet për Grand Slemin e radhës.

Tenisti spanjoll, numri 2 i botës, triumfoi në Turneun Masters të Romës, pasi ia doli në finale ndaj rivalit të tij kryesor, Novak Gjokoviçit.

Parashikimi ishte për një finale tepër të fortë në “Foro Italiko”, por Nadali realizoi një kryevepër në setin e parë, duke e fituar 6-0.

Kurrë më parë, në një duel mes tyre, nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Gjokoviç reagoi duke fituar 6-4 setin e dytë, por Nadal u rikthye në të tretin, me suksesin e thellë 6-1.

Ishte ky titulli i tij i 9-të në kryeqytetin e Italisë, një rekord që vazhdon ta thellojë, duke qenë shumë larg nga ndjekësit, me Gjokoviçin që është i dyti me 4 kupa.

Jo vetëm kaq, por Nadali u shkëput nga rivali serb, duke pasur 34 turne Masters në karrierë, një më shumë sesa Nole.

Ky sukses, dhe sidomos mënyra sesi u arrit, e bën spanjollin sërish favorit në Grand Slemin e “Rolan Garosit”.

Tridhjetedyvjeçari shkon në Paris, më në fund në formë shumë të mirë e duke lënë pas dëmtimet që e penguin për një kohë të gjatë.

Ai do të synojë ta fitojë “Rolan Garosin” për herë të 12-të, diçka që nuk ka ndodhur kurrë. /ABC news Albania 24/7

cska-moska.jpg
ent ela14:50 | 20/05/2019

CSKA-ja e Moskës u shpall kampione e Europës në basketboll për meshkuj. Skuadra e madhe ruse triumfoi në finalen ndaj Anadolu Efesit të Turqisë, në ndeshjen e luajtur në Spanjë.

Do t’i duhen edhe dy tituj për t’u barazuar me rekordmenët. CSKA e Moskës është tani 8 herë kampione e Europës në basketboll për meshkuj, e dyta skuadër më e mirë në histori pas Realit të Madridit që ka 10 kupa.

Suksesi i radhës ishte ai i mbrëmshmi në Arenën e Vitorias në Spanjë, kur mundu 91-83 Anadolu Efesin e Turqisë, përpara 13 420 spektatorë.

Me triumfin gjysmëfinal ndaj Realit dhe atij final ndaj Efesit, skuadra moskovite ishte kampione e merituar e Euroligës, ndërsa ka mbërritur 8 herë radhazi në fazën finale, dhe 16 herë në 17 sezonet e fundit, duke fituar 4 tituj.

Ndaj Anadolu Efesit, rusët kryesuan gjatë gjithë kohës, ndonëse turqit nuk lejuan shkëputje, duke qenë 4 pikë larg dy herë në pjesën e katërt.

CSKA-ja u mbështet tek tre lojtarë kryesorë, amerikanët Uill Klajbërn e Kori Higins, si dhe tek francezi Nando De Kolo. Dy të parët shënuan nga 20 pikë, me Klajbërnin që shtoi edhe 5 topa në tabela e 2 asistë.

De Kolo realizoi 15 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë. Amerikani Shejn Larkin shënoi 29 pikë, duke qenë më i miri për Anadolu Efesin, e duke qenë shënuesi më i mirë në një finale që nga viti 2000.

Shumë fort luajti amerikani tjetër Brajant Danston me 13 pikë, 10 topa në tabela e 2 asistë. Kroati Krunoslav Simon shtoi 15 pikë, ndërsa ylli kryesor, serbi Vasilije Miçiç, u mbulua fort dhe shënoi pak.

Euroliga u fitua nga klubi me buxhetin më të madh, dhe trajneri Dhimitri Itudis falenderoi lojtarët e tij.

“Përgëzimet më të mira për basketbollistët e mi, – tha tekniku grek, – ne kemi një grup të fortë, që ka dëshirë të konkurrojë dhe të fitojë.  Njerëz aspak egoistë, por që mendojnë për skuadrën. Nuk ishte e lehtë, dhe ka ndodhur që kemi humbur ndeshje të tilla, por këtë herë ishte koha për sukses”.

Edhe lojtari më i mirë i fazës finale të Euroligës ishte i CSKA-së, amerikani Uill Klajbërn. /ABC News Albania 24/7

GOGA-BASKET-KAMPIONE-E-SHQIPERISE_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela12:37 | 20/05/2019

Goga Basket u shpall kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, për herë të parë në histori. Skuadra e themeluar vetëm 2 vjet më parë, mundi Teutën në finalen e pestë.

Nuk kishte ku të shkonte më shumë se kaq. U desh finalja e pestë dhe e fundit, që të përcaktohej kampionia e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, por ia vlejti.

Një emër i ri u shtua në listën e fituesve, Goga Basket, pasi fitoi më në fund duelin e gjatë ndaj Teutës, në një sfidë plotësisht të Durrësit.

Hera e parë në histori që një klub i ri si Goga merr titullin, hera e parë që finalja për titull ishte tërësisht durrsake.

Sfida e fundit ishte bindshëm e skuadrës që dominoi edhe fazën e rregullt të sezonit, duke mposhtur Teutën me diferencë, 81-60.

Ecuria e finaleve të tjera ishte me Teutën që fitoi ndeshjen e parë, Gogën të dytën e të tretën, dhe Teutën që barazoi 2-2 në mesjavë.

Në dy pjesët e para, loja ishte më e ekuilibruar, dhe në pushim Goga shkoi me epërsi të vetëm tri pikëve, veçse më pas avantazhi u rrit, derisa u fitua me 21 pikë diferencë.

E merituar pra, për djemtë e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi, që nuk lejuan befasinë në sallën e Akademisë, “Dhimitër Goga”.

Kampionët e rinj kanë mjaft të huaj si Rame, Miliç, Gjokoviç, Alen apo Mos, si dhe shqiptarë si Thano, Ndreca apo Elezi

Teuta nuk ia doli, duke humbur për të dytin vit radhazi, vjet e mposhti Tirana, por gjithsesi klubi me emër në basketbollin shqiptar mund të ndihet krenar me dy trofe e sezonit, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën.

Pas ndeshjes, fituesit deklaruan kështu.

“Unë jam kampion, dhe kjo është diçka shumë e bukur. Kampion, pra, çfarë und të them tjetër. Kjo flet vetë, kjo medalje flet vetë. Kur je kampion ti thjesht buzëqesh. Të tjerët le të flasin, për ne flet fakti që dolëm kampionë”. /ABC News Albania 24/7

HOLLANDA-FITON-EUROVIZIONIN-MBULM.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela09:36 | 19/05/2019

Holanda fitoi festivalin Eurovision 2019, ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e 18-të. Në vendin e dytë u rendit Italia me këngën “Soldi” nga Mahmood, ndërsa në të tretin u rendit Rusia.

Holanda u përfaqësua nga Dankan Lorens me këngën “Arcade”, e cila është një baladë dashuria.

Këngëtari ka shpjeguar se fabula e këngës ka të bëjë me historinë e një personi të dashur që i ka vdekur në moshë të re. “Arcade është histori për kërkimin e dashurisë së jetës”, tha Dankan.

Ndërsa Shqipëria që u përfaqësua nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës” arriti deri në vendin e 18-të. /ABC News Albania 24/7

warriors-1280x720.jpg
ent ela09:25 | 19/05/2019

Golden Stejti vazhdoi serinë e fitoreve në finalet e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan, edhe në mungesë të yllit kryesor. Kampionët në fuqi realizuan një tjetër përmbysje ndaj Portlendit.

Një titull në faqen zyrtare të NBA-së: “Kevin Durant, i rëndësishëm? Po! I domosdoshëm? Jo, plotësisht!”

Ky titull u rikujtua menjëherë kur Golden Stejti reagoi për të dytën herë radhazi, ndaj deficitit me pikë, duke fituar ndeshjen e tretë po radhazi të plej ofit ndaj Portlendit.

Fati i finaleve të Konferencës Lindore duket i vendosur, pas suksesit të miqve 110-99.

Pasi asnjë skuadër në histori nuk ka përmbysur një rezultat 0-3 me ndeshje, madje vetëm tri herë ka ndodhur që dueli të ketë shkuar deri tek ndeshja e shtatë.

Në mungesë sërish të Kevin Durantit, kampionët në fuqi nxorrën “asat nën mëngë”, Drejmond Grin, Stefën Kërri apo Klej Tompson.

Kjo, edhe pse u detyruan të përmbysnin rezultatin për herë të dytë radhazi.

Grin pati tripëll dabëll me 20 pikë, 13 topa në tabela e 12 asistë, si dhe 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.

Kërri shënoi 36 pikë, si dhe ndihmoi me 6 topa në tabela e 3 asistë, duke qenë ai lideri në mungesë të Durantit.

Bashkë me të, ai që cilësohet si “vëllai I tij binjak”, por jo Seth Kërri, veçse Klej Tompsoni.

Kapiteni pati 19 pikë, 5 topa në tabela e 5 pasime për kosh.

Forca e Golden Stejtit, ashtu si shpesh herë, ishte që shumica e lojtarëve, plot 1,0 ishin në tabelën e shënuesve.

Ndeshja e katërt do të luhet sërish në Portlend, dhe Duranti përsëri nuk pritet të jetë, por Uorriorsët duken të sigurt drejt finales së pestë radhazi të NBA-së, ku me shumë gjasë do të ndeshen me Miluokin. /ABC News Albania 24/7

maduro.jpg
ent ela19:12 | 01/05/2019

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka shpallur fitoren ndaj grushtit të shtetit të organizuar nga opozita. Maduro ka deklaruar se rivali politik, Huan Guaido dështoi në përpjekjen e së martës dhe se ushtria mban ende anën e tij.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka deklaruar se e ka mposhtur përpjekjen e liderit të opozitës Huan Guaido për një grusht shteti. Në një fjalim televiziv, Maduro tha se Guaido kishte dështuar në tentativën për të kthyer ushtrinë në anën e tij. I rrethuar nga komandantë të ushtrisë, Maduro akuzoi protestuesit për “krime të rënda”, për të cilat paralajmëroi se nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. Presidenti i vendit latin shpërtheu sërish në akuza ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas saj po vazhdojnë me komplotet kundër tij. Ai hodhi poshtë zërat e ardhur nga Amerika se ka gati një avion për t’u arratisur në Kubë, një vend që e mbështet atë. Sidoqoftë, ditën e martë një numër i konsiderueshëm efektivësh të Gardës Kombëtare dolën në krah të opozitës në përleshjet që lanë të paktën 1 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Huan Guaido insiston se Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura dhe ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme. Guaido është njohur si lider i përkohshëm i Venezuelës nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën dërrmuese të shteteve të Amerikës Latine. Uashingtoni zyrtar përsëriti të mërkurën mbështetjen për të, me sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo që deklaroi se “ndërhyrja ushtarake është një opsion i mundur” në rast nevoje. /ABC News Albania 24/7

ajaksi-toten.jpg
nev ila13:52 | 01/05/2019

Jehonë e madhe në Evropë pas fitores së Ajaksit në fushën e Totenhemit në Champions. Trajneri i holandezëve lavdëroi skuadrën e tij, por trajneri i Totenhemit ka ende besim për kualifikimin në finale.

Kanë kaluar 23 vjet që kur ia dolën për herë të fundit, dhe tani janë fare pranë.

Yjet e rinj të Ajaksit e mahnitën sërish Evropën duke fituar në fushën e Totenhemit, në gjysmëfinalen e parë të Championsit, ndonëse e kanë të qartë se ende nuk janë në finale.

Është e qartë tani se përse u dorëzuan Reali i Madridit dhe Ajaksi, ashtu siç kishte theksuar trajneri i Bajernit, Kovaç, pas dy barazimeve në grup me holandezët.

Gazetat dhe Angli dhe Holandë kuptuan gjithçka.

“Daily Mail”: Spërsat mbeten me gisht në gojë! Djemtë e Poçetinos marrin një leksion futbolli nga Ajaksi plot klas!

“Deili Ekspres”: Spërsat me hundë të thyer! Dëmtohet Vertongeni, ndërsa holandezët hedhin valle në Londër!

“Tajmsi” i Londrës: Spërsat me shpatulla pas murit! Ajaksi merr kontrollin ndërsa Vertongeni pëson dëmtim serioz në kokë!

“De Telegraf” nga Holanda: Hap i madh drejt finales për Ajaksin! Gjysmëfinalja e parë e Championsit fitohet 1-0 në fushën e Totenhemit!

“Algemeene Dagblad”, po nga Holanda, i bën jehonë mediave evropiane që shkruajnë se skuadra sensacionale e Ajaksit mund ta vazhdojë ëndrrën!

Ajaksi u tregua i zoti jo vetëm në lojën ofensive, por edhe në mbrojtje, kur u detyrua të kthehej prapa në pjesën e dytë.

Këtë herë nuk shkëlqyen vetëm kapiteni De Ligt, organizatori De Jong apo serbi Tadiç, por më shumë sesa ata shënuesi i golit, Doni De Bek.

Ne luftuam si luanë, një arritje fantastike. Kemi bërë gjysmën e rrugës, por kemi besim sepse jemi në formë të mirë. Jam shumë i lumtur për vullnetin e treguar nga lojtarët e mi. E veçanta e këtij Ajaksi është se ne mund të luajmë stile të ndryshëm futbolli, mund të sulmojmë, por edhe mund të mbrohemi si ekip, kur jemi të detyruar. Nuk jemi ende të kualifikuar”, tha me krenari trajneri Te Hag.

Vetë De Bek foli i kënaqur, por edhe i kujdesshëm.

“Jam i lumtur për golin dhe për fitoren, nuk ishte aspak e lehtë, edhe pse në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Tani duhet të përfundojmë punën dhe të kualifikohemi në fushën tonë”, tha pas ndeshjes De Bek.

Totenhemi ndjeu mungesën e lojtarëve kryesorë të sulmit si Harri Kejn dhe Son.

Trajneri Poçetino, po ashtu, theksoi se ekipi i tij ishte i lodhur në pjesën e dytë, edhe për shkak të ngarkesës më të madhe në Premier Ligë.

Mendoj se gjithçka është ende e hapur, natyrisht, do ta kemi shumë të vështirë pasi e humbëm ndeshjen e parë, madje në shtëpi. Problemi është që nuk patëm shumë energji, Ajaksi ishte më i freskët se ne. Tani, le të përgatitemi për ndeshjen e dytë dhe shpresojmë që ta fitojmë. Kemi nevojë vetëm për një rezultat, fitoren, dhe duam që të jemi në finale”, deklaroi ende me besim Poçetino.

Ndeshja e kthimit Ajaks-Totenhem do të luhet të martën e 7 majit në Amsterdam./ABC News Albania 24/7

Donny-van-de-Beek-.jpg
ent ela23:36 | 30/04/2019

Skuadra e Ajaks surprizoi sërish në ligën e kampionëve. Holandezët fituan në gjysmëfinalen e parë me shifrat minimale 1-0 në transfertën londineze te Totenhem fal golit të Van De Bek.

Ajaks vazhdon të surprizojë në Ligën e Kampioneve. Holandezet triumfuan edhe në transfertën londineze ndaj Totenham me shifrat minimale 1-0 duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe të Madridit. Ajaks luajti më mirë në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën mbrojti me të gjitha forcat rezultatin. Van de Bek kaloi në avantazh Ajaksin në minuten e 14. I gjendur në limitet e pozicionit jashtë loje, mesfushori shënon lehtësisht përballë portiert Hugo Loris. Pak minuta më pas janë sërish miqtë që i shkojnë pranë golit, por pa rezultat. Reagon Totenham me Lorente, por topi nuk përfundon ne kuadrat. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Ajaksit, ndërkohë që Totenhem nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Në fraksionin e dytë të lojës skuadrat ndërrojnë rolet por sërish kjo nuk mjafton pasi të besuarit e trajnerit Pocetino nuk ia dalin të shënojnë të paktën një gol para tifozëve të tyre. Në të 77 minutë Neres pati mundësinë për të dyfishuar shifrat, por topi ndalet në shtyllë. Minutat e mbetura nuk sjellin ndryshim rezutlati dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e kthimit në Johan Krojf Arena javën e ardhshme.

/ABC News Albania 24/7

LSDM-DEKLARATA_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela22:58 | 21/04/2019

Shefi i shtabit elektoral të kandidatit të koalicionit qeverisës, Aleksander Kiracovski ka deklaruar se numërimi i pjesës dërrmuese të votave i jep fitoren Stevo Pendarovskit.

Aleksander Kiracovski, LSDM: “Pas numërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve, rezultatet tregojnë se Stevo Pendarovski udhëheq në garën presidenciale. Në raundin e dytë presim nga qytetarët që të mbështesin edhe më shumë kandidatin e tonë. Së shpejti ministri i Arsimit së bashku me një delegacion nga BDI do t’i bashkangjiten festës së fitores së Pendarovskit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono