fajdet

APELI-FAJDET-SHKODER.mpg_snapshot_00.39-1280x720.jpg
ent ela16:06 | 03/04/2019

Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë të lirë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, gjashtë nga 12 të atestuarit për fajde. Për të tjerët masa e sigurisë nuk ndryshoi, përveç për Lul Sylen, që u la 60 ditë burg për shkak të gjendjes shëndetësore. Apeli mori në shqyrtim edhe ankimimin e ish Prefektit Radovani, por masat e sigurisë nuk ndryshuan as për atë dhe as për dy djemtë e tij.

Nga operacionet më të bujshme kohët e fundit duket se po rezulton ndryshe. Ndonëse zyrtarisht u prezantua se provat ndaj 12 të arrestuarve për skemën e fajdeve në Shkodër ishin siguruar me vendim gjykate, ka qenë vetë Prokuroria ajo që është tërhequr e para .  Ashtu siç të martën akuza kërkoi zbutje të masës së sigurisë, ketë të mërkure Gjykata e Apelit në Shkodër la të lire me  “detyrim paraqitje” gjashte nga të arrestuarit për fajdet.  Kurse për pesë të tjerët u la masa e sigurie “arrest me burg”, ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Shkallës së parë.

Lulzim Syla, u vendos në masë sigurie 60 ditë burg për arsye shëndetësore. Në dëshmitë e tyre të ndaluarit janë shprehur se paratë ndaj djemve të ish-prefektit janë dhëne si hua por jo si fajde. Shumë nga ata kanë akuzuar ish-prefektin Paulin Radovanin se u kishte ngritur kurth të arrestuarve. Madje në dëshmitë e personave që fituan të drejtën për të lenë qelitë, Radovani paraqitet si personi që ka marrë miliona borxh për dy djemtë e tij, sikurse ka dhen para për të blerë vota.  Arrestimi I 12 personave u bë më 14 Mars.  Policia dhe Prokuroria njoftuan se zbuluan një skemë fajdesh në Shkodër .

23% ishte interesi në javë, nëse nuk ktheheshin lekët grupi i merrte prona dhe makina dhe i kalonin në emër të tyre. Të përfshirë rezultuan ish-kancelarë gjykate, noterë, policë dhe një ish-drejtues i LSI-së tek Patentat në Shkodër.  Gjatë operacionit u sekuestruan makina, prona, armë dhe rreth 500 mijë euro, ndërkohë që u pezullua një polic, noterja dhe një drejtor në bashkinë e Shkodrës. Skema u denoncua nga ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani.

Ndërkohë Apeli la në fuqi të njëjtën masë sigurie që kishte caktuar Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër në datë 26 mars, “’arrest me burg” në mungesë për dy djemtë e ish-prefektit dhe  “detyrim paraqitje” për vetë Radovanin me kushtin që ai të mos largohet jashtë Shqipërisë. Elton dhe Robert Radovani, u vunë në hetim me akuzën për mashtrim, pasi grupi i të arrestuarve për skemën e fajdeve, pretendojnë se kjo histori është e sajuar nga Paulin Radovani.  Por sipas ish-prefektit, autorët kishin dhënë para me fajde ndaj dy djemve te tij dhe disa të tjerë kane luajtur rolin e garantit duke marra para për llogari të dy djemve të Radovani. Dy djemtë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet se ku ndodhen momentalisht.

Detyrim paraqitje

Vinko Nikprelaj 37 vjeç lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër

Eduard Fusha, 38 vjeç nga Shkodra

Naim Ahmetaj  52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë

Elidon Qerimaj, 41 vjeç, nga Shkodra

Marjan Bregu 31 vjeç nga Shkodra

Adri Bala 22 vjeç nga Shkodra

Arrest me burg

Byrhan Alija 61 vjeç nga Shkodra

Edi  Memcaj, 33 vjeç nga Shkodra

Artan Dragani 39 vjeç nga Shkodra

Marjan Bregu 31 vjeç nga Shkodra

Pashko Vuksanlekaj, 54 vjeç nga Shkodra

Lul Sylja, 48 vjeç nga Shkodra – 60 ditë burg

Ilir Sokoli 38 vjeç, banues në Shkodër/abcnews.al

RADOVANI-MASA-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela15:01 | 26/03/2019

Gjykata e Shkodrës dha masën arrest me burg në mungesë për dy djemtë e ish- prefektit Paulin Radovani, ndërkohë për këtë është caktuar masa “detyrim paraqitje, duke i ndaluar dhe largimin jashtë vendit.

Nga denoncues në të akuzuar. Ky është fati i ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani dhe dy djemve të tij. Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg në mungesë për djemtë Elton e Berti Radovani. Kurse për vetë Paulin Radovanin u caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje, e cila do të jetë e vlefshme deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata e Shkodrës e ka ndaluar Radovanin të udhëtojë jashtë shtetit, por dy djemtë e tij janë larguar para se të arrestoheshin 12 persona të akuzuar si pjesëmarrës në një skemë fajdesh.

Kërkesa është bërë nga prokuroria e cila përveç grupit, nisi hetimet kryesisht dhe akuzon familjen Radovani për mashtrim financiar, pavarësisht faktit se në këtë skemë ata janë viktima.

Radovani ishte personi që denoncoi i pari fenomenin. Në Shkodër familjet mund të zgjidhnin problemet financiare duke paguar 20 për qind në javë të shumës së marrë borxh.

Në grupin e fajdexhinjve, rezultojnë të përfshirë notere, avokate dhe një efektiv i policisë.

Operacioni i koduar “Maranaj” u bë në orët e para të mëngjesit, të 14 marsit, kur forcat Speciale nga Tirana  zbarkuan në Shkodër në një aksion blitz dhe 11 persona u vunë në pranga gjatë kontrollit në 22 banesa.

Një tjetër u kap teksa tentoi të arratiset drejt Kosovës

/abcnews.al

 

shkoder-2-1280x702.jpg
ent ela13:00 | 18/03/2019

Hetimet për 12 të arrestuarit e fajdeve ne Shkodër janë shtrirë dhe në Tiranë, ndërsa ka njerëz të tjerë që kanë denoncuar përveç ish-prefektit Radovani. Por avokati i të arrestuarve thotë se nuk ka prova për implikimin e tyre.

12 të arrestuarit e operacionit “Maranaj” ndodhen në qeli me tre akuza të rënda. Hetimet për këtë grup që jepte lekë me fajde, dhe nëse borxhi nuk shlyhej arrinin t’u merrnin pasuri, shtëpia, toka apo biznese, janë shtrirë jo vetëm në qytetin e Shkodrës. Ka dyshime se aktiviteti tyre është zhvilluar dhe ne metropol, apo në qytete të tjera. Sikurse në këtë ngjarje, ish Prefekti Paulin Radovani nuk ishte denoncuesi i vetëm. Por ka dhe të tjerë persona, viktima te këtij aktiviteti kriminal të organizatës, biznesmenë dhe punonjës te administratës .

Megjithatë hetimet e deritashme për avokatin Anton Kosteri nuk kanë afruar prova ligjore. Ai tha gazetarëve e gjitha bëhet për shoë.

Kosteri tha se nuk ka prova që Radovani dhe djemtë e tij janë kërcënuar. Por avokati nuk pranoi të flasë në lidhje nëse klientët e tij kanë pohuar gjatë marrjes në pyetje se i kanë dhënë borxh djemve të ish prefektit Radovani.

12 te arrestuarit në kuadër të operacionit “Maranaj” janë arrestuar nën akuzën e: “ushtrim aktiviteti financiar të paliçensuar”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “mos kallëzim krimi”.  Hetimi ka zgjatur disa muaj dhe se përveç ish prefektit Radovani, ka nisur marrja në pyetje e personave tjerë të cilët dyshohet se kanë marrë lekë me fajde.

Gazetar: Simon Shkreli

Operator: Elton Shllaku

KRONIKE-GRUPI-I-FAJDEVE-MASA-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.38-1280x720.jpg
ent ela21:56 | 16/03/2019

12  personat e arrestuar gjatë operacionit “Maranaj” që zbuloi një skemë fajdesh në Shkodër, do të qendrojnë në qeli. Vendimi është dhënë pasditen e sotme nga gjykata e Shkodrës. Të gjithë i kanë mohuar akuzat në sallën e gjyqit.

Të arrestuarit e operacionit Maranaj në Shkodër hynë njëri pas tjetrit në sallën e gjyqit për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Prokurorja e çështjes Ajola Premçi paraqiti të gjithë provat e siguruara për grupin e skemës së fajdes edhe një audio përgjim nga biseda mes ish-prefektit Paulin Radovani dhe të akuzuarve në lidhje me borxhin.

Të ndaluarit janë shprehur në sallë se audio përgjimi është i montuar. Sipas tyre djemve të ish prefektit u kanë dhënë lekë borxh, pasi kishin marrëdhënie miqësore me të dy.

Më tej ata kanë deklaruar para trupit gjykues se paratë janë dhënë me mendimin se familja Radovani ka biznese dhe lekët do u kthehen.

Të akuzuarit mohojnë që paratë të jenë dhënë me fajde. Pas një seance maratonë në gjykatën e Shkodrës 12 të arrestuarit u lanë në burg.

Ndërsa familjarët e tyre që prisnin jashtë godinës së gjykatës e kanë cilësuar të padrejtë vendimin.

12 personat akuzohen se ushtronin veprimtari të paligjshme të dhënies së parave hua me një përqindje që varionte nga 3-20% siç bën të ditur prokuroria e Shkodrës. Nëse nuk kthehej shuma e huasë brenda një javë, personat e përfshirë në skemë sekuestronin makinat dhe pronat e biznesmenëve që u kishin dhënë para me fajde.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono