erisa zykaj

erisa-zykaj.jpg
G. P.20:45 | 21/06/2018

Në Bruksel kanë vijuar debatet në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Franca dhe Holanda vijojnë me qëndrimin e tyre kundër, ndërsa Gjermania duket e ndarë institucionalisht.

Hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka shkaktuar debate në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Presidenca bullgare ka konfirmuar se qëndrimet e shteteve anëtare janë të ndryshme dhe shtetet anëtare po negociojnë që të gjejnë një zgjidhje për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë.

Franca aktualisht është vendi që është kategorikisht kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por ky qëndrim nuk lidhet vetëm me qasjen e saj për procesin e zgjerimit. Franca konsideron se Shqipëria nuk i ka përmbushur 5 kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe se progres-raporti i Komisionit Europian është tepër optimist.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Holanda, duke bërë të qartë se nuk është dakord me progres-raportin e Komisionit Europian për përmbushjen e 5 kritereve nga Shqipëria. Gjermania është në favor të një rekomandimi të kushtëzuar për Shqipërinë, por ky vendim duhet të kalojë së pari në komisionin e çështjeve europiane dhe më pas në seancën plenare të Bundestagut.

Presidenca bullgare e ka të vështirë në këtë situatë të thotë me siguri nëse do të merret një vendim pozitiv më 26 Qershor nga ministrat e Brendshëm dhe ata të Çështjeve Europiane. Mbetet ende dilemë nëse vendimi përfundimtar do të kalojë përfundimisht në duart e 28 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian më 28 dhe 29 Qershor./abcnews.al

 

kukan.jpg
G. P.14:35 | 04/05/2018

Raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan ka folur në një intervistë për ABC News lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ai nënvizon se diplomacia shqiptare duhet të bëjë ç’është e mundur për të bindur vendet skeptike të Unionit deri në vendimin e Këshillit të Qershorit.

Pyetje: “Cilat janë pritshmëritë nga samiti i Sofjes në planin politik të rikonfirmimit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, por edhe në atë të projekteve të ndërlidhjes? A pritet të mbështeten projekte të rëndësishme në Sofie”?

Eduard Kukan, eurodeputet: “Ne kemi pritshmëri të madhe realiste nga samiti i Sofies, duke qenë se presidenca bullgare nuk i ka fshehur ambiciet për një event të madh. Samiti i Sofies i 17 Majit konsiderohet si eventi tjetër i rëndësishëm për vendet e Ballkanit pas atij të Selanikut, që mbetet në histori si një datë e rëndësishme për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit. Ju u shprehët saktë kur folët për rikonfirm të perspektivës europiane. Ne presim pikërisht rikonfirmimin e institucioneve europiane për t’i dhënë kredibilitet zgjerimit të ardhshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit. Dhe ne presim që dokumenti final apo deklarata e samitit të konfirmojë këtë gjë në gjuhën më të fortë të mundshme. Mendoj, se kjo do arrihet, pavarësisht problemeve që janë shfaqur midis përfaqësueseve të vendeve anëtare të BE-së apo jo anëntare. Sigurisht që kredibiliteti i zgjerimit shkon dorë për dore me projektete konkrete. Të arrish deklarata të bukura politike është e rëndësishme, por nuk e dijmë nëse do të ketë projekte konkrete që do dalin nga samiti i Sofies. Gjithsesi dokumenti do jetë i rëndësishëm dhe projektet mund të vijojnë në një të ardhme të shkurtër”.

Pyetje:Komisioni i punëve të jashtme mbështeti plotësisht rekomandimet e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Edhe gjatë vizitës së Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në rajon, u konfirmua se progreset e bëra nga dy vendet janë të mjaftueshme për të filluar negociatat e anëtarësimit. A jemi aktualisht në këtë fazë”?

Eduard Kukan: “Jam dakort me vlerësimin e zotit Donald Tusk. Mendoj, se para vizitës së tij në Ballkan, ai është konsultuar edhe me institutionet e tjera europiane. Vizita e tij në rajon duhet parë si një tjetër konfirmim, se ne e marrim zgjerimin e Bashkimit Europian seriozisht dhe nuk mund të lejojmë humbjen e kredibilitetit të Bashkimit Europian që filloi të ndihej në gjirin e vendeve të Ballkanit. Pra është një tjetër hap për të arritur në këtë fazë, por nuk jemi ende aty”.

Pyetje:Presidenti Tusk tha gjithashtu, se qëndrimi i shteteve anëtare është një sfidë më vete. E dijmë që ka disa shtete anëtare skeptike për Shqipërinë. si Gjermania, Holanda, Franca, ndërkohë që Greqia pret gjitashtu marrëveshjne për çështjen e paktit detar. Cfarë duhet të bëjë Shqipëria për të bindur këto shtete anëtare skeptike deri në fund të Qershorit”?

Eduard Kukan: “Këtu ka dy pika. Progresi në Shqipëri dhe Maqedoni ishte i dukshëm dhe mund të themi që Komisioni Europian vëzhgoi me shumë vëmendje situatën dhe rekomandimi i dhënë për të dyja vendet ishte ishte pasqyra më  e mirë, më objektive dhe më e ndershme ndaj situatës në Shqipëri dhe Maqedoni. Pika tjetër është që autoriteti që merr vendimin është Këshilli Europian, që përbëhet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas përvojës, në përgjithësi, shtetet anëtare kur marrin vendime të tilla shohin së pari marrëdhëniet e tyre bilaterale me vendin në fjalë dhe jo nëse vendi ka përmbushur kriteret që janë përcaktuar në nivelin europian. Vendimi merret shpesh në bazë të marrëdhënieve bilaterale, që në këndvështrimin tim është diçka e gabuar, por ky është vendimi i shteteve anëtare sovrane. Siç i kam thënë edhe në Shqipëri kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ata duhen të fokusohen tek vizitat në këto vende dhe të përdorin argumentat e tyre më të mira politike, por dhe sharmin e tyre. Sharmi në politikë është gjithnjë i rëndësishëm. Kjo po ndodh. Kam ndjekur që kryeministri ka vizituar Berlinin dhe është takuar me kancelaren Angela Merkel. Ne nuk e njohim ende qëndrimin zyrtar të Gjermanisë, por dijmë jozyrtarisht se janë në fazën e përgatitjes, se cili do jetë vendimi i tyre për Shqipërinë. Pastaj është Franca dhe Holanda. Duhet thënë që Holanda  tradicionalisht është shumë e vështirë në këtë aspekt, por për arsyet e duhura. Kur flasim me holandezët, ata tregojnë që investojnë shumë para për zgjerimin dhe duan të dijnë nëse këto para janë përdorur në mënyrën e  duhur. Prandaj kanë një qasje të një kontrolli strikt. Por nëse paraqiten prova bindëse,ata bien dakort. Diplomacia shqiptare duhet të përqëndrohet për kohën që mbetet deri në Këshillin e qershorit në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet skeptike dhe të bëjë ç’është e mundur për të bindur këto vende deri në vendimin e Këshillit të Qershorit”./abcnews.al

komisioni-europian-1280x652.jpg
G. P.22:05 | 12/03/2018

Komisioni Europian përcakton saktë se çfarë klasifikon si keqinformim, duke u distancuar nga termi “fake news”. Komisionerja europiane për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë nënvizon se nuk bëhet fjalë për të krijuar një ministri të së vërtetës, as për të favorizuar censurën dhe se nuk do ketë lista të zeza lidhur me këtë çështje.

Komisioni Europian distancohet nga termi “fake news” (informacion i rremë), duke përkrahur përkufizimin dezinformim (keqinformim) për problematikën e informacionit të pavërtetë që qarkullon në media online dhe jo vetëm. Përkufizimi vjen si rrjedhim i raportit të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë mbi informacionin e rremë (fake news). dhe dezinformimin. Raporti i grupit të nivelit të lartë i prezantuar në konferencë për shtyp në Komisionin Europian e përcakton dezinformimin si informata të rreme, të pasakta ose mashtruese, të hartuara, të paraqitura dhe të promovuara me qëllim përfitim ose për të shkaktuar qëllimisht dëm publik.

Madeleine De Cock Bunning, drejtuesja e grupit të ekspertëve: “Informata të pasakta, të rreme ose mashtruese, që qëllimisht dhe në mënyrë të gabuar influencojnë individët, si djaloshi dhe gjysha e tij që u mor si shembull, mua, apo vetë gazetarët, është ajo për të cilën flasim sot”.

Komisionerja europiane për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë, Mariya Gabriel ka nënvizuar, se nuk bëhet fjalë për të krijuar një ministri të së vërtetës, as për të favorizuar censurën dhe se nuk do ketë lista të zeza lidhur me këtë çështje.

Mariya Gabriel, komisionere për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë: “Ne flasim për një qasje gjithëpërfhirëse, multidimensionale dhe prej shumë palësh. Në qendër të kësaj qasje nuk ka vend për një instancë që merr rolin e disponuesit të të vërtetës. Ne kemi qenë shumë të qartë që në fillim. Ne nuk duam të krijojmë një ministri të të vërtetës, dhe as të favorizmojë censurën. Por nëse ne favorizojmë bashkëpunimin, koordinimin, transparencën, dhe gjithëprfshirjen mund të arrihen hapa të rëndësishëm në këtë drejtim”.

Madeleine De Cock Bunning, drejtuesja e grupit të ekspertëve: “Nëse shihni në raportin tonë të grupi të ekspertëve, ne nuk sugjerojmë krijimin e listave të zeza. Përkundrazi, për ne është shumë e rëndësishme liria e shypit. Ajo që sugjerojmë është verifikimi i fakteve, por ne e sugjerojmë këtë në një mënyrë shumë të hapur dhe nëse ai bëhet korrektësisht nga disa persona, ai mund të na çojë te rezultati i duhur, pasi nuk ka vetëm një të vërtetë”.

Sipas grupit të lartë të ekspertëve, verifikimi i fakteve duhet të bëhet nga një organizëm i pavarur, por mbetet për t’u përcaktuar organizmi, procesi identifikimit të burimeve të keqinformimit dhe rrjedhojat që lidhen me të. Raporti i grupit të ekspertëve jep 10 rekomandime për një kod të parimeve, që duhet të respektohet nga platformat online dhe mediat sociale për të luftuar dezinformimin. Lidhur me këtë do ketë një komunikim zyrtar të mëtejshëm nga Komisioni Europian në 25 Prill./abcnews.al

erisa-zykaj-1280x648.jpg
G. P.17:35 | 07/03/2018

ABC News ka intervistuar europarlamentarin Schams El Ghoneimi mbi artikullin e publikuar në median franceze Mediapart, ku i kushtohet një vëmendje e vaçantë rolit të Shqipërisë për shpëtimin e hebrenjve.

Pyetja e parë që shtrohet gjatë leximit të artikullit tuaj, është pse një franko-egjiptian i kulturës myslimane shkruan një artikull në 2018 të titulluar “Auschwitz, nuk të harroj”?

Schams El Goenimi, këshilltar parlamentar në Parlamentin Europian: “Pikërisht, në 2018, 73 vjet pas çlirimit të kampit të Auschwitz, ne përballemi ende me negacionizëm dhe relativizëm lidhur me çështjen e Shoa-s në Europë. Edhe pse antisemitizmi ka qenë gjithnjë prezent vazhdimisht në Francë, ka një rritje të antisemitizmit në gjirin e francezëve të kulturës myslimane. Duhet t’a njohim këtë. Duke qenë se presim një dhembshuri lidhur me rritjen e islamofobisë dhe racizmit në Francë, duhet kuptuar po ashtu vuajtja e tjetrit. Ndaj, si francez i kulturës myslimane që ka jetuar me francezë të kulturës hebreje, është e rëndësishme të shkruaj që edhe unë nuk e harroj Auschëitz, që edhe unë u traumatizova në shkollë kur mësova për horrorrin e SHOA-s në Val de Marne. Jam njeri si ta dhe dua të nënvizoj që nuk ka konkurrencë kujtese dhe nuk ka konkurrencë viktimash. Duhet njohur së pari vuajtja e tjetrit për të pritur më tej dhembshurinë e tij”.

Ju i jeni referuar në mënyrë specifike rolit të Shqipërisë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që mbetet gjerësisht i panjohur në Europë. Ju keni shkruar që Shqipëria ka dhjetëfishuar numri e popullsisë hebreje dhe personalitete si Albert Einstein kanë kaluar nga Shqipëria për t’i shpëtuar nazizmit. Si jeni dokumentuar për këtë, mbi ç’referenca jeni bazuar?

Schams El Goenimi: “Ne duhet të shohim fakte, që për mendimin tim duhet të mësohen në shkollë. I vetmi vend në Europë që jo vetëm ka shpëtuar hebrenjtë, por ka dhjëtëfishuar nurmin e hebrenjve në 5 vjet është Shqipëria. Një vend që është në shumicën e popullsisë së tij i besimit myslyman. Ndërsa mbreti Zog dhe kryeministri shqiptar, Mustafa Kruja shpëtuan jetë të hebrenjve, Franca humbi 45% të popullsisë hebreje gjatë SHOA-s. Duhet thënë dhe duhet parë gjithashtu pse Albert Einstein dhe intelektualë të tjerë hebrenj nuk kanë patur rrugë tjetër veçse të kalonin përmes Shqipërisë për të shpëtuar nga kthetrat e nazizmit. Duhet nënvizuar solidariteti human dhe kontributi që populli shqiptar ka dhënë pa asnjë përçarje, pa asnjë bashkëpunim për dorëzimin e hebrenjve nazistëve. Duhet t’a kujtojmë, sepse këto fakte janë shumë të rëndësishlme për ruajtjen e shpresës. Për të luftuar eskpremizmin që vjen nga të gjitha anët duhet të kujtojmë fort historinë e dashurinë së përbashkët prej shekujve midis myslimanëve dhe hebrenjve. Jo gjithçka është pozitive në këtë histori, por Shqipëria është një model për rievndosjen e dialohut midis dy komuniteteve tona. Gjatë dokumentimit tim, kam patur rastin të shoh një dokumentar për xhaminë e Parisit dhe u informova më tutje, se gjatë luftës së dytë botërore,shumë hebrenjë të Amerikës kanë kaluar nga Shqipëria për t’i shpëtuiar nazizmit”.

Faktet janë aty, dokumentacioni ekziston, janë bërë dokumentarë, por ky aspekt mbetet sërish i panjohur nga publiku i gjerë në Francë dhe në Europë.

Schams El Goenimi: “Këtu jemi në Parlamentin Europian. Shpresoj që një ditë Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe që të kemi deputetë shqiptarë në Parlamentin Europian që të ngrenë zërin për këtë çështje”./abcnews.al

vlcsnap-error714-1280x720.jpg
G. P.22:23 | 06/02/2018

E ftuar në ABC News, ish-ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ka folur për strategjinë e re të BE-së për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, integrimi i Shqipërisë për në BE është një proces i vështirë dhe për këtë duhet seriozitet, sinqeritet dhe komunikim midis palëve.
Gjosha tha se qeveria nuk duhet ta shkojë si një triumf personal këtë çështje, që është shumë e rëndësishme për shqiptarët./abcnews.al

vlcsnap-error340-1280x720.jpg
G. P.19:44 | 06/02/2018

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Brukseli, gazetarja Erisa Zykaj është shprehur se strategjia e BE-së për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor është një rikonfirmim i BE-së për vendet që duhet të anëtarësohen.

“E reja këtu është një rikonfirmim i BE-së që këto vende duhet të anëtarësohen një ditë”, u shpreh ajo.

Përsa i përket vitit 2025, si një vit i mundshëm që vendet e Ballkanit mund të anëtarësohen, Zykaj tha se kjo është një datë që nuk ka garanci që do të ndodhë.

“Në dokument kemi që 2025 është një datë ku mund të zgjerohet BE, por nuk ka asnjë garanci që do të ndodhë. Hahn tha se kjo është një datë indikative për të shtyrë vendet drejt kësaj date”, tha Zykaj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono