Ermal Meta

GRUPI-MUZIKOR-I-ERMAL-METES.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela15:53 | 04/03/2019

Kujtohet në Tiranë kantautori i njohur Italian Fabrizio de Andre. Koncerti në nder të tij u mbajt sot paradite nga grupi muzikor “Gnuquartet”. Ky grup shoqëron  kantautorin shqiptar Ermal Meta, i cili  do të japë një koncert në orën 20.30 në Pallatin e Kongreseve.

Grupi  muzikor “Gnuquartet”  i cili shoqëron  kantautorin shqiptar Ermal Meta në turin e 23 qyteteve italiane si dhe në koncertin e Shqipërisë mbajtën për publikun kryeqytetas një koncert homazh për  kantautorin  Italian Fabrizio de Andre për  20 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Teksa rrëfejnë me tinguj ndërthurjen e muzikës klasike me atë xhaz, preferojnë të dinë nga publiku se sa e njohin Paganinin, Fabricion e deri te kantautori shqiptar Ermal Meta.

Studentë të muzikës dhe spektatorë të thjeshtë shijuan për një orë muzikën e grupit Italian “Gnuquartet”, grup i cili u krijua në vitin 2005 me qëllim e thjeshtë që të percjell live emocionet tek publiku. Muzika e tyre është një ndërthurje mes muzikës klasike me etnofolkun. /abcnews.al

thumbnail_Veliaj-gjate-takimit-me-kengetarin-Ermal-Meta-1-1280x853.jpg
ent ela14:32 | 04/03/2019

Pas suksesit të një viti më parë, Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë. Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë. “Jam shumë i lumtur që vëllai im, Ermali, është kthyer sërish në Tiranë për të lënë gjurmë, për të hedhur rrënjë këtu.  Bëmë edhe një mbjellje për të hedhur ca rrënjë fizike. Jam shumë i lumtur që i gjithë koncerti është “sold out”, një nga më të mëdhatë në Pallatin e Kongreseve të turit të Ermalit me GnuQuartet, një grup fantastik nga Xhenova. Kanë bërë një tur në të gjithë Italinë dhe jam shumë i lumtur që me këmbënguljen e  Ermalit, edhe Shqipëria u bë pjesë e këtij turi”, tha Veliaj.

Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve. Veliaj vlerësoi kantautorin dhe e cilësoi atë si shembullin më dinjitoz shqiptaro-italian. “Jam entuziast për faktin se sapo mbaruam Samitin e Diasporës dhe kur flasim për ambasadorë të Shqipërisë dhe për njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë, Ermali është i pari që më vjen në mendje. Jam sot shumë i lumtur, që si ambasador i Shqipërisë në një Itali që gjithmonë e më shumë ka debate për të huajt, për ata që kanë ndoshta bindje të ndryshme, për ata që kanë opinione të ndryshme, unë besoj se Ermali është shembulli dhe produkti më dinjitoz shqiptaro-italian. Jam shumë i lumtur që je kthyer në shtëpi dhe mezi pres ta bësh rrugë dhe të vish më shpesh”, tha Veliaj.

Artisti Ermal Meta vlerësoi ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj. “Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Ermal Meta.

Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut. Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar.

51805312_1971875182920443_1233283804458647552_n.jpg
ent ela17:16 | 05/02/2019

Të gjithë ata që pëlqejnë zërin e kantautorit Ermal Meta do të mund ta ndjekin sërish nga afër. Pas koncertit të parë të mbajtur më 1 qershor 2018 në sheshin “Skënderbej”, Ermal Meta rikthehet sërish në Tiranë për një mbrëmje të paharruar. Më 4 mars, kantautori shqiptar do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, në vijim të turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Lajmin e ka bërë publik kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, teksa fton qytetarët që të mos e humbasin këtë shfaqje të bukur muzikore. “Ju kujtohen emocionet e koncertit të Ermal Metës? Talenti shqiptar kthehet përsëri në Tiranën e tij, krahas 23 koncerteve në skenat më të mira në 19 qytete italiane. Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve. Së bashku me katër artistë të talentuar italianë të GnuQuartet do të sjellin një atmosferë magjike që nuk duhet humbur  Kur? Më 4 Mars, ndaj bëj grupin e shihemi atje!”, shkruan Veliaj.

Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, ky koncert vjen si vazhdimësi e një turneu të paharrueshëm që Ermal Meta ka realizuar gjatë verës së vitit 2018, me një performancë artistike mbresëlënëse. Nuk mund të mos përmenden koncertet e realizuara në Romë, në Firence, në kështjellën “Scaliger” në Villafranca; apo në amfiteatrin në Sardenja.

Dhe së shpejti, kantautori shqiptar nis një tur të ri, ku do të ndalet edhe në Tiranë, së bashku me “GnuQuartet”, për të sjellë para publikut më shumë ri, dhe ritme të paharruara duke bërë bashkë violë, violinë, violinçel dhe flaut.

Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar. Ndaj s’na mbetet gjë tjetër, veç ta shijojmë në Tiranë performancën e tyre.

Kalendari i koncerteve në kuadër të turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

2 shkurt – Milano – Teatri “Arcimboldi”

4 shkurt – Napoli – Teatri “Bellini”

5 shkurt – Pescara – Teatri “Massimo”

11 shkurt – Catania – Teatri “Metropolitan”

12 shkurt – Palermo – Teatri “Al Massimo”

15 shkurt – Reggio Emilia – Teatri “Valli”

16 shkurt – Trento – Auditoriumi “Santa Chiara”

25 shkurt – Roma – Salla “Santa Cecilia”

4 mars – Tiranë – Pallati i Kongreseve

6 mars – Bari – Teatri “Petruzzelli”

8 mars – Montecatini Terme (PT) – Teatri “Verdi”

9 mars – Assisi (PG) – Teatri “Lyrick”

12 mars – Venezia – Teatri “Goldoni”

18 mars – Trieste – Teatri “Rossetti”

19 mars – Lugano (CH) – Pallati i Kongresve

23 mars – Genova – Teatri “Carlo Felice”

24 mars – Torino – Teatri “Colosseo”

 

34637651_1921700064529704_3974402219905646592_n.jpg
ent ela17:53 | 05/06/2018

Super spektakli “Në kurthin e Piter Panit është përmbyllur me dy të ftuar specialë, Linda Ramën dhe Ermal Metën. Fëmijët, protagonistë të këtij spektakli, kanë rrëmuar në jetën personale të dy personazheve, duke nxjerrë në pah shumë të fshehta të tyre. Linda Rama ka rrëfyer anën njerëzore të bashkëshortit të saj kryeministrit, Edi Rama. Ndërsa Ermal Meta, përveç muzikës, ka folur edhe rreth dashurisë e familjes. /abcnews.al

 

thumbnail_ermal-meta.jpg
ent ela22:24 | 01/06/2018
 Qershori ka nisur me një super koncert në Sheshin “Skënderbej. Këngëtari i famshëm shqiptar Ermal Meta erdhi mbrëmjen e kësaj të shtune me një koncert për të gjithë adhuruesit e tij të cilët kishin mbushur sheshin. Fillimisht ishin Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe Eugent Bushpepa që ndezën skenën duke kënduar disa prej hiteve të tyre dhe më pas e gjithë skena iu la fituesit të Sanremos, Ermal Meta që solli një eksperiencë të paharrueshme.
https://youtu.be/7-nKppQJnbg
 I pranishëm ishte dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, i cili teksa falenderoi Ermal Metën, vlerësoi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si “Kryebashkiakun më simpatik të Europës”.  “Jam shumë i lumtur që sonte jemi bashkë me Erionin, Kryebashkiakun më simpatik të Europës dhe me Ermalin, fitues i festivalit të San Remo-s. Duke qenë se sot janë shumë italianë, i përshendes të gjithë, edhe Klubin”Vespa”, edhe “ujqërit dhe ulkonjat” dhe natyrisht jemi këtu për Ermalin. Është e mrekullueshme të festojmë festën e Republikës me të (Ermalin) dhe t’i themi sesa shumë ne italianët, shqiptarët jemi të kënaqur me suksesin e tij dhe krenar për shembullin që jep për miqësinë shqiptaro-italiane”, tha Ermal Meta.
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj theksoi se Ermal Meta është shembulli për të kuptuar në fakt që miqësia mes popujve, Shqipërisë dhe Italisë, është miqësi mes njerëzve.  Ai tha se Ermal Meta përfaqëson ata të rinj shqiptarë të cilët ia kanë dalë që falë punës dhe talentit të tyre të arrijnë suksesin. “Sot në Tiranë patëm një moment special me Ermalin, patëm një bisedë me shumë studentë ku na tregoi historinë e jetës së tij dhe besoj që për të gjithë të rinjtë ishte një moment frymëzimi se si dikush edhe pse nuk ka mbiemër të njohur, edhe pse nuk vjen nga një familje e madhe, edhe pse  nuk e ka shtruar njeri tapetin e kuq, edhe pse nuk ia ka hapur njeri portën arrin të bëhet i madh me shumë punë dhe me shumë talent. Një shembull frymëzimi për të gjithë”, u shpreh Veliaj.
Këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore. Të dielën Sheshi “Skënderbej” do të digjet sërish nga energjia e Kidës dhe që do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora. /abcnews.al
Veliaj-i-jep-Celesin-e-Qyteit-kengetarit-Ermal-Meta-1-1280x854.jpg
G. P.15:23 | 01/06/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim të veçantë fituesin e Sanremos, këngëtarin shqiptar Ermal Meta, i cili së bashku me disa nga artistët më të mirë të skenës kombëtare, do të sjellë sot në mbrëmje një eksperiencë të paharrueshme në Sheshin “Skënderbej”. Kryebashkiaku Veliaj përgëzoi këngëtarin Meta për perfomancën e tij në festivalin më të rëndësishëm të këngës italiane, si dhe në skenën e Eurovizion dhe në shenjë mirënjohje për gjithçka që ai ka bërë për promovimin e vlerave dhe emrit të Shqipërisë në Itali dhe jo vetëm, i dhuroi “Çelësin e Qytetit” si simbolin e miqve të Tiranës.

“Shumë i lumtur sot që Ermali është në Tiranë. E kemi pritur shumë këtë moment. Ishte një ide që lindi me mikun tonë, ambasadorin italian, për 2 Qershorin, që është Dita e Republikës Italiane, por që të simbolizojë produktin më të mirë italo-shqiptar. Jam shumë i lumtur që e gjetëm produktin më të mirë italo-shqiptar. Dua të them që jemi shumë krenarë për ty. Unë e di që s’ke ardhur shpesh në Tiranë, ndaj tani që do vish më shpesh, ke nevojë për një çelës dhe Çelësi i Tiranës u jepet vetëm miqve specialë të qytetit, atyre që i konsiderojmë gjithmonë me derë të hapur”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Ermal Meta është një shembull shumë i mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, se falë punës dhe talentit mund të arrish suksese të mëdha, pavarësisht se nga vjen. “Të jam mirënjohës sepse për shumë të rinj je simbol se çfarë mund të bëjë dikush që vjen nga një familje e thjeshtë, pa emër të madh, duke u munduar me talent, me punë pa u lodhur, duke u rrëzuar, ngritur dhe në fund fare duke ia dalë”, shtoi kryebashkiaku.

Këngëtari Ermal Meta falenderoi Tiranën për pritjen, ndërsa u shpreh se ndihej krenar për vlerësimin e bërë nga Bashkia e Tiranës. “Është krenari e madhe. Kam ikur para 24 vitesh nga Shqipëria dhe ika në një mënyrë shumë të shpejtë, as vetë nuk e kuptova, por u gjenda nga ana tjetër e detit dhe kthehem sot me një çmim jashtë mase të veçantë. Më bëhet shumë qejfi dhe e ndiej veten shumë krenar”, tha këngëtari Ermal Meta. 

Më pas të dy ata kanë pedaluar me biçikletat e reja “Mobike” që kanë mbërritur në Tiranë, për t’iu bashkuar një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë dhe italianë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ku këngëtari Ermal Meta rrëfeu dhe historinë e tij, nga largimi prej Shqipërisë, integrimi në shoqërinë italiane dhe muzikën. 

Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha do të jenë të parët ata që do të ndezin sot në mbrëmje skenën e Sheshit “Skënderbej” dhe për të pritur më pas fituesin e Festivalit të RTSH-së dhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion, Eugent Bushpepajn. Nata e sotme do të kulmojë perfomancën e shkëlqyer të fituesit të Sanremos, këngëtarin shqiptar, Ermal Meta.

Ndërkohë në datën 3 Qershor Sheshi “Skënderbej” do të ‘digjet’ nga energjia e Kidës dhe do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora. Dy netë të mrekullueshme me dy emra të skenës botërore që i bëjnë shqiptarët gjithmonë krenar. Të dy koncertet do jenë falas për publikun, ndaj bëhu gati se ka ardhur Ora e Super Muzikës./abcnews.al

ermal-meta.jpg
G. P.12:09 | 01/06/2018

Ermal Meta do të këndojë sonte në zemër të Tiranës në sheshin “Skënderbej”, në një koncert  të organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Këngëtari shqiptar, që fitoi festivalin e Sanremos këtë vit dhe përfaqësoi Italinë në Eurovizion mbërriti mbrëmë në kryeqytetin shqiptar. Ermal Meta u prit në një takim nga Kryebashkiaku Veliaj dhe ambasadori italian në Tiranë.

“Mbërriti jo vetëm një artist i shkëlqyer, por djali i rrallë Ermal Meta”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale, ku publikoi dhe fotot e pritjes së këngëtarit.

“Sot do shihni e dëgjoni më shumë për historinë e tij frymëzuese që me gjasë do prekë e do të inkurajojë pafund të rinj shqiptarë! Në darkë ju presim të gjithëve në sheshin ‘Skënderbej’ për festën madhështore”, shkruan kryetari i bashkisë./abcnews.al

ermal-meta.jpg
G. P.22:46 | 29/03/2018

Bashkia e qytetit të Barit ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” kant-autorin Ermal Meta. Artisti me origjinë shqiptare mbërriti në qytetin jugor të Italisë në moshën 13-vjeçare dhe atje hodhi hapat e parë në botën e muzikës.

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta do të nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Barit. Çmimi do t’i dorëzohet atij të shtunën, në një ceremoni të posaçme që do të mbahet në bashkinë e qytetit jugor të Italisë.

Meta, i cili u shpall fitues në festivalin e Sanremos, ka jetuar gjatë në Bari, ku ka mbërritur në moshë të vogël. Ky çmim i shkon atij për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar që ka arritur falë personalitetit dhe stilit të tij të veçantë, thuhet në motivacionin e bashkisë.

Objekti i jepet kantautorit edhe në shenjë mirënjohjeje, pasi pikërisht në Bari ai bëri hapat e parë në botën e muzikës, ku trajton tema të aktualitetit.

“Të flasësh për dhunën në familje apo për frikën nga atentatet terroriste nuk është e lehtë, por Ermali e bëri duke u dhënë zë ndjenjave me të cilat përballemi të gjithë e që na kujtojnë se i vetmi besim që nuk njeh kufij është ai i të qenurit human”, thuhet në motivacion.

Vetë Meta ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur i nderuar, i prekur dhe natyrisht mirënjohës për këtë vlerësim.

Ky çelës nuk hap dyer, por kujtimet e mia më të ëmbla e më të thella. Ju falenderoj nga zemra”, ka thënë këngëtari.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono