erseke

ekskluzive-kanabisi.mp4_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela15:05 | 13/10/2019

Kultivimi i kanabis sativa është kthyer në një shqetësim real edhe për qarkun e Korçës. Mbi 1700 bimë narkotike janë asgjësuar në rrethin e Ersekës, ku është pezulluar nga detyra edhe shefi i policisë së këtij Komisariati.

Dyshimet janë se numri i bimëve narkotike ishte disa herë më i lartë se sa raportohet në komunikatat e brendshme të Policisë së Korçës.

Rreth 1700 bimë kanbis sativa u zbuluan në Ersekë në fund të shtatorit, nga një operacion disa ditor i zhvilluar në qarkun e Korçës.

Kjo gjë i ka kushtuar pezullimin nga detyra shefit të Komisariatit të Policisë së Ersekës, Erion Bicaj. Informacioni për pezullimin e Bicajt, ABC Neës e ka siguar nga buletini i policisë së Shtetit. Shefi i komisariatit qëndron në pritje deri në përfundim të hetimeve të nisura nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Dyshimet janë se, numri i bimëve narkotike të asgjësuar është disa herë më i madh nga sa ishte raportuar në komunikatën e brendshme të policisë së Korçës. ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se, lënda narkotike ishte mbjellë në disa parcela në një zonë malore, e cila rezultoi pa pronarë.  Ndërkohë, drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur verifikimet edhe për kreun e Policisë Vendore Korçë, Lorenc Panganika.

Nga grupi i kontrollit i nisur nga policia e Shtetit ka rezultuar se, shefi i Komisariatit të Ersekës nuk ka shfrytëzuar të gjitha mekanizmat ligjore për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

I njëjti përfundim negativ ka qënë edhe për strukturat parandaluase siç janë specialistët e policisë zonale dhe administratorët e njësive vendore që nuk kanë sinjalizuar në kohë për praninë të bimëve narkotike në territorin e tyre.

Nga shtatori deri në fillim të tetorit janë asgjësuar nga policia e shtetit më shmumë se 7 mijë bimë narkotike. Në shumicën e rasteve, operacionet nuk pasqyruar në faqen zyrtare të policisë së Shtetit.

Ndërkohë zonat më tradicionale për kultivimin e kanabis sativa vijojnë të mbeten, qarku i Gjirokastrës, Vlorës, Durrësit, Shkodra dhe Kukësi.

Gazetar: Andi Qosja

 

shtylla.jpg
G. P.20:38 | 19/09/2019

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se rrëzimi i dy shtyllave të tensionit të lartë në Korçë është një akt terrorist.

“Strukturat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit në terren kanë konstatuar sot në orët e pasdites në afërsi të rrugës së Voskopojës në Korçë, një akt terrorist për rrëzimin e një shtylle të tensionit të lartë, si pasojë e të cilës ka mbetur pa energji rajoni i Ersekës”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Mësohet se pas verifikimit të bërë nga brigada e njësisë operative u konstatua që rrëzimi i shtyllave ka ardhur si pasojë e veprimeve të qëllimshme, duke dëmtuar konstruksionet metalike të tyre. Kjo linjë furnizon me energji rajonin e Ersekës, i cili për momentin është pa energji elektrike.

Menjëherë është njoftuar Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe zbulimin e autorëve të saj.

Nga ana e grupeve të punës të OST janë marrë masa për rikthimin e furnizimit normal me energji të këtij qyteti përmes linjave të tjera.

“Gjithashtu,grupet e punës ndodhen në terren ku po punohet, në kushte jo të favorshme atmosferike, për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe marrjen e masave të nevojshme për riparimin e tyre me qëllim kthimin në normaliteti të situatës”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Nga ngjarja që ndodhi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Raportohet se kabllot e shtyllave që ndodheshin buzë rrugës kanë rënë mbi një automjet, që ishte duke lëvizur në drejtim te Voskopojës./abcnews.al

zjarrrr.jpg
nev ila13:26 | 13/08/2019

Flakët përfshijnë një sipërfaqe toke në afërsi të rrugës nacionale Korçë-Ersekë, në vendin e quajtur “Antenat”.

Zjarri favorizohet nga era duke përhapur flakët, dy mjete zjarrfikëse po punojnë për të vënë në kontroll situatën.

Korçë, dyshohet se zjarri është i qëllimshem dhe se është vënë nga banorët për të pastruar tokën./abcnews.al

BALLUKU-SPIROPALI-UJESJELLESI-ERSEKE-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.21-1280x720.jpg
ent ela13:00 | 13/07/2019

Në Ersekë nuk do të ketë më problem me ujin e pijshëm. Punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit janë drejt përfundimit dhe vënia e tij në funksion do të sigurojë furnizim të pandërprerë për banorët. Garancinë e dha ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku.

Pak ka mbetur që banorët e Ersekës të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë.

Me ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit bëhet e mundur eliminimi i humbjeve dhe ndotjeve, shmangen  lidhjet e paligjshme ndërsa projekti parashikon gjithashtu lidhjen e kontratave të reja dhe pajisjen me matësa të të gjithë abonentëve.

 “E rëndësishme është që 7156 banorë të qytetit të Ersekës do të marrin shërbim më të mirë, por do marrin dhe sasi më të madhe të ujit për frymë, çfarë është dhe synimi, dhe një nga strategjitë tona kryesore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, që është strategjia e ujit dhe çfarë është më e rëndësishme, rrjeti do jetë një rrjet i ri, modern i cili nuk do të ketë humbje dhe nuk do të ketë ndotje, ashtu siç ndodhte më parë.

Për të inspektuar punimet e mbetura Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shoqerohej edhe nga Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin që nuk i kurseu falenderimet që premtimet e dhëna si deputete e zonës nuk humbën me kohën.

“Është një premtim i mbajtur, ne së bashku kemi qenë disa herë në Ersekës, në Kolonjë, në fushatë, është premtim i kryeministrit, premtim i qeverisë shqiptare, që po bëhet realitet. Është një investim i konsiderueshëm, një investim i madh i cili zgjidh përfundimisht çështjen e ujit këtu dhe unë si deputete e zonës dua t’ju falënderoj për punën që është bërë”.

Pjesë e projektit është dhe rinovimi i depos ekzistuese 500 metër kub si dhe ndërtimi i një depo të re 1 mijë metër kub,ndërkohë që është drejt përfundimit edhe projekti për ujësjellësin për banorët e Leskovikut dhe brenda vitit tjetër pritet të nisë puna. /ABC News Albania 24/7

korca.jpg
G. P.23:50 | 02/06/2019

Në fshatin Qafëzez të bashkisë Ersekë janë dëmtuar  mbi 70 banesa nga tërmetet e së shtunës. Banorët janë strehuar në çadra ndërsa një pjesë e tyre e kalojnë natën në oborre pasi nuk duan të braktisin bagëtitë. ABC News ishte në këtë fshat dhe solli materialin në vijim.

Fshati Qafëzez është ndër më të prekurit nga tërmeti i së shtunës. Mbi 70 banesa rezultojnë të dëmtuara dhe gjysma prej tyre janë të pabanueshme. Muret kanë pësuar çarje. Çatitë kanë rënë përtokë dhe po ashtu strukturat mbajtëse janë shkëputur nga lëkundjet e forta sizmike, që vijuan gjatë ditës me magnitudë më të ulët.

Banorët braktisën shtëpitë dhe e kaluan natën në makina. Të tjerë nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e dëmtuara nga frika mos ju vjedhin bagëtitë, duke u gdhirë nëpër oborre në të ftohtë dhe në shi.

“Mua më ka ikur muri, tavanet kanë rënë. Jashtë të gjitha. Jashtë në oborr. Kishim lopët. Djali vajti fjeti në çadër, ne fjetëm përjashta”.

“Çatia është prishur, muret janë dëmtuar, orenditë po e po. Edhe garazhet e akinave janë dëmtuar”.

E vështirë ka qenë nata edhe për familjet që u vendosën në 5 çadrat që sollën Emergjencat Civile. Banorët ankohen se nuk ka ndriçim,numri i krevatëve është i pamjaftueshëm.

“Dy krevatë, ç’të bëjmë ne jemi tetë vetë në familje. Jam me tension. Nuk rrijmë dot plevicave o bir. Kanë njerëz që janë nëpër plevica jo në çadra”.

“Erdhën na panë, si do ju ndihmojmë dhe asnjë gjë. Vetëm çadrat, dy krevatët dhe katër kuvertat”.

Një ekip mjekësh dhe infermierësh po asiston me shërbim 24 orë banorët e fshatit, të cilët kanë shfaqur gjendje të rënduar psikologjike për shkak të humbjes së shtëpive. Po ashtu janë trajtuar me këshilla psikologjike edhe mjaft fëmijë për shkak të përjetimeve nga lëkundjet e forta sizmike.

“Kemi menaxhuar dy pleq  nga Qafëzezi që ishin traumatizuar. Kemi organizuar punën dhe i kemi dhënë porosi personelit që gjatë gjithë kësaj kohe të jenë në gatishmëri”, tha Mimoza Pulina, drejtoreshë e qendrës shëndetësore Mollaj.

Dëme nga tërmeti janë raportuar edhe në mbi 50 banesa në fshatra të zonës së Kolonjës. Në të gjithë rajonin e Korçës janë mbi 185 banesa të dëmtuar, 60 % e të cilave të pabanuara. Nga tërmetet, 230 banorë mbetën pa shtëpi dhe janë strehuar në çadra./ABC News Albania 24/7

minatoret-ne-proteste.jpg
G. P.11:02 | 23/05/2019

Ndërsa në parlament pritet të miratohet projektligji për minatorët dhe metalurgët, minatorët e Korçës, Ersekës dhe Devollit dolën në proteste para Prefekturës.   Syrja Ruci, kreu i sindikatës së minatorëve të Korçës tha se “po na gënjejnë për statusin, ne kërkojmë të drejtat tona”.

Ruci tha se vetëm vitin e fundit mbi 20 minatorë nga Korça kanë humbur jetën nga sëmundjet profesionale dhe ilaçet nuk rimbursohen. Ata pretendojnë që projektligji në parlament nuk plotëson kërkesat e tyre, ndaj do të përshkallëzojnë protestat deri në grevë urie./ABC News Albania 24/7

termeti-469x445.jpg
ent ela09:30 | 17/02/2018

Një tërmet me magnitudës 4 ballë i shkallës Rihter ka lëkundur mëngjesin e sotëm juglindjen e vendit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) tërmeti ra në orën 05:32.

Epiqendra e lëkundjeve sizmike, sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ishte 7 kilometra në verilindje të Ersekës dhe me një thellësi prej 2 kilometrash.

Lëkundjet mësohet se janë ndjerë në disa qytete./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono