fermerët

blendi-cuci-1280x716.jpg
nev ila15:06 | 28/09/2019

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bën gati draftin për naftë pa taksa për fermerët. Lajmin, ministri Bledi Çuçi  e bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi me fermerët në Fier.

Fermerët vitin e ardhshëm do të mund të blejnë naftë me çmim më të lirë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po harton skemën për të përjashtuar nga taksat e hidrokarbureve këtë kategori. Ministri Bledi Cuci fermerëve në Fier iu tregoi shembullin e sektorit të peshkimit.

“Kam nisur një projekt që unë besoj se do na çojë shumë shpejt tek lehtësitë për marrjen e naftës nga fermerët të zhveshur nga taksat. Është e rëndësishme që ne të ngremë infrastrukturën që këtë ta bëjmë dhe ta kemi të kontrollueshme për të mos lejuar abuzimin. Me zhvillimin e teknologjisë sot, ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë këtë gjë. Por do të përfitojnë vetëm ata që janë të formalizuar. Ky është një projekt që po vijon. Me shpresë vitin tjetër do ta paraqesim në qeveri për të marrë pastaj një vendim”, tha Çuçi.

Fermerët shqetësohen dhe për matrikullimin e bagëtive. Ministri iu tha se shërbimi veterinar do të kontrollohet plotësisht nga shteti dhe matrikullat do të jenë falas.

“Sistemi që zgjodhëm me klinikat veterinare ka dështuar. Do t’i prezantojë Parlamentit një riorganizim tërësor të shërbimit veterinar. Do ta kthejmë në një shërbim vertikal tërësisht të kontrolluar nga shteti në mënyrë që të rrisim përgjegjësinë. Brenda kësaj skeme padiskutim që matrikulla do të bëhet pa lekë”, tha ai.

Sa i përket dokumentacionit të nevojshëm për të aplikuar për mbështetje financiare ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh se procedurat janë thjeshtuar në maksimum./ABC News Albania 24/7

773x435_french-farmers-damage-more-offices-of-macron-mps-over-trade-deals.jpg
ad min19:15 | 08/08/2019

Fermerët francezë kanë organizuar protestat e radhës, duke sulmuar zyrat politike të presidentit Emmanuel Macron. Ata kundërshtojnë marrëveshjet e fundit tregtare të BE-së, me argumentin se favorizojnë importet nga jashtë Evropës.

Fermerët francezë, të irrituar nga marrëveshjet tregtare mes BE-së dhe Kanadasë kanë protestuar duke dëmtuar zyrat e ligjvënësve të partisë së presidentit Emmanuel Macron.

Në orët e para të së enjtes, ata vunë në shënjestër zyrat e politikanëve në tre lokalitete në perëndim të Francës. Një shoqatë lokale fermerësh mori përsipër sulmin, që u pasua me bllokimin e aksesit të politikanëve në zyrat e tyre me mure të improvizuara, ku u shkruan parulla kundër marrëveshjes me Kanadanë, e njohur si CETA. Protestat anti-qeveritare nisën pasi parlamenti francez miratoi marrëveshjen në fjalë muajin e kaluar.

Kundërshtarët e saj deklarojnë se ajo do të minojë rregullat sociale të BE-së, duke lejuar importin e produkteve të prodhuara në kushte të palejueshme në Europë. Krahas CETA-s, fermerët francezë janë gjithashtu të pakënaqur për shkak të rrezikut që u kanoset mjeteve të tyre të jetesës për shkak të një tjetër marrëveshjeje të nënshkruar në qershor mes BE-së dhe vendeve të Amerikës së Jugut, që favorizon eksportet e vendeve si Argjentina dhe Brazili.

Fermerët francezë e kanë traditë mbajtjen e protestave. Ato aktuale vijnë paralelisht me protestat anti-qeveritare të “Jelekëve të Verdhë”, që nisën muaj më parë me kundërshtimin e rritjes së taksës mbi karburantet nga ana e qeverisë./ABC News Albania 24/7

1562930550_bledicuci.jpg
ad min14:40 | 12/07/2019

Vitin e ardhshëm fermerët që do të dëshirojnë të kultivojnë prodhime bujqësore në sera do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion për plastmasën përmes skemës kombëtare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi ja beri te ditur fermerëve që kultivojnë rrush në Libofshë të Fierit.

Gjithashtu sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të shihet dhe mundësia për heqjen e TVSH për plastmasin e përdorur posaçërisht per serat.

Në Libofshë fermerët në një sipërfaqe rreth 20 hektarë vresht me sera prodhojnë çdo vit qindra ton me rrush kryesisht 4-5 varietete italiane për tavolinë. Gati i gjithë prodhimi është i destinuar për tregun jashtë vendit./ABC News Albania 24/7

fermeret-1280x699.jpg
ad min15:00 | 10/07/2019

Prodhuesit e bostanit në Lushnje kanë dalë në rrugë për të shitur vetë prodhimin për shkak sipas tyre tregtarët e shumicës luajnë me çmimet dhe u marrin nën kosto.

Është sezoni i shitjes së bostanit. Prodhuesit kanë dalë nëpër rrugë. Por duken të pakënaqur me çmimin. Shumë familje bujqësore në Lushnje  kanë dalë vet të shesin në anë të rrugës nacionale.

Edhe kjo grua nga ora 7 e mëngjesit e deri në 21 të mbrëmjes qëndron nën çadrën e improvizuar me kashtë. Janë ditët ku puna e një viti duhej të shpërblehej, por çmimi është nën kosto.

Tregu është jashtë kontrollit.  Çmimet e pjeprit dhe të shalqirit diktohen nga tregtarët e shumicës. Ua grumbullojnë prodhuesve me vlerë nën kosto dhe ua japin konsumatorëve më shtrenjtë.

Brenda një ore çmimi i shalqirit ndryshon nga 6 lekë në 10 lekë për kg.  Përpjekjet e fermerëve për ta dhënë prodhimin me çmim të leverdishëm, pikave të grumbullimit apo kosovarëve që kanë mbërritur me maune, janë vetëm tre ditë.

Kaq është periudha e frutit të freskët, më pas, ai fillon të prishet. Tregtarët e dinë mirë këtë fakt ndaj në këtë moment ofrojnë të blejnë me çmimin më të ulët./ABC News Albania 24/7

DIVJAKA-FERMERET_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela14:50 | 26/06/2019

Në Divjakë të gjitha tokat bujqësore janë futur në sistemin e ri vaditës dhe fermerët ndjehen të bekuar për këtë gjë. Janë rreth 13.2 km linjë kryesore që vadit rreth 7 mijë ha tokë.

Për banorët e Divjakës pa ujin për vaditje nuk ka jetë. Puna dhe të ardhurat ekonomike të zonës,  sigurohen nga zhvillimi i bujqësisë.

Ky i moshuar i gëzohet një pamjeje të tillë. Kanalet në këto ditë të nxehta janë të mbushur me ujë.  Të mbjellat e tyre nuk do të thahen. Tokat bujqësore janë futur në sistemin e ri vaditës.

“Kjo ka dy gjëra edhe bukurinë e vendit dhe jetën e kësaj zone”.

“E ka nisur mirë shumë po mos harrojë degën tonë që janë 7-8 parcela këtu nga 10 hektarë”.

Të paktën zonat, Gradisht dhe Remas e kanë zgjidhur problemin e thatësirës. Vaditja kryhet me rrjedhje të lirë, duke hequr shpenzimet për pompat me korent.

Dega kryesore Murriz-Thanë-Gradishtë është e gjitha nën ujë.  Kjo ka bërë që pas 30 vjetësh, kanalet të çlirohen nga mbeturinat. Sot, 13,2 km linjë kryesore vadit rreth 7000 ha tokë. Kanali ka dy funksione, ka pastruar zonën dhe kryen vaditjen e tokave.

”Vazhdojnë punimet në këtë segment dhe me përfundimin e punimeve se janë shtyrë me kërkesë të bashkisë për të mos penguar sezonin vaditjes”.

Gjatë rehabilitimit u dëmtuan urat  që nuk përmbushnin kushtet duke u bërë pengesë për kalimin e rrjedhës së ujit.

Ndërtimi i tyre nga e para, u pasua me bllokimin e ujërave të zeza.  Të gjitha rrjedhjet u ndërprenë duke sjellë ujë të pastër për vaditje.

Tashmë kanali kryesor furnizon sekondaret duke bërë që për herë të parë në shumë zona uji të shkojë deri në pikat fundore.

/ABC News Albania 24/7

lushnje-1280x707.jpg
ad min15:40 | 14/06/2019

Fermerët mbjellin në sera dhe në fusha fara hibrite të perimeve. Të sugjeruar nga specialistët e bujqësisë, këto fara afrojnë më tepër prodhim pavarësisht se perimet dhe frutat nuk dalin me shijen të farës autoktone.

Nuk kanë shijen e duhur, por po futën me shumicë në treg. Sot konsumatorëve u ofrohen fruta dhe perime hibride.

Ato janë krijuar nga shkencëtaret për të rritur rendimentin dhe përshtatur klimës.

Në Lushnje, ndodhet një bankë gjenetike e cila jo vetëm ruan kultivarët autoktone, por edhe eksperimenton me hibridet.

Këto lloj perimesh po testohen në sera dhe fusha.  Janë shumë kultivarë me kualitet dhe prodhimtari të lartë që do të mbushin tregjet tona.

Eksperimentet e tyre kryhen nga specialistet e bujqësisë në qendrën e transferimit të teknologjive bujqësore në Lushnje.

Vetëm për domaten është krijuar një koleksion prej 800 numrash. Ripërtëritja e farës kryhet çdo 4 ose 5 vjet.

Interesat e tregut janë për sasi dhe cilësi të lartë.  Por, kohët e fundit kërkesat janë rritur edhe për bimët autoktone. Sipas specialistëve të bujqësisë, këto farëra kanë shije por nuk kanë rendiment. Kjo e fundit nuk u leverdis prodhuesve.

Të gjitha llojet e hibrideve këtu janë të certifikuara nga BE. Pas testimit ato futen gjerësisht në prodhim./ABC News Albania 24/7

rama-divjake-1280x718.jpg
ad min15:40 | 30/05/2019

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa inspektime në zonën e Lushnjës. Ai është njohur me efektet e lehtësive fiskale që janë aplikuar në tërësi e në mënyrë të veçante heqja e TVSH-së  për makineritë dhe inputet bujqësore që ka mundësuar investime të reja në teknologjinë bashkëkohore të bujqve dhe fermerëve. 

Është një ditë e zakonshme pune në tregun e Divjakës. Kështu njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë mbi vizitën që numri një dhe numri dy i qeverisë kanë bërë në këtë treg agro-ushqimor.

Vetëm fjalë të mia dëgjon Kryeministri Rama nga fermerët.

“Ky vit bujqësor na ka shpërblyer për të gjitha kulturat. Kemi dalë shumë mirë. Prodhimet na janë shitur dhe vazhdojnë të shiten. Ka zbutje në të gjitha inputet bujqësore. Edhe sa i përket plehut të bimëve, apo çdo produkti që nevojitet për përkujdesjen e bimëve i marrim më lirë,” – shprehet një prej fermerëve.

Sipas zëvendëskryeministrit njëherësh edhe deputet i zonës Erjon Braçe, suksesi i fermerëve, ndonëse të rinj në moshë, qëndron tek përkushtimi i tyre ndaj tokës dhe fakti që të ardhmen e tyre kanë dëshirë ta ndërtojnë në vendin e tyre.

 “Divjaka gjithë suksesin e ka tek këta djemtë  e rinj, të cilët nuk kanë ikur, që kanë ndenjur, që punojnë me tokën dhe që duan mbështetje për atë pjesë që na takon ne si qeveri. Deri tani kanë marrë atë që kemi dhënë ne nga inputet bujqësore. Heqja e TVSH-së për makineri dhe  pajisje e ka dhënë efektin. Një pjesë që kanë marrë fitime i kanë bërë makineri bujqësore. Nuk i kanë as në llogari, i kanë bërë investime. Një pjesë tjetër po i bën sera. Ato lekë që kanë fituar po i bëjnë sera. E natyrisht po shtohet prodhimi, rritet dhe djemtë e rinj këtu nuk largohen prej këtej,” – u shpreh ai.

Tregu agro-ushqimor i Divjakës, me sipërfaqe prej 1 hektar, është vendi ku çdo ditë mbledh fermerët e zonës, për të tregtuar prodhimet e tyre, por edhe për të promovuar  produktet vendase dhe tërhequr eksportues.

Kryeministri Edi Rama ka vizituar edhe një fermë në  që ka përfituar një vit më parë nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 12,3 milionë lekë të cilat i investoi për shtimin e kapaciteteve prodhuese.

Në fshatin Kamenicë të Divjakës, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zv/Kryeministri Erjon Braçe, panë nga afër pjesën fundore të veprës më të madhe vaditëse të gjithë këtyre viteve në zonën e Myzeqesë. Që do të përmirësojë rreth 5100 hektarë tokë, të cilët kanë pasur mungesë të ujit të ëmbël.

Ndërsa në Babunjë pa punimet e kryera në  rrugën e këtij fshati që e lidh me Fierin./ABC News Albania 24/7

SERAT-ME-VRESHTA-LUSHNJE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela13:39 | 19/05/2019

Fermerët në Lushnjë po mbjellin vreshtat e rrushit në sera. Ata u janë larguar prodhimit të perimeve me idenë që do kenë më shumë fitime. Por këto eksperimente janë të pastudiuara dhe po e ç’orientojnë bujqësinë.

Nuk bazohen në ndonjë studim, por thjesht po eksperimentojnë. Në sera diellore nuk ka më perime. Ato po zëvendësohen me vreshta. Kështu besojnë se do të kenë sukses.

Sokrat Lici në Krutje të Lushnjës këtë vit shpreson të fitojë me vreshtin, për të likujduar borxhet të cilat i mori për prodhimin e perimeve.

“Deri vjet, parvjet  e mbolla patëllxhanë, domate dhe zero fitim vinte deri atje sa unë dhe farën e mbillja me lekë, një vit e lashë pa mbjellë dhe vendosa ta mbjell vresht”.

Bujqësia po zhvillohet pa orientim. Dështimet dhe zhgënjimet e qindra fermerëve , po e çojnë këtë sektor jetik për familjet myzeqare në eksperimentime të ndryshme.

Andrea Muça, ndryshe nga Sokrati, ka vitin e 10 -të të prodhimit të rrushit në sera. Fillimisht i solli të ardhura të mira, sepse dilte i pari në treg. Sot përhapja masive e këtij prodhimi  pritet të sjellë destabilizim në çmime.

“Kjo punë është vështirësuar se në shumë sera është mbjellë vresht. Dhe kjo nuk është gjë  e mirë se shpesh fermerët e këpusin rrushin papjekur, dalin e treg dhe e shesin me çmime më të ulëta dhe se ai i fushës”.

Në asnjë rast, prodhuesit e vreshtit në sera nuk kanë marrë subvensione. Interesi për këtë mënyrë kultivimi është individual, ndaj nuk është përfshirë në skemat ndihmëse.

“Të gjitha të miat, s’ka vënë dorë shteti këtu, kam marrë borxh te banka dhe e kam bërë”.

Dy eksperienca të ndryshme të prodhimit të rrushit në sera, të sjella nga zona e Krutjes, janë tregues i qartë i ç’orientimit në sektorin bujqësor. Në një treg të pastudiuar dhe të pa bazuar në kërkesat e konsumatorit do të ketë dështime për t’ia lënë radhën eksperimentit të ardhshëm. /ABC news Albania 24/7

elbasan-ushqimet.jpg
nev ila14:20 | 15/05/2019

Ndërsa në qytetin e Elbasanit konsumatorët nuk kanë besim në cilësinë e ushqimeve që blejnë dhe konsumojnë, në fshatra fermerët po falimentojnë. Ata thonë se po dëmtohen nga ky panik, në një kohë që shteti duhet të bëjë kontrolle tek burimet kryesore me qëllim që të qartësohet situata.

 

Konsumatorët i sillen vërdallë tregut me mosbesim.  Nuk kanë siguri për atë që blejnë dhe frikë për shëndetin e tyre. Ata mendojnë që nuk ka asgje bio, as fruta as perime, as mish. Por më të shqetësuar janë nga përdorimi i kimikateve dhe pesdicideve. Lajmet rreth këtij problemi i ka çoroditur.

“Të jemi të sinqertë, të sigurtë nuk ndihemi. njerëzit po sëmuren, miting nëpër spitale, pse ndodhin këto? nga ushqimet, tha një nga konsumatorët”, tha një prej konsumatorëve.

Por ndërsa konsumatorët janë të panikosur, fermerët po falimentojnë. Tonelata perime po shkojnë dem. Ata nuk gjejnë treg dhe detyrohen ti shkulin dhe ti hedhin në kanale. Thonë se nuk përdorin kimikate e pesticide jashtë normave, dhe për këtë të bëhen kontrolle nga shteti. Në fshatin Jagodinë të Elbasanit, shumë sera kanë dalë për asnjë fitim. Ata i konsiderojnë të ekzagjeruara lajmet e kohëve të fundit.

“Kryeministri thotë do ndiqen penalisht fermerët mirëpo të gjitha ato që fermeri merr dhe blen për kultivim nga shteti i merr, shteti i fut në vend”, thotë një nga fermerët.

Në Drejtorinë e  Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit në Elbasan  grupet e punës gjenden si në ferma ashtu edhe në tregje. Ka patur ndëshkime për shumë individë e subjekte. Vetëm të martën u bllokuan 17.5 ton farë.  AKU njofton se nuk ka nevojë për  panik pasi çdo gjë është brenda parametrave dhe normave të Bashkimit Evropian./ABC News Albania 24/7

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono