Europe

virgil-van-dijk-liverpool-1280x720.jpg
nev ila12:49 | 30/08/2019

Virgil Van Dajk është lojtari numër 1 i Europës për vitin e fundit. Ylli i Liverpulit u shpall fitues nga UEFA, duke mundur legjendat Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo.

Fitoi Championsin dhe ishte mbrojtësi më i mirë i kontinentit.

Nuk kishte ndodhur kurrë që një lojtar i prapavijës të shpallej lojtari numër 1 i Europës nga UEFA, por ja që Virgil Van Dajku ia doli dhe e meritoi plotësisht.

Një lider tek Liverpuli, holandezi ishte i jashtëzakonshëm për cilësitë e tij teknike, inteligjencën dhe aftësinë për të lexuar lojën e për të udhëhequr shokët.

U eleminua në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve me Holandën, por kjo ishte një humbje ekipore, jo individuale, ndërsa për 50 ndeshje  asnjë sulmues në Premier Ligë nuk mundi ta driblonte.

Ky ishte profili i Van Dajkut, “tulipanit” të “Anfildit”, që u vlerësua nga UEFA si Lojtari i Vitit në Europë.

Saktësisht, lojtari i sezonit 2018-2019, edicion në të cilin për vetëm 1 pikë nuk u shpall kampion i Anglisë.

Ai fitoi edhe çmimin e Mbrojtësit të Vitit po nga UEFA, ndërsa në votimin kryesor la pas Mesin e Ronaldon, duke marrë tri herë më shumë vota sesa superylli portugez I Juventusit.

Van Dajku la pas dy legjendat e 15 viteve të fundit, pikërisht Mesin e Ronaldon, diçka e jashtëzakonshme.

Çmimi nisi në 2011, kur fitues u shpall Lionel Mesi.

Argjentinasi është dy herë më i miri, ndërsa rekordin e mban Kristiano Ronaldo me 3 tituj.

Mesi u shpal sulmuesi më i mirë i Europës dhe i Championsit për edicionin e shkuar, pasi fitoi Këpucën e Artë tek të dyja, ndërsa portieri më i mirë ishte Alison i Liverpulit./ABC News Albania 24/7

SPORT-MOMENTI-I-ENDRI-CEKICIT-M1T1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela13:10 | 21/08/2019

Endri Çekiçi mund të quhet lojtari më i mirë shqiptar në Europë, në këtë fillim edicioni. Ai ka shënuar 3 gola dhe synon titullin kampion në Slloveni.

Sezonin e kaluar e mbylli në mënyrën më të mirë. Gjashtë gola në më pak se 5 muaj ishin karta e identitetit të Endri Çekiçit në skuadrën e tij të re në Slloveni, dhe kjo nuk ndryshoi as këtë edicion të ri.

Lojtari ofensiv shqiptar, në moshën 22-vjeçare, po tregon se ka arritur pjekurinë dhe përshtatjen e duhur tek Olimpija e Ljubljanës, duke qenë tepër i rëndësishëm që në muajin e parë.

Pogradecari ka realizuar dy herë në gjashtë ndeshje të Ligës së Parë të Sllovenisë, edhe pse nuk është një sulmues tipik, por luan pas sulmuesve kryesorë.

Ai po ndihmon Olimpijan që të rivalizojë për titullin kampion, me ekipin që ndodhet në vendin e dytë me 13 pikë, vetëm 1 pikë më pak se Aluminij.

Jo vetëm kaq, por kryeqytetasit kanë shënuar më shumë se çdo rival deri tani, plot 13 herë.

Çekiçi ishte një nga lojtarët vendimtarë të Olimpijas edhe në Ligën e Europës, në kualifikimin ndaj Rigës në turin e parë eleminator.

Pas humbjes në Slloveni, u arrit fitorja vendimtare në Letoni, me shifrat 2-0, ku golin e parë e shënoi pikërisht shqiptari.

Çekiçi shpreson që kjo formë ta ndihmojë për të tërhequr vëmendjen e trajnerit Reja, dhe të grumbullohet në kombëtare. /ABC News Albania 24 /7 

partizani-1.jpg
G. P.14:48 | 02/08/2019

Partizani është skuadra e fundit shqiptare që përfundon aventurën në Europë. Në 10 takime, skuadrat e superiores kanë fituar vetëm 1 ndeshje ndërkohë që kanë shënuar 4 gola dhe kanë pësuar plot 13.

Aventura e klubeve shqiptare në Kupat e Europës këtë edicion ka rezultuar një dështim. Katër skuadrat shqiptare Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi nuk kaluan asnjë tur.

Kampionët e Shqipërisë u eliminuan në turin e parë të Champions ndaj Karabag dhe kaluan automatikisht në turin e dytë të Europa League ku dështuan sërish për të vijuar rrugëtimin në Europë.

Ne 10 takimet, skuadrat shqiptare regjistrojnë 5 humbje, 4 barazime dhe vetëm një fitore ndërkohë që kanë shënuar 4 gola dhe kanë pësuar plot 13. Statistika vërtetë shqetësuese duke analizuar edhe kundërshtarët të cilët janë emra të vegjël në arenën europiane.

Nënkampionët e Shqipërisë, Kukësi humbën ndeshjen e parë ndaj Debrecen me shifrat 3-0 ndërkohë që në sfidën e kthimit barazuan me rezultatin 1-1 në “Elbasan Arena”.

Teuta e trajnerit Bledi Shkëmbi është skuadra e vetme shqiptare që regjistroi një fitore në aventurën europiane. Ndaj Ventspils humbën 3-0 në takimin e parë ndërkohë që në sfidën e kthimit në Durrës fituan minimalisht 1-0. Sa i përket skuadrës së Laçit, kurbinasit barazuan në shtëpi përballë Hapoel Bersheva me shifrat 1-1 ndërkohë që një javë më pas në Izrael u mundën minimalisht 1-0.

Edhe merkatoja intensive e klubeve shqiptare para startit të aventurës europiane nuk rezultoi e suksesshme. Tashmë nuk ka mbetur gjë tjetër veçse përgatitjeve për sezonin e ardhshëm në kategorinë superiore./ABC News Albania 24/7

ilir-meta.jpg
G. P.19:17 | 26/07/2019

Presidenti Meta i kërkon zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë krizën në Shqipëri. Përmes një letre zyrtare drejtuar kryesuesit të radhës Lajçak dhe sekretarit të përgjithshëm Greminger, kreu i shtetit thotë se zgjidhja për këtë situatë është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme e gjithëpërfshirëse.

Presidenti i Republikës i kërkon OSBE-së, të ndërmjetësojë për atë që e quan krizë institucionale dhe përfaqësuese e vendit tonë, teksa përgatitet të marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, në Janar të vitit 2020.

Kërkesa është bërë përmes një letre zyrtare drejtuar kryesuesit të radhës të OSBE, ministrit të jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak dhe sekretarit të përgjithshëm Tomas Greminger, të cilët kreu i shtetit i ka takuar gjatë vizitave të tyre në Tiranë në qershor e korrik.

“Do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike”.

Meta nënvizon nevojën për arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend.

“Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve”

Kreu i shtetit e ka edhe zgjidhjen për këtë situatë, përshkallëzimi i të cilës sipas tij, ka gjasa të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian por edhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë.

“Zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i OSBE.”

Kreu i shtetit shpreh bindjen se OSBE-ja mundet dhe duhet të luajë një rol më aktiv në këto çaste kritike./ABC News Albania 24/7

EUROPA-I-NXEHTI.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela12:50 | 26/07/2019

Janë të shumta kryeqytete europiane që vuajnë valën e të nxehtit rekord. Brukseli ka shënuar temperaturën më të lartë që nga viti 1883, ndërsa ekspertët fajësojnë ndryshimet klimatike.

Një verë rekordesh kjo për shumë kryeqytete europiane të cilat po përballen me një vakë të nxehti të paprecedentë. Në Bruksel, një qytet i njohur për reshjet e vazhdueshme, u shënua një rekord me termometrin që shënonte 39.9 gradë Celsius, për herë të parë që nga viti 1833. Sipas institutit belg të metereologjisë, shkaku kryesor i valëve të të nxehtit janë ndryshimet klimatike.

Sipas metereologëve kjo është një nga periudhat më të thata dhe zgjat prej dy vitesh. Burimet ujore të terrenit nuk zëvendësohen dhe as furnizohen më nga reshje normale dhe të vazhdueshme,të cilat nëse zgjasin më shumë janë një burim shumë i rëndësishëm për terrenin.

87 ditët e reshjeve mes janarit e qershorit janë shumë më pak se 99.5 që regjistrohen mesatarisht. Sipas ekspertëve, ajo që vuan më shumë pasojat është agrikultura. /ABC News Albania 24/7

PARTIZANI-PROVAT-PER-EUROPEN-M1T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela11:30 | 24/07/2019

Partizani pritet të ketë lëvizje në formacion për ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Sherifit të Tiraspolit. Trajneri Franko Lerda do të luajë me të njëjtën skemë, por me lojtarë të tjerë.

Pak ditë i kanë mjaftuar për të bërë ndryshimet.

Nuk mund të quhen zyrtare, por Partizani pritet të jetë me formacion tjetër në fushë në Ligën e Europës, në krahasim me turin e parë të Championsit.

Trajneri Franko Lerda besohet se do të bëjë lëvizje në mesfushë e në sulm, dhe kjo pasi bëri provat e tij për disa seanca stërvitore radhazi.

Solomon, njeriu që vuri në vështirësi Karabakun në Azerbajxhan, mendohet si qendërsulmues ndaj Sherifit të Tiraspolit në sfidën e nesërme që do të luhet në orën 17:30 në “Selman Stërmasi”.

Në repartin ofensiv edhe Çinari, veçse më i zhvendosur djathtas, ndërsa ndryshimi më i dukshëm është afrimi në sulm i Melos në të majtë.

Rrezikun më të madh në këtë skemë e ka Jasir Asani, një nga lojtarët më të talentuar të të kuqve, që pritet ta nisë ndeshjen në stol.

Vlonjati Telushi mendohet si i palëvizshëm në qendër të mesfushës, duke pasur në krah Esat Malën e tërhequr prapa dhe Rron Brojën, që ndaj azerëve luajti si zëvendësues.

Lerda është treguar i kujdesshëm me mbrojtjen dhe portën, duke lënë të njëjtët lojtar si ndaj Karabakut, pra Hoxhën si lojtar të fundit, dhe katërshen difensive të përbërë nga Belica e Bitri në qendër, si dhe Ibrahimi e Hakaj nga krahët.

Lorenc Trashi pritet të jetë sërish në stol.

Partizani jepet favorit për të fituar ndeshjen pritëse të turit të dytë të Ligës së Europës, ndonëse është e qartë se nuk do ta ketë aspak të lehtë. /ABC News Albania 24/7

moses-ones-olta-xhacka-1280x853.jpg
G. P.10:06 | 20/06/2019

Komanda e Forcave të Armatosura të SHBA në Evropë, nëpërmjet Ambasadës në Tiranë, i dorëzoi Forcave tona të Armatosura pajisje kundër zjarreve me vlerë 361 mijë $.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve të reja mori pjese edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë Leyla Moses-Ones, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, ushtarakë të lartë të FA si dhe efektivët që angazhohen në rastet e emergjencave civile dhe që do të përdorin mjetet e reja. Ministrja Xhaçka falënderoi SHBA për mbështetjen e pakursyer për vendin tonë, veçanërisht me ndihmën e vazhdueshme për të modernizuar dhe shtuar kapacitetet e FA.

“Për fat të keq, sidomos gjatë dekadave të fundit shteti shqiptar, qeveritë, politika, ka pasur një qasje që mund të përshkruhet saktë vetëm duke përdorur atë shprehjen ‘ku rrafsha mos u vrafsha.’ Sepse, ndërkohë që Shqipëria renditet si një nga 10 vendet me risk më të lartë ekonomik nga fatkeqësitë, por edhe me një shkallë të lartë risku për jetën e shëndetin e qytetarëve nga tërmetet, zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës e ortekët, gatishmëria e strukturave dhe institucioneve gjatë pjesës dërrmuese të tranzicionit ka qenë shumë e dobët për shkak të rrëmujës, kompetencave të paqarta, neglizhencës, autoriteteve e pushteteve që përpiqeshin t’i kalonin përgjegjësinë njëri tjetrin. Nuk ka asnjë dyshim që sot, Mbrojtja Civile është më e përgatitur dhe më e aftë sesa ka qenë ndonjëherë në 3 dekadat e fundit për të mbrojtur vendin, komunitetet, qytetarët nga fatkeqësitë natyrore,” theksoi ministrja Xhaçka, e cila vlerësoi edhe ndihmën e fundit të SHBA për Forcat tona të Armatosura.

“Kjo mbështetje është kaq e çmuar dhe kaq e mirëpritur. Nga sot, Mbrojtja Civile, FA janë më të përgatitura për të përballuar të papriturat e tekat e motit duke mbrojtur jo vetëm jetët e qytetarëve, pronat e tyre, por edhe pasuritë natyrore të vendit.”

E Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones, e konsideroi Shqipërinë si një aleat të palëkundur të NATO-s dhe e konsideroi këtë paketë ndihme, si një shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ky dhurim simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm të ndihmës humanitare për qeverinë e Shqipërisë. Ky dhurim së bashku me shumë projekte të tjera humanitare të ofruara nga ambasada Amerikane gjatë viteve është vetëm një shembull i bashkëpunimit të mrekullueshëm gjatë viteve, mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat dhe partner i pa lëkundur në NATO dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë partneritetin tonë.”

Paketa e ndihmës përmban dy kova me kapacitet 2500 litër secila që mund të përdoren si nga helikopterët “Cougar” ashtu edhe nga ata “Black Hawk”, të cilët pritet të futen së shpejti në përdorim nga Forca jonë Ajrore. Gjithashtu, pjesë e paketës janë kamera termike për evidentimin e vatrave të zjarrit në brendësi të ndërtesave si dhe veshje e pajisje mbrojtëse e rezistente ndaj zjarrit./abcnews.al

bld-zeiutung.jpg
nev ila09:00 | 18/06/2019

Bild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri. NZZ analizon procesin e afrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri​ duke i bashkangjitur edhe protokolle nga përgjime telefonatash. Ndërsa „Neue Zürcher Zeitung” i kushton një analizë procesit të afrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung: „Shqipëria është një vend i bukur, por edhe një nga vendet më të prapambetura të Europës. Për turistët një vend i virgjër dhe me çmime të favorshme që ia vlen të vizitohet. Por ky vend rrezikon të zhytet në kaos: Ndërkohë konsiderohet si një republikë e drogës, si Kolumbia e Europës. Dhe Shqipëria riskon të bëhet një rrezik për Ballkanin e paqendrueshëm. Një nga arsyet është, se ajo po degradon në një republikë të mafies, ku klanet kriminale dominojnë politikën dhe jetën publike. Korrupsioni është normal. Po ashtu si edhe blerja e votave në zgjedhje.” …”Prej muajsh ka demonstrata masive. Opozita akuzon qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama, se i ka manipuluar me ndihmën e mafies zgjedhjet parlamentare më 2017, duke blerë vota dhe duke i vënë nën presion përkrahësit e opozitës e madje edhe duke i penguar ata të votojnë.”

Gazeta Bild artikullit i ka bashkangjitur edhe botimin e segmenteve të reja nga protokollet e përgjimeve të hetuesve shqiptarë, përmes të cilave kuptohet, të ketë pasur një plan sistematik të Partisë Socialiste në pushtet për manipulimin e zgjedhjeve më 2017. Qëllimi: manipulimi i zgjedhjeve, blerja e votave, intimidimi i zgjedhësve të opozitës, shkruan Bild Zeitung, duke publikuar edhe regjistrimet audio të bisedave telefonike mes zyrtarëve dhe përfaqësuesve lokalë në rrethe si dhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarit të Ministrisë së Brendshme Arben Keshi.

Modeli i deri tanishëm i BE-së për zgjerimin has në Ballkan në limitet e veta, nën këtë titull „Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) analizon situatën sa i përket mundësisë së hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Disa vende të BE-së janë kundër fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më kot kryesia e BE-së përpiqet të gjejë një konsensus për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Modeli i shkëmbimit „reforma kundrejt integrimit” është bllokuar, shkruan NZZ: „Që në shumë vende anëtare ka rënë fryma për zgjerimin, këtë e tregoi edhe fakti, se Komisioni raportin vjetor e publikoi pas zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, për të mos u dhënë me rekomandimin e vet për hapjen e negocitave argumenta partive populiste të djathta në Europën Perëndimore.

Ndërkohë që disa vende në Europën Lindore e mbështesin antarësimin e vendeve të Ballkanit. Ndër to edhe Polonia nga është ndërmarrë një nismë në favor të integrimit të këtre dy vendeve.

” …”Deri tani po avancojnë në mënyrë të çalë negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi. Se sa delikat është procesi këtë e tregon edhe nisma holandeze, që i kërkon Brukselit të rishikojë pas 10 vjetësh liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Haga ankohet për rrjetet kriminale dhe imigracionin ilegal nga ky vend.” … „Që modeli i deritanishëm i zgjerimit të BE-së ka hasur në limitet e veta, këtë e ka bërë të qartë në mënyrë indirekte edhe vet e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini. Ajo tërhoqi vëmendjen duke publikuar raportin e progesit, se duhet të vlerësohen arritjet e këtyre vendeve. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë dëmtohet kredibiliteti i BE-së në rajon e më gjerë. Mos pranimi i „arritjeve historike” si kompromisi i emrit të Maqedonisë minon stabilitetin dhe pengon reformat e mëtejshme. Por edhe pse Mogherini përbetohet për këtë linjë, fakt është që procesi i shkëmbimit, sipas të cilit vendet kandidate të ofrojnë reforma dhe qëndrim konform gjeopolitik në këmbim të hapave të integrimit me BE-në, prej kohësh nuk po funksionion“, shkruan „Neue Zürcher Zeitung”./DW

bien.jpg
G. P.17:00 | 14/04/2019

Rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe shërbimi i mesazheve WhatsApp dolën përkohësisht jashtë funksionit ditën e diel, duke bllokuar përdoruesit për më shumë se 3 orë. Disa mijëra abonentë në mbarë globin u ankuan për keqfunksionimin e të tre rrjeteve, që zotërohen nga kompania Facebook. Gjithçka nisi paradite, kur shumë përdorues të Facebook postuan mesazhin “Diçka nuk shkon!”. Vetëm rreth orës 14 e 50 stafi i konsorciumit të rrjeteve sociale bëri të ditur se e ka zgjidhur problemin. Një zëdhënës i kompanisë kërkoi ndjesë për çdo incident të krijuar, por nuk sqaroi se cilat ishin shkaqet e problemit, ose sa përdorues u prekën prej tij. Në Mars Facebook përjetoi një nga shkëputjet më të gjata në histori, me përdorues të shumtë në mbarë botën që nuk ishin në gjendje të hynin në faqe për 24 orë e po ashtu edhe në Instagram e WhatsApp./abcnews.al

populistet-1280x674.jpg
ent ela11:41 | 08/04/2019

Në prag të zgjedhjeve parlamentare europiane, partia AFD në Gjermani dhe partitë e tjera populiste të djathta duan të krijojnë një front të bashkuar në Parlamentin e ri Europian. “Lega” e Matteo Salvinit është mjaft aktive në këtë drejtim.

Në një kohë që Europa veriore është e zënë me Brexit, në jug dicka tjetër është në qendër të vëmendjes. Rreth 500 populistë të djathtë të rinj nga gjashtë vende perëndimore ndodhen në Itali, në vendin, që po përjeton një hov të madh populist dhe ku organizohet takimi i “patriotëve ndërkombëtarë” i organizuar nga Lega e Mateo Salvinit.

Kjo parti në 30 vjetorin e krijimit të saj kërkon të niset fuqishëm në zgjedhjet europiane në maj. Sipas sondazheve, partia e Matteo Salvinit del forca kryesore. Por Salvini do më shumë. Ai po organizon prej muajsh bashkimin e populistëve të djathtë në Europë.

Ndër pjesëmarrësit ishin kryetarët e 5 organizatave rinore të partive populiste nga Belgjika, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Austria.

Deri më tani populistët e djathtë në Parlamentin Europian përfaqësoheshin nga tre grupime parlamentare, EKR, ANF dhe EFDD. Në të shkuarën bashkëpunimi mes tyre dështoi për shkak të mospërputhjeve në përmbajtje, ose sepse nuk u krijua dot personalisht komunikim i mirë. Por tani para zgjedhjeve europiane synohet të krijohet një grupim i vetëm i madh i ri.

Sipas raportimeve në media deri në 20 parti e grupime do të bashkohen në një „Aleancë të Popujve e Kombeve Europianë”. Salvini planifikon edhe një tur zgjedhor nëpër Gjermani. Në Europën Lindore ai e kreu këtë tur para pak javësh. Por në Varshavë ende nuk është thënë, nëse partia populiste e djathtë polake, PiS do t‘i bashkohet grupit të mobilizuar nga Salvini. Qëllimi i populistëve të djathtë është që në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit ata të arrijnë të krijojnë grupin e tretë ose të dytë më të madh në PE. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono