finalen

tifoze-1280x714.jpg
Sej rie16:20 | 01/06/2019

Plot 100 000 tifozë anglezë ndodhen në Madrid për finalen e Championsit. Shpenzime të jashtëzakonshme për udhëtimin, biletat dhe akomodimin në kryeqytetin e Spanjës

Dikur, në kohën para 1990-ës, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi një film për përkrahësit fanatikë të futbollit, të quajtur “Odisea e tifozëve”.

Nëse në atë kohë çmenduria të bënte të vije me biçikletë nga Shkodra në Tiranë, të vuaje trenave, e autobusëve, apo të hipje në karroceri të ZIS-ve e Skodave, si makina rasti, sot “Odisea” vazhdon në mënyrë “moderne”.

Nga 100 000 tifozët e ardhur për Liverpul-Totenhem në finalen e Championsit, historitë janë nga më të ndryshmet.

Biletat e udhëtimit direkt nga Anglia për në Madrid arritën në 1 000 paundë stërlina, ndërsa çdo dhomë hoteli në kryeqytet u prenotua dhe tani nuk ka më të lira.

Si një “goditje” për tifozët ishte lajmi se këtë të premte mund të gjeje bileta me vetëm 100 paundë stërlina.

Me mijëra tifozë mbërritën në Madrid me makinat e tyre personale e familjare, shumë të tjerë bënë udhëtime ajore në qytete të tjera të Spanjës, apo edhe në vende fqinjë, për të mbërritur pastaj në Madrid me autobusë, makina apo trena.

Fjetja është hall më vete, ndërsa shumë anglezë kanë ngritur tenda në një nga parqet më të mëdhenj të qytetit, madje ka nga ata që janë gati të flenë në dysheme, thjesht për të mos humbur rastin për të qenë pranë finales.

Tetë tifozë të Liverpulit të ardhur nga Kalifornia dhe Australia shpenzuan 45 000 euro së bashku në udhëtim.

Njëri prej tyre udhëtoi 25 orë me aeroplan nga Melburni, që i kushtoi rreth 2 300 euro, dhe po aq bleu biletën e ndeshjes, ndërsa shpenzimet e tjera shkuan edhe më shumë.

Halli i fundit zuri qindra tifozë të Totenhemit, të cilëve iu vonua udhëtimi, dhe do të mbërrijnë në Madrid më pak se 5 orë para fillimit të ndeshjes.

Nga 100 000 tifozë, vetëm 32 000 pajisen zyrtarisht me bileta, ndërsa shumë prej tyre mund të mos I gjejnë as në treg të zi.

Ka tifozë që janë gati të shpenzojnë nga 8 000 deri në 11 000 euro për një biletë të vetme, sidomos nga ata të Totenhemit, për të cilët është finalja e parë.

Problemi më i madh për ta është falsifikimi.

Policia spanjolle ka arrestuar deri tani 3 persona për shitje biletash false, dhe atyre u janë gjetur disa mijëra euro, si dhe mjaft bileta të falsifikuara./ABC News Albania 24/7

celsi.jpg
Sej rie11:00 | 29/05/2019

Luhet sot, në orën 21:00, finalja e Ligës së Europës. Arsenali dhe Çelsi përballen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa atmosfera është tensionuar

Finalja angleze do të luhet këtu.

Arsenali dhe Çelsi ndeshen sonte në orën 21:00, në stadiumin “Olimpik” të Bakusë, për trofeun e Ligës së Europës.

Tifozë londinezë të të dyja skuadrave kanë vërshuar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, edhe pse e patën shumë më të vështirë sesa kudo tjetër.

Udhëtuan nga 5 orë e gjysmë deri në 27 orë, në varësi të biletave, ndërsa me ta u bashkuan edhe përkrahës nga vende të tjera.

Një tifoz I Çelsit udhëtoi gati 5 700 kilometra, përmes tre vendeve të ndryshme për të mbërritur në Baku.

Futbollistët e të dyja skuadrave kanë detyrimin të japin maksimumin dhe të fitojnë, edhe për të shpërblyer sakrifica të tilla.

Gjithsesi, për Çelsin punët nuk shkuan shumë mirë në seancën e fundit stërvitore në stadiumin e finales.

David Luiz e Gonzalo Higuain u përplasën gjatë gjithë kohës, në dyluftime të ashpra fizike dhe me nerva, diçka që duket se acaroi edhe trajnerin Mauricio Sarri.

Italiani, që e ka postin në dyshim, u largua duke protestuar nga fusha, ndonëse Çelsi sqaroi se kjo nuk ndodhi për shkak të zënkës së lojtarëve.

Blutë kanë në dyshim mesfushorin Kante, ndërsa mungojnë Hadson-Odoi, Loftus-Çik dhe Rydiger.

“Ne jemi gati për ta luajtur këtë finale, – ishin fjalët e trajnerit, – unë kam 22 lojtarë të bashkuar dhe të cilët unë I dua fort. Fillimisht e pata shumë të vështirë të kuptoja mentalitetin në Angli, por tani është ndryshe. Nuk dua të flas për të ardhmen, por vetëm për finalen”.

Nëse Çelsi dëshiron trofeun, për Arsenalin finalja ka edhe më shumë rëndësi, pasi vetëm fitorja do ta kualifikonte për në Champions sezonin e ardhshëm.

Presioni, pra pritet të jetë tepër I madh mbi të besuarit e trajnerit Unai Emeri.

“Topçinjtë” nuk do të kenë sulmuesin Mkitarian, që nuk udhëtoi dot në Baku, dhe të dëmtuarin Aron Ramsej, një problem I madh taktik për ta.

Një tjetër motiv për trofe për Arsenalin është edhe sedra, sidomos tani që skuadra e femrave u shpall kampione e Anglisë, diçka që djemtë kanë kohë që nuk e bëjnë.

“Kualifikimi për në Champions nuk do të na pengojë të luajmë futbollin tonë, – u shpreh trajneri Emeri, – synojmë titullin, dhe synojmë që shpejt të jemi ndër ekipet më të mirë të botës. Arsenali duhet të kthehet tek mentaliteti fitues, pasi kohët e fundit ka pasur vetëm futbollin e bukur”.

Disa tifozë të Arsenalit patën një të papritur në rrugët e Bakusë, pasi u ndalën nga policia azere.

Shkak duket se u bë fanela e armenit Mkitarian që mbanin veshur, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Për fat, oficerët e policisë, nuk I penguan gjatë tifozët, pasi morën udhëzime në radio.

E gjitha kjo nuk e pengoi atmosferën entuziaste, që krijohet para çdo finaleje.

Tifozë të Arsenalit e të Çelsit, banorë vendas dhe tifozë të ardhur nga gjithë bota, e kthyen në festë pragun e ndeshjes./ABC News Albania 24/7

nba-2-1280x714.jpg
Sej rie12:50 | 15/05/2019

Golden Stejti fitoi finalen e parë të Konferencës Perëndimore në basketbollin amerikan, duke mundur thellë Portlendin. Stefën Kërri triumfoi në duelin ndaj vëllait të tij binjak.

Nuk ishte e lehtë për prindërit të vendosin se kë do të mbështesnin.

Dell dhe Sonia Kërri e zgjidhën duke hedhur short me një monedhë, përpara finales së parë të Konferencës Perëndimore në NBA, mes Golden Stejtit e Portlendit, ndërsa përballë do të ishin dy djemtë e tyre binjakë.

Stefën Kërri i Golden Stejtit dhe Seth Kërri i Portlendit ishin rasti i parë në histori, kur dy binjakë bëheshin kundërshtarë në finalet e Perëndimit.

Siç edhe pritej, fitoi Stefi, vëllai më i madh vetëm për 5 minuta, në udhëheqje të kampionëve të fuqi, Uorriors, me shifrat e thella 116-94.

Në mungesë të Kevin Durantit dhe të yllit tjetër, Demarkus Kouzins, Kërri u kthye në versionin e dikurshëm, kur fitonte tituj në NBA në krah të Klej Tompsonit dhe Drejmond Grinit.

Shënoi 36 pikë, duke qenë më I miri në fushë, si dhe shtoi 6 topa në tabela e 7 pasime për kosh.

Numri 30 shkëlqeu në specialitetin e tij, gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 9 të tilla.

Kapiteni Tompson pati 26 pikë nga ana e tij, ndërsa Drejmond Grin ishte i gjithanshëm me 12 pikë, 10 topa në tabela, 5 pasime për kosh, 2 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh.

Damien Lilard ishte më i miri për Portlendin, por u mbulua fort dhe arriti të shënonte vetëm 19 pikë, pak për standardet e tij.

Të tjerët, si Mekkallëm, Hud apo Kanter, u paraqitën edhe më dobët.

Finalja e dytë e Perëndimit luhet po në fushën e Golden Stejtit, në Oklend, të premten herët në mëngjes, ndërsa për në finalen e madhe të NBA-së kualifikohet ajo skuadër që fiton e para katër ndeshje./ABC News Albania 24/7

nba-1-1280x760.jpg
Sej rie17:30 | 13/05/2019

Një kosh në sekondën e fundit i dha kualifikimin Torontos për në finalen e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan. Leonard shënoi 41 pikë dhe vendosi fatin në favor të skuadrës vendase.

Asnjëra nga skuadrat nuk donte të eliminohej.

Nuk kishte rëndësi fusha, por vetëm fakti se luhej ndeshja e fundit dhe përcaktuese për kualifikim, në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore në NBA.

Toronto Raptors ndaj Filafelfia Siksërs në Arenën kanadeze u kthye në një duel historik, ku dy rivalët shkuan pikë më pikë, në kërkim të fitores.

Gjithsesi, pati një ndryshim në duelin e shtatë, ndërsa rezultati ishte I barabartë 3-3.

Filadelfia luajti si ekip, ku pesë lojtarët e formacionit ishin thuajse të barabartë në parket, ndërsa vendasit u mbështetën thjesht dhe vetëm tek ylli kryesor, Koui Leonard.

Basketbollisti me numrin 2 në fanellë, bëri diferencën duke shënuar 41 pikë, e duke pasur edhe 8 topa në tabela, 3 asistë dhe 3 vjedhje topi.

Ish-lojtari i San Antonios nuk është se nuk gaboi, përkundrazi shpesh nuk ishte i saktë në gjuajtjet e tij, por e nderoi këmbëngulja për t’i shkuar sfidës deri në fund.

Shokët e tij bënë më pak, edhe pse Siakam, Ibaka apo Mark Gasol u përpoqën mjaft.

Në krahun tjetër, Filadelfia mbajti ndeshjen në baraspeshë me pesëshen kryesore, të përbërë nga Embijd, Batler, Harris, Redik dhe Sajmëns.

Embijd ishte më I miri prej tyre me 21 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë.

Ndeshja po I drejtohej shtesës, në rezultatin 90-90, kur Leonard e provoi për herë të fundit.

Arena shpërtheu me entuziazëm kur topi hyri në kosh, pikërisht ndërsa binte sirena, me Toronton të kualifikuar.

Ishte hera e parë që një kosh shënohej në sirenë, gjatë një gjysmëfinaleje të konferencave në historinë e NBA-së.

Tashmë, u përcaktuan finalet, dhe në Lindje do të luajë Miluoki ndaj Torontos, e në Perëndim, Golden Stejti kundër Portlendit, që eliminoi Denverin po në ndeshjen e shtatë, madje jashtë fushe./ABC News Albania 24/7

milan-lazio-1280x641.jpg
Sej rie13:30 | 25/04/2019

Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, u kualifikua në finalen e Kupës së Italisë, pas fitores së Lacios ndaj Milanit. Ai shpreson të ndeshet në finale me shqiptarët e Atalantës, Berisha e Gjimshiti

Mund të kemi një finale mes shqiptarëve.

Lacio mbërriti në ndeshjen fundore të Kupës së Italisë, pasi mundi Milanin në “San Siro”, dhe kjo do të thotë se Tomas Strakosha që ishte në portë, dhe Riza Durmishi që ishte në stol, do të luftojnë për trofeun e dytë më të madh kombëtar.

Bashkë me ta, edhe Igli Tare, drejtori sportiv i lacialëve.

Kryeqytetasit janë në pritje të finalistes së dytë, që do të vendoset pas duelit mes Atalantës dhe Fiorentinës.

Skuadra e Bergamos ka në përbërje dy shqiptarë të tjerë, portierit Etrit Berisha dhe mbrojtësin Berat Gjimshiti.

Duke iu kthyer ndeshjes së “San Siros”, duhet thënë se Lacio e meritoi, pasi luajti më mirë sesa Milani.

Pati më shumë raste, dhe shfrytëzoi shpejtësinë e Hoakin Korreas, autorit të golit të vetëm, shënuar në nisje të pjesës së dytë.

Me kualifikimin në Champions thuajse të kompromentuar, lacialët deshën të kishin të paktën një sukses këtë edicion.

Nëse fitojnë Kupën, do të ishte një arritje, edhe pse asgjë nuk e zëvendëson Ligën e Kampionëve.

Milani, ndërkaq, duket në rënie të vazhdueshme.

Skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo është larg formës së saj të disa javëve më parë, dhe si nata me ditën, me atë që presin tifozët.

Ja komenti mediatik.

“La Gazeta delo Sport”: Një “Djall” i vogël! Lacio në parajsë, është finale! Milani i dominuar nga skuadra e Inzagit në Kupën e Italisë! Gatuzo: Një shëmti, të lodhur dhe pa besim!

“Tutosport” bën lojë fjalësh me nofkën e Gatuzos, “Ringio”: Hungërimë e Lacios, Korrea dënon Milanin, dhe skuadra e Inzagit është me meritë finalistja e parë e Kupës!

Trajneri lacial, Stefano Inzagi, padyshim që ishte tepër i lumtur.

“Ne arritëm një objektiv të madh, – tha ai, – do të luajmë finalen e tretë në tre vjet, dhe e merituam plotësisht. Luajtëm më mirë sesa Milani, ndërsa kemi fituar dy herë në “San Siro”, një herë me Interin dhe një herë me Milanin. Gjithsesi, të përqëndrohemi në Serinë A, pasi duhet ta arrijmë Championsin”.

Ish-ylli milanist, Gatuzo, sot në stol, ishte thuajse i dorëzuar.

“Tifozët e Milanit meritojnë më shumë se kaq, – pohoi ai, – në pjesën e parë luajtëm mirë, por pas pushimit Lacio ishte më lart se ne. Luajtëm pa shpirt, pa forcë dhe pa besim. Gjithsesi, nuk mund të qajmë për atë që iku, por të mendojmë për ndeshjen shumë të fortë në kampionat ndaj Torinos”.

Një nga më të dalluarit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, edhe portieri i Lacios dhe i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha.

Ai pati meritën se ndaloi me zotësi, rastet e pakta që Milani krijoi në portën e tij./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono