farruk sejdini

sejdini-1280x709.jpg
ad min23:30 | 20/06/2019

Ish-zëvendës trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini e sheh me skepticizëm që klubet shqiptare firmosin me trajnerë të huaj. Sejdini mendon se trajnerët vendas përshtaten më shpejt me filozofinë e futbollit vendas.

Nënshkrimi i skuadrave shqiptare me trajnerët e huaj është kthyer në një trend rritje me dekadën e fundit. Ish-zëvendës trajneri i kombëtares shqiptare Farruk Sejdini mendon se ideja për të firmosur me trajnerë nga jashtë Shqipërisë është kthyer në një sindromë. Sejdini thekson për Abc News se Partizani nuk duhej të kishte firmosur me një trajner të huaj pasi skuadra është e kompletuar. Ish-trajneri tregon avantazhet dhe disavantazhet mes trajnerëve shqiptarë dhe atyre të huaj./ABC News Albania 24/7

sejdini.jpg
ad min17:15 | 26/03/2019

Fitorja ndaj Andorrës ishte tepër e rëndësishme edhe pse jo e bukur. Ish-zëvendës trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, analizon gjendjen e ekipit përfaqësues dhe flet edhe për pasaardhësin e Kristian Panuçit.

Ky rezultat duhej, pavarësisht sesi. Kombëtarja bëri atë që duhet me suksesin ndaj Andorrës në Europian, duke lënë pas një moment tepër delikat, të paktën ky është Mendimi i një emri të njohur të futbollit shqiptar, si Farruk Sejdini.

Ish-zv/trajneri i ekipit përfaqësues, e vlerëson kështu ndeshjen e parë pa Panuçin.

“Unë do thosha që kjo ndeshje me të vërtetë ishte e lehtë në letër, por pati një vlerë dyfishe, jo vetëm se morëm 3 pikët që na mban akoma në garë, por mendoj që ishte më tepër për të qetësuar ekipin tonë përfaqësues. Në konceptin tim mungoi logjika, i ngeli rastësisë dhe nuk ishte akoma e qartë përfaqësuesja jonë për atë që kërkonte dhe atë që bënte”, tha Sejdini.

Sejdini fajëson ish-trajnerin për konfuzionin me të cilin po luan kombëtarja këto kohë.

“Problemi i logjikës besoj që është koncept trajner. Për të gjitha ndeshjet që na ka drejtuar Panuçi ky fenomen ishte i pranishëm dhe kjo tregoi se trajneri nuk futi një koncept. Futbollistët tashmë luajnë në Europë dhe edukatën sportive e kanë”, tha ai.

Çështja kryesore është ajo e trajnerit të ri.

Shqiptar apo i huaj dhe nga emrat e dalë në media, cili duket më i përshtatshëm?

“Unë mendoj që sidomos në këtë moment më mirë do ishte një trajner i huaj. Ne e dimë sa e vështirë është këtu. Nga emrat që përfliten mund të jetë më probabël Donadoni”, tha Sejdini./abcnews.al

sejdiniu.jpg
ad min17:08 | 21/01/2019

Partizani mbetet pretendenti kryesor për titullin, por gara në Superligë mund të dëmtohet nga zgjedhjet vendore. Trajneri i njohur, Farruk Sejdini, analizon gjysmën e dytë të sezonit, në intervistën për ABC Neës

Ndryshimet në krahasim me vjeshtën, nuk pritet të jenë të mëdha. Përforcimet dhe fazat përgatitore të dimrit vështirë të ndikojnë në verdiktet e Superligës, mendim ky i njërit prej trajnerëve me më shumë përvojë në Shqipëri, Farruk Sejdinit. Gara për titull mbetet po ajo.

“Skuadrat do të tregojnë atë që treguan në fazën e parë . Një çikë e vështirë që të riorganizohet apo rregullohet krejt ekipi. Lojtarët janë me pikatore. Partizani pavarësisht se nuk bëri ndonjë merkato të spikatur, mendoj se është më probabël për të marrë kampionatin. Kukësi pavarësisht se ka bërë merkato më të mirë, ka dhe eksperiencë, ka një problem shumë të madh se ndeshjet i bën në transfertë”, tha Sejdini.

Debatet më të mëdha kanë qenë për Partizanin, duke theksuar se trajnerit Gega nuk i janë plotësuar kërkesat, deri tani.

“Një sëmundje kronike e kampionatit shqiptar. Dikush tjetër zgjedh lojratin dhe dikush tjetër përfundon kampionatin. Nuk e di arsyen se pse. Ndoshta nuk duan të prishin grupin, por mendoj që ai që duhet të vendosë është trajneri”, u shpreh Sejdini.

Sejdini ka një shqetësim për fazën e dytë të sezonit.

“Sa herë ka zgjedhje gjithmonë kampionati ç’orientohet. Kjo është edhe arsye pse kampionati është bosh. Të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie futen në çdo lloj forme se duan të përfitojnë nga votat. Tashmë kjo dihet. Kam më shumë se 30 vjet që e heq në kurriz këtë”, tha Sejdini.

Dy prej ekipeve më në vështirësi në Superligë janë Flamurtari dhe Tirana.

“Flamurtari ka një situatë shumë të keqe. Ti mund t’ia japësh rrogën pas 2 muajsh por mund të humbasësh pikët. Duhet me urgjencë të gjendet një zgjidhje. Tirana ka bërë një merkato shumë kaotike, aq sa më krijohet përshtypja që e ka bërë merkaton në bazë njohje. Në rast se dikush të pëlqen si njeri thirre në dasmë, për ditlindje, bëje mik, por futbolli nuk ka miqësi të tilla. Duhet të shtrëngohet fort se do të jetë për mbijetesë”, u shpreh Sejdini.

sejdini.jpg
ad min15:09 | 30/11/2018

Një ish-lojtar dhe trajner i Dinamos flet për derbin e sotëm të kryeqytetit. Farruk Sejdini analizon sfidën që do të luhet në “Selman Stërmasi”.

Derbi i tij kishte tjetër ngjyrë nga ky i sotmi.

Ishte Dinamo, skuadra e Farruk Sejdinit, ish-mbrojtësit dhe ish-trajnerit të bluve për shumë dekada, dhe nuk është keq kur për Partizani-Tirana flet një dinamovit.

Si e shikon i mbiquajturi “xhaxhi” sfidën e sotme?

“Do më pëlqente që të ishin ndoshta në kushte të barabarta që të dyja ekipet të luftonin për kreun. Ndeshja do jetë me të ngecme. Uroj që të mos jetë e tensionuar dhe ekipi që do ketë më pak tension do fitojë. Më i avantazhuar duket Partizani pasi është pak më i stabilizuar. Me probleme është Tirana. Ka dhe probleme me tifozët”, tha Sejdini.

U bë kohë që Partizani ka epërsi në derbi, meritë e tij apo dobësi e kundërshtarit?

“Është dobësi e Tiranës. Tirana akoma nuk ka gjetur veten. Nuk di ta kuptoj se pse që në fillim të kampionatit nuk bën zgjedhje apo zgjidhje të mirë që nga lojtarët e deri te stafi drejtues. Ka haluçiancione që në mentalitet apo stilin e lojës”, tha ish-trajneri.

Sa ndikon kjo ndeshje tek synimet e Partizanit për titull?

“Kjo është një lojë mentaliteti për Tiranës. Janë shumë pikë në lojë dhe nuk mund të themi që është shumë influente në ecurinë e Partizanit se ka të bëjë edhe me anën psikologjike”, sipas Sejdinit

Vetë Sejdini e di se çfarë është një derbi dhe na e tregon, po ashtu ai komenton nëse Dinamo do të kthehet apo jo në Superligë?

“Një derbi duket sikur është ndeshja përfaqësuese e të gjithë kampionatit, të paktën kështu jemi përpjekur ta ushqejmë veten qoftë kur kam luajtur apo drejtuar ekipin. Këto ekipe në derbi kanë bërë historinë edhe duket sikur historia luante në vetvete. Të flasim për Dinamon do të thosha që futbollit shqiptar i mungon një shkollë, edhe një vendi t’i mungojë një shkollë nuk është e paktë. Përsa i përket rikthimit më duket e vakët sesi të kthehet kur nuk ka fushë, s’ka ambient. Është një ekip në eter”, theksoi Farruk Sejdini./abcnews.al

farruk-sejdini.jpg
ad min16:18 | 13/11/2018

Kristian Panuçi po gabon me akuzat për lojtarët e ekipit përfaqësues. Ish-zv/trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, kritikon deklaratat e italianit, dhe nuk është shumë optimist për të ardhmen.

Ishte kjo deklarata e papritur e Kristian Panuçit, për lojtarët e kombëtares, dhe nuk kishte sesi të kalonte pa reagime. Përse kjo akuzë dhe sa punë prish në prag të ndeshjes së Skocisë?

Një ish-zv/trajner i kombëtares, Farruk Sejdini, e cilësoi si krejt të pavend.

“Kur ti e konstaton që një njeri qenka memec, ka një zgjidhje. Kur janë memecë nga natyra ka shkolla shurdhmemecësh dhe kur janë memecë në futboll është trajneri që jep gojë. Është trajneri që duhet t’i japë gojë. Tha që ky ekip më ka bërë me thinja. Ekipi përfaqësues vinte nga rezultate shuëm të mira siç ishin nga Evropiani”, tha Sejdini.

Më shumë se një moment kthese i kombëtares, ky çast duket sikur po shton përçarjen.

A ka ende shpresë Sejdini?

“Nuk po i njohim lojtarët dhe gabojmë tek 8 lojtarë. Nuk e dimë se kush do të jenë lojtarët. Mendoj që themeli kryesor i përfaqësues është baza. Ndoshta ai kërkon të zbulojë lojtarë të rinj që t’ia atribuojë vetes, por kjo lloj strategjie më duket e gabuar”, u shpreh analisti i njohur.

Përtej akuzave të trajnerit, kombëtarja vuan edhe mosfurnizimin nga një Superligë që përflitet për ndeshje që luhen më shumë jashtë se brenda fushe.

“Kampionati shqiptar është kthyer si ai gjuetari që ka një qen gjahu dhe ai qeni nuhat gjahun. Edhe ekipet tona zgjedhin ku ka ndonjë fushë bosh që edhe të luajnë”, u shpreh Sejdini.

Sejdini, si trajner me eksperiencë tepër të gjatë, i druhet edhe diçkaje tjetër këtë sezon të Superligës.

“Mos harroni se gjithmonë kur kampionati kap prag zgjedhjesh, ju do e shihni çdo të ndodhë me Superioren  dhe aq më tepër nga kategoritë e vogla. Mua për vetë kam patur stres kur kishte kampionat dhe kapshin zgjedhjet”, përfundoi Sejdini./abcnews.al

farrukuu.png
ad min18:34 | 15/10/2018

Kombëtarja humbi një shans të madh për të pasur sukses në Izrael. Specialisti i futbollit, Farruk Sejdini, bën përgjegjës trajnerin Panuçi për atë që e quan dështim.

Në pamje të parë luajtëm mirë, por analizat bëhen edhe ndryshe.

Një prej tyre e bën ish-zv/trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, i cili nuk ka shumë fjalë lavdërimi për ekipin e Panuçit pas humbjes në Izrael.

“Dakord ishte ndeshja më e mirë, por kush luajti mirë. Nuk mund të themi që një ndeshje e mirë se luajtën dy apo tre mesfushorë mirë se mbrojtja pësoi dy gola, nuk quhet mirë. Sulmi nuk bëri gol, nuk quhet mirë. Strategjikisht ekipi i Izraelit luaji shumë bukur pasi dihet se ai vinte nga një ndeshje rraskapitëse që vinte me Skocinë. Ai atë mesfushë na e la vetë dhe nuk na la më pas të futemi diku në 25 metrat-30 metrat e fundit. Ato raste që krijuam i krijuam me goditje standarde”, u shpreh Sejdini.

Përgjegjësinë kryesore për këtë, sipas tij, e ka vetë Panuçi.

“Lilaj ishte një lojtar parashutë, një lojtar që nuk ishte as në 25-së. Papritur na del lojtari i 12. Pse nuk stërvitej ky prej një jave apo 10 javësh. Zëvendësimi i Vrionit ishte ndoshta pa vend. Nuk mundesh në ato momente t’i vesh atij lojtari atë lloj presioni. Edhe Balaj ishte i vetmi i fuqishëm në sulm që krijoi ato dy-tri raste. Unë mendoj që ai mund të ishte dhe të bëhej me dy sulmues”, tregoi ish-zv/trajneri i Shqipërisë.

Çfarë duhet të bëjë presidenti i Federatës, Duka, ta shkarkojë apo ta mbajë trajnerin?

“Ne jemi bërë si parcelë eksperimentale megjithatë ne duhet t’i japim kohë këtij se prapë do të ketë një aventurë tjetër. Mendoj që hap pas hapi mundet të orientohet me futbollin shqiptar”, tha Sejdini.

Lajmet janë që një trajner shqiptar mund të vijë në kombëtare.

Mirë apo keq?

“Trajneri shqiptar nuk është se ka minuse, mund të kenë edhe pluse. Trajnerët shqiptarë i mungon një gjë. Presioni i një trajneri shqiptar janë shumë të mëdha. E kam pasur në kurriz dhe mund të kem qenë një nga njerëzit që janë influencuar më pak, por duhet të pranojmë që dashje pa dashje biem nën presion”, tha Sejdini./abcnews.al

farruk-sejdini.jpg
ad min16:56 | 04/06/2018

Trajneri Panuçi ka nevojë të gjejë sa më shpejt idetë e duhura për kombëtaren. Specialisti Farruk Sejdini ka kritika për punën e italianit, ndërsa ndihet pesimist për të ardhmen.

Ky ekip iu duk një kaos i vërtetë.

Jo vetëm nuk e bindi aspak, por edhe e cilësoi sit ë çoroditur kombëtaren që u vu përballë Kosovës e Ukrainës.

Farruk Sejdini, ish-zv/trajneri i përfaqësueses, gjykon se trajneri i sotëm, Kristian Panuçi, duhet të ndajë mendjen sa më shpejt se çfarë do të bëjë, nëse dëshiron që të ketë shpresë në Shtator.

Sejdini bën analizën e dy ndeshjeve dhe nxjerr disa probleme që kanë të bëjnë me zgjedhjet e italianit, por edhe me paraqitjen e lojtarëve të rinj.

Farruk Sejdini: “Një trajner mund të ketë shumë ide, por kur nuk arrin që një nga këto idetë t’i përçojë dhe t’i bëjë aplikative me ekipin që ka më duket se kjo është një dështim. Ndonjëherë luan me shumë mbrojtësa dhe nuk ka një lojtar që t’i japë frymëmarrje ekipit”.

Ish-kampioni i Shqipërisë me Dinamon e fton gjithashtu Panuçin të bëjë prapakthehu me disa nga lojtarët e vjetër.

Farruk Sejdini: “Lojtarët të ashtuquajtur titullarë të asaj periudhe më duket sikur u zëvendësuan me fushata. Futbolli nuk pranon fushata por pranon gjunj. Lojtarët përderisa kishin gjunj dhe e justifikonin me ekipet e tyre nuk më dukej e udhës që t’i bihej lapsit dhe të largoheshin”.

Cili është gjykimi i tij për punën e Panuçit deri tani, sa shpresë i jep ky trajner?

Farruk Sejdini:Ndoshta ne na pëlqeu në fillim që kemi një trajner që ka lojë sulmuese. Unë nuk e mbështes këtë ide se nëse do të bësh shkencë bëhet në lojë aplikative. Nuk mund të bësh lojë sulmi kur nuk ke lojtarë me tipare sulmuese”.

Si e shikon Sejdini të ardhmen e kombëtares, a mund të furnizohet siç duhet ajo nga Superliga shqiptare? Specialisti me përvojë sheh dy rreziqe.

Farruk Sejdini: “Tani jemi dy vende edhe lojtarët filluan dhe po ndahen. Një pjesë po shkon te ekipi kosovar. Na del si detyrë imediate që të kemi prodhime këtu në futbollin shqiptar”.

Sejdini mendon se klubet kanë kanë faj për këtë gjendje, por edhe federata. Sipas tij, duhet stimuluar aktivizimi i të rinjve në ekipet e Superligës./abcnews.al

farruk-sejdini.jpg
ent ela15:20 | 13/04/2018

Futbolli shqiptar ka probleme besueshmërie. Ish-trajneri i njohur, Farruk Sejdini, flet për fundin e sezonit në Superligë dhe për dënimin e Skënderbeut

Një kampionat që humb besimin. E tillë mund të quhet Superliga e Shqipërisë, të paktën për luftën për mbijetesë, në fundin e tabelës, si dhe për dyshimet për lëshime të ndeshjeve.

Kamza, dikur pretendente për Europë, tani është thuajse e piketuar për të zbritur nga kategoria, ndaj dhe ish-trajneri i njohur, Farruk Sejdini, ngre një alarm.

Farruk Sejdini: “Për Kamzën më vjen keq, jo se Teuta i ka dhënë tonin futbolkuit shqiptar, apo Vllaznia, sepse kishin një ecuri të mirë dhe dukeshin si surpriza e kampionatit. Nuk e heq edhe dyshimin që diçka i kanë hyrë në hak. Ndoshta kërkojnë ta bëjnë kokë turku, por nuk është e  mirë se aty ka 70-80 mijë banorë. Kamza është një qytet i madh. Nuk më duket që është e drejtë.”

Gjithsesi, Sejdini nuk e sheh thjesht si problem të një ekipi apo të një sezoni.

Farruk Sejdini: “Të jem realist, unë do të thosha që ka qenë, do të thosha që kjo ndodhta është një plagë europiane. Ne kemi pas një plagë dyfishe se përpos lekëve ne kemi pas probleme dhe nga politika. Këto gjëra bëheshin o për lekë o për politikë ”.

Edhe UEFA e dha dënimin për Skënderbeun pikërisht duke e akuzuar për trukime. Si e gjykon Sejdini këtë dënim?

Farruk Sejdini: “Në rast se kjo do të ndodhë dhe ka  shumë gjasa që të ndodhë . Edhe po mos të jenë 10 vjet do të jenë diçka më poshtë, po them 7 apo 5, prapë do të jetë një humbje e madhe për futbollin shqiptar nëse do të jenë të vërteta gjithmonë. Kjo ndoshta të vlejë si mësim edhe për ekipet shqiptare”.

Sejdini pret edhe një çështje të fundit, ankesat ndaj gjyqtarëve që edhe këtë sezon kanë qenë të shumta.

Farruk Sejdini: “Gangrenë e futbollit shqiptar kanë qenë gjithmonë gjyqtarët. Nëse thamë më parë që politika influencon, influencon puna e parë te gjyëqtarët. Ai është që e ka shkopin magjik dhe e kthen nga një krah në krahun tjetër. Edhe lojtarët kanë humbur besimin dhe çdo gjë e shohin me syrin e dyshimit. Instancat në Federatën Shqiptare të Futbollit duhet të jenë shumë rigoroze”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono