Europa League

United-Manchester.png
Igli Nikolli21:41 | 07/11/2019

Manchester United ka zhbllokuar ndeshjen kundër Partizanit të Beogradit. Ekipi serb ka rezistuar vetëm 22 minuta në “Old Trafford”. Mason Greenwood është autori i golit të parë. 18-vjeçari i talentuar veproi bukur në zonë dhe goditi saktë drejt portës mike.

Vendasit kanë shënuar sërish 11 minuta më pas. Veprime fantastike në zonë të Anthony Martial, i cili shmang këdo që i del para dhe dërgon topin në rrjetë.

Fitorja e sotme vulos kualifikimin për më tej të “Djajve të Kuq”, të cilët i duan me çdo kusht tre pikët për t’u përqendruar më pas në kampionat. /abcnews.al

Sevilla-1280x853.jpg
Veronik Istrefaj21:12 | 07/11/2019

Janë mbyllur sfidat e orës 18:55 në UEFA Europa League, ku golat dhe emocionet e shumta nuk kanë munguar. Sevilla ka bërë detyrën në transfertë përballë Dudelange, duke triumfuar me rezultatin e thellë 2-5. Një tripletë e Haddadi dhe dy golat nga Dabbur kanë mjaftuar që andaluzianët të kualifikohen nga faza e grupeve, pasi kanë marrë 12 pikë pas katër ndeshjeve të para.

Në të njëjtin grup me Sevillan, grupin A, APOEL dhe Qarabag përplasën brirët, por në fund, ishin vendasit ata që do të triumfonin. Një gol në minutat e fundit nga Ioannou i dha fitoren 2-1 APOEL-it. Situata në Grupin A: Sevilla 12 pikë (e kualifikuar), APOEL dhe Qarabag nga katër pikë dhe Dudelange me vetëm 1 pikë.

Eintracht Frankfurt është mposhtur me rezultatin 2-1 nga skuadra e St. Liege. Gjermanët janë befasuar në këtë transfertë belge, duke lënë pikë dhe kualifikimin ende të hapur. Në grupin F, Arsenali kryeson me 10 pikë, St. Liege dhe Frankfurt me nga 6 pikë dhe Vitoria në vend të fundit, me vetëm një pikë.

Situata në Grupin B, është shumë e komplikuar. Copenhagen mori një pikë përballë Dyn. Kiev (1-1), duke ruajtur vendin e parë, me gjashtë pikë. Edhe Dyn. Kiev, është në kuotë të njëjtë pikës, në pozitën e dytë. Lugano dhe Malmo u ndanë në barazim pa gola. Ekipi zviceran ka vetëm 2 pikë në vend të fundit, ndërsa suedezët e Malmos numërojnë 5 pikë./abcnews.al

REZULTATET

 

Celtic-Skoci.png
Igli Nikolli20:56 | 07/11/2019

Lazio nuk ia doli të fitonte përballë Celtic në “Olimpico”. Ekipi italian kaloi i pari në avantazh me anë të Ciro Immobiles në minutën e shtatë, por u përmbys sërish nga ekipi skocez. E njëjta pamje si në ndeshjen e zhvilluar në Glasgou.

Forrest barazoi për miqtë në minutën e 38-të, teksa francezi Ntcham, i ardhur nga stoli, vulosi kualifikimin e Celtic. Lazio ka shumë pak shanse për t’u kualifikuar. Ekipi i Inzaghit duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë në humbjen e Cluj përballë Celtic në ndeshjen e fundit që zhvillojhet në Rumani.

Ndeshja tjetër e grupit E u vendos nga një gol në minutat e fundit. Cluj mposhti në shtëpi francezët e Rennes dhe tani kryeson me 9 pikë. Veterani Rondon shënoi me kokë në minutën e 87-të dhe i dhuroi një fitore me aromë kualifikimi ekipit evropian.

Celtic renditet i dyti me 8 pikë, ndërsa Lazio ndjek me katër pikë më pak. Ekipi i Simone Inzaghit duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojë në një frenim të Cluj ose Celtic.

Fitore e madhe e Baselit përballe Getafes. Ekipi zvicerian fitoi 2-1 në shtëpi, teksa Taulant Xhaka dhe Edon Zhegrova e nisën ndeshjen si titullarë. Arthur dhe Frei shënuan nga një gol për pjesë, ndërsa rrjeta e Matës nuk i shërbeu ekipit spanjoll.

Triumf jetik siguroi edhe Krasnodar në grupin C. Ekipi rus fitoi 3-1 në shtëpi përballë Trabzonsporti të Dionis Avdijajt (e nisi ndeshjen si titullar). Manuel Fernandes shënoi një eurogol me finte për vendasit, të cilët janë ngjitur në kuotën e 6 pikëve, po aq sa ka edhe Getafe. Në krye renditet Baseli i shqiptarëve me 10 pikë, teksa kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe dy ndeshje deri në fund. /abcnews.al

Lazio – Celtic 1-2
(Immobile 7′ / Forrest 38′, Ntcham 90+5′)

Cluj – Rennes 1-0
(Rondon 87′)

Basel – Getafe 2-1
(Arthur 8′, Frei 60′ / Mata (pen) 45′)

Krasnodar – Trabzonspor 3-1
(Fernandes 27′, 35′, Ignatjev 90+3′ / Nëakaeme 90+4′)

PSV-1280x840.jpg
Veronik Istrefaj20:49 | 07/11/2019

LASK Linz ka mposhtur ekipin e PSV-së me rezultatin e thellë 4-1. Vendasit austriakë kanë befasuar gjigantët holandezë, duke iu dhënë një “leksion” futbolli. Schwaab shënoi i pari për PSV-në, me anë të një penalltie që në minutën e pestë. Ky gol bëri të mendohej se do të ishte një ndeshje e lehtë për holandezët, por nuk rezultoi kështu.

Skuadra e Linz shënoi plot katër gola në pjesën e dytë, duke i dhënë një “shuplakë” të rëndë PSV-së. Ranflt, Frieser dhe një dopietë e Klauss i dhanë fitoren e thellë Linzit. Në takimin tjetër të grupit D, Sportingu ka mposhtur pastër 0-2 në transfertë ekipin e Rosenborg.

Golin e parë për ekipin portugez e shënoi mbrojtësi Coates, ndërsa Bruno Fernandes në minutën e 38-të vendosi fatet e takimit. Pas katër raundesh, Sportingu merr kreun e grupit D, me 9 pikë. LASK Linz dhe PSV ndajnë respektivisht vendin e dytë dhe të tretë me nga 7 pikë, ndërsa Rosenborg nuk ka asnjë shans për kualifikim, pasi ka mbetur në kuotën e 0 pikëve./abcnews.al

UEFA Europa League, Grupi D

LASK Linz – PSV  4-1
Ranftl 56’, Frieser 60’, Klauss 78’ 82’ / Schwaab 5’

Rosenborg – Sporting  0-2
Coates 16’, B. Fernandes 38’

Rusia.png
Igli Nikolli19:54 | 07/11/2019

Krasnodar ka arritur të shënojë dy herë kundër Trabzonspor në pjesën e parë. Me këtë rezultat kishte arritur të fitonte edhe në Turqi, teksa triumfi i sotëm i mban rusët në lojë për t’u kualifikuar.

Manuel Fernandes është heroi i ekipit vendas me dy golat e shënuar. 33-vjeçari portugez zhbllokoi shifrat në minutën e 27-të, teksa tetë minuta më vonë erdhi dyfishimi. Goli i dytë është i Fernandes është për kornizë.

Kombinime të bukura të Krasnodarit, veprim teknik fantastik i luzitanit, goditje e topit me finte dhe rrjetë. Momentalisht është goli më i bukur i mbrëmjes në Europa League, edhe pse priten të tjerë gola spektakolarë. /abcnews.al

Celtic.png
Igli Nikolli19:41 | 07/11/2019

Në kompeticionet evropianë nuk mund të gabosh. Lazio e bëri diçka të tillë dhe pësoi gol. Celtic ka barazuar rezultatin në “Olimpico”. James Forrest përfitoi nga një gabim i dyfishtë i vendasve dhe lëshoi një “predhe” drejt Strakoshës.

Lazio kishte kaluar në avantazh me anë të të përhershmit Immobile, teksa tani vjen reagimi skocez në minutën e 38-të. Celtic do të bëjë të pamundurën për të mos dalë pa pikë nga transferta italiane, ndërsa ekipi i Simone Inzaghit nuk ka alternativa të tjera përveç fitores për të shpresuar në kualifikim. /abcnews.al

Sevillaa.png
Igli Nikolli19:30 | 07/11/2019

Sevilla është një ekip ekspert në Europa League. Andaluzianët duan ta mbyllin grupin A me pikë të plota dhe janë në rrugë të mbarë. Munas Dabbur ka gjetur golin e parë me Sevillën në transfertën luksemburgase kundër Dudelange.

Sulmuesi izraelit shënoi në minutën e 18-të dhe kaloi ekipin e tij në avantazh. Rony Lopez veproi bukur në zonë, dhuroi një asist për Dabbur dhe ish-sulmuesi i Salzburgut nuk gaboi me portën bosh. Miqtë kanë shënuar edhe dy gola të tjerë. El Haddadi mposhti dy herë portierin vendas brenda 6 minutave dhe Sevilla udhëheq 0-3.

Përveçse numëron pikë të plota dhe është kualifikuar, Sevilla nuk ka pësuar ende gol në fazën e grupeve të Europa League për këtë sezon. /abcnews.al

Immobile.png
Igli Nikolli19:06 | 07/11/2019

Lazio-Celtic është një nga ndeshjet më të bukura të këtij raundi në Europa League. Ndeshja që po zhvillohet në “Olimpico” është zhbllokuar dhe në stadium ka nisur festa.

Ciro Immobile nuk ka ndërmend të ndalet. Sulmuesi ka gjetur golin në minutën e shtatë. Bomberi kryesor i bardhekaltërve përfitoi nga një devijim i Caicedo dhe goditi menjëherë drejt portës duke kaluar ekipin e tij në avantazh.

Lazio e ka thelbësore fitoren në ndeshjen e sotme dhe ka arritur shumë shpejt të ndëshkojë ekipin skocez. /abcnews.al

AZ.png
Igli Nikolli18:40 | 07/11/2019

AZ Alkmaar po kalon një moment shumë të mirë. Sulmi i ekipit holandez ndodhet në formë të shkëlqyer dhe po ndëshkon çdo kundërshtar. 18 gola ka shënuar AZ në 4 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Europa League (6-0 dhe 0-5 kundër Astanës, 0-4 kundër PSV, 3-0 kundër Twente).

Pasi mposhtën Astanën 6-0 në shtëpi, holandezët regjistruan të njëjtin rezultat edhe në Kazakistan. Vendasit rezistuan vetëm gjysmë ore lojë. 18-vjeçari Boadu (autori i një dygolëshi) zhbllokoi shifrat, teksa miqtë shënuan edhe katër gola të tjerë në pjesën e dytë.

Kjo fitore e afron AZ Alkmaar me kualifikimin dhe e ngjit përkohësisht në vend të parë të grupit L me 8 pikë. Manchester United numëron një pikë më pak, por fitorja ndaj Partizanit të Beogradit në shtëpi e kualifikon dhe e rikthen në krye. /abcnews.al

Astana – AZ Alkmaar 0-5
(Boadu 29′, 77′, Midtsjo 52′, Idrissi 57′, Chatzidiakos 76′)

Astana.png
Igli Nikolli17:22 | 07/11/2019

AZ Alkmaar po kalon një moment shumë të mirë në kampionat dhe e njëjta gjë po pasqyrohet edhe në Europa League. Ekipi holandez vjen nga fitore 4-0 dhe 3-0 kundër PSV dhe Twente në kampionat, teksa po luan në Kazakistan përballë Astanës vendase.

Miqtë kanë zhbllokuar rezultatin pas gjysmë ore lojë. Myron Boadu ka shënuan golin e avantazhit. 18-vjeçari i vodhi kohën mbrojtjes vendase dhe dërgoi topin në rrjetë me anë të një prekje të saktë.

Fitorja e përkohshme e dërgon AZ në vend të parë të grupit L me 8 pikë, një më shumë se Manchester United që pret në mbrëmje serbët e Partizanit të Beogradit në “Old Trafford”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono