Europol

europol-ndertesa-1280x960.jpg
nev ila16:56 | 03/10/2019

Në ambientet e Europol-it në Hagë, Holandë u zhvillua Konventa e Drejtorëve të Policive Europiane për vitin 2019, e organizuar nga Europol-i dhe Presidenca Finlandeze e Këshillit të Bashkimit Europian.

Në fokus të konventës ishin lufta ndaj krimit të organizuar, ndikimet e tij në shoqëri dhe roli i Europol-it si një platformë e Policimit Europian, evoluimi i krimit dhe bashkimi i forcave në luftën ndaj tij, si dhe domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit policor europian.

Gjatë konventës, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu mori pjesë në takimin e Drejtorëve të Policisë në Forumin e Salzburgut, si dhe zhvilloi disa takime bilaterale me delegacionin e policisë spanjolle, me delegacionin e xhandarmërisë holandeze dhe me delegacionin e policisë holandeze.

Takimi i Drejtoreve të Policisë në Forumin e Salzburgut u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar për Sigurinë Publike në Austri z. Franz LANG, Kryetari i Sekretariatit të PCC SEE-së Z. Ottavio Bottecchia dhe Miqtë e Forumit të Salzburgut nga Ballkani Perëndimor dhe Moldavia.

Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e implementimit të teknologjisë bashkëkohore në fushën e IT dhe investimet në këtë drejtim, me qëllim ndjekjen dhe arrestimin sa më të shpejtë të personave të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilët cënojnë sigurinë publike në vendet e përfshira në këtë forum.

Drejtori i Përgjithshëm Veliu zhvilloi një bisedë miqësore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Spanjolle Z. Francisco Pardo Piqueras, Shefi i delegacionit.

Veliu dhe Piqueras diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, emigracionin e paligjshëm dhe terrorizmin.

Në takimin mes Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu dhe Gjeneralit të Xhandarmërisë Holandeze z. Marinus Hendrickx, u theksua rëndësia e koordinimit të përpjekjeve te përbashkëta në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm.

Në këtë kuadër, u ra dakord për një takim të ekspertëve të dy agjencive, për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm.

Gjenerali Holandez z. Marinus Hendrickx shprehu falënderimet e tij për punën e përkushtuar të Policisë së Shtetit, për parandalimin e emigrimit të paligjshëm.

Po gjatë Konventës, drejtor Veliu u takua dhe bisedoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Holandeze Z. Erik Akkerboom.

Gjatë bisedës, të dy drejtorët vlerësuan marrëdhëniet mjaft të mira mes dy policive dhe theksuan se është i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy policive në luftën ndaj grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe Holandë.

Për këtë u ra dakord që të zhvillohet një takim ndërmjet ekspertëve të dy policive për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Z. Erik Akkerboom ka pranuar me kënaqësi ftesën e bwrë nga Drejtor Veliu për të vizituar Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, po në kuadrin e takimeve bilaterale Veliu u takua edhe me znj. Jurgita Peciuriene, Drejtuese e Insitutit për Barazinë Gjinore Europiane EGE.

Gjatë takimit u diskutua mbi rolin dhe pjesëmarrjen e grave në Policitë Europiane./abcnews.al

lleshaj-1.jpg
Sej rie11:00 | 12/07/2019
FRONTEX dhe EUROPOL ofrojnë më shumë siguri për vendin tonë dhe integrim për Policinë e Shtetit në strukturat evropiane. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm Sander Lleshaj gjatë inaugurimit të pikës së re kufitare në Han të Hotit.

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në përurimin e ambienteve të reja të stacionit të Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit:

I nderuar z. Prefekt i Qarkut Shkodër,
Z. Ambasador i Shqipërisë në Malin e Zi,
Z. Drejtor i Përgjithshëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, më shumë për të dhënë një mesazh që ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë.

Qeveria shqiptare është e angazhuar që portat e hyrjes së Shqipërisë të jenë moderne, dinjitoze dhe funksionale, të lira për kalim të rregullt dhe të jenë të pakalueshëm për kalimin e parregullt.

Gati një vit më parë, këtu në Han të Hotit janë inauguruar ambientet e reja të Doganës dhe të Pikës së Kalimit Kufitar, në kuadër të programit IPA 2012, me një investim të BE në vlerën e 2.5 milionë eurove. Dhe sot ne bëjmë një fazë tjetër, inaugurojmë stacionin e Policisë Kufitare këtu në Hanin e Hotit dhe e kompletojmë këtë pikë dhe këtë nyje shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Është e rëndësishme që të themi që kompletim, do të thotë kompletim në infrastrukturë, ndërkohë që ajo që pason dhe ajo që ka vlerën më të madhe, është kompletimi me një shërbim cilësor, dinjitoz, profesional dhe të besueshëm. Dhe këtu është përgjegjësia dhe detyra e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, që nga qendra deri këtu, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen jo vetëm mjedise moderne, por edhe një shërbim po aq modern, po aq i besueshëm dhe po aq profesional.

Ambientet e reja do t’u japin mundësi agjencive ligjzbatuese që të kryejnë edhe më lehtë dhe me efikasitet të lartë menaxhimin të kufirit. Realizimi i këtij investimi vlen 45 milionë lekë, siç u përmend edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, krijon kushte pra për ta përmirësuar nivelin dhe cilësinë e shërbimit tonë. Të gjitha këto investimeve në fakt kanë edhe një impakt të rëndësishëm mbi turizmin në vend. Turizëm, i cili po zhvillohet me një ritëm të kënaqshme dhe duke marrë në konsideratë klimën jo krejt të favorshme që kemi pasur gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Megjithatë duhet thënë që fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe ne kemi një rritje pothuajse 10% në krahasim me vitin e kaluar të fluksit turistik në pikat tona të kalimit kufitar. Gjë që tregon për një tendencë të shëndetshme, në rritje, edhe një influencim minimal nga problematika e brendshme që ka njohur vendi gjatë kësaj periudhe.

Sigurisht që pika e Hanit të Hotit është vetëm njëra nga pikat kufitare, është vetëm një model, i cili do të duhet të vazhdoje më të njëjtën frymë, me të njëjtin intensitet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, me qëllim që të arrijmë që pikat e kalimit kufitar t’i përshtatim me kushtet e reja.

Është ende problematike gjendja për arsye se disa të vendit ende kemi infrastrukturën e fundit të viteve ’80, në kuptimin e volumit, të përmasave, të kapaciteteve të përpunimit.

Ndërkohë që flukset e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, krahasuar me këto vite kur ato janë ndërtuar, është rritur shumë e shumë herë dhe me qëllim që ne t’i përballojmë dhe menaxhojmë më mirë këto flukse turistike apo flukset e lëvizjes në kufijtë tanë, ne duhet ti përgjigjemi me investime të shtuara dhe Qeveria shqiptare është e angazhuar në kuadër të një programi të qartë për t’i modernizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar si këto me Malin e Zi që pothuajse janë kompletuar tashmë, por dhe në pika të tjera që kemi, kryesisht me Maqedoninë e Veriut dhe me Greqinë, të cilat kanë nevojë dhe do të përfshihen së shpejti në një program investimesh dhe modernizimesh.

Përveç investimit në infrastrukturë e rëndësishme është investimi në përmirësimin e procedurave dhe lehtësimin e kalimit në pikat kufitare, me qëllim që flukset të mos bllokohen, koha e pritjes të shkurtohet, por në të njëjtën kohë siguria të mos komprometohet.

Ne kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm me Republikën e Kosovës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku aplikimi i kontrollit të përbashkët i një kontrolli, ka bërë që koha e pritjes të ulet me 50 %.

Sigurisht kjo është një arritje e jashtëzakonshme, në qoftë se kemi parasysh se për çfarë kohësh pritje kemi njohur në të kaluarën tonë të afërt, por qëllimi ynë është që të vijë duke u reduktuar edhe më shumë për të arritur drejt atij destinacioni final që ne kemi për ta bërë zero kohën e pritjes në kufijtë tanë me të gjitha vendet me të cilat kufizohemi dhe që të ndodhi kjo, do të na duhet që të rrisim shumë profesionalizmin oe punonjësve të Policisë kufitare, të cilët duhet të shndërrohen në një model profesionalizmi, integriteti për të gjithë Policinë e Shtetit dihet që në pikat e kufirit ne prezantojmë Shqipërinë.

Pikat tona të kalimit janë portat e Shqipërisë, por ju jeni njerëzit e parë të Shqipërisë me të cilët ballafaqohet çdo vizitor i këtij vendi dhe kryesisht ju e dini që vizitohet nga turistë, apo janë dhe qytetarë të tjerë që lëvizin nëpër pikat tona të kufirit.

E rëndësishme është që në t’i përgjigjemi me një nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe integriteti.

Janë dy kritere të cilat janë të pashmangshme, që duhet të karakterizojnë çdo punonjës të Policisë së Shtetit të tërësi, por sidomos punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët duhet të jenë në lartësinë e këtij misioni shumë të rëndësishëm.

Duhet nivel i lartë profesional dhe për të cilin masat janë marrë dhe do të merren, duhet integritet i lartë profesional dhe moral dhe për këtë masat janë marrë dhe do të merren, besoj jeni në dijeni që dhe procesi i vettingut do t’i shërbejë këtij procesi dhe duhen kapacitete të mirëfillta të veçanta sa i përket aftësive të komunikimit, sidomos komunikimit në gjuhë të huaj, në gjuhën angleze, për arsye se ju jeni të parët shqiptarë me të cilët ballafaqohet çdo turist dhe çdo vizitor që i drejtohet Shqipërisë.

Është me rëndësi të them edhe faktin që në këtë proces shumë të rëndësishëm modernizimi, ne nuk jemi vetëm, por jemi në një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë kryesisht me ata europianë, është me rëndësi të ritheksojmë dhe vlerësojmë faktin që fillimi i operacionit të përbashkët për kontrollin dhe menaxhimin e kufijve të Shqipërisë në bashkëpunim me FRONTEX si operacioni i parë që kjo agjenci e Bashkimit Europian kryen jashtë BE-së, është një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur nivelin e bashkëpunimit, nivelin e shkëmbimit të informacionit dhe të përvojës për krijimin e besimit të domosdoshëm që ne duhet të kemi me partnerët tanë europianë dhe është po ashtu një hap mjaft i rëndësishëm në drejtim të integrimit real të vendit tonë në strukturat e BE.

Unë jam i ndërgjegjshëm që skeptikët nuk lodhen kurrë së dyshuari edhe së shprehuri negativisht edhe atëherë kur duhet të shprehen pozitivisht.

Kam ndjekur këto ditë, me një farë keqardhje disa njoftime, të cilat e përkthejnë ardhjen e agjencive europiane në Shqipëri, si shenjë dyshimi ndaj Shqipërisë, ndërkohë që është e shpallur botërisht nga vetë BE, edhe nga ne, që ardhja e tyre në Shqipëri është shenjë besimi, shenjë e një hapi të rëndësishëm integrimi të Shqipërisë drejt strukturave të BE, dhe dje patëm mundësinë, që pas FRONTEX të hapim edhe zyrën e EUROPOl, si të thuash të kompletojmë praninë europiane në Shqipëri sa i përket institucioneve të sigurisë publike dhe policisë; dhe ky është një lajm jashtëzakonisht i madh, i cili duhet të na bëjë krenarë që ne tashmë “de facto” jemi të ndërlidhur ngushtësisht me strukturat europiane përgjegjëse për sigurinë.

Jemi në pararojë të institucioneve të tjera shqiptare sa i përket kësaj ndërthurjeje dhe këtij integrimi, i cili do të sjellë rezultate të jashtëzakonshme.

Megjithatë dua të them, duke e mbyllur, sfida jonë në fushën e menaxhimit të kufijve rritet përditë e më shumë për arsye se për fat të mirë, flukset e lëvizjeve drejt Shqipërisë rriten në mënyrë eksponenciale.

Nëqoftëse në vitin 2009 në kufijtë e Shqipërisë lëviznin gjithsej 9 milionë qytetarë, në vitin 2018 lëvizën 23 milionë dhe siç ju thashë, në vitin 2019 deri tani ne kemi një rritje 10% në krahasim me vitin 2018 të këtij fluksi, dhe tendenca është përsëri në rritje.

Do të thotë që volumet e punës do të shtohen, sfida do të shtohet dhe e vetmja mënyrë për t’ju përgjigjur kësaj sfide është angazhim serioz i gjithë strukturave të policisë për ta përballuar me dinjitet dhe me profesionalizëm këtë shërbim të lartë që ju bëjmë qytetarëve tanë dhe që u bëjmë të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë.

Unë ju falënderoj, ju uroj që ta gëzoni këtë stacion të ri të policisë këtu dhe të vijoni të përmbushni me sukses dhe përgjegjësi detyrën tuaj të lartë.

Faleminderit!

policia-veliu-1280x624.jpg
ent ela11:30 | 11/07/2019

Në ceremoninë e përurimit të Zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu theksoi se pa bashkëpunim nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere  për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët.

Krimi i organizuar është i ndërlikuar, i shtrirë në hapësirë dhe s’njeh kufij, ngjyrë apo kombësi dhe për këtë, bashkëpunimi është domosdoshmëri për të përmbushur detyrën më kryesore, krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, biznesin dhe turistë.

Policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë, nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe dhe agjencive ligjzbatuese partnere”. /abcnews.al

policia-1.jpg
G. P.19:14 | 09/07/2019

Europol në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka kryer një operacion ndërkombëtar për falsifikimin e ilaçeve sportive. Nga operacioni I koduar “Viribus”, u goditën 17 grupe kriminale, ndërsa u arrestuan 234 persona.

Gjithashtu, u sekuestruan rreth 3.8 milion substanca dopingu, Specialistët e antidrogës në Shqipëri sekuestruan 175 kg morfinë, ekstazi dhe metadon. Në kuadër të këtij operacioni 9 laboratore nëntokësore u mbyllën në vendet e Europës, duke konfiskuar 24 ton pluhur steroid të papërpunuar.

Operacioni “Viribus” u përqendrua në kontrollet e Dopingut gjatë ndeshjeve sportive, ku në disa vende, pjesë të Europol u kryen 1357 teste gjaku dhe urine. Operacioni u shtri në 33 shtete dhe 1000 persona u hetuan nga policitë e vendeve përkatëse./ABC News Albania 24/7

sander-lleshaj.jpg
nev ila19:10 | 26/06/2019

Kreu i nje grupi kriminal i cili dyshohet se ka trafikuar ne disa vende te europes mbi 1.5 ton kokainë është vënë në pranga.  51 vjecari Astrit Beqiri, banues në Shkodër është arrestuar nga policia vendore, e mbështetur nga forca policore të Tiranës e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Aksioni ishte pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga EUROPOL, i shtrirë në Danimarkë, vendi iniciues, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni e Shqipëri.

Pas ketij operacioni ka reaguar Ministri i Brendshem Sandër Lleshaj. Lleshaj përmes një statusi në rrjetet sociale ka shkruar se pjesë e goditjes së këtij operacioni janë shumë pjestarë të krimit të organizuar.

“Goldfinger”, operacioni i koordinuar nga EUROPOL, ku merr pjesë Policia dhe Prokuroria Shqiptare, godet fort në Europë dhe në Shqipëri. Pjesë e goditjes janë shumë pjestarë të krimit të organizuar dhe sasi të mëdha asetesh kriminale. Kjo goditje e radhës provon pjekurinë, motivimin, besueshmërinë dhe profesionalizmim e lartë të organeve tona ligjzbatuese“, shkruan Lleshaj./abcnews.al

goldginger-1280x755.jpg
nev ila17:05 | 26/06/2019

Një 51 vjeçar me inicialet A.B. banues në Shkodër është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia vendore, e mbështetur nga forca policore të Tiranës e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Aksioni ishte pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga EUROPOL, i shtrirë në Danimarkë, vendi iniciues, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni e Shqipëri.

51 vjecari i arrestuar në Shkodër, sipas njoftimit të policisë, ka rol aktiv si kryetar i grupit kriminal. Ai akuzohet për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po sipas njoftimit të policisë, një tjetër person është shpallur në kërkim, por gjeneralitetet nuk jepen për arsye hetimi.

Gjatë operacionit në Shqipëri janë sekuestruar rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro. Grupi kriminal kishte aktivitet në gjashtë shtete në fushën e trafikimit e shpërndarjes së kokainës, heroinës etj.

Si rezultat i operacionit të realizuar njëkohësisht në gjashtë shtete,  u arrestuan mbi 42 persona, u sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan dhjetëra ambient, u sekuestruan 600 mijë euro, armë zjarri, granata, disa automjete e objekte të ndryshme. Po sipas njoftimit të policisë është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë e heroinë brenda vendeve të BE. Në Shqipëri është regjistruar procedim penal në vitin 2019./ABC News Albania 24/7

 

europoli-60-arrestime.jpg
G. P.11:22 | 09/04/2019

Prokuroria belge ka mbajtur në arrest 15 nga 55 personat e ndaluar të premten. Aksioni anti-drogë është përshkruar si goditje “kundër mafies shqiptare në Evropë”. Europoli njofton për arrestimin e 60 personave.

Në kumtesën e Europolit thuhet se në “aksion kanë marrë pjesë 650 policë në Belgjikë, Holandë, Francë, Itali dhe Mbretëri të Bashkuar, të cilët kanë bastisur disa adresa në koordinim me autoritetet në Serbi”. Në pyetjen nëse aksioni është bërë në koordinim edhe me autoritetet në vendet tjera të Ballkanit, zëdhënësi i Europolit Jan Op Gen Oorth ka thënë se organizata “ka përkrahur qarkullimin e informacionit në mes të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera me të cilat rrjeti ka pasur kontakte duke përfshi edhe ato në Ballkanin Perëndimorë”.

Tregu i kanabisit dhe sasitë e kapura

Zëdhënësi ka refuzuar që të zbulojë nacionalitetin e të arrestuarve duke i përmbledhur të gjithë në “mafia shqipfolëse”. Gjithsej janë zbuluar 17 plantazhe të kanabisit dhe policia ka konfiskuar 8.000 rrënjë të bimës, 200 gramë kokainë, kompjuterë, telefon, dokumente, kesh dhe gjashtë vetura luksi. Sipas Qendrës evropiane për monitorim të drogave dhe varësisë nga drogat, në vit bëhen rreth 22 mijë aksione të konfiskimit të rrënjëve të kanabisit me mbi 10 milionë bimë të konfiskuara. Këto rezultate kanë kulmuar në vitin 2015 kur janë konfiskuar 11.5 milionë bimë. Tregu i kanabisit përbënë 38 për qind të tregut të përgjithshëm të drogave të jashtë ligjshme, me vlerë prej rreth 9.3 miliardë Euro. Një pjesë e madhe e këtij kanabisi prodhohet në ambiente të mbyllura brenda BE-së përderisa importet më të mëdha vinë nga Maroku dhe Libia. Një pjesë të kanabisit vjen nga Ballkani Perëndimorë prej vendeve si Serbia, Kosova, dhe Shqipëria. Sa i përket prodhimit brenda BE-së grupet e organizuara kriminele holandeze përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit, thuhet në raport. Krahasuar me të dhënat e përgjithshme sasia e konfiskuar e kanabisit në këtë aksion nga “mafia shqiptare” përbënë më pak se 0.1 për qind të sasisë së përgjithshme të konfiskuar në BE gjatë një viti.

Pse u liruan shumë të arrestuar?

Sa i përket këtij rasti nga 55 arrestimet 15 janë ndaluar në polici për t’u hetuar për qëndrim ilegal në vend, transmetojnë mediat lokale pohimet e prokurorisë belge. Mbetet e paqartë pse shumica e të arrestuarve janë liruar dhe nëse kundër tyre janë ngritur akuza për tu lënë të mbrohen në liri. Europol ka kumtuar se “hetimi ka pasur për cak organizatat kriminele të përfshira në shumë aktivitete, duke përfshi trafikimin e kanabisit në sasi të mëdha, trafikimin e kokainës, prostitucionin, trafikimin me qenia njerzore dhe pastrimin e parave” ka thënë një zëdhënës i prokurorisë për mediat lokale belge.

Prokurori belg Christian Henry nga Tournai-Mons, i ka thënë gazetës lokale De Standaard se grupi ka pasur lidhje me gra bullgare të vendosura në qytetin Einthoven të cilat janë transferuar në plantazhe që të vjelin kanabisin sipas nevojës.

I tërë aksioni është pjesë i një projekti të financuar nga Komisioni Evropian të quajtur: Direzione Investigativa Antimafia Project ONNET, që ka për qëllim ndjekjen e grupeve mafioze në Evropë. Projekti ka filluar në nëntor 2018 dhe përbëhet nga 6 vende anëtare të BE-së, Italisë, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Europolit. Projekti ONNET i ka cak grupet mafioze si tërësi e jo ndjekjen e tyre për aktivitete të caktuara. Grupet kryesore cak i projektit janë grupet mafioze italiane, rrjetet euro aziatike dhe shqiptare të mafies si dhe bandat jashtëligjore të motoristëve./Deutschewelle

Europoli1-675x450.jpg
ent ela18:00 | 05/04/2019

Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar shqiptar është zhvilluar në ditët e fundit në mbarë Evropën. Në pranga kanë përfunduar 64 shtetas shqiptarë të akuzuar për krime të rënda si trafik droge, qeniesh njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.

Të paktën 64 anëtarë të një rrjeti shqiptar të krimit të organizuar janë arrestuar në ditët e fundit në një super-operacion të zhvilluar në 4 shtete të ndryshme të Evropës. Operacioni, i menaxhuar nga agjencia policore evropiane Europol, është ekzekutuar njëkohësisht në Belgjikë, Francë, Holandë dhe Itali, mes datave 3 dhe 5 Prill.

Në aksion u përfshinë 600 oficerë të agjencive ligjzbatuese. Të arrestuarit dyshohen për prodhim dhe trafikim të drogës, si dhe për lidhje me rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzimit të prostitucionit dhe pastrim parash. Operacioni i ekzekutuar në ditët e fundit ka ardhur pas një hetimi kompleks mbi aktivitetet e këtij grupi kriminal, që vepronte gjithashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dyshuarit mendohet se kanë menaxhuar plantacione me lëndë narkotike të llojit kanabis, të cilën e kanë shpërndarë në Belgjikë dhe në veri të Francës. Gjithashtu, disa prej tyre janë përfshirë në futjen e paligjshme të emigrantëve në territorin francez. Nga 64 të dyshuarit, 55 prej tyre janë arrestuar në Belgjikë, 7 të tjerë në Holandë dhe 2 në Francë.

Operacioni është drejtuar nga Policia Federale Belge, e cila për çmontimin e grupit ka bashkëpunuar me xhandarmërinë franceze, policinë holandeze, Drejtorinë Hetimore të Antimafias në Itali dhe Policinë Metropolitane britanike. Ndërsa Europol ka mbështetur hetimet duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit mes agjencive policore. Në ditët e aksionit, 6 ekspertë të Europol u vendosën në Belgjikë, Francë dhe Holandë për të mundësuar shkëmbimin e të dhënave në kohë reale. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 14 telefonë celularë./abcnews.al

EUROPOL-OPERACIONI-BALLKAN-1280x720.jpg
ent ela20:14 | 17/09/2018

Europol në bashkëpunim me autoritetet nga Ballkani Perëndimor kanë zhvilluar një aksion të gjerë kundër krimit në rajon. Raportohet se janë arrestuar 148 persona, mes tyre dhe shqiptarë. Ata akuzohen për trafik droge, armësh dhe emigrantësh.

Europol ka publikuar detajet e një operacioni të gjerë që zhvilloi nga data 5 deri me 9 shtator në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mësohet se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 148 persona, mes tyre dhe shqiptarë. Europol raporton se rreth gjysëm milionë persona dhe automjete janë kontrolluar javën e kaluar gjatë Ditëve të Përbashkëta të Veprimit në luftën kundër krimit në këtë rajon. Për 4 ditë, 8300 oficerë nga 28 shtete të ndryshme dhe nga Frontex dhe INTERPOL, zbritën në terren për të luftuar kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe drogës, lehtësimit të emigracionit illegal dhe mashtrimin me dokumente.

Gjatë këtij operacioni të gjerë, ku mori pjesë edhe policia shqiptare, e sekuestruan 159 armë zjarri, eksplozivë dhe 1462 lloje të tjera municionesh si dhe 286 kilogram drogës e llojeve të mndryshme. Mësohet se 13 persona janë arrestuar për trafikim emigrantësh, 71 emigrantë të paligjshëm, 36 trafikantë droge, 8 trafikues armësh, 16 mashtrues me dokumentet dhe 4 persona për krime të tjera.

Ndërkohë, përgatitjet për këtë operacion nisën në fillim të 2018-s. Gjatë kësaj periudhe vendet e përfshira kanë shkëmbyer informacione dhe kanë zhvilluar mbledhje sa i përket të dyshuarve. Gjatë kësaj faze mësohet se 32 persona janë arrestuar, 102 armë janë sekuestruar gjatë kontrolleve në 60 banesa. /abcnews.al

 

marijuana.jpg
G. P.18:30 | 27/03/2018

Finalizimi i operacionit “Carambolas”, i realizuar nga Garda Civile spanjolle dhe Shërbimi Hetimor i Doganës gjermane, ka çuar në pranga 18 persona dhe në procedimin e 9 të tjerëve.

Operacioni, i mbështetur nga Europol, ka çmontuar një grup kriminal të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera të paligjshme në mbarë BE-në. Gjithashtu, në kuadër të tij janë sekuestruar 1 ton marijuanë, 212 mijë euro para të thata, armë zjarri, municione dhe 8 automjete. Grupi kriminal trafikonte marijuanë nga Spanja drejt vendeve të tjera të BE-së, kryesisht në Gjermani, përmes një rrjeti celulash të vendosura në lokalitetet Malaga dhe Granada të Spanjës, që vepronin në bazë të urdhërave që vinin nga qyteti i Bremenit.

Rrjeti kriminal ishte i strukturuar në mënyrë të tillë që nëse një prej celulave të tij zbulohej nga policia ai sërish do të mund të vazhdonte furnizimin e tregjeve me drogë. Hetimi filloi qershorin e kaluar, pasi një shtetas gjerman, pjesëtar i grupit kriminal, u zbulua teksa blinte një sasi të konsiderueshme marijuane në jug të Spanjës. Faza e parë e operacionit ishte fokusuar në neutralizimin e dy fabrikave të marijuanës të zbuluara në jug të vendit iberik, ku u sekuestruan 100 kg marijuanë dhe 172 mijë euro para të thata. Asokohe, disa oficerë të Gardës Civile mbetën të plagosur teksa arrestonin të dyshuarit.

Anëtarët e grupit kriminal që kanë rënë tashmë në pranga dhe janë marrë në pyetje nga policia janë shtetas nga 8 vende të ndryshme si Kroacia, Gjermania, Spanja, Shqipëria, Armenia, Serbia, Siria dhe Turqia. Gjatë gjithë procesit hetimor, Europol ka mbështetur agjencitë policore me informacione dhe një sërë kontrollesh./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono