falimentim

biznesmeni.jpg
ad min22:28 | 12/07/2019

Fermat po falimentojnë njëra pas tjetrës. Është ky mendimi i biznesmenit Petrit Ago, i cili ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”. Ai deklaroi se nëse qeveria do të vazhdojë me këtë indiferencë për pesë vjet do të mbyllen të gjitha fermat.

“Në qoftë se indiferenca e qeverisë, e kujtdo qeverie do jetë si sot, këtu për pesë vjet nuk do ketë asnjë fermë të hapur. Fermat po falimentojnë një nga një. Nëse dikush ka ndonjë mendim tjetër unë publikisht e ftoj këtu në studion tuaj të vijë të debatojë me argumente”, tha Ago.

Sipas Agos, shkak i falimentimit të fermerëve është kostoja shumë e lartë e lëndës së parë të bujqësisë në vendin tonë. Ai theksoi se ka blerë sasi të mëdha lëndësh bujqësore nga vendet e tjera evropiane, por edhe të rajonit./abcnews.al

48163949_303.jpg
ad min08:20 | 17/04/2019

Shtetet e Ballkanit Perëndimor mbështesin termocentrale të vjetruara duke investuar miliona euro në to. Megjithatë, aktivistët e ambjentit shohin shenjat e para të përmirësimit.

Po të ishin shtetet e Ballkanit Perëndimor që nesër anëtarë të BE, të gjitha termocentralet me qymyr do të falimentonin brenda natës. Kështu e përmbledh Janez Kopac rezultatin e studimit të tij më të fundit. Kopac është drejtor i “Energy Community”, një organizmi të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Evropës Lindore dhe Juglindore për sektorin e energjisë. Që tani, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia investojnë jo më pak se 170 milionë euro në vit subvencione në fuqinë e qymyrit. Po të ishin në BE këto pesë shtete, çdo vit kësaj shume do t’i shtohej edhe rreth një miliardë euro. Shkaku për këtë: tregtia e shkarkimeve (emisioneve).

Energjia prej qymyrit e Ballkanit nxjerr fitime në BE

Në BE, sipërmarrjet që e ngarkojnë ajrin me gaze të efektit serë duhet të blejnë për këtë të drejta. Shkarkimi i një toni dioksiod karboni (CO2) kushton për shembull rreth njëzet euro. Termocentralet e qymyrit në Ballkanin Perëndimor janë veçanërisht ndotëse dhe që e dëmtojnë shëndetin. Prandaj është kaq e madhe shuma që do të nevojitej për t’i mbajtur në punë në BE.
Janez Kopac rekomandon që të futet që tani një taksë për shkarkimet. Në vend të 20 eurove, të kërkohen pak euro për ton, që të investohen pastaj në zgjerimin e energjive të ripërtëritshme.
Por realiteti është i ndryshëm. Në vitet e ardhshme do të ndërtohen termocentrale të reja me qymyr. Pas kësaj qëndron një llogari që kanë bërë: “Energjia e qymyrit e prodhuar në Ballkan eksportohet në pjesën më të madhe në BE. Por ajo është më e lirë se energjia nga termocentralet me qymyr të BE, të cilat duhet të paguajnë taksa për shkarkimet”, thotë Kopac. Pra llogaria del.

Rruga e gabuar e energjisë ujore

Deri në vitin 2020 synohet që njëzet përqind e energjisë që konsumohet në BE të vijë nga burime të ripërtëritshme. Deri në vitin 2030 duhet të jenë 32 përqind. Shumë shtete anëtare, midis tyre edhe Gjermania nuk do ta arrijnë këtë synim.
Shtete, që duan të hyjnë në BE, duhet të orientohen gjithashtu në këto synime. Ndërtimi i centraleve “të gjelbra” nga ky shkak nxitet veçanërisht në Evropën Juglindore. Kjo bëri që aktualisht të ngrihen rreth 2700 mini-hidrocentrale me një kapacitet deri në dhjetë megavoltamper në Serbi, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Shqipëri dhe Mal i Zi – për keqardhjen e madhe të popullatës lokale dhe të mbrojtësve të ambjentit.
Fitimi i energjisë nga fuqia ujore është vetëm kushtimisht i qëndrueshëm, shprehet Igor Kalaba nga Climate Action Network, sepse digat i shkaktojnë dëme të mëdha natyrës. Hidrocentralet e vogla nuk sjellin fitime pa subvencione, dhe për shkak të kapacitetit të tyre të vogël ato nuk kontribuojnë për sigurinë energjetike të rajonit. Shkatërrimi i peizazhit është disproporcional, lejet e ndërtimit jepen shpesh pa shqyrtuar pështatjen me mjedisin.

Përparime megjithë mungesën politike

Për ta kundërshtuar këtë zhvillim, Kalaba kërkon kalimin nga subvencionet për hidrocentrale të vogla në tendera publikë për projekte të mëdha të erës dhe solare. Bazë për të gjitha tenderat mund të ishin vlerësime të ndikimit në mjedis, në të cilat të përfshihet edhe popullata lokale.
Kalaba thotë se centralet ekzistuese mund të prodhojnë me anë të modernizimeve më shumë energji. Përcjellës më të mirë dhe terminale më të mira mund të ndihmojnë që të kursehet energjia. Për ta bërë më efektiv rrjetin e energjisë në rajon, rrjetet e vendeve të veçanta duhet të lidhen më mirë me njëra-tjetrën. Kjo do të kërkonte prej shteteve besim në shtetet e tyre fqinjë.
Megjithë problemet, ka edhe zhvillime pozitive. Në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Kroaci vitet e fundit janë ngritur parqe me turbina ere, që i plotësojnë të gjitha kërkesat dhe që janë më të vërtetë të qëndrueshme. Zhvillimin më të madh Kalaba megjithatë e sheh tek populli: “Pesë vjet të shkuara në rajon nuk ka folur askush për kthesën energjetike. Tani njerëzit flasin për të. Ky është një përparim madhështor”./DW

faliment.jpg
ad min15:45 | 19/02/2019

Fermerët e Dovranit në Korçë janë zhgënjyer nga puna e tyre në pemtaritë me mollëdhe qershi. Ata thonë se kanë bërë shumë shpenzime dhe nuk kanë përfituar asgjë.

Fermerët e Dvoranit po i shkulin mollët nga rrënjët. Pemët, që ju kanë dhënë fruta për një periudhë 20-vjeçare, tani do t’ju shërbejnë për ngrohje. Në pemetoren prej 500 dynymë të Taulant Huthit, janë prerë mbi 500 rrënjë molle.

Të njëjtin vendim kanë marrë edhe fermerët e tjerë. Mungesa e tregut ka detyruar ata të shesin prodhimin nën kosto për disa vite, duke i çuar drejt falimentimit.

Zbritja e çmimit të mollës gjatë këtij viti, deri në 3 lek për kilogramë, i shtyu t’i presin pemëtoret, duke i dhënë fund kultivimit të mollës në zonen që identifikohet me këtë frut.

“Kam shitur 200-250 kuintal mollë dhe çmimi i mollëve është akoma një pako mastik”.

“Kemi disa vite që bëjmë shpenzime dhe nuk fitojmë asgjë. Vjet dhe sivjet, çmimet më të ulëta. Unë kam prodhuar rreth 250 kuinatlë, 200 i kam shitur, por sa lekë e ke shitur do thuash? 100, 150 lekë dhe 30 lekë e fundit. Në fund me 30 po i shesim. Vijnë makinat furnizohen dhe shkojnë në Bullgari për lëng”.

Shumica e fermerëve të Dvoranit ankohen se nuk kanë përfituar asnjëherë subvencione nga skemat mbështetëse të bujqësisë, çfarë do t’i ndihmonte të përballonin shpenzimet e larta, që kërkon sidomos prodhimi i mollëve.

Të paorientuar nga specialistë të fushës, ata kanë menduar si zgjidhje, zëvendësimin e mollëve me arra, të cilat e japin prodhimin e parë, pas një periudhë shtatë-vjeçare.

“Mollët aktualisht kam menduar t’i zëvendësoj me arra. Ka një leverdi tjetër. Ka më pak kosoto për t’u trajtuar. Për shtatë vitet e ardhshme kemi fitim nga kjo prerja e mollëve që bëmë”.

Pamundësia për të shitur prodhimet, po i bën fermerët e Dvoranit të mendojnë pas mollëve të zëvendësojnë edhe pemët e tjera frutore./abcnews.al

vlcsnap-error436-1280x721.jpg
ad min14:40 | 07/01/2018

Nëse plani “Berlin plus” për krijimin e zonës së lirë tregtare në Ballkan aktivizohet në tre vitet në vijim, fabrikat shqiptare falimentojnë për gjashtë muaj. Prodhuesit japin alarmin se importi i produkteve me çmime të ulëta nxjerr nga tregu produktet vendase. Ekspertët rekomandojnë masa për uljen e kostove, por fillimisht kërkojnë rritje të tarifave për mallrat e importit që subvencionohen nga vendet fqinj.

Me aktivizimin e zonës së lirë në rajon si në BE, fabrikat që prodhojnë në Shqipëri nuk do të rezistonin as gjashtë muaj dhe ekonomia do të përballej me faliment masiv të industrisë.
Ky është paralajmërimi i zymtë që bën industria e prodhimit në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë Arben Shkodra në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor” është i alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria shqiptare po merr krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

Kryeministrat e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës kanë firmosur një marrëveshje dhe tashmë një plan veprimi është në zbatim për krijimin e një zone tregtare pa dogana, njësoj si në vendet e BE-së deri në vitin 2023, por bizneset sipas Sekretari të Përgjithshëm të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë nuk janë vënë në dijeni as formalisht për planin e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.

Serbia ka tre vite që punon në këtë drejtim dhe është në avantazh ndërkohë që i gjithë rajoni po ndjek politika subvencionimi ndaj prodhimeve vendase, ndryshe nga Shqipëria.
Plani “Berlin Plus” synon të mbështesë me fonde direkte lehtësimin e tregtisë së përbashkët në rajon dhe masa që lehtësojnë infrastrukturën për lëvizjen e mallrave.
Shqipëria ende nuk ka shpallur një platformë se si do të pozicionohet në tregun e përbashkët dhe me çfarë duhet të konkurojë.
Taksat e larta dhe mungesa e politikave subvencionuese dhe incentivuese i ka bërë prodhimet shqiptare, sidomos ato të industrisë së agropërpunimit, inferiore edhe në tregun vendas ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Kosova.

Importet e miellit dhe birrës janë rritur me ritme dyshifrore dy vitet e fundit, duke çuar në kolaps industrinë vendase.
Shqipëria kundrejt vendeve ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulëta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën nderkohë që nuk ka ende të zhvilluar zonat e lira ekonomike. Vendet e rajonit, përveç Kosovës, i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese.
Pasojat e këtij plani sipas Shkodrës, në vendin tonë në fillim do ti ndiejnë fabrikat, të cilat në rastin më të mirë ose do të përthithen nga fabrikat rajonale ose do të falimentojnë.
Shqipëria do të humbasë vende pune ndërsa rrezikon të kthehet në shtet improtues.

Shoqata Shqiptare e Prodhuesve i tha revistes “Monitor” se ka disa rekomandime se si mund t’i bëhet ballë hapjes së mëtejshme të tregjeve me rajonin dhe Bashkimin Europian.
Një sërë ligjesh, udhëzimesh, procedurash dhe tarifash duhet të ndryshohen me qëllim që të ulen kostot dhe të bëhet konkurues prodhimin vendas.
Prodhimi vendas të përjashtohet nga takasat vendore, të hiqet taksa mbi ambalazhin e të aplikohen lehtësi doganore.

“Ne kemi probleme me skanimin. Për shkak të kanabisit, çdo eksport skanohet. Kjo duhet të bëhet me kampionim”, thotë Shkodra.
Gjithashtu prodhuesit kërkojnë ulje të kostove të energjisë elektrike në prodhim e të nxitet prodhimi i produkteve unike shqiptare./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono