Erion Veliaj

Veliaj-ne-Byro-1280x711.jpg
nev ila22:17 | 26/06/2019

Mbrëmjen e sotme në Byro Politike me gazetaren Juli Xhokaxhi,  ka qenë i ftuar kryetari i bashkisë Tiranë , Erion Veliaj. Kryebashkiaku ka bërë të ditur se cilat janë projektet për mandatin e radhës. Më tej Veliaj nuk ka nguruar të kthej edhe përgjigje ndaj ankesës së një qytetareje.

Juli Xhokaxhi: Në fillim kur morët postin e kryebashkiakut, vutë theksin te shërbimi publik. Pyetja që në fakt nuk është thjesht e imja por e një qytetareje është:

Të lutem pyete zotin Veliaj, lidhur me shërbimet urban sepse është e përditshmja jonë. Përpara 4 viteve na ka folur për bileta elektronike por as bileta e as autobusë sepse janë në gjendje skandaloze. Në një studim që është bërë për shërbimin urban, pronarët e autobusëve kishin fitime marramendëse por nuk bëjnë asnjë investim”, pyet qytetarja.

Juli Xhokaxhi: Në fakt kemi patur edhe ne një vëzhgim tonin, që autobusët nuk ndezin kondicionerin në këto temperatura të larta.

Erion Veliaj: Një mënyrë se si penalizohet dikush që nuk ka ndezur kondicionerin është duke e raportuar. Ne kemi në portal tiranaime, ne vendosim 50-60 gjoba në ditë vetëm për autobusët.

Pra, a ka maskarenj që nuk ndezin kondicionerin? Patjetër.

I ruan dot nëse s’ke bashkëpunim me qytetarët? JO!

Kështuqë shumica e qytetarëve e dinë që po na dhanë targën, për 5 min është vendosur gjoba dhe ai e ka paguar shumë shtrenjtë atë gabim. Por në momentin që ne themi në përgjithësi, e kam gjetur Tiranën me 200 autobusë, sot është me 309 autobusë. Tani autobusët janë më të rinj./abcnews.al

erion-veliaj-9.jpg
G. P.22:14 | 26/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka asnjë ambicie tjetër brenda hierarkisë së Partisë Socialiste përveç se Bashkisë së Tiranës. Ai ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Byro Politike” të Juli Xhokaxhi ku tha PD është e vetmja parti patriotike dhe se ndihet i nderuar që është pjesë e lidershipit të PS-së si anëtar i kryesisë.

Juli Xhokaxhi: Në ambicien tuaj politike po punoni për një hierarki më të lartë qoftë në parti, qoftë në institucione?

Erion Veliaj: Në parti jam në hierarkinë më të lartë të mundshme dhe jam i nderuar që jam pjesë e lidershipit të PS-së si kryetar i anëtarësisë. Për këtë ndihem vërtetë i vlerësuar. Është e vetmja parti patriotike,  kur Saliu rresthonte botet për t’ia çuar Millosheviçit, kjo parti hapte dyert për emigrantët dhe për të gjithë refugjatët kosovarë. Kur Saliu i thoshte UÇK-së organizatë terroriste, kjo parti i trajnonte për të fituar luftën me të gjithë mundësinë që kishte. Kur i thoshte mos jepni Rambujenë, kjo parti bënte gjithë lobimin që Kosova të ishte e pavarur. Kështu që për mua është një nder të jem në lidershipin e PS-Së, është një shërbesë që e bëj me shumë dashuri dhe me shumë pasion, por hahet rrotë më rrotë me dashurinë dhe pasionin që kam për Bashkinë e Tiranës. E vetmja gjë që mendoj është data 1 Korrik kur të kenë mbaruar votimet, pa festë, pa fishekzjarre, pa tam-tame, pa farfuria, të fillojë asfalti, të hapen themelet e shkollës “Dritëro Agolli”, të fillojë rrjeti i ri i ujësjellësit tek “Astiri”, të bëjmë gjysmën e pedonales në Farkë. Kështu që kjo është e vetmja gjë që më obsesion dhe asgjë tjetër./abcnews.al

erion-veliaj-8.jpg
G. P.21:37 | 26/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi këtë të mërkurë se arritja më e madhe e tij gjatë këtyre 4 viteve është se kryeqyteti është bërë më i njerëzishëm dhe solidar. Ai ishte i ftuar në emisionin “Byro Politike” ku bëri bilancet e punës gjet mandatit në drejtimin e kryeqytetit. Veliaj theksoi se ka pasur investime në infrastrukturë, por arritje e madhe e tij është se janë kthyer ndjesitë komunitare.

“Njerëz të ndryshëm shohin arritje të ndryshme. Ajo që unë do theksoja si arritje më e madhe nuk është ajo që duket, që është infrastruktura. Unë them që qyteti është bërë më i njerëzishëm, është bërë më solidar. Janë kthyer ndjesitë komunitare duke filluar nga administratori i pallatit, tek një grup banorësh që mblidhen bashkë për të rregulluar fasadën dhe të bërit të qytetit më të njerëzishëm e bën më të lehtë pastaj dhe punën tjetër të infrastrukturës. Ndoshta dikush do thoshte, sheshi, Pazari, lodrat, shkollat etj. Të gjitha janë të mira, por të gjitha në fakt janë hapësira për njerëzit dhe fakti që jemi bërë më të njerëzishëm jemi bërë më të njerëzishëm më bën të jem më shpresëplotë për çfarë vjen për Tiranën. Unë them që qytete me infrastrukturë ka gjithandej, por ajo që nuk është gjithandej. Ajo që kishim humbur besoj nuk ishin vetëm malet me plehra, pusetat ku binim, gropat, por ne kishim humbur edhe solidaritetin me njëri-tjetrin. Nuk i thonim njëri-tjetrit “mirëmëngjesi, mirëmbrëma, bravo të qoftë jam krenar për ty, provoje prapë. Kjo më duket sikur është kthyer edhe në qoftë se më pyet mua kjo arritje që është pak më shumë shpirtërore më duket më shumë se ato fizike” , tha Veliaj.

Për sa i përket gabimit më të madh që ka bërë gjatë mandatit të tij 4-vjeçar, Veliaj foli për teatrin. Ai theksoi se nuk duhet të kishte pritur kaq shumë kohë për ndërtimin e tij.

“Gabimi më i madh është që ndoshta në ca gjëra mora më shumë kohë se ç’duhet. Fjala vjen teatri. Teatri Duhet të ishte sot ku jemi me stadiumi. Pra i dëgjon të gjitha palët, por ka një shumicë që vendos dhe ti ecën përpara. Insistimi im t’i dëgjojmë të gjithë, të bindim 99.99% e njerëzve arrita të kuptoj si te lodrat, si tek sheshi, si tek pazari, nuk i bind dot 100% të njerëzve. Duhet të ketë një masë. Nuk mund të debatohet diçka 2 vjet. Sheshi Skënderbej u debatua 10 vjet. Pas 10 vjetëve më mirë që morëm një vendim. Ajo që kuptova është audienca e sheshit dhe pazarit është një çikë më gjenerike, por e teatrit është më specifike, pra kateringu  që duhet t’i bësh, por gjykoj që humbasim kohë të çmuar që nuk kthehet më. Kur ti zbulon që ata që janë kundër teatrit në fakt ishin kundër lodrave dhe në fakt janë edhe tani kundër zgjedhjeve me këtë lëvizjen “Edhe unë” që në fakt është lëvizja “Me too” që i referohet atyre që janë përdhunuar nga dikush, nuk e di kush i ka dhunuar këta përveçse udhëheqësve politikë. I kopjojnë keq dhe ti zbulon që këta janë kundër çdo gjëje. Më pyete çfarë kisha peng. Peng kisha që te projektet e mëdha do doja që në listën e gjatë ta kisha dhe këtë megjithatë do jetë diçka që do e filloj mandatin e dytë”, tha Veliaj./abcnews.al

erion-veliaj-7.jpg
G. P.17:54 | 26/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi këtë të mërkurë se do të jenë mbi 1000 vëzhgues në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Gjatë një takimi elektoral ku prezantoi projektet për zonën e Dajtit dhe të Freskut, Veliaj tha se Basha gënjeu kur deklaroi se nuk do të ketë vëzhgues të huaj.

“Do flitet mirë për ta që ndërtojnë shkolla, që ndërtojnë parqe, që ndërtojnë muze, jo për ata që i djegin. Sot që kanë mbaruar komplet , tani që janë komplet të falimentuar, tani që i ka plas sherri Saliut me Lulin, tani që i ka plas sherri Lulit me kryetarët e bashkive që i mori në qafë dhe që për tre ditë do i nxjerrë të gjithë në rrugë, tani që po shpërbëhen dhe kanë dalë parti të tjera, tani që nuk iu bindet më njeri se përfundon në burg dhe pastaj nuk del më nga Shqipëria, tani që ka prek fundin mendoi që t’i fuste dhe një rrenë tjetër. Sot e pashë Lul Bashën dhe tha nuk do të ketë vëzhgues të huaj. Në një moment mendova që hunda po i rritej aq shumë dhe mendova do na thyejë televizorin duke iu rrit hunda se po shtoheshin rrenat. Raporti i fundit nga KQZ-ja që deri më sot janë 40 organizata të huaja dhe 900 vëzhgues në total me të gjithë stafet mbështetëse që do të vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri. Jam i bindur që nesër do të kalojnë mbi 1000”, tha Veliaj.

Veliaj deklaroi se organizata “Kongresi i Autoriteteve Vendore” që deklaroi se nuk do të sillte vëzhguesit e saj nuk është Këshilli i Europës, por një trupë vullnetare e saj. Sipas Veliajt, kryetarët e bashkive të djathta duke qenë se janë pjesë e këtij organizmi kanë raportuar se në zgjedhje do të ketë dhunë. Por kryebashkiaku të Tiranës tha se pasi foli me përfaqësues të kësaj organizate, ata do të jenë në fundjavë për të vëzhguar zgjedhjet.

“Çfarë kishte ndodhur? Ishte një nga 40 organizatat e cila thoshte që kemi marrë raportime për dhunë. Kjo organizatë nuk është KiE. Është një trupë vullnetare brenda KiE-s që quhet “Kongresi i Autoriteteve Vendore”. Nga e di unë këtë? Si kryetar i bashkive të Shqipërisë jam përfaqësues i Shqipërisë në këtë kongres, por Luli nuk ka nga ta dijë këtë se kur ishte kryetar bashkie jo që nuk dinte ku binte Kongresu, por nuk dinte ku binte sahati, nuk dinte ku binte shkolla, ku binte kopshti, çerdhja. Çfarë ndodhi? Duke qenë se pjesë e delegacionit që kryesoj unë si pjesë e kongresit e Këshillit të Europës, pra në këtë trupë brenda një institucioni që ka disa organizma, kishin marrë gjithashtu informacion nga Voltana. Dhe kur marrin informacion nga bashkiakë të tjerë që thonë “ne këtu ju presim me zjarr, ne këtu ju presim me gurë, ne këtu ju qëllojmë me fishekzjarre”. Ata thanë “dy duar për një kokë. Kur kjo e çmendura të vret pse duhet të shkojmë në Shqipëri”. Dua t’ju them, pasi fola me përfaqësuesit e kongresit dhe pasi ju thashë që ne shqiptarët nuk jemi të dhunshëm një grup i vogël kryetarësh bashkie që djegin shkolla nuk përfaqësojnë bujarinë dhe mikpritjen edhe kongresi i KiE do të jetë këtë fundjavë në Tiranë për të vëzhguar zgjedhjet dhe për t’i treguar Lul mashtruesit se nuk ke ku kapesh, nuk ke alibi dhe nuk ke asnjë shpjegim pse e more partinë tënde në qafë”, tha Veliaj./abcnews.al

Veliaj-1280x721.jpg
nev ila22:58 | 25/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zbulon se në vjeshtë do të hapet një ankand për shitjen e 34 përlind të aksioneve që bashkia zotëron tek skuadra e Tiranës. Sipas Veliajt kjo është zgjidhja më e mirë për të gjitha palët.

Privatizimi 100 % i klubit të Tiranës është  një çështje e cila është diskutuar gjatë por që ende nuk ka një zgjidhje konkrete. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zbulon se në vjeshtë do të hapet një ankand për shitjen e 34 % të aksioneve që zotëron bashkia ku natyrisht do të fitojë ai që ofron më shumë. Veliaj jep edhe një opinionin për mënyrën e funksionimit të klubeve të futbollit në Shqipëri.

“Ne kemi marrë një vendim si të gjitha bashkitë që kanë privatizuar ekipet e tyre të futbollit. na rezulton se është më fitimprurëse për të dy, edhe për ekipin e futbollit dhe për ne, që ne ta privatizojmë edhe 34 % e fundit që ka mbetur nga Tirana, duke mbajtur një spirancë në bashki. duke qenë peng i vendimmarrjes nga një privat, kryetari i bashkisë duhet të mbledhë për cdo pagesë, cdo qindarkë këshillin bashkiak duke i lidhur duart atij që investon në ekip, duke ja bërë burokracinë malore atij që është pronari i shumicës dhe duke humbur zhdërvjelltësinë që kanë klubet e tjera që janë 100 % private, që i marrin vendimet në sekondë, që nuk u shpëton asnjë ofertë e mirë në markat, duke filluar që në fillim të vjeshtës, ne do të hapim një ankand, ofertuesi më i mirë, që sjell më shumë lekë për aksionet e futboll klub Tiranës, do jetë ai që do fitojë dhe ato financa të kenë mundësi të lajnë borxhet e klubit e ti japin liri nga zinxhiri i një burokracie shtetërore që është i pamenaxhueshëm”, tha Veliaj.

Aksionari kryesor i skuadrës së Tiranës është Refik Halili i cili mban postin e presidentit të klubit./ABC news Albania 24/7

erion-veliaj-6.jpg
G. P.22:02 | 24/06/2019

Kandidati socialist, Erion Veliaj i cili garon për një mandat të dytë për Bashkinë e Tiranës zhvilloi takim me banorët e njësisë nr. 9 ku foli për projektet e realizuara dhe ato që do realizohen në 4 vitet e ardhshme.

Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me banorët e njësisë 9 në kryeqytet ku foli për të gjitha projektet e realizuara gjatë mandatit të tij të parë

“Japim llogari me krenarinë më të madhe se çfarë kemi thënë e kemi bërë. Thamë që do ta bëjmë sheshin “Skënderbej” ku fillon njësia 9 dhe e bëmë. Thamë që do ta bëjmë unazën e vogël që përshkruan njësinë 9 dhe e bëmë. Thamë do bëjmë bulevardin e ri dhe e bëmë. Thamë do bëjmë kopshte dhe çerdhe dhe i bëmë”, tha ai.

Veliaj foli para banorëve të Njësisë 9 edhe për projektet e reja që do të realizohen sapo të marrë mandatin e ri si kryetar i bashkisë.

“Ne kemi vetëm një plan, ta bëjmë Tiranën, ta bëjmë Shqipërinë, ta bëjmë njësinë , të bëjmë çdo kopsht, çdo çerdhe, çdo ambulancë cilësore se do jetojmë këtu dhe nuk kemi një plan tjetër. Javën tjetër fillon puna për bulevardin “Zogu I” me të njëjtin cilësi si sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi i ri”, tha Veliaj.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që gjatë këtyre ditëve të mbetura para 30 Qershorit të vendosin për punën dhe për të çuar përpara projektet, të cilat janë favor të tyre./ABC News Albania 24/7

familjet-e-reja-1280x853.jpg
G. P.13:54 | 23/06/2019

Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me disa familje të reja në kryeqytet ku foli për projektet e realizuara gjatë mandatit të tij të parë, si dhe shpalosi ato që do të realizohen gjatë mandatit të tij të dytë.

Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me familjet e reja në kryeqytet, ku foli për punët e bëra, si dhe projektet që do të zbatohen në 4 vitet e ardhshme me fokus sërish te fëmijët.

Veliaj u shpreh se është e rëndësishme që më 30 Qershor prindërit ta kenë të qartë nëse duan të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre apo të qëndrojnë në shtëpi duke menduar për hallet e politikanëve.

“Nuk dua t’ju flas për fushatë sepse besoj se në Tiranë fokusi tek fëmijët ka qenë fushata më e mirë që kemi bërë në këto 4 vjet. Por, ajo që dua nga ju është që, kur të shkoni te këndi i lodrave, se zakonisht aty shkojnë edhe prindërit me kasketë që protestuan kundër ndërtimit të këndit, t’u thoni hiqeni kasketën, nuk ka nevojë të fshiheni, të gjithë bëjmë gabime, ajo që ka rëndësi është që të mos mendojmë më për shefat e partisë, por të mendojmë pak më shumë për fëmijët”, tha Veliaj.

Veliaj bëri të ditur se projekti i kredive të buta për çiftet dhe familjet e reja do të vijojë edhe në mandatin e dytë të tij.

“Filluam me kredinë e butë, ku çdo vit kemi pasur 1 mijë çifte të reja që e kanë përfituar. Mosha e të dyve në çift duhet të jetë nën 70 vjeç, pra nga 35 vjeç mesatarisht secili ose më poshtë, që mund të kenë ardhur nga qytete të tjera, që sapo e kanë filluar jetën në Tiranë, që sapo janë bërë me fëmijë, që nuk iu del edhe për qiranë, edhe për fëmijën, edhe për pajisjet elektroshtëpiake, edhe për të jetuar. Duam që t’i vazhdojmë këto projekte dhe duam që t’i forcojmë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se pas ndërtimit të 45 këndeve të lojërave gjatë mandatit të parë, projekti do të vijojë edhe në mandatin e dytë, duke ndërtuar çdo muaj një kënd të ri lojërash. /ABC News Albania 24/7

erion-veliaj-5-1280x960.jpg
G. P.21:01 | 22/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ftoi qytetarët që me 30 Qershor të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kandidati socialist për një mandat të dytë e ndali fushatën elektorale në njësinë numër pesë.

Fushatën elektorale kandidati socialist për Tiranën Erion Veliaj e ndali në njësinë administrative numër pesë. Banorëve të kësaj zone iu dha një lajm të mirë.

“Lajmi i mirë është që tek ajo hapësira që shikoni aty, në krah të Parkut Olimpik, ne do të fillojmë ndërtimin e shkollës së re “Dritëro Agolli”në Njësinë Nr 5, një shkollë që është pjesë e 17 shkollave të reja, një shkollë që jam i bindur si shkolla “Kosova”si shkollat e tjera do jetë më e mirë në Republikë sepse çdo shkollë e re që bëjmë është më e mirë se ajo që kemi përfunduar”.

Në këtë pikë kryebashkiaku Veliaj  u ndal për të bërë diferencën me demokratët.

“Para dy ditësh u dogj një shkollë në Shkodër, “Shenaze Juka”për të gjithë ata që janë nga shoqata e veteranëve dhe dëshmorëve për një  vajzë partizane dhe për një mësuese. Nuk është lajm i mirë se i bie që në Shqipëri llogaria qenka zero, një ndërton shkolla dhe një i djeg. Një ndërton kënde lojërash dhe një i prish. Dhe po vazhduam me këto llogari atëherë i bie që në Shqipëri shuma është zero e çdo gjëje”.

Ndërkohë Veliaj ftoi qytetarët të dalin në votime me 30 Qershor duke theksuar se kjo është një ditë për të menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre./ABC News Albania 24/7 

veliaj-dhuna-1280x720.jpg
nev ila11:42 | 22/06/2019

Kryebashkiaku Erjon Veliaj, në vijim të takimeve të tij elektorale për një takim të dytë, tha se protesta e mbrëmshme e opozitës ishte e qetë, pas ndërhyrjes së ambasadës amerikane. Veliaj tha se me ndihmën e ambasadave të mëdha në Tiranë, nuk do të lejohet djegia e Shqipërisë as këtë javë përpara zgjedhjeve.

Erjon Veliaj nuk ngurron të përgëzojë kundërshtarin politik. Pas 5 muajsh përplasjeje mes mazhorancës dhe opozitës, kryebashkiaku i Tiranës ka një mesazh për njeriun që i liroi zyrën.

Por lavdërimi i opozitës mbaron me kaq, kur Veliaj shpjegon arsyen se pse sipas tij protesta e fundit e opozitës nuk pati dhunë.

“Dje pashë protestën e tyre. Falë ndërhyrjes energjike të SHBA, BE, OSBE dhe vendeve anëtare, protesta nuk degjeneroi në dhunë. Ndaj, urime Lulit, do të thotë që e paskan mundësinë të sillen si njerëz, e paskan aftësinë të sillen si qytetarë, e paskan të gjithë shansin që njerëzit e tyre të mos i trajtojnë si një kope që thotë: Skape kryeministrin, skape Parlamentin, skape Bashkinë! Pra, Partia Demokratike ka fuqi t’i trajtojë njerëzit me dinjitet. Një parti që për 9 protesta me radhë i trajtonte njerëzit si Balo dhe Lordi, skape Balo, skape Lordi! Në PS i trajtojmë njerëzit si njerëz dhe jo si kope për t’iu sulur godinave, jo si kope për të shkatërruar pronën publike, jo si kope për të djegur shkollat. Në momentin që i shikon njerëzit si të lidhur me litar, skape Lordi, skape Balo, skape Xhina, do të thotë që s’ke respekt për njerëzit. Fakti që një ditë u thua, nesër do ju shqyejmë dhe pastaj kur dikush bërtet i lidh me zinxhirë, do të thotë që i trajton njerëzit si të dorës së dytë, si mjete, si vegla për të kapur ti pushtetin, por jo për t’i respektuar, se një lider politik nuk u thotë njerëzve skape për institucionet”, tha Veliaj.

Banorëve të Petrelës, Krrabës dhe Bërzhitës ju tregoi diferencën mes partisë së tij dhe kundërshtarëve.

Megjithëkëtë, në monitorimin e kryebashkiakut, numri i protestuesve ishte në rënie. 8 ditë përpara zgjedhjeve, Veliaj jep garancinë se pse zgjedhjet do të shkojnë pa probleme.

Veliaj ju kërkoi mbështetësve të tij maturi e qytetari deri ditën e votimit./ABC News Albania 24/7

veliaj-10-1280x854.jpg
G. P.15:24 | 20/06/2019

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka vijuar fushatën për një mandat të dyte në krye të bashkisë së kryeqytetit në një takim me administratorët e pallateve. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Veliaj krahasoi dhunën ndaj KZAZ-ve me sulmet e Ku Klux Klanit ndërsa opozitën me lëvizjen e Haxhi Qamilit.

Dhunën e opozitës ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve kryebashkiaku i Tiranës njëkohësisht kandidat i socialistëve për një mandat të dytë në kryeqytet Erion Veliaj e krahasoi me sulmet e Ku Klux Klan-it, organizatës ekstreme të djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur një kryetar bashkie mobilizon të gjithë njerëzit, komplet si ‘Ku Klux Klan’, me zjarr në dorë, për të djegur shkolla, për të djegur sakrificën e atyre përpara nesh, edhe ka shumë njerëz që ndoshta me të drejtë edhe kanë thënë këta janë frustruar, këta janë të mërzitur, por a është kjo mënyra për të treguar që ne jemi mërzitur”, tha ai.

Ndërsa për veprimet e deputetëve të opozitës, Veliaj tha se janë si lëvizja e Haxhi Qamilit.

“Bëhet fjalë për vitin 1913-1914, Shqipëria kishte Princ Vidin, i cili në periudhën e administrimit pas Perandorisë Osmane, pas një pushtimi 500-vjeçar filloi reformat e veta dhe kishte një grup njerëzish që thoshin: – Duam babën, duam të shkojmë atje ku ishim 500-vjet. Zot, a nuk është për t’u habitur se si përsëritet historia, që ka njerëz që thonë prapë – Duam babën. Por tani jo ai ‘baba në Stamboll’, por ‘baba Saliu’, ‘baba i Lulit’. “Duam babën”, po mirë po fëmijë ke? Po shkollë për fëmijët do kërkosh? Dakord do sakrifikosh për ‘babën’, por do djegësh shkollën e fëmijëve të tu, se ata fëmijët e tyre i kanë të gjithë jashtë”, tha Veliaj.

Veliaj i bëri këto deklarata në një takim me administratorët e pallateve në Tiranë të cilëve iu kërkoi të informojnë qytetarët për ndëshkimet që i presin nëse prishnin procesin zgjedhor.

“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu  kushdo që tenton të pengojë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës apo prish zgjedhjet nuk do të ketë mundësi të udhëtojë jashtë Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono