fermere

lushnje-thatesire.jpg
ad min16:23 | 26/10/2019

Fermerët në Lushnje po përjetojnë një situatë të pazakonte. Kanalet vaditëse janë tharë dhe atyre iu duhet të blejnë ujë për të vaditur tokat dhe të shpetojnë prodhimet

Toka është çarë ndërsa bimët kanë nevojë për ujë. Prej muajsh nuk ka rënë shi në Myzeqe dhe pse fund vjeshte. Prodhuesit e serave në fshatin Qerret të Lushnjës, po blejnë tonelata ujë për vaditje.

Kanalet janë tharë. Por nëse nuk ndërhyjnë menjëherë në ujitjen e të mbjellave ato do të shkrumbohen. Vaditja e perimeve po u kushton me shtrenjtë se rritja e bimës. 100 mijë lekë të vjetra shitet një ngarkese prej tre mijë litrash uji.

Miliona lekë ka shpenzuar edhe ky fermer për ta sjellë ujin në tokën e tij, pavarësisht se kanalet vaditëse rrethojnë Lushnjen. Uji mungon për vaditje për shkak të punimeve që po kryhen në rrjet. Në afatin 10 mujor, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, do të kryejë rehabilitimin e skemave vaditëse në Bashkinë Lushnje në degët Murriz-Thanë dhe në degën e Çukasit.

Gazetarja e ABC News u interesua për të marre një shpjegim nga bordi kullues në qark, por përgjigja ishte se për këtë çështje kompetencë ka direkt Ministria e Bujqësisë. Për këtë arsye uji është ndërprerë dhe prodhuesit derisa të mbarojnë  punimet nga qeveria, detyrohen të blejnë ujin për vaditje ashtu siç nuk kishte ndodhur asnjëherë./ABC News Albania

luleyt.jpg
ad min13:26 | 23/06/2019

Në Lushnje më shumë se kudo fermerët kultivojnë bimët mjekësore. Megjithëse me sipërfaqe të vogla, ata po marrin fitime për shkak se i gjithë prodhimi shkon për tregun e huaj.

Grumbullimi i bimëve të egra nuk mund të përballojë kërkesat e tregut konsumator, ndaj po nxitet kultivimi i tyre. Në Këmishtaj të Lushnjes një parcele prej 1,5 hektarësh ëshë mbjellë me bimë të tilla.

Ciani, limon verbena dhe lule dielli janë kulturat që po rriten për eksport. Rritja e tyre po bëhet me standardin bio.

Besnik Koçi, i cili po investon ne teknologjinë e bimëve mjekësore shprehet se produktet janë organike dhe të certifikuara nga BE. Klima jonë është e përshtatshme për rritjen e tyre.

Besnik Koçi, eksportues i bimëve për industri: Jemi në fshatin Këmishtaj të Lushnjes, ku kemi kultivuar cian, i cili është i certifikuar organik dhe ky produkt është në destinacion komunitetin evropian. Ky është një produkt që përdoret në industrinë e çajrave, përdoret për ushqim si një suplement dhe ka përdorime të ndryshme në pjesën e farmaceutikës.

Ambasadori zvicerian në Shqipëri Adrian Maitre, ka parë nga afër parcelat me bimët industriale. Sipas tij zhvillimi i sektorit privat është një nga kushtet e vendosura për vendin tonë nga BE. Shteti zvicerian nëpërmjet projekteve te tij, do të financojë ndërmarrje të tilla.

Adrian Maitre, ambasadori i Zvicrës: Ajo që është e rëndësishme dhe më bëri përshtypje është fakti se sektori privat këtu po zhvillohet dhe ky është një nga parakushtet për integrimin e Shqipërisë.

Këto bimë do të përdoren në industrinë e çajrave, atë ushqimore dhe farmaceutike.

Teknologjia e përdorur për tharjen e tyre është e standardeve të reja evropiane. Tharja, e cila bëhet në dhoma të veçanta ka shmangur humbjen e cilësisë së produktit, i cili më parë bëhej me metoda primitive.

Ky është sektori që po punëson në zonat rurale qindra familje. Zhvillimi i tij do të rrisë numrin e vendeve të punës. /ABC News Albania 24/7

dru-arrore.jpg
ad min15:24 | 07/04/2019

Në Kukës, fermerët po mbjellin tokat dhe vështirësia qëndron te kulturat që duhet të zgjedhin. Ata patën një përvojë të keqe me sherebelën ndaj u janë kthyer druve arrore.

Sherebela nuk po preferohet me nga fermerët kuksianë. Kjo bimë humbi tregun me shpejtësi dy vjet më parë. Shumë bujqër u penalizuan pasi sherebela u mbeti stok. Tani po kujdesen të përzgjedhin cilën kulturë bujqësore apo me cilën pemë mund të kenë më tepër fitime.

Bekim Lekica është gazetar, por prej vitesh nuk i ndahet bujqësisë e frutikulturës. Edhe ai si fermerët e tjerë fillimisht u mor me sherebelë. Kurse tani, Lekica i është kthyer arroreve.

“Sherebelën e dështoi tregu, nuk e dështoi fermeri që të jemi të qartë. Ishte tregu që shkoi me një çmim qesharak”, tha ai.

Me një sipërfaqe të konsiderueshme rreth 6 hektarë me arrë, këtë vit pritet të hyjë në prodhim të plotë. Çdo rrënjë në fazën e prodhimit jep më shumë se 25 kilogramë, por shpenzimet janë të papërballueshme në mungese të subvencioneve.

Është shumë e vështirë. Mbështetje subvencioni nuk kemi sepse mungon certifikata e bujqësisë. Ajo na penalizon dhe nuk bhemi pjesë e asnjë lloj granti. Nuk marrim dot një kultivator. E punojmë me krah”, tha Lekica.

Këtë vit bashkia e Kukësit ka premtuar se do të zgjidhë problemin e regjistrimit të pronave në Shtiqën, njësia më e madhe e bashkisë dhe me sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore.

Ajo ka kontraktuar një kompani që do merret me regjistrimin  e pronave nën mbikëqyrjen e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Mungesa e certifikatës së pronësisë ka qenë pengesa kryesore e fermerëve për përfitimet e subvencioneve apo lehtësira të tjera në treg./abcnews.al

rama-8-1280x718.jpg
ad min16:10 | 18/03/2019

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar një nga pikat e mbështetjes së fermerëve dhe një fidanishte që ka përfituar nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Në të dy takimet, Rama nënvizoi se fermerët duhet të orientohen sipas kërkesave të tregut, pasi paratë për t’i ndihmuar nga buxheti i shtetit dhe nga Bashkimi Evropian nuk mungojnë.

Dritare e dedikuar për fermerët është agropika më e re që u çel në Tiranë, njëra prej 20 pikave të tillave, të hapura në disa qytete të vendit. Këtu marrin informacion të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe zhvillimin rural apo të informohen për zhvillimet më të reja në sektorin e bujqësisë.

“Bëhet fjalë për 36 mijë familje bujqësore të cilat mund të vijnë dhe të marrin shërbimin në këtë pikë. Jemi në hapësirën e infoaplikimit. Pra, këtu vijë dhe përballen me zonjën, e cila i dëgjon dhe i kupton nevojat e tyre dhe i drejton në zyrat e tjera në qoftë se ka nevojë të marrin informacion për skemën mbështetëse që ofrohet apo për programin e IPARD apo për programin  e donatorëve të ndryshëm që ne ofrojmë si AZHBR”.

Në këtë agropikë bëhet aplikimi online me zero dokumente,mjafton një kartë identiteti dhe një numër NIPT-i. Në kuadër të Paktit për Universitetin, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka punësuar pranë kësaj pike 4 studentë të ekselencës.

 “Dola është studente ekselente. Është në ditën e saj të parë të punës pranë AZHBR-së. Është specialiste në departamentin tonë juridik”.

“Jam rekrutuar nga portali “Punë të mbarë”, ku jam përzgjedhur si një nga studentët e ekselencës, të cilëve ju dha një mundësi për të bërë një eksperiencë të tyre në administratën shtetërore”.

Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër edhe frytet e punës 10-vjeçare të dy fermerëve në biznesin e tregtimit luleve. Në përgjigje të kërkesës së vazhdueshme nga fermerët e vegjël të zonës së Bërxullës, ata vendosën të investojnë në sera për mbjelljen e fidanëve. Ata kanë aplikuar dhe janë përfitues të skemës së investimeve, nga Fondi i Programit për Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, i vitit 2018 për “Ndërtimin e serës diellore” në shumën 10 milionë lekë.

“Ajo që mund të thuhet me gjithë gojën është që me fondet që kemi në dispozicion dhe me fondet që kemi marrë nga BE, kushdo që do realisht të punojë dhe investojë në bujqësi dhe i ve mendjen projektit dhe mëson si të aplikojë, merr para”, tha Kryeministri.

Kjo është një rrugë e shkelur nga vendet e bashkimit evropian u tha kryeministri Edi Rama i cili i këshilloi që të vazhdojnë të besojnë se bashkimi bën fuqinë.

“Aq më tepër që me fondet e Komisionit Europian nuk të jep asnjëri një kokërr leku nëse nuk je regjistruar nëse s’ke NIPT-in , nëse s’ke më shumë se 5 dynym, nëse nuk ke një biznes plan. Kjo është rruga, ne nuk mund të shpikim një rrugë tjetër që të mbajmë me lëmoshë situata që nuk kanë asnjë shans të ndryshojnë”, tha ai./abcnews.al

fermere.jpg
ad min16:34 | 15/03/2019

Nga e hëna deri të mërkurën grumbulluesit dhe agropërpunuesit nuk do të blejnë me qumësht nga blegtorët vendas. Kjo masë vjen për të kundërshtuar ngërçin e krijuar me TVSH-në e produkteve primare. Shoqata e Industrialistëve Ushqimore thotë se nuk ka mundësi të paguaj çmim më të shtrenjtë për fermerët.

Qumështin që pak ditë më parë blegtorët në Lushnje e derdhen në rrugë për të kundërshtuar uljen e çmimit do ta kenë të vështirë ta tregtojnë. Agropërpunuesit  do të ndërpresin grumbullimin e tij. Protesta e tyre vjen kundër ngërçit të krijuar për TVSH-në e produkteve primare dhe do të zgjasë tre ditë, nga 18 deri më 20 Mars.

Shoqata e Industrialistëve Ushqimore thotë se uljen e masës së kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për fermerët nga 20 në 6% që nga Janari i këtij viti kanë mbajtur përpunuesit, por tashmë nuk ka mundësi ta paguajnë më shtrenjtë këtë produkt.

Ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria sipas saj do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas dhe favorizojnë importet, do të rrisin informalitetin dhe cënojnë sigurinë ushqimore. Shqetësimin e tyre ja kanë bërë të ditur dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por nuk kanë marrë zgjidhje.

Në mungesë të një reagimi, grumbulluesit dhe agropërpunuesit thonë se do të dalin në protestë, por kujdesen të qartësojnë se kauza e tyre është qartësisht ekonomike dhe nuk ka lidhje me politikën./abcnews.al

blegtoreyt.jpg
ad min12:16 | 13/03/2019

Blegtorë dhe fermerë të Lushnjes, Beratit dhe Fierit kanë derdhur prodhimet e tyre në rrethrrotullim e Savrës. Ata kanë protestuar kundër ndryshimit të vlerës së TVSH. Vendimi për të ulur rimbursimin e Tatimit mbi Vleren e Shtuar është marrë nga qeveria në Janar të 2019-s.

Një litër qumësht u kushton më pak se uji. Por sikur të mos mjaftonte kjo, blegtorët nuk do të shesin më. Fabrikat kanë vendosur të mos ua marrin prodhimin. Në këto kushte, sasi të mëdha qumështi janë derdhur në shenjë proteste.

Blegtorë dhe fermerë të Lushnjes, Beratit dhe Fierit u grumbulluan tek rrethrrotullim e Savrës në rrugën Lushnje – Fier. Ata kundërshtuan ndryshimit e vlerës së TVSH. Vendimi për të ulur rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është marrë nga qeveria në Janar të 2019-s.

Në një situatë të tille, shumë fermerë thonë se prishin fermat. Qumështi, i cili shitej me 40 lekë litri tani nuk do u merret më as nga fabrikat që nuk do të paguajnë me TVSH. Vendimi i agropërpunuesve bie në kurriz të blegtorëve, të cilëve nuk do t’u tregtohet prodhimi./abcnews.al

faliment.jpg
ad min15:45 | 19/02/2019

Fermerët e Dovranit në Korçë janë zhgënjyer nga puna e tyre në pemtaritë me mollëdhe qershi. Ata thonë se kanë bërë shumë shpenzime dhe nuk kanë përfituar asgjë.

Fermerët e Dvoranit po i shkulin mollët nga rrënjët. Pemët, që ju kanë dhënë fruta për një periudhë 20-vjeçare, tani do t’ju shërbejnë për ngrohje. Në pemetoren prej 500 dynymë të Taulant Huthit, janë prerë mbi 500 rrënjë molle.

Të njëjtin vendim kanë marrë edhe fermerët e tjerë. Mungesa e tregut ka detyruar ata të shesin prodhimin nën kosto për disa vite, duke i çuar drejt falimentimit.

Zbritja e çmimit të mollës gjatë këtij viti, deri në 3 lek për kilogramë, i shtyu t’i presin pemëtoret, duke i dhënë fund kultivimit të mollës në zonen që identifikohet me këtë frut.

“Kam shitur 200-250 kuintal mollë dhe çmimi i mollëve është akoma një pako mastik”.

“Kemi disa vite që bëjmë shpenzime dhe nuk fitojmë asgjë. Vjet dhe sivjet, çmimet më të ulëta. Unë kam prodhuar rreth 250 kuinatlë, 200 i kam shitur, por sa lekë e ke shitur do thuash? 100, 150 lekë dhe 30 lekë e fundit. Në fund me 30 po i shesim. Vijnë makinat furnizohen dhe shkojnë në Bullgari për lëng”.

Shumica e fermerëve të Dvoranit ankohen se nuk kanë përfituar asnjëherë subvencione nga skemat mbështetëse të bujqësisë, çfarë do t’i ndihmonte të përballonin shpenzimet e larta, që kërkon sidomos prodhimi i mollëve.

Të paorientuar nga specialistë të fushës, ata kanë menduar si zgjidhje, zëvendësimin e mollëve me arra, të cilat e japin prodhimin e parë, pas një periudhë shtatë-vjeçare.

“Mollët aktualisht kam menduar t’i zëvendësoj me arra. Ka një leverdi tjetër. Ka më pak kosoto për t’u trajtuar. Për shtatë vitet e ardhshme kemi fitim nga kjo prerja e mollëve që bëmë”.

Pamundësia për të shitur prodhimet, po i bën fermerët e Dvoranit të mendojnë pas mollëve të zëvendësojnë edhe pemët e tjera frutore./abcnews.al

fermere.jpg
ad min17:45 | 17/01/2019

Jo të gjithë fermerët në Lushnje kanë mbjellë prodhime dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Sipërfaqet e mbjella të tokës janë shumë më pak se vitin e kaluar.

Temperaturat nën zero nuk kanë penguar prodhuesit të dalin nëpër toka. Në Lushnje, fermerët nxitojnë të vjelin prodhimet. Kërkesat në treg janë të mëdha, ndaj edhe çmimet janë rritur. Një kilogram presh kushton 100 Lekë, kurse qepa arriti vlerën maksimale 200 Lekë.

Një vit më parë, preshi dhe qepa u hodhën nëpër kanale dhe u përmbysën me traktor. Frika se situata do të përsëritej edhe këtë vit bëri që shumë fermerë të mos mbillnin perimet dimërore. Sipërfaqet këtë vit u përgjysmuan, kurse ata që guxuan të punonin tokën dolën të fituar.

Tre anëtarët e familjes Mallia, në një dhomë pranë sobës, po bëjnë gati për treg 10 kuintal presh. Të gjithë janë pensionistë, por çmimi i lartë i detyron të punojnë në çfarëdo lloj ambienti.

Niveli i çmimeve në treg këtë vit është dyfishuar krahasuar me një vit më parë, për prodhimet bujqësore. Rritja e tyre ka ardhur për dy arsye. E para kërkesa e lartë për konsum dhe e dyta pakësimi i sipërfaqjeve të mbjella. Fermerët në Lushnje, e cila mban peshën kryesore të prodhimeve perimore në vend kanë lënë tokat pa mbjellë, për shkak të dështimeve ndër vite, ndaj muajt e ardhshëm pritet që çmimet të jenë më të larta edhe për prodhimet në sera. /abcnews.al

 

gjelat-e-detit.jpg
ad min17:38 | 28/12/2018

Në Lezhë është organizuar dita e gjelit të detit Zadrima. Fermerët kanë patur mbarësi në kultivimin e këtij shpendi, por blerjet janë të pakta.

Superstrada Lezhë-Shkodër është vitrina kryesore e gjelit të detit Zadrima. Është periudha e vetme kur blerjet shtohen edhe pse shpendi i tryezës së Vitit të Ri në këto anë rritet në mënyrë natyrale. Fermerët pranojnë vështirësitë, por vazhdojnë ta mbarështojnë këtë shpend që identifikon edhe zonën.

“Tregu është me vështirësi, me hope. Për pensionistat ka dhënë një 50 mijë lekë shteti dhe shtyjmë”, u shpreh një fermer.

Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Bashkia e Lezhës nxiti panairin e gjelit të detit. Shpendin e sollën në qytet në mënyrë që të afrohej sa më shumë blerësve. Nënkryetari Enver Hafizi thotë se po synohet krijimi i sa më shumë mundësive për këta fermerë.

“Panaririn këtë vit kemi menduar që ta zhvendosim këtu në këtë pjesë te lagja e vjetër e qytetit. Mendojmë që do ketë shitje të mirë. Po afrojmë infrastrukturën e nevojshme që këta të shesin, por edhe qytetarët ta kenë sa më pranë gjënë e gjallë”, tha ai.

Blerjet janë të pakta thonë fermerët. Kostoja e rritjes së tyre është e lartë dhe se punojnë 11 muaj për të shitur 1 javë.

“Të merresh 12 muaj dhe ta shesësh për një javë, kjo është me vështirësi. Është një gjë që më parë rrit një kalama, se një zog”, u shpreh fermeri.

Blerësit thonë se çmimi është i pranueshëm, por mundësia për ta blerë për shkak të të ardhurave është e pakët.

“Çmimi nuk është i keq, por jemi të këqinj ne. S’kemi me çfarë me i marrë”, u shpreh një blerës.

Dita e gjelit të detit Zadrima është bërë traditë për Lezhën. Por fermerët kanë gjetur pak mbështetje kurse Ministria e Bujqësisë e ka hequr nga kalendari i saj./abcnews.al

lushnje.jpg
ad min15:19 | 21/11/2018

Fermerët e Dumresë në Lushnje janë mashtruar nga një firmë, e cila u ka marrë prodhimin e dy viteve duhan dhe nuk u ka dhënë lekët. Kompania kontraktuese kishte lidhur kontratë me kultivuesit, por në fund i mashtroi.

Puna e dy viteve u është grabitur përmes mashtrimit. Fermerët e Dumresë në Lushnje, kërkojnë paratë e shitjes së duhanit. Kompania kontraktuese për grumbullim e tij, nuk u ka dhënë asgjë. Pasi u ka marrë prodhimin është larguar duke u lënë në duar vetëm letrat.

Janë rreth 20 familje bujqësore në Ballagat, të cilët kanë mbjellë duhan nga viti 2015 deri në 2017. Pajisja me të gjithë dokumentacionin e rregullt, madje edhe me kontratën e shit-blerjes, bëri që fermerët të besonin në kultivimin masiv të kësaj kulture.

Fermeri 1: “Merrshin duhan dhe pastaj sillnin lekët. Hë sot, pas një jave, pas dy javësh, pastaj e çuan një muaj, dy dhe gjashtë muaj. Pastaj e prenë fare”.

Fermerja 2: “Presim dhe s’i marrim, punojmë kot”.

Fermerja 3: “Borxhi që kam vetë unë personalisht është 3 milionë lekë”.

Fermeri 4: “Është marrë duhani me 15 Shkurt të 2017-s, s’është marrë asnjë lek”.

Shumë nga këto familje janë zhytur në borxhe. Përveçse kanë pa likujduar lekët e tokave me qera kanë nisur edhe konfliktet familjare. Fermerët janë të shqetësuar për këtë situatë, e cila u ka shtuar varfërin.

Fermeri 5: “Kam hyrë në konflikt me gruan. Tokë e kam marrë me qera, plus plugimin, frizimin, të gjitha janë para dhe shpenzime”.

Shpresën, se milionat e lekëve të prapambetura do të merren një ditë, disa banorë nuk e kanë humbur. Me dokumentet në duar, ata denoncojnë për herë të parë në ABC News problemin e tyre.

Fermeri 6: “I kemi kontratat të gjitha në xhep. Edhe peshat që kemi dorëzuar dhe tani i mbajmë në xhep”.

Fermeri 7: “Paret i kemi marrë në ’97-n pa numër NIPT-i, mes plumbave, kurse këtë vit me kontrata, pa lekë. Nuk dimë ç’të bëjmë se unë t’i kisha shtetit borxh kushedi sa vite burg do kisha, do isha dënuar”.

Zhgënjimi për shumë familje ka sjellë braktisjen e punës. Tokat bujqësore janë lënë pa mbjellë. Prej një viti ato janë djerrë, sepse ka humbur besimi për shitjen e prodhimeve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono