emergjenca

download-1-1.jpg
ent ela11:42 | 27/10/2019

Kalifornia pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë shtetin prej disa ditësh. Ndërkohë, me miliona banorë do të jenë pa energji elektrike për 72 orët e ardhshme.

Guvernatori i Kalifornisë Gevin Njusom ka kritikuar kompaninë PG&E e cila ka paralajmëruar se do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për milliona banorë, në atë që konsiderohet si black out më i madh në historinë e shtetit. Një vendim i marrë si pasojë e erërave të forta të cilat rrezikojnë të krijojnë problem për rrjetin e furnizimit si dhe ushqejnë flakët e zjarrit që kanë përfshirë kaliforninë.

Njusom u shpreh se po punohet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë shtetin. Kjo pasi 72 orët e ardhshme do të jenë shumë të vështira.

Guvernatori i shtetit premtoi se dhe pa energji elektrike spitalet do të jenë në funksion falë gjeneratorëve autonomë, ndërsa autoritetet po negociojnë me supermarketet në mënyrë që të vazhdojnë të qëndrojnë hapur.

Njusom u shpreh se PG&E nuk ka rinovuar rrjetet dhe se ndërprerja e energjisë elektrike nuk është një gjë normale. Por kompania ka kërkuar shpalljen e falimentimit të asistuar pas zjarrit të një viti më parë ku humbën jetën 11 persona, dhe kompania u shpall përgjegjëse për këtë. /ABC News Albania 24/7

Capture-1-1280x621.jpg
ent ela22:54 | 09/04/2019

Sëmundja e fruthit ka rënë edhe në Nju Jork të shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përhapja me shoejtësi e saj ka detyruar kryebashkiakun Bill De Blazio të shpallë emergjencën shëndetësore.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut ka shpallur një emergjencë shëndetësore për shkak të rënies së fruthit në qytet. Sipas mediave amerikane, kryebashkiaku u ka bërë thirrje qytetarëve në zonat e prekura që të vaksinohen, ndryshe do të përballen me gjobë. Sipas burimeve, që prej 30 shtatorit në zonën e Bruklinit janë verifikuar 285 raste të prekjes nga fruthi, 246 nga të cilët fëmijë.

Autoritetet kanë deklaruar se bëhet fjalë për rënien më të madhe të fruthit në qytet që nga viti 1991. Fruthi konsiderohet një sëmundje virale ngjitëse që mund të ketë pasoja serioze tek shëndeti i njeriut, si pneumoni dhe ënjtje të trurit. Autoritetet njujorkeze kanë deklaruar se nga 285 rastet e raportuara, 21 persona janë shtruar në spital dhe 5 të tjerë në repartin e terapisë intensive. Për fat të mirë nuk ka patur raste vdekjeje.

Tani, në bazë të urdhërit të kryebashkiakut Bill de Blazio, çdo person që nuk është vaksinuar duhet të imunizohet brenda 48 orëve. “Dua që të gjithë ta kuptojnë se sa serioze është kjo sëmundje dhe sa shpejt mund të përhapet ajo”, deklaroi De Blazio. Në mars, një konte’ e shtetit të Nju Jorkut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rënies së fruthit. /abcnews.al

105228366_compopelosi.jpg
ent ela09:32 | 25/01/2019

Shtëpia e Bardhë pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në kufi me Meksikën në mënyrë që të mund të përdorë fondin e emergjencave për ndërtimin e murit anti emigrantë.

Një tjetër goditje për Donald Tramp nga kryetarja e Kongresit Amerikan Nensi Pelozi. Kjo e fundit refuzoi kushtet e vendosura nga presidenti amerikan për të mbështetur një marrëveshje të përkohshme për shatdaun: futja në ligj e një amendamenti për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Pelzoi u shpreh se ky nuk ishte një propozim i arsyeshëm.

Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë po përgatit një dokument për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kombëtare në kufi me Meksikën në mënyrë që të përdoren 7 miliard dollarë për ndërtimin e murit. Plani njëkohësisht do i jepte fund dhe bllokimit të aktiviteteve federale, duke anashkaluar kongresin. /abcnews.al

BANESAT-EMERGJENCA-ITALI.mpg_snapshot_01.12-1280x747.jpg
ad min12:32 | 19/08/2018

Në Itali kanë përfunduar operacionet e kërkim shpëtimit në rrënojat e urës Morandi të rrëzuar me 14 gusht në Gjenova. Ndërkohë, të hënën do të fillojë shpërndarja e banesave të reja për mbi 600 personat që u mbetën të pastrehë për shkak të tragjedisë.

Të hënën në orën 16 presidenti i rajonit të Ligurias, Giovanni Toti, me kryebashkiakun e Gjenovës, Marco Bucci, do të dorëzojnë banesat e para për të zhvendosurit pas rrëzimit të urës Morandi. Ngjarja tragjike ku humbën jetën shumë persona, bëri të pamundur banimin në shumë pallate që gjendeshin poshtë urës.

Mbi 600 persona, të cilët për arsye sigurie janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e rënies së urës, mund të marrin transport falas me taksi për të shkuar në banesat e reja sa herë që kanë për të marrë sende personale ose ndonjë lloj tjetër. Administrata komunale dhe Kooperativa e Radio Taksive vendosën që gjithashtu të vendoset në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në rast nevoje. Njerëzit do të përcillen në apartamente nga personeli i mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit.

Ndërkohë, janë përmbyllur operacionet e kërkimit dhe rikuperimit të viktimave të rënies së urës Morandi në Gjenova. Zjarrfikësit kanë përfunduar ndërhyrjen për të nxjerrë familjen Cecala, babain Cristian, nënën Daena dhe fëmijën Kristal. Pas kërkimeve të të zhdukurve, zjarrfikësit vazhdojnë të operojnë në rrënojat e urës për të siguruar zonën./abcnews.al

porto-romanoo.jpg
ad min17:10 | 12/07/2018

Plehrat e Durrësit vazhdojnë të shkarkohen në Porto Romano dhe do të vazhdojnë të depozitohen atje derisa të gjendet zgjidhja përfundimtare. Kryetari i degës së Shërbimit Komunal në Bashkinë e Durrësit tregon se çfarë do të ndodhë pas shpalljes së emergjencës.

Tre ditë nga vendimi i Këshillit Bashkiak Durrës për shpalljen e emergjencës mjedisore, në depozitimin e mbetjeve urbane në Porto Romano asgjë nuk ka ndryshuar.

Kamionë të ngarkuar me plehra shkarkohen në të njëjtin vend. Në ndërmarrjen komunale në varësi të bashkisë Durrës, drejtuesit thonë se deri në një vendim të dytë ato do të vazhdojnë të depozitohen në Porto Romano.

“Edhe pse është marrë ky vendim i Këshillit Bashkiak para 2-3 ditësh, ne vazhdojmë punën në mënyrë të përditësuar për shkarkimin e mbetjeve në këtë fushë, sepse duhet një hapësirë kohore më e zgjatur që ne të reflektojmë ndryshimet që duhen bërë”, tha Fadil Ago, kryetar i degës së Shërbimit Komunal.

Ago sqaron se shpallja e emergjencës mjedisore është vetëm fillimi i një sërë procedurash shkresore dhe ligjore që duhet të ndiqen nga bashkia e qytetit dhe ministritë përkatëse, për të cilat duhet shumë kohë.

“Natyrisht që këto nuk mund të bëhen menjëherë. Ka disa vendime që do të merren më pas. Ato kanë të bëjnë më planifikimin financiar , me masat organizative që duhen marrë si dhe me gjithë përmirësimin e infrastrukturës së transpotit”, tha Ago, kryetari i degës së Shërbimit Komunal

Gjetja e një alternative për depozitimin e mbetjeve në Durrës, apo dërgimi i tyre në ndonjë landfill tjetër, mbeten disa nga opsionet. Nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit të një të riu në Durrës.

“Për krijimin e një landfilli të ri, i cili mund të bëhet në Bashkinë e Durrësit, ose mund të çohet në Sharrë të Bashkisë së Tiranës.”

Një muaj më parë kryeministri Edi Rama, i cili pa nga afër gjendjen në Porto Romano tha se

“Të vazhdojmë procesin e bashkëpunimit për mbylljen e kësaj fushe dhe trasformimin në një park të madh të qytetit, t’i çojmë mbetjet, tha ai, në impiantin e Tiranës duke llogaritur edhe kostot”.

Drejtues të ndërmarrjes së komunales të ngarkuar për pastrimin e qytetit dhe menaxhimin e mbetjeve në Porto Romano sqarojnë së kanë nisur marrjen e masave paraprake në terren për minimizimin e nivelit të ndotjes. Fillimisht do të pastrohen kanalet pranë venddepozitimit në Porto Romano dhe më pas do të bëhet rrethimi i zonës./abcnews.al

EMERGJENCA-PORTO-ROMANO1-1280x720.jpg
ent ela22:12 | 10/07/2018

Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë Durrës. Shpallja e gjendjes së emergjencës ne Porto Romano gjeti dakortësinë e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të pranishëm në mbledhje. Këshilltari i PD-së, Armand Teliti tha  se ky ishte një propozim i bërë nga PD e Durrësit në vite dhe kërkoi që autoriteti përkatës për të menaxhuar situatën duhet të jetë Këshilli Bashkiak e jo kryebashkiaku Vangjush Dako. Vendgrubullimi i mbetjeve urbane në Porto Romano ndër vite është kthyer në një shqetësim për banorët për shkak të ndotjes masive të ajrit që vjen si pasojë e djegies së mbetjeve në një terren të hapur. /abcnews.al

BASHA-SHKODER-ABC-M5-1280x720.jpg
ent ela16:40 | 23/03/2018

Lulzim Basha i ka kërkuar nga Shkodra qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencës në këtë qytet. Shkak i përmbytjeve sipas Bashës, nuk janë reshjet, por shkarkimet nga hidrocentralet.

I pranishëm në mbledhjen e Emergjencave Civile të Bashkisë që forca e tij politike drejton, Lulzim Basha, në prani të kryetares Ademi dhe deputetëve dhe strukturave vendore përsëriti apelin për shpalljen e gjendjes së emergjencës.

“Sipas informacioneve që parashtuat, janë mbi 1 mijë familje dhe rreth 800 banesa të rrethuara nga uji.

Kjo përbën për çdo vend dhe çdo qeveri normale një gjendje enmergjence. Këto familje të rrethuara nga uji, janë në kërcënimin e vazhdueshëm të izolimit, mungesës së ujit të pijshëm, mungesës së shërbimit shëndetësor, për të moshuarit, për fëmijët.

Puna e bërë deri tani, mbështetet nga ndihmat, rezervat, resurset e Bashkisë së Shkodrës e cila sikundër në asnjë bashki tjetër nuk është e përgatitur, as nga ana buxhetore, as nga ana infrastrukturore ta përballojë e vetme këtë gjendje emergjence.

Kjo është arsyeja kryesore se përse insistohet prej më shumë se dy javësh në shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të bashkisë së Shkodrës dhe bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale”.

Shkaktari i situatës sipas tij është keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, ndaj thirrjen organit të akuzës ia bëri drejtpërdrejt.

“Askush nuk mund të më thotë, se kjo që po ndodh këtu, është vepër e Zotit. Ne të gjithë e dimë se kjo është vepër e njeriut. Është përgjegjësi e drejtpërdrejt e KESH. Kaskada e Drinit është përgjegjësja për përmbytjet e Shkodrës.

Dua t’i drejtoj një apel kryeministrit , shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës. T’i japë fund heshtjes fajtore të KESH-it dhe të Ministrit të KESH-it, Damian Gjiknuri, heshtjes bashkëfajtore trë kryeministrit dhe të autoriteteve të tjera, përballë përmbytjeve në Shkodër. Të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës”.

Përgjatë dy ditëve të fundit janë shtuar vizitat në terren të ministrave dhe përfaqesuesve të lartë të politikes, duke përforcuar pamjen emergjente të situatës, ende të pashpallur zyrtarisht të tillë./abcnews.al

 

PREMCI-1280x720.jpg
ent ela19:34 | 20/03/2018

Drejtor i Emergjencave Civile Shemsi Premçi ka kërkuar që të shpallet  emergjencë e pjesshme civile në Shkodër, pasi situata e përmbytjeve është rënduar. Si shkak Premçi ka identifikuar punimet pa standard të rrugës së Velipojës, një investim i qeverisë, për të cilin ai kërkoi hetim nga Prokuroria.

Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Premci kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës së pjesshme civile në Shkodër. Pas kërkesave të përsëritura nga Bashkia, duket se edhe z.Premçi ka arritur në këtë konkluzion, pasi sipas tij situata në Anën e Malit dhe në Dajç është përkeqësuar.

Qëndrimin e dha në mbledhjen e shtabit të emergjencave. Pas monitorimit të situatës në terren, Shemsi Premci identifikon si përgjegjës për zgjerimin e hartës së përmbytjeve në Shkodër investimin që po kryhet tek rruga e Velipojës. Ai kërkoi hetim nga Prokuroria për punimet e kësaj rruge.

Segmenti Shkodër-Velipojë është një investim i qeverisë që po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kostoja e rrugës prej 47 km është 20 milionë euro. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono