festa

festa-e-rrushit-berat-1280x714.jpg
nev ila19:18 | 15/09/2019

Ministri Turizmit dhe Mjedis Blendi Kolosi rikujtoi edhe njëherë nga Berati gjatë festës së Vjeljes së Rrushit premtimin e  Kryeministrit Rama për të ndërtuar një muze për verërat në qytetin e një mbi një dritareve.

Berati është cilësuar si epiqendra e prodhimit të rrushit të vend.

Për këtë arsye me qindra turistë të huaj e vendas ishin të pranishëm në festën e përvitshme që i kushtohet vjeljes së rrushit.

Ministri Turizmit dhe Mjedisit njëherësh edhe deputeti i qarkut të Beratit Blendi Klosi, rikujtoi edhe njëherë premtimin e Kryeministrit Rama, për të ndërtuar një muze për verërat në qytetin e një mbi një dritareve.

Fesat vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, ku të ftuar ishin edhe këngëtarë të muzikës së lehtë dhe popullore./ABC News Albania 24/7

META-DHE-KLOSI-BASHKE-PER-TOMORRIN.mpg_snapshot_00.07-1280x720.jpg
ent ela15:00 | 22/08/2019

Mali i Tomorrit bën bashkë ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Presidentin e Republikës. Ilir Meta rreshtohet publikisht kundër shkatërrimit të malit nga bizneset e guroreve dhe firmos peticionin për zgjerimin e zonës së mbrojtur. Në ceremoninë e organizuar me rastin e festës së bektashinjve Kreu i Shtetit dha këtë mesazh.

Ndersa ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh i vendosur për ta  kthyer malin e Tomorrit në simbol të turizmit fetar.

“Një hapësirë që shumë lehtë mund të kthehet në një simbol të turizmit shqiptar, turizmit religjoz apo për natyrën e bukur të kësaj zone. I jam bashkuar nismës së shumë të rinjve për të mbrojtur malin e Tomorrit, për ta shndërruar në një mal të magjishëm, aq të bukur sa Perëndia e ka krijuar dhe aq të fortë sa besimi ynë e ka mbajtur. Kalofshi një ditë të bukur, të paqtë me familjet tuaja dhe Abaz Aliu të gjithëve na ndihmoftë.”

Të rinjtë e projektit “Smile Albania” po vijojnë të mbledhin firma për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Administrative,  e cila ditë me parë rrëzoi vendimin e qeverisë për zgjerimin e zonës së Parkut Kombëtar në Malin e Tomorrit. /ABC News Albania 24/7

kanina-ne-feste.jpg
G. P.16:30 | 16/08/2019

Në Vlorë është organizuar festa e Kaninës. Banorë e turistë të shumtë kaluan natën duke u argëtuar me këngë e valle të zonës.

Fshati që qëndron si ballkon mbi Vlorë, Kanina në festë. Përqendruar në kala në një nga zonat më të mrekullueshme dhe historike të Vlorës, mblodhi banorë të fshatit si dhe turistë.

Këngë dhe valle të zonës ishin repertori i koncertit. Të pranishmit u argëtuan me ritmet e muzikës popullore vlonjate, këngë polifonike etj.

Qyteti i Fortifikuar i Kaninës është ngritur aty nga shekulli i IV p.e.s. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian në shekullin V, kurse rëndësia e saj u pa veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Vendorët janë përpjekur në çdo kohë të tregojnë e ta paraqesin Kaninën si pikën më të fortë të Vlorës. Një resurs që ka joshur shumë të huaj, turistë e vizitorë ditorë. Një fshat për të cilin është shkruar aq shumë dhe shumë pak është treguar./ABC News Albania 24/7

01-trump-flag.w700.h467.jpg
Sej rie23:15 | 04/07/2019

Shtetet e Bashkuara festojnë ditën e pavarësisë, me një festë të konsideruar nga presidenti Donald Trump si më e madhja në historinë e vendit. Por nga kampi demokrat nuk kanë munguar kritikat dhe akuzat se presidenti po e përdor festën kombëtare për qëllime politike.

Shtetet e Bashkuara festojnë të enjten ditën e Pavarësisë, e shoqëruar me një paradë të vogël tankesh dhe avionësh që fluturojnë në qiejtë e Uashingtonit dhe fishekzjarrë. Gjithçka është organizuar nga administrata e presidentit Donald Trump, i frymëzuar nga parada ushtarake e mbajtur ditën e pavarësisë në Francë, ku pak vite më parë ishte i pranishëm.

Vetë kreu i shtetit hodhi poshtë më herët shqetësimet e ngritura për shpenzimet e mjeteve ushtarake, që do të parakalojnë pranë memorialit Linkoln, simbol i unitetit kombëtar. Uashingtoni është mbushur me simpatizantë të Trump, që mbajnë veshur kapelet me shkrimin “Mejk Amerika Grejt Wgein”, por edhe me kundërshtarë të tij, që kanë sjellë balonën “Bejbi Tramp” dhe një baner me shkrimin “tradhtar”.

Nga ana e tyre, kritikët e presidentit e kanë quajtur organizimin e administratës së tij një përpjekje për të politizuar një festë të rëndësishme kombëtare. Ata e akuzojnë presidentin për inskenimin e një fushate elektorale të papërshtatshme, bazuar në fjalimin e tij. Dhe në fakt, Trump është i njohur për ndryshimin e rrjedhës së fjalimeve të tij, të cilave u ka dhënë tone politike dhe fyese edhe në ato raste kur eventi nuk ka qenë i tillë. “Njerëzit po mblidhen nga të gjitha anët për t’u bashkuar me ne sot, për atë që do të jetë festa më e madhe në historinë e vendit tonë”, tha Trump në Twitter më herët gjatë ditës./ABC News Albania 24/7

festa-e-grurit.jpg
G. P.15:45 | 23/06/2019

Në Pojan të Fierit, Festa e Grurit është kthyer në tradite. Në këtë ditë këndohet e kërcehet ndërsa sipas traditës pulat e detit piqen në saç.

Pojani i Fierit, një nga 100 fshatrat turistike shqiptare, u kthye në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare. Dita e grurit, mblodhi bashkë me qindra banorë, të zonës. Myzeqesë si dikurshme mund t’i jenë ulur statistikat e sipërfaqeve me grurë, por jo këngët, vallet dhe gatimet që lindën 50 vite më parë dhe nuk u shuan kurrë.

Është Qershor dhe në Myzeqe, ky muaj është nga më të rëndësishmit për ekonominë bujqësore. Edhe pse në sipërfaqe më të vogla, rrallë gjen familje rurale fierake të mos kultivojë grurë.

Midis legjendave të dikurshme për sigurimin e bukës së përditshme, të garantimit të një ekonomie të qëndrueshme familjare, e përcjellë mes një gëzimi të pashoq folklorik dhe gastronomik, në Pojan të Fierit u festua Festa e Grurit.

“Festa është krejt e veçantë pasi vjen nga ajo që është thelbi i jetës, gruri, buka, nga mirëqenia, nga ajo çfarë përpiqemi të gjithë sëbashku për të krijuar më shumë mirëqenie për njerëzit dhe komunitetet”, tha Blendi Klosi.

“Ne do ta vazhdojmë këtë gjë edhe në muajt në vijim, edhe në vitet në vijim dhe duam që të promovojmë të gjitha vlerat e vendit tonë”, tha kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Aq i rëndësishëm është prodhimi i grurit dhe bukës në Myzeqe, saqë vit pas viti, myzeqarët e Fierit i krijuan gati një festival të tërë folklorik me këngë edhe valle.

Madje myzeqarët, për këtë festë, krijuan edhe një nga recetat kulinare më autentike dhe më me shije: bibën në saç. Gatuhet vetëm këtu dhe sapo bie drapri i parë në fushat me grurë.

Biba në saç shoqëron gjithë fushatën e korrjes dhe shirjes së grurit dhe ikën bashkë me të. Gatuhet në çdo familje myzeqare që korr grurë, ndërsa në restorantet tradicionale, për një muaj qëndron në top menynë e tyre.

Festa e Grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe, i solli të gjitha si dikur: bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë./ABC News Albania 24/7

ATMOSFERA-FESTIVE-PER-FEMIJE-NE-TIRANE.mpg_snapshot_00.55-1280x720.jpg
ent ela15:30 | 01/06/2019

Protagonistët e festës, fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyrë kanë festuar në sheshin “Skenderbej” një qershorin.  Shfaqje, muzikë, pikturë dhe forma të ndryshme argëtimi ishin pjesë e festës në kryeqytet.

Një qershori është dita ndërkombëtarë e fëmijëve, e cila festohet edhe në kryeqytet. Rrugët gumëzhijne nga gjallëria e tyre.

Protagonistët e festës fëmijët të shoqëruar nga prindërit u përfshinë në lojrat dhe format e argëtimit të improvizuara në çdo kënd të Tiranës.

Krahas muzikës, bandës së qytetit, këndeve të pikturës, nuk munguan edhe shfaqjet për fëmijë. muzikali të mirësjellshmit u shfaq në sheshin “Skënderbej”.

Në ndryshim nga të rriturit, protesta e fëmijëve bëhet me lojëra dhe festa.

Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqënies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Në të njëjtën ditë, koinçidoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebroninnë festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.

Gazetare: Leontina Nika

 

 

GURRA-RREKE-FIER-abcm5t1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela15:40 | 26/05/2019

Në Seman të Fierit u organizua dita e Gunës Rreke. Një festë që ka për qëllim të risjellë në vëmendje vallen e hershme myzeqare. Në këtë event edhe ambasadorët shijuan Gunën Rreke.

Këngët, vallet, ritualet tradicionale, veshjet folklorike pa fund, skenat gati butaforike me dekor e personazhe si nga Myzeqeja, e shndërruan fshatin e vogël në zemër të Myzeqesë së Fierit, Semanin, këtë fundjavë në një skenë madhështore folklori, ose “Guna me rrëké festë”.

I dedikohet një prej krijimeve më fantastike shpirtërore të kësaj zonë, gunës me rrëke, e cila me sharmin e saj ka arritur të identifikohet si veshja tradicionale që përfaqëson gjithë Myzeqenë nga pikëpamja etnokulturore.

Me qindra njerëz ndoqën skena të shumta që të kujtonin dasmën e moçme myzeqare, kalorës të pashëm mbi kuaj si qëmoti që shkonin për të marrë nusen, makineri që të kujtonin një Myzeqe të fuqishme bujqësore, veshje pa fund tradicionale që të sillnin ndër mend festat e mëdha ku këndonin i madh e i vogël.

Atmosfera folklorike e këngëve dhe valleve myzeqare ka befasuar edhe Ambasadorët e Kroacisë dhe Rumanisë, të pranishëm aty të cilët shijuan bukurinë e traditave të Semanit, rakinë dhe gatimet  vendase si myzeqarë të vërtetë.

Ambasadore e Kroacisë: “E shijova shumë. E dua shumë Shqipërinë dhe njerëzit këtu”

Ambasador i Rumanisë: “Njerëz të këndshëm të afrueshëm dhe ushqime të zonës”

Subashi: “Synojmë të përcjellim traditën, kulinarinë. Jam i kënaqur për prezencën e të rinjve që tregon se këto po trashëgohen brez pas brezi”.

Koloriti i veshjeve folklorike, kabaja dhe këngët myzeqare, i dhanë kësaj dite përmasat e një feste të madhe në Myzeqe, që risillte gjithë memorien dhe pasurinë shpirtërore që kishte kohë e harruar.

Gazetare e ABC News, Fier: Adriana Mile

PARTIZANI-FESTA-E-TITULLIT.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:26 | 22/05/2019

Do të zhvillohet të dielën festa e titullit e Partizanit. Kryeqytetasit do të kenë mundësi të kremtojnë bashkë me tifozët në “Selman Stërmasi”, pas ndeshjes së Superligës ndaj Kukësit.

Nuk ka pse të presë edhe një javë tjetër. Tifozët e Partizanit janë fatlumë që vendimi për festën e titullit u mor në Federatë, dhe u la për këtë të diel.

Trofeu do të dorëzohet, pra, një javë përpara përfundimit të Superligës, në “Selman Stërmasi”, pas ndeshjes së radhës, asaj ndaj Kukësit.

Për mbështetësit e zjarrtë të të kuqve, nuk do të jetë e nevojshme të bëjnë rrugën e gjatë dhe deri diku të vështirë drejt Gjirokastrës, aty ku disa herë ka ndodhur të kurorëzohen kampionët e Shqipërisë.

Kujtojmë Kukësin e vitit 2017, ndërsa vetë trajneri Skënder Gega aty e bëri festën e titullit në 1987, Dinamo e pati në 1986 dhe Tirana e dikurshme, 17 Nëntori, në 1982.

Do të jetë një përsëritje, më pak dramatike, më pak spontane, por më e qetë, më e organizuar dhe ndoshta më masive sesa festa kur titulli u fitua matematikisht në mbyllje të derbit ndaj Tiranës, po në “Selman Stërmasi”.

Tifozët shpresojnë që skuadra e tyre të kthehet tek fitorja, ndryshe nga sa ndodhi menjëherë pas derbit, kur në një farë mënyre iu fal ndeshja Teutës në Durrës, me rezultatin 2-0 për vendasit.

Për më tepër do të jetë sfida me rivalin e vetëm direkt këtë kampionat, Kukësin, si dhe hera e fundit që tifozët do të kenë pranë lojtarët e tyre në sezonin 2018-2019. /ABC News Albania 24/7

 

pashke-tirane.jpg
G. P.15:12 | 28/04/2019

Qytetarë të shumtë në kryeqytet kremtojnë festën e Pashkës. Në këtë ditë të shenjte ata urojnë  paqe, dashuri dhe mirëqenie.

Besimtarë të shumtë ortodoksë në kryeqytet iu janë drejtuar Katedrales “Ngjallja e Krishtit” për të festuar ringjalljen e Krishtit. Në këtë ditë të shenjtë ata urojnë paqe dashuri dhe mirëqenie. Pas lutjeve në kishë, ata ndezin edhe dritën e shpresë përmes qirinjve.

Mishi i qingjit kulaçi tradicional dhe simboli i vezës së kuqe janë pjesë e tavolinave tradicionale të besimtarëve ortodoksë.

“Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive, i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët, të cilët ndezin qirinje dhe trokasin vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Pashka është një nga festat më të mëdha të ortodoksëve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono