Erion Veliaj

erjon-veliaj.jpg
G. P.15:50 | 08/12/2018

Shkon në 20 numri i objekteve të prishura në segmentin nga pallati me shigjeta deri tek Dogana. Bashkia e Tiranës njofton se një pjesë e banorëve bashkëpunojnë me pushtetin vendor për lirimin e hapsirës publike.

Ka nga ata që protestojnë. Ka nga ata që pijnë kafe. Kreu i Bashkisë Tiranë preferon këta të dytët.

Të ardhur nga Tepelena, Skrapari dhe Korça, sipas njoftimit të zyrës së medias pranë Bashkisë, premtuan se do t’i boshatisin e prishin vetë objektet që sot i kanë pa leje.

Deri tani, numri i objekteve pa leje që janë prishur në segmentin nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana për t’i hapur rrugë projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe ka shkuar në mbi 20.

Pritën të prishen edhe mbi 10 objekte të tjera./abcnews.al

protestaaaa.jpg
G. P.17:26 | 06/12/2018

Një profil në rrjetin sociali Facebook i hapur në Mbështetje të Banorëve të Unazës së Re ka akuzuar kreun e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, se takimet e zhvilluara me të supozuar banorë të Unazës së Re, në të vërtetë i ka zhvilluar me anëtarë të strukturave të Rilindjes, herët në mëngjes rreth orës 7:30 pasi sipas tyre ka frikë të përballet me banorët që protestojnë për mbrojtjen e shtëpive të tyre.

Sipas denoncimit, Veliaj ishte i rrethuar nga 20 badigardë dhe ka takuar administratorin e zonës si dhe nipin e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, për shkak të të cilëve është devijuar projekti fillestar./abcnews.al

VELIAJ-TAKON-BANORET-E-ASTIRIT.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.17:13 | 06/12/2018

Dita e punës sot nisi ndryshe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me banorë të Zonës së Astirit, e më pas inspektoi punimet që po kryhen në zonën e Unazës së Madhe, pranë rrethrrotullimit të-ish “Shqiponja”.

Pas konsensusit të arritur pak ditë më parë me komunitetin e banorëve të ardhur nga Tropoja, Kukësi e Dibra në atë zonë, kryebashkiaku Erion Veliaj mori dakordësinë e komunitetit nga Tepelena, Skrapari dhe Korça, të cilët u shprehën pro vijimit të punës për projektin e Unazës së Madhe.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Ishte një kënaqësi e veçantë të takoja të gjithë miqtë këtu në “Astir”, e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë “Skrapari”. Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, ndërsa sot me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Siç patëm me miqtë nga Tropoja, Kukësi e Dibra, ashtu edhe sot me tepelenasit, skraparllinjtë e korçarët, kemi konsensusin se ky projekt duhet të vijojë dhe duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës”.

Veliaj falenderoi banorët që janë distancuar nga aktet e bllokimit të rrugës dhe që kanë pranuar t’i hapin rrugë projektit për transformimin e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana. Kreu i Bashkisë u bëri thirrje edhe banorëve të tjerë të Astirit që të mos përdoren politikisht, por të distancohen nga politika dhe theksoi se kjo çështje do të marrë zgjidhje brenda Vitit të Ri./abcnews.al

VELIAJ-DHE-PEMET.mpg_snapshot_00.18-1280x720.jpg
G. P.17:02 | 04/12/2018

Mbjelljet e pemëve janë shndrruar edhe në një dhuratë për ditëlindje. Kështu ka ndodhur në liqenin artificial të Tiranës ku nuk mungoi edhe mesazhi i kryebashkiakut Erion Veliaj për të gjelbëruar sa më shumë Tiranën.

Surpriza brenda një familje të kryeytetit nuk kaloi në hije, për më tepër kur flitet për mbjellje pemësh. Në 75-vjetorin e lindjes, vajza kishte vendosur ti bënte një dhuratë ndryshe babait të saj me mbjelljen e tre fidanëve në një nga shtigjet ku prindërit, Ilia e Maria prej vitesh shëtisin çdo ditë.  Surprizë mbi surprizë u bë ditëlindja e Ilia Dukës në Tiranë kur iu shfaq edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Jam shumë i lumtur që e nisëm ditën mbarë me një surprizë për mikun tonë, Ilia, që është një djalë i ri, por me letra sot ka 75-vjetorin. Jam shumë i lumtur që Blerina dhe Maria, dy vajzat e shtëpisë, organizuan këtë surprizë. Nuk besoj se kishte mënyrë më të mirë se kjo për t’i dhuruar tre pemë parkut tonë, në një rrugë të cilën Ilia dhe Maria e përshkojnë çdo ditë në ajër të pastër”.

Në ditëlindjen e Ilias kryebashkiaku foli edhe për ndryshimet që ka pësuar parku i liqenit.

“Unë e mbaj mend si ka qenë ky territor: komplet i zaptuar, me ndërtime pa leje, me shkatërrime dhe degradim. Ishte vendim i vështirë, u desh të prishnim disa struktura, por ja ku jemi sot! Vendi është më i bukur dhe shijohet nga të gjithë, nga 1 milion banorë, jo vetëm nga 2-3 që kishin zaptuar hapësirën këtu. Sot jam shumë mirënjohës sepse në fund të ditës pemët që kam përballë dhe pemët që kemi mbrapa janë mbjellë nga njerëz të thjeshtë, jo nga kompani, por ashtu siç i vajti mendja Blerinës për të kujtuar ditëlindjen e babait duke mbjellë tre pemë. Ky qytet është sukses i njerëzve të thjeshtë”.

Kryebashkiaku ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe qytetarët e tjerë. Ai shtoi se një qytetar i mirë nuk është vetëm ai që paguan taksat apo respekton semaforin, por edhe ai që bën më shumë se sa vetëm minimumi, duke mbjellë një pemë apo duke kontribuar si vullnetar në dobi të komunitetit./abcnews.al

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-EDI-RMA-MES-KOSOVES-ARTIT-E-SHQIPERISE-01.12.2018.mpg_snapshot_02.29-1280x720.jpg
G. P.15:38 | 01/12/2018

Kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendje publike kur sfidoi nga Kosova, Bashkimin Europian dhe Serbinë. Ndërsa në shtëpinë e tij, opozita po mbështet protestat ndaj qeverisë të banorëve të Unazës së Re. Këtë dinamikë të ndryshme në dimensionin e festave na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Kryeministri Rama, tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, javën politike që lamë pas, kur artikuloi nga Peja tezën delicate të bashkimit kombëtar me Kosovën. U shfaq si protagonist në mbledhjen mes dy qeverive, duke sfiduar në emer të Shqipërisë e Kosovës, BE dhe Serbinë. Përkrah kryeministrit Haradinaj, u kujdes të mbronte presidentin Hashim Thaçi që ka kundër qeverinë e vendit të tij, për idenë e tij të rishikimit të kufijve. Në shtëpinë e tij, Kryeministri i Shqipërisë vazhdon të ketë një konflikt të hapur me banorë të unazës së re, ndërsa i vetmi komunikim me opozitën janë tiradat që i lëshon nga Twitteri.

Po cfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Ishte rradha e Kosovës për të mikpritur sipas traditës mbledhjen e qeverive të Kosovës e Shqipërisë. Takimi i pestë mes tyre u mbajt në Pejë, ndërsa protagonist ishte Kryeministri i Shqipërisë. Foli në emër të dy shteteve për bashkim, bazuar në një dokument strategjik që do përgatitet për gjendjen e të ardhmen e dy vendeve pas 2025, kohë kur Serbia hyn në BE. Po në emër të dy vendeve shprehu zhgënjimin ndaj BE.

Më 21 nëntor, një ditë pas Kosova dështoi të antarësohej për herë të tretë në Interpol, e Beogradi zyrtar mori meritat për këtë, qeveria Haradinaj e rriti në 100% tarifën për mallrat serbe, e moslejimin e produkteve, ku ajo emërtohej “Kosovë e Metohi”. Pakënaqësia serbe përveçse me deklarata u duk edhe tek lobimi tek institucionet ndërkombëtare, disa prej të cilave, përfshi shefja e diplomacisë së BE Mogherini, i kërkuan Kosovës anullimin e atij vendimi, Por Kryeministri Haradinaj u përgjigj se nuk kishte ndërmend të tërhiqej. Një natë më parë i ishte rrëfyer një histori presioni serb e ndërkombëtar ndaj Kosovës e tashmë Kryeministri u rendit në krah të Haradinajt.
Numri i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve, ishte më i madh se në 4 mbledhjet e mëparshme. Pa përmirësime të dukshme nga marrëveshjet e mbledhjeve të kaluara, këtë herë palët rritën pritshmëritë.

Por marrëdhënia nuk dukej aq rozë. Konferenca e përbashkët për shtyp, përplasi këndvështrimet mes Ramës e Haradinajt, mbi propozimin e Thacit për rishikimin e kufijve me Serbinë, një çështje që ka ndarë institucionet më të larta në kosovë, presidentin e Kryeministrin. Padyshim që këtë dituatë e di mirë Edi Rama, që zgjodhi të etiketonte pa doreza kundërshtarët e idese së Thaçit, teksa njërin prej tyre e kishte në krah. E Haradinaj nuk ia përtoi përgjigjen.

Kosova duket se po e pranon taksën prej 5 euro për një kalim, vendosur nga qeveria Rama për të hyrë në Shqipëri. Por kërkesa për Edi Ramën ishte therëse: Shqipëria duhet të garantojë standardin rrugor, që justifikon atë tarifë që ka vendosur. Simbolika me flamurin dhe shqiponjën mbylli mbledhjen mes dy qeverive, duke sjellë pakënaqësinë tradicionale instinktive të Beogradit, e një reagim të vakët nga BE, ndryshe nga çështja e tarifës ndaj importeve serbe. A ka fituar vallë imunitet BE nga retorika të tilla, apo problemet brenda Unionit tashmë po dominojnë, ato të vendeve jashtë tij? Të dy hipotezat vlejnë. Por interesant është se në këtë tensionim edhe publik mes KS e Serbisë, pas vendimit për tarifat, rishikimi i kufijve mes tyre paraqitet si një proces drejt dakordësimit nga presidenti i vendit. Nuk ka një konsensus brenda vendit për këtë çështje, por kjo nuk e pengoi Thacin, që mbështetet publikisht nga Kryeministri Rama, zhvilloi takime në Uashington me sekretarin e shtetit mike pompeo e këshilltarin e presidentit Trump për sigurinë kombëtare Majkëll Bolton, sipas tij, për t’u koordinuar me administratën amerikane në hapat e fundit të negociatave me Serbinë.

Mungesa e konsensusit politik është tipik edhe në Shqipëri, e asnjëra palë nuk investohet për afrim, as vetë Kryeminsitri që dukshëm po investohet për konsensus në Kosovë. 106 vjetorin e pavarësisë e festuan të ndarë: mazhoranca e presidenti në Vlorë, kurse opozita në Tiranë. Në nderimet e atij që njihet si ati i pavarësisë, Ismail Qemalit, spikati veshja jo zyrtare e Kryeministrit Rama. Veshja ne stilin e stilistit të tij të preferuar, japonezit Johji Yamamoto, kontrastoi fort në formalitetin e ceremonisë e përkrah stilit zyrtar të presidentit e kreut të kuvendit.

Veshja iu rikthye stilit formal disa orë më vonë, në pritjen tradicionale shtetërore për 28 Nëntorin. Ilir Meta i kujtoi se në 106 vjetorin e shtetit, ka një sfidë të paadresuar
Edhe në pritjen shtetërore opozita nuk ishte aty. Lulzim Basha kishte zgjedhur ta festonte ditën e flamurit me shqiptarët në Milano, ndërsa në mëngjes, kishte nderuar 28 Nëntorin, jo vetëm si ditën e pavarësisë, por edhe çlirimit të vendit, një korrigjim në ceremonialin zyrtar i bërë nga Sali Berisha, pas debatit nëse vendi ishte cliruar me 28 apo 29 nëntor të 1944.

Lulzim Basha po mbështet prej disa javësh kauzën e banorëve të unazës së re, shtëpitë e bizneset e të cilëve do prishen nga zgjerimi i rrugës. Nga 12 të arrestuar pas protestës tek parlamenti, vetëm 2 janë në burg, ndërsa deputetë të opozitës ishin në gjykatë për t’i mbështetur. 2 protestues të tjerë janë arrestuar, e disa të tjerë proceduar penalisht, për shkatërrim prone publike gjatë protestave të mbrëmjes. Edhe Lulzim Basha me disa deputetë të PD e LSI, pjesëmarrës në protesta janë proceduar penalisht, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje e qetësisë publike dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.

Njëlloj si për teatrin kombëtar, edhe ky rast duket i është lënë Erion Veliajt për menaxhim. Kryebashkiaku furnizon mediat me pamje nga prishja e objekteve të para, e madje edhe të banorëve që kanë pranuar të zhvendosen në banesa sociale në Shkozë. Pikëpyetja e fortë mbetet se si ka nisur vallë ky proces, pa një vendim të Kryeministrit, i cili bazuar në vlerësimin në terren të grupeve të punës, liston banorët që do përfitojnë dëmshpërblim, bonus qeraje apo banesë sociale. Kjo mangësi ligjore, nuk e pengon Veliajn që cdo ditë t’i tregojë publikut një tjetër anë: banorë që pranojnë shembjen e shtëpive tek Unaza e Re, në këmbim të një banese sociale në Shkozë
Padyshim që rikthimi i opozitës në kuvend për miratimin e Kodit të ri zgjedhor, përveçse përbush një detyrim të BE, i shmang afatin e djegies së mandateve për pjesën dërrmuese të deputetëve të saj, për shkak të mungesës 6 mujore në kuvend. Duhet thënë se përkundër denoncimeve sistematike, opozita po përgatitet për zgjedhjet vendore.

Atmosfera e festive bën të vetën, e duket se të gjithë po marrin kohë, pasi takimi me zgjedhësit do jetë vetëm 7 muaj më vonë. I vetmi që nuk e fsheh se po punon fort për një mandat të dytë është Erion Veliaj.

Veliaj në FRESSH: “Të kemi një fitore spektakolare në Tiranë. Këtë herë nuk na duhet vetëm fitorja, por shumica absolute në këshill për të mos e kthyer bashkinë ne minitepsira”./abcnews.al

VELIAJ-MBJELL-PEME-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.43-1280x720.jpg
G. P.13:51 | 01/12/2018

Katër vite pas largimit nga Shqipëria, ish-Ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu është surprizuar nga ndryshimi i shpejtë i Tiranës. Ai u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i jep “Kullën e Sahatit” ish-Ambasadorit të SHBA në vendin tonë, Alexander Arvizu, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Alexander Arvizu, ish-Ambasador i SHBA në Tiranë: “Është shumë e jashtëzakonshme. Është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre dhe kjo mund të inspirojë për të tjera gjëra. Unë e njoh Kryebashkiakun, por më e rëndësishmja, e di që Kryebashkiaku po punon edhe në gjëra të tjera, ndoshta jo kaq të dukshme, por që gjithashtu do të përmirësojnë jetën e njerëzve. Ndaj është e rëndësishme të bëhen të dyja, nuk mund të kesh njërën, pa pasur tjetrën.”

Në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, kryetari i bashkisë dhe ish-Ambasadori mbollën edhe një pemë në lulishten pranë Bibliotekës Kombëtare.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Mikprita në Tiranë një mikun tonë shumë të çmuar, ambasadorin Arvizu, që ka kaluar një pjesë të jetës së tij në këtë qytet. Është lidhur me këtë qytet, me vendin tonë. Prova se një vend ka zënë vend në zemrën dhe në jetën e dikujt, është kur ai kthehet sërish aty. Edhe prova që na jep ambasadori sot është se Tirana është pjesë e jetës së tij, Shqipëria është pjesë e jetës së tij dhe fakti që kthehet edhe për të dhënë një kontribut konkret dhe për të mbjellë një pemë në Tiranë në këtë fushatën tonë të “Pyllit Orbital”, më bën që ta çmoj shumë.”

Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu shërbeu në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s deri në janar të 2015-s./abcnews.al

VELIAJ-NE-KOMBINAT.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
G. P.16:40 | 30/11/2018

Nisma për shtimin e gjelbërimit në Tiranë është zhvendosur në zonën e Kombinatit. Kryetari i Bashkisë mori pjesë në krijimin e disa lulishteve në rrugën “Musine Kokalari” dhe u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë për të thyer rekordin e mbjelljes së pemëve sezonin e kaluar.

Pas rehabilitimit të bllokut të banimit pranë rrugës “Musine Kokalari” në Kombinat bashkia ka nisur punën për krijimin e mini lulishteve si mjedise çlodhëse për banorët e kësaj zone. Kryetari i Bashkise Erion Veliaj përsëriti synimin për të mbjellë 150 mijë këtë sezon, ndërkohë që theksoi se nisma mund të bëhet realitet me kontributin e të gjithëve.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Ne kemi një nismë fantastike për të kapur këtë vit 150 mijë pemë dhe ju mund të thoni se 150 mijë pemë nuk mbillen brenda ditës. Sigurisht, ndaj 20 sot, 200 nesër, e nëse vazhdojmë me këtë ritëm, sigurisht që do ta kapim rekordin. Kjo është një lagje fantastike e Tiranës, quhet zona “Musine Kokalari” sepse është afër shkollës. Siç e shihni jemi në hapat e fundit, kemi mbaruar konturimin, janë liruar kthesat e pallateve dhe hapësirat publike nga zaptimet, janë vendosur stolat e rinj, pllaka të reja, sinjalistika. Kishte ardhur koha e qershisë mbi tortë, gjelbërimi i zonës”.

Njësia administrative numër gjashtë në Tiranë sipas kryetarit të bashkisë, është një nga zonat ku është investuar më shumë. Megjithkëtë Veliaj premtoi realizimin e të tjera projekteve.

“Do të vazhdojmë me investimin te “Misto Mame”, për të përfunduar këtë vit me këto dy blloqe dhe aksin kryesor të Kombinatit, e pastaj për të vazhduar vitin tjetër në të gjithë zonën e Astirit dhe në të dy krahët e “Rrugës së Kombinatit”.

Për të mundësuar plotësimin me bimësi dekorative të këtij blloku banimi është parashikuar të mbillen 150 pemë dekorative./abcnews.al

veliaj.jpg
G. P.18:00 | 29/11/2018

Një qytetar nga Tropoja, i cili ishte shpërngulur prej disa vitesh në Tiranë dhe jetonte pranë zonës së “Astirit”, ka pranuar që dy banesat e tij pa leje ndërtimi të shemben.

Personi që kishte këto dy banesa të palegalizuara ka qenë i pranishëm gjatë momentit të prishjes së tyre, ndërsa bëri thirrje se tashmë ka ardhur koha që edhe banorët e tjerë të mos bëhen pengesë e zhvillimit të këtij segmenti të Unazës dhe të gjithë Tiranës.

Ukë Çelkolaj ka deklaruar për mediat se i kishte dhënë fjalën kryebashkiakut të Tiranës Veliaj se do pranonte shembjen e ndërtesave si dhe akomodimin në banesat sociale që ofron Bashkia në mënyrë që të kontribuojë për zhvillimin e mëtejshëm të kryeqytetit./abcnews.al

bardhii.jpg
G. P.15:52 | 29/11/2018

“Projekti 40 milionë euro i Unazës së Re është i paligjshëm dhe korruptiv dhe kërkon hetimin dhe dënimin e shumë zyrtarëve të lartë.” Deklarata erdhi nga foltorja e selisë blu, nga ku këshilltari ligjor i demokratëve Gazment Bardhi akuzoi kreun e bashkisë Tiranë Veliaj dhe atë të qeverisë Rama se kanë shkelur vendimin e firmosur nga vetë kabineti i këtij të fundit më 15 korrik 2015.

“VKM nr. 628 përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, ku më kryesori është studimi i fizibilitetit, ai që orienton qeverinë, nëse një projekt është i dobishëm dhe nëse kosto justifikon përfitimin”.

Është kjo VKM ajo që udhëzon rregullat teknike për projektimin e rrugëve që kërkon një studim paraprak të besueshmërisë, një vlerësim teknik, analizë kostosh dhe përfitimesh përpara proejktimit të idesë.

“Projekti 40 milionë euro është tenderuar: Pa studim fizibililiteti; Pa vlerësim të ndikimit në mjedis; Pa analizë kostoje dhe përfitimi; Pa vlerësim shpronësimësh. Për shkak të shkeljes së ligjit, sot, askush nuk e di sa kushton realisht projekti i Unazës së Re”.

Këto procedura janë kapërcyer qëllimisht sipas demokratëve, për të fryrë faturën e ndërtimit të 2.2 kilometrave rrugs në 40 milionë euro dhe për të shmangur shpronësimet. E kjo nuk është e vetmja paligjshmëri e gjetur që në fazën e ideimit të këtij projekti, thekson Bardhi.

“Nën presionin e protestave të qytetarëve dhe opozitës, qeveria ka pranuar se projektimi i veprës tek Unaza e Re është dhuratë, është sponsorizim nga një kompani private. Ky është një tjetër veprim i paligjshëm me projektin 40 milionë euro”.

Është ligji për sponsorizimet ai që rregullon mbështetjen me ndihma financiare dhe materiale për veprimtari specifike ku përfshihen ato humanitare, kulturore e artistike, sportive, edukative, arsimore, ekologjike, vepra letrare shkencore enciklopedike apo botuesve të shtypit, por jo asaj të ndërtimit të rrugëve.

“Por, përsa kohë, projektet tenderohen për të vjedhur, shkelja e ligjit është një normalitet për qeverinë e Edi Ramës. Siç paracaktoi në tenderin korruptiv kompanitë me të cilat do të ndajë 40 milionë eurot tek Unaza e Re, duke pranuar një dhuratë, një sponsorizim të paligjshëm, Edi Rama ka paracaktuar edhe supervizorin e punimeve, që pritet të jetë vetë kompania dhuruese e projektit të paligjshëm 40 milionë euro”.

Për këtë Partia Demokratike i drejton prokurorisë thirrjen për të dëgjuar protestuesit e për të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal me qëllim vënien përpara përgjegjësisë zyrtarët e përfshirë në atë që demokratët etiketojnë si aferë gjigande korruptive./abcnews.al

MBULIM-HOMAZHET-CLIRIMI.mpg_snapshot_00.56-1280x720.jpg
G. P.11:03 | 29/11/2018

Festa e çlirimit ka bërë bashkë sërisht kreun e shtetit Ilir Meta me atë të qeverisë Edi Rama. Ata vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”. Homazhe në ceremoninë e  74 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë bën edhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ai i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.

Në përfundim të ceremonisë kreu i qeverisë Rama ka takuar veteranët e luftës nacional çlirimtare. Me largimin e tyre, kanë qënë nostalgjikët e regjimit komunist ata të cilët kanë vijuar me homazhet e tyre me fotografinë e diktatorit Hoxha.

Ndërkohë Ministria e mbrojtjes çeli ditën e hapur të organizuar nën devizën “Festo me Forcat e Armatosura” në pedonalen e Tiranës, u u ekspozuan disa nga mjetet e përdorura nga Forcat e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura te Republikës.

Olta Xhaçka: “Në këtë aktivitet kemi ekspozuar një pjesë shumë të vogël nga eta dhe veprimtaria e këtyre djmeve dhe vajzave. Por ajo ç’ka ata bëjnë në realitet, ajo ç’ka ata i ofrojnë vendit tonë është e pamundur të përcillet në kaq pak hapësirë. Perveç se një datë historike 29 nntori është edhe një ditë kujtese, e cila na ndihmon të mos harrojmë se sa e çmuar është liria dhe çfarë sakrificash kërkon ajo. 74 vite më parë kur akoma nuk ishte shuar jehona e krismave dhe era e barutit të armëve të brigadave partizane që çliruan Tiranën, një tjetër qytet, Shkodra, do të gdhihej i lirë, duke vulosur përfundimisht fitoren tonë mbi pushtuesit dhe çlirimin e plotë të vendit. Ne kemi detyrimin ta përkujtojmë këtë moment historik me dinjitetin që ai meriton dhe të mbajmë gjallë kujtimin dhe vlerat e tij dhe të motivohemi prej tij.”

Edhe këtë vit politika ka festuar e ndarë ditën e çlirimit të Shqipërisë. Demokratët bën homazhet e tyre tek Varrezat e Dëshmorëve një ditë më parë, dita që konsiderohet prej tyre si data e çlirimit të vendit nga pushtimi nazi-fashist./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono