festime

elbasan-pashke.jpg
G. P.12:28 | 28/04/2019

Në të gjithë vendin besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët ose Ringjalljen e Krishtit. Në Korçë, Elbasan, Fier, Vlore, Gjirokastër ortodoksit kanë marrë pjesë nëpër mesha dhe më pas kanë vazhduar festimet familjare.

Me shprehjen “Krishti u ngjall!” besimtarët ortodoksë festuan atë që njihet si moment i veçantë i besimit, ringjallja e Krishtit tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, një simbolikë për rilindjen e shpresës, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen e çlirimin nga mëkati, përmes forcimit të besimit tek Zoti.

Besimtarët kanë ndezur qirinj, me simbolikën e marrjes nga drita e perëndisë, ndërsa e kuqja e vezëve që i dhurohen njëri tjetrit ka një tjetër simbolikë, atë të sakrificës së Krishtit./abcnews.al

dita-e-veress.jpg
G. P.15:25 | 14/03/2019

Zbukurimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe tregtarët ambulantë të ballokumeve ishin të vetmet detaje që përcillnin atmosferën e festës në Tiranë. Dita e Verës nga bashkia është parashikuar të festohet më 17 Mars, kur pritet mot me diell.

Dita e Verës këtë vit në Tiranë erdhi me qiell të zymte dhe ulje temperaturash. Atmosferën festive në kryeqytet e përcjellin zbukurimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe tregtarët ambulantë që kanë dalë të nxjerrin të ardhura nga produktet e festës.

Tiranës i mungon gjallëria që e karakterizon në një ditë të zakonshme jave. 14 Marsi është zyrtarisht pushim, ndërsa bashkia festimet i ka zhvendosur me 17 Mars me argumentin e motit të keq.

Por si parashikohet të jetë koha të dielën?

“Për sa i përket ditës së dielë do të paraqitet kryesisht me mot të kthjellët dhe të ngrohtë. Pritet që të kemi rritje temperaturash mbi 20 gradë Celsius dita e dielë”.

Përmirësimi i motit në të gjithë vendin pritet të nisë që nga dita e premte. Meteorologët parashikojnë rikthim të kthjellimeve dhe rritje graduale të vlerave të termometrit.

“Veriu dhe qendra do të mbeten me reshje të pakta dhe të izoluara, ndërsa jugu gjatë pasdites pritet të marrë një sasi reshjesh pak më të madhe deri me intensitet pak mesatar. Duke filluar që nga orët e vona të mbrëmjes do të kemi përmirësim të motit dhe nga zonat jugore, ku do të kemi kryesisht kthjellime, do të bëjë që dita e premte, kryesisht fundjava të paraqiten me mot të kthjellët dhe vranësira kalimtare. Ndërsa për sa i përket temperaturave kemi pasur një luhatje në vlerat e mesditës. Nesër do të kemi rritje për sa i përket vlerave të mesditës, deri në 17-18”.

Ndërsa më 14 Mars qytetarët në Tiranë Ditën e Verës kanë zgjedhur të festojnë sipas mënyrës së tyre, më 17 Mars Bashkia ka premtuar se do të organizojë po për këtë rast rreth 50 aktivitete për të rritur dhe fëmijë./abcnews.al

elbasani-kryeqytet.jpg
G. P.09:47 | 14/03/2019

Sot Elbasani është kryeqyteti i Ditës së Verës. Prej dy ditësh, qyteti ka zbukurimet e festës, ndërsa prej mbrëmjes së kaluar me mijëra njerëz kanë mbërritur në qytet, për të marrë pjesë në festimet e sotme. Në qendër te Elbasanit festa ka nisur me karnavalet, ndërsa nuk do mungojnë lojërat popullore, ekspozitat e koncertet.

Sipas traditës edhe politikanë të lartë vijnë në Elbasan për Ditën e Verës. Është festa që prej vitesh bashkon palët politike.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, në axhendën e sotme ka të planifikuar takime me familje elbasanase si dhe me përfaqësues të bizneseve. Festimeve dhe aktiviteteve të planifikuara për sot pritet t’i bashkohet dhe kryeministri Edi Rama.

“Ka vazhduar dhe sivjet tradita e bukur e festimeve të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Mijëra qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria janë bërë pjesë e këtyre festimeve. Njëkohësisht në festime marrin pjesë edhe autoritetet më të larta të vendit”, raporton nga Elbasani gazetari Fatos Salliu.

“Them se mirë si gjithmonë. Në fakt ka një çikë njerëz më pak. Pse? Unë gjykoj që ëhtë përpunuar shumë në media e kudo jo do bjerë shi, sinoptikanët, jo do bjerë shi. Tani nuk është një dimër si të tjerat. Ka simbole sa të duash, ballokumja, verorja. Një traditë popullore që është shumë e bukur se është pagane, është shumë e vjetër”, tha një qytetar.

“Riti është ballokumja që është traditë e Elbasanit prej shumë vitesh. Edhe revania. Edhe këto festimet. Karnavalet janë prej shumë kohësh, që kur unë kam qenë e vogël. Ruhet dhe data nuk ndryshohet asnjëherë. Nga argëtimet e fëmijëve që nga mëngjesi, me piknik të qytetarëve nga dreka dhe pasdite argëtimet familjare”, tha një qytetare.

/abcnews.al

festime-1280x853.jpg
G. P.14:10 | 10/03/2019

14 Marsi ndonëse zyrtarisht ditë vere, meterologët parashikojnë se do të vijë me shi, duke e bërë të vështirë zhvillimin e aktiviteteve festive.

Kushtet e motit kanë vënë në dilemë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një postimi në Tëitter, Veliaj kërkon ndihmën e qytetarëve për të gjetur një zgjidhje.

Ai i pyet ndjekësit e tij në rrjetin social nëse janë dakord për të zhvendosur festimet e Ditës së Verës nga e enjtja e 14 Marsit, të dielën më 17 Mars, kur pritet dhe përmirësimi i kushteve të motit.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës thotë se me rastin e Ditës së verës bashkia ka përgatitur 50 aktivitete, për fëmijë dhe të rritur./abcnews.al

kosovaa.jpg
G. P.14:12 | 17/02/2019

Në këtë ditë të shënuar për Kosovën, ABC News ishte në Prizren, aty ku mbizotëron një atmosferë festive. U takua me banorë e mysafirë që kishin shkuar posaçërisht për 11-vjetorin e pavarësisë. Të shumtë ishin ata që festonin, por më i madh ishte  numri i personave që nxitonin për në punë.

Prizreni është zbukuar për këtë festë. Pak freskët dhe njerëzit nëpër rrugë janë të paktë. 11 vite nga shpallja e Pavarësisë. Por për shumë banorë të këtij qyteti të bukur është ditë pune.

Pyetje: Si është Kosova sot në këtë 11-vjetor të Pavarësisë?

Qytetari: Kurrgjo s’është arrit. Katastrofë.

Pyetje: Pse?

Qytetari: Duhet të shkoj se jam për punë.

Pyetje: Edhe sot punon që është dita e Pavarësisë?

Qytetari: Po.

Për brezin që i kanë kaluar të 50-at sigurisht janë kohë më të mira, por me vështirësi ekonomike.

“Ne i takojmë pak gjeneratës më të vjetër dhe jemi mësuar me pas punë tamam. Tash na mungojnë pak ato”.

Në Prizren gjen shumë edhe qytetarë të Shqipërisë. Bora në Brezovicë i ka joshuar të qëndrojnë në këtë territor. Kosova pas 11 vitesh ka arritur të marrë njohjen e 108 shteteve të botës, por ende 4 shtete të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur.

I duhen akoma njohje për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, por ka arritur të bëhet anëtare e disa organizmave ndërkombëtare duke u përfaqësuar si shtet në shumë aktivitete ndërkombëtare kulturore e sportive./abcnews.al

te-rinjte.jpg
G. P.11:22 | 01/01/2019

Pas atmosferës festive në sheshin “Skënderbej” në natën e ndërrimit të viteve, të rinjtë i janë drejtuar lokaleve të natës në kryeqytet për të festuar deri në orët e mëngjesit Vitin e Ri.

Ndryshe nga vitet e tjera ku rrugët, lokalet apo restorantet dukeshin të tejmbushura, atmosfera festive këtë vit u duk disi më ndryshe dhe paksa më e vakët.

Jashtë kameras një pjesë e të rinjve pranuan se çmimet për t’u argëtuar në lokalet e natës në kryeqytet janë shpeshherë të kripura dhe të papërballueshme, çka i detyron ata të stepen dhe të qëndrojnë për ta festuar Vitin e Ri në shtëpi me familjen./abcnews.al

KRISHLINDJE-NE-TIRANE.mpg_snapshot_01.52-1280x720.jpg
G. P.14:03 | 25/12/2018

Një moment për të qenë më të bashkuar. E tillë është Krishtlindja për besimtarët katolik e orthodos. Në Tiranë ata na tregojnë se lindja e Krishtit është festa më e rëndësishme në kalendarin e tyre fetar.

Fjala më e përdorur sot është “Gëzuar Krishtlindjet”. Besimtarët e krishterë thonë se lindja e Krishtit për ta është një çast për të qenë më të bashkuar.

Besimtari 1: “Bashkimi me njerëzit, kjo është kryesorja.”

Shumë katolikë e orthodoks Krishtlindja i ka mbledhur në një tryezë edhe kur ka qenë e ndaluar. Kjo zonjë na tregon se me 25 dhjetor ka festuar gjithmonë edhe kur regjimi komunist e shpalli vendin ateist.

Besimtari 2: “Ne nuk e kemi ndalur asnjë herë. Gjyshin tim e kam pasur prift. Kështu që ne i kemi festuar të gjithë jetën tonë. Atëhere bëheshim më mirë sepse ishim të gjithë bashkë. Mblidheshim të gjithë dhe ato që kishim i ndanim së bashku dhe kënaqeshim.”

Mëngjesi besimtarët i gjen në kishë.

Besimtari 3: “Vijmë ndezim qirinj, për të gjallët dhe për të afërmit që na janë ndarë nga jeta. Ndjejmë kënaqësi kur vijmë këtu, sikur na ikin streset e hallet.”

Besimtari 4: “Krishtlindjen sot do ta festojmë për bukuri. Nuset na kanë rregulluar çdo gjë, na e kanë bërë drekën gati erdhëm këtu tek Zoti dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqursepse shikojmë dhe pjesëmarrjen e madhe të njerëzve. Ishalla o Zot lumturi gëzim në të gjithë jetën e të kenë plot tavolinën sot.”

Dreka, na tregojnë se është më mirë ta konsumojnë në shtëpi. Ndërkohë që me besimin në Zot besimtarët urojnë njëri-tjetrin për më shumë paqe e begati.

“Të gjithë të mirat e njerëzitmit. Dritë siç e bëri dhe sot. Mbrëmë ishtë shi sot është bukuri.”/abcnews.al

NATA-E-BARDHE-NE-SHESHIN-SKENDERBEJ.mpg_snapshot_00.44-1280x720.jpg
G. P.09:15 | 30/11/2018

“Nata e Bardhë” tradita festive e 29 Nëntorit ka mbledhur në sheshin kryesor të kryeqytetit shumë qytetarë, të ardhur edhe nga rrethet. ABC News ju sjell momente nga atmosfera festive e mbrëmjes së 29 nëntorit në Tiranë.

Prej disa vitesh më 29 nëntor në kryeqytet është kthyer në traditë të festohet Nata e Bardhë, aktivitet që organizohet nga Bashkia. Pjesa kulmore e festimeve ndodh në sheshin Skënderbej, aty ku qyetarët të shumtë mblidhen për të ndjekur performancat e artistëve të ndryshëm në koncertin festiv të kësaj dite.

Këtë vit koncerti pati si protagonistë emra të njohur për publikun nga Aurela Gaçe, Elhaida Dani, Vesa Luma e shumë të tjerë. Festimeve të Natës së Bardhë i bashkohen edhe qytetarë nga rrethe të tjera, për shkak të larmishmërisë së ofertave në shesh, lodra, kulinari e një ambient energjik për të sfiduar temperaturat e ulëta të kësaj nate fund nëntori.

Qytetari 1: “Dolëm dhe ne si të gjithë, të festojmë, të argëtohemi, të kënaqemi, të dëgjomë koncerti.”

Qytetari 2: “Të festojmë Natën e Bardhë me familjen e me krejt.”

Qytetari 3: “Kam dalë për qef me burrin dhe me vajzën. U kënaqëm.”

/abcnews.al

BALLA-PER-PAVARSINE-ELBASANIT-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.54-1280x720.jpg
G. P.21:25 | 25/11/2018

Festimet për 106-vjetorin e pavarësisë nisën nga Elbasani, qyteti ku Aqif Pashë Elbasanit ngriti flamurit më 25 nëntor të vitit 1912, duke pasuar më pas Ismail Qemali në qytetin e Vlorës.

Patriotët e Elbasanit ishin të parët që shpallën pavarësinë e qytetit të tyre 106 vjet më parë për t’i hapur rrugë më pas Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në shenjë simbolike, kreu i bashkisë së Qytetit Qazim Sejdi ngriti në mënyrë simbolike flamurin në Memorialin e Patriotit Aqif Pasha. Taulant Balla Deputetit i PS për qarkun e Elbasanit, ishte i pranishëm në ceremoninë bashkë pushtetarë të tjerë vendorë dhe veteranë të qytetit.

Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar PS: “E rëndësishme është që Elbasani ishte qyteti i parë në Shqipëri që shpalli pavarësinë. Për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë. Në 25 nëntor 1912, këtu në qendër të Elbasanit, paria e asaj kohe në bashkëpunim me atdhetarët që kanë qenë të shumtë dhe janë të shumtë. U mblodhën për të shpallur pavarsinë dhe për të ngritur flamuin. Sikurse, këtë vit me rastin e 100 vjetorit të Luftës se Dytë Botërore, kanë qenë të shutma aktivitetet.”

Në nder të pavarësisë u çel edhe një ekspozitë me 62 fotografi të Elbasanin në vitet 1916-1918 të marrë nga arkivat e Vjenës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono