Federica Mogherini

mogherini.jpg
ad min15:58 | 24/09/2019

Gjatë darkës së punës të së hënës me liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini deklaroi se hapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është shumë e rëndësishme si për rajonin ashtu dhe për vetë BE-në.

Vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të dy vendet por dhe për të gjithë rajonin dhe vetë Bashkimin Europian.

Është kjo deklarata e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, në largim, Federica Mogherini, gjatë darkës tradicionale të punës me liderët e ballkanit perëndimor. Darka u zhvillua në kuadër të asamblesë së 74 të përgjithshme të kombeve të bashkuara në Nju Jork.

Deklarata u konfirmua dhe nga shërbimi europian për veprimet e jashtme. Mogherini dhe krerët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit shprehën mbështetje dhe për rifillimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se mund të arrihet shumë shpejt një marrëveshje juridikisht e vlefshme për sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë mbledhjes, të gjithë liderët ballkanikë rikonfirmuan mbështetjen e tyre të fortë ndaj perspektivës europiane duke garantuar se puna për reformat dhe bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë./ABC News Albania 24/7

BELGAIMAGE-78277555.jpg
nev ila09:42 | 23/09/2019
Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, priti të djelën në mbrëmje drejtuesit e partnerëve të Ballkanit Perëndimor  në një darkë tradicionale pune paralelisht me zhvillimet e asamblesë së 74-të të përgjithshme të Këshillit të Bashkuar në Nju Jork.
Në funksion të perspektivës së qartë të Bashkimit Evropian që ka Ballkani Perëndimor, përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe përfaqësuesit nga rajoni rishikuan përparimin thelbësor të arritur deri tani, si dhe detyrat për të ardhmen.
Ata shprehën mbështetje për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Europian.
Të gjithë  mbështetën vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë dhe përfundimin e shpejtë të një marrëveshje juridikisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, ashtu si dhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë për goditjet nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë./ABC News Albania 24/7
mogherini.jpg
ad min10:08 | 14/09/2019

Bashkimi Evropian do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që mbahen më 6 tetor, duke e cilësuar këtë veprim dëshmi të përkushtimit ndaj proceseve demokratike në Kosovë.

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së në largim, Federica Mogherini ka emëruar anëtaren e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, shefe të Misionit Vëzhgues.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “Kosova mbetet përparësi politike për BE-në dhe vendosja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve konfirmon angazhimin dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur procest demokratike në Kosovë”.

Ajo është shprehur e bindur se misioni do të ndihmojë mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transparente.

“Këto zgjedhje zhvillohen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila duhet të lëvizë vendosmërisht për të përparuar në rrugën evropiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Zgjedhjet e reja në Kosovë pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje partive politike që të krijojnë një mjedis të qetë e të sigurt për zgjedhjet e 6 tetorit dhe të shmangen keqpërdorimet e votës dhe frikësimet e kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në zgjedhjet e kaluara.

Diplomatët po ashtu presin formimin e shpejtë të një qeverie të re që do të ishte e gatshme të mënjanojë pengesat për vazhdimin e shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë./VOA

ERISA-MOGHERINI-1280x720.jpg
ad min11:04 | 06/07/2019

Federica Mogherini e quan gabim të madh nëse BE nuk merr vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shefja e diplomacisë europiane i bëri komentet nga Polonia ku u mbajt një samit për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini thotë se e ardhmja e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, nga Samiti i Poznanit në Poloni, Mogherini këmbëngul në hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Tiranën dhe Shkupin.

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”.

E pyetur në lidhje me avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin zonja Mogherini ka qenë ndërmjetësuese gjatë mandatit të saj, shefja aktuale e politikës së jashtme së BE-së u shpreh se mbetet skeptike për sa kohë nuk ka asnjë tërheqje nga taksa e lartë ndaj mallrave serbe.

“Derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Federica Mogherini tha në intervistë se ka besim që edhe pasardhësi  i saj, spanjolli Jozep Borrell, do të jetë në gjendje ta menaxhojë këtë proces dialogu, me zgjuarsi, vendosmëri dhe ne respekt të pozicioneve të BE-së./ABC News Albania 24/7

federica_mogherini_credit_eu_commission-1280x853.jpeg
ad min11:45 | 17/06/2019

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini kërkoi që të hapen negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo shtoi se shpresonte që vendet e Bashkimit Evropian të kuptojnë domosdoshmërinë e marrjes së vendimeve të rëndësishme në ditët e ardhshme, dhe të hapin negociatat me të dy vendet.

Sipas saj një vendim i tillë duhet marrë sa më shpejt. Më herët, kreu i Këshillit të Sigurisë, Donald Tusk, u shpreh se jo të gjithë vendet e Bashkimit Evropian janë të gatshëm të mbështesin në samitin e qershorit vendimin për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

agim-nesho-1.jpg
ad min20:46 | 09/05/2019

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Agim Nesho, deklaroi këtë të enjte se samiti i Brdo-Brijunit është një event që përsëritet çdo vit. Sipas tij nëse nuk do kishte qenë samiti i Berlinit dhe qëndrimet që dolën pas tij, ky i sotmi që u zhvillua në Tiranë do të ishte një gjë e zakonshme si vitet e tjera.

I ftuar në “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, diplomati u ndal edhe te vizita e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Konferencën mes saj dhe kryeministrit Edi Rama, ai e konsideroi si një shfaqje për politikën e brendshme në vendin tonë.

“Sigurisht në fakt këto janë marrëdhëniet e vërteta, pavarësisht se samiti në qendër të tij ka çështjen e pajtimit të konflikteve dhe zgjidhjen e rrugëve të përbashkëta për integrimin europian. Kjo tregon se realiteti ballkanik reflekton një realitet ndryshe, plot kontradikta, plot gjëra të pazgjidhura, mënyrën e komunikimit të vështirë jo vetëm ndërmjet liderëve. Ajo që dua të vlerësoj, produkti i samitit u bënë disa lëvizje mes të cilat dua të veçoj, takimin mes Kryeministrit Rama dhe Komisioneres së Lartë të BE, zonjës Mogherini që mendoj se ishte më tepër një show për ambientin politik të brendshëm sepse nuk ka pasur akoma vlerësim Komisioni i Bashkimit Europian për të ardhur me një rezultat konkret siç erdhi radhën e kaluar. U bë një vlerësim vetëm i njëanshëm duke thënë vetëm rezultatet pozitive të shprehura disa herë nga kryeministri shqiptar. Duket sikur ishte një “qokë” e kërkuar dhe për të rënë në një nivel të papranueshëm të një përfaqësusi të lartë të BE-së. Ne e dimë që në përfundim të mandatit ka një pauzë që nuk shprehen dhe zonja Mogherini kishte të drejtën të shprehej edhe në tryezën ku mori pjesë sepse këto janë sinjalet e personaliteteve të veçantë dhe të vlerësonte Shqipërinë. Thirrja e saj duke thënë që populli shqiptar, nënkupton që 92 % kërkojnë të hyjnë në Europë është po populli shqiptar që ka votuar dhe merr pjesë sot në demonstrata dhe në këtë krizë të madhe politike sepse kërkon që t’i bashkohet BE-së jo për përfitime ekonomike, por për të garantuar perspektivën evropiane. Kjo nuk mund të rrinte pa u prekur nga Mogherini”, tha Nesho.

Sipas Neshos, Mogherini po përpiqet që të përdorë kanalet e komunikimit që ka krijuar me liderët e Ballkanit, duke përfshirë edhe kryeministrin Rama, në mënyrë që të rinisë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Samiti i Berlini përcaktoi vendin kush do jetë raporti ndërmjet vendimeve të shteteve dhe të Këshillit të kryetarëve të qeverive të BE për vetë faktin se nuk pati sukses. Mogherini në këtë proces duke mos arritur dot të konkretizojë një marrëveshje të domosdoshme ku në nivelin politik ishte shprehur shumë mirë që Serbia për të hyrë në BE ka si konditë njohjen e Kosovës. Nuk mendoj që bashkëbisedimin që bëri me qeverinë e bëri me këtë qëllim. Ajo ishte për një vlerësim të marrëdhënieve personale me Kryeministrin Rama. Qëllimet e saj ishte për të riaktivizuar atë dialog dhe për të arritur një marrëveshje në fund të vitit sepse kjo është një kërkesë kryesore e BE-së. Në këtë mënyrë kërkon që në ato njohje personale që ka krijuar me liderët e Ballkanit t’i konkretizojë dhe të mos jetë e shmangur, por të korrigjojë këtë gjë që të jetë faktor”, tha Nesho./abcnews.al

federica-mogherini.jpg
ad min18:49 | 08/05/2019

Gjatë konferencës për shtyp së bashku me Përfaqësuesen e LArtë të BE-së, Federica Mogherini, Kryeministri Rama komentoi edhe idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës. Ai e konsideroi atë një gënjeshtër të pabesueshme që qarkullon vetëm në rrjetin online.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës më kujton atë shprehje se që pa dalë Facebook budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në të gjitha nivelet, duke përfituar nga Facebook dhe nga mundësia për të torollisur gjithë dynjanë me gënjeshtra marramendëse dhe me budallallëqe marrëzitëse. Nuk dua të zgjatem në këtë pikë, por dua të them: Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtet, që përfshijnë parlamente, që përfshijnë parti politike, që përfshijnë shoqëri, që përfshijnë votime referendare mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në të gjithë këtë proces si miu ndër mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund. Unë besoj që çdo shqiptar me dy fije mend në kokë e kupton që kjo është e gjithanjë gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që të mund të shitet e blihet në territorin e marrëzisë online”, tha Rama.

Ndërkohë, Federica Mogherini, theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është penguar prej tarifës 100%. Sipas saj nëse tarifat hiqen, dialogu mund të rifillojë menjëherë. Ajo nënvizoi se BE respekton pozicionet e secilës palë në dialog dhe shpreson që të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi nga ngërçi i dialogut nuk përfiton askush.

“Dialogu së pari ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte në një fazë bisedimesh intensive. Vendimi i Kosovës për të përcaktuar 100% tarifa për mallra që vijnë nga Serbia dhe Bosnja ka krijuar një ambient jo frytdhënës për dialogun. Është edhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshkruar Kosova. Ne kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do krijonte kushtet që dialogu të rifillonte. Jam e bindur që nëse hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do bëja thirrje për një seancë të dialogut dhe kjo do ishte e vështirë, por ndoshta frytdhënëse. Në mungesë të këtij mjedisi, unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë. Kështu që përgjegjësinë e kanë në dorë, ose është në duar të vendimmarrësve në Kosovë. Siç e thashë më parë një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do thoshte edhe pezullimin e njohjes apo e këtyre fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Dialogu është i tyre, nuk është i yni. Jo vetëm që respektojmë pozicionet e secilës palë, por marrim seriozisht dhe rolin tonë. Shpresoj që do dominojë mençuria, zgjuarsia pasi askush nuk do fitonte nga ky ngërç në dialog, pasi pajtimi dhe normalizimi është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin”, tha Mogherini./abcnews.al

mogherini-rama.jpg
ad min18:19 | 08/05/2019

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministri i vendit Edi Rama nuk iu shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e Qershorit dhe krizës politike në vend.

Kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet do të mbahen  më 30 Qershor dhe se kush merr pjesë kjo është zgjedhje e gjithsecilit.

“Zgjedhjet do mbahen më 30 Qershor dhe do zgjidhen 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiak. Kjo është pak por e sigurt. Se kush merr pjesë se kush jo në zgjedhje, kjo është zgjedhje e lirë e gjithsecilit. Qytetarët do të votojnë më 30 Qershor për zgjedhjet vendore.

Nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Natyrisht jo se çka ka ndodhur nuk është shqetësuese, por sepse çfarë ka ndodhur i tejkalon të gjitha kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja e kornizës demokratike të bashkëjetesës. Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga ligji. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar afatgjatë dhe nuk funksionuan. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem, qëndron, kush nuk qëndron ka zgjedhjen e lirë, ama nuk ka shans të pengojë të tjerët në sistem”, tha Rama.

Ndërkohë Mogherini theksoi se nuk do të jetë negociatore e dy partive politike për zgjidhjen e krizës aktuale në vend.

“Unë asnjëherë nuk promovoj apo hyj në negociata apo ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE-së është që të ketë marrëdhënie me institucionet qeveri, presidenti, të gjithë. Ky është roli të cilin unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë negociata apo ndërmjetësime në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kam bërë këtë kurrë as në vendet e tjera”, tha Mogherini./abcnews.al

rama-1.jpg
ad min17:44 | 08/05/2019

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, deklaroi në Tiranë se Shqipëria ka arritje të paprecedenta në rajon, sa i takon reformës në drejtësi dhe reformave të tjera. Ndaj tha se vendi e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit. Zonja Mogherini ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Brdo-Brijunit.

Si një mikeshë e mirë që shfaqet në kohë të vështira përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini ka sjellë me vetë listën e reformave që qeveria i ka kryer me sukses.

Reforma në drejtësi, ndarja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga ata të ndershëm, çlirimi i vendit nga kanabisimi janë pikat e forta të qeverisë Rama që do të pasqyrohen edhe në Komisionin Evropian.

Tashmë i takon shteteve anëtarë të bëjnë siç duhet detyrën e tyre thonë njëzëri diplomatja e Bashkimit Evropian dhe kryeministri Rama.

Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe kur bëhet fjalë për politikën e brendshme në Shqipëri.

Të akuzuar nga kryeministri Ramush Haradinaj si komplotistë për shkëmbimin e territoreve të Kosovës, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian i kujton rëndësinë e dialogut ndaj të cilës thotë se nuk kanë hequr dorë pavarësisht vështirësive.

Më drejtpërdrejtë i përgjigjet akuzave kryeministri Edi Rama.

Me sqarimet se ky është një proces i gjatë që kalon në vendimmarrjet e shumë shteteve, kryeministri Rama kërkon që të bëhet dallimi midis të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini do të qëndrojë dy ditë në Shqipëri për të festuar Ditën e Evropës dhe për të marrë pjesë në samitin e Brdo-Brijunit./ABC News Albania 24/7

MOGHERINI-PRESPA.mpg_snapshot_00.21.jpg
nev ila13:46 | 03/05/2019

Tema e edicionit të 26 të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila shënohet në 3 maj, është mbi marrëdhënien e medias me demokracinë. Në fjalën e saj, përfaqësuesja e lartë për politika të jashtme në Bashkimin Evropian, Mogerini tha se media e lirë është bazë për një shoqëri pluraliste.

Në 3 maj shënohet edicioni i 26 i ditës botërore të lirisë së shtypit. E vendosur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, është një rast për të përqendruar vëmendjen në situatën e “pushtetit të katërt” në botë si dhe për t’i kujtuar çdo vendi rëndësinë e një shtypi të pavarur për shëndetin e demokracive.

Për këtë foli dhe përfaqësuesja e lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Evropian, Federika Mogerini. Kjo e fundit me anë të një deklarate në emër të 28 vendeve anëtare të BE-së u shpreh se cilësia e proceseve demokratike është e lidhur ngushtë me rolin e lirisë së shtypit dhe pluralizimit të mjeteve të komunikimit.

Sipas saj mjetet e lira të komunikimit, të pavarur dhe të ndryshëm, janë bazë për një shoqëri pluraliste dhe të hapur. Përgjegjësia e tyre është që ti garantojnë publikut informacione të verifikuara dhe korrekte.

Dita botërore e lirisë së shtypit u vendos në dhjetor të vitit 1993 nga asambleja e përgjithshme e OKB-së, me rekomandim të konferencës së përgjithshme të UNESCO-s.

Kjo ditë synon realizimin e objektivave të ndryshëm, mes të cilave celebrimi i principeve thelbësore të lirisë së shtypit, si dhe vlerësimin e lirisë së shtypit në të gjithë botën. Por gjithashtu synohet dhe mbrojtja e medias nga sulmet për pavarësinë e saj si dhe homazhet për gazetarët që kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre.

Në vitin 2018 sipas monitoruesve të UNESCO kanë qenë 99 operatorë të vrarë, një numër shumë i lartë duke çuar në total në 1307 numrin e viktimave për periudhën 1994 – 2018. Tema e zgjedhur për këtë edicion të 26 është: “Media për demokracinë, gazetarinë dhe zgjedhjet në kohët e dizinformimit”.

Kjo ditë celebrohet dhe nga Këshilli i Evropës, sipas të cilit garantimi i një ambienti të përshtatshëm për mediat e pavarura, është një sfidë vendimtare për të gjitha demokracitë.

Pikërisht për këtë arsye është publikuar dhe një raport ku listohen kërcënimet kryesore ndaj lirisë së shtypit në vitin 2018 si dhe të masave që qeveritë duhet të ndërmarrin, për t’i shmangur ato. Mes situatave më kritike ku jeta e gazetarëve është në rrezik, citohen Rusia, Hungaria por dhe Turqia./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono