financime

ogerta-manastirliu.jpg
ad min14:11 | 10/09/2019

Buxheti për shëndetësinë në gjashtë vitet e fundit sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu është rritur me 43%.  Pas raportit të Eurostat që na rendit të fundit në Evropë për financimet në shëndetësi Manastirliu thotë se krahasimi duhet bërë me veten.

Shqipëria sipas zyrës europiane të statistikave qëndron e fundit në Evropë për financimin e shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nuk mohon, por sugjeron pritjen e rezultateve të një tjetër institucioni ndërkombëtar.

“Le të presim të dhënat e fundit që do të ketë OBSH për të përcaktuar dhe për të patur një qartësi mbi shpenzimet nga xhepi dhe financimet në shëndetësi dhe për ta riparë pikërisht në funksion të përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor”, tha ministrja.

Ndërkohë që buxheti për shëndetësinë në bazë të GDP-së sipas Eurostat e rendit vendin tonë 3.5 herë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe dy herë ndaj vendeve të rajonit, ministrja Manastirliu në një intervistë për ABC News thotë se krahasimi duhet bërë me veten ndër vite.

“Duhet bërë krahasimi me gjashtë vite më parë. Ku ishte financimi për shëndetësinë dhe ku jemi sot. Sot rezultojmë në një përqindje të rritur krahasuar me gjashtë vite më parë. 43% është më i lartë buxheti për shëndetësinë se në 2013”, tha Manastirliu.

Cilësia e shërbimeve shëndetësore matet nga financimi publik, por sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ky nuk është treguesi i vetëm.

“Ka edhe të dhëna të tjera që referojnë për sistemin se sa i mirë është një sistem shëndetësor, sa i aksesueshëm është një sistem shëndetësor. Indikatori që mat eksesin dhe cilësinë në shërbime vlerësohet rreth 77% që do të thotë nga 100% të mundshme, krahasuar ky me vende evropiane dhe të rajonit. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi më për të bërë. Shpenzimet publike për shëndetësinë duhet të vazhdojnë dhe të jenë në rritje të vazhdueshme ashtu siç ne e kemi treguar. Kemi treguar që shpenzimet nga xhepi janë ulur vit pas viti sepse financimi për shëndetësinë është rritur”, tha Manastirliu.

Pagesat që shqiptarët duhet të bëjnë nga xhepi për të marrë shërbim shëndetësor sipas Eurostat zënë mbi 50% të shpenzimeve ndërsa ministrja thotë se synimi është reduktimi gradual i tyre deri në arritjen e objektivit për mbulim shëndetësor universal./ABC News Albania 24/7

petrit-ago.jpg
ad min22:08 | 12/07/2019

Biznesmeni në fushën e agro-industrisë, Petrit Ago, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija” në ABC News. Ai deklaroi se prej 30 vitesh vëmendja e qeverive në këtë sektor ka qenë shumë e vogël.

Ndër të tjera biznesmeni tha se shteti duhet ta ndihmojë këtë sektor me financime korrekte. Kjo për shkak se subvencionet në agro-industri sipas Agos janë mikroskopike dhe lidhen me interesa të ngushta partiake.

“Shteti duhet të ndërhyjë me financime, por me financime korrekte. Jo me financime që s’kanë lidhje dhe nuk çojnë përpara këtë sektor, por që lidhet me interesat e ngushta partiake, të ta them copë që lidhet me marrjen e votave. Mbarojnë punë me votat në këtë sektor dhe kujtohen 2 muaj, tre muaj përpara se të vijë. Subvencionet në të sektor janë mikroskopike, të mos them zero.

Kjo është në shumë forma, por konkretisht është me ato pak financime që bën shteti nëpërmjet AZHBR-së. Paratë që qeveria akordon për subvencion në këta sektorë nuk adresohen ose nuk iu jepen atyre që iu takojnë. Ose nuk saktësohet mirë se ku do të jepen këto subvencione. Këto i jepen fermerëve që kanë një licencë fermeri. Këta i përzgjedh Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural. Për hir të së vërtetës unë kam parë në një nuancë që ka tentativë për t’u shkëputur nga një lloj koncepti, por që edhe këta nuk dalin dot për arsyen që paratë që adresohen në këtë sektor janë mikroskopik”, tha Ago./abcnews.al

saa-1280x838.jpg
ent ela22:56 | 11/03/2019

Numri dy i qeverisë italiane i ka bërë thirrje teatrit prestigjioz të operas “La Skala”, që të mos pranojë financime arabe. Për politikanët e ekstremit të djathtë është me rëndësi që instituti i kulturës italiane të mos ndikohet nga vende myslimane.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini i ka bërë thirrje drejtuesve të shtëpisë prestigjioze të operës “La Skala” që të refuzojnë një ofertë financimi të ardhur nga Arabia Saudite. Ministria saudite e Kulturës ka ofruar një marrëveshje partneriteti 5-vjeçare me “La Skala”, me vlerë 15 milionë euro. Propozimi ka shkaktuar debate të ashpra mes grupeve për të drejtat e njeriut dhe disa politikanëve, që argumentojnë se një prej institucioneve më të rëndësishme italiane të kulturës nuk mund të pranojë para nga Arabia Saudite, një vend mysliman që shpesh herë akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në një prononcim për gazetarët, Salvini ka deklaruar se nuk dëshiron që partneriteti të nënshkruhet. “Do të preferoja që disa njerëz të mos ishin aty dhe që “La Skala” të jetë e lirë, e pavarur dhe autonome”, ka thënë Salvini. Ai ka shtuar se, nëse investitori do të ishte nga një vend tjetër, si për shembull Zvicra, atëherë nuk do të kishte asnjë problem. Kjo është hera e dytë që nga fillimi i vitit që Salvini, kryetar i partisë së ekstremit të djathtë Liga e Veriut, vë në shënjestër Arabinë Saudite. Në janar ai kritikoi duke i cilësuar “të neveritshme” kufizimet që mbretëria vendosi ndaj grave që dëshironin të shihnin finalen e Super Kupës së Italisë. Bordi drejtues i “La Skala” pritet ta diskutojë ofertën saudite në një mbledhje më 18 mars./abcnews.al

venezuela.jpg
ad min08:23 | 29/01/2019

Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj Venezuelës duke ndëshkuar kompaninë shtetërore të naftës “PD VSA”. Gjithashtu, Uashingtoni zyrtar i ka bërë thirrje forcave të armatosura të vendit që të mos mbështesin verbërisht presidentin Nikolas Maduro, por një transferim paqësor të pushtetit tek lideri i opozitës Huan Guaido.

Këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Majkëll Bolton ka deklaruar se vendimi tregon se presidenti Maduro dhe aleatët e tij nuk mund të mbështeten më tek asetet që i përkasin popullit venezuelian. Sa i takon ushtrisë, prej disa ditësh në radhët e saj kanë nisur përçarjet.

Të dielën, përfaqësuesi kryesor ushtarak i Karakasit në Shtetet e Bashkuara dezertoi në favor të Guaido. Në një video të filmuar në ambasadën venezueliane në Uashington, kolonel Hoze Luis Silva bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe apeloi vëllezërit e tij ushtarë që të mos e njohin më Maduron si liderin legjitim./abcnews.al

zguro.jpg
ad min14:54 | 20/11/2018

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon partive politike të dorëzojnë raportet për financimin e fushatave për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Kryetari i këtij komisioni Klement Zguri tha se nëse partitë këtë detyrim e lënë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot.

Caktimi i datës 30 Qershor 2019 nga Presidenti i Republikës si dita për zhvillimin e zgjedhjeve ka detyruar Komisonin Qendror të Zgjedhjeve t’i bëjë thirrje partive politike që të bëjnë transparencën e financimit të fushatave elektorale.

“Me dekretin e Presidentit lidhet edhe një detyrim i rëndësishëm i partive politike, detyrim i cili në të shkuarën shpesh është anashkaluar ose dhe neglizhuar, detyrimi për të bërë transparencën e plotë të financimit.  Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë.  Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit”.

Nëse partitë duan të tregojnë se zgjedhjet vendore do të kenë standardet e kërkuara atëherë është koha të mos vonohen.

“Nëse partitë këtë detyrim e lenë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre”.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kujton partive politike pjesëmarrëse se sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhen të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore./abcnews.al

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
ad min12:31 | 19/05/2018

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, firmosi vendimin sipas të cilit u ndalohet menjëherë financimi klinikave amerikane të cilat praktikojnë abortin.

Gjashtë muaj para zgjedhjeve të mes mandatit, Presidenti amerikan, Donald Trump, përpiqet të bëjë për vete konservatorët duke i mbështetur në luftën kundër abortit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka firmosur vendimin që i lejon shteteve amerikane që të mos japin më para nga buxheti federal për klinikat në vend që praktikojnë abortin. Por dhe për ato klinika që japin këshilla për pacientet që dëshirojnë të ndërpresin shtatzaninë.

Ligji i ri është menduar për të rrëzuar prindërimin e programuar, një organizatë klinikash jo fitimprurëse që u ofron grave shumë shërbime shëndetësore, mes të cilave dhe abortin. Struktura në fjalë, në 7 Maj kundërshtoi ligjin e hyrë në fuqi në Ajoua, sipas të cilit është e ndaluar të ndërpritet shtatëzania pas gjashtë javësh, pra në momentin që dëgjohet rrahja e zemrës së fetusit.

Vendimi i marrë nga Presidenti amerikan anulon ligjin e mbështetur nga paraardhësi i tij Barack Obama, i cili i ndalonte shteteve që të mos shpërndanin paratë që duhej t’u jepeshin këtyre strukturave. Gjithashtu mund të quhet dhe një rikthim i politikës së Ronald Reagan të 1988-s – e rrëzuar më pas nga Bill Clinton në ’94-n, sipas së cilës, paratë e destinuara për abortin shkonin për planifikimin familjar./abcnews.al

Edi-Rama-kabllot.jpg
ad min16:31 | 13/04/2018

Kryeministri Edi Rama ka vizituar një fabrikë në Vaqarr që ka realizuar skemën e kërkuar nga qeveria të punësimit nëpërmjet zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Trinomi punëdhënës–Shërbimi Kombëtar i Punësimit-punëmarrës ka rezultuar i suksesshëm për këtë fabrikë të specializuar në prodhimin e sistemeve kabllore dhe të sistemeve elektromekanike në Vaqarr. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij përsëriti mbështetjen ndaj atyre që duan të kualifikohen në një profesion të caktuar.

Edi Rama: “Ajo që ne po bëjmë për të ndihmuar dhe për t’i dhënë efiçencë më të lartë skemës së nxitjes së punësimit, është të japim para, për çdo kënd që thotë, unë jam i gatshëm të punoj sepse nuk kam asnjë dituri ose aftësi. Ose kam një diplomë juridiku prej “Kristali”, ose kam një “Vitrinë”. Për këta, ne jemi të gatshëm t’i nxjerrim financiarisht”.

Gjithashtu kreu i qeverisë nënvizoi rritjen e kërkesave në arsimin profesional.

Edi Rama: “Po rritet shumë kërkesa për arsimim profesional dhe ndërkohë kapacitetet e infrastrukturës të arsimit profesional janë ngushtuar. Përpara katër vjetësh thuhej se nuk shkonte asnjeri për arsimin profesional se ishin farsë. Tani e kanë kuptuar se është rruga për t’u punësuar dhe faktikisht, ata që janë me trajtim profesional nga të dhënat që ne kemi nxjerrë kanë një probabilitet punësimi të barabartë me ata me shkollë të lartë dhe nuk diskutohet, më të lartë me ata që kanë arsim të mesëm të përgjithshëm. Kjo është sfida, që të rrisim kapacitetet”.

Kompania aplikon modelin e kualifikimit profesional përmes punës dhe trajnimeve brenda e jashtë vendit. Përfaqësuesi i kompanisë thotë se 60% e atyre që janë punësuar kanë qenë praktikantë që kanë kryer 2-3 muaj praktikën në fabrikë./abcnews.al

sarcozy1.jpg
ad min11:14 | 22/03/2018

Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy, është mbrojtur nga akuzat se ka përfituar financime të paligjshme për fushatën e tij presidenciale. Ai thekson se akuzat për këtë çështje ia kanë bërë jetën ferr.

Ish-presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, thotë se akuzat që rëndojnë ndaj tij për financime të paligjshme të përfituara nga ish-lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, po ia bëjnë jetën “ferr”.

“Unë akuzohem pa ndonjë provë fizike”, është shprehur Sarkozy para gjykatësve ndërsa është vendosur në bankën e të pandehurve. Kjo është raportuar nga gazeta “Le Figaro”. Ish-kreu i shtetit po hetohet për përfitime financimesh të paligjshme të fushatës elektorale në 2007-n, keqpërdorim i fondeve publike të Libisë dhe korrupsion pasiv.

Të enjten, Le Figaro publikoi të plotë dëshminë e Sarkozy para hetuesve francezë. Në të, ai thotë se është i vetëdijshëm se akuzat kundër tij janë “serioze”, por ato përbëjnë “shpifje” dhe ia kanë bërë jetën e “ferr” që nga 11 Marsi i 2011-s, kur pretendimet e para u bënë nga Gaddafi.

“Unë kurrë nuk kam kërkuar të shmang detyrimet e mia në marrëdhëniet me miqtë, kolegët dhe të gjithë njerëzit e përmendur në këto procedura”, tha Sarkozi, duke shtuar se “kurrë nuk ka kërkuar të ndikojë në deklaratat apo gjykimet e tyre”.

63-vjeçari Sarkozy mohon të ketë shkelur ligjet. Politikani i qëndrës së djathtë, i cili është lënë i lirë të mërkurën, pasi është marrë në pyetje për dy ditë, thotë se akuzuesit nga Libia po kërkojnë hakmarrje për vendimin e tij për të angazhuar avionë luftarakë të Francës gjatë kryengritjes, ku Gaddafi u rrëzua nga pushteti në 2011-n. Gjithashtu në pyetje është marrë edhe një nga ish-ministrat e Sarkozy dhe aleat i afërt, Brice Hortefeux.

Ndërkohë, në 2013 drejtësia franceze hapi një hetim për akuzat se fushata e Sarkozy ka përfituar miliona euro të paligjshme nga Gaddafi. Ai dështoi në rikthimin në pushtet në 2012, duke humbur ndaj kandidatit socialist, François Hollande. Edhe në 2014-n, Sarkozy ishte ndaluar nga hetuesit për të njëjtën çështje. Kjo është hera e parë që një ish-president përfshihet në këto procedura./abcnews.al

Veliaj-gjate-vizites-ne-Abu-Dhabi-1-1-1280x720.jpg
ent ela14:06 | 05/03/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar financimin e një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin dhe thithjen e investitorëve të huaj në Tiranë. Ai zhvilloi takime shumë të rëndësishme me gjigantët e Masdar dhe Emaar, të cilët i ftoi të investojnë në projekte të ndryshme në Tiranë, si dhe i njohu ata me lehtësirat dhe klimën e favorshme të të bërit biznes në kryeqytet.

Gjatë vizitës së tij, Veliaj u prit në një takim të veçantë nga Mohammed Saif Al Suwaidi, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, me të cilin bisedoi financimin e projekteve konkrete si sheshi fundor i Bulevardit të Ri, Parku Qendror dhe ndërtesën e re të Bashkisë. Kryebashkiaku vlerësoi kontributin e dhënë nga miqtë e Fondit të Abu-Dhabit, për financimin e projektit të Bulevardit të Ri dhe Lumit të Tiranës dhe theksoi se Tirana është gati për një partneritet të ri për realizimin e projekteve të tjera zhvilluese.

“Ne po mbarojmë segmentin e tretë të Bulevardit të Ri, jemi pranë fundit të lumit ku do të kemi një tjetër shesh ceremonial. Pra, Bulevardi do të fillojë me sheshin “Nënë Tereza” dhe do të përfundojë me një shesh tjetër, aty ku takohet me Lumin e Tiranës. Jemi gjithashtu në fazën për të diskutuar se ku do të ndërtojmë bashkinë e re dhe gjithë zhvillimin që do të shkojë në atë zonë, për t’u siguruar që Tirana të balancohet, duke çuar më shumë zhvillim, banesa, biznese dhe tregti në anën e Bulevardit të Ri”, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, Mohammed Saif Al Suwaidi, e cilësoi të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkinë e Tiranës dhe vlerësoi progresin e projekteve të realizuara. Ai theksoi se aktualisht po shikohet mundësia e investimit në sektorë të ndryshëm. “Patëm një komunikim të shkëlqyer dhe negocime për dy projekte që kemi nisur me qeverinë shqiptare. Kjo marrëdhënie na kthen pas në vitin 2009, kur filluam financimet e para në vendin tuaj dhe që nga ajo kohë kemi patur një bashkëpunim të mirë. Falenderoj posaçërisht kryebashkiakun për gjithë mbështetjen dhe këtë progres të shkëlqyer lidhur me këto dy projekte. Aktualisht, jemi duke parë mundësitë e investimit në fusha të ndryshme. Kemi diskutuar në lidhje me nevojat financiare të qytetit të Tiranës në të ardhmen, do i studiojmë këto mundësi dhe këto aplikime dhe shpresojmë që ato të zënë vend në të ardhmen”, nënvizoi Al Suwaidi.

Duke e cilësuar speciale marrëdhënien e Bashkisë së Tiranës me Fondin e Abu-Dhabit, kryebashkiaku theksoi se është koha për t’i dhënë një ritëm të ri e modern zhvillimit të kryeqytetit. “Kemi pasur jo vetëm një marrëdhënie kreditues-kreditor, por edhe një marrëdhënie të një asistence teknike që na ka ndihmuar të bëjmë projekte me cilësi. Në Bulevardin e Ri parashikojmë të ketë një popullsi prej rreth 100 mijë banorësh. Me këtë projekt duam të tregojmë vizionin tonë për një lagje moderne të Tiranës”, nënvizoi Veliaj, teksa shprehu bindjen se Tirana moderne do të vijojë të zhvillohet në bashkëpunim edhe me partnerët strategjikë.

“Nuk ka më asnjë dyshim që Tirana do të zhvillohet. Mund t’i kalojmë vitet e ardhshme duke diskutuar për vlerat historike të qerpiçit ose mund t’i japim gaz dhe të shohim një Tiranë moderne sa jemi ende gjallë. Për të gjitha këto na duhen partnerë strategjikë që e kuptojnë vlerën e zhvillimit, që ecin me shpejtësi dhe me një cilësi të një zhvillimi modern në qytetin e  Tiranës”, u shpreh Veliaj. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono