festival

erblin-nushi.png
G. P.18:42 | 09/11/2018

Regjisori i ri kosovar, Erblin Nushi, ka projektuar filmin “Bin” në TIFF. Filmi është bazuar në historinë e tij të vërtetë se si shikohet lufta prej syve të një 6-vjeçari . Nushi thotë në një intervistë për ABC News se nominimi në Student Academy Awards  për çmimin Oscar ndryshoj jetën e tij si kineast i ri.

Nuk ndodh shpesh që të qëllosh që me herë të parë, por  regjisori i ri kosovar Erblin Nushi ia ka dalë që me filmin “Bin” të nominohej në Student Academy Awards Oscar 2018. Ai pranon se ky nominim i ka hapur shumë dyer dhe i ka dhënë mundësinë të njihet me kineastë të shumtë ndërkombëtarë.

Në filmin me metrazh të shkurter për 19 minuta ai rrëfen historinë e tij personale, përjetimin e luftës së Kosovës, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Nushi thotë se ky film është i vërtetë, pasi ai më herët nuk e kishte kuptuar traumën e ndarjes nga familja, por filmi e ka ndihmuar jo vetëm për t’u shprehur artistikisht, por i ka shërbyer edhe si një lloj katarsi shpirtëror.

Megjithëse ende filmi po bën ciklin e tij në festivalin ku u shfaq edhe në festivalin TIFF, ai sërish ka nisur xhirimet për një film në Kosovë për gratë e dhunuara. Ai prej 8 vitesh jeton në Amerikë ku ka mbaruar edhe shkollën për regji filmi, por tematikën për filma vazhdon ta marrë nga vendlindja e tij Kosova. Filmi “Bin” deri tani ka marr pjesë në 10 festivale të rëndësishme filmi në botë dhe vazhdon ende ciklin e tij./abcnews.al

vlcsnap-2018-08-10-15h11m03s994-1280x720.png
G. P.15:11 | 10/08/2018

Me një numër të madh artistësh të konfirmuar si në tregun botëror dhe atë shqiptar, “Sunny Hill Festival” nis sonte edicionin e dytë në Kosovë. Në natën e parë, do të këndoje edhe ylli i ri i popit botëror, Dua Lipa.

72 orë muzikë në “Sunny Hill Festival”. Dua Lipa këndon sonte, në natën e parë në Prishtinë.
Festivali i cili qëmton ta vendosë Kosovën në hartën e kulturës për të provuar se vendi më i ri evropian nuk mund të identifikohet vetëm me skandale apo konflikte, tërheq vëmendjen e shtypit të huaj të shkruar.

Kryesisht ato britanike, si “The Guardian” e përkufizojnë “Sunny Hill Festival”, jo thjesht një skenë ku do të këndojnë artistë të konfirmuar në skenat ndërkombëtare dhe ato shqiptare, por si një mënyrë për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të përmirësimit të imazhit të vendit.
Dhe këtë po e bën artisti Dukagjin Lipa, që angazhimin ia lehtëson e bija, Dua Lipa, ylli i ri i popit botëror, që vitin e kaluar ishte numri një në renditjen e këngëve më të mira me “New Rules” (“Rregullat e reja”).

Këngë të cilën me siguri Dua do ta këndojë edhe sonte në mbrëmje në “Sunny Hill Festival”, që nis rrugëtimin tre ditor me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve të huaj dhe shqiptarë.
Kjo foto e shkrepur gjatë paradites në Parkun Kombëtar të Gërmisë, aty ku do të mbahet festivali, tregon se gjithçka është gati për sonte në mbrëmje. Në skenën pas krahëve të dhjetëra të rinjve që kontribuojnë vullnetarisht për ti treguar fqinjëve ballkanikë dhe Evropës se Kosova është një vend paqe dhe muzikëdashës, do të ngjiten 13 artistë, të gjithë emra të njohur të muzikës shqiptare. E fundit do të këndojë Dua Lipa.
“Sunny Hill” vazhdon mbrëmjet e tij me të tjerë artistë të shtunën dhe të dielën, po aq të suksesshëm në krijimtarinë e tyre./abcnews.al

mik.jpg
G. P.17:14 | 26/07/2018

Në qytetin e Korçës ka startuar “Mik festival”, festival i i muzikës ndërkombëtare. Mbrëmja e parë i është dedikuar këngëtares Tefta Tashko Koço. Në skenë u ngjiten disa nga emrat më të njohur të muzikës operistike që sollën për publikun këngë të vjetra nga repertori i këngëtares së njohur, Tefta Tashko./abcnews.al

shengjini.jpg
G. P.15:30 | 22/07/2018

Pushuesit në Shëngjin kanë shijuar një natë ndryshe. Një aktivitet foklorik i quajtur “Alb Fest” i ka mbajtur të mbërthyer për rreth dy orë. Pushuesit thonë për ABC News këto aktivitete ndihmojnë shumë në ruajtjen e traditës dhe folklorit tonë.

Folklori zbriti në Shëngjin. Elemente burimore nga treva të ndryshme të vendit janë përcjellë për pushuesit dhe turistët në këtë zonë bregdetare. Dy orë festë të organizuara nga qendra e veprimtarive folklorike në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës.

Synimi është që nëpërmjet turizmit të promovohet dhe mbahet gjallë kultura. Ndjekësit e vlerësuan shumë aktivitetin si një mënyrë për të ruajtur traditën tek të rinjtë.

“Është shumë e  domosdoshme për ta prezantuar folklorin tonë burimor, për t’i njohur gjeneratat e reja që rrënjat dhe zanafillat e popullit tonë fillon këtu”, tha një pushuese.

“Po shoh të rinj që po e shohin me interes. Duhet të promovohet sepse është një prej pasurive tona kombëtare”, u shpreh një pushues

“Unë personalisht që jetoj jashtë më mungon shumë, për këtë arsye edhe e shijoj këtu”, tha një pushues tjetër.

Për drejtoreshën e qendrës së veprimtarive folklorike, Rezearta Kokonozi, thotë se folklori dhe tradita, turizmi kulturor në terezi, do të shtrihet në të gjitha zonat turistike.

“Ne startuam në Shëngjin. Më tej do të vazhdojmë që folklori dhe tradita jonë të shtrihet në bregdetin e Adriatikut, në qytetin e golemit ndërsa më pas në jug të Shqipërisë”, tha Kokonozi.

Lahuta, polifonia, çiftelia dhe vallja tradicionale mbajtën të mbërthyer publikun në Shëngjin./abcnews.al

 

berati.jpg
G. P.15:12 | 20/07/2018

Festivali Multikulturor si këtë vit regjistron edicionin e tij të pestë dhe gjatë ditëve do ta kthejë qytetin e Beratit në epiqendrën e aktiviteteve kulturore. 

Prej pesë vitesh në çdo verë Berati pret Festivalin Multikulturor që i jep hapësirë grupeve të muzikës së traditë dhe artistëve të rinj të sjellin artin e tyre në vendet e trashëgimisë kulturore.

Festivali Multikulturor vazhdon traditën e tij. Viti i pestë me vendtakim Beratin përveç se bën bashkë në të njëjtin mjedis grupet e njohura të muzikës popullore, pasurohet edhe me artistë të huaj, si austriakët e “Kusimanten”.

Për 2018-n është menduar që festivali të vijë nën sloganin “Unë jam trashëgimi”, që qëmton idenë e promovimit të vendbanimeve apo qendrave të arit e kulturës përmes muzikës tradicionale dhe asaj të kohës.

“Festivali Multikulturor i Beratit tregoi që në fillim që është modeli i suksesit të rijetëzimit të trashëgimisë kulturore”, tha Mirela Kumbaro.

Bashkëpunëtorë janë edhe austriakët.

“Unë gjithmonë gëzohem kur jam në Berat. Është një kënaqësi që së bashkë me ju çelim Festivalin e 5-të Multikulturor”, tha ambasadori i Austrisë, Johann Sattler.

Grupe nga Himara, Berati, Përmeti, Pleqtë e Krujës, piktorë e këngëtarë që i bashkon vënia në dukje e folklorit përbëjnë agjendën e festivalit që nisi në mbrëmjen e të Enjtes me temën e dasmës dhe mbyllet të Shtunën me një koncert të Shpat Dedës./abcnews.al

schermo-dellarte.jpg
G. P.15:59 | 27/05/2018

Në festivalin e ekranit që po zhvillohet në Shkodër e ftuar është edhe një nga emrat e njohur të botës se artit. Ra de Martioni merr pjesë me filmin “Controfigura”.

Ra di Martino është një prej emrave të njohur të botës së artit, pasi filmat e saj, instalacionet dhe fotografitë janë ekspozuar e shfaqur në shumë festivale filmi, nga Italia, në Neë York, Berlin, Londër e shumë shtete të tjera të botës. Për herë të parë ajo ka mbërritur në tokën Shqiptare, për t’iu bashkuar festivalit të ekranit me filmin  e saj “Controfigura”. Ky film është shfaqur për herë të parë në Bienalen e Venecias në vitin 2017 si dhe në festivalin “Lo schermo dell’arte”, po atë vit.

Ra di Martino: “Është hera e tretë që bashkëpunoj me “Schermo dell’arte. Do prezantoj filmin tim që më herët kam marrë pjesë ne Bienalen e Venezias, apo në Firence. Më duhet ta pranoj që është e vështirë të bësh një film jo komercial. Duhet ta bësh me mbështetjen e njerëzve profesionistë e që njohin punën tënde. Jam e kënaqur për realizimin.”

Regjisorja italiane e pyetur nëse njeh artistë Shqiptarë dhe kinematografinë e vendit tonë, shprehet:

Ra di Martino: “Njoh disa artistë shqiptarë, që udhëtojnë në vende të ndryshme, por njoh shumë pak kinematografinë shqiptare dhe nuk di çfarë të them”. 

Ra Di Martino është diplomuar në Chelsea College of Art dhe Slade School of Art. Pasi kaloi disa vite në Londër dhe Nju Jork, tani jeton dhe punon në Itali. Me dokumentarin The Show Must Go On mori pjesë në Festivalin e Filmit të Venecias, ku fitoi çmimet SIAE dhe Gilo Pontecorvo, “Special Mention” në Salina DocFest, çmimin Nastro d’argento për filmin dokumentar më të mirë në 2015 dhe në 2017 si dhe mori pjesë përsëri në Festivalin e Filmit të Venecias me filmin “Controfigura”. /abcnews.al

cun-lajci.jpg
G. P.16:41 | 19/05/2018

Artisti i njohur nga Kosova, Çun Lajçi, ka promovuar në Tiranë librin e tij “Bekimi i Plisit të Moisiut”. Në festivalin Ditënetët e Librit, Lajci recitoi e performoi me lahutë, duke krijuar njëatmosferë të pazakontë në sallën e Muzeut Kombëtar.

Një promovim ndryshe i librit erdhi në festivalin “Ditënetët e Librit”. Rrëfim dhe performancë nga artisti i njohur Cun Lajçi.

Copëza jete ka përmbledhur në librin e tij “Bekimi i Plisit të Moisiut” aktori Çun Lajçi.

Çun Lajçi është i njohur në fushën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ndërsa poezia është një tjetër pasion i tij. Me vargje shpreh gjithçka ka në shpirt, dashurinë për vajzën e humbur, por edhe revoltën ndaj aktualitetit.

Libri “Bekimi i Plisit të Moisiut” i dedikohet vajzës së ndjerë të autorit dhe dy artistëve të mëdhenj, Bekim Fehmiu dhe Aleksandër Moisiut./abcnews.al

lezhaaa.jpg
G. P.14:41 | 13/05/2018

Përherë e më tepër, lezhjanët janë të interesuar pas kulinarisë, kryesisht asaj tradiconale. Për këtë organizohen dhe festivalë apo konkurse që për më tepër kanë qëllim të tërheqin kureshtarët dhe të informojnë vizitorët e turistët për gatimet në këtë vend turistik.

Në Lezhë, kuzhinierë dhe restorante u vunë në garë për të tërhequr vëmendjen e publikut. Prodhimet e zonës nga deti në mal zunë vend në pjatat e prezantuara. Lezhjanët shpalosën menunë e tyre tradicionale, por edhe krijimet e eksploruesve në kuzhinë.

Pasi kanë vënë në dispozicion pasionin e tyre, kuzhinierët lezhjanë janë të bindur se frekuentimi do të jetë gjithnjë në rritje nga vizitotët dhe turistët. Kjo, sipas tyre, ka nisur të ndodhë.

Kureshtaret apo edhe ata që janë të bindur se kuzhina në Lezhë është mjaft interesante u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje. Dëshira për të shijuar çdo pjatë të prezantuar ishte e pashmangshme. Sigurisht kjo ishte një mundësi për të njohur edhe vetë restorantet nga afër. Për të degustuar shijen e gatimeve të Lezhës kanë udhëtuar enkas drejt këtij qyteti edhe vizitorë nga kryeqyteti.

Kudo në sheshin kryesor të Lezhës shihje kuzhiniere që shfaqnin performancat e tyre. Përzgjedhjet ishin të ndryshme. Nga një stendë në tjetrën gjithçka ishte krejt e veçantë, ashtu siç pretendon të jetë kuzhina kulinare e Lezhës. Nuk mungoi edhe prezantimi i kulturës. Veshtjet tradicionale u bënë pjesë e prezantimit të kulinarisë në Lezhë. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono