emri

lideret-1280x674.jpg
ad min15:50 | 30/09/2018

Liderët e partive politike në Maqedoni pas votimit në referendumin për emrin kanë bërë thirrje për pjesëmarrje massive. Ndërsa shprehën siguri se nga 1 Tetori vendi do të jetë më afër Bashkimit Evropian.

“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masivitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe njëherë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësie politike. Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të votojnë “Po” pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-n dhe BE-në. Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese si në çdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve. Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, u shpreh Zoran Zaev.

“Unë do doja në radhë të parë që ky proces të jetë i qetë, të jetë konform standardeve demokratike. Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj që këtij momenti të rëndësishëm me qetësinë qytetarët edhe t’i përgjigjen. Sigurisht që e drejta e tyre është të shprehin bindjet e tyre. Unë pres që qytetarët të vendosin në këtë referendum për të ardhmen e tyre. Ner të gjithë jemi angazhuar që nga 1 Tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku aspirojmë ne pranë BE-së”, u shpreh kreu i BDI-së, ali Ahmeti.

“Ditë e qetë, pa probleme. Ditë feste dhe besoj plotësisht në përhgjigjen masive të qytetarëve të Maqedonisë në lidhje me referendumin”, tha Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare./abcnews.al

MAQEDONI-KUVENDI-1280x720.jpg
ad min12:03 | 29/09/2018

Maqedonia do të votojë të dielën në referendumin për çështjen e emrit, në një moment që konsiderohet historik për vendin pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë. Ndërkohë vëmendja e gjithë botës do të jetë pikërisht tek pjesëmarrja në votim dhe tek rezultati.

E gjithë bota i ka kthyer sytë nga Maqedonia duke pritur në ankth për atë që do të ndodhë pas mbajtjes së referendumit për emrin e ri të shtetit. Pas vizitave të krerëve më të lartë shtetërorë europianë dhe amerikanë tashmë gjithçka është në dorë të votuesve maqedonas të cilët janë ndarë në dy grupe të mëdha. Forcat politike qeverisëse ku përfshihen edhe partitë shqiptare të cilat inkurajohen nga perëndimi dhe ultranacionalitët të cilët mbështeten dhe ka të dhëna edhe se po financohen fort nga Rusia. Lufta përgjithësisht është përqendruar në propagandën që bëjnë të dy krahët. Ata që kërkojnë “po-në” në referendumin e së dielës kanë hedhur akuza se kundërshtarët e linjës euroantlantike për këtë vend, kanë bombarduar opinionin me fake neës nëpërmjet portale të ngritura enkas për këtë fushatë dhe të financuar nga qarqe ruse.

E gjithë vëmendja botërore për këtë referendum është përkthyer në rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj, të cilët janë akredituar për ta ndjekur procesin. Maqedonia ka një elektorat prej 1.8 milionë votuesish; një shifër kjo që ka qenë e dabatueshme prej vitesh, pasi vendi ka pak mbi dy milionë banorë. Censusi i fundit është bërë në vitin 2002; ai i vitit 2011 dështoi për shkak të ndërhyrjes së politikës, lidhur me të cilin po zhvillohet një proces gjyqësor.

Partitë në pushtet kanë mbajtur takime me qytetarë por jo mitingje të mëdha dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çka duhet të vendosin votuesit në referendum.
Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët, e njëri krah i Lëvizjes “Besa” janë hedhur në fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro pyetjes së shtruar aty.

Megjithatë opozita shqiptare, e vogël në numër, me vetëm 4 deputetë në parlament nga 120 vende gjithsej, kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.  Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit kanë dërguar mesazhe për injorimin apo bojkotin e tij sepse preken, sipas tyre, interesat kombëtare dhe vetë identiteti dhe gjuha maqedonase.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndonëse nuk ka bërë thirrje direkte zyrtare për bojkotin e referendumit, siç duket për shkak të mosmarrëveshjeve brenda strukturave drejtuese, i ka bërë me dije qoftë përmes medias apo rrjeteve sociale përkrahësve të saj se nuk duhet dalë në referendum për shkak të arsyeve të lartpërmendura.

Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për emrin, bëri thirrje të hapur nga podium i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku mbajti një fjalim, për bojkotin e referendumit.
Sipas tij, Greqia do të ketë një pozitë superiore dhe mbikqyrëse ndaj ndryshimeve që duhet të pasojnë në Repubikën e Maqedonisë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar pret një rezultat të suksesshëm në referendum. Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë qëndruan në javët e fundit në Shkup për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Në referendum duhet të dalë më tepër se gjysma e elektoratit që i bie pak mbi 900 mijë dhe një votë më tepër se gjysma e tyre të deklarohen pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, që referendumi të shpallet i suksesshëm./abcnews.al

ZAEV-NDRYSHIMET-KUSHTETUESE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ad min11:46 | 28/09/2018

Në një intervistë për mediat vendase kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u shpreh se ndryshimet kushtetuese do të bëhen pas referendumit për çështjen e emrit. Ai u shpreh i bindur se marrëveshja me Greqinë do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve në parlament.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev deklaroi se Marrëveshja me Greqinë do të gjejë mbështetjen e plotë të të gjithë deputetëve, pas rezultatit të referendumit për emrin në 30 shtator. Kreu i ekzekutivit u shpreh se respektimi i vendimit të qytetarëve është detyrim në demokraci. Ai madje u shpreh i bindur se do të ketë minimalisht 80 vota në parlament për marrëveshjen me Athinën. Zaev u shpreh i kënaqur që shqiptarët kanë qenë përkrah tij gjatë proceseve të rëndësishme. Madje ai tha se me Marrëveshjen me Greqinë, gjuha shqipe dhe identiteti shqiptar janë të mbrojtur.

Ai theksoi se nëse do të bëhej fjalë për rrezikimin e identitetit shqiptar, apo të kujtdo tjetër prej bashkësive më të vogla etnike, do e mbronte njësoj si kishte mbrojtur gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nuk po kundërshtohet dhe as nuk do të kundërshtohet në të ardhmen, as identiteti shqiptar e as gjuha shqipe, theksoi Zaev. Kryeministri u shpreh për pjesëmarrjen referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit dhe se rezultati do të jetë pozitiv.

maqedonia.jpg
ad min22:57 | 26/09/2018

Fushata për referendumin në Maqedoni është drejt fundit, në një kohë partitë kanë në dispozicion të mërkurën dhe të enjten për të mbrojtur qëndrimet e tyre para qytetarëve.

Maqedonia është në ethet e prag  referendumit. Partitë e koalicionit “Bashkë për Maqedoninë Evropiane” janë në kulmin e fushatës për të bindur qytetarët që të jenë pjesë e votimit “historik’ të së dielës, opozita maqedonase nga ana tjetër edhe pse nuk ka bërë thirrje për dalje apo mosdalje në votim, fushatën e saj po e përmbyll me konferenca për media, me propagandë në rrjetet sociale dhe ndonjë tubim të rrallë, ndërsa në epiqendër ka sulmet ndaj marrëveshjes “kapitulluese” me Greqinë.

Edhe partitë shqiptare ndodhen në fushatë dhe të gjitha pa përjashtim janë përqendruar në thirrjet drejtuar elektoratit shqiptar për dalje sa më masive në votimin e së dielës.

Dalja në përqindje sa më të lartë, apo mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm votues, referendumin do ta bënte të suksesshëm, pasi në të kundërtën zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, që duhet të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese, do të ishte tepër i vështirë.

Maqedonia ka rreth 1.8 milionë votues dhe që referendumi të jetë i vlefshëm në votime duhet të dalin mbi 50 për qind e atyre apo rreth 900 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Maqedonia në këto tre javët e fushatës së referendumit është vizituar nga shumë personalitete të larta evropiane e botërore, që nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg e shumë kryeministra e shefa të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së. Emëruesi i përbashkët i mesazheve të tyre ka qenë dalja në referendum dhe votimi i marrëveshjes me Greqinë, si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.

Kryeministri, Zoran Zaev të martën i bëri thirrje opozitës “të mos merret me lajme të rreme”, por të ftojë qytetarët që të dalin në referendum dhe pasi këtë ajo sipas kreut të qeverisë do të realizojë kërkesën dhe premtimin e dhjetë viteve të fundit se “për çështjen e emrit të shtetit duhet të vendosin qytetarët në referendum”.

Fushata e referendumit është shoqëruar edhe me debatin dhe frikën mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në procesin e votimit. Shqetësimet janë ngritur në veçanti pas deklaratës të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, se Rusia mund të “dëmtojë” referendumin, pasi publikisht e ka kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Në rast se referendumi i së dielës ka sukses, kjo i hap rrugën ndryshimeve kushtetuese, e të cilat do të pranohen edhe nga opozita, bazuar në qëndrimet e saj se nëse shumica vendos për të pranuar marrëveshjen me Greqinë, atëherë këtë do të bënte edhe ajo me mbështetjen e paktit me Athinën.

Me këtë, Maqedonia do të ndërrojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe mbylljen e debatit 27-vjeçar me Greqinë, të cilin ajo e ka shfrytëzuar për të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE./abcnews.al

IVANOV-KUFIJTE.mpg_snapshot_00.03-1280x627.jpg
ad min11:30 | 23/09/2018

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se nuk do të votojë në referendumin për ndryshimin e emrit.

“Dy herë e kam fituar besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshime në Kushtetutë, për të  mos ndryshuar emrin kushtetues, për të mos pranuar idetë dhe sugjerimet që do të rrezikonin identitetin kombëtar, kombin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin bashkëjetesës në Maqedoni. Unë nuk devijoj nga premtimi im. Prandaj, më 30 Shtator, nuk do të dal për të votuar”, tha presidenti Ivanov.

Çdo qytetar, tha ai, ka të drejtën të vendosë se si të pozicionohet në lidhje me këtë referendum, të dalë të votojë, ose të bojkotojë. Ndërkohë, Ivanov po viziton Shtetet e Bashkuara, ku pritet të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./abcnews.al

bush.jpg
ad min12:47 | 19/09/2018

Apelit të ndërkombëtarëve për qytetarët e Maqedonisë që të votojnë në referendumin për emrin në 30 Shtator i është bashkuar dhe ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush. Në një letër drejtuar popullit maqedonas, ish-kreu i shtëpisë së Bardhë thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur gjithnjë Maqedoninë.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i është drejtuar popullit të Maqedonisë me anë të një letre të publikuar nga Këshilli Atlantik. Bush u bën apel maqedonasve që të dalin të votojnë në referendumin e 30 Shtatorit për emrin, pasi i pret një e ardhme më e mirë.

Ndër të tjera në letër shkruhet se marrëveshja e Prespës është kompromis inkurajues dhe i drejtë që do ta vendosë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Ai përsërit apelin për qytetarët e Maqedonisë që të votojnë në referendum dhe të marrin pjesë në këtë vendim historik.

Bush thekson se që nga dita e parë e pavarësisë së Maqedonisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e përhershme e vendit dhe qytetarëve. Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë shton se populli amerikan mahnitej me ngritjen paqedashëse të vendit nga hiri i Jugosllavisë.

Ai thekson se si president i SHBA-ve ka pasur nderin ta mbështesë presidentin Trajkovski në vitin 2001, kur ai e hoqi Maqedoninë nga lufta civile me mirëkuptim multietnik dhe sundim të së drejtës.

“Dhe isha krenar kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Republikën e Maqedonisë nën emrin e saj kushtetues në vitin 2004”, thekson Bush./abcnews.al

HAHN-SHKUP-MBULIM.mpg_snapshot_00.18-1280x700.jpg
ad min10:04 | 18/09/2018

Në një intervistë për Deutsche Welle komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Hahn ka përsëritur apelin e tij për maqedonasit. Ai theksoi se në referendumin e 30 Shtatorit për çështjen e emrit çdo votë ka rëndësinë e saj.

Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn në një intervistë për Deutsche Welle ka dhënë një mesazh të qarët në prag të referendumit në Maqedoni. Sipas tij qytetarët duhet të japin votën të lirë dhe pasi kanë marrë informacione të pavarura.

Duke folur për zhvillimin në Maqedoni Hahn theksoi se do të donte të shihte një progress më të shpejtë, stabilitet më të madh dhe më gjithëpërfshirës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit se pse Maqedonia është vendosur tashmë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në pritje të referendumit Hahn tah se zgjidhja e këtij konflikti ishte një nga shumë negociatat e drejtuara nga OKB dhe në shumë prej tyre nuk ka zgjidhje konkrete.

Në këtë kuadër ishte ngjarje e papritur që më në fund liderët arritën të binin dakord për diçka. Prandaj Bashkimi Europian, por edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë janë në Maqedoni shtoi ai dhe kjo është normale, është normale që ata të jenë këtu dhe të tregojnë angazhimin e tyre.

Duke marrë për shembull rezultatin e votimit në referendumin për Brexit në Britaninë e Madhe, Hahn tha se kudo ku ka zgjedhje dhe referendum, secili duhet të përdorë të drejtat demokratike, të marrë pjesë në votime, në zgjedhje pasi çdo votë ka vlerën e vet.

Komisioneri për Zgjerim tha se pret që referendumi të jetë një sukses dhe se maqedonasit duhet ta kenë të qartë se nëse dështon atëherë do të ketë pasoja të pakëndshme për vendin. Kjo duke pasur parasysh se Maqedonia ka ngecur më shumë se dhjetë vjet për fillimin e negociatave. Partitë politike në mënyrë të përsëritur kanë folur për angazhimin e vendit në Aleancën Euroatlantike./abcnews.al

BUSHATI-MAQEDONI-1280x720.jpg
ent ela17:02 | 13/09/2018

Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati u takua me Ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov.  Ministri Bushati vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe mbështetës të flaktë të proceseve euroatlantike të Maqedonisë.

Në këtë kontekst, ai u  bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë pro ne Referendumin per emrin e Maqedonisë, më 30 shtator.

Marrëveshjen e Prespës, Bushati e konsideroi si marrëveshje me “rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”.

Gjithashtu kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria pret me padurim zbatimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, i cili është një hap vendimtar për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike. Më herët, Ministri Bushati u takua me Kryeparlamentarin Talat Xhaferri dhe Zv/kryeministrin Bujar Osmani. /abcnews.al

MBULIM-MOGERINI-SHKUP.mpg_snapshot_00.07-1280x597.jpg
ad min11:22 | 13/09/2018

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politika të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe ndihmës sekretari amerikan për çështje evropiane dhe euro aziatike Mitchell vizitojnë Shkupin në mbështetje të referendumit për Marrëveshjen e Prespës.

Mogherini do të ketë takime me kryeministrin Zoran Zaev, me presidentin Ivanov, ndërkaq do të takohet edhe me liderin e opozitës, Mickovski. Mogherini dhe Zaev do ta vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku do të japin deklarata të shkurtra për mediat.

Ndihmës sekretari shtetëror amerikan për çështje evropiane dhe euro aziatike Mitchell, do të ketë takime me kryeministrin Zaev dhe me përfaqësues tjerë zyrtarë për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe referendumit të ardhshëm më 30 shtator. Zaev dhe Mitchell pas takimit do të japin deklarata për mediat rreth orës 18:30./abcnews.al

ali-ahmeti.jpg
ad min12:54 | 12/09/2018

Gjatë intervistës së tij në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, kryetari i BDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti u shpreh se shqiptarët do të votojnë “pro”, në referendumin për emrin në 30 shtator.

Mbrëmjen e së martës në emisionin “Opinion” ishte i ftuar kreu i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti. Ky i fundit ndër të tjera u shpreh se shqiptarët votojnë për të ardhmen e tyre në Maqedoni. Që Maqedonia të integrohet në BE dhe NATO. Ai tha se është koha që në 30 Shtator të vendoset me votë në referendum e ardhmja e këtij shteti.

Blendi Fevziu: “Shqiptarët votojnë për emrin e Maqedonisë, apo për t’i hapur rrugë integrimit të Maqedonisë”?

Ali Ahmeti: “Shqiptarët votojnë për ardhmërinë në Republikën e vet të Maqedonisë. Shqiptarët votojnë që Maqedonia të integrohet në Nato, të anëtarësohet në BE. Shqiptarët votojnë që të jetojnë në paqe dhe stabilitet dhe pikërisht me 30 Shtator është komenti, koha që ne t’i arrijmë këto synime”.

Blendi Fevziu: “Pse duhet të ekzistojë Maqedonia, kur duket që bashkëjetesa ose krijimi i një unioni midis shqiptarëve dhe maqedonasve nuk po funksionon. Duket sikur shteti nuk funksionon dhe palët nuk do pajtohen kurrë”.

Ali Ahmeti: “Kjo nuk qëndron. Në Maqedoni funksionon shteti, funksionojnë marrëdhëniet e mira”.

Blendi  Fevziu: “A ka unitet”?

Ali Ahmeti: “Mund të flasim për politikanë që janë akoma të papërgjegjëshëm. Qytetarët e kanë kuptuar realitetin objektiv më shumë sesa politikanët”.

Prej ditësh me iniciativë të kryetarit të parlamentit të Maqedonisë Xhaferri, partitë shqiptare kanë nisur fushatën pro referendumit për të nxitur sa më shumë maqedonas që të votojnë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono