fake news

trump-g7-1280x818.jpg
nev ila13:24 | 25/08/2019

Presidenti Donald Trump i ka quajtur të rreme dhe të neveritshme lajmet e publikuara në media për një ftohje mes tij dhe liderëve të grupimit G7. Përmes një postimi në Twitter, Trump ka thënë se me aleatët perëndimorë po shkon shumë mirë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se po shkon shumë mirë me aleatët perëndimorë në samitin e G7-s që po mbahet në Francë, duke hedhur poshtë zërat për një ftohje me liderët e tjerë.

Samiti i G7-s po mbahet në një kohë kur janë rritur shqetësimet për një tkurrje të ekonomisë globale, që përkon me një epokë përçarjeje ndërkombëtare për një sërë çështjesh, të cilat kanë cënuar aleancat që zgjasnin prej dekadash.

“Përpara se të mbërrija në Francë, lajmet e rreme dhe të neveritshme thoshin se marrëdhëniet me 6 vendet e tjera janë shumë të tensionuara dhe se takimet dyditore të samitit do të ishin një katastrofë”, shkroi Trump në Twitter përpara takimit me kryeministrin britanik Boris Xhonson.

“Por ja ku jemi. Po zhvillojmë takime shumë pozitive, liderët po merren vesh shumë mirë dhe vendi ynë ekonomikisht është më mirë se kurrë”, vijoi Trump.

Sidoqoftë, dallimet e thella sa i takon proteksionizmit tregtar, ndryshimeve të klimës, çështjes së Iranit dhe thirrjes së Francës për një taksë universale për gjigandët e teknologjisë dixhitale kanë bërë që re të zeza të mblidhen rreth samitit.

Në prag të takimit, Trump kishte kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të taksonin verën franceze si “kurrë më parë”, nëse Parisi zyrtar nuk heq taksën për kompanitë amerikane të teknologjisë.

Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk paralajmëroi se BE do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë Shteteve të Bashkuara, nëse Trump konkretizon kërcënimet e tij.

“Ky samit mund të jetë shansi i fundit për të rikthyer normalitetin në komunitetin tonë politik”, tha Tusk ditën e shtunë./ABC News Albania 24/7

48737717_403.jpg
nev ila10:10 | 16/06/2019

Gënjeshtra, teori komplotiste, #hashtag-e me urrejtje. Në zgjedhjet europiane të majit janë përdorur instrumenta dezinformimi me origjinë në Rusi, shprehet Komisioni Europian. Por gjurmët nuk të çojnë vetëm në Kremlin.

Ajo që autoritetet, partitë e aktivistët vunë re në zgjedhjet kombëtare në SHBA, Brazil apo Gjermani ka vazhduar edhe në zgjedhjet europiane në fund të majit. Grupime ekstremiste, parti dhe opinionbërës janë përpjekur që me informacione të rreme të përhapura në mediat sociale të ndikojnë votueset e votuesit, shpesh me ndihmë nga Rusia. Në këtë përfundim arrin një raport i ndërmjetëm hetimor për „fushatat e dezinformimit”, që Komisioni Europian e paraqiti më shumë se tre javë pas zgjedhjeve europiane.

Ndikim rus

“Numri i fushatave që mund të identifikohen si burime ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar”, është shprehur komisioneri europian për Sigurinë në Internet, Julian King. BE flet për rreth 1000 raste të dezinformimit me pjesëmarrje të burimeve ruse që nga janari i këtij viti. „Këtu nuk bëhet fjalë për ‚big-bang‘, pra sulme të mëdha hakerësh, por për fushata të vogla të prera sipas përfytyrimit të grupit të shënjestruar”, thotë komisionerja e BE për Drejtësinë, Vera Jourová në Bruksel.

Julian King

Në Poloni për shembull, faqja online „Sputnik” ka përhapur informacione, sipas të cilave Polonia është më keq ekonomikisht, se në kohët e komunizmit. Përveç kësaj është ngritur pretendimi, se presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon të nxjerrë disa vende nga BE, thuhet në raportin paraprak të Komisionit Europian. „BE vëren, se janë fushata që nga ana përmbajtësore janë të afërta me idetë e Kremlinit. Por ne nuk jemi shërbim sekret, dhe nuk kemi të dhëna të drejtpërdrejta”, thotë eurokomisioneri, King. Ai nuk mund të pohojë e as ta hedhë poshtë, nëse fushatat kanë lidhje direkte me shtetin rus. „Kjo mund t’iu zhgënjejë ju, por ne jemi të kujdesshëm në nxjerrjen e konkluzioneve.”

Reklamë e fshehur

Ajo që të bie në sy është numri i lartë i faqeve online dhe profileve në mediat sociale, që bëjnë fushatë kundër migrantëve dhe islamit, thuhet në raportin hetimor për zgjedhjet europiane. Në Spanjë për shembull u zbulua një rrjet i organizuar i profileve false në twitter, që në mënyrë të automatizuar mbështeste #hashtag-e negative për islamin.

E gjitha ka ndodhur në rrethet e partisë populiste, Vox, thotë komisioneri, Julian King. Në Gjermani reklama zgjedhore e partisë populiste, AfD nuk identifikohej shpesh si e tillë, thotë KE. Televizioni gjerman, ARD kishte informuar para zgjedhjeve, se robotë automatikë, e dërgojnë mijëfish reklamën e AfD-së tek përdoruesit, pa e shenjuar si të tillë.

Rregullim i koncerneve?

Koncernet e mëdha të internetit, Facebook, Google e Twitter janë përpjekur t’i përmbahen „Kodeksit për punën praktike”. Por kjo nuk ka qenë gjithmonë e suksesshme, kritikon komisionerja Vera Jourová. „Miliona profile false, të zhvilluara nga kompjuteri, të ashtuquajtur bots, janë mbyllur. Por duhet të bëhet më shumë, për të zbuluar ato që janë fake news.” Facebook madje ngriti një qendër të posaçme për të zbuluar fushatat dezinformuese. Në fund të këtij viti vendet anëtare të BE do të vendosin, nëse ujditë e arritura me platformat  e komunikimit të internetit mjaftojnë, apo nëse nevojiten rregullime ligjore.

Vera Jourova

Gënjeshtra nuk penalizohet

„Ata që përgatisin fushatat dezinformuese ndryshojnë vazhdimisht taktikën e tyre, ne duhet të veprojmë po ashtu”, paralajmëron komisioneri, Julian Kind. Vigjilenca e vazhdueshme dhe lufta e pandalur kundër „fake news” janë një normalitet i ri dhe jo raste përjashtuese, thotë ai. Radikalizimi i vazhdueshëm i debatave dhe shpërndarja e grindjes dhe pakënaqësisë duhet të zbulohen. Nuk bëhet fjalë për të kufizuar lirinë e shprehjes në internet, thotë komisionerja, Jourová, por për të sqaruar. Si vepra penale konsiderohen vetëm ato përmbajtje që propagandojnë urrejtjen, terrorizmin, dhunën seksuale, pornografinë me fëmijë. „Gënjeshtrat në vetvete nuk janë ilegale”, thotë Vera Jourová. Komisioni Europian publikon në faqen e tij çdo muaj një raport të hapur për fushatat e zbuluara të dezinformimit./DW

BE-RUSIA-LAJMET-1280x720.jpg
ent ela13:15 | 06/12/2018

Bashkimi Europian ka akuzuar Rusinë se shpenzon 1.1 miliard euro në vit vetëm për krijimin e lajmeve të rreme. Një zyrtar i Brukselit, i cili bëri të ditur shifrën e lartë, bëri thirrje për unitet për të luftuar këtë fenomen.

“Rusia investon me një buxhet të fuqishëm, 1.1 miliardë euro në vit, në mbështetje të dezinformimit dhe fabrika e lajmeve false e Shën Petërsburgut ka 1000 persona të punësuar me kohë të plotë”. Kjo është akuza e zëvendëspresidentit të Komisionit të Bashkimit Europian, Andrus Ansip. Ky i fundit publikoi edhe një Plan Veprimi kundër lajmeve false apo siç quhen ndryshe “Fake News”.

Akuzat e zyrtarit europian nuk përfundojnë këtu:

Andrus Ansip, Zv/President i KE: “Kemi parë tentative për ndërhyrje në zgjedhje dhe referendum, me prova që tregojnë Rusinë si burim kryesor të këtyre fushatave. Për këtë duhet unitet dhe të vendosim sëbashku forcat tona për të mbrojtur demokracitë tona kundër dezinformacionit”.

Ndërkaq kundër Rusisë ka akuza të forta nga vende të ndryshme, kryesisht SHBA, se ka punuar me lajmet e rreme për të ndikuar proceset zgjedhore. Për këtë, Kongresi amerikan dhe FBI kanë hapur hetime të ndryshme. Ndërsa më herët, inteligjenca e SHBA-ve ka konfirmuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Sipas CIA-s, lajmet false të krijuara nga Rusia kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre zgjedhjeve. /abcnews.al

fake-news.jpg
ent ela18:33 | 05/12/2018

Fenomeni i lajmeve të rreme duket se prek më së shumti vendet e Ballkanit, ndërsa vendet nordike janë më rezistente ndaj tyre. Këto janë të dhënat e fundit për vitin 2018 për përhapjen e atyre që njihen si “Fake News”.

Sipas të dhënave më të fundit, vendet e Ballkanit janë më të prekshmet në Evropë ndaj fenomenit “të rremë” për shkak të kontrollit të mediave nga shteti ose interesat e biznesit, mangësitë arsimore dhe nivelit të ulët të besimit në shoqëri.

Sipas Indeksit 2018, vendet nordike janë më rezistente ndaj lajmit të rremë, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të arsimimit dhe lirisë së mediave. Raporti përmend Estoninë në Evropën Lindore si një vend me arsim të lartë dhe rezultate të larta në lirinë e medias.

Sa i përket shtetet e Ballkanit, Indeksi i vë ato në gjysmën e poshtme të shkallës së vlerësimit, me vende si Serbia, Bullgaria, Turqia dhe Bullgaria, të cilat qëndrojnë me rezultate negative.

sipas Stefën Janjic, redaktori i “Fakeneus Siker”, u shpreh se i ashtuquajturi lajm i rremë është përhapur shumë në mediat në Serbi.

Ai tha se tabloidi i njohur serb “Alo” publikoi 358 faqe të para në 2017, ku 237 prej tyre kishin tituj që mund të karakterizoheshin si të rremë ose manipulues.

Ndërsa në tabloidin tjetër, “Informator”, numrat janë edhe më të lartë. 302 faqet e para të saj mbanin 362 lajme të rreme ose manipuluese. /abcnews.al

edi-rama12345.jpg
G. P.22:25 | 02/12/2018

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të gjobave kundër lajmeve të pavërteta në media. Para pjesëmarrëse të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it” Rama theksoi ndërmarrjen e hapave konkretë për formalizimit ligjor të portaleve online në Shqipëri. 

Përpara pjesëmarrësve të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it”, kryeministri Edi Rama listoi tre lajmet e rreme që krijuan sipas tij më shumë përshtjellim dhe shqetësim në opinionin publik në vend.

“Njëri tre vjet më parë jep lajmin që qeveria kishte vendosur të groposte në Shqipëri mbi 1400 kontenierë me lëndë radioaktive. Më pas lajmi i këtij viti kur u përhap fjala se qeveria kishte vendosur në një marrëveshje të fshehtë me BE që të spostonte në Shqipëri 600 mijë refugjatë ish luftëtarët e ISIS. Mund të rëndisja dhe lajme të tjera, lajme qesharake si marrëveshja e imja me Presidentit të Rusisë për t’i shitur atij një qytet të tërë në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu nevojën e formalizimit ligjor të medias online, duke theksuar se më shumë se 600 portale në vend nuk dihet se kush i zotëron, apo kush i financon. Ai paralajmëroi rritjen e gjobave për shpifësit.

“Kjo është një situatë prej xhungle ku ne synojmë të vendosim një rregull normaliteti si në vendet e tjera. Ne do të rrisim gjobën për lajmet e rreme dhe për shpifjen siç unë e quaj me një fjalë të vetme në shqip. Për të ndërhyrë edhe të ndëshkuar përhapësin e shpifësit. Që do të thotë nëse një media është përgjegjëse për një lajm të rremë ose shpifje, cilido që e merr dhe e replikon është po aq përgjegjës sa media e origjinës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e përcaktimeve ligjore për mbrojten e të drejtës së autorit dhe krijimin e një loje me rregulla të qartë, pa cënuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut./abcnews.al

 

FRANCE-LIGJI-1280x634.jpg
G. P.08:30 | 23/11/2018

Franca do të ndalojë me ligj lajmet e pavërteta, të njohura si “Fake news”. Ligji i presidentit Makron, që u miratua nga parlamenti, parashikon burg dhe gjoba për ata që keqinformojnë. Por kritikët po e shohin atë si një armë për te censuruar mediat.

Parlamenti francez ka miratuar një ligj të ri, që u jep gjyqtarëve më shumë kompetenca për të urdhëruar heqjen e lajmeve të rreme gjatë fushatave elektorale. Kritikët argumentojnë se ligji kontradiktor kundër manipulimit të informacionit, në praktikë mund të vërë në rrezik demokracinë dhe të censurojë shtypin. Ligji, i hartuar nga presidenti Emanuel Makron, ishte hedhur dy herë poshtë nga Senati përpara se të miratohej nga Parlamenti. Ai konsiderohet si përpjekja e parë e Europës perëndimore për të ndaluar publikimin e materialeve të falsifikuara. Makron ka deklaruar se beson se përdorimi i internetit ka nevojë për një rregullore. “Ky është kushti bazë për një internet të hapur, të lirë dhe të sigurtë, ashtu sikurse ishte vizionuar nga themeluesit e tij”, tha Makron në forumin vjetor për qeverisjen e internetit, të mbajtur në Paris.

Kandidatët dhe partitë politike tani do të mund t’i drejtohen gjykatës për të ndaluar përhapjen e informacioneve të rreme gjatë 3 muajve përpara zgjedhjeve. Ligji i lejon gjithashtu entit rregullator mediatik francez të ushtrojë autoritetin për të pezulluar transmetimin e kanaleve televizive të kontrolluara nga një shtet i huaj, që përmes keqinformimit synojnë cënimin e procesit zgjedhor. Mbështetësit kanë deklaruar se synimi i ligjit është të luftojë përhapjen e atyre që njihen si “fake neës” dhe jo të censurojë opinionin. Kushdo që e shkel atë mund të përballet me 1 vit burg dhe një gjobë që shkon deri në 75 mijë euro./abcnews.al

imazhei.jpg
G. P.21:09 | 26/03/2018

Qeveria e Malajzisë ka propozuar një legjislacion të ri kundër “fake news”. Shkelësit e këtij ligji mund të përballen me dënime deri në 10 vjet burg ose në gjoba që variojnë nga 90 mijë deri në 128 mijë paund.

Sipas BBC, ligji u dërgua në Parlament këtë të hënë dhe vjen në një kohë para zgjedhjeve kombëtare, që priten të mbahen pas disa javësh.

Ndërkohë, kritikët e kanë quajtur ligjin e ri, një përpjekje për të heshtur opozitën. Ligji prek blogjet, forumet publike dhe mediat.

Gjithashtu do të aplikohet brenda ose jashtë vendit, nëse “fake news” prek interesin e Malajzisë. Kjo do të thotë se të huajt, teknikisht, do të dënohen nga gjykata në mungesë./abcnews.al

komisioni-europian-1280x652.jpg
G. P.22:05 | 12/03/2018

Komisioni Europian përcakton saktë se çfarë klasifikon si keqinformim, duke u distancuar nga termi “fake news”. Komisionerja europiane për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë nënvizon se nuk bëhet fjalë për të krijuar një ministri të së vërtetës, as për të favorizuar censurën dhe se nuk do ketë lista të zeza lidhur me këtë çështje.

Komisioni Europian distancohet nga termi “fake news” (informacion i rremë), duke përkrahur përkufizimin dezinformim (keqinformim) për problematikën e informacionit të pavërtetë që qarkullon në media online dhe jo vetëm. Përkufizimi vjen si rrjedhim i raportit të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë mbi informacionin e rremë (fake news). dhe dezinformimin. Raporti i grupit të nivelit të lartë i prezantuar në konferencë për shtyp në Komisionin Europian e përcakton dezinformimin si informata të rreme, të pasakta ose mashtruese, të hartuara, të paraqitura dhe të promovuara me qëllim përfitim ose për të shkaktuar qëllimisht dëm publik.

Madeleine De Cock Bunning, drejtuesja e grupit të ekspertëve: “Informata të pasakta, të rreme ose mashtruese, që qëllimisht dhe në mënyrë të gabuar influencojnë individët, si djaloshi dhe gjysha e tij që u mor si shembull, mua, apo vetë gazetarët, është ajo për të cilën flasim sot”.

Komisionerja europiane për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë, Mariya Gabriel ka nënvizuar, se nuk bëhet fjalë për të krijuar një ministri të së vërtetës, as për të favorizuar censurën dhe se nuk do ketë lista të zeza lidhur me këtë çështje.

Mariya Gabriel, komisionere për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë: “Ne flasim për një qasje gjithëpërfhirëse, multidimensionale dhe prej shumë palësh. Në qendër të kësaj qasje nuk ka vend për një instancë që merr rolin e disponuesit të të vërtetës. Ne kemi qenë shumë të qartë që në fillim. Ne nuk duam të krijojmë një ministri të të vërtetës, dhe as të favorizmojë censurën. Por nëse ne favorizojmë bashkëpunimin, koordinimin, transparencën, dhe gjithëprfshirjen mund të arrihen hapa të rëndësishëm në këtë drejtim”.

Madeleine De Cock Bunning, drejtuesja e grupit të ekspertëve: “Nëse shihni në raportin tonë të grupi të ekspertëve, ne nuk sugjerojmë krijimin e listave të zeza. Përkundrazi, për ne është shumë e rëndësishme liria e shypit. Ajo që sugjerojmë është verifikimi i fakteve, por ne e sugjerojmë këtë në një mënyrë shumë të hapur dhe nëse ai bëhet korrektësisht nga disa persona, ai mund të na çojë te rezultati i duhur, pasi nuk ka vetëm një të vërtetë”.

Sipas grupit të lartë të ekspertëve, verifikimi i fakteve duhet të bëhet nga një organizëm i pavarur, por mbetet për t’u përcaktuar organizmi, procesi identifikimit të burimeve të keqinformimit dhe rrjedhojat që lidhen me të. Raporti i grupit të ekspertëve jep 10 rekomandime për një kod të parimeve, që duhet të respektohet nga platformat online dhe mediat sociale për të luftuar dezinformimin. Lidhur me këtë do ketë një komunikim zyrtar të mëtejshëm nga Komisioni Europian në 25 Prill./abcnews.al

fake-news.jpg
G. P.22:45 | 23/01/2018

Për të penguar ndërhyrjet e jashtme në politikën e brendshme, qeveria në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur një strukturë të re, e cila do të ketë si detyrë mbikëqyrjen e komunikimit elektronik për parandalimin e të ashtuquajturave “fake news”.

Qeveria laburiste në Britani ka njoftuar ngritjen e një njësie të posaçme për t’i bërë ballë përhapjes së lajmeve të rreme, të njohura si “fake news”. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i ekzekutivit, sipas të cilit, njësia e re do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Konkretisht, grupi do të përpiqet të frenojë fushatën e dezinformimit që vjen nga vende të tjera, ose subjekte që nuk u intereson stabiliteti i Britanisë.

Sipas “The Guardian”, nisma është promovuar nga ministri i Mbrojtjes, Gavin Williamson, por ende nuk është e qartë strategjia që do të ndiqet për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike. Gazeta thotë se do të jetë pikërisht titullari i dikasterit të Mbrojtjes që do të prezantojë në Parlament metodologjinë e punës së strukturës së re. Ndërkohë, një komision i Dhomave të Parlamentit ka nisur tashmë një hetim mbi ato që konsiderohen “ndërhyrjet e huaja” në politikën e Mbretërisë së Bashkuar./abcnews.al

vlcsnap-error902-1280x720.jpg
us er20:46 | 07/01/2018

Presidenti amerikan, Donald Trump ka komentuar përsëri librin që tregon detaje për jetën e tij në Shtëpinë e Bardhë. “Jam përballur me lajmet false që nga dita e parë që kam njoftuar se do të garoj për presidencën. Tani duhet të përballem me një liber fals, i shkruar nga një autor totalisht të diskredituar. Ronald Reagan ka pasur të njëjtin problem dhe e ka menaxhuar mirë. Këtë do bëj dhe unë!”, shkruan ai në tuiter duke akuzuar përmbajtjen e “Zjarr dhe Tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”. Ndërkohë, duke qëndruar tek libri, militantët e ISIS dhe ata të Al Kaedës kanë publikuar një sajt në internet ku mund të shkarkohet falas ai. Lajmi është konfirmuar nga agjencia që merret me monitorimin e terroristëve në internet./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono