fitore

atalanta.jpg
G. P.22:55 | 15/05/2019

Lazio arriti të fitonte kupën e Italisë pasi mundi Atalantën me rezultatin 2-0. Golat për bardhekaltrit u shënuan nga serbi Milinkoviç-Saviç dhe nga Correa. Kjo është hera e shtatët që LAzio fiton këtë trofe.

Kjo ndeshje ishte edhe një duel edhe mes dy lojtarëve shqiptarëve, Berat Gjimshiti dhe Thomas Strakosha. Të dy ata luajtën për 90 minuta, ku gardiani shqiptar nuk lejoi për asnjë moment që topi të kalonte katërkëndëshin e mbrojtur nga ai.

Ndërkohë portieri tjetër shqiptar, Etrit Berisha e ndoqi finalen nga porta. Atalanta kaloi në finale pasi mposhti Fiorentinën, ndërsa skuadra e kryeqytetit skualifikoi Milanin.

Me fitoren e kupës së Italisë, ata siguruan kualifikimin direkt për në Europa League. Nga ana tjetër edhe pse u mposht, Atalanta është duke kaluar një prej sezoneve më të mira. Përveçse nënkampionë të kupës së Italisë, ata janë në garë për kualifikim në Champions League./abcnews.al

de-beek.jpg
G. P.12:16 | 01/05/2019

Jehonë e madhe në Europë pas fitores së Ajaksit në fushën e Totenhemit në Champions. Trajneri i holandezëve lavdëroi skuadrën e tij, por trajneri i Totenhemit ka ende besim për kualifikimin në finale.

Kanë kaluar 23 vjet që kur ia dolën për herë të fundit, dhe tani janë fare pranë. Yjet e rinj të Ajaksit e mahnitën sërish Europën duke fituar në fushën e Totenhemit, në gjysmëfinalen e parë të Championsit, ndonëse e kanë të qartë se ende nuk janë në finale.

Është e qartë tani se përse u dorëzuan Reali i Madridit dhe Ajaksi, ashtu siç kishte theksuar trajneri i Bajernit, Kovaç, pas dy barazimeve në grup me holandezët. Gazetat dhe Angli dhe Holandë kuptuan gjithçka.

“Daily Mail”: Spërsat mbeten me gisht në gojë! Djemtë e Poçetinos marrin një leksion futbolli nga Ajaksi plot klas!

“Daily Express”: Spërsat me hundë të thyer! Dëmtohet Vertongeni, ndërsa holandezët hedhin valle në Londër!

“Times” i Londrës: Spërsat me shpatulla pas murit! Ajaksi merr kontrollin ndërsa Vertongeni pëson dëmtim serioz në kokë!

“De Telegraf” nga Holanda: Hap i madh drejt finales për Ajaksin! Gjysmëfinalja e parë e Championsit fitohet 1-0 në fushën e Totenhemit!

“Algemeene Dagblad”, po nga Holanda, i bën jehonë mediave europiane që shkruajnë se skuadra sensacionale e Ajaksit mund ta vazhdojë ëndrrën!

Ajaksi u tregua i zoti jo vetëm në lojën ofensive, por edhe në mbrojtje, kur u detyrua të kthehej prapa në pjesën e dytë.

Këtë herë nuk shkëlqyen vetëm kapiteni De Ligt, organizatori De Jong apo serbi Tadiç, por më shumë sesa ata shënuesi i golit, Doni De Beek.

“Ne luftuam si luanë, – tha me krenari trajneri Ten Hag, – një arritje fantastike. Kemi bërë gjysmën e rrugës, por kemi besim sepse jemi në formë të mirë. Jam shumë I lumtur për vullnetin e treguar nga lojtarët e mi. E veçanta e këtij Ajaksi është se ne mund të luajmë stile të ndryshëm futbolli, mund të sulmojmë, por edhe mund të mbrohemi si ekip, kur jemi të detyruar. Nuk jemi ende të kualifikuar”.

Vetë De Beek foli i kënaqur, por edhe i kujdesshëm.

“Jam i lumtur për golin dhe për fitoren, – tha De Beek, pas ndeshjes, – nuk ishte aspak e lehtë, edhe pse në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Tani duhet të përfundojmë punën dhe të kualifikohemi në fushën tonë”.

Totenhemi ndjeu mungesën e lojtarëve kryesorë të sulmit si Harri Kejn dhe Son. Trajneri Poçetino, po ashtu, theksoi se ekipi I tij ishte i lodhur në pjesën e dytë, edhe për shkak të ngarkesës më të madhe në Premier Ligë.

“Mendoj se gjithçka është ende e hapur, – deklaroi ende me besim Poçetino, – natyrisht, do ta kemi shumë të vështirë pasi e humbëm ndeshjen e parë, madje në shtëpi. Problemi është që nuk patëm shumë energji, Ajaksi ishte më i freskët se ne. Tani, le të përgatitemi për ndeshjen e dytë dhe shpresojmë që ta fitojmë. Kemi nevojë vetëm për një rezultat, fitoren, dhe duam që të jemi në finale”.

Ndeshja e kthimit Ajaks-Totenhem do të luhet të martën e 7 Majit në Amsterdam./ABC News Albania 24/7

golden-state-1280x720.jpg
G. P.15:08 | 29/04/2019

Golden State fitoi duelin e parë të plej ofit ndaj Houston-it në basketbollin amerikan. Një duel i madh u zhvillua mes yjeve Kevin Durant dhe James Harden.

Një përballje e denjë për finalen e madhe. Për fat të keq, Golden State-Houston duhet të luhet në raundin e dytë të plej ofit në NBA, një gjysmëfinale e Konferencës Perëndimore.

Dueli i parë shkoi në favor të vendasve, kampionë në fuqi dhe që do të kenë favorin e faktorit fushë në ndeshjen e shtatë, nëse do të jetë e nevojshme.

Shifrat ishin 104-100.

Në një përballje të nivelit më të lartë të mundshëm që ofron basketbolli amerikan, pati aksione dhe kosha të mrekullueshëm, si dhe një duel të dy yjeve kryesorë, Kevin Durantit të Golden State dhe James Hardenit të Houstonit.

Dy kampionët ishin barabar me pikë, duke shënuar secili nga 35, ndonëse Duranti ishte më shumë minuta në parket. Kontributi i tyre ishte thuajse i barabartë edhe në elementët e tjerë të basketbollit.

Duranti kapi 5 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Harden u përgjigj me 4 topa në tabela, 6 pasime për kosh dhe 3 vjedhje.

Golden State pati ndihmë të madhe nga lojtarët e tjerë të formacionit, si Stephen Curry, Clay Tompson, Dreymond Green e Andre Iguodala. Houstoni ndërkaq mundi t’i përgjigjej vetëm me Kris Polin dhe Erik Gordonin.

Gjithsesi, miqtë nga Teksasi u ankuan për gjykimin duke akuzuar arbitrat se nuk ndëshkuan lojën e rëndë të lojtarëve nga Kalifornia. Ndeshja e dytë do të luhet po në fushën e Golden State, duke u gdhirë e mërkura me orën e Shqipërisë./abcnews.al

shkurtaj.jpg
G. P.18:44 | 24/04/2019

Skuadra e Kukësit fitoi ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Skëndërbeut me shifrat 2-1. Rexhinaldo dhe Shkurtaj ishin autorët e golave për verilindoret, ndërkohë që për korçarët shënoi Dejvi Bregu. Takimi i kthimit do të zhvillohet në datën 8 Maj në Korçë.

Kukësi nuk kursen Skënderbeun. Skuadra e teknikut Ernest Gjoka fitoi me rezultatin 2-1 duelin e parë të Kupës së Shqipërisë, e cila u zhvillua në Kamëz. Kupa e Shqipërise është objektiv kryesor për të dyja skuadrat, e cila shikohet si mundësia e vetme për të shpëtuar sezonin.

Kukësi e kërkoi me ngulm këtë fitore dhe ia doli të kalojë në avantazh në minutën e 20 me Rexhinaldon. Sulmuesi merr një asist perfekt nga Rroca dhe nuk tregohet i saktë përballë Dajsinanit.

Në fundin e pjesës së parë, Kukësi ka një tjetër mundësi kësaj radhe provon Limaj, por goditja ndalet në duart e gardianit të juglindoreve. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Kukësit.

Fillimi i fraksionit të dyte të lojës nisi në mënyrën më të mirë për Kukësin që dyfishoi shifrat me Vasil Shkurtajn. Sulmuesi vlonjat përfitoi nga një vendosje e gabuar e prapavijës mike dhe shënon lehtësisht përballë Dajsinanit.

Gjithsesi Skënderbeu ngushton diferencën me Dejvi Bregun, i cili përfiton nga një gabim i portierit Frashëri. Në minutat e mbetura nuk ka ndryshim rezultati dhe skuadra e Kukësit mori një fitore me mjaft vlera në takimin e parë. Sfida e kthimit do të luhet në Korçë në datën 8 Maj./abcnews.al

bakajj.jpg
G. P.17:45 | 16/04/2019

Elis Bakaj vazhdon të shkëlqejë në Bjellorusi. Futbollisti shqiptar shënon sërish dhe skuadra e tij ngjitet në krye të renditjes.

Nuk dëshiron të dorëzohet dhe pse po mbush 32 vjeç.

Elis Bakaj mbetet në formë dhe i rëndësishëm për ekipin e tij, Shakhtyor Soligorsk në Bjellorusi, siç e tregoi në ndeshjen e fundit të kampionatit. Shakhtyori fitoi 1-0 në shtëpi ndaj Slutsk-ut dhe u ngjit në vendin e parë të Superligës bjelloruse.

Natyrisht, është vetëm fillimi i sezonit, pasi janë luajtur thjesht tri ndeshje, veçse forma e skuadrës nga Soligorsku është tepër e mirë, me tri fitore radhazi. Bakaj, ndërkaq, vazhdoi formën e mirë që tregoi në dy javët e para.

Kulmin e pati në ndeshjen e javës së kaluar në fushën e Nemanit, që përfundoi me fitoren 3-0 të ekipit të qytetit të minatorëve. Sulmuesi shqiptar shënoi njërin nga golat, si dhe shërbeu pasimet për dy rrjetat e tjera. Ky është sezoni i dytë i 31-vjeçarit në Bjellorusi.

Vitin e kaluar ai shënoi 7 gola në kampionat dhe 3 në Ligën e Europës për Shakhtyor Soligorsk, duke qenë lojtari më i rëndësishëm i skuadrës. Pasi u shpallën nënkampionë në 2018, pas BATE-s së Borisovit, Bakaj dhe Shakhtyor ndoshta duan të fitojnë titullin këtë vit./abcnews.al

liverpul-1280x691.jpg
ent ela12:51 | 09/04/2019

Liverpuli është favorit ndaj Portos, në duelin e parë çerekfinale të Championsit, që do të luhet sonte në orën 21:00. Trajneri Jurgen Klop vlerëson se skuadra e tij është në formë shumë të mirë

Vjet nuk pati histori.

Madje, nuk qe nevoja që të synohej fitorja në “Anfild”, pasi Liverpuli e siguroi kualifikimin që në fushën e Portos me fitoren 5-0.

Përballja e sotme, në orën 21:00, është sërish në Champions, veçse një shkallë më lart në çerekfinale, dhe anglezët cilësohen sërish favoritë për të kaluar.

Skuadra e trajnerit Jurgen Klop është madje në formë edhe më të mirë sesa edicionin e kaluar, pasi pretendon për titullin në Angli, gjë që vjet as nuk mund ta mendonte.

Trajneri gjerman, për fat, ka një skuadër thuajse të plotë, ndonëse ka edhe mungesa.

Mbrojtësi Gomez nuk është ende i gatshëm, në dyshim edhe Lalana, ndërsa mbrojtësi i krahut Robertson është i pezulluar.

Vajnaldum, Matip e Van Dajk kanë shqetësime të vogla, por pritet të luajnë.

“Ne jemi në një moment shumë të mirë, – pohoi Klopi, – kjo shihet që nga mënyra sesi lojtarët e mi stërviten. Edhe koha duket shumë e bukur, çdo mëngjes zgjohemi me kohë të mirë, gjë që nuk ndodh shpesh. Ne jemi në garë për dy trofe të mëdhenj dhe duan të shkruajmë disa gjëra në librin tonë të historisë. Natyrisht, nuk ka asgjë të sigurt, ndaj Portos, por do të bëjmë gjithçka për të fituar”.

Po Porto a ka sado pak shpresë?

Portugezët janë në formë të mirë në kampionatin e tyre, me pikë të barabarta me Benfikën, në krye, dhe me shpresë për titullin.

Gjithsesi, mungesat në “Anfild” janë të rëndësishme, pasi nuk do të luajnë dy nga futbollistët me më shumë përvojë, Pepe dhe Hektor Herrera, ndërsa Aleks Tejes është në dyshim.

“Ne nuk do të luajmë për hakmarrje, – siguron trajneri I portugezëve, Serzhio Konseisao, – është një ndeshje futbolli, dhe secila ndeshje ka historinë e saj. Ajo që ndodhi, ndodhi, por nuk do të thotë se do të përsëritet. Liverpuli, natyrisht, është shumë I fortë, ka potencial më shumë se ne, por do të provojmë shanset tona dhe them se mund t’ia dalim”.

Pavarësisht se Liverpuli është favorit absolut për të fituar sonte dhe për t’u kualifikuar, sërish Porto mbetet e rrezikshme, siç e tregoi turin e kaluar kur eliminoi Romën./abcnews.al

fitorja.jpg
G. P.14:07 | 07/04/2019

Barcelona është më pranë titullit në Spanjë, pas fitores me Atletikon e Madridit. Skuadra katalanase tani do të përqendrohet tek sfidat e Ligës së Kampionëve.

Nuk mund të thuhet se ishte një “poezi” Barcelona që pati përballë Atletikon e Madridit në “Kamp Nou”. Emrat, padyshim, ishin të gjithë aty, që nga Ter Stegen e deri tek Messi, por jo loja e dikurshme.

Gjithsesi, kjo skuadër ka edhe një cilësi negative, që nuk të kënaq gjithnjë, edhe një shumë të dobishme, që fiton dhe kur nuk bind. Atletiko, së cilës i bënte punë vetëm fitorja, ishte më kërkuese kur dy ekipet ishin me forca të barabarta në fushë.

U dëmtua shumë kur sulmuesi kryesor Diego Costa mori karton të kuq direkt për ofendim të gjyqtarit, por ia doli edhe në inferioritet. Falë portierit më të mirë të Spanjës, Oblak (8 pritje në këtë sfidë), dhe falë karakterit e unitetit, Atleti ishte shumë lart në krahasim me versionin e shëmtuar të humbjes 0-3 në fushën e Juventusit në Champions.

Pati edhe raste për të shënuar e fituar, me Rodrin e Griezmanin, ndonëse shumë pak në krahasim me katalanasit. Barcelona, për fatin e saj të mirë dhe fatin e keq të kundërshtarëve, ka në fushë pikërisht ata emrat që bëjnë diferencën.

Luis Suarez, një nga personalitetet më të rëndësishëm të ekipit, shënoi golin e parë duke mposhtu më në fund Oblakun në 85’. Një minutë më vonë, Lionel Messi “bëri qejf” me mbrojtjen mike për të shënuar golin e dytë.

“Fitorja ndaj Atletikos ishte një hap i madh përpara për fitoren e titullit, – pohoi Suarezi, – nuk ishte e lehtë, dhe ndeshja mund të kishte përfunduar edhe 0-0, por ia dolëm. Natyrisht, ende nuk kemi fituar, ndërsa tani duhet të mendojmë për Championsin”.

“Ishin tri pikë shumë të rëndësishme, – gjykoi trajneri Valverde, – jemi më pranë titullit, por puna duhet të përfundohet. Jemi shumë të lumtur sepse Atletiko është shumë e fortë, jo më kot në vend të dytë. Nuk kam dyshuar kurrë tek Suarezi, ai ka qenë gjithnjë vendimtar”.

Skuadra e trajnerit Valverde ka tani 73 pikë në 31 ndeshje, duke qenë 11 pikë mbi Atletikon, kur ka edhe 7 sfida për t’u luajtur. Messi ka 33 gola në La Liga e Suarez 20, duke qenë dy golashënuesit më të mirë. Tashmë vëmendja zhvendoset tek dueli në Champions me Manchester United në “Old Traford”. Gazetat vazhduan refrenin.

“Marca”: Tjetër Ligë në kasafortë! Suarez dhe Messi rrëzojnë murin e një Oblaku të jashtëzakonshëm!

“El Mundo Deportivo”: Kampion (edhe pse mungon konfirmimi)! Golat e Suarezit dhe Messit në minutat finale, përcaktojnë titullin përballë një Atletikoje me 10 lojtarë!

“Sport”: Një tjetër Ligë! Dhe tani për Championsin! Barça certifikon titullin e 8-të në 11 vitet e fundit, pasi rrëzoi Atletikon me golat e Suarezit dhe Mesit!/abcnews.al

luftetariiii.jpg
ent ela18:40 | 30/03/2019

Luftëtari arriti një fitore të rëndësishme në Superligë ndaj Skënderbeut, duke iu larguar edhe më shumë rrezikut të rënies nga kategoria. Skuadra korçare pati epërsi, por ishte e pafat.

Me atë që u pa në fushë, fati nuk ishte me humbësin.

Skënderbeu pati epërsi të ndjeshme brenda në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, dhe jo vetëm që nuk arriti fitoren, por doli nga fusha i mundur.

Skuadra që vazhdon të luajë futbollin më të bukur në Shqipëri nuk është më, ajo që dominon edhe tabelën, dhe kampionët u shtangën dy minuta para fundit.

Sulmuesi Dunga shënoi golin e vetëm të përpalljes së javës së 26-të të Superligës, një sukses që e ngjiti Luftëtarin në kuotën e 31 pikëve, duke mbajtur në distancë Kastriotin e vendit të parafundit.

Gjithsesi, me përjashtim të faktit që fitoi dhe që pati ndonjë rast, pak mund të flasësh për ekipin vendas.

Historia e ndeshjes I takon thuajse plotësisht formacionit të trajnerit Orges Shehi, që goditi traun, rrahu edhe shtyllën, si dhe pati epërsi në lojë.

Në minutën e 65-të, Shehi hodhi në fushë edhe Devi Bregun, vlonjatin që luajti më parë për Luftëtarin, dhe që u prit me brohoritje nga publiku gjirokastrit.

As Bregu nuk mjaftoi, pasi edhe ai ishte pa fat, ose fare pak I pasaktë.

Humbja bën që Skënderbeu ta ketë më të vështirë tani të mbajë një nga vendet e para, dhe të pretendojë Europën nga kampionati, gjithnjë nëse e fiton gjyqin në KAS-in e Lozanës./abcnews.al

0_Euro-2020-Qualifier-Group-D-Switzerland-v-Denmark.jpg
ent ela16:28 | 27/03/2019

Granit Xhaka nuk mjaftoi për fitoren e Zvicrës në eliminatoret e Evropianit, ndaj Danimarkës. Italia dhe Spanja arritën suksese të lehta. Mund të shënosh edhe bukur, mundet dhe të kryesosh dy apo tre me zero, por sërish të mos fitosh.

Kjo i ndodhi Zvicrës, së cilës nuk i mjaftoi goli për kopertinë nga kapiteni Granit Xhaka për të mundur Danimarkën, në eliminatoret e Evropianit. Edhe pse u luajt në shtëpi, në stadiumin “Sankt Jakob-Park” të Bazelit, zviceranët nuk ia dolën.

Habia e madhe ishte se kryesuan 3-0 deri në minutën e 84-ët, por danezëve u mjaftuan vetëm 9 minuta për të barazuar. Remo Frojler shënoi së pari për Zvicrën, pastaj Xhaka në pjesën e dytë, e më tej, Brel Embolo.

Mrekullia e Danimarkës, siç mund të quhet me plot gojën, nisi me rrjetën e realizuar nga Matias Jorgensen në të 84-ën. Kjo i dha zemër ekipit të drejtuar nga trajneri norvegjez Hareide, shënuan golin e dytë me autor Kristian Gytkjer, ndërsa barazimi erdhi në sekondat e fundit.

Ai u arrit nga Henrik Dalsgard, dhe ishte shpërblimi i merituar për Danimarkën që luftoi për shumë se vendasit, e gjuajti më shumë herë drejt portës e më shumë në kuadrat.

Nëse Zvicra gaboi, nuk mund të thuhet kjo për dy emra të mëdhenj. Spanja, ish-kampione e dyfishtë e Evropës, triumfoi 2-0 në fushën e Maltës, në një ndeshje jo shumë të vështirë.

Pozitive për trajnerin Luis Enrike, që nuk ishte në stol këtë herë për shkaqe familjare, ishte shënimi i të dy golave nga sulmuesi i Atletikos së Madridit, Alvaro Morata, pasi ky kishte nevojë për besim. Italia triumfoi më thellë, 6-0, ndaj Lihtenshtajnit, në një sfidë edhe më të lehtë.

Të besuarit e trajnerit Roberto Mançini e konkretizuan që në pjesën e parë epërsinë që patën në stadiumin “Enio Tardini” të Parmës. Katër herë shënuan para pushimit, me autorë Sensin, Verratin e dy herë Kualjarelën, që u bë shënuesi me moshën më të vjetër në kombëtaren italiane. Pas pushimit, realizuan të rinjtë Moize Kin dhe Leonardo Pavoleti./abcnews.al

ELEMINATORET-E-EUROPIANIT-NDESHJET.mpg_snapshot_00.15-1280x720.jpg
ent ela13:59 | 26/03/2019

Anglia e Franca arritën fitore të thella në eliminatoret e Evropianit, duke kryesuar bindshëm renditjen në grupet e tyre. Portugalia, ndërkaq, u ndal nga Serbia, ndërsa Kristiano Ronaldo u dëmtua.

Mund të quhet skuadra më e mirë e kontinentit në këtë moment (gjithnjë, nëse bie dakord Franca).

Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt arritën një tjetër fitore të madhe, ia doli 5-1 në stadiumin e Podgoricës ndaj Malit të Zi vendas, edhe pse u ndodh në disavantazh shumë shpejt.

Marko Veshoviç kaloi vendasit në epërsi që në minutën e 17-të, por kjo shërbeu më shumë si zgjim për anglezët.

Majkëll Kin, Ros Barkli dy herë, Harri Kejn dhe Rahim Stërling ishin autorët e golave për “shpikësit e futbollit” që janë në krye të grupit eliminator A të Evropianit, me 6 pikë dhe me golaverazhin e madh 10-1.

Ndeshjen e parë, në “Uembli”, e fituan 5-0 ndaj Republikës Çeke.

Anglezët kryesojnë bindshëm ndaj kundërshtarëve si Bullgaria, Kosova, malazezët apo çekët.

Franca e pati fillimisht të vështirë, por pastaj ia mori dorën Islandës, duke e mundur 4-0.

Në “Stad dë Frans”, kampionët e botës ishin impresionues me golat e shënuar nga Samuel Ymtiti në 12’, Olivie Zhiru në 68’, Kilian Mbape në 78’ dhe Antuan Grizman në 84’.

Trajneri Didie Deshamp pati në fushë yje të shumtë, sepse përveç shënuesve, ishin edhe Joris, Varan, Pavar, Kante, Pogba e Matyidi, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Kimpembe, Lemar e Sisoko.

Francezët janë në krye të grupit H, me 6 pikë në dy ndeshje, po aq sa Turqia.

Skuadra e trajnerit Shenol Gynesh, pas suksesit 2-0 në Shkodër, fitoi 4-0 ndaj Moldovës.

Në grupin B, Portugalia dhe Serbia u ndanë në barazim 1-1, në një ndeshje ku Kristiano Ronaldo doli i dëmtuar nga loja.

Ylli i Ajaksit, Dushan Tadiç, kaloi serbët në epërsi në “Estadio Da Luz” të Lisbonës, dhe kampionët e Evropës u duk se do të zhgënjenin sërish.

Ata shmangën të paktën humbjen, kur Uilliam Karvaljo barazoi shifrat pak para përfundimit të pjesës së parë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono