Fatmir Limaj

pacolli.jpg
Autor E12:23 | 07/10/2019

NISMA e Fatmir Limajt dhe AKR e Behgjet Pacollit ka gjasa që të mos futet në Kuvend për shkak se koalicioni i saj, me ç’ka duket deri më tani nuk do ta kalojë pragun e nevojshëm prej 5 për qind për të marrë deputetë.

Deri më tani janë numëruar 97.80 për qind e votave dhe NISMA sipas KQZ-së ka 4.90 për qind të votave duke mbetur me vetëm për 0.10 për qind jashtë Kuvendit.

Votat e partive NISMA dhe AKR sipas KQZ-së deri më tani

Gjithsesi pritet pranimi dhe pasqyrimi i të gjitha votave nga KQZ në mënyrë që të qartësohet fati i kësaj partie si edhe numri final i deputetëve për Vetëvendosjen, LDK-në dhe PDK-në, gjë e cila do të qartësojë edhe pozicionin e ri të këtyre partive në skenën politike të Kosovës.

Gazetarja e ABC News Blerta Dalloshi Berisha raporton nga Kosova se Vetëvendosja pritet të marrë 31-32 deputetë, ndërsa LDK-ja pritet të ketë 30-31 deputetë. Por, numri i saktë do të përcaktohet në varësi të faktit nëse do të hyjnë apo jo NISMA dhe AKR në Kuvend. /abcnews.al/

lideret.jpg
G. P.12:46 | 06/10/2019

Liderët e partive kryesore në Kosovë si dhe kandidatët për kryeministër menjëherë pas votimit kanë bërë apel që të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj dite historike.

Nuk kanë munguar apelet dhe mesazhet as në ditën e sotme ku menjëherë pas votimit liderët politikë në Kosovë kanë dhënë mesazhet e tyre për qytetarët e vendit. Hashim Thaçi kreu i shtetit të Kosovës dhe njëherë më shumë, pas votimit, ka kërkuar që ai i së dielës të jetë një proces elektoral i lirë dhe i drejtë.

Ramush Haradinaj kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bëri apel që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhje ndryshe do të ishin të tjerët që do të votonin për ta.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti pas votimit në Prishtinë u shpreh se kjo pjesëmarrje masive në votime do të shndërrohet në një festë masive.

Kadri Veseli kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër pasi ka hedhur votën e tij, e ka cilësuar të sotmen si një ditë të jashtëzakonshme për demokracinë e vendit.

Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e para grua që garon për postin e kryeministrit. Pas votimit, ajo i ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj dite historike.

Kryetari i NISMA, Fatmir Limaj u shpreh se votimi i sotëm do t’i japë mundësi vendit që të bëjë hapat e duhur. Njëzëri liderët politikë theksuan se procesi i votimit duhet të ishte i lirë dhe demokratik në mënyrë që të gjithë të shprehin vullnetin e tyre./ABC News Albania 24/7

zgjedhje-ne-kosove.jpg
G. P.16:58 | 05/10/2019

Përgatiti Dorina Kurtaj – Është hera e katërt që vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Asnjë qeveri deri tani nuk ka arritur të përfundojë të plotë mandatin.

Vajtja sërish në kutitë e votimit u shkaktua si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në Korrik dhe shpërndarjes së parlamentit. Haradinaj është kryetar i partisë konservatore Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në konfliktin e 1998-1999 kundër forcave serbe, 51 vjeç, dha dorëheqjen pasi u thërrit nga një gjykatë ndërkombëtare rreth dyshimeve për krime lufte. Dhe në të kaluarën ai ka qenë në qendër të akuzave të tilla, por në fund është shpallur i pafajshëm.

Pavarësia e Kosovës njihet nga më shumë se 100 vende: mes të cilave dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i shohin zgjedhjet e radhës si një mundësi për rifillimin e një dialogu paqësor me Serbinë. Gjithsesi, Rusia, Kina dhe pese vende europiane si Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, mbështesin Serbinë, e cila në nivel ndërkombëtar ka ndërmarrë një aktivitet lobues për të bindur vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që të tërheqin njohjen e Kosovës. Vendi i fundit që ka tërhequr njohjen sipas Beogradit, është Togo.

Mes Serbisë dhe Kosovës, tensionet në këto vite nuk janë ulur asnjëherë me të dyja vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kosova nuk është anëtare as e NATO-s dhe as e Bashkimit Europian, dhe qytetarët e Kosovës janë të vetmit në  të gjithë Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë ende për vizë për të udhëtuar në Europë. Gjithsesi sipas analistëve në vend, çështja e Serbisë nuk është në qendër të shqetësimeve të votuesve. Prioritetet e qytetarëve në Kosovë janë:

Masa konkrete për të ndaluar largimin e popullsisë nga vendi dhe papunësia;

Përmirësimi i sistemit të arsimit;

Shërbime shëndetësore të garantuara për të gjithë qytetarët;

Luftë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit;

Një standard jetese më të pranueshëm pasi në disa zona mes 25% dhe 40 % e popullsisë nuk përfiton ende nga rrjeti i kanalizimeve;

Ndërsa prioritet politik mbetet rifillimi i dialogut me Serbinë dhe Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave;

Ndërsa analistë ndërkombëtarë mendojnë se këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse dialogu Beograd-Prishtinë për momentin mbetet i bllokuar. Rifillimi i tij është një kusht thelbësor për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve. Një pikë e rëndësishme për Kosovën mbetet përmbushja e kritereve të Bashkimit Europian në luftën kundër korrupsionit. Pa këtë të fundit të rinjtë në Kosovë nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave për të gjetur një vend pune në zonën Shengen, në mënyrë që të kenë më shumë të ardhura, në një moment që ekonomia në vend nuk është ende e qëndrueshme.

Kosova ka popullsinë më të re në moshë në Europë, mosha mesatare është 29 vjeç, më pak se një e dhjeta e popullsisë është më shumë se 65 vjeç. Dhe pavarësisht kësaj më shumë se një e treta e popullsisë nuk punon, një përqindje që arrin në 60% mes të rinjve. Më shumë se 200 mijë qytetarët të Kosovës janë larguar nga vendi i tyre duke kërkuar azil në vende të Bashkimit Europian që nga moment që vendi shpalli pavarësinë.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia pranuan të ulen në tryezën e negociatave nën vëzhgimin e Bashkimit Europian, por atëherë nuk u shënuan progrese të rëndësishme. 90% e politikës në Kosovë refuzon çdo lloj kompromisi i cili përfshin lëshim territori në favor të Beogradit, apo një autonomi më të madhe të komunave me minoritet serb, që jetojnë në veri të vendit.  Ideja e rishikimit të kufijve, e propozuar fillimisht nga presidenti i Kosovës Thaçi dhe nga homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç, përballet dhe me kundërshtimin e vendeve si Gjermania, me frikën se çdo lloj shkëmbimi territoresh mund të shkaktojë paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor.

Në Nëntor të vitit 2018, Prishtina vendosi një tarifë prej 100 për qind në importin e produkteve serbe, në kuadër të reagimit për sulmim diplomatik serb në nivel ndërkombëtar. Bashkimi Europian ka kërkuar që t’i jepet fund kësaj lufte tregtare, pasojat e së cilës janë ende të diskutueshme. Çmimi i disa produkteve të konsumit është rritur në kurriz të shtresës më të varfër të popullsisë. Jo vetëm, pjesa më kontroverse politikisht e kësaj mase, është se në vend nuk lejohet tregtimi i produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të cilat nuk kanë në etiketë emrin kushtetues të Republikës së Kosovës. Të gjitha produktet të etiketuara “Kosovo i Metohija” – emri zyrtar serb i Kosovës apo “Kosovo/UNMIK” –  administrata e OKB-së, janë hequr nga tregu. Disa analistë në Kosovë parashikojnë se kjo luftë tregtare do të vazhdojë dhe në të ardhmen

Duhet theksuar, se të gjithë analistët e konsultuar nga Euronews, bien dakord për faktin se negociatat mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të rinisin as me qeverinë e re, dhe nëse fiton një parti si Vetëvendosje, që ka një qëndrim më të ashpër në krahasim me Haradinaj, si dhe është kundër çdo lëshimi kur bëhet fjalë për territoret. Kjo sepse negociatat drejtohen nga dy presidentët dhe forcat parlamentare janë të përjashtuara nga ky dialog. Haradinaj e ka të ndaluar të hyjë në Serbi dhe për të është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Beogradi. Analistë ndërkombëtarë mendojnë se qeveria është e përjashtuar nga negociatat dhe se politika e jashtme drejtohet ende nga presidenti Thaçi.

Ndërkohë mendohet se nga pothuajse 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, vetëm 35 mijë prej tyre kanë kërkuar të votojnë me anë të postës. Numri i vogël i kosovarëve në diasporë që vendosin të votojnë tregon se si brezi i dytë dhe i tretë ndihen gjithnjë e më pak të lidhur nga jeta e përditshme kosovare. Madje konsiderohet si një komunitet jo shumë i lidhur nga pikëpamja politike sepse kanë lënë një vend që nuk ishte në gjendje t’u garantonte kushte të pranueshme jetese. Pavarësisht partisë fituese, do të jetë shumë e vështirë që qeveria e re të përmbushë të gjitha prioritetet.

Mundësia e punësimit shpesh kërkon një shumë të caktuar parash ose lidhje politike. Ky mekanizëm është një presion në rritje për brezat e rinj në Kosovë. Të rinjtë e lindur pas luftës e kanë kuptuar vlerën e luftës për çlirim, por janë të lodhur nga papunësia, nga pamundësia për të lëvizur në Europë për të kërkuar një vend pune dhe nga shërbimet e pamjaftueshme në vend.

Qytetarët e Kosovës do të mund të zgjedhin mes 25 listave, mes të cilave dhe ajo serbe e mbështetur nga serbët të cilët duan tërheqjen e autonomisë së vendit. Pragu elektoral është 5%. Asnjë analist nuk mund të parashikojë se kush do të qeverisë pasi nuk ka asnjë parti politike e cila mund të synojë mazhorancën e plotë. Shumë të rëndësishme do të jenë aleancat pas zgjedhjeve. Në vitin 2017 koalicioni qeverisës u krijua nga tre ish liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Haradinaj, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj. Por këtë herë ata garojnë si rivalë.

Forcat politike grupohen në katër pole kryesore dhe pse vendimtare do të mund të jetë një forcë e pestë – iniciativa socialdemokrate, Nisma, e cila sipas sondazheve mund të marrë 6 për qind të votave.  Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në vend, konservatore dhe me qëndrime pranë nacionalizmit shqiptar është një nga partitë kryesore. Pas një dekade në rënie, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 mori numrin më të madh të bashkive. Për momentin ajo është në opozitë me 25 deputetë në parlament nga 120. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeministrit është Vjosa Osmani e cila sipas sondazheve mund të marrë 25 për qind të mbështetjes.

Vetëvendosja është një tjetër forcë politike në opozitë. Nacionalist, por i majtë, lideri i saj Albin Kurti dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai mund të përsërisë rezultatin e 2017-ës duke marrë 27.4 për qind të votave dhe të qeverisë së bashku me LDK nëse të dyja partitë do të gjejnë një marrëveshje për emrin e kryeministrit. Partia demokratike e Kosovës, partia politike e presidentit Hashim Thaçi, dhe e drejtuar nga Kadri Veseli, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shënon dy mandate si kryetar i parlamentit, vendosi pikërisht emrin e tij për kryeministrin e ardhshëm të vendit. Veseli në fjalimet e tij elektorale ka premtuar luftë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, ndërsa sondazhet i japin 22 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e kryeministrit të dorëhequr Haradinaj, aleat me social demokratët e PSD-së. Pas mbylljes së qendrave të votimit pritet që mëngjesin e të hënës të jetë gati një pjesë e mirë e rezultateve përfundimtare. Partia që do të marrë më shumë vota do të jetë dhe ajo që do të propozojë emrin e kryeministrit të ri. Një  tjetër ditë e rëndësishme do të jetë dhe ajo e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit pasi vetëm atëherë do të kuptohet se cila mazhorancë do të qeverisë vendin./ABC News Albania 24/7

AKR-NISMA-KOSOVE.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela14:55 | 23/08/2019

Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor që u zyrtarizua ndërmjet AKR-së dhe Nismës. Ndërkohë Komisioni Qendror i zgjedhjeve pritet të përpilojë kërkesën buxhetore për zgjedhje të jashtëzakonshme pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga presidenti.

Një ditë pas shpërndarjes së parlamentit të Kosovës është zyrtarizuar edhe koalicioni parazgjedhor AKR-Nisma , që ndryshe po e quajnë “Qendra e Artë”.

AKR-ja dhe Nisma do të kenë një koalicion parazgjedhor, do të garojnë me një listë të përbashkët. Lista do të ketë kandidatin e saj për kryeministër.

Kam nderin që unë do të jem kandidat për kryeministër për këto zgjedhje që do të vijnë. AKR dhe Nisma janë të hapura edhe për grupet tjera që janë të interesuara t’i bashkohen këtij boshti politik.

Ende nuk ka asgjë konkrete rreth një koalicioni të mundshëm parazgjedhor LDK-LVV.

Partia Demokratike qëndron e mbyllur në këtë aspekt duke mos bërë të ditur për koalicione të mundshme parazgjedhore.

Ndërkohë në Komisionin Qendror Zgjedhor,janë duke pritur që presidenti të shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në mënyrë që të hartojnë kërkesën buxhetore.

KQZ-ja në momentin kur ta kemi datën nga Presidenti i Republikës do të përpilojë një kërkesë buxhetore dhe do t’i drejtohemi Qeverisë. Ende nuk kemi ndonjë shifër të saktë sepse jemi në përfundim të llogaritjeve dhe vetëm në momentin kur do ta kemi datën, do ta dimë përafërsisht edhe shifrën e saktë të kostos së zgjedhjeve.

Kosova shkon në zgjedhjet të parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. /ABC News Albania 24/7

 

 

isa-mustafa.jpg
G. P.11:42 | 19/08/2019

Mediat kosovare raportojnë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të takohet me kreun e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Burime të Gazetës Express brenda PSD-së, e konfirmojnë se takimi mes dy krerëve të partive do të mbahet në orën 11:00.

Ndërsa mediat e tjera raportojnë se edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jenë pjesë e këtij takimi.

Të dielën mediat raportonin se gjatë ditës pritet të nënshkruhet një marrëveshje për koalicion parazgjedhor mes partisë së Ahmetit dhe kryeministrit Haradinaj. Ky koalicion pritet të formalizohet me datën 21 Gusht, një ditë para shpërbërjes së Kuvendit.

Më parë, Mustafa ishte takuar edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku shprehën nevojën për një qeverisje të re./ABC News Albania 24/7

limaj-fatmir-1280x709.jpg
Sej rie20:58 | 20/05/2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i ftuar në “Mbrëmje ABC”, ka folur për mundësinë e zhbllokimet të dialogut Kosovë – Serbi, për taksën e vendosur nga qeveria ndaj mallrave serbe, për idenë e Presidenti Thaçi për korrigjimin e kufijve si dhe për çështje të brendshme politike.

Mirala Milori: “Menjëherë pas samit të Berlinit ku Merkel dhe Macron e bënë të qartë qëndrimin për idenë e korrigjimit të kufijve ku thanë se do ishte një rrezik shumë i madh për rajonin, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë deklaruar në perspektivë se është një hapje e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendoni se është një kundërpërgjigje ndaj frymës së samitit të Berlinit?”

Fatmir Limaj: “Ne kemi arritur një marrëveshje në Pejë për kufijtë që t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, të gjitha angazhimet të eliminohet çdo lloj burokracie që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave. Është një vendim i qeverive tona në Pejë dhe sot një nga temat ka qenë edhe kjo çështje. Besoj se ka radhë të panevojshme në kufirin në Morinë. Ministritë mes dy vendeve janë duke punuar për të larguar të gjitha pengesat teknike të cilat në një mënyrë apo në një tjetër po pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por Shqipëria dhe Kosova kanë edhe obligime ndërkombëtare ku duken respektuar kufinjt edhe shtetësitë e njëra-tjetrës”.

Mirela Milori: “Zoti Thaçi në një takim që ka pasur me gazetarët këtu në Tiranë është shprehur i prerë që nuk lëkundet nga ideja e tij e korrigjimit të kufijve”.

Fatmir Limaj: “Unë jam bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë. Republika e Kosovës ka bërë shumë përpjekje në muajt e fundit pas shumë tensionesh të çuditshme që kanë ndodhur vitin e kaluar, gjë që nuk ka qenë asnjëherë praktikë në Kosovë, kur ka qenë fjalë për Serbinë. Politika kosovare pozitë dhe opozitë gjithmonë ka qenë e bashkuar në këtë pikë për shkak se kemi qenë duke fol për interesa nacionale të shtetit tonë. Ndërsa që shkoi kemi pas disa situata të çuditshme nganjëherë edhe konfuze dhe për këtë arsye ne kemi marrë një iniciative që procesin ta kthejmë në binarë. Ne kemi nxjerrë një platformë e cila ka gjetur miratimin e krerëve të shtetit dhe është votuar një delegacion shtetëror. Detyrë e Presidenti, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, e imja dhe e gjithë të tjerëve është obligimi që ne të respektojmë dokumentin që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës. Nuk ka askush mandat që të flasë përtej atij dokumenti”.

Mirela Milori: “Presidenti Thaçi thotë se ka gjithë autoritetin të përfaqësojë Kosovën në këto bisedim dhe është i bindur se ideja e tij për korrigjimin e kufijve është një ide e cila duhet mbështetur. Është folur ndonjëherë në bisedimet që keni patur me Serbinë për idenë e zotit Thaçi? Ideja e korrigjimit të kufijve është hedhur në tryezën e bisedimeve?”

Fatmir Limaj: “Asnjëherë nuk është hedhur ajo ide dhe asnjëherë nuk mund të bisedohet për atë ide. Pala tjetër mund të hedhe çfarë ideje të dojë, nga pala kosovare nuk është kërkuar asnjëherë.  Ne nuk mund të shkelim Kushtetutën. Ne kemi obligim dhe mandat kushtetues”./abcnews.al

kadri-veseli.jpg
G. P.12:38 | 03/05/2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë raportuar në një takim me kryeparlamentarin Veseli dhe ekipin negociator rreth atyre që u diskutuan në samitin e Berlinit.

I dobishëm është konsideruar takimi i Berlinit nga Prishtina zyrtare. Në takimin e ftuar nga kryeparlamentari Veseli, Thaçi e Haradinaj e kanë njoftuar atë dhe ekipin negociator në detaje rreth diskutimeve në këtë samit.  Pas takimit kryeparlamentari Veseli kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të involvohen më shumë rreth marrëveshjes finale Kosovë Serbi.

Për taksën, Veseli tha se është bërë ‘bajat’. Ndërsa në një konferencë tjetër për media, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kanë nisur konsultat dhe procedurat për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për gjenocidin serb gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa aktualisht Kuvendi është duke punuar rreth rezolutës për gjenocidin serb. Më 15 Prill, Kuvendi i Kosovës ka miratuar komisionin Ad Hoc, i cili merret me nxjerrjen e një rezolute për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë./ABC News Albania 24/7

fatmir-limaj.jpg
G. P.15:59 | 22/02/2019

Ambasadorët e huaj në Kosovë përkrahin platformën për dialog me Serbinë. Kjo u bë e ditur nga Fatmir Limaj, pas një takimi që ekipi shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë zhvilloi me ambasadorët e akredituar në Prishtinë.

Ekipi shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë ka informuar ambasadorët e akredituar në Kosovë për përgatitjet që janë duke bërë rreth dialogut me Serbinë dhe patformën për dialog. Në takim ishin të pranishëm edhe shefja e zyrës së BE-së Nataliya Apostollova, dhe ajo e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Pas takimi bashkëkryesuesi i ekipit Fatmir Limaj ka thënë se ambasadorët kanë përkrahur platformën për dialog me Serbinë.

Fatmir Limaj: Ata e dinë që kjo platformë është vullnet i qytetarëve të Kosovës, është i yni. Ata e dinë që ajo platformë duhet të shkojë drejt Kuvendit dhe i takon deputetëve të vendosin.

Sipas tij, ambasadorët kanë përkrahur krijimin e delegacionit shtetëror që për ta ishte një sinjal i fuqishëm dhe shumë pozitiv i Kosovës.  Ndërsa për deklaratat e presidentit që përmes një resolute  të futet në platformë edhe çështja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, Limaj tha se presidenti ka të drejtë të marrë iniciativa, por i mbetet parlamentit të vendos për një gjë të tillë./abcnews.al

limaj-1280x690.jpg
G. P.13:16 | 04/01/2019

Një nga kryesuesit e delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj, u shpreh se do të jenë në Bruksel në datën 8 Janar pa presidentin Hashim Thaçi. Limaj tha se takimi i radhës do të jetë informues dhe pritet të caktohet një datë për rinisjen e dialogut.

Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës, në 8 Janar, do të udhëtojë për në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, por pa pjesëmarrjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili deri tani ka udhëhequr bisedimet Prishtinë-Beograd. Lajmi është konfirmuar për mediat në Kosovë, nga një prej kryesuesve të ekipit negociator, njëkohësit zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj.

Limaj tha se në Bruksel do të shkojnë të vetëm, pasi sipas tij takimi do të jetë me tepër informues. Ai theksoi se pritet të caktohet një datë e saktë se kur do të rinisë dialogu. Ndërkohë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi në konferencën e fundvitit para gazetarëve, u shpreh se në 8 Janar do të ishte në Brezovicë për ski. Por kreu i shtetit sërish nuk është tërhequr nga ideja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Në anën tjetër, lidhur me mundësinë që çështja e “korrigjimit të kufirit” të jetë temë diskutimi në Bruksel, kryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj tha se në Bruksel do të flitet për atë që do të vendoset nga ekipi negociator.

Përderisa në Kosovë po diskutohen temat të cilat duhet të prezantohen në fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e dyta ka bërë të ditur se nuk do të dialogojë me Prishtinën pa u hequr taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, vendim ky i marrë nga qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar./abcnews.al

shqiperia-2.jpg
G. P.09:37 | 25/11/2018

Të hënën në Pejë mbahet mbledhja e radhës së dy qeverive shqiptare, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë. Aktiviteti i parë nis që sot, me zbulimin e shtatoreve të patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të jenë pjesëmarrës drejtuesit e dy shteteve.

Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim, është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së romingut. Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës në Pejë më 26 Nëntor, do të jetë e pesta e kësaj tradite që ka nisur nga Prizreni, më 11 Janar 2014.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë me dije në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se ka kërkuar nga shteti shqiptar uljen e tarifës në Rrugën e Kombit, që Kosova e konsideron të lartë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono