Fatmir Xhafaj

xhafajjjj.png
ad min17:28 | 30/10/2018

Ministri i Brendshëm në detyrë Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes nga detyra ka nisur fushatën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Xhafaj bashkë me Veliajn takuan banorët e njësisë administrative numër 10.

Pas dorëheqjes nga drejtimi i Ministrisë se Brendshme Fatmir Xhafaj për herë të parë publikisht del në krah të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Banorëve të njësisë administrative numër dhjete, Xhafaj i kërkoi votat për Erion Veliajn në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm në detyrë: “Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qendrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”.

Ndërsa vetë kryetari i Bashkisë vijoi fushatën për Partinë Socialiste me qëllim tha Veliaj, që ritmi i punëve në qytet të mos ndalet. Ndërkohë shigjetoi opozitën në këshillin bashkiak të Tiranës.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Na duhet sot një shumicë në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi një shumicë në Parlament. Buxheti që po diskutojmë duhet të kalojë në Këshillin Bashkiak, në të cilin sot fatkeqësisht nuk kemi shumicën absolute. Jam i sigurt se ata të opozitës do të vijnë në ditën e votimeve, por duhet t’i pyesim: Ej, ku keni qenë? Pse keni tre vjet që nuk shkoni në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, që nuk votoni ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, që nuk votoni kompensimin e energjisë, banesat sociale, bonusin e qirasë për familjet që s’përballojnë dot çmimet e tregut? Pse keni tre vite që nuk votoni asgjë në Bashkinë e Tiranës?”

Në dëgjesën me banorët e Njësinë 10 për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryetari i bashkisë bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë rehabilitimi i parkut “Rinia”./abcnews.al

MBULIM-BASHA-MANEZ.mpg_snapshot_00.13-1280x720.jpg
ad min11:15 | 28/10/2018

Çfarëdo të thuhet nga kabineti qeveritar apo përkrahësit e qeverisë mbi arsyet që bindën ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të dorëhiqet nga detyra, e vërteta është ndryshe deklaron kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Fatmir Xhafaj u largua nga frika e përballjes me përgjegjësitë e tij ligjore dhe politike për manipulimin e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në manipulimin e dosjes hetimore për vëllain e tij”, tha Basha.

Kjo është e vërteta e vetme sipas Lulzim Bashës që i përgjigjet edhe atyre që dyshojnë se dorëheqja lidhet me njoftimin e një deklarate për shtyp të ish-ministrit Saimir Tahiri.

“Nuk ka meritë as ministri tjetër i Habilajve dhe askush tjetër për largimin e Fatmir Xhafës. Largimi i Fatmir Xhafës është dëshmi e forcës së pathyeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike bashkë me qytetarët shqiptarë në luftën kundër krimit”, theksoi Basha.

Jo vetëm ia jep të gjitha meritat opozitës për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, por përfshin edhe faktorin ndërkombëtar, të cilit i janë janë hapur sytë sipas Lulzim Bashës.

“Operacioni policor i nisur me insistimin e faktorit ndërkombëtar nxorri në pah dhe vërtetoi atë që ne si opozitë e kemi thënë prej ditës së parë. Ky ishte momenti kur faktori ndërkombëtar e kuptoi se Fatmir Xhafaj nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i Edi Ramës. Fatmir Xhafaj iku me turp. Iku i demaskuar para faktorit ndërkombëtar si njeriu i cili në fund të fundit është i detyruar të zbatojë urdhërat e bosit të tij si një vasal i Edi Ramës”, nënvizoi kreu i demokratëve.

Këto deklarata, kryetari i Partisë Demokratike i bëri nga Manza, një ndër zonat që qeverisen nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Këtij të fundit i tregon se akrepat e orës së tij politike do të ndalen shumë shpejt.

“Vangjush Dako e ka vendin në burg, dhe në burg do të shkojë një orë e më parë, për korrupsionin, për vjedhjen, për bashkëpunimin me kriminelët”, u shpreh Basha.

E ka edhe një thirrje të fundit Lulzim Basha e kjo i drejtohet të gjithë qytetarëve. Për kryetarin demokrat duhet të largohet Edi Rama që beteja të quhet e fituar./abcnews.al

WEB-POLITIKA-NE-ABC-NEWS-SIKLETET-E-REJA-TE-EDI-RAMES-27.10.2018.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ad min19:00 | 27/10/2018

Qetësia e rifituar ditët e kaluara, duket se po merr fund për kryeministrin. Një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i tij, Vangjush Dako rezulton i lakuar në përgjimet e prokurorisë, në komunikim me persona me rekorde kriminale, ndërsa ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, u largua nga detyra. Kësaj panorame i shtohet edhe paralajmërimi për riaktivizim publik, i Saimir Tahirit, ish ministrit të Brendshëm nën hetim për trafik droge. Këto dritëhije të pushtetit të Edi Ramnës, në vitin e gjashtë si kryeministër, sjell këtë javë Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Nuk kanë të mbaruar sikletet për Edi Ramën. Emrat e njerëzve pranë tij, vijojnë të lakohen për lidhje me personazhe të krimit. Po e mban fort nën kontroll efektin publik edhe pse sikleti duket aq i madh, sa nuk kalon pa kosto. Këtë të shtunë u largua nga detyra ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i njëjti ministër të cilin nuk e lëshoi edhe kur u rishfaq historia e vëllait të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Paraardhësi nën hetim i Xhafajt, Saimir Tahiri, duket se do rifillojë komunikimin me mediat. Në fakt prej dy javësh Kryeministri ia ka dalë të ulë interesin publik e mediatik për emrat e të vetëve, që përmenden në çështjet Babale e Xhisiela. Mbyllja e lojërave të fatit ishte lëvizja që prodhoi efekt publik në kulmin e atij debati, e me qetësimin e saj, i hapi rrugë me një shpejtësi olimpike, një synimi të hershëm, prishjes së Teatrit Kombëtar. Por dalja e emrit të një prej personave të tij të arfërt Vangjush Dako në përgjimet e dosjes që çoi në prerjen e 44 fletëarresteve dhe operacionit policor Volvo 4, e riaktivizimi i pritshëm publik i Saimir Tahirit, duket një sfidë e re për Kryeministrin në vitin e gjashtë në pushtet.

Përse vallë Kryeministri nuk e mbrojti vetë Dakon siç kishte bërë për të tjerët pranë tij, pas akuzave të Lulzim Bashës? Misteri u bë edhe më i fortë, kur të premten, disa portale njoftuan se ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do kishte një komunikim me gazetarët të shtunën. Por disa orë më vonë atë mbrëmje, u tha se ai komunikim mediatik ishte anulluar. Çfarë mungoi t’i thuhej vallë publikut ditën e shtunë?

Në fakt e shtuna e pati një komunikim të papritur. Kryeministri Rama me një postim krejt lakonik në Tuiter, bënte të ditur se kishte pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke i bashkangjitur edhe propozimin zyrtar drejtuar presidentit për emrin e pasardhësit, këshilltarin e tij Sandër Lleshi. Edhe Fatmir Xhafaj e konfirmoi përmes Tuiterit largimin e tij, njëlloj si Kryeministri, pa dhënë arsyen. U paraqit në zyrë për t’u përshëndetur me vartësit, po duket nuk e pati mundësinë e komunikimit mediatik të atij largimi. E bëri përmes këtij njoftimi në faqen e ministrisë së Brendshme, duke nënvizuar se kishte marrë një mision të vështirë, e kishte shërbyer me pasion e modesti shtetit. Padyshim që largimi i papritur i Fatmir Xhafajt ngre shumë pikëpyetje, për shkak të zhvillimeve të dukshme e të padukshme të javëve të fundit. A lidhet vallë me komunikimin e njoftuar mediatik e më pas të anulluar të Saimir Tahirit?
Sa lidhet ky largim me dosjen e operacionit Volvo 4, ku lakohet një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit, kryebashkiaku i Durrësit? Në fakt, po të shtunën, një ndryshim 180 gradësh pati edhe nga organi i akuzës. Korrigjoi deklaratën e një dite më parë për kryebashkiakun Vangjush Dako.

Por emri i Dakos nuk është regjistruar si pjesë e hetimit dhe ky sqarim shtesë i prokurorisë, veçse i thellon pikëpyetjet mbi këtë dosje, që ka vënë në pranga tashmë dy ish deputetë socialistë, e ka riaktivizuar akuzat ndaj Kryeministrit për njerëzit që ka zgjedhur të ketë në krah e me të cilët erdhi në pushtet. Një gjë duket e qartë: akrobacitë e kryera në hije tashmë po nisin të shfaqen. Se sa do ndikojnë ato në konfigurimin aktual politik, kjo mbetet për t’u parë./abcnews.al

XHAFAJ-NE-TWITTER-MBULIM.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ad min18:41 | 27/10/2018

Ish-minsitri i Brendshëm fatmir Xhafaj ka reaguar përmes rrejtit social Twitter mbi komentet e opozitës lidhur me dorëheqjen e tij.

Përbuz shpifjet dhe komentet neveritëse të kujtdo që s’mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë në çfarë bëjne dhe mendojnë – shkruan Xhafaj duke deklaruar se opozita me komentet për dorëheqjen e tij konfirmon edhe njëherë degradimin politik të saj. Ish-ministri deklaratën e vijon me një sfidë drejtuar opozitës: I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje.

Ish-kreu i ministrisë së rendit ka ri-theksuar se dorëheqjen e ka dhënë me vullnet të lirë dhe se vendimin e ka bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Dorëheqja erdhi tërësisht si respect për veten, e për kto standarte të shenjta për mua – përfundon në mesazhin e tij Fatmir Xhafaj./abcnews.al

XHAFAJ-PAS-DOREHEQJES-NE-MINISTRIN-E-BRENDSHME-ABC-M-3-T-2-HD.mpg_snapshot_01.15-1280x720.jpg
ad min15:21 | 27/10/2018

Përmes një deklarate të shpërndare nga Ministria e Brendshme, Fatmir Xhafaj sqaron se largohet nga posti i ministrit të Brendshem me vullnetin e tij të plotë. Ai sërish nuk jep një motiv për largimin, por falenderon kryeministrin Rama për besimin e dhënë si dhe bashkëpunëtorët.

Pas njoftimit të dorëheqjes nga posti i ministrit të rendit nga shefi i tij, kryeministri Edi Rama, Fatmir Xhafaj shpërndau një mesazh përmes faqes së ministrisë së Brendshme në rrejtin social Facebook. Në mungesë të një arsyetimi për dorëheqjen e vullnetshme, Xhafaj ka falenderuar shefin e ekzekutivit Rama për besimin e dhënë me emërimin në postin e ministrit të rendit, të cilin, si shprehet vetë, e mori me një mision të vështirë.

“Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.
Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”.

Xhafaj ka vijuar duke falenderuar kolegët, ekipin, uniformat blu, e veçanërisht familjen e tij. Falenderimin e veçantë ia kushtoi partnerëve dhe angjesive ligjzbatuese vendase dhe të huaja, mbështetja e të cilëve ka qënë inkurajim shumë i rëndësishëm, përfundon Xhafaj./abcnews.al

fatmir-xhafajj.png
ad min12:31 | 27/10/2018

Mediat e huaja i kanë dhënë hapësirë të gjerë dorëheqjes së papritur të Minstrit të brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj. Duke u përqendruar të mënyra e publikimit të lajmit, duket se pjesa më e madhe e tyre njëzëri shtrojnë pyetjen: pse kjo dorëheqje?

Deutche Velle ashtu si dhe një pjesë e mirë e mediave të huaja më prestigjoze kanë pasqyruar lajmin për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm shqiptar fatmir Xhafaj. Dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u bë e ditur të shtunën (27.10) nga një njoftim i kryeministrit Edi Rama, në median sociale, që bën me dije, se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Xhafaj, nis analizën e saj Deutche Velle.

Nga postim i kryemnistrit të Shqipërisë, Edi Rama duket se arsye për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është kërkesa për  “shpejtësi, energji dhe rezultate të reja”, dhe pse një arsye e qartë nuk është dhënë ende nga tashmë ish ministri, vijon shkrimi.

Dorëheqja e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm vjen e papritur. Vetëm një javë më parë Policia e Shtetit, strukturë e Ministrisë së Brendshme, zhvilloi me sukses Mega-Operacionin e parë në Shqipëri për nga përmasat dhe rezultatet: në 12 qytete të Shqipërisë, në të njëjtën kohë, u arrestuan anëtarët e 4 grupeve kryesore kriminale të trafikut të drogës, që bashkëpunonin mes tyre si një organizatë kriminale. U shkatërrua laboratori i përpunimit të heroinës, në Has, të qarkut të Kukësit. U arrestuan dy ish-deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çako, për bashkëpunim me  krimin e organizuar të trafikut të drogës. Pse dha dorë heqjen Fatmir Xhafaj pas suksesit të fundit? Kjo mbetet ende e panjohur, vijon më tej analizaq. Vetë ish-ministri Xhafaj, në një pronocim për mediat, të shtunën (27.10) paradite nuk dha asnjë shkak për dorëheqjen e tij. “Sfidat kanë qënë tepër të mëdha, por jam krenar që në krye të një ekipi  me integritet dhe përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi arritur suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej  të cilave, të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, tha Fatmir Xhafaj.

Në Maj të këtij viti, Xhafaj hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, që pretendonte se ai kishte fshehur dënimin e vëllait  të tij, Agron Xhafaj, në vitin 2002  në Itali për trafik droge dhe e kishte mbrojtur nga drejtësia në Shqipëri, ku i vëllai ishte ekstraduar nga autoritetet italiane.

Para marrjes së postit të Ministrit të Brendshëm në shtator 2017, në qeverinë Rama 2, Fatmir Xhafaj, si kryetar i komisionit të ligjeve ka qënë një nga arkitektët e reformës në drejtësi, kushtit kryesor të BE për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Ndërkohë Daily Mail, Nju Jork Tajms dhe Asocciated Press ndër të tjera shkruajnë se lajmi për dorëheqjen e tij u bë nga profili në Tuiter i kryeministrit Edi Rama, i cili shkruante se kishte pranuar dorëheqjen. Por deri tani nuk është dhënë asnjë shpjegim, ndaj pritet një reagim nga tashmë ish ministri i Brendshëm. Brenda pak minutash kryeministri Rama, ka emëruar Sandër Lleshin, një ish zyrtar ushtarak në postin e ministrit të Brendshëm shkruan Asociated Press. Emërimi i Lleshit duhet miratuar nga presidenti dhe më pas nga parlamenti, ndërsa kryeministri premtoi se ai do të sjellë një energji të re positive./abcnews.al

xhafaj.jpg
ad min12:24 | 27/10/2018

Fatmir Xhafaj pas dorëheqjes nga ministri i Brendshëm ka shkuar për herë të fundit në institucionin që ai drejtoi për më shumë se 1 vit. Ai nuk pranoi të japë shpjegime për largimin e tij, por falenderoi gazetarët për bashkëpunimin.

Fatmir Xhafaj: “Hera e parë që vij me kaq vonesë. Po mbas një mëngjesi shumë të këndshëm me bashkëshorten dhe me familjen time sigurisht dhe me mbesën time të dytët që ju takoj jeni ju dhe jam shumë i lumtur që ju takoj. Kemi bashkëpunuar mirë, shumë mirë. Ju jam mirënjohës për gjithë mbështetjen edhe për çfarë kemi bërë sëbashku”.

Pyetje: “Pse e dhatë dorëheqjen zoti Xhafaj”?

Fatmir Xhafaj: “E kam shpjeguar, të gjithën e kam shpjeguar”.

Dorëheqjen e tij e konfirmoi këtë të shtunë nga Twitteri kryeministri Edi Rama. Ai falenderoi Xhafajn për kontributin e çmuar në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Në vend të tij, këtë dikaster do ta drejtojë Sandër Lleshi./abcnews.al

xhafaj-2-1280x720.jpg
ad min11:29 | 27/10/2018

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm i tërhequr tashmë, ka dërguar një mesazh pas dorëheqjes nga detyra. Ai falenderon kryeministrin Edi Rama për besimin që i dha në këtë detyrë që zgjati prej më shumë se 1 viti.

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve”, thotë Xhafaj.

Ai shprehet gjithashtu se falë punës në krye të një ekipi me integritet e përkushtim arriti Ministra e Brendshme dhe Policia e Shtetit arriti suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend. Përveçse kolegëve vendas ai falenderon edhe partnerët e huaj për mbështetjen.

“Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra. Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe. Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm”, shprehet Xhafaj.

Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter konfirmoi se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai e falenderoi Xhafajn për kontributin e tij dhe njoftoi gjithashtu pasuesin e tij në krye të këtij dikasteri. Ministër i ri i Brendshëm do të jetë Sandër Lleshi, i cili më parë mbante postin e këshilltarit për sigurisë kombëtare./abcnews.al

sali-berisha1.jpg
ad min10:03 | 27/10/2018

Gjithashtu, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas Berishës, Edi Rama shiti Xhafajn për të shpëtuar Vangjush Dakon. Kryetari i Bashkisë së Durrësit është vënë në qendër të akuzave të opozitës si të lidhur me bandën e trafikut të drogës në Shijak. Ndërkohë më teja në postimin e tij në Facebook, Berisha ka shkruar se në krye të ministrisë është vendosur sërish një vasal i tij.

“Edvini, kreu i meduzës, mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës, shiti Xhafën për të shpëtuar Gjushin dhe lëkurën e tij! Të dashur miq, pas një beteje të furishme, opozita shqiptare ia doli t’i japë një goditje të merituar familjes mafioze Xhafaj, Agron/Geroni në burg dhe aty e ka vendin Fatzi Xhafa, njeru që futi në polici të gjitha metodat e punës të mafies së policisë sekrete hoxhiste për të mbrojtur lëkurën dhe karrigen e tij. Në një aspekt opozita ia doli. Por shtylla kryesore e botës së mafies, krimit të organizuar, korrupsionit, kreu i meduzës në Shqipëri është Edvin Kristaq Rama, i cili në një moment kritik për veten e tij sakrifikoi Xhafën për Gjushin dhe vendosi në krye të ministrisë një vasal të tij. Kakistokracia e Shqipërisë është në agoni. Asgjë, asnjë vasal as dhe patericë nuk shpëton Noriegën nga verdikti i afërt i revoltës popullore”, shkruan Berisha.

Këtë të enjte, Rama konfirmoi në Twitter se ka pranuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm. Këtë post do ta mbajë gjenerali Sandër Lleshi.

/abcnews.al

lulzim-basha.jpg
ad min09:39 | 27/10/2018

Lulzim Basha ka reaguar në Facebook pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kreu i opozitës e konsideron një hap të rëndësishëm në betejën për të pastruar politikën nga krimi.

“Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të Brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Por largimi i tij është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Beteja për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për njerëzit”, shkruan Basha.

Dorëheqjen e Fatmir Xhafajt e konfirmoi sot Edi Rama. Ai falenderoi Xhafajn për kontributin e tij në krye të këtij dikasteri si dhe tregoi edhe emrin e ri që do të mbajë këtë post. Ai është gjeneral Sandër Lleshi, i cili më parë mbante postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare pranë kryeministrit.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono