Fatmir Mediu

besnik-mustafaj-1280x696.jpg
nev ila15:00 | 07/11/2019

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj mbështet idenë e kreut të PR-së, Fatmir Mediu për krijimin e një Komiteti Kombëtar për Integrimin.

Në një intervistë për ABC News, Mustafaj kujton se zgjidhja për kriza të forta politike si ajo që vendi po kalon janë tejkaluar nga ndërhyrja e ish-zyrtarëve që kanë qenë jashtë politikës.

Mustafaj kujton se si ai dhe ish-ministrja Arta Dade i’a kanë detyrim shtetit kontributin për procese të rëndësishme siç është ai për integrimin europian.

Eksperiencën e tij në politikë, Besnik Mustafaj është i gatshëm ta vendosë në funksion të institucioneve shqiptare për të realizuar procese të rëndësishme si ai i integrimit europian.

Ish-ministri i Jashtëm e sheh si pozitive idenë e hedhur nga kreu i republikanëve Fatmir Mediu për krijimin e një Komiteti Kombëtar për Integrimin, duke kujtuar se ai dhe zyrtarë të tjerë ja kanë borxh vendit dhënien e kontributit.

Është i bindur se me eksperiencën që ka bashkë me ish-ministren Arta Dade do të reflektonin një konsensus jo vetëm për procesin e integrimit por edhe për politikën shqiptare e cila vijon të jetë në krizë.

Maxhorancës i kujton se një institucion i tillë vetëm do ta ndihmonte procesin e integrimit dhe kërkon që nëse një komitet i tillë do të ngrihet të jetë me mandat ligjor nga Parlamenti.

Qëndrimet e tij, Mustafaj i dha në përfundim të një ekspozite që u zhvillua në Muzen Kombëtar, ndërkohë që apeloi që kriza politike të zgjidhet vetëm përmes dialogut./abcnews.al

mediuuuu-1280x720.jpg
ad min20:07 | 18/09/2019

Sipas kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, opozita kërkon krijimin e besimit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje Ide” me gazetaren Mirela Milori, ai u shpreh se liderët politikë duhet të trajtojnë problematikat në vend.

Pyetjes së gazetares Milori se nëse opozita kërkon qeveri tranzitore me Ramën ose pa Ramën kryeministër, ose të qëndrojë me këtë qeveri deri në zgjedhjet e ardhshme, kreu i PR-së u përgjigj me një thënie të historianit të njohur Sabri Godo.

Mirela Milori: Duket se për gjëra konkrete po shmangen referencat. Kërkoni qeveri tranzitore që ta dërgojë vendin në zgjedhje të përgjithshme apo qeveria Rama, kjo tryeza, le të ketë bisedime derisa të shkojmë në zgjedhje. Jeni të qartë se çfarë kuroni me këtë?

Fatmir Mediu: Kërkohet të krijohet besimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mirela Milori: Tranzitore me Ramën kryeministër, pa Ramën kryeministër, apo jeni tërhequr nga emri i përveçëm.

Fatmir Mediu: Unë kam pasur një pozicion ndryshe nga të tjerët. Kam propozuar figura të cilat kanë qëndruar mbi Ramën, mbi Bashën etj. Mendoj se ky vend ka asete të mjaftueshme, mjafton të shikojmë, por nuk duam të shikojmë ndonjëherë.

Mirela Milori: Besoni se Rama do ta lërë postin e kryeministrit dhe Basha do tërhiqet nga kreu i opozitës për të thënë të vemi këta njerëzit.

Fatmir Mediu: Nuk besoj te racionalja e Ramës, besoj te e Bashës se kam komunikuar me të. Shpresoj që gjithsecili të kthehet në racionale se nuk e zgjedh kundërshtarin tim.

Mirela Milori: Është konkrete opozita në kërkesat e saj se nuk e kuptojmë. Do një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, do një qeveri tranzitore me Ramën kryeministër apo me këtë qeveri që është që të punojmë deri në 2021-shin dhe të bëjmë zgjedhjet?

Fatmir Mediu: Kam pasur fatin të kem punuar me një burrë të mençur, Sabri Godon, i cili thoshte “nuk lidhet pylli me një litar”. Nuk po i shkoj fundit pa filluar fillimi. Ajo që është e rëndësishme është që të kemi mend në kokë për të trajtuar problemet që ka vendi./abcnews.al

fatmir-mediu.jpg
ad min19:38 | 18/09/2019

Kryeministri Edi Rama u kërkoi këtë të mërkurë liderëve të opozitës jashtëparlamentare një tryezë dialogu gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një interviste në ABC News i dha një përgjigje qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë ftesë. Sipas tij, patjetër që duhet ulur për të zgjidhur krizën në vend, por kjo duhet realizuar duke analizuar të gjitha elementet e krizës.

“Ka një përgjigje për shqiptarët jo për Ramën. Për mua kryeministri ka prodhuar krizën. Ka një përgjigje për shqiptarët dhe për faktorin ndërkombëtar. Patjetër që duhet të ulemi për të zgjidhur krizën vend. Duhet të ulemi në mënyrë institucionale për të zgjidhur këtë krizë, por duke analizuar të gjitha elementet e krizës. Reforma zgjedhore është padyshim një nga çështjet që duhet diskutuar në thelbin e saj për ta bërë parlamentin përfaqësues dhe njëkohësisht por të shmangur përfshirjen e krimit të organizuar.  Reforma zgjedhore nuk është thjesht një detaj teknik. Do ketë nevojë për ndryshime kushtetuese, nëse duam të bëjmë reformë të plotë”, tha Mediu.

Mediu tha se nuk ka besuar asnjëherë te racionalja e Ramës. Sipas tij, kryeministri  do ta shkatërrojë opozitën.

“Është në një delir të tillë që mendon se është mbi gjithçka”, tha Mediu./abcnews.al

aleatet-1280x652.jpg
ad min16:58 | 17/09/2019

Aleatët e Partisë Demokratike besojnë se platforma për daljen nga kriza do të jetë zgjidhje për krizën politike. Për ABC Neës, aleatët e PD sqarojnë propozimet që do ketë alternativa opozitare dhe thirrja për kontributet historike.

Darka informale e organizuar nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, unifikoi qëndrimet opozitare të cilat do të pasqyrohen të plota në një dokument që do të mbajë emrin “Platforma për daljen nga kriza”. Për ABC News, aleatët e PD, Mediu, Shehi dhe Vasili sqarojnë thelbin e alternativës opozitare.

“Koordinimi konsiston në një lloj institucionalizimi të marrëdhënieve tona në pikëpamjet e vendimmarrjeve si kryetar partie, por pastaj në nivele të tjera të organizimit të grupeve të punës, platformave, reformave të rëndësishme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Mundësitë për të ndërtuar një debat të qënësishëm për të kthyer Shqipërinë në rrugë kushtetuese, sidomos garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.

“Teza bazë është kjo, përgatitja e një platforme të gjerë që do u ofrohet për transparencë të gjithë shqiptarëve. Brenda këtij muaji do i ofrohet dhe ndërkombëtarëve për t’u thënë që ne si opozita e bashkuar ka këto pretendime dhe ofrojmë këto mënyra zgjidhjeje”, tha Shehi.

“Ne po përgatisim një platformë, e cila nuk ka lidhje me datën e negociatave pasi ne e kemi shumë të qartë krizën. Keni edhe një skaner plotësues që e ka bërë më së miri ODIHR, por keni edhe shumë konstatime që kanë ardhur edhe nga institucionet e mediat, keni raportin e DASH. Kjo është një platformë që po punohet instensivisht dhe do të jetë shumë shpejt gati, ndërkohë aksioni do të vijojë në të gjitha format e veta”, tha Vasili.

Duke bërë të qartë se opozita është e unifikuar, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i referohet qëndrimeve të Kryemadhit kur thotë se me Ramën në zgjedhje fitorja e opozitës është më e sigurt.

“Zonja Kryemadhi ka thënë edhe një fjalë tjetër që prania e Edi Ramës e bën më të sigurt fitoren e opozitës. Pra ka dhënë të kuptojë që ne nuk kemi shqetësim nga kjo, por standarde të larta dhe administrim zgjedhor nuk mund të kryhet me Edi Ramën. Për 30 Qershorin kur votoi vetë, numëroi vetë, administroi vetë dhe mori atë raport të OSBE/ODIHR që nuk është parë në historinë e zgjedhjeve tregon raportin e Ramës me zgjedhjet dhe raporti i opozitës me të”, tha Vasili.

Opozita do të mbledhë të gjithë kontributet e saj, duke sjellë një tjetër KOP si ai i 2005-s që krijoi ish-kryeministri Berisha.

“Që të vlerësojmë historinë politike të opozitës së sotme dhe të ardhme dhe krijimin e një marrëdhënie institucionale me të gjitha autoritetet që kanë qenë në legjislaturat parlamentare, në ato qeverisëse por edhe ato në nivelet lokale”, tha Mediu.

“Për të përfshirë të gjithë ata që kanë qenë kontribuues gjatë gjithë kësaj periudhe, jo thjesht PD, por në gjithë harkun opozitar shqiptar”, tha Shehi.

Platforma e opozitës do të jetë alternative për nxjerrjen e vendit nga kriza përmes një tryeze dialogu me mazhorancën./ABC News Albania 24/7

fatmir-mediu-dhe-dash-shehi.jpg
ad min13:14 | 08/09/2019

Aleatët e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu kërkojnë një ndryshim të sistemit zgjedhor. Sipas tyre, duhet rikthyer një formë e sistemit mazhoritar, ku qytetarët të zgjedhin vetë për deputetët që duan të kenë në Parlament.

Ky qëndrim i Lulzim Bashës pas takimit me drejtorin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Qendrore dhe Jugore, David Kostelancik ishte tregues se reforma zgjedhore do të ishte fokusi kryesor i opozitës deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

Kjo reformë ka qenë në qendër të diskutimit edhe në takimin 90 minutësh që Basha zhvilloi mbrëmjen e të enjtes me aleatët e tij në selinë blu. Drejtuesit e partive të qendrës së djathtë në takimin me dyer të mbyllura kanë dhënë propozime konkrete mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Për ABC News dy aleatët e Bashës, Shehi e Mediu shprehen në sinkron kur bëhet fjalë për rikthimin e sistemit mazhoritar.

“Që t’i japë shans njerëzve të zgjedhin përveç flamurit të partisë edhe personalin. T’i rikthejmë politikës dinjitetin. Një Kushtetutë e ndryshuar që të verë rregulla të reja loje. Përzënia nga ambienti i grupeve kriminale që me pushkë në dorë ka mbledhur vota për Edi Ramën”, thotë Shehi.

“Mendoj që opozita duhet të arrijë të propozojë një… mendoj në radhë të parë në gjykim politik dhe pastaj nga pikëpamja teknike dhe ne kemi ide për këtë çështje. Është e domosdoshme që ne të ulemi të analizojmë kush është ai sistem zgjedhor që i garanton qytetarët të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, kush është ai administrim i procesit zgjedhor që garanton shmangien e procesit të blerjes së votës, manipulimin e procesit, një administrim i drejtë”, thotë Mediu.

Kreu i LZHK-së, Shehi pranon se këto qëndrime janë të pranuara edhe nga Basha edhe përse i pari që do të duhet të sakrifikojë do të jetë kreu i demokratëve.

“Basha i ka pranuar këto kushte edhe me kondicionin që nuk i shkon fort në favor sepse dorëzon pushteti Basha. Herën e fundit i bëri listat siç desh vetë. Këtë radhë sigurisht që bie ky pushtet”, thotë Shehi.

Për kreun e republikanëve, opozita nuk duhet të anashkalojë Partinë Socialiste si faktor i rëndësishëm politik në vend. Ndaj edhe kërkon që duke anashkaluar kompleksin për të qenë në të njëjtën tryezë me Edi Ramën, partitë opozitare të japin zgjidhje konkrete për ligjin e ri zgjedhor.

“Opozita të shikojë se cilat janë rrugët që duhet të ndjekë me PS-në. Gabimi ynë është që mendojmë gjithnjë se kush është Edi Rama. Ne duhet të mendojmë që ka një faktor politik në vend që është PS dhe nuk mund të jetë faktor politik i paneglizhueshëm pavarësisht se në ç’lloj derexheje e ka katandisur Edi Rama”, shprehet Mediu.

Javët e ardhshme Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të prezantojnë një platformë për daljen e vendit nga kriza. Kjo platformë sipas Bashës do të jetë një ofertë e demokratëve për qytetarët, por propozimet e paraqitura në atë dokument mund të jenë edhe oferta e parë për një tryezë dialogu me mazhorancën./ABC News Albania 24/7

basha-dhe-kryemadhi.jpg
ad min14:45 | 16/08/2019

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi takime me aleatët e tij të LSI dhe PR pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Basha priti në një takim në selinë blu, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ndërkohë që një tjetër takim kryedemokrati ka zhvilluar edhe me republikanin Fatmir Mediu. Pas takimit 30 minutësh me Kryemadhin, Basha deklaroi se nuk ka asgjë për të thënë, ndërkohë që PD paralajmëron se do të ketë denoncime të reja për kryebashkiakë socialistë.

Largimi me dorëheqje i kandidatit socialist të Shkodrës, Valdrin Pjetri pas denoncimeve të Partisë Demokratike në selinë blu shihet si fitore, por beteja pritet të vazhdojë. Kryedemokrati ka nisur lëvizjet e para me aleatët në koalicionin opozitar, për të unifikuar qëndrimin që do të mbajnë në lidhje Shkodrën dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 13 Tetorit ku janë regjistruar vetëm tre parti. Mëngjesin e të premtes, Lulzim Basha priti në një takim aleaten e LSI-së, Monika Kryemadhi. Por pas 30 minutash takimi, as njëri dhe as tjetri nuk dhanë  sqarime si do të vijojë aksioni opozitar dhe se çfarë do të ndodh me Shkodrën.

Një tjetër takim larg vëmendjes së mediave, Lulzim Basha e ka zhvilluar edhe me kreun e republikanëve, Fatmir Mediu. Ky i fundit pas zgjedhjeve vendore ka qenë jo pak kritikë ndaj vendimeve të kryedemokratit dhe i ka bërë thirrje publikisht të regjistrohet në zgjedhjet e 13 Tetorit. Takimet me aleatët e tjerë në koalicion, Lulzim Basha pritet të zhvillojë në ditët në vijim, ndërkohë që PD do të jetë e fokusuar te lista e zezë e 17 kryebashkiakëve. Burime nga selia blu sqarojnë se një tjetër kryebashkiak me të shkuar kriminale do të denoncohet publikisht./ABC News Albania 24/7

diplomate.jpg
ad min13:52 | 14/07/2019

Ish-kryeministri Berisha dhe kreu i Republikanëve Fatmir Mediu patën një mëngjes pune me këshilltarin e Presidentit Trump, ish-kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Giuliani që shoqërohej nga ish-sekretari për Punët e Brendshme të Shtëpisë së Bardhë, ish-këshilltar i Berishës, Tom Ridge.

Në njoftimin për mediat thuhet se diskutimi u përqendrua tek kriza politike në Shqipëri, krimi korrupsioni dhe shkatërrimi i lirive të qytetarëve shqiptarë.

“Rama po e çon Shqipërinë drejt shkatërimit të sistemit kushtetues dhe pluralizmit për interesa të tij personale, duke ndërtuar një narko shtet”, ka qenë qëndrimi i përcjellë nga Berisha e Mediu./ABC News Albania 24/7

zgajedjet-fatmir-mediu.jpg
ad min19:25 | 24/06/2019

Ka reaguar edhe kreu i Partisë Republikane që në një deklaratë për mediat, u ka bërë thirrje socialistëve e ndërkombëtarëve, që të ndalojnë zgjedhjet me 30 Qershor. Fatmir Mediu tha se Rama po keqpërdor Kolegjin Zgjedhor, e po e çon vendin drejt konfliktit civil.

“I bëj thirrje të gjithë socialistëve që besojnë tek liria dhe demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek qeverisja për njerëzit dhe tek njerëzit, që duan një shtet pa krim dhe korrupsion. Të bashkohen me gjithë shqiptarët për të shmangur konfliktin civil që po përgatit qëllimisht Rama me klanet e tij nëpërmjet një procesi farsë zgjedhor të paprecedentë më 30 Qershor. Ram sot ka kapur dhe përdor politikisht institucionet zgjedhore si KQZ, me një mazhorancë politike të aprovuar në mënyrë antikushtetuese, e provuar e paligjshme dhe apolitike në çdo vendim të saj, Kolegjin Zgjedhor nëpërmjet presionit të gjyqtarëve dhe Vettingun politik.

Rama ka vjedhur zgjedhjet në çdo rast me bandat të cilat kanë komanduar strukturat elektorale të PS, ka shkatërruar dhe po shkatërron pushtetin gjyqësor. Jemi i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, e ka kthyer çdo gjë në funksion të tij, krimit dhe korrupsionit. Procesi farsë dhe i dhunshëm që po organizon në datën 30 Qershor është instalimi përfundimtar i grushtit të shtetit dhe diktaturës së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Më 30 Qershor nuk duhet dhe nuk do të ketë zgjedhje të ligjshme. Në emër të PR i bëj thirrje gjithashtu faktorit ndërkombëtar, atyre që kanë mbështetur pluralizmin, kushtetutshmërinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që mbështetën Shqipërinë në NATO dhe në rrugën tonë evropiane të ndalojnë këtë krim elektoral dhe antikombëtar të Ramës, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin”, tha Mediu./ABC News Albania 24/7

aleatet-ne-Fier.jpg
nev ila12:03 | 06/06/2019

Pesë partitë e grupimit të qendrës së djathtë i kërkojnë presidentit të Republikës që të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Gjatë një takimi që zhvilluan me qytetarë në Kamëz, partitë opozitare thonë se kjo është një betejë për jetë a vdekje.

Presidenti Ilir Meta nuk duhet ta vonojë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve. Thirrjen ia drejton  “Grupimi i Qendrës së Djathtë”.

“I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit, i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste, duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore”, tha Fatmir Mediu.

Çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në të shkuarën tashmë është një arsye më shumë pse duhet formuar qeveria tranzitore dhe kryeministri të japë dorëheqjen thanë kryetarët e partive të grupimit të qendrës së djathtë.

“Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet”, tha Duka.

“Në tavolinën evropiane politikanë të korruptuar si Edi Rama nuk mund, dhe nuk do të rrinë asnjëherë të barabartë. Jemi brez i humbur, ne po se po, por mbi ne rëndon edhe përgjegjësia nëse do të jetë i humbur edhe brezi i fëmijëve tanë. Nuk mund t’ia falim një brez të tërë, të shoqërisë sonë, Edi Ramës dhe interesave të tij okulte. Duhet të ndërgjegjësohemi”, deklaroi Vangjel Dule.

“Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje”, tha Shehi.

 “E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar, ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm”, tha Nard Ndoka.

Në këtë organizim, që tashmë njihet si “Forumi për Zgjedhje të Lira” partitë opozitare diskutuan për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi./ABC News Albania 24/7

mediu.jpg
ad min15:35 | 22/05/2019

Krerët e pesë partive opozitare aleate të Lulzim Bashës gjatë takimit me mbështetësit në qytetin e Lezhës, pasi i ftuan të jenë pjesëmarrës në protestën e 25 Majit, theksuan arsyet përse kryeministri Rama nuk mund të jetë në krye të qeverisë që do të zhvillojë zgjedhje brenda standardeve demokratike.

Grupimi i Qendrës së Djathtë, pesë aleatët e demokratëve në opozitë, tezat e tyre i artikuluan në Lezhë.

“Ky po i përcakton kundërshtarët vetëm, po regjistron vetë jashtë çdo rregulli, po i voto dhe thotë “Kështu bëhet se kështu dua unë””, tha Duka.

Qeveria kalimtare është rruga e vetme për mos zvarritjen e kësaj krize, sipas tyre, përballë të cilës qëndron alternative opozitare.

“Lulzim Basha si lider i opozitës sot ka një përgjegjësi shumë të madhe. Përveç aksionit opozitar, përveç kauzës për largimin e kryeministrit do japim dhe alternativa bindëse për qytetarët dhe ai tashmë ka filluar ta bëjë një gjë të tillë, të gjithë e shohim”, tha Ndoka.

Precedent për largimin e kryeministrit përpara zgjedhjeve ekziston, kujton Mediu, madje shumë pranë nesh.

“Kemi një precedent rajonal, siç është precedenti i Maqedonisë së Veriut ku u ra dakord për qeverisje tranzitore ku Gruevski nuk ishte kryeministër dhe për të përgatitur zgjedhjet”, tha Mediu.

Arsyeja për këtë është më e qarta për shqiptarët, sipas kreut të LZHK-së.

“Ky ka filluar i ka marrë të gjitha. Ky ka vënë ato emrat e lezetshëm, jo tepsia, jo timoni që të qeshin pak njerëzit, mirëpo ky në fakt u ka futur dorën në xhep njerëzve. Domethënë merr paratë e shtetit publik. Ky ka marrë drejtësinë, ky ka marrë ekonominë, edhe Akademinë e Shkencave. Se për çfarë i duhet Akademia e Shkencave, ka ndonjë peshë për ekonominë? Në këto rrethana bëhen zgjedhjet? Nuk bëhen dot. Ky merr para, media, çfarë zgjedhjesh të bëjmë”, tha Shehi.

Ndaj pjesëmarrja në protestën e së shtunës duhet të jetë tregues i refuzimit të kësaj farse sipas aleatëve të demokratëve.

“Të shtunën ta shumëfishojmë praninë tonë në protestën e madhe të opozitës së bashkuar”, tha Dule./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono