fifa

Lionel-Messi-664349.jpg
G. P.22:40 | 03/09/2018

FIFA ka përcaktuar tre lojtarët që do të garojnë për çmimin e lojtarit më të mirë në botë. Favorit është Luka Modriç, ndërsa jashtë konkurrimi mbeti Lionel Messi.

Tashmë është zyrtare.

Ashtu si në konkurrimin për lojtarin e vitit në Europë, Lionel Messi mbeti jashtë.

Është hera e parë që nga viti 2007 që superylli i Barcelonës nuk përzgjidhet, ndërsa në garë do të jenë Luka Modriç, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah.

Kapiteni i Kroacisë u vlerësua ashtu si nga UEFA, për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për ekipin kombëtar, duke e udhëhequr deri në finalen e Kupës së Botës.

Po ashtu, edhe për paraqitjet e tij me Realin e Madridit, duke dalë kampion i Europës.

Cristiano Ronaldo përfshihet po ashtu në këtë garë, duke vazhduar të jetë çdo vit që nga 2007-a, pra duke lënë prapa Messin.

Ai ishte shënuesi kryesor i Realit që doli kampion i Europës, duke shënuar 15 gola, dhe për më tepër realizoi edhe 4 herë në Botërorin rus.

Mohamed Salah, ndërkaq, është një emër që shkëlqeu sidomos sezonin e fundit me Liverpool-in dhe me Egjiptin, duke arritur finalen e Championsit dhe duke qenë në fazën finale të Kupës së Botës.

Ashtu si në garën për çmimin e lojtarit më të mirë në botë, favorit cilësohet Luka Modriç, ndërsa nuk dihet nëse Ronaldo do ta respektojë ceremoninë apo do ta braktisë, siç bëri me atë të UEFA-s.

Përsa i përket lojtares më të mirë femër të botës, FIFA ka përzgjedhur treshen e përbërë nga Ada Hegerberg e Norvegjisë, Xhenifer Maroshan e Gjermanisë, dhe Marta e Brazilit.

Marta është edhe rekordmene me 5 çmime të fituar në karrierë./abcnews.al

katari.jpg
G. P.17:32 | 29/07/2018

Katari rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të kampionatit botëror të futbollit për në vitin 2022. FIFA do të hapë një hetim lidhur me akuzat e fundit. Sipas një gazette britanike, Katari ka paguar një kompani amerikane dhe ish agjentë CIA-s për të dëmtuar konkurrencën.

Trupi udhëheqës i botës së futbollit FIFA është nxitur të kryejë një “hetim të pavarur” në pretendimet se ekipi i ofertës së Katarit 2022 në Kupën e Botës zhvilloi një fushatë sekrete në 2010-n për të sabotuar ofertat konkurruese të organizimit të kampionatit botëror. Kryetari i Komisionit për zgjedhjen Dixhitale, Kulturore, Mediatike dhe Sportive Damian Collins tha se “akuzat serioze”, të botuara në median britanike Sunday Times, përbënjnë një shkelje të rregullave të FIFA-s nëse janë të vërteta.

“Kjo kërkon një hetim të duhur të pavarur dhe FIFA duhet të bëjë të qartë se kjo do të ndodhë”, tha ai.

“Nëse Katari ka thyer rregullat, duhet të hasin me sanksione”, shton ai.

Në një deklaratë, Komiteti Suprem i Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë tha se “kundërshton çdo akuzë të paraqitur nga Sunday Times”. Gazeta pretendon se ka parë dokumente të zbuluara që tregojnë se ekipi i ofertës së Katarit përdorte një firmë amerikane dhe ish-agjentët e CIA-s për të dëmtuar rivalët e saj, kryesisht SHBA-të dhe Australinë.

Qëllimi i supozuar ishte krijimi i propagandës për të dhënë përshtypjen se një Kupë e Botës nuk do të mbështetej në vend. Pavarësisht zbulimeve, organizatorët e turneut të Katarit mohojnë akuzat.

Nëse, në hetimin e radhës konfirmohen akuzat e fundit, Katari rrezikon që t’I hiqet e drejta për të organizuar Kupën e Botës. Në dhjetor të 2010, shteti në Lindjen e Mesme fitoi të drejtën e mbajtjes së kampionatit botëror të futbollit për vitin 2022, duke triumfuar me ofertat e tjera të bëra nga SHBA, Australi, Koreja e Jugut dhe Japonia. Më herët ekipi i Katarit u akuzua dhe për korrupsion, por një hetim i FIFA-s hodhi poshtë pretendimet për rryshfet./abcnews.al

fifa.jpg
G. P.13:54 | 12/07/2018

Nuk duhet të ketë më plane të para të tifozeve të bukura në shkallët e stadiumit, të paktën në ndeshjen e mbetur të këtij Botërori Rusi 2018. Ky është vendimi i FIFA, sipas të cilës, filmimi i tepërt i tyre përbën ngacmim seksual.

FIFA u ka kërkuar televizioneve, por dhe vetë ekipit të kameramave të FIFA-s që të reduktojnë filmimet e tifozëve të bukura gjatë ndeshjeve, pasi konsiderohet si një ofendim për gjininë femërore në përgjithësi.

Lajmi është konfirmuar nga kreu i departamentit për përgjegjësitë sociale të FIFA, Federiko Adieki, sipas asaj që raporton Associated Press. Adieki theksoi se gjatë Botërorit në Rusi, rastet ku gjinia femërore ka qenë pre e ngacmimeve të tilla janë më të shpeshta se sa ato të racizmit.

Në mënyrë të veçantë janë regjitruar shumë raste të ngacmimeve seksuale të gazetareve sportive nga ana e tifozëve. Funksionari i FIFA-s shtoi se ky vendim është një evolucion normal dhe se në krahasim me botërorin e fundit filmimet janë përmirësuar ndjeshëm.

Adieki tha se FIFA ka ndërhyrë dhe më parë në punën e televizioneve, por vetëm në raste të veçanta dhe shumë serioze./abcnews.al

thai.jpg
G. P.12:30 | 07/07/2018

Nëse çdo gjë do të shkojë si duhet dhe 12 adoleshentët tajlandezë e trajneri i tyre do të shpëtohen këto ditë, atëherë FIFA i ka ftuar zyrtarisht në finalen e Botërorit Rusi 2018 që do të luhet në 15 Korrik në stadiumin Luzhniki në Moskë.

Federata botërore e futbollit, i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Tajlandës në të cilën shpreh “keqardhje të thellë dhe mbështetje” për familjet e futbollistëve të rinj dhe trajnerit të tyre, të cilët janë bllokuar në veri të vendit. Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve Anadolu.

Letra që mban firmën e Gianni Infantinos, thotë se FIFA dëshiron të ftojë fëmijët dhe trajnerin e tyre në finalen e Botërorit në Rusi, nëse shpëtohen deri në atë ditë.

Më tej, shtohet se ardhja e fëmijëve dhe trajnerit në finale “padyshim do të jetë një moment fantastik i bashkimit dhe festimit”.

Fëmijët, të cilët u bllokuan në shpellën e përmbytur nga 23 Qershori, kanë kërkuar nga pjesëtarët e ekipit të shpëtimit, të cilët kujdesen për ta që t’i informojnë për zhvillimet në Botëror. Finalja e Botërorit do të luhet më 15 Korrik në stadiumin “Luzhniki” të Moskës./abcnews.al

xhaka-e-shaqiri.jpg
ent ela19:11 | 25/06/2018

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri nuk pezullohen nga FIFA dhe mund të luajnë për Zvicrën në ndeshjen e radhës në Botëror. Gjobë për dy shqiptaro-zviceranët, por gjobë e rëndë edhe për Federatën Serbe.

Ky festim nuk është i dënueshëm.
FIFA vendosi pikërisht kështu për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, duke hedhur poshtë pretendimin e Serbisë për t’i dënuar, pas festimit me shenjën e shqiponjës.
Kjo do të thotë se ata do të luajnë në ndeshjen e radhës në Botëror, atë ndaj Kosta Rikës në Grupin E, ndërsa besohej se rrezikonin deri në 2 ndeshje pezullim.
Dy futbollistët shqiptaro-zviceranë e bënë shenjën e shqiponjës, pasi realizuan golat për ekipin e tyre përfaqësues në ndeshjen e Botërorit ndaj Serbisë.
FIFA e quajti gjithsesi shkelje veprimin e tyre, pasi i gjobiti me nga 10 000 franga zvicerane.
Gjobë me 5 000 franga zvicerane mori edhe kapiteni i Zvicrës, Lihtshtajner, që gjithashtu bëri shenjën e shqiponjës në rastin e njërit prej golave.
“B92” komenton thjesht: Xhaka e Shaqiri mund të luajnë ndaj Kosta Rikës! U dënuan vetëm financiarisht për konotacionin politik në festimin e golave ndaj Serbisë.
Gazeta “Danas” edhe më pozitive: Siç edhe pritej, Xhaka e Shaqiri nuk u pezulluan për shkak të festimit të golave! U ndëshkuan vetëm financiarisht.
I kundërt qendrimi i “Kuririt”: Turp për FIFA-n dhe gjithë botën.
Ja sesa u dënuan shqiptarët Xhaka e Shaqiri për provokimin e serbëve!
“Kurir” zemërohet që Federata Serbe u gjobit me 54 000 franga, pra më shumë sesa Xhaka e Shaqiri, dhe kjo për shkak të ofendimeve të tifozëve dhe hedhjes së sendeve në fushë./abcnews.al

boterori-1280x720.jpg
G. P.17:03 | 10/06/2018

Teknologjia do të përdoret për herë të parë në Kupën e Botës. Vendimi i FIFA-s pritet të shmangë padrejtësitë që ishin fatale në Botërorët e shkuar.

A jeni gati për risinë e fundit?

Në Rusi, për herë të parë në histori, do të përdoret sistemi i teknologjisë, i njohur shkurt si VAR. Vendimi i FIFA-s është i prerë dhe shpresa është e madhe që gjyqtarët të kenë ndihmën që kanë kërkuar jetë e mot.

Po ashtu, që fati i një skuadre apo i një turneu të mos vendoset nga një moment padrejtësie. Një sistem telekamerash do të jetë vendosur nëpër stadiume, ndërsa në një qendër e specializuar do të jetë në Qendrën Ndërkombëtare të Transmetimit në Moskë.

Ekipi i VAR-it është përbërë nga një vëzhgues kryesor, dhe 3 ndihmës të tij. Po ashtu, do të jenë 4 specialistë të pamjeve të përsëritura me ngadalësi. Materiali filmik, që nga Moska, do t’u shpërndahet të gjithë stadiumeve ku luhen ndeshjet, me pamje të aksioneve nga çdo kënd i fushës.

VAR-i do të përdoret në rastin e golave, aksioneve që kanë lidhje me golat, penalltitë, kartonët e kuq si dhe kur gjyqtari gabon në identitetin e një lojtari. Nëse teknologjia do të kishte qenë që në fillim, ndoshta fati i Botërorëve mund të kishte qenë tjetër.

Më e famshmja nga të gjithë është “Dora e Zotit” e Maradonës në 1986, në çerekfinalen ndaj Anglisë. Gjyqtari e cilësoi të rregullt, pavarësisht protestave të anglezëve. Jo më pak i përmendur goli i tretë i Anglisë ndaj Gjermanisë në finalen e Botërorit në 1966 në “Uembli”, i mbiquajtur goli fantazmë.

Gjuajtja e Xhef Hërstit e kaloi apo jo vijën?

E rëndë goditja e Harald Shumaherit ndaj Batistonit në gjysmëfinalen e 1982-it, Gjermani Perëndimore-Francë. Francezi u nxorr jashtë me barrela, ndërsa portieri gjerman nuk u ndëshkua as me penallti, as me të verdhë. Në 2010-n, Anglia u duk se shënoi me anë të Lampardit ndaj Gjermanisë, por goli nuk u dha, edhe pse topi kishte kaluar vijën fatale.

Së fundi, holandezi De Jong mund ta kishte marrë në mënyrë të merituar të kuqen në finalen e 2010-ës ndaj Spanjës, pas goditjes kung fu ndaj Shabi Alonsos, por ia hodhi. Shpresohet që nga Botërori rus e më pas, këto të mos ndodhin më./abcnews.al

FATI-I-MIQESORES-ME-UKRAINEN-1280x720.jpg
ent ela22:40 | 29/05/2018

FIFA do të vendosë fatin e miqësores mes Shqipërisë e Ukrainës të datës 3 qershor. Ukrainasit janë ankuar për cilësinë e fushës së stadiumit në Francë.

Kjo sfidë me shumë gjasa nuk luhet.

Shqipëria e vlerëson si shumë të rëndësishme miqësoren ndaj Ukrainës, sidomos pas kësaj që i ndodhi me Kosovën, veçse një arsye banale mund të na djegë.

Fusha e stadiumit “Park dë Sports” në Anesi është në gjendje aspak të mirë, ndaj edhe trajneri I Ukrainës, Andrij Shevçenko, ngriti alarmin në konferencën e tij për shtyp.

Ai deklaroi se ose duhej ndryshuar stadiumi, ose përndryshe miqësorja duhej anuluar.

Duket se ka qenë një mangësi e punës së organizatorëve të miqësores, të cilët nuk e kanë pasur vëmendjen e duhur tek cilësia e fushës.

Tashmë, i mbetet FIFA-s që të vendosë, pas kërkesës së bërë nga Federata e Futbollit të Ukrainës.

Shevçenko trembet se cilësia e keqe e fushës së stadiumit ku luan skuadra franceze, Evian, mund të sjellë dëmtim të futbollistëve të ekipit të tij.

Përpara kësaj miqësoreje, Shqipëria luajti ndaj Kosovës në miqësore, ndërsa Ukraina do të luajë gjithashtu një miqësore ndaj Marokut.

Asnjëra nga skuadrat nuk u kualifikua për në Botëror, ndërsa po përgatiten për eleminatoret e Europianit dhe Ligën e Kombeve. /abcnews.al

download-4.jpg
ent ela17:44 | 11/05/2018

Tomas Strakosha përfshihet në ekipin e javës në futbollin botëror, pas paraqitjes së shkëlqyer në Serinë A. Vlerësimi për portierin shqiptar u bë nga FIFA.

Dihej që ishte shumë i mirë, por e tregoi edhe një herë veten.

Tifozët e Lacios nuk u ndjenë të lumtur për rezultatin, por të paktën u kënaqën nga paraqitja e portierit të tyre titullar, Tomas Strakosha.

Shqiptari 22-vjeçar u ndodh përballë shokut të tij në kombëtare, Etrit Berishës, dhe shkëlqimi që pati bëri përshtypje deri në FIFA.

Strakosha i bëri vend vetes në ekipin e javës, në një skuadër me 22 lojtarë të përzgjedhur nga ligat e gjithë botës, edhe pse nuk ishte portieri titullar I FIFA-s, por rezervë.

Në portë ishte portieri tjetër, Jan Somer.

Lacio-Atalanta përfundoi barazim 1-1, por skuadra mike e trajnerit Gasperini, meritonte të fitonte, dhe do t’ia kishte dalë po të mos kishte qenë për Strakoshën.

Ai nuk pati faj në golin e pësuar, i ndodhur vetëm për vetëm me lojtarin kundërshtar, ndërsa u ndihmua edhe nga shtylla, por meritat e tij ishin të mëdha.

Skuadra e Etrit Berishës luajti më mirë sesa Lacio duke ia rrezikuar vendin në Champions sezonin e ardhshëm, edhe pse kryeqytetasit e kanë ende fatin në duart e tyre.

Do të luajnë ndaj Krotones dhe pastaj do të presin Interin në javën e fundit të Serisë A, në një sfidë direkte për kualifikim për në Ligën e Kampionëve.

Do të duhet që Strakosha të jetë sërish në formë të madhe që Lacio të realizojë objektivin e madh të sezonit, ndërsa portieri shqiptar shpreson të luajë në elitën e futbollit europian. /abcnews.al

vlcsnap-error233-1280x720.jpg
ent ela12:15 | 15/02/2018

Kombëtarja shqiptare ka fituar një pozicion në renditjen botërore të FIFA-s për muajin shkurt. Skuadra e drejtuar nga trajneri Kristian Panuçi ishte në vendin e 59-të në klasifikimin e publikuar nga “qeveria e futbollit” për këtë muaj. Ekipi përfaqësues vazhdon ngritjen graduale, pas rënies së madhe që pati në muajin tetor të vitit të kaluar, kur zbriti në vendin e 71-të.

Gjithsesi, kombëtarja është larg rekordit të vendit të 22-të në qershor të vitit 2016, pas fitores 1-0 ndaj Francës në miqësoren e luajtur në “Elbasan Arena”.

Rivalët e Shqipërisë në Ligën e Europës, po ashtu njohën rritje. Skocia fitoi një vend dhe është tani e 31-ta, ndërsa Izraeli është në vendin e 98-të.

Rritje modeste për ekipin përfaqësues të Kosovës që gjithashtu fitoi një vend, duke qenë e 177-ta në botë, ndër 211 pjesëtarë të FIFA-s./abcnews.al

vlcsnap-error715-1280x720.jpg
us er13:44 | 23/11/2017

Kombëtarja shqiptare përmirësoi pozicionin e saj në renditjen e FIFA-s, për herë të parë pas shumë muajve. Ekipi përfaqësues fitoi 9 vende në klasifikimin botëror të shteteve, duke qenë tani I 62-ti për muajin nëntor. Ky sukses erdhi pak ditë pas fitores 3-2 ndaj Turqisë, në miqësoren e luajtur në stadiumin e Antalias.

Shqipëria ka lënë pas, aktualisht, dy skuadra që janë finaliste në Kupën e Botës, pikërisht Arabinë Saudite dhe Rusinë, organizatore të Botërorit.

Ngjitje në renditjen e FIFA-s pati edhe Kosova, madje edhe ajo me 9 pozicione. Skuadra tjetër shqiptare është tani në vendin e 174-ët në botë, dhe kjo pas fitores në ndeshjen miqësore ndaj Letonisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono