emigracion

TRUMP-GAZETARI.mpg_snapshot_00.00-1280x1016.jpg
G. P.08:40 | 31/10/2018

I trembur nga një humbje eventuale në zgjedhjet për Kongresin, presidenti Donald Trump ka zgjedhur të fitojë pikë me politikat kundër emigracionit. Të martën ai ka paralajmëruar se do të anulojë të drejtën që u garantonte nënshtetësi fëmijëve të lindur në Amerikë nga prindër të huaj.

Donald Trump ka prekur sërish temën e emigracionit, duke njoftuar se do të firmosë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund së drejtës kushtetuese për nënshtetësi amerikane për fëmijët e të huajve të lindur në Shtetet e Bashkuara. “Jemi i vetmi vend në botë ku një person vjen, lind një fëmijë, fëmija bëhet shtetas amerikan dhe për 85 vjet gëzon të gjitha përfitimet”, ka deklaruar Trump. Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara i garanton të drejtën në fjalë kujtdo që lind në territorin amerikan. “Gjithmonë më kanë thënë se duhet një amendament kushtetues. Por mendohuni pak, ai nuk duhet fare”, ka thënë Trump. Presidenti ka sqaruar se është konsultuar me avokatin e Shtëpisë së Bardhë për të zgjedhur një lëvizje të tillë.

Sidoqoftë, shumë ekspertë nuk besojnë se ai do ta ketë të lehtë ta anulojë vetëm përmes kompetencave të tij. “Natyrisht kjo mund të bëhet me një votim në Kongres, por më kanë thënë se mund ta bëj edhe me një urdhër ekzekutiv”, ka vijuar Trump. Miliarderi i kthyer president e ka quajtur amendamentin e 14-të një amendament qesharak, ndaj sipas tij duhet të marrë fund. “Plani ynë është në zhvillim dhe së shpejti do të bëhet realitet”, ka shtuar Trump. Edhe gjatë fushatës elektorale, Trump kishte lobuar kundër së drejtës në fjalë, ndërkohë që vende të tjera, mes të cilave Kanadaja, e kanë politikën e nënshtetësisë të lidhur me lindjen./abcnews.al

salvini.jpg
G. P.10:40 | 25/09/2018

“Kriminelë” dhe”azilkërkues të rremë” përmes një dekreti të ri do të dëbohen më shpejt nga vendi, tha ministri i Brendshëm Matteo Salvini. Krahas Kishës Katolike kritika pati edhe nga partneri i koalicionit qeverisës.

Qeveria e Italisë ka vendosur dëbimin e lehtësuar dhe të përshpejtuar të migrantëve si dhe e ka ashpërsuar ligjin e azilit. Dekreti përkatës u shpall në Romë. Ministri i Brendshëm Matteo Salvini gajtë një konference shtypi tha, se në të ardhmen kërkesat për azil nuk do të shqyrtohen në rast se aplikanti klasifikohet si “i rrezikshëm nga ana sociale” ose është i dënuar nga një instancë e parë. Kërkesat për azil të aplikantëve, të cilët akuzohen për kontrabandë droge apo vjedhje xhepash, do të refuzohen.

Një qendrim për arsye humane, prej nga vitet e kaluara kanë qendruar në Itali rreth një e katërta e azilkërkuesve, në të ardhmen do të jetë vetëm një përjashtim. Edhe shpërndarja dhe strehimi i azilkërkuesve do të organizohet në qendra të mëdha pritjeje. Minorenët e pashoqëruar sipas qeverisë italiane do të shpërndahen në vend për të lehtësuar integrimin e tyre.

Salvini do ta shtrijë përdorimin e pistoletave-elektroshok 
Nëfaqen e tij të Facebook-ut Salvini shkruan, “kriminelë” dhe “azilkërkeus të rremë” do të dëbohen më shpejt. Ligji i nxjerrë me dekret është, ispas tij “një hap përpara, për ta bërë Italinë më të sigurtë”. Ai kontribuon, që Italia “të bëhet më e fortë në luftën kundër mafies” dhe kundër kontrabandistëve.

Salvini gjithashtu iu referua rregullores së re, “terroristëve” t’u hiqet nënshtetësia italiane. Përveç kësaj dekreti u jep më shumë kompetenca autoriteteve të sigurisë dhe kufizon “kostot për një migracion të ekzagjeruar”, deklaron ministri në Facebook. Si një rregullore e re e politikës së sigurisë në dekret parashikohet ndër të tjera, përdorimi më i zgjeruar i pistoletave elektroshok. Do të lehtësohet gjithashtu lirimi i banesave të zaptuara, sepse shfuqizohet detyrimi për t’u ofruar një strehimore shtesë banorëve të margjinalizuar.

Edhe lëvizja pesë-yjet e kritikon dekretin

Dekreti duhet të hyjë në fuqi, sapo kreu i shtetit Sergio Mattarella ta nënshkruajë atë. Megjithatë edhe parkamenti brenda një afati prej 60 ditësh duhet ta votojë atë.  Lidhur me dekretin e sigurisë është diskutar prej javësh në mediat italiane. dekreti është i diskutueshëm edhe brenda lëvizjes populiste pesë-yjet, e cila qeveri në koalicion me partinë e djathtë Lega të Salvinit.

Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore italiane, Nunzio Galantino, kritikoi, që politika e migracionit dhe sigurisë është përmbledhur në një dekret të vetëm. Kjo do të thotë, që një migrant “shihet si rrezik publik, pavarësisht se si sillet ai”, dekalroi përfaqësuesi i kishës. Kjo është “një shenjë e keqe”, tha ai.

Salvini është njëkohësisht shef i partisë ksenofobe Öega dhe zëvendëskryeministër. Ai përfaqëson një kurs të ashpër në politikën e migracionit dhe do ta kufizojë radikalishtnumrin emigrantëve që pranohen. Qëkurse ka marrë postin qeveria e djathtë-populiste në Itali në qershor anijet me refugjatë në brigjet italiane janë refuzuar të ankorojnë derisa vende të tjera të BE-së kanë shprehur gatishmërinë të marrin refugjatët./DW

tsipras-ne-pe.jpg
G. P.08:08 | 21/09/2018

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, deklaroi se Europa duhet të zgjidhë problemin e emigracionit duke u mbështetur në solidaritet dhe sidomos duke ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë.

Emigracioni është një problem europian dhe duhet të trajtohet nga Europa në bazat e solidaritetit dhe të ndarjes së drejtë të përgjegjësive, duke respektuar ligjin ndërkombëtar. Deklarata është bërë nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras ,gjatë darkës së punës të liderëve të BE-së në kuadër të samitit informal që zhvillohet në Salzburg, Austri.

Kryeministri grek pritet të theksojë domosdoshmërinë që Europa të japë një zgjidhje të kuptueshme për këtë problem duke shtuar se Greqia do të mbështesë ngritjen e menjëhershme të një Roje Kufitare dhe Bregdetare Europiane që do të përfshijë edhe një mekanizëm europian të riatdhetësimit të emigrantëve.

Tsipras do të mbështesë gjithashtu edhe ngritjen e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që do të mbështesë shtetet anëtare me më shumë mjete për t’u përballur me katastrofat natyrore, duke theksuar se zjarret në Greqi, Portugali, Francë, Suedi dhe vende të tjera e kanë bërë këtë çështje shumë të rëndësishme./abcnews.al

kurz.jpg
G. P.19:51 | 20/09/2018

Në Austri zhvillohen punimet e samitit të Bashkimit Evropian. Vendet anëtare pritet të diskutojnë ashpër lidhur me largimin e Britanisë së Madhe dhe çështjen e emigracionit.

Në Salzburg të Austrisë zhvillohet një samit shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dëshiron respekt të dyanshëm për realizimin e largimit të Britanisë së Madhe nga Unioni dhe një atmosferë të mirë.

Ajo kërkon shumë për një temë të shoqëruar kaq me debate. Megjithëse negociatorët shprehen me diplomaci, por ka zëra se edhe mes Michel Barnier, negociator i BE dhe negociatorit britanik ka grindje. Ndërsa në Britaninë e Madhe, ministri për Brexit, Dominic Raab i sulmon ashpër pozicionet e BE. Por Merkel në samitin e BE në Salzburg kërkon të flitet për arritjet pozitive.

Në disa sektorë është e mundur një bashkëpunim i mirë.Ajo përmend temën e sigurisë, ku palët janë të një mendimi. Por atë që nuk përmend Merkel janë marrëdhëniet ekonomike. Kryeministrja britanike, Theresa May kërkon një treg të brendshëm për mallrat, të cilën BE nuk e pranon. Qeveria e saj ka bërë progres në qëndrimet e saj, tani është radha e BE-së.

“Jam optimiste, se me vullnet të mirë dhe angazhim do të mund të arrijmë të përmbyllim një marrëveshje, të mirë për të dyja palët”, tha ajo.

Më problematike paraqitet çështja e kufirit irlandez. Barnier kërkon të paraqesë propozime të reja, sipas të cilave do mund të zhvillohen kontrollet e mallrave në portet e largëta apo përmes regjistrimit teknik. Londra nuk e pranon edhe teorikisht vendosjen e një kufiri në hapësirat ujore irlandeze. Afati kohor është i qartë: Në mes të nëntorit duhet të zhvillohet samiti përfundimtar për Brexit. Qeveria britanike ka edhe 6 javë kohë për të sqaruar qëndrimet e saj.

Ndërkohë kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk përpiqet të bindë krerët e BE-së për çështjen e migracionit. Në këtë vit nuk kanë ardhur as 100.000 migrantë në BE.

“Kjo është më pak se para krizës së refugjatëve. Prandaj vendet anëtare duhet të përqëndrohen tek zgjidhja e problemeve aktuale me migrantët. Nuk duhet të ndahemi në ata që duan një zgjidhje dhe ata që e përdorin situatën për lojëra politike”, u shpreh Tusk.

Për të ndalur migrimin nga Deti Mesdhe dhe punën e bandave të trafikantëve, kancelari austriak, Sebastian Kurz kërkon forcimin e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontex./abcnews.al

parandalim-be.jpg
G. P.15:23 | 19/07/2018

Frenimi i emigracionit të paligjshëm drejt vendeve të BE-së ka angazhuar Komisionin Europian në rajonin tonë. Në këtë kuadër, policia shqiptare dhe ajo e vendeve fqinje, po ndihmohet me aparatura moderne në kufi.

Menaxhimi i situatës në kufi dhe parandalimi i emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian, ka bërë bashkë policitë kufitare të rajonit në Operacionin “Drino 2018”.

Gjatë koferencës për shtyp Zv/Drjetoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, theksoi se Shqipëria duhet të jap kontributin e saj në këtë drejtim, pasi asnjë shtet nuk është imun në fluksin e emigrantëve.

“Ky operacion tregoi dhe njëherë për bashkëpunimin e mirë që ekziston midis policive kufitare të rajonit. Iniciativa të tilla përbejnë një kontribut të madh për të përballuar situatën e emigracionit”, tha Aida Hajnaj.

Hajnaj pohoi gjithashtu se në pikat e kalimit kufitar janë forcuar masat për të frenuar migracionin, duke rritur kapacitet njerëzore dhe logjistike.

“Policia shqiptare ka marrë një sërë masash përsa i përket parandalimit të emigracionit të parregullt”, tha ajo.

Komisioni Europian ka ndihmuar policinë shqiptare dhe atë rajone me pajisje medorene. Këto aparatura identifikojnë lëvizjet e emigrantëve natën e po kështu edhe me ditë me shi.

Ndërkohë gjatë 6-muajve të parë të 2018 janë ndaluar në territorin shqiptar 2300 persona, të cilët vinin krysisht nga Siria dhe Pakistani. Kjo shifër është disa herë më lartë, pasi shumë të tjerë kanë mundur të largohen ilegalisht nga vendi ynë drejt BE-së./abcnews.al

 

emigranttee.jpg
G. P.14:42 | 12/07/2018

Pjesa më e madhe e emigrantëve pjesë e flukseve të fundit të zbarkimeve në Europë, vijnë nga vendet afrikane. Vende që nuk janë vatra lufte, e për këtë arsye emigrimi i tyre është për arsye ekonomike. Qeveritë e disa prej vendeve afrikane kanë ndërmarrë fushata sensiblizimi dhe informimi për të ndaluar fenomenin në fjalë.

Duke bërë një dallim nga Libia, e cila ka rregullat dhe problemet e saj, fenomeni i fluksit të emigrantëve mund të luftohet falë bashkëpunimin me vendet në kufi me të si Sudani, Nigeria dhe Çadi. Është ky mendimi i ekspertëve të këtij fenomeni, të cilët konfirmojnë se pjesa më e madhe e emigrantëve të zbarkuar kohët e fundit në Europë vijnë nga vendet afrikane.

Ata janë të grup moshës 18–30 vjeç dhe në shumë pak raste ka familjarë. Një nga arsyet kryesore të emigrimit janë kushtet ekonomike, si dhe ofertat apo propaganda e skafistëve, të cilët sipas të dhënave më të fundit nga shoqatat jofitimprurëse, mund të kenë përfituar më shumë se 50 miliardë dollarë në dy vitet e fundit si pasojë e trafikut të qënieve njerëzore.

Sipas autoriteteve italiane, problem kryesor në vend përfaqësohet nga emigrantë të dy nënshtetësive ata nga Eritrea dhe nigerianët. Vende që konsiderohen se i ushqejnë këto flukse emigracioni, e që për momentin nuk janë në luftë civile apo protagonistë të ndonjë fenomeni të jashtëzakonshëm.

Por kufizimi i informimit në këto vende nuk paraqet për këta emigrantë një kornizë reale të asaj që i pret në këtë udhëtim shprese për një jetë më të mirë.

Për këtë arsye, qeveri të ndryshme afrikane kanë ndërmarrë fushata sensibilizimi dhe informimi në mënyrë që të ndërgjegjësojë ata që kanë ndërmend të nisin këtë udhëtim, se ka rreziqe reale dhe se në fund ata do të riatdhetësohen sërish./abcnews.al

angela-merkel.jpg
G. P.23:00 | 03/07/2018

Aleatët e kancelares Merkel në koalicion bashkëqeverisës në Gjermani nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me planin për emigracionin. Sipas socialdemokratëve, duhet ende kohë për të konvertuar propozimet konservatore për emigracionin në një paketë ligjesh të arsyeshme.

Politika për emigracionin e zgjedhur nga Angela Merkel për të shpëtuar koalicionin qeverisës ka shkaktuar skepticizëm në radhët e partnerëve të saj, të cilët kanë kërkuar më shumë bisedime.

Kancelares gjermane i nevojitet si mbështetja nga partnerët e rinj, ashtu edhe ajo nga vendet anëtare të BE-së nëse dëshiron që plani i saj për të kufizuar numrin e azilkërkuesve të ketë sukses.

Por liderët e tre partive që bëjnë pjesë në aleancën e saj dështuan të binin dakord me të në një takim të mbajtur pasditen e së martës, që zgjati dy orë e gjysmë.

“Ne bëmë progres, por nuk arritëm të gjejmë gjuhën e përbashkët”, deklaroi Andrea Nahles, kryetar i Social-Demokratëve.

Olaf Scholz, zëvendës kancelar dhe ministër i Financave nga e njëjta parti, tha se duhet ende shumë kohë për të konvertuar propozimet konservatore për emigracionin në një paketë ligjesh të arsyeshme.

Të hënën, CDU-ja e Merkel dhe aleatët bavarezë të Unionit Kristian Socialist ranë dakord për të ngritur qendra tranziti në kufirin me Austrinë, ku ndodhen emigrantë të regjistruar në vendet e tjera, me qëllim kthimin e tyre mbrapsht.

Pakti u duk se shpëtoi koalicionin qeverisës nga rrëzimi, por një sondazh i publikuar të martën ka treguar se shumica e gjermanëve nuk bien dakord me të. Edhe social-demokratët, të cilët refuzuan një plan të tillë tre vjet më parë, nuk shprehën menjëherë konsensusin e tyre. Pa harruar se janë edhe vendet e BE-së që duhet të pranojnë të marrin emigrantët e larguar drejt Gjermanisë./abcnews.al

angela-merkel.jpg
G. P.09:14 | 29/06/2018

Në orët e para të mëngjesit të së premtes u arrit një ujdi në samitin e BE-së për migracionin pas një nate të gjatë debati. Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE.

Kishte shumë dyshime, nëse ky samit do të sillte suksesin e duhur, madje jo gjithçka është arritur, por një kompromis për çështjen e azilit po konsiderohet si sinjal pozitiv se BE është e aftë të bashkëpunojë. Por ujdia e arritur parashikon ashpërsimin e politikës së azilit, gjë që nënkupton forcimin e fortifikatës Europë edhe më tej në të ardhmen.

Kancelarja Merkel e përshëndeti rezultatin e arritur sot në orët e para të mëngjesit duke e cilësuar atë si “mesazh të mirë”. Ende kemi shumë punë për të bërë, tha Merkel, por “jam optimiste. pas ditës së sotme, se ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku.” Edhe politikani i CDU-së dhe komisioneri i BE-së për buxhetin, Günter Oettinger u shpreh se “besoj që e gjitha është një hap i rëndësishëm dhe i madh.” Madje ai shpreson se kjo mund ta kënaqë edhe CSU-në, që i vuri afat Merkelit samitin e BE-së para se të fillojë me kthimin e refugjatëve në kufi.

Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE., por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura. Po ashtu Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontexi do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj jashtëm.

Ndalimi i emigracionit sekondar

Megjithëse në deklaratën përfundimtare të samitit është futur vetëm një klauzolë për ndalimin e migracionit sekundar, kjo është një pikë që mund të ndihmojë Merkelin në grindjen me CSU, e cila e sheh këtë “turizëm azili.” Fjala është për refugjatët që shëtisin nga një vend i BE në tjetrin, dhe stacionohen aty ku është më mirë. Asnjë azilkërkues nuk ka të drejtë të kërkojë sipas dëshirës vendin në BE ku dëshiron të qëndrojë. Ky është mesazhi i samitit.

“Shtetet anëtare duhet të marrin të  gjitha masat ligjore dhe administrative për t’u dalë ballë këtyre lëvizjeve dhe të punojnë me ngushtë së bashku”, thuhet në deklaratën e samitit për ndalimin e “emigracionit sekondar”. Kreu i qeverisë italiane, Giussepe Conti që kishte kërcënuar më parë me veto në samit, foli në mënyrë euforike pas arritjes së ujdisë. Pas këtij samiti Italia nuk është më vetëm, tha ai.

BE po kërkon po ashtu mundësi për ngritjen e kampeve edhe në Afrikë. Libia i kundërshtoi kampe të reja në vendin e saj. Shqipëria që u përfol, se do të ngrejë kampe të tilla, ka kundërshtuar. Në intervistë për “Bild”, kryeministri Edi Rama tha se “nuk duam të jemi valëthyesit e fluksit” dhe nuk duam qendra “nëse kjo do të thotë që njerëzit e dëshpëruar të lihen diku si mbetje toksike që nuk e do kush.”/DW

shbaa.jpg
G. P.08:17 | 29/06/2018

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan hodhi poshtë me shumicë dërrmuese, një propozim për reformimin e politikave të imigracionit, pavarësisht një thirrjeje të minutës së fundit të Presidentit Donald Trump për të miratuar legjilacionin e propozuar.

Votimi i të mërkurës, me 301 vota kundër dhe 121 pro, pati një kundërshtim të qartë të demokratëve dhe një qëndrim të përçarë të republikanëve.

Javët e fundit autoritetet amerikane po mbajnë të ndarë nga prindërit e tyre mbi 2 mijë fëmijë dhe po ndjekin një proces të ngadaltë të ribashkimit të tyre, pak ditë pasi Presidenti Trump bëri një ndryshim të kësaj praktike, duke udhëzuar dhënien fund të ndarjes së familjeve në kufirin amerikan.

Të martën, si rezultat i një padie të ngritur nga Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, gjykatësja Dana Sabraw e shtetit të Kalifornisë, urdhëroi qeverinë që të kthejë brenda 14 ditëve tek prindërit e tyre fëmijët e moshës nën 5 vjeç si dhe brenda 30 ditëve, minorenë mbi këtë moshë./Zëri i Amerikës

dw.jpg
G. P.08:24 | 26/06/2018

Në fund nuk u shënua asgjë. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të “Grupit të punës për migracionin” u shpërndanë sërish pas 4 orë konsultimesh jozyrtare në Bruksel , pa pasur ndonjë afrim të pozicioneve të tyre.

“Pati shumë vullnet të mirë, tha kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit. Më parë ajo pati pranuar, se edhe gjatë takimit të nivelit të lartë të BE-së, që zhvillohet të enjten dhe të premten nuk do të ketë ndonjë “zgjidhje të përgjithshme të problemit të migracionit”.

Prandaj edhe në bisedimet bi- ose triraterale bëhet fjalë për përfitime reciproke.

“Ne mund të ndihmojmë njëri – tjetrin, që të mos na duhet të presim të 28 (vendet anëtare të BE), por të mendojmë për ato vende për të cilët është e rëndësishme”, tha Merkel.

Por për këto marrëveshje bilaterale për shembull me Italinë ose Austrinë për dëbimin e azilkërkuesve direkt në kufi, të kërkuar nga partia Socialkristiane (CSU), nuk është folur fare. 90 përqind të kohës është folur për mbrojtjen më të mire të kufijve dhe bllokimin e rrugëve detare nga Libia në Itali, thotë një pjesëmarrës i takimit. Po ashtu është folur për forcimin e policisë evropiane “Frontex”, që aktualisht nuk mund t’i kontrollojë vetë kufijtë. Mandati i tij mund të ndryshojë, tha kancelarja. Duhet të ketë “ndryshime operacionale” në kufij, tha kryeministri i Maltës Joseph Muscat pa shpjeguar detajet. Ai konfirmoi indirekt se nuk ka pasur afrime në pozicionet e ndryshme të vendeve.

“Ne thamë qartë çfarë mendojmë “, tha maltezi për bisedimet.

Në gjuhën diplomatike kështu thuhet për të treguar që ka pasur zënka

Italia kërkon ndarjen e refugjatëve sipas kuotave

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka prezantuar planin e tij dhjetëpikësh. Italia nuk do të lejojë më të futen në vend refugjatë pa u seleksionuar një herë në anijet e marinës italiane.

“Ky është një propozim që ka si synim të zëvendësojë rregullat aktuale të Dublinit. Nuk funksionon nëse ne vazhdojmë me logjikën e rasteve emergjente”, tha Conte në Bruksel.

Rregullat e Dublinit, janë ato që janë përgjegjëse për futjen e azilkërkuesve. Conte kërkon ta ndryshojë këtë në mënyrë radikale. Nga portat italiane azilkërkuesit dhe migrantët mund të shpërndahen sipas kuotave në vende të tjera evropiane. Nuk është vetëm Italia përgjegjëse, por e gjithë Evropa. Por vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe Austria e refuzojnë me forcë. Përveç kësaj propozimi italian nuk është i ri, thotë kryeministri grek Alexis Tsipras, vendi i të cilit është po ashtu vend përgjegjës për migrantët sipas rregullave të Dublinit. Një rregull për vendosjen e kuotave për lehtësimin e Italisë dhe Greqisë vendet e BE e patën vendosur që më 2015. Por ai nuk u vu krejtësisht në zbatim, megjithëse Gjykata Evropiane e konfirmoi si të drejtë. Grupi i refuzuesve të kuotave me Poloninë dhe Hungarinë në krye, nuk morrën pjesë në takimin e grupit të punës ditën e diel.

Merkel vazhdon bisedimet

Kancelarja Merkel bëri të ditur, se do të vazhdojë bisedimet bilaterale dhe trialaterale deri në takimin e nivelit të lartë të BE. Me kë do të flasë dhe për çfarë ajo nuk e sqaroi. Kryeministri i Luksemburgut e hodhi poshtë përshtypjen e krijuar, sikur i gjithë takimi i Brukselit ishte organizuar për të shuar grindjet midis Merkelit dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer (CSU). Me pak ironi, Xavier Bettel tha para takimit: “Këtu nuk kemi të bëjmë me mbajtjen në post të një kancelareje. Këtu kemi të bëjmë me gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen, për migracionin e përbashkët dhe çështjen e azilit në Evropë”.  Ne shohim se sapo vjen një valë e madhe refugjatësh, ne nuk jemi në gjendje ta përballojmë. Puna nuk është nëse do të jetë Merkeli kancelare javën e ardhëshme apo jo.”

Presidenti francez Emmanuel Macron është sipas vlerësimeve të shumë diplomatëve të BE-së, një nga aleatët më të ngushtë të kancelares. Ai kërkon që rrugët detare midis Libisë dhe Italisë të mbyllen krejt për migracionin ilegal. Duhet bashkëpunuar më fort me Libinë. Macron foli po ashtu si edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, për kampe regjistrimi për azilkërkuesit dhe migrantët, në të cilat të vendoset kush ka shanse azili dhe kush jo. A do ndërtohen këto kampe në Afrikën e Veriut apo në tokë evropiane, për këtë ende nuk është rënë dakord.

E sigurt është se këto kampe nuk janë zgjidhje për kthimin e azilkërkuesve në kufirin gjermano-austriak, siç kërkon CSU./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono