Financa

anila-denaj-1.jpg
G. P.14:01 | 19/08/2019

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj paralajmëron.

“Do të flasim javës tjetër me shifra, me emra kompanish dhe me numra inspektorësh të cilët do të shkojnë për masa disiplinore pasi mendoj se në këtë proces nuk mund të shkojë vetëm gjobitja tërë bizneseve që kanë parregullsi, por sigurisht edhe për ata inspektorë që kanë lejuar në këto vite këto parregullsi”, tha Denaj.

Fushata kundër informalitetit ka dhënë rezultate në rritjen e të ardhurave nga akciza. Në muajin Korrik ato arritën 4.86 mld lekë, 17,8 %  krahasuar me një vit me parë. Për rreth një muaj e gjysmë u kryen 960 kontrolle dhe 71 raste u kapën me shkelje.

Veç karburanteve fokus i kontrolleve gjatë këtij muaji do të jenë edhe produktet e alkoolit dhe duhanit. Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë verifikime të detajuara do të ketë edhe për periudha të pakontrolluara më parë./ABC News Albania 24/7

zaev-2.jpg
G. P.15:35 | 24/06/2019

Pas paralajmërimeve të shumta, në fundjavë u konfirmuan ndryshimet në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, me propozimet që u dorëzuan në parlamentin e vendit. Por cilët janë ministrat e rinj në një kohë që kryeministri Zaev është vetëpropozuar për postin e ministrit të Financave.

Kryeministri Zaev veten e ka propozuar Ministër të Financave, kurse ministri i deritashëm Dragan Tevdovski do të jetë këshilltar i tij. Në biografinë e Kryeministrit, krahas karrierës profesionale, shkruan se është rritur në një familje modeste, tradicionale dhe se që nga rinia e hershme është kycur në biznesin familjar të bujqësisë.

Për Goran Milevskin, liderin e Partisë Liberal-Demokrate, i cili do të jetë ministër i Pushtetit Lokal, shkruhet se para se të bëhet deputet, ka qenë profesor i lëndëve ekonomike në një shkollë të mesme të Manastirit, kurse lidhur me njohuritë përmenden MS Office dhe Internet, kurse flet edhe anglishten.

Hysni Ismaili, është propozimi i alternativës për Ministër të Kulturës. Ai me profesion është Doktor i Shkencave Mjekësore, kurse para se të bëhet docent në Universitetin e Tetovës, ka qenë profesor në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë.

Krahas gjuhës shqipe, flet edhe gjuhët maqedonase, turke, angleze, e boshnjake. Lidhur me aktivitetet e kulturës, në biografi shkruhet se ka qenë redaktor i librit, organizator i panairit të parë të librit të botuesve privat shqiptar, redaktor i radio-dramave dhe të 90 radio-emisioneve nga fusha e kulturës, redaktor dhe udhëheqës i 80 programeve dokumentare televizive na gjuhën shqipe dhe njëri prej themeluesve të shtëpisë botuese “Logos A”. Në biografinë e tij përmenden edhe një numër i madh i punimeve shkencore nga fusha e mjekësisë.

Ministër i ri i Ambientit Jetësor do të jetë Naser Nuredini, i cili është shkolluar për Biznes Ndërkombëtar në Austri, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në grafën për gjuhët, thuhet se flet shqipen, anglishten, gjermanishten dhe italishten, kurse flet edhe gjuhën maqedone dhe serbo-kroate.

Sadulla Duraku do ta udhëheq Ministrinë për sistem politik. Përveç funksioneve politike, në përvojën e punës përmenden edhe punësimet në dy shkolla të mesme në Kumanovë.

Në Ministrinë e Bujqësisë duhet të emërohet Trajan Dimkovski, i cili deri më tani ka qenë shef i kabinetit të paraardhësit të tij Lupço Nikolovski. Përveç punës në Ministri, ka përvojë edhe në Këshillat drejtuese dhe shoqata nga fusha e bujqësisë./ABC News Albania 24/7

Foto-Ministrja-19-Qershor.jpg
G. P.12:27 | 19/06/2019

Beteja kundër informalitetit, korrupsionit dhe krimit ekonomik nuk mund të fitohet vetëm me paketa ligjore, gjoba e ndëshkime, por me sjellje profesionale e punonjësve të administratës tatimore e doganore. Kjo ishte deklarata e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një takimi me drejtues dhe punonjës të tatimeve dhe doganave.

“Mendoj që beteja që kemi të dy palët bashkë në luftën kundër informalitetit, korrupsionit, krimit ekonomik është një betejë që nuk fitohet vetëm me gjoba dhe me ndëshkime. Masat administrative janë të rëndësishme, ato disiplinojnë shkelësit e ligjit, japin mesazhe të caktuara, por nuk mund të jetë e vetmja mënyrë se si ne duhet të çojmë përpara një ekonomi të zhvilluar dhe për më tepër të rrisim formalizimin e ekonomisë dhe objektiva që kanë dy administratat tuaja. Në fakt, objektivi kryesor është sjellja profesionale e punonjësve në administratën tatimore e doganore.

Megjithatë një rëndësi shumë të madhe duhet të ketë përpjekja e gjithsecilit prej nesh për të parandaluar evazionin fiskal dhe krimin ekonomik, të paktën duke ndihmuar biznesin, duke krijuar një qasje më proaktive, me të gjitha instrumentet që të dy qendrat e dy drejtorive të përgjithshme kanë. Kjo do të thotë se do të hyjmë në një diskutim më gjithëpërfshirës me biznesin dhe do të përcaktojmë rregulla të mirë dizejnuara të marrëdhënies me ta, të cilat do t’i komunikojmë në mënyrë që parandalimi të jetë pjesë e punës së  dy drejtorive të përgjithshme përtej reagimi post me inspektime”, tha Ministrja./ABC News Albania 24/7

 

8D39AE97-FE76-4F57-9F2F-9CFEA996725A_w1023_r1_s.jpg
ent ela08:47 | 15/02/2019

Kombinati metalurgjik “Trepça” aktualisht po përballet me nivel të ulët të prodhimit, vështirësi të mëdha financiare dhe me mosmenaxhim të duhur, bëjnë të ditur përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

Në mungesë të mjeteve, rreth 1300 minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” ditë më parë kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se “Trepça” vazhdon të ketë vështirësi financiare dhe se sipas tij, kjo vështirësi financiare është përkeqësuar më tepër gjatë grevës që ishte në dy javët e para të këtij viti.

“Në mungesë të punës dhe produktivitetit të nxjerrjes së mineraleve gjatë atyre dy javëve, është shkaktuar një mungesë e prodhimit në një vlerë prej rreth 400 mijë eurosh gjë që ka vështirësuar pjesën e pagesave, por sidoqoftë janë duke u shikuar mundësitë që të rritet produktivit. Është e vërtetë që minatorët janë paguar vetëm 60 për qind, por janë siguruar mjetet dhe do të paguhen deri nesër”, thotë Lluka.

Për pagesat e minatorëve, shton Lluka, është bërë një zgjidhje e shpejtë dhe se gjatë tërë vitit nuk do të kenë ndonjë problem në bërjen e pagesave, por sipas tij, sindikata e punëtorëve dhe menaxhmenti i “Trepçës” duhet të punojnë që t’i rrisin fondet.

Minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe me mosmenaxhim të duhur.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të merren masa konkrete për të përmirësuar gjendjen në këtë ndërmarrje.

“’Trepça’ është në një situatë që nuk ka mjete as për paga, është futur në borxhe. Keqmenaxhimi, korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorët kryesorë që kanë sjell ‘Trepçën’ në këtë gjendje. Kjo është për keqardhje që sot ‘Trepça’ të mos ketë mjete që të paguajë mundin punëtorëve të cilët punojnë në minierë”, thekson Sadiku.

Ndërkohë, edhe Xhevdet Tahiri, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të ndërmarrjes “Trepça”, fajin për nivelin e ulët të prodhimit në minierën e “Trepçës” e hedh te minatorët.

“Nuk jemi në gjendje të mirë financiare për arsye se grevat na kanë shkaktuar humbje të mëdha. Si pasojë e grevave dhe bojkotit të punës nga minatorët në janar të këtij viti dhe në korrik të vitit të kaluar, ka pasur humbje deri në 1.2 milion euro. Duhet më tepër që të kemi prodhim, na duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë me sindikatën. Me një prodhim më të madh ne nuk do të kishim nevojë financiare nga Qeveria. Duhet një vetëdijesim dhe një angazhim i punëtorëve dhe ne mund të krijojmë stabilitet financiar vetëm me punën tonë”, thotë Tahiri.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës siç thekson ministri Lluka, në vit subvencionon kombinatin metalurgjik “Trepça” me rreth 4 milionë euro, por që kjo ndërmarrje, sipas tij, duhet të rrisë produktivitetin dhe të jetë e pavarur financiarisht.

“Sfida mbetet që si të rritet produktiviteti dhe ‘Trepça’ të bëhet e pavarur financiarisht , nuk ka sens që një aset aq i madh dhe aq i pasur dhe kur çmimi i zinkut dhe plumbit nuk ka qenë asnjëherë më mirë, të vazhdojë të operojë me humbje. Tani jemi duke punuar dhe me regjistrimin e ‘Trepçës’ besoj që duhet të punojmë aktivisht deri në futjen e kapitalit privat brenda‘Trepçës’”, thotë Lluka.

Javë më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar statutin e “Trepçës”, e cila i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet. /REL

F44A26A5-A083-4B9B-97EB-90F2FCADEE43_cx0_cy6_cw0_w1023_r1_s.jpg
G. P.08:21 | 07/02/2019

Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se nuk ekziston ndonjë bazë që një komision i fuqishëm i Kongresit të hetojë financat e tij personale.

“Asnjë politikan tjetër nuk duhet të kalojë nëpër një proces të tillë. Quhet ngacmim presidencial. Dhe kjo është për të ardhur keq dhe me të vërtetë e dëmton vendin tonë”, u përgjigj zoti Trump të mërkurën kur u pyet nga një gazetar rreth vendimit të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të shqyrtuar financat e tij.

Presidenti Trump vuri në shënjestër kryesuesin e komisionit, Adam Schiff, një demokrat dhe kritik i njohur i presidentit.

“Mbi çfarë baze do ta bënte ai? Nuk ka asnjë bazë për ta bërë këtë. Ai është thjesht një person politik dhe po përpiqet të krijojë emër për veten e tij,” tha Presidenti Trump për zotin Schiff në përfundim të një aktiviteti të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë për të shpallur zotin David Malpass si kandidat i SHBA për të drejtuar Bankën Botërore.

Disa orë para kësaj, zoti Schiff deklaroi se komisioni, tashmë në duart e demokratëve, do të zgjeronte hetimin përtej Rusisë dhe do të shqyrtojë nëse Presidenti Trump i merr vendimet e tij politike dhe veprimet e tjera si president nisur nga interesat e veta financiare.

Gjatë fjalimit të tij për gjendjen e vendit të martën, zoti Trump i cilësoi pyetje të tilla nga komisionet e kongresit “hetime partiake qesharake”.

Ai tha: “Nëse duam të ketë paqe dhe ligje, nuk mund të kemi luftë dhe hetime”./Zëri i Amerikës

BODE-RAPORTON-NE-KOMISION.mpg_snapshot_01.04-1280x720.jpg
G. P.16:18 | 18/12/2018

I depolitizuar dhe strikt ndaj bindjeve të tij në sektorin ekonomik do të jetë ish ministri demokrat i financave Ridvan Bode në detyrën e anëtarit të këshillit mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. I propozuar nga kabineti qeveritar ish-ministri Bode ka raportuar përpara Komsionit të ekonomisë.

Nuk ka vendimmarrje në Bankën e Shqipërisë prej 3 Nëntorit të këtij viti. Arsyeja? Gjashtë prej nëntë anëtarëve iu ka mbaruar mandati. Që një prej instutucioneve më të rëndësishme të vendit të funksionojë, procedura e kuvendit parashikon edhe këtë seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Ridvan Bode, Suela Popa dhe Edlira Luçi janë emërat e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Artan Hoxha, Arben Malaj dhe Luljeta Minxhozi janë kandidatët e propozuar nga 28 deputetë të Kuvendit. Kandidatura më e përfolur është ajo e ish ministrit demokrat të financave Ridvan Bode. Ai premton se do të jetë i zhveshur nga çdo ngjyrim politik.

Ridvan Bode, ish-ministër i Financave: “Sigurisht e kam marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij instuticioni i zhveshur nga të gjithë ngarkesat politike, pasi është një instuticion tërësisht i politizuar dhe do të kontribuoj që ajo politikë që do të jetë në funksion të politikës monetare do të jetë me e mira dhe më e drejta për rrethanat e vendit.”

Në heshtje e përcollën kandidaturën e ministrit të qeverisë Berisha për t’ja lënë në fund parlamentit të vendosë në seancën plenare të kësaj jave./abcnews.al

ahmetaj.jpg
G. P.15:40 | 20/11/2018

807 miliardë lekë është vlera totale e kontratave të dhëna me Partneritet Publik Privat. Shifrën e bëri publike ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sipas të cilit ky bashkëpunim me privatin është më fitimprurës.

Me sytë e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Partneriteti Publik Privat i njohur si PPP janë një alternativë që jo vetëm shton asetet, por edhe mundëson shërbime për qytetarët. Si pjesë e diskutimit në komisionin e ekonomisë, Arben Ahmetaj tregoi me shifra kontratat që qeveria ka dhënë me PPP.

“Vlera totale e kontratave të dhëna PPP është 807 miliardë lekë nga të cilat 391 miliardë lekë janë te hidrocentraleve. Sipas Ahmetajt  262 hidrocentrale vijojnë të jenë akoma në proces ndërkohë që balanca e fryrë e PPP është pikërisht kjo që raportohet”, u shpreh Ahmetaj.

Ndërsa akuzave të opozitës i përgjigjet po me akuzë. Rruga Tiranë-Elbasan e kontraktuar në 2011, deri në këtë moment ka kaluar vlerën me 100 mln dollarë.

“U nis me një kosto 304 milionë dollarë por ka shkuar 405 milionë dollarë. Nëse verifikohen, pretendimet ekstra kapin vlerën 36 milionë dollarë, 41.6 % më shumë në raport me prokurimin publik. Aksi Qafë Thanë-Lin-Pogradec ka kërkuar sërish më shumë para”, tha Ahmetaj.

Nuk la pa përmendur as ligjin e ri të Partneriteteve Publike Private që do të ndryshojë për ofertat e pakërkuara.

“Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar që nga 1 Korriku 2019 transporti dhe infrastruktura nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP të pakerkuara ndërkohe që dhe ato që do të mbeten pra portet dhe aeroportet, do te hiqet bonusi”, u shpreh kreu i financave.

Ministri Arben Ahmetaj theksoi se do të bëhet heqja e PPP të pakërkuara në një sërë sektorësh./abcnews.al

puna.jpg
G. P.15:27 | 28/10/2018

Tirana është qarku që ka nevojë për punë. Aktualisht janë rreth 16 mijë vende të lira pune bën të ditur ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nëpërmjet statistikave të publikuara në rrjetet sociale. Qarku me kërkesë më të ulët për punësim është Dibra.

Në Janar-Shtator nga sipërmarrjet në të gjithë vendin u deklaruan 50.069 vende të lira pune. Të dhënat ka zgjedhur t’i publikojë vetë ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në faqjen e tij në Facebook.

Në të gjitha qarqet e Shqipërisë rezultojnë vende të lira pune. Tirana zë vendin e parë në listë me  15.997 vende të lira ndërsa vendin e fundit e zë Dibra me 800 vende të lira pune.

Për ministri Ahmetaj sfida e zyrave të punës në çdo qark, është që të përafrojnë kërkesën në treg me profilet e punëkërkuesve dhe përmes një reforme rikualifikimesh, të ndihmojnë çdo punëkërkues të bëhet i punësueshëm.

26.345 persona janë punësuar vetëm nga Zyrat e Punës në të gjithë vendin, 2.650 pret tyre vetëm në muajin Shtator./abcnews.al

ministrii.png
G. P.23:40 | 01/10/2018

Ministri italian i Financave ka informuar të hënën homologët europianë mbi buxhetin e planifikuar nga Roma për vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri është përpjekur të qetësojë Brukselin, që ka shprehur rezerva; zëvendës kryeministri Di Maio ka akuzuar BE-në për terrorizëm financiar.

Ministri italian i Financave ka informuar të hënën homologët europianë me detajet e buxhetit të Italisë për vitin 2019. Në një tryezë me dyer të mbyllura të mbajtur në Luksemburg, Xhovani Tria ka nënvizuar se detajet nuk janë përfundimtare, pasi janë ende në diskutim.

Raportimi i ishte kërkuar ministrit Tria nga homologu francez Bruno Lë Mar dhe ai holandez pas një seri përplasjesh mes Romës dhe Brukselit. Ky i fundit kërkon masa shtrënguese nga Italia, por qeveria e drejtuar nga Xhuzepe Konte insiston se do të rrisë shpenzimet për të luftuar varfërinë. Për këtë arsye, ekzekutivi italian ka në plan që të rrisë deficitin buxhetor në 2.4 për qind, ndërkohë që BE-ja kërkon që rritja të mos shkojë mbi 2 për qind.

Nisur nga kërkesat e serta, zëvendës kryeministri Luixhi di Maio ka akuzuar të hënën liderët e Unionit se po manipulojnë tregjet financiare për të justifikuar kritikat e tyre për planet e Italisë.

“Disa institucione po ushtrojnë terrorizëm financiar në tregjet europiane”, ka thënë Di Maio.

Ai i është referuar komisionerit europian për Ekonominë, Pierr Moskovici, duke e akuzuar se qëllimisht ka dëmtuar tregjet. Ndërkohë, pas raportimit të ministrit të Financave, zyrtarët europianë kanë deklaruar se është ende herët për të formuluar një qëndrim përfundimtar për faktin se buxheti nuk është zyrtarizuar ende./abcnews.al

ekonomia.jpg
G. P.16:35 | 16/07/2018

Në bazë të një auditi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë  kërkon thellim të hetimit për çështjen e blerjes nga ana e Bankës së Shqipërisë së Hotel Dajtit. Dyshimet janë se banka qendrore ka emetuar para enkas për blerjen e godinës, ku shitësi ishte qeveria shqiptare.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit që të thellojë auditimin dhe hetimin e çështjes së blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e emetimit të monedhës. Kërkesa është bërë në rezolutën që ky komision miratoi për veprimtarinë e KLSH-së, bazuar në një audit të mëparshëm që organi më i lartë i kontrollit të institucioneve publike ka bërë në Bankën e Shqipërisë.

“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nxit KLSH të thellojë më tej hetimin e blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e financimit me emetim të monedhës pavarësisht faktit se të ardhurat mund të ishin për të bërë një blerrje të tillë”, tha Blerina Gjylameti.

Auditi i KLSH-së nuk është bërë ende publik, por në bazë të rezolutës së miratuar në këtë seancë bëhet fjalë për blerjen e godinës nga ana e bankës qëndrore në vitin 2010 me një vlerë prej 30 milion eurosh. KLSH dyshon se janë emetuar para enkas për blerjen, duke shkelur rregullat. Përveç kësaj Komsioni i Ekonomisë kërkoi rihapjen e një auditi të plotë të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono