Fadil Kasemi

FADIL-KASEMI-GJYQ-1280x720.jpg
G. P.12:41 | 17/01/2019

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Fadil Kasemin. Ai u fajësua për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij gjyqtare në 31 gusht 2017 në Tiranë.

Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi gjykimin e Fadil Kasemit duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm. Kasemi u shpall fajtor për vrasjen e ish-bashkëshorte së tij, Fildes Hafizi, ngjarje e ndodhur në 31 gusht të vitit 2017. Ai qëlloi me armë zjarri gjyqtaren, pak caste pasi ajo kishte hipur në mjetin e saj në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet. Pas krimit ai shkoi drejt komisariati nr.1 përmes një automjeti të rastësishëm, pasi e kërcënoi me armë drejtuesin e tij.

Para shpalljes së vendimit për mbylljen përjetë në qëli, gjykata u njoh të enjten me konkluzionet e mbrojtjes. Përmes avokatit të tij, Kasemi pranoi akuzën e vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, por jo akuzën e “rrëmbimit të personit”.

Kasemi i kërkoi gjykatës të mbante prasysh faktin se kur ndodhi ngjarja e ndjera i kishte kthyer fëmijët kundër, si edhe ishte treguar mosmirenjohëse ndaj tij.

Vendimi i gjykatës miratoi kërkesën e paraqitur nga prokuroria në pretencë, në 27 dhjetor të vitit të kaluar, ku u kërkua dënimi përjetë i tij. Në konkluzionet përfundimtare u përmendën edhe konfliktet e mëparshme mes dy ish-bashkëshortëve, si ai vitit 2015, ku ai kërcënoi me armë gjyqtaren Hafizi në Golem./abcnews.al

FADIL-KASEMI-GJYQ-1280x720.jpg
ent ela10:17 | 27/12/2018

Prokuroria për Krime të rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Fadil Kasemin, i cili akuzohet për vrasjen me dashje të ish-bashkëshortes sëtij, gjyqtares Fildez Hafizi. Në pretencën e paraqitur në përfundim të procesit të gjykimit, prokurori Dritan Prençi kërkoi që i pandehuri Fadil Kasemi ta vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë.

Ndaj 53 vjeçarit Kasemi janë ngritur tri akuza, ‘vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’, ‘rrëmbim e mbajtje peng personi’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Fadil Kasemi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij në zonën e Xhamllikut në Tiranë në 31 gusht 2017. Çifti kishte pasur debate dhe probleme pas divorcit. Kasemi e kishte kërcënuar me armë Fildez Hafizin në prani edhe të dy fëmijëve të tyre./abcnews.al

KRONIKE-RREFEHET-FADIL-KASEMI-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.07-1280x720.jpg
G. P.17:16 | 01/11/2018

Procesi gjyqësor ndaj Fadil Kasemit tek Krimet e Rënda ka vijuar të enjten me pyetjen e të pandehurit. I akuzuari për vrajen e ish-bashkëshortes gjyqtare ka rrëfyer para gjykatës marrëdhënien me ish-gruan dhe konfliktet me të.

Në seanën e së enjtes tek Krimet e Rënda, Fadil Kasemi rrëfeu për gjykatën detaje nga jeta mes tij dhe ish-bashkëshortes gjyqtare, Fildes Hafizi, të cilën e qëlloi për vdekje në 31 gusht 2017. Ndrësa në sallën e gjyqit ndodheshin edhe dy ekspertë mjeko-ligjorë, të cilët do të japin një vlerësim për gjendjen e tij psikike, Kasemi tregoi si ishte njohur me ish-bashkëshorten dhe tensionet që u pasuan me një divorc mes të dyve.

Nga kafazi i qelqtë i pandehuri tha se kishte investuar gjithë jetën për ish-bashkëshorten me të cilën pati dy fëmijë. 53 vjeçari tregoi se pas martesës e ka ndihmuar të punësohet si edukatore e mandej edhe si drejtoreshë dhe se kishte ndihmuar financiarisht edhe prindërit e saj, duke u paguar qiranë për vite të tëra në kryeqytet.

“Përmes një mënyrë të papërshtatshme, u shpreh Kasemi, unë e ndihmova Fildesin edhe të vazhdojë shkollën e Magjistraturës”. Por sipas tij, pas këtij momenti kishin filluar zënka në çiftë. “Ajo më flistë në mënyrë të çuditshme. Më thoshte që nuk i doja fëmijët. Më pyeste ç’ne që nuk ke armë. Pse kaq të urtë jeni ju si vëllezër”, tha Kasemi. Sipas tij situata kishte kulmuar në 13 shkurt 2015, kur ajo nuk kishte pranuar që të dilnin bashkë për të festuar Shën Valentinin, me argumentin se do të festonte me një shoqen e saj.

Pas këtij momenti, me kërkesë të të pandehurit për të rrëfyer katër biseda të bëra mes tyre me detaje tepër intime, seanca vijoi me dyer të mbyllura për publikun. Burime brenda sallës bënë me dije se avokati i Kasemit i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë një riekspertim psikik ndaj klientit të tij për një vlerësim të ri të përgjegjshmërisë mendore të tij./abcnews.al

KASEMI-KLODJAN-TAFA.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
ent ela18:25 | 20/09/2018

Në një seancë të tensionuar, Gjykata për Krimet e Rënda u njoh me dëshminë e shoferit që çoi në polici Fadil Kasemin, pak minuta pasi ai vrau ish-bashkëshorten gjyqtare. Dëshmitari tha se ishte kërcënuar me armë nga Kasemi, por dëshmia u kundështua me forcë nga avokati i të pandehurit.

“Kishte një pistoletë në dorë. Më tha që kishte vrarë gruan dhe nëse nuk e hipja në makinë më vriste edhe mua”. Klodian Tafa e rrefeu në këtë formë momentin kur Fadil Kasemi i kishte dalë para automjetit, pak çaste pasi kishte vrarë ish-bashkëshorten gjyqtare, Fildes Hafizi. Tafa ishte dëshmitari i radhës në gjyqin ndaj Kasemit tek Krimet e Rënda, ku tregoi si e kishte hipur në mjet pas ngjarjes dhe dërguar në Komisariatin nr.1. Në lidhje me këtë episod, prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.

Dëshmitari tha se ishte ndjerë i kërcënuar nga Kasemi për shkak të pistoletës që mbante në dorë ndaj e kishte hipur në makinë.

“Kërkonte të ecja, tha dëshmitari, pasi na ishte vënë pas një motor policie. Kalova kryqëzimin poshtë xhamllikut me semafor të kuq.  Pas kryqëzimit ai hoqi karrikatorin nga pistoleta. Aty u qetësova. Pas disa metrash në drejtim të Brrylit u futa kundravajtje drejt Komisariatit nr.1 dhe pasi mbërrita u futa në oborrin e tij. Fadili zbriti me pistoletën në dorë dhe aty u shoqërua nga disa punonjës policie”.

Seanca u përcoll me tension dhe replika të forta mes dëshmitarit dhe avokatit të Kasemit. Sipas avokatit, dëshmitari nuk tregonte të vertetën, pasi klienti i tij nuk e kishte marrë peng. Avokati kërkoi ballafaqim të dëshmitarit Tafa me tre oficerët e policisë që u përball Kasemi në oborrin e komisariatit nr.1, të cilët dëshmuan në seancat e mëparshme se i pandehuri u kishte thënë “erdha të dorëzohem”.

Kërkesa u pranua nga gjykata, ndërsa ballafaqimi pritet të bëhet në përfundim të pyetjes së gjithë dëshmitarëve. /abcnews.al

FADIL-KASEMI-ABC-1280x720.jpg
G. P.13:13 | 29/07/2018

Fadil Kasemi nuk heq dorë nga përpjekjet për të dalë nga qelia. I akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildes Hafizi në 31 Gusht 2017, Kasemi ka ankimuar në Apelin e Krimeve të Rënda një vendim të ndërmjetëm të trupës që po e gjykon në Shkallën e Parë.

Përmes ankimit, ai kundërshton vendimmarrjen e datës 13 Korrik 2018, që rrëzoi pretendimin e tij për humbje të fuqisë të masës “arrest në burg” dhe urdhërimin e lirimit. Përmes avokatit, Fadil Kasemi ka pretenduar se pas kalimit të dosjes së tij për kompetencë nga Gjykata e Tiranës tek Krimet e Rënda, kjo gjykatë duhet të rivlerësonte masën e sigurisë.

Sipas tij, në kushtet kur nuk është bërë rivlerësim, masa ka rënë. Kasemi po gjykohet në një proces të zakonshëm tek Krimet e Rënda. Ai nuk mundi të fitojë as gjykim të shkurtuar, pasi ndryshimet ligjore të fundit, përjashtuan të akuzuarit për krime në familje nga kjo e drejtë./abcnews.al

FADIL-KASEMI-ABC-1280x720.jpg
G. P.16:48 | 19/07/2018

Rrahja e avokatit Ilia Ilia nga dy persona në Durrës u bë shkak për dështimin e një seance gjyqësore tek Krimet e Rënda në kryeqytet. Seanca e shtyrë i përkiste të pandehurit Fadil Kasemi, të akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, gjyqtares Fildes Hafi

Në këtë gjykim, ai mbrohet nga avokati Ilia Ilia. Trupi gjykues konstatoi mungesën e avokatit në sallën e gjyqit, por edhe mungesën e një argumenti. Nga persona të pranishëm në sallën e gjyqit, është pohuar edhe fakti i mësuar botërisht për pamundësinë e paraqitjes së avokatit Ilia për shkak të lëndimeve të marra në episodin e dhunshëm në Durrës./abcnews.al

FADIL-KASEMI-ABC-1280x720.jpg
G. P.14:02 | 13/07/2018

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk pranoi kërkesën e Fadil Kasemit për gjykim të shkurtuar si dhe kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Kasemi,  i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildeze Hafizi, kërkoi gjykim të shkurtuar për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë.

Pas gati një vit sorrollatjesh për gjykatën së cilës i takon komptenca e shqyrtimit të dosjes, në gjykatën e Krimeve të Rënda nisi sot procesi gjyqësor ndaj Kasemit.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi një vit më parë në zonën e Xhamllikut  në Tiranë. Fadil Kasemi qëlloi dy herë me armë në makinën e saj ish-bashkëshorten Fildez Hafizi, me të cilën ishte divorcuar disa kohë më parë./abcnews.al

FADIL-KASEMI-GJYQ-1280x720.jpg
G. P.14:56 | 11/06/2018

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranëdo të gjykojë dosjen në ngarkim të Fadil Kasemit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Fildez Hafizi, në fund të Gushtit të kaluar. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila përcaktoi këtë shkallë për gjykim lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës për dosjen e të pandehurit Kasemi.

Gjykata e Tiranës pati dërguar në Gjykatën e Lartë për interpretim të kompetencës për këtë dosje, pasi më herët, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte shpallur moskompetencë për shqyrtimin çështjes. Kërkesa ishte motivuar me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 16 Mars 2018, sipas të cilit Krimet e Rënda janë kompetente vetëm për gjykimin e veprave penale nën juridiksionin e SPAK.

Por më pas një tjetër vendim i Gjykatës së Lartë këtë dosje ia kalonte Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe jo asaj të Tiranës. Në kushtet e këtij ngërçi mes institucioneve të sistemit të drejtësisë, teksa çështja pritet të nisë shqyrtimin në themel, Gjykata e Tiranës zgjodhi të mos shpallë jokompetencën për çështjen, por të kërkojë interpretim të kompetencës nga Gjykata e Lartë.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja i kalon Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Fadil Kasemi akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe po gjykohet nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Nëse deklarohet fajtor ai rrezikon dënim nga 20 vite heqje lirie deri në burgim të përjetshëm./abcnews.al

fadil-kasemi.jpg
G. P.13:21 | 30/05/2018

Gjykata e Tiranës dërgon në Gjykatën e Lartë për interpretim të kompetencës dosjen në ngarkim të Fadil Kasemit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Fildez Hafizi në fund të gushtit të kaluar. Më herët, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte shpallur moskompetencë për shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe e kishte kaluar dosjen në Gjykaten e  Shkallës së Parë Tiranë.

Kërkesa ishte motivuar me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 16 Mars 2018, sipas të cilit, Krimet e Rënda janë kompetentë vetëm për gjykimin e veprave penale nën juridiksionin e SPAK. Por më pas, një tjetër vendim i Gjykatës së Lartë këtë dosje ia kalonte Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe jo asaj të Tiranës.

Në kushtet e këtij ping-pongu mes institucioneve të sistemit të drejtësise, teksa çështja pritet të nisë shqyrtimin në themel, Gjykata e Tiranës zgjodhi të mos shpallë jokompetencën për çështjen, por të kërkojë interpretim të kompetencës nga Gjykata e Lartë.

Fadil Kasemi akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe po gjykohet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.  Nëse deklarohet fajtor ai rrezikon dënim nga 20 vite heqje lirie deri në burgim të përjetshëm./abcnews.al

FADIL-KASEMI-GJYQ-1280x720.jpg
G. P.15:31 | 16/05/2018

Gjykata e Tiranës vendosi të shtyjë për në 30 Maj seancën e parë gjyqësore në ngarkim të Fadil Kasemit. Ai akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes gjyqtare, Fildes Hafizi, në 31 Gusht të vitit të kaluar.

Shkak i dështimit të seancës u bë mungesa e avokatit të Kasemit, Ilia Ilia, cili nuk kishte paraqitur asnjë shkak për mospraninë e tij. Ndërkohë në sallë ishte një përfaqësuese ligjore e viktimave të këtij krimi, fëmijëve të mitur dhe prindërve të gjyqtares, e cila kërkoi një proces me dyer të mbyllura.

Dosja penale në ngarkim të Kasemit mbërriti në Gjykatën e Tiranës pas shpalljes së moskompetencës nga Gjykata për Krimet e Rënda për shkak të ndryshimeve ligjore të Kodit të Procedurës Penale./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono