Erjon Jushi

laci.jpg
G. P.14:08 | 03/05/2019

Frika nga hakmarrja ka bërë qe disa familje të fisit Bushi në Kurbin të ngujohen menjëherë pas vrasjes së dyfishtë të dielën e kaluar. Ata u janë nënshtruar rregullave zakonore deri kur palët të vendosin paqe midis tyre.

Një foto çoi në vrasje dy të rinj dhe në pranga tre të tjerë. Por pas kësaj, fisi Bushi në Kurbin është ngujuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për familjet e Markel dhe Manuel Bushit, të Vinçens Bushit, por edhe kushërinjve të tyre të afërt.

Pavarësisht se tre të dyshuarit për vrasjen e Erjon dhe Kelvin Jushit janë në pranga, burrat dhe gratë e dy palëve i janë nënshtruar zakoneve të tyre pas ngjarjes.  Fillimisht sa u përhap lajmi u mbyllën brenda afro 20 shtëpi.

Por më pas sipas zakonit, të ngujuar qëndrojnë vetëm familjet e autorëve dhe ata më të ngushtët në rreth familjar nga rrënjët e babait.

Kurse fisi nga nëna ndihmon në zgjidhjen e problemeve. Për këtë arsye ishte daja, ai që negocioi me shefin e komisariatit te Kurbinit, ç’ka u pasua me vetëdorëzimin në polici të tre djemve Bushi.

ABC News ka mësuar se mes familjeve Bushi dhe Jushi akoma nuk është futur ndonjë pajtor, apo siç mund të quhet ndryshe njeriu që bën bisedimet për kushtet e një situate, ku familjet ndodhen në hasmëri me njëra-tjetrën.

Të shtunën në Laç, gjykata do të caktojë dhe masën e sigurisë për të arrestuarit, të cilët kanë thënë se e gjitha ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, por nuk donin të vrisnin kushërinjtë Jushi.

Deri tani supozohet se një foto në rrjetet sociale nxiti fillimisht dhunën fizike dhe më pas shkrehjen e armëve natën e 28 Prillit, ku Erjon dhe Kelvin Jushi mbetën të vrarë./ABC News Albania 24/7

lac-vrasja.jpg
G. P.14:07 | 01/05/2019

Dy ditë pas vrasjes së dyfishtë në Laç, policia ka siguruar dëshminë e të arrestuarve të dyshuar si autorë. Ata kanë treguar se konflikti nisi pas publikimit të fotove në rrjetet sociale.

Fotografitë e publikuar në rrjete sociale u bënë shkak i konfliktit mes 5 të rinjve në Laç të Kurbinit.  Sherr që përfundoi me dy të vrarë, kushërinjtë Erjon dhe Kelvin Jushi, 36 dhe 30 vjeç, dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Tre autorët që u vetëdorëzuan të martën në Komisariatin e Laçit u kanë treguar hetuesve detajet që çuan në masakrën e mbrëmjes së dielë. Referuar dëshmive,  viktimat dhe autorët njiheshin dhe mbrëmjen e ngjarjes ishin bashkë.

Fotot në Instagram u komentuan gjatë qëndrimit në lokal. Por pas një farë kohe komentet nuk ishin me miqësore. Aty nisi konflikti verbal mes kushërinjve Erjon e Kelvin Jushi dhe 28-vjeçarit Vinçens Bushi që u pasua me atë fizik jashtë lokalit.

Në ndihmë të Vinçensit shkuan edhe vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi. Autorët pretendojnë se arma u përdor pasi edhe viktimat ishin të armatosur, por kjo nuk është vërtetuar nga hetuesit. Në vendngjarje u gjetën vetëm gëzhoja të qitura nga një armë e vetme.

Pistoleta  dyshohet se u përdor nga 25-vjeçari Markel Bushi, një person me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi viktimat po dhunonin Vinçens Bushin.

Qitjet ishin në një largësi 4-5 metra nga njëra tjetra duke lënë të plagosur rëndë Erjon dhe Kelvin Jushin, të cilët ndërruan jetë në spital në Tiranë.

Autorët Manuel Bushi 23 vjeç, Markel Bushi 25 vjeç dhe Vinçens Bushi 28 vjeç, të tre banorë të Laçit u larguan menjëherë për t’u dorëzuar të martën pas negociatave të dajës së tyre me shefin e Komisariatit të Laçit.

/ABC News Albania 24/7

hyrja-10.00_00_37_06.Still001-1280x720.jpg
G. P.08:52 | 29/04/2019

Policia ka shpallur në kërkim tre persona për masakrën e një nate më parë. Dyshohet se krimi ka ndodhur pas një sherri të momentit brenda në ambientet e një lokali në qytetin e Laçit.

Tre të rinj, dy prej tyre vëllezër, u shpallën në kërkim për përplasjen me armë, të ndodhur mbrëmjen e dielë në Laç. Sipas policisë, ata janë, Markel Bushi, 25 vjeç, i cili kishte qenë më herët person në kërkim pasi ishte dënuar me 12 vjet burg për grabitje dhe sulm ndaj policisë. Vëllai i tij M. Bushi, 23 vjeç dhe 28 vjeçari Viçens Bushi, kushëri i dy vëllezërve.

Paraprakisht thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes viktimave dhe autorëve, por ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat. Dy të rinjtë ndërruan jetë në një spital privat në Tiranë, ku u dërguan të plagosur rëndë pas ngjarjes.

Kushërinjtë Kelvin dhe Erjon Jushi, përkatësisht 30 dhe 36 vjeç, u qëlluan me armë zjarri në një lokal në lagjen nr. 1 të qytetit të Laçit. Dy persona të tjerë janë plagosur gjithashtu nga të shtënat e armëve në këtë ngjarje, njëri nga të cilët në gjendje të rëndë.

Viktimat ishin në një ambient me autorët.

Një debat mes tyre nisi brenda lokalit, por vazhdoi dhe jashtë. Kushërinjtë tentuan t’u shpëtojnë vrasësve, por ata i ndoqën dhe i qëlluan me armë në brendësi të një rrugice.

Shërbimet policore kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë shoqëruar disa persona, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Pas sulmit me armë janë shoqëruar disa persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Shërbimet policore po bëjnë kërkime nëpër lokale dhe banesa, ndërsa  janë ngritur postblloqe në rrugët se lidhin Laçin me zonat e tjera./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono